Media britanike “Mirror” i ka kushtuar një artikull Diena Karanxhës, 30-vjeçaja nga Durrësi e cila mbeti viktimë nga tërmeti bashkë me vajzën e saj 8 vjeçe.
“Një nënë e
goditur nga tërmeti në Shqipëri iu lut ekipeve të shpëtimit që ta linin të
vdiste në krahët e së bijës, pasi vogëlushja u vra gjithashtu”, e nis kështu
artikullin “Mirror”.
“Diena Mecaj
Karanxha, 30 vjeç, thuhet se u gjet në rrënojat në qytetin e Durrësit në
Shqipëri pasi një ndërtesë gjashtë katëshe u rrëzua gjatë tërmetit të 26
nëntorit. Diena u raportua se u gjet me trupin e vajzës së saj të vdekur Esiel,
e cila kishte ndërruar jetë 12 orë më parë. Ajo thuhet se u ishte lutur ekipeve
të shpëtimit, duke thënë: “Mos më nxirrni jashtë, unë dua të vdes në krahët e
vajzës time”.
Mediat
lokale raportojnë se Diena vdiq nga një hemorragji gjatë rrugës për në spital.
Burri i saj,
Dorian Karanxha ka vdekur nga një sulm në zemër në vitin 2015 dhe ajo i kishte
kushtuar jetën e saj për të rritur vetëm vajzën e tyre.
Diena postoi
foto të tij me titullin: “Dita e babait. Sa do të doja që të ishe këtu me
Esielin tonë të dashur, të cilës i mungon kaq shumë”.
“Shumë
njerëz quhen” baba “por ti ishe nga të paktët që me të vërtetë meriton të
quhesh baba. I mirë, i dashur, i ëmbël, ke pasur një zemër shumë të madhe. Unë
do të të dua përgjithmonë”.
Sipas mediave lokale, të dy nëna dhe vajza do të varrosen në fustane nusërie”, është ky artikulli i plotë nga Mirror. / KultPlus.com
Ministri në detyrë i punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka dhuruar 1 milion Euro ndihmë për zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri.
Ky donacion sipas Pacollit shkon për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti, njofton Klan Kosova.
”Unë u trondita kur pashë dëmet në jetën e njeriut dhe në infrastrukturë që tërmeti shkatërrues po lë pas në Shqipëri.
Kjo kërkon solidaritet dhe mbështetje për të siguruar që qytetarët e prekur mund të kthehen shpejt në jetën normale.
Kemi vendosur së bashku me familjen time (ne djemtë e Isa dhe Ruhan Pacollit) që të dhurojmë #1milion Euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti.
Ky donacion do të shkojë në funksion të rindërtimit dhe bashkë me Qeverinë e Shqipërisë do të menaxhohet në mënyrë transparente dhe të sigurt.
Kjo është më e pakta që unë dhe familja ime mund të bëjmë për Shqipërinë tonë të dashur.
Mbështetja ime për vëllazerit tonë do të jetë e vazhdueshme dhe shpresoj së shpejti ata të kthehen në normalitet.
Unë pres po ashtu që në menyrë të organizuar të pranoj edhe qindra familje këtu në Prishtinë”.
Një instrumental rrëqethës ju është dedikuar viktimave të tërmetit në Shqipëri nga kompozitori Blond Krasniqi.
24 vjeçari, përmes kësaj
melodie shpreh gjithë dhimbjen e tij shpirtërore për këtë fatkeqësi që e ka përthekuar
shtetin shqiptar.
“Shqiperi toka fort si
djep te përkundi, por dashurinë tonë ndaj jush dot nuk e lëkundi”. Një melodi
nga unë, nga dhembja e madhe per tragjedinë ne Shqipëri”, ka shkruar ai në
Facebook.
Krasniqi është
kompozitor i ri, veprat e të cilit kanë qenë pjesë e shumë festivaleve e
koncerteve.
Në vitin 2018, ai është shpërblyer me çmimin vjetor të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), për kategorinë e veprave solistike dhe duo për vitin 2017. / KultPlus.com
Sot mbushen 107 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë.
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë erdhi pas përpjekjeve gati 500 vjeçare të popullit shqiptar nga perandoria osmane, e cila pushtoi trojet shqiptare, 10 vjet pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu, më 17 janar 1468.
Përpjekja për çlirim e popullit shqiptar dhe popujve të tjerë evropian nga perandoria osmane, nuk janë ndalur asnjëherë deri në dëbimin e saj më 1912-të.
Përveç trojeve shqiptare, Perandoria Osmane për disa shekuj kishte të pushtuara edhe vendet e tjera të Ballkanit, si dhe tentojë të marrë edhe Austrinë, ku pas një lufte dy mujore me Vjenën, më 1683 pëson humbje të mëdha dhe tërhiqet.
Në vitin 1684 u krijua një koalicion kundër osman me emrin “Lidhja e Shenjtë”. Në koalicion merrnin pjesë Austria, Polonia, Venediku, Malta dhe pas dy vjetësh hyri edhe Rusia.
Pas kësaj, ushtria austriake përparoi në Bullgari dhe në tokat e shqiptarëve. Në Prishtinë forcat austriake u pritën nga 5000 kryengritës shqiptarë, kurse në Prizren nga 6000 kryengritës të tjerë shqiptarë.
Shqiptarët luftuan përkrah austriakëve. Këto beteja përfunduan me fitoren e ushtrisë osmane. Pas këtyre disfatave, me austriakët u tërhoqën nga Kosova mjaft kryengritës. Faktin e largimit të mjaft kryengritësve nga Kosova e shfrytëzoi më vonë monarkia serbe e cila krijoi legjendën e së ashtuquajturës “shpërngulja e serbëve” nga Kosova dhe popullimin e saj prej shqiptarëve.
Përpjekje e madhe e popullit shqiptarë ishte edhe pas luftës së re Ruso-Turke (1877-1878). Rusia se bashku me Austro-Hungarinë në Budapest, më 15 janar 1877, nënshkruan një marrëveshje e quajtur si Marrëveshja e Budapestit. Sipas tyre, Austro-Hungaria do të qëndronte asnjanëse në luftën ruso-turke. Si shpërblim ajo fitonte të drejtën të pushtonte ushtarakisht Bosnjën dhe Hercegovinën, kurse fati i sanxhakut të Novi Pazarit (Pazarit të Ri) do të caktohej me një marrëveshje të veçantë që do të lidhnin Peterburgun me Vjenën. Perandoria dualiste zotohej të mos i prekte Rumaninë, Serbinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi, të cilat Rusia i mbante si territore të zonës së saj të ndikimit. Perandoria Ruse do të kënaqej me aneksimin e Besarabisë në Ballkan dhe të Batumit në Kaukaz. Por, në rast se Perandoria Osmane do të shembej krejtësisht, Bullgaria, Rumania dhe Shqipëria do të bëheshin shtete autonome; Kreta, Thesalia dhe Epiri do t ë aneksoheshin nga Greqia, kurse Stambolli me rrethinën e tij do të shpallej qytet i lirë.
Megjithatë, duhet pranuar se marrëveshja e Budapestit, pavarësisht nga këto aspekte negative, ishte akti i parë diplomatik ndërkombëtar që pranoi në parim idenë e krijimit të një shteti shqiptar. Kjo ide ishte e Austro-Hungarisë, e cila u nis nga interesi për të krijuar në Ballkanin Perëndimor një barrierë kundër ekspansionit serb drejt Adriatikut e Maqedonisë.
Më 10 qershor 1878 shqiptarët u mblodhën në Prizren dhe formuan Lidhjen e Prizrenit. Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë. Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të kongresit të Berlinit, i cili më shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, në përpjekje për t’u larguar nga sundimi osman.
Më 10 qershor 1878, në Prizren u bashkuan katër vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës.
Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë gjatë fuqitë e mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia.
Copëtimi i parë i trojeve shqiptare u realizua pas vendimeve të Kongresit të Berlinit për të shpërblyer Malin e Zi me Plavën e Gucinë. Gjatë kësaj kohe, iu kaluan Serbisë zonat e Toplicës, Prokuples, Kurshumlisë, Nishit, Vranjes dhe Leskovacit. Popullsia shqiptare në këto zona u përzu me dhunë, dhe e gjithë u spastrua etnikisht, duke krijuar 70 000 refugjatë shqiptarë që u vendosën në Kosovë e 60 000 të tjerë që u vendosëm në zonën që sot është në Maqedoni. Kongresi i Berlinit i dha Malit të Zi edhe tokat tjera shqiptare, qytetin e Tivarit dhe Podgoricën.
Përpjekja e popullit shqiptar u shua më pas me mosnjohjen e trojeve nga Kongresi i Berlinit dhe luftën e popullit shqiptar kundër perandorisë osmane, e cila rezultoi me copëtimin e Shqipërisë dhe mbetjen e pjesëve tjera nën perandorinë osmane.
Lufta e popullit shqiptar nuk u ndalë deri më 1912, ku në Vlorë u shpallë pavarësia e Shqipërisë dhe përfundimisht populli shqiptarë dëbon nga trojet e veta perandorinë osmane.
Pas kësaj u mbajt Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1912-1913 e njohur ndryshe edhe si “Konferenca e Paqes në Londër”, i cili ishte një takim ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia). Këto fuqi u mblodhën në dhjetor 1912. Pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913, ambasadorët morën një vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane, duke e copëtuar edhe njëherë dhe duke marrë dy të tretat e trojeve shqiptare.
Më poshtë shihni hartën e propozimit të qeverisë shqiptare, propozimit të Francës, Rusisë dhe Ligës së krijuar Ballkanike ( Bullgaria, Greqia , Serbia dhe Mali i Zi), si dhe vendimin e marrë nga konferenca e ambasadorëve.
Harta me propozimet e Qeverisë së përkohshme të Vlorës për hartën e Shqipërisë, propozimet e Francës, Rusisë dhe ligës së Ballkanit ( Serbia, Bullgaria dhe Greqia) si dhe kufinjt e tanishëm të propozuar dhe miratuar nga konferenca e Londrës ( ky territor tani quhet Shqipëri). / KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përkundër dhimbjes për jetët e humbura nga tërmeti që ndodhi ditën e martë në Shqipëri, sot ka uruar shqiptarët me rastin e Ditës së Flamurit, ani pse kësaj radhe festa është kthyer në zi, përcjellë KultPlus.
Kryeministri Rama përmes një postimi në faqen e tij në Facebook
ka uruar Ditën e Flamurit duke këtë ditë si një errësirë.
“Hyri Dita e Flamurit
Kuqezi në errësirën që na rrethon përkohësisht, përpara daljes së diellit. Zoti
e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudoqofshin pa asnjë dallim”, shkruan Rama
në Facebook.
Ai gjithashtu ka reaguar edhe me një tjetër thirrje në këtë
ditë të shënuar për shqiptarët, duke kërkuar që kjo festë të kthehet në
solidaritet.
“Dhe me adresën unike shtetërore për adresimin e çdo kontributi, në https://e-albania.al/dhuro ju uroj të gjithëve Ditën e Pavarësisë dhe uroj që këto ditë festash tradicionale kombëtare, të kthehen në DITË të shënuara SOLIDARITETI KOMBËTAR, në respekt të atyre që s’janë më dhe në mbështetje të familjeve që sot kanë nevojë për TË GJITHË NE”, ka përfunduar Rama. / KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë këtë mëngjes, lidhur me situatën katastrofike, në të cilën ndodhet vendi pas tërmetit.
“Nuk ka më nevojë për ndihma materiale por financiare, pasi falë jush ka masivisht, por mund të ketë nevojë për më shumë bashkërendim dhe koordinim. Ju lutem të gjithë atyre që do të vijnë të drejtohen te Ministria e Mbrojtjes, në mënyrë që të bëjnë një ndarje sa më të drejtë të ndihmave. Plaga është te strehimi, ndaj dhe duhet të fokusohemi te ky kontribut. Është një situatë me përmasa të atille që do të kishte lëkundur shtete shumë më të mëdha se sa ne. Është bërë një super-pune, me një investim moral dhe fizik. Na ra ne, dhe ne duhet ta mbajmë, nuk kemi asnjë rrugë tjetër t’i shmangemi kësaj sfide, që do shënojë në memorien tonë një nga momentet më të pashlyeshme në cdo aspekt. Në faqen e ‘e-albania’ pashë të dhënat, ka kontributorë të mëdhenj, por ka dhe kontributorë të vegjël, por që janë tejet të çmuar”, tha Rama, përcjell tch.
“Në thumanë i kemi njerëzit në cadra, sepse aty është një vatër e zjarrtë tragjedie. Por, së pari na duhet të përcjellim të vdekurit, numri i të cilëve ka arritur në 40. Menjëherë pas momenteve të lamtumirës së dhimbshme, do të jetë gati gjithë logjistika për t’i strehuar, ushqyer dhe asistuar”, tha Rama. / KultPlus.com
Mbi 1000 banesa të dëmtuara, 29 viktima dhe 600 të plagosur është bilanci i tmerrshëm i një tërmeti që shkundi Shqipërinë. Të gjithë u sensibilizuan, ofruan ndihma, para, shërbime dhe çdo gjë që kishin nevojë të dëmtuarit nga kjo fatkeqësi.
Nga Kosova mbërritën biznesmenë të ndryshëm, panë situatën nga afër dhe u sensibilizuan duke derdhur në llogaritë e ndihmës, disa qindra mijëra euro.
Po të pasurit e Shqipërisë ku po fshihen?!
Në këto 6 vitet e fundit, janë dhënë mbi 1 miliard euro koncesione, ku pjesën më të madhe e kanë marrë një grup biznesmenësh të pasur. Gjithashtu me dhjetëra kompani përfitojnë fonde publike çdo vit, nëpërmjet tenderave të ndryshëm. Të gjithë këta janë fshehur, kanë braktisur Shqipërinë dhe po sigurojnë pasurinë e tyre.
Këta të pasur nuk janë sot pranë shqiptarëve, pranë njerëzve që kanë nevojë. Për ta, ky tërmet është një ngjarje e zakonshme, përsa kohë ata nuk janë prekur. Shumica prej tyre kanë braktisur vendin me familjet e tyre, dhe tërmetin po e shikojnë nga televizori.
Koncesionet, rrugët dhe tenderat, këta biznesmenë i fitojnë nga pasuritë e qytetarëve. Janë taksat tona, dhe të atyre viktimave të tërmetit, që mbajnë në këmbë ekonominë e vendit, dhe pasurinë e tyre. Dhe këta të fundit nuk japin asnjë qindarkë nga pasuria e tyre.
Sot këta të pasur, zotërojnë apartamente që mund t’i vendosin në dispizicion, kanë para, kanë supermarkete për ndihma ushqimore, dyqane me elektroshtëpiake, kanë hotele për t’i strehuar të dëmtuarit e tërmetit. Por asgjë deri tani! Në media janë parë vetëm akte bamirësie me shuma modeste, në raport me pasurinë që kanë.
Po tërmeti natyrisht ka pasoja edhe mbi të pasurit! Në një situatë të tillë katastrofe, bie konsumi dhe shpenzimet, bie xhiroja, dhe natyrisht bien të ardhurat për ta. Prandaj, ata që sot fshihen, nëse nuk japin kontribut për të dalë nga kjo krizë, restoja ndaj tyre do të jetë tepër e shpejtë./ Shqip / KultPlus.com
Një familje nga fshati Carabreg i Deçanit të Kosovës, ka strehuar një familje nga Durrësi i Shqipërisë.
Kjo siç raporton rel, u bë pas tërmetit tragjik që ndodhi në këtë qytet të martën, si pasojë e të cilit humbën jetën dhjetëra dhe u lënduan qindra persona.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, familja Qorraj kishte qëndruar për disa muaj te familja Kazanxhi në Durrës.
Gazetari Taulant Kopliku i ka dedikuar një letër viktimave të tërmetit. Letra ka në qendër vogëlushen Lea, e cila humbi jetën në krahët e nënës së saj, e cila gjithashtu humbi jetën pasi doli nga rrënojat.
Letra e plotë
Nje yll Nate e çuditshme sonte. S’po kam gjume. Qindra mendime po me vijne ne koke. Mendime nga me te ndryshmet, siç i ndodh shpesh te gjithe moshatareve te mij. Ah, se harrova te prezantohem. Jam Lea, 8 vjeçe, nga qyteti me i bukur ne bote qe quhet Durres. Une shkoj ne klasen e trete dhe jam shume, shume kurioze. Pyes pafund per gjithçka ndodh perreth meje. Shpesh here mami merzitet nga pyetjet e mia te njepasnjeshme, por ne fund dorezohet dhe me jep pergjigje. Babi nuk merzitej asnjehere. Eh, babi im. Ai ishte me i miri i Durresit. Pse jo, me i miri i botes. Ka tre vite qe ai eshte ne qiell. Nga atje me shikon Çdo dite dhe me dergon puthje. Edhe une ia kthej. Çdo dite kur hyj ne shkolle, i dergoj nje puthje me duar. Era ia dergon puthjet e mia, jam e sigurt.
Me duket se nuk ju
thashe, mami im eshte piktore. Ne shtepi jane gjithandej pikturat e saj. Shpesh
here mami me thote se jeta eshte plot ngjyra te bukura e se une sa me shume do
te rritem, aq me shume ngjyra do te shtohen. Ashtu siç i ka ndodhur asaj, qe
tashme e ka jeten me te gjitha ngjyrat e botes. Mua mes tyre, kuptohet eee. Ne
te vertete, nuk eshte krejt keshtu. Ajo qan e merzitet shpesh. E degjoj
nganjehere kur flet me shoqet dhe thote se jeton vetem per mua.
Sa shume mendime
paskam sonte. Mami po fle ketu prane meje. Sa e bukur eshte. Te gjithe e thone
kete. Por kjo bukuria qe po fle ketu eshte vetem e imja. Duhet ta dini edhe ju
kete. I afrohem dhe e perqafoj. E shterngoj dhe e puth te buza. Se ashtu
puthemi ne çdo dite kur zgjohem, kur me le te shkolla, kur me merr dhe kur
flej. Kater here jane? Po, kater qenkan.
Disa shoqe qeshin sesi
me puth mami te buza. Sa budallaqe jane. Po eshte mami im ajo moj budallaqe. Me
puth dhe e puth ku duam ne. Tamam budallaqe.
Ufaaa, sa mendime
paskam sonte. Gjumi se nga me ka humbur. E di se ne mengjes kur te degjoj
zilen, do fsheh koken poshte batanijes. Ai gjumi ne mengjes eshte gjithmone i
bukur. Thone se po numerove yjet, te vjen gjumi. Ja ta provoj. Nje nga ata yje
eshte babi im. Kete ma ka thene mami. Por ne se dime se cili eshte. Kur te
behemi edhe ne yje, atehere do ta shoh babin se do ta kem afer. Disa yje qe
shkelqejne me shume, jane femije qe kane shkuar ne qiell. Por une nuk kam qejf
te shkoj femije. Pune e madhe se do te shkelqej me pak se te tjeret.
Prape s’po vjen gjumi. Ora ne mur ka kaluar 03.00. Ndoshta se besoni por une e njoh oren. Ja, 03.30, 03.40, 03,50…. 03.54…. Une isha Lea. Isha nje vajze 8 vjeçe nga Durresi, qyteti me i bukur ne bote. Sot jam nje yll. Me i ndrituri nga te gjithe. Keta dy yjet anash meje, jane mami dhe babi im. Do ju ndriçojme gjithmone. (Ne kujtim te viktimave te termetit te 26 nentorit 2019) / KultPlus.com
Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal pas tërmetit në Shqipëri tha se dje ka qenë ditë tragjike për të gjithë shqiptarët. Me këtë rast janë ndarë 50 mijë euro për Shqipërinë.
“Prej dje kemi vazhduar kontaktet në Shqipëri me Erion Veliajn nëse ka nevojë për ndihmë. Ndihmat qe po mblidhen është gati e pamundshme të koordinohen. Mësohet se sot mbi 400 qytetarë të Shqipërisë kanë arritur në qytete të ndryshme. Erion Veliaj do të na njoftojë për çdo gjë që kanë nevojë. Do të ndajmë 50 mijë euro, është shumë e mjaftueshme qe si kryeqytet të tregojmë solidaritet”, tha Ahmeti, raporton KTV.
Ahmeti shtoi se “po kërkohen inxhinierë”.
“Sot do të shkojnë 15 inxhinierë të statikës për vlerësimin e objekteve në Durrës. Do të dërgojmë çdo kapacitet që kemi mundësi, ekspertë apo inxhinierë”, tha Ahmeti. / KultPlus.com
Komuna e Gjilanit ka vendosur që të gjitha mjetet që janë planifikuar për aktivitetet kulturore të festave të nëntorit t’i dedikohen familjes Abazi e cila humbi dy djem në tërmetin që goditi Shqipërinë ditën e djeshme. Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka konfirmuar për Gazetën Express se të gjitha këto mjete do t’u barten familjes së dy viktimave dhe familjeve të tjera të prekura nga tërmeti në Shqipëri.
Tërmeti i fuqishëm prej 6.3 shkallë të Rihterit që goditi Shqipërinë ditën e djeshme ka shkaktuar deri më tani 31 viktima. Që nga dita e djeshme, Forcat e Armatosura të Kosovës, Policia e Kosovës dhe qytetarë të shumtë nga Kosova me një mobilizim të madh kanë ofruar ndihmë në kërkim-shpëtim dhe ndihma të tjera për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.
Në mesin e viktimave janë edhe dy vëllezër nga Gjilani të cilët u gjendën të pajetë nga gërmadhat e një hoteli në Durrës.
Komuna e Gjilanit ka vendosur që mjetet për shpenzimet e festave të nëntorit të ju dhurohen familjes Abazi që humbi dy djemtë nga kjo tragjedi.
Kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri tha për Gazetën Express se aktivitetet për festën e flamurit do të anulohen dhe mjetet do t’u barten familjes Abazi.
“Të gjitha mjetet e planifikuara për aktivitet kulturor të festave të nëntorit i dedikohen familjes Abazi në Gjilan dhe familjeve që kanë pasur viktima nga tërmeti në Shqipëri”, tha Haziri.
Kryetari i Komunës së Gjilanit tha se nuk e di shumën e saktë por që do të llogariten shpenzimet e planifikuara dhe Kuvendi Komunal do të ndajë mjetet.
“Nuk e di saktë shumën e mjeteve, por ne tash kur t’i anulojmë aktivetet e shohim se sa kemi pasur shpenzime dhe i ndajmë me Kuvend Komunal”, u shpreh Haziri.
Ai u shpreh po ashtu se iniciativat e qytetarëve të Gjilanit për të ju ndalë në ndihmë të prekurve nga tërmeti në Shqipëri janë duke i përkrahur institucionalisht.
“Iniciativat qytetare për ndihmë jemi duke i mbështetur dhe janë duke grumbulluar ndihma në ushqim dhe veshmbathje në qendër të qytetit të Gjilanit dhe shumë qytetarë kanë ofruar shtëpitë e tyre për strehim në rast nevoje që nëse familjet vendosin me ardhë në Kosovë me u strehu derisa të kalojë situata emergjente. Jemi duke i mbajtur evidencat të atyre që janë lajmëruar për të ofruar strehim”, u shpreh Haziri./GazetaExpress/ KultPlus.com
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka kërkuar që të vendoset si pikë e rendit të ditës, ndihma me mjete financiare në vlerë prej 20 mijë euro, për familjet e dëmtuara nga tërmeti që ka ndodhur dje në Shqipëri.
Me këtë rast këshilltarët komunalë unanimisht aprovuan këtë rend dite.
Më pas, të gjitha grupet politike në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës, kanë shprehur ngushëllimet dhe solidarizimin e tyre me vëllezërit me motrat në Shqipëri. / KultPlus.com
Pezulloje taksën e Rrugës së Kombit për shqiptarët e t’u më
së pari, që po strehohen në Kosovë, sepse askund në botë nuk ndodh me pagu
gjobë për humanizëm dhe gjobë për shpëtim, me pagu gjobë për mbijetesë, gjobë
për bukë goje.
Ku keni pa ju kështu, gjithë ky zullum që bën qeveria
shqiptare kundër popullit tonë të varfër e s’ka kush na mbron prej kësaj
padrejtësie.
Në daç me pshtu shpirtin- paguaj gjobë.
Në daç me çu ushqim për viktimat e tërmetit në Shqipëri-je i detyruar t’ia
paguash gjobën një krimineli aty që e ka vendos një rampë të krimit dhe
plaçkitjes, si postblloku i Nedakovcit në kohë t’Serbisë.
Me na ndal nuk mundeni, për atë kufi u dhënë gjak, e po i
bën kush hesap paret e haramit tënd, s’ka kufi që nuk e kapërcen Kosova për me
dalë andej.
Por është turp që edhe prej ndihmave humanitare me rras ju gushën e krimit.
P.S. S’kemi luks me lu ‘lojna’ se mundet njeri hiç mos me ua pagu atë gjobë krimi. Thjesht m’i lënë ndihmat te kufiri le të vjen Edi Rama le ti merr. / KultPlus.com
Me vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës se Shqipërisë, dita e sotme, është shpallur ditë zie kombëtare.
Në Ambasadën e Republikës se Shqipërisë në Prishtinë do të hapet një libër ngushëllimesh sot prej orës 12:00 deri në 15:00 dhe nesër më 28 nëntor nga ora 10.00 – 13.00.
Në mesditën e sotme në ambasadë do të mbahet një minutë heshtje. / KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka mbledhur qeverinë e tij në një takim urgjent mëngjesin e sotëm ndërsa vazhdon operacioni për shpëtimin e personave të cilët janë ende nën rrënoja.
“Ne sot do të shpallim gjendje e jashtëzakonshme bazuar në kushtetutën dhe legjislacionin përkatës. Ashtu si kushtetuta dhe legjislacioni e shpjegojnë dhe duke nisur nga natyra e problematikës dhe situatës do të jetë një gjendje e jashtëzakonshme në perimetrin e dy rajoneve ku plagët janë më të hapura në Durrës dhe Tiranës. Gjendja e jashtëzakonshme nuk është thjesht çështje financash, por është një seri masash. Nuk e di a janë të gatshëm ata që e predikonin për t’iu nënshtruar këtyre masave. Kjo ka qenë arsye që ne kemi reflektuar, sepse gjendja e jashtëzakonshme përkon me marrjen ose krijimin e një niveli të ri të qeverisjes së situatës për një periudhë 30 ditore”, tha Rama.
Shefi i ekzekutivit shqiptar konfirmoi se deri më tani janë 24 të vdekur, 657 të lënduar dhe 45 jetë të shpëtuara.
“Tërmeti ishte sfidues për shoqërinë tonë, për shtetin tonë, qeverinë tonë dhe në tërësi për kombin tonë. Pa asnjë ekzagjerim më duhet të nënvizoj qysh në fillim reagimin e menjëhershëm dhe domethënës të të gjithë këshillit të ministrave dhe po ashtu të trupave të emergjencave civile, të Policisë së Shtetit, të Forcave të Armatosura dhe Urgjencës Kombëtare. Ka qenë një ndër momentet më të errëta të jetës sonë. Mund të thuhet me plot gojën se nga të gjithë njerëzit nën uniformë të shtetit shqiptar është bërë një punë heroike”, tha Rama.
Ai më pas shprehur mirënjohjen, respektin dhe falënderimin të gjithë trupave të angazhuara në operacionin e kërkim-shpëtimit që rrezikuan jetët e tyre duke shpëtuar jetë.
Kryeministri shqiptar falënderoi edhe vendet të cilat janë solidarizuar më Shqipërinë në këto orë të vështira duke e quajtur mbresëlënëse atë çfarë bëri Kosova dhe vendet mike.
“Solidaritet mbresëlënës në kuptimin e plotë të fjalës nga i gjithë kombi ynë, dhe nga miqtë dhe partnerët e vendit tonë. Duhet të shpreh mirënjohje të pakufishme për reagimet vërtetë thellësisht ngushëlluese të ambasadave të SHBA dhe BE, që qysh në çastet e para janë vënë në lëvizje për të na shprehur gatishmërinë e tyre për mbështetje ndaj popullit shqiptar”, tha ndër të tjera Rama. / KultPlus.com
Një fotografi e një qeni që po pret pronarin e tij, e po dyshohet të ketë qenë në Shqipëri, po qarkullon në rrjetin social ‘Facebook’. Por, një informacion i tillë ka rezultuar të jetë një lajm i rremë.
Me një të kërkuar në motorin e kërkimit ‘Google’, Lajmi.net ka arritur të kuptojë se fotografia është marrë nga arkiva e kësaj të fundit.
Siç shihet edhe në detajet që ofrohen poshtë fotos, mund të vërehet se fotografia është ngarkuar më 2 janar të këtij viti.
Sido që të jetë, Shqipëria është goditur sot nga një termet destruktiv, prej 6,4 ballësh, duke shkaktuar 15 viktima dhe dhjetëra të lënduar.
Po ashtu, pak minuta më parë, rajoni ka përjetuar edhe një termet tjetër, përkatësisht në orën 14:05, por që ende nuk është raportuar për ndonjë lëndim. / KultPlus.com
Tërmeti në Shqipëri ka prekur të gjithë njerëzit, ata po mundohen të solidarizohen me popullin shqiptar, shkruan KultPlus.
Këngëtaret shqiptare të
njohura botërisht si Dua Lipa e Rita Ora nuk kanë qëndruar indiferente për këtë
tragjedi të vendit të tyre.
Rita Ora përmes një postimi
në InstaStory ku ka shpërndarë një fotografi të flamurit shqiptar ka shkruar se
bashkëndjen dhimbjen me gjithë të prekurit nga tërmeti.
“Zemra dhe mendimet e mia sot janë me ata qe janë prekur nga tërmeti”, ka shkruar Rita. / KultPlus.com
Një tërmet i fuqishëm shkundi Shqipërinë ku pas lëkundjeve të njëpasnjëshme, ai i orës 03:55 të mëngjesit të së martës, me magnitudë 6.4 ballë, rrëzoi pallate e shënoi dëme të shumta, duke lënë fatkeqësisht 13 viktima.
Ushtria e Kosovës janë nisur menjëherë drejt Shqipërisë për të ju dalë në ndihmë. I gjithë vendi është mobilizuar që t’i ndihmojnë qytetarët në çfarëdo forme, madje shumë prej tyre kanë deklaruar që dyert e shtëpisë janë të hapura për të gjithë të lënduarit, viktimat apo ata që kanë mbetur pa shtëpi.
Poeti Liridon Mulaj ka reaguar në Facebook pasi ka par fotografinë e Ushtrisë së Kosovës teksa niset drejt Shqipërisë. Kjo fotografi e ka emocionuar shumë poetin i cili është shprehur se po ndihet si një i varfër që i del dikush në krah.
“Une du vetem me kjajt
si femija kur shoh kete foto se me duket sikur s’jena vetem. Si ai i vorfni qe
i del dikush krah”, ka shkruar Mulaj.
Kujtojmë që në Thumanë, aty ku
paraqitet edhe situata më dramatike, një grua e moshuar humbi jetën pasi u zu
nën rrënoja. Një skenë rrëqethëse ku nuk mund t’i mbash dot lotët, në prehrin e
saj, të afërmit dhe forcat zjarrfikëse nxorën gjallë nipin e vogël.
Në
Thumanë janë shembur totalisht tre pallate, dhe nën rrënoja ka disa persona për
të cilit forcat zjarrfikëse po punojnë për t’i nxjerrë gjallë, me shpresën e
madhe. Edhe në Durrës ku dëmet janë të shumta, tre të pajetë u nxorën nga
rrënojat e pallateve të shembur, ndërsa një u gjet tek Vila Palma në Durrës. Në
Kurbin një tjetër person humbi jetën, pasi i kapur nga paniku në tentativë për
t’i shpëtuar lëkundjeve të fuqishme që u ndjenë, është hedhur nga ballkoni. Ai
humbi jetën si pasojë e lartësisë nga kati i tretë. Po në Kurbin, një tjetër
person, ndërroi jetë pasi duke drejtuar automjetin humbi kontrollin duke u
përplasur për vdekje.
Në hotel Lubjana në Durrës i cili u prek nga tërmeti është vënë gjendja e alarmit jo vetëm për pasojat ndaj lëkundjeve të fuqishme sizmike, por për shkak të alarmit që ka ngritur pronari i këtij hoteli. Në bodrumin e tij ndodhet një bombol gazi 250 litra, e cila mund të rrezikojë të shpërthejë duke marrë parasysh që me lëkundjen 6.4 ballë në orën 03:55 të mëngjesit, nuk janë ndalur pasgoditjes. Policia ka vënë perimetrin e sigurisë, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe forcat zjarrfikëse. / KultPlus.com
Vijnë raportime negative edhe nga monumentet e kulturës dhe siç shihet në
foto është kalaja e Durrësit.
Ka jetuar në shekuj, nuk e ka gjetur gjë. Por pati disa momente që nuk
jetoi dot: një prej tyre ishte betonimi i qytetit, tjetri ishte tërmeti i fuqishëm
i mëngjesit të sotëm.
Muri rrethues i kalasë është shembur thuajse në tërësinë e vet. Në foton që
shohim është veç një pamje, por duket se rrënimi është thuajse nga të gjitha
anët.
Kalaja e Durrësit u ndërtua nga Perandori i Perandorisë Bizantine Anastasi, në shekullin e V-të, që e ka origjinën nga Durrësi. Riparimet e mureve janë kryer që nga tërmeti shkatërrimtar i 1273. / KultPlus.com
Reuters, BBC, CCN janë vetëm disa nga mediat ndërkombëtare që po raportojnë për tërmetin e fuqishëm në Shqipëri, ku deri tash raportohet për 4 të vdekur.
BBC shkruan “Tërmeti i fuqishëm 6.4 magnitudë godet Shqipërinë”.
CNN shkruan: “Të paktën 140 persona janë lënduar nga tërmeti 6.4 ballë në Shqipëri”. Bën të ditur edhe për ndërtesat e shembura e viktimat.
Euronews në titull kryesor të lajmit shkruan “Shqiptarët reagojnë ndaj tërmetit më të fuqishëm në dekadat e fundit”.
Reuters raporton edhe për vendet ku është ndjerë tërmeti.
Tabolidi britanik “Dailymail” shkruan për tre persona të vdekur nga tërmeti i fuqishëm.
Tërmeti është raportuar edhe nga mediat të tjera të huaja, italiane, greke dhe amerikane. / KultPlus.com
Nëntori solli Panairin e Librit në Tiranë. Së shpejti do të vijë edhe Panairi tjetër në Prishtinë, por gjendja e librit është mjaft e rëndë prej kohësh. Libri, siç dihet është miku i pandashëm i njeriut – ai që hapë horizontin e të menduarit, që e shpie njeriun në skajet më të largëta dhe i mundëson komunikimin me botën. Megjithëkëtë, teknologjia çdoherë në zhvillim e ka zbehur ndjeshëm rëndësinë e librit, i cili po shërben vetëm sa për t’u ekspozuar në rrjetet sociale përmes fotografive.
Me
pak fjalë, si mos më keq janë edhe shkrimi edhe leximi në vendin tonë. Në
Panaire gjenden lloj lloj librash me gjithfarë kopertinash – të autorëve të
ndryshëm, por po të hapet ndonjëri vërehet menjëherë, qartë, se aksh Shtëpia
Botuese e ka botuar librin sa për ta marrë një shumë të hollash qoftë nga
autori, qoftë nga institucionet që e përkrahin financiarisht autorin, për njërën
apo arsyen tjetër – në të shumtën e herave jo për afinitetin krijues!
Një autor, qoftë i ri apo në moshë të pjekur, pati apo nuk pati gjë për të thënë (shkruar) mjafton të ketë dëshirë për të botuar dhe të ketë të holla, t’i siguroj ato disi, dhe objektivi i tij është i përfunduar. Libri botohet sa hap e mbyll sytë. Shtypshkronjat e Shtëpive Botuese të buzëqeshura, i botojnë faqet në të shumtën e herave me gabime elementare, naive, logjike, me huqje, por tërë këto nuk kanë fort rëndësi sepse të dy palët ndahen të kënaqura: botuesi dhe shpura e tij i marrin paratë, kurse autori merr librin fringo dhe i ofrohet mundësia që ta shpalos në rrjetet sociale e ta masë me pëlqimet ekspres, interesimin për të…
Ja
pra, kjo lloj letërsie – ky lloj botimi bëhet në kohën tonë që është antipod i
kohëve të shkuara kur Shtëpia Botuese “Rilindja” megjithëse kishte vështirësitë
arriti të bëhet, them, boshti i kulturës shqiptare. Degradimi i librit vjen
padyshim si pasojë e mungesës së kritereve nga botuesit, të cilët ka raste kur prezantojnë
autorë – siç i quan Erazmo Roterdami “që botojnë veprat e huaja si të vetat dhe
përvetësojnë famën e tjetrit që e arriti me mund, pastaj krekosen kur i lavdëron
populli: shih, ky është si njeriu i madh!”
Një
shkrimtar i ri duhet t’i rreket leximit dendur para se të marrë guximin të hedh
diç në letër, mandej ta ketë të qartë se ç’do të ofrojë: shkurt duhet t’i ndjek
këshillat e Faik Konicës për artin e shkrimit; Konica themeloi kritikën në letërsinë
shqipe. Natyrisht, kritika e shëndoshë e ndihmon tekstin – por, çfarë kritike
mund t’ju bëhet këtyre palo teksteve që vazhdimisht botohen sot?
Në këtë periudhë, të cilën do ta quaja kiç – secili fare lehtë mund të shpallet poet e shkrimtar. Se çfarë dhe si shkruan brenda librit nuk ka fort rëndësi, sepse në këto kohëra gjithçka bën, për kurrfarë gjëje nuk ka ndalesë; mjafton t’i kesh paratë ta botosh librin (nuk të refuzohet botimi asnjëherë, sidomos nëse ke njëfarë miqësie me botuesin!), të shndërrohesh në “yll letrar” në rrjetet sociale dhe të flasësh nëpër studiot televizive si i famshëm, pra si shkrimtar në kulmin e famës… /KultPlus.com
Arkeologjia shqiptare bën zbulimin e madh. Për shumë kohë shiheshin si grumbuj të thjeshtë gurësh, por në fakt në qëndër mbanin varre deri 5000 vjeçarë, shkruan Kultplus.com
Turistët e shumtë vendas e të huaj gjithnjë e më shumë po shijojnë freskinë dhe bukurinë e zonave të mbrojtura që nga Lugina e Valbonës në veri e deri tek Syri i Kaltër në Sarandë.
Këto zona tashmë janë kthyer në destinacione turistike mjaft të vizituara për shkak të bukurive natyrore dhe relievit të larmishëm, i cili është i përshtatshëm për turistët, që nga ata që duan të shijojnë natyrën, deri tek turistët aventurierë të cilët mund ta eksplorojnë zonën duke bërë hiking nëpër shtigje të ndryshme.
Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me publikimin e të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për numrin e vizitorëve nga janari-shtator 2019.
“Më shumë se 916,660 vizitorë në zonat e mbrojtura në janar -shtator 2019, 28% më shumë krahasuar me janar-shtator 2018”, shprehet Rama.
Zonat e Mbrojtura në Shqipëri vlerësohen si një mundësi efektive për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Prandaj dhe po punohet fort që këto zona të mbrojtura të promovohen për vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit që ato mbartin, por edhe si destinacione të rëndësishme turistike në nivel kombëtar dhe më gjerë.
Në Shqipëri, zonat e mbrojtura zënë 20% të territorit ose e shprehur ndryshe, 1 në çdo 6 metra katrorë është zonë e mbrojtur.
Këto vitet e fundit (pas krijimit të Administratave të Zonave të Mbrojtura Mjedisore), tashmë vizitorët (turistët), të cilët janë pjesë e vizitave dhe ecjeve në natyrën shqiptare, kanë në shumicën e rasteve informacionin e duhur për destinacionet e veçanta që duhet të vizitojnë në këto hapësira.
Turisti në çdo rast merr informacionin e detajuar për resurset natyrore të zonës së mbrojtur mjedisore, për vendndodhjen dhe vlerat e larta natyrore, kulturore, historike, biologjike e trashëgimore të tyre si; shpella, ujëvara, kanione, maja shkëmbore, shtigje kalimi, objekte kulti etj, që ka zona e mbrojtur. Rol të rëndësishëm në këtë drejtim po luajnë punonjësit e AdZM ve (veçanërisht Rengersat) në terren, që orientojnë vizitorët drejt këtyre pikave. Po kështu, në ndihmë të tyre vijnë dhe tabelat e ndryshme informuese e orientuese që janë vendosur në hyrje dhe vende të dallueshme.
Prioritet në këto zona po merr dhe turizmi i vëzhgimit të shpendëve, sidomos i atyre ujorë. Shquhen Laguna e Karavastasë, Nartës, Kune-Vain, Liqeni i Shkodrës, Prespës etj./atsh / KultPlus.com
Vizitorët që zgjedhin Shqipërinë si destinacion turistik tashmë do të kenë mundësinë të vizitojnë dhjetë muze dhe site të trashëgimisë tonë kulturore duke rezervuar biletat online.
Shërbimi i ri i biletarisë on line u prezantua sot nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti së bashku me kreun e Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan Të Zhvillimit Michael Granoff.
“Një mundësi e re, një shërbim më shumë për të gjithë vizitorët, që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e radhës. Vizitat në dhjetë muze dhe site të trashëgimisë sonë kulturore janë vetëm një klik larg”, tha ministrja e Kulturës Elva Margariti.
“Së bashku me partnerin tonë, Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit prezantuam shërbimin e biletarisë on line. Kënaqësi të kryenim sot aktin simbolik të prerjes së një bilete on line me kreun e Bordit të AADF, Michael Granoff, një mbështetës i vizionit tonë për të ecur përpara. Me prekje të vogla, drejt projekteve më të mëdha”, u shpreh ministrja Margariti. /atsh / KultPlus.com