Sot në Shqipëri kremtohet Dita e Verës, një festë me origjinë të lashtë. Kryeqendra e kësaj feste është Elbasani, ndërsa shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve.
Një festë pagane, shumë më e hershme se krishterimi është festimi i Ditës së Verës, në të gjithë zonën e Elbasanit por edhe qytete të tjera të Shqipërisë.
Por në këtë ditë të shënuar, Elbasani kthehet në qendër të festimeve me aktivitete të larmishme, nga ekskursionet në natyrë, deri tek dreka e begatshme familjare, ku nuk mungon ballokumja.
Zanafillën Dita e Verës e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës, shkruan ksp.
Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit. Kushdo që do të kalojë këto ditë pranë Elbasanit do të ndjejë aromën ndjellëse të ballakumeve.
Ballakumet janë ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste. Në Elbasan gatuhen vetëm në këtë ditë. Kjo i bën ato edhe më të veçanta. Janë ëmbëlsirat që gatuhen me miell misri të situr mirë, gjalpë bio dhe sheqer të imët.
Gjithashtu një detaj i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e “verores”, një byzylyk prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë. Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, kryesisht dafinash, që dallëndyshet t’i marrin e të sjellin mbarësi.
Në Kosovë, kjo ditë festohet në disa zona, si në rajonin e Prizrenit, të Zhurit, Vërrinit, përfshirë krahinën e Opojës në malet e Sharrit në lartësi mbi nivelin e detit mëse 1.000 metra, në komunën e Dragashit.
Megjithatë, ndryshe nga Shqipëria, në Kosovë nuk ka organizime institucionale për festimin e Ditës së Verës, por ritet e festës së lashtë pagane iliro-shqiptare tradicionalisht janë ruajtur brez pas brezi nga populli. Dita e Vërës është festë zyrtare në Prizren, sipas vendimit të Kuvendit të Kumunës.
Me rastin e Ditës së Verës në të gjitha qytetet e Shqipërisë organizohen aktivitete të shumta. / KultPlus.com
Nga një perlë e fshehur përgjatë Rivierës Shqiptare, në një vend të nxehtë të famshëm në Francë dhe plazhet më të mira në ishujt grek, gazeta londineze ”Evening Standard” ka listuar 30 plazhet më mahnitëse në Europë që duhet të vizitohen gjatë kësaj vere.
Mes destinacioneve të Greqisë, Turqisë, Portugalisë, Francës etj, ”Evening Standard” ka renditur dhe Rivierën Shqiptare ku veçon plazhin e Drimadhësit afër Dhërmiut, mes 30 plazheve më mahnitëse në Europë që duhet vizituar këtë verë.
“Një nga gjërat më të mira për të jetuar në Mbretërinë e Bashkuar është se ne kemi disa plazhe të shkëlqyera rreth nesh. Jo vetëm në Britani të Madhe, por fqinjët tanë europianë gjithashtu mburren me disa nga plazhet më mahnitëse në botë”, shkruan gazeta londineze.
“Shqipëria ndoshta nuk është vendi i parë që mendoni kur imagjinoni një destinacion europian për plazh, por plazhet përgjatë Rivierës shqiptare kanë ngjyrën blu të fortë si plazhet e Greqisë, por pa rrëmujë dhe turistë të shumtë. Gjiri i vogël në Drimadhes është më i miri për t’u vizituar, me një shkëmb të madh që ndan plazhin me guralecë nga ai me rërë. Mos e humbisni por zbulojeni”, shkruan ”Evening Standard”.
Si të arrini atje: një fluturim i drejtpërdrejtë tre orësh do t’ju vendosë në aeroportin e Tiranës dhe një udhëtim prej gati katër orësh me makinë ju çon në këtë plazh. Bëjeni një udhëtim rrugor në Shqipëri dhe ndaluni në qytetet e vogla përgjatë rrugës. /a.g/ KultPlus.com
Shtetasit nga Rusia, Arabia Saudite, Bjellorusia, Katari, Omani,Tailanda, Bahrejni mund të hyjnë pa vizë në Shqipëri për periudhën 1 prill – 31 tetor 2019. Ndërsa për shtetasit nga Republika Popullore e Kinës ky vendim është i vlefshëm për periudhën 1 mars – 31 tetor 2019.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi sot se, me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr.90, Datë 27.02.2019 “Për përcaktimin e kritereve, procedurave, e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, është vendosur që shtetasit nga Rusia, Arabia Saudite, Bjellorusia, Katari, Omani,Tailanda, Bahrejni mund të hyjnë pa vizë në Republikën e Shqipërisë për periudhën 1 prill – 31 tetor 2019. /gj.mima/ KultPlus.com
Promovimi i turizmit, kulturës, traditave, kulinarisë apo artizanatit shqiptar nëpër botë do të ketë një rëndësi të veçantë gjatë vitit 2019, teksa do të ketë një program eventesh që do të shtrihen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri në Japoni.
Një prej arritjeve të Samitit të Dytë të Diasporës, të mbajtur në datat 28 shkurt-2 mars në Tiranë, ishte dakordësimi i një kalendari të përbashkët të eventeve, për promovimin e turizmit, kulturës, traditave, kulinarisë apo artizanatit shqiptar nëpër botë.
Aktualisht, janë 41 evente të planifikuara, por lista e tyre pritet të zgjerohet me vende të tjera gjatë vitit, ndërkohë që edhe në Shqipëri do të mbahen për herë të parë një numër konferencash/panairesh/eventesh me fokus promovimin e imazhit të vendit tonë dhe forcimin e lidhjeve të biznesit.
Konkretisht, kalendari i eventeve nisi në Milano në muajin shkurt, me një event për artizanatin, duke vijuar me Tel Avivin dhe Berlinin.
Gjatë marsit, evente që promovojnë turizmin dhe vlerat e tjera shqiptare do të zhvillohen në Berlin, Kiev, Prishtinë dhe Lajpcig.
Në prill, kalendari i eventeve parashikon ndalesa në Moskë, Dubai, Bruksel dhe Toronto.
Do të vijohet në maj me Torinon, Kanën, Venecian, Zvicrën, Bakunë dhe Lisbonën, ndërsa në qershor, vëmendja zhvendoset në Kinë, në një panair të madh ndërkombëtar.
Pas ndalesës verore, vëmendja do të përqendrohet në shtator në Tokio dhe në disa qytete italiane.
Në tetor, ndalohet në Këln, Paris dhe Rimini. Ndërsa në nëntor, në Dyseldorf, Varshavë dhe pjesëmarrja në prestigjiozen e “Fiera di Milano”.
Dhjetori përmbyllet me evente në Itali dhe një event dedikuar diasporës shqiptare në Nju Jork.
Këtë vit, një vend të veçantë do të zërë edhe promovimi i kulinarisë shqiptare, ku në 6 mujorin e parë të vitit do të organizohen 10 evente, në Vienë, Amsterdam, Londër, Francë, Zvicër, Athinë, Selanik dhe tre qytete italiane.
Ndërsa eventi “Ditët e Shqipërisë”, do të zhvillohet në Poloni, Çeki, Gjermani, Bullgari dhe një listë vendesh të tjera ku vendi ynë ka një potencial të madh zgjerimi në fushën e turizmit./gj.mima/ KultPlus.com
“Syri i kaltër”, një fenomen natyror që nuk ka gjetur ende një shpjegim të vërtetë, mund të admirohet në mes të pyllit vetëm disa kilometra larg Sarandës, shkruan SiViaggia.it.
I kaltër si ngjyra e burimit natyral që gjendet në Shqipëri.
Një fenomen që mund të admirohet në Muzinë, një fshat në qarkun malor të Vlorës. Një vend shumë popullor në mesin e shqiptarëve, por pothuajse i panjohur për turistët, të cilët gjithnjë e më shumë e vizitojnë çdo vit vendin.
Ujërat transparente të lumit – meritë edhe e gurëve të bardhë gëlqerorë – burojnë nga një thellësi prej më shumë se 50 metra. Zhytësit rregullisht zhyten në thellësi të tilla, por askush nuk ka qenë kurrë në gjendje të shpjegojë fenomenin e as çfarë qëndron në fund të rrjedhës së lumit.
“Syri i kaltër” është pjesa fillestare e burimit të lumit Bistricë, një lumë i gjatë prej 25 kilometrash që rrjedh në detin Jon në jug të Sarandës.
Zona e pushtuar zë më pak se dy kilometra katrorë, kështu që është mjaft i vogël dhe pothuajse nuk gjendet, i fshehur në mes të pyllit të dendur të lisave dhe fiqve.
Mund të arrihet vetëm në këmbë pasi keni ecur për rreth 2 km. Nga Saranda është një udhëtim ditor i bukur për të bërë. Autobusët gjithashtu mbërrijnë atje. Vlen të vizitosh këtë cep të pacënuar dhe bukurinë hipnotike të Shqipërisë.
Meqenëse ai është një kandidat për Trashëgiminë e UNESKO-s, nëse do të bëhet një vend i mbrojtur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, do të jetë e vështirë ta gjesh ende të paprekur dhe pa turma njerëzish./k.s/ KultPlus.com
Valbona të emocionon në çdo stinë, por nën vellon e dëborës të ofron një peizazh mahnitës dhe merr një tjetër nur.
E kthyer në një oaz çlodhës dhe përkëdhelës për të gjithë, në lartësinë e 800 metrave mbi nivelin e detit, në këto ditë dimri që të zgjojnë shijen e dimrit me dëborë kudo në luginën e Valbonës, të magjeps bukuria e bardhësisë.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në një video të publikuar sjell bukurinë mbresëlënëse të Valbonës nën petkun e dëborës.
“Valbona e bukur turistike, e veshur me të bardha! Shqipëria, potencial i jashtëzakonshëm për tu shfrytëzuar për turizëm në të 365 ditët e vitit. Turizmi malor dhe ai i aventurës, prezantuar mes videove të postuara në rrjetet sociale, apo paketave nga operatorët turistikë, ftojnë turistët të zgjedhin Shqipërinë, si një destinacion për t’u zbuluar… nga bukuria”, shprehet Klosi.
Parku Kombëtar i Valbonës është një kompleksitet bukurish interesante, ashtu siç janë vetë Alpet Shqipëtare.
Këtu bukuritë e natyrës marrin formën e majave shkëmbore të larta e imponuese me faqe të veshura me pyje mes të cilave shtrihen e ndihet rrjedha e përrenjve edhe e lumit të Valbonës.
E parë nga lart të ofron imazhin e një krateri gjigand të zbukuruar mrekullisht me të gjitha ngjyrat e natyrës së gjallë. Në hyrje të kufirit lindorë, në afërsi të Shoshanit, të impresionon një peizazh i rrallë për nga bukuria.
Lugina e Valbonës është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996. Ky park ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Konsiderohet si mrekullia e Alpeve. Ndodhet 25-30 km në veri – perëndim të qytetit Bajram Curri, qendra e rrethit të Tropojës.
Kufizohet me Parkun Kombëtar të Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur”Lumi i Gashit”. Territori i tij përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragobi-Valbone e Çerem. Ka maja të larta e të thepisura dhe për çdo stinë ndërron koloritin e ngjyrave dhe duke paraqitur një dinamikë të jashtëzakonshme imazhesh në kushtet e një lugine plot të papritura e me shumë labirinte.
Parku Kombëtar i Valbonës ka vlera të larta shkencore,turistike, shoqërore kuruese, të cilat pasurohen me një biodiversitet me rëndësi kombëtare dhe më gjerë./k.s/ KultPlus.com
Ksamili në Shqipërinë e Jugut është përshkruar si një “perlë e fshehur kur bëhet fjalë për plazhe të bukura” me ushqim deti të mrekullueshëm dhe njerëz miqësorë.
E vendosur në riverën shqiptare, Ksamili ka “ujëra të qarta, plazhe të izoluara dhe restorante paqësore”, me një liqen si Syri i Kaltër një pikë turistike popullore, ku flluska krijojnë ngjyra që duken si sy.
Ksamili, një qytet në Meksikë, një qytet në Ruandë, një qytet në Kolumbi, një qytet holandez, një shkretëtirë në Jordani, një qytet antik i Rrugës së Mëndafshit në Gjeorgji dhe një qytet i rrethuar nga malet dhe liqenet në Uzbekistan janë ndër destinacionet kryesore të udhëtimit për këtë vit, thekson Express./gj.mima/ KultPlus.com
Vendi ynë vlerësohet e rekomandohet si vendi i traditave antike, plazheve të bukura dhe të lira mesdhetare, kulturës e historisë nga prestigjiozja “The Washington Post” në një artikull kushtuar Shqipërisë.
Mes magjisë së vendit bregdetar dhe lashtësisë, “The Washington Post” nënvizon fort mikpritjen që ka mbetur e pandryshuar nga kohët.
MIRËMËNGJES, dhe me këtë artikull të shkruar bukur nga “The Washington Post” dedikuar Shqipërisë dhe atraksioneve të jashtëzakonshme turistike të saj, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan kryeministri Edi Rama duke publikuar artikullin e plotë kushtuar vendit tonë.
”Në vijë të drejtë – siç e konfirmon edhe Google – bregdeti ishte vetëm çështje miljesh larg. Një udhëtim i lehtë me makinë dhe ne do të ndiheshim mirë në Mesdhe. Në vend të kësaj, makina lëvizte përgjatë rrugëve të papastra duke ndaluar nga ndonjë dhi e vetmuar apo karrocë, ndërsa shoferi buzëqeshte nga reagimi ynë.
Papritmas temperaturat u ulën, ndërkohë që filluam ngjitjen në malet e mbështjella nga mjegulla, me maja të veshura që dukej se fusnin hundën në re. Përshëndetje, harta Google?! Makina ngadalësoi shpejtësinë, ndërsa kalonim bletërritësit, të cilët shisnin kavanoza me mjaltë në anë të rrugës. Dhe më pas vazhdojmë nën retë e dendura dhe detin që shkëlqen nga poshtë. Duke bërë gjeste triumfuese, shoferi e ndaloi makinën në një vend me pamje të bukur. Dolëm nga makina për ta shijuar.
Unë dhe ime motër ishim në kërkim të një destinacioni mesdhetar për një pushim të shkurtër veror. Kriteri i vetëm? Jo pushime në një vend të rrahur nga era, por një aventurë që do të mundësonte shumë plazhe të bukura, not në det të hapur dhe kulturë.
Albania, apo Shqipëria siç e quajnë vendasit, ka turistë të shumtë. Ndërsa dreka për dy vetë në Korfuzin e afërt, një destinacion popullor pushimi në Greqi, mund të kushtonte fare mirë 60 dollarë, në Shqipëri hëngrëm drekë si për festë për më pak se 20 dollarë.
Dhe më vonë kishim ato udhëtime epike – krejtësisht të papritura në një vend me përmasat e Merilendit. Do të mësonim se Qafa e Llogorasë, ku ishim tani, është një nga rrugët e shtruara më të larta të Europës – një udhëtim emocionues nëpër kushte të ndryshme klimaterike – nga nxehtësia e peizazheve mesdhetare deri te mjegulla dhe pyjet me gjelbërim të përhershëm. Më poshtë, ne mund të shihnim një brez të rërës të bardhë në bregun e detit Jon. Këto plazhe të pazhvilluara në formën e gjysmëhënës janë disa nga gjërat më të bukura që mund të gjeni në një hapësirë të kaltër.
Jashtë, gjinkallat gumëzhinin dhe aroma e rigonit të pjekur nga dielli përhapej në makinën tonë. Ne zbritëm nga retë në Rivierën Shqiptare. Një varg si perlë e qyteteve bregdetare shtrihej në jug drejt kufirit grek. Shqiptarët mund të jenë një grup njerëzish i dashuruar me muzikën elektronike të klubit që i tund klubet e plazhit deri në orët e vona.
Edhe nëse nuk je një buf nate, mund të gjesh kënaqësi përgjatë këtij shtrati idilik të vijës bregdetare. Ne e gjetëm atë në Qeparo, një fshat i përgjumur, i rrethuar midis maleve dhe detit. Ne u bashkuam me pushuesit shqiptarë vendas në shezlongët e plazhit (pesë dollarë në ditë) dhe pamë të gjitha ujërat ku – sipas legjendës së shkëlqyer të Homerit – Odiseja doli në breg në Korfuz.
Pas rënies
Por, më lejoni t’ju rrëfej për Shqipërinë, “vendin e shqiponjave”, një vend me legjenda të vjetra dhe personazhe përfshirë një trim luftëtar të shekullit XV, Skënderbeun, një mbret i shekullit XX, i quajtur Zog dhe një diktator komunist, Enver Hoxha, i cili vulosi kufijtë e vendit për 40 vjet, ndërsa ngriti bunkerë betoni në çdo cep të vendit. (Ndoshta, ai nuk ishte paranojak, Hoxha thuhet se u mbijetoi 50 tentativave për atentat.) Kur regjimi i tij komunist ra në vitet ’90, qytetarët ikën masivisht nga vendi. Sot, Shqipëria është një vend me tradita të lashta të përziera me ambicie moderne.
Nga plazhi në Qeparo, ne lidhim çantat e shpinës për një ngjitje në kodrat që duket se kanë përqafuar vijën bregdetare të detit Jon. Ne ndalemi me ngurrim në rrugën që ndahet në dysh. Një treshe zotërinjsh të moshuar, ulur jashtë në një kafene, na nxisin, duke bërë me gisht përpjetë. Duke shprehur falënderimet tona, ne fillojmë ngjitjen që do të na çojë në peizazhin e egër me diell të Mesdheut, këngën e vazhdueshme të gjinkallave që ndërpritet vetëm nga thirrjet e një bariu. Era sjell aromën e livandos, nenexhikut dhe lulemines; zhurma e largët e këmbanës së kishës së fshatit dëgjohet nëpër luginë. Dhe pastaj fshati i vjetër i Qeparoit afrohet: një bastion shekullor prej guri që kapet në një majë kodre, deti që shkëlqen shumë më poshtë.
Këtu, ndërsa kalojmë përmes rrugicave, nën hijen e hardhive, kalojnë disa zonja të moshuara të veshura tradicionalisht me të zeza. Qyteti “i ri” i Qeparoit është vendosur në bregdet shumë më poshtë, por ky fshat i vjetër, i harruar, ende ekziston në gjithë lavdinë e tij të lashtë. Zukatja e bletëve, ”fluturimet” e rrobave nga telat ku janë nderur, lulet e trëndafilave bëjnë kontrast me muret e lyera… Ne kemi ecur në kohë.
Ne tronditemi përsëri ndërsa shohim një makinë të parkuar, të pikturuar si një flamur i madh, i kuq, shqiptar, me krahët e shqiponjës së zezë të shtrirë në të gjithë kofanon e makinës. Sipas legjendës, gjenerali i madh Skënderbeu mbajti një flamur të një shqiponje me dy koka në betejë kundër osmanëve në shekullin XV. Flamuri i shqiponjës është një simbol i krenarisë kombëtare. Vetë vendi është krejtësisht unik; gjuha shqipe nuk është e lidhur me gjuhët sllave ose gjuhët romane që rrjedhin nga latinishtja dhe zë degën e vet të familjes indoeuropiane. Një nga vendet më të vogla në botë, Shqipëria nuk ishte pjesë e Jugosllavisë së Titos.1 nga 3
Më vonë atë pasdite, ne marrim një tjetër mësim historik për mirësjelljen e menaxherit ortodoks grek të një restoranti përpara detit. Në restorantin ”Barbarossa”, shumë elegant, shërbehen ushqime deti të shijshme dhe pjata tradicionale si spinaq me erëza.
Familja e menaxherit u largua nga Shqipëria pas rënies së regjimit komunist dhe ai mori zanatin e kuzhinierit duke punuar në ishullin grek të Parosit.
“A e dini lidhjen e Shqipërisë me Enean? Ne shqiptarët dëshirojmë të gjejmë figurat tona historike nga Antikiteti”, shpjegon ai me një buzëqeshje duke na ofruar një pjatë bujare me shalqin për ëmbëlsirë. Qyteti i lashtë i Butrintit, në Shqipërinë e Jugut, u themelua nga trojanët, të cilët ikën pas rënies së Trojës. Siç përshkruhet te “Eneida” e Virgjilit, Butrinti u ndërtua për t’u dukur si një miniTrojë.
Disa ditë më vonë, ne e gjejmë veten duke ecur ngadalë mbi rrënojat arkeologjike të Butrintit, që në vitin 1992 u shpall Trashëgimi e UNESCO-s. Duke datuar që nga shekulli XIII përpara Krishtit, Butrinti është një vend me bukuri të pashoqe, një park natyror i pyllëzuar, i mbushur me ekualipte dhe që laget nga baticat e detit. Madje, edhe turmat e vizitorëve njëditorë që marrin anijet nga Korfuzi nuk mund ta zvogëlojnë misticizmin e tij. Aty ka rrugë të ndërtuara nga helenët, një teatër dhe banjo romake, një bazilikë të madhe nga periudha e hershme kristiane (shekulli VI) dhe një kështjellë veneciane të shekullit XIV.
Pas disa orësh në vapën e mesditës, ne freskohemi në qytetin e afërt të Ksamilit, ku çdo centimetër i bregdetit të tij është i mbushur me lokale plazhi. Prej këtu ju mund të notoni drejt tre ishujve të vegjël, që pluskojnë në Mesdhe, pas komardareve të mëdha në formën e kuajve njëbrirësh dhe varkave me pedale.
Mikpritja dhe folklori
Një vështrim i shpejtë te librat e autorit shqiptar, Ismail Kadare, i cili fitoi për herë të parë çmimin ndërkombëtar ”Man Booker International Prize”, në vitin 2005, është një zhytje në folklor, traditë dhe shprehje të çuditshme si – ”dhi e zgjebosur dhe bishtin përpjetë” – për të mos përmendur gjakmarrjen dhe krenarinë mashkullore. Kadare bën referenca të shumta me Kanunin e Lekë Dukagjinit, kodin antik të ligjeve shqiptare të bazuara mbi nderin dhe mikpritjen.
”Shtëpia jonë i takon Zotit dhe mikut”, thotë një sentencë e vjetër.
Kjo mikpritje manifestohet në Berat, i njohur si ”qyteti i një mbi një dritareve”, një trashëgimi e mrekullueshme e Perandorisë Otomane, që ndodhet në qendër të Shqipërisë. I njohur si Trashëgimi e UNESCO-s, Berati është i njohur për shtëpitë e tij të bardha të stilit otoman, që i ngjiten një faqe kodre mbi lumin Osum. Qyteti ra nën kontrollin e turqve osmanë në vitin 1450, por kështjella e tij daton që nga shekulli IV përpara Krishtit. Ndërthurja kulturore është e dukshme në ansamblin e kishave bizantine dhe xhamive.
Kur mbërritëm në hotelin ”Mangalemi”, që drejtohet nga një familje, i ndërtuar mbi një shtëpi të madhe të shekullit XVIII, ne u pritëm me pije dhe buzëqeshje, pikërisht si motoja e re e turizmit shqiptar ”Buzëqeshje nga Shqipëria!” (”Smile from Albania!”). Hotel ”Mangalemi” ofron një pritje të ngrohtë, pa përmendur një restorant dhe një tarracë panoramike të jashtëzakonshme, vetëm për 45 dollarë nata.
Si për të provuar se mikpritja është ligj në këtë vend, më vonë ne ngecëm në një restorant që gjendej brenda shtëpisë së një djali që quhej Lili. Ai na shoqëroi në një tavolinë në kopshtin e shtëpisë, ndërkohë që bashkëshortja e tij përgatiste specialitete tradicionale si byrek me spinaq dhe fërgesë, për t’u ”shpëlarë” me verën e prodhuar nga babai i tij. Ne nuk parashikuam as gotat me raki të fortë që Lili na dha pasi hëngrëm.
Përpara se të iknim për në Korfuz, ne qëndruam në Sarandë, resorti popullor i pushimeve dhe një pikë kyçe e bregdetit jugor të Shqipërisë. Me të mbërritur, na u shfaq një pamje e vrullshme ndërtimesh të larta mbi plazh. Por, ky port ka një atmosferë fantastike. Në pikë të mëngjesit, sarandjotët notonin përgjatë bregut pa çarë kokën për trafikun e anijeve. Çadra të shumta shumëngjyrëshe ndodhen në rërën me guralecë, ndërkohë që restorantet që ofrojnë ushqime të shijshme gumëzhijnë.
Në mbrëmje, një turmë e zhurmshme na çon drejt ballkoneve për të parë se çpo ndodh. Duke vëzhguar me kujdes nga shëtitorja përgjatë bregut, ne pamë një paradë njerëzish – gjyshër, fëmijë, adoleshentë të dashuruar – duke bredhur ngadalë pranë detit, ndërkohë që dritat e verës veniteshin në errësirë. Në Shqipëri, ”xhiroja”, apo shëtitja e mbrëmjes, është një ritual i shenjtë dhe aktivitet rekreativ.
Përfaqësimi institucional i Maqedonisë në edicionin e 25-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës Klik Ekspo Group, u realizua përmes Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë, e cila në bashkëpunim me Klik solli një temë interesante që lidhej me bashkëpunimin e Letërsisë së dy vendeve, por edhe problematikën e madhe që ka vetë Letërsia Maqedonase bilingue (dygjuhësie) në vendin e saj.
Pjesëmarrësit ngritën problemin e përkthimit të dy anshëm, por edhe ngërçet artificiale që ekzistojnë në mes të dy vendeve tona. Krijuesit Ermis Lafazanovski, Nikola Madzirov, Shkëlzen Haliti dhe studiuesit Ali Pajaziti, Qerima Lita, përballë krijuesit dhe botuesit Arian Leka dhe botuesit Rexhep Hida sollën të gjitha shqetësimet që e kanë penguar letërsinë e të dy vendeve që të ketë komunikim më të mirë.
Publicisti Ben Andoni, moderator këtij takimi prezantoi pjesëmarrësit dhe të ftuarit që siç u shpreh ai, janë profesorë të fushave të ndryshme, nga historia, sociologjia, poet, njerëz të teatrit ndërsa nga pjesa shqiptare janë të pranishëm tha Andoni, botues e përkthyes të njohur nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe.
Gjithmonë është tentuar të thuhet se Republika e Maqedonisë së Veriut, siç quhet tani, e shpalli pavarësinë vonë dhe shqiptarët kanë një lloj perceptimi se edhe letërsia e Maqedonisë është pak e vonët.
Por në fakt nuk është kështu, letërsia në Maqedoni është një letërsi që gjithënjë ka komunikuar me Shqipërinë. Ka qenë një fat i madh që një pjesë e madhe e atyre që bëjnë letërsi në Maqedoni, janë me origjinë shqiptare por edhe një pjesë e autorëve maqedonas kanë qënë të lidhur me Shqipërisë, u shpreh Andoni.
Përveç se me krijimtarinë e tyre, vijoi më tej ai, por edhe me autorësinë e kulturave kanë ditur që të kombinojnë dy kombe me letërsinë shqipe.
“Ka një urë shumë interesante tha Andoni, duke evidentuar figurën e akademikut kosovar Esat Mekuli, i cili ishte i parë që inkurajojë letërsinë shqipe në Kosovë e Maqedoni”.
Më tej, publicisti Andoni solli në vëmendje se atë që ka bërë “Jehona” në Maqedoni në vitet ‘60 për letërsinë shqipe duhet të ruhet dhe të respektohet, – tha ai. “Jehona” përveç se solli autorë shqiptarë përcolli një gjuhë shqipe më afër standardeve se asnjë herë më pare”, theksoi shkrimtari Ben Andoni.
Duke marrë fjalën, Rexhep Hida, nga shtëpia botuese Fan Noli theksoi se letërsia është ura që lidh popujt dhe kombet shpirtërisht më shumë se çdo gjë tjetër ndaj ta vlerësojmë dhe ti japim meritat e duhura siç është vepruar dhe në këtë panair të Klik-ut. ‘’Ballkani është ndarë në Republika të ndryshme siç është ndarë Shqipëria në qarqe të ndryshme, por shpirtërisht mendoj se kemi qenë pranë dhe jemi pranë, dhe një nga urat më të ndritura për të ruajtur këtë miqësi dhe botë shpirtërore është pikërisht letërsia. Unë kam qenë shumë i afërt me krijimtarinë ballkanase sepse për ne nuk mund të kuptohet njohja e letërsisë botërore pa njohur letërsinë e popujve të Ballkanit. Madje Ballkani nuk mund të quhet vetëm një fuçi baruti por dhe një thesar kulture (lindi Odisea, Omeri e shumë vepra të tjera). Edhe shqiptarët e Maqedonisë e duan komunikimin letrar e shpirtëror, dhe unë personalisht kam qenë pjesëmarrës në panairin e Shkupit që në vitin 1993. Ndaj dhe sot panaireve të tilla ku i jepet rëndësi librit nuk i jam ndarë kurrë dhe do të vazhdoj të jem pjesëmarrës,’’tha Hida.
Ndërsa vizitoi Panairin e këtij viti, veçanërisht stendat maqedonase, edhe ambasadori i Maqedonisë në Shqipëri z.Dancho Markovski shprehu vlerësimet më të larta për organizimin e panairit Klik Ekspo Group, ku theksoi se kompanitë maqedonase kanq qenë dhe do të jenë prezente në çdo edicion të Klik duke e kthyer këtë pjesëmarrje në një traditë. Sipas tij është e rëndësishme që të dyja palët (Shqipëri-Mqedoni) të kuptojnë se pa një bashkëpunim të mirë ekonomik, nuk ka as marrëdhënie të mira politike dhe kulturore. ‘’Duke parë që ky është një panair që po organizohet për 25 vite rresht shikoj që është në një nivel mjaft të lartë dhe i organizuar mjaft mirë. Ky panair është i njohur nga shteti maqedonas pasi ka shumë kompani që kanë marrë pjesë më herët dhe marrin pjesë edhe këtë edicion. Mendoj se ky panair është një mënyrë shumë e mirë për të nxitur bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, por edhe marrëdhëniet politike duhet të ndihmojnë nxitjen e mëtejshme të këtij bashkëpunimi . Edhe pse kemi marrëveshje ku të dyja shtetet aderojnë do të ishte mirë që të bënim edhe marrëveshje të tjera për lehtësimin e procedurave doganore midis dy shteteve në mënyrë që mallrat të qarkullojnë sa më shpejt. Pra neve nuk kërkojmë që vetëm marrëdhëniet politike të jenë të mira por edhe prezenca e ambasadorit këtu synon që të nxit bashkëpunimin ekonomik, në nivele edhe më të larta se aktualisht. Kontaktet me politikanët tanë them se janë shumë të mira. Ne kishim vizitë presidentin Ilir Meta për festimin e 110 vjetorit të alfabetit shqiptar,( kjo është një mundësi për ta uruar dhe popullin shqiptar për këtë festë në Shqipëri dhe kudo). Unë jam i mendimit se; nëse marrëdhëniet politike dhe kulturore nuk qëndrojnë në të njëjtat nivele me ato ekonomike atëherë midis dy vendeve ka një hendek,’’ tha ambasadori maqedonas Dancho Markovski, shkruan Gazeta Dita./ KultPlus.com
Djalë apo vajzë? Shqiptarët vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të jenë në kërkim të djalit. Djali do të thotë fitore, vajza humbje.
TopChanel ka bërë një hulumtim rreth kësaj teme, ku përveç nënave që janë përballur me këtë rast, rrëfehen edhe doktorët.
Rastet e nënave, që detyrohen të abortojnë vetëm e vetëm se është vajzë, janë të shumta, megjithëse kjo gjë ndalohet me ligj.
“E kam djalë, është shtylla e shtëpisë”, thotë një nënë në maternitet, e cila sapo ka lindur.
“Aborti u bë kur vajza ishte katër muajshe. Ishte ultimatum. Nuk kisha mundësi të kthehesha në shtëpi pa e kryer atë punë”, rrëfen një tjetër grua.
Një studim i fundit në vend tregon të dhëna të frikshme për abortin selektiv.
“Që nga viti 1990 e deri më sot, në Shqipëri janë 33 mijë vajza të munguara”, thotë Eglantina Bardhi, nga “Together For Life”.
“Nëse investohet për shkollimin e saj, kjo konsiderohet një para e humbur”, tregon një tjetër nënë rreth mendimeve që kanë për vajzat në Shqipëri.
Një tjetër grua rrëfen se pas dy vajzave kur ngeli shtatzënë dhe u konstatua që po pret prapë vajzë, u detyrua nga bashkëshorti të bëjë abort, pasi nuk ju duheshin vajzat por duhej një djalë si shtyllë shtëpie dhe të marrë mbiemrin e familjes. Ajo rrëfen se u detyrua të bëjë një raport të rremë mjekësor për të arritur të abortojë vajzën.
“Ne mbajmë vendin e parë në Europë”, pranon fatkeqësisht mjekja Rubena Moisiu, ish-drejtoreshë materniteti. /KultPlus.com
Gjatë sezonit turistik të këtij viti 20% e vizitorëve ishin turistë kulturorë. Kështu deklaroi sot ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në fjalën e saj në Kuvend.
“A e dini sa ka qenë numri i vizitorëve në kalanë e Gjirokastrës në 2013, 6 900 vizitorë, 96 mijë të tillë shënoi deri në shtator të këtij viti kjo kala”.
Duke iu drejtuar opozitës, Kumbaro u shpreh se “kur guxojnë të flasin sot ata që nuk i lanë kusur Gjirokastrës dhe e lanë në atë derexhe. Por, nuk do të merrem me ta se vëmendja jonë është tek kultura tek njerëzit. Vëmendja jonë është tek kultura, tek Gjirokastra dhe gjirokastritët, që bënë sa mundën, e shumë herë nuk mundën të bënin gjë sepse u gjendën vetëm. Kjo ishte Gjirokastra që gjetëm me sokaqet copë-copë, me zemrën e qendrës historike të sfilitur dhe ajo Gjirokastër as me tre hotele në gjithë qytetin dhe me një restorant e gjysmë”.
Prandaj, vijoi ajo nuk kishim asnjë dilemë se Gjirokastra ishte dhe mbetet një prioritet.
Ministrja Kumbaro bëri të ditur se investimet për turizmin e trashëgimisë kulturore nuk do të ndalen.
“Besoj kemi qenë të qartë në këtë projekt për t’i kthyer Gjirokastrës vëmendjen e munguar . 91 oferta fjetje kemi sot dhe kjo në më pak se katër vite.Vetëm në qafën e Pazarit 3 milionë dollarë investime me partnerët tanë strategjikë siç është Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillimin . U restauruan mbi 5 mijë metra katrore që në fakt janë prona të gjirokastritëve të vlerësuara dhe nuk do ndalemi. Kemi nisur punën në Gjirokastër me Bankën Botërore për fazën e dytë të restaurimeve me një fond prej 10 milionë dollarësh bashkë me Beratin, Sarandën, Përmetin ku marrëveshja me BB shkon në 71 milionë dollarë për turizmin e trashëgimisë kulturore”, theksoi ajo.
Ministrja Kumbaro tha se “në katër vitet e fundit 2014-2018 kemi ngritur investime nga partnerët ndërkombëtarë dy herë më shumë seç është fondi i investimeve publike në kulturë. Në 8 vite nga 2005-2013, të paktën në kujtesë nuk na kanë mbetur asgjë. Të gjitha ata që e vizituan janë të mrekulluar, edhe nga sa mirë e kemi ruajtur. Së bashku do të jemi këtu për të prezantuar projekte të reja”, shkruan ata./ KultPlus.com
Gazetarët e një emisioni në Greqi kanë udhëtuar drejt Shqipërisë, për në vendlindjen e këngëtares Eleni Foureira.
Kamera e emisionit “Happy Day” shkoi në fshatin Selisht, vendlindjen e Elenit, që ndodhet 1 orë larg qytetit të Fierit. Aty u takuan me kreun e kësaj njësie administrative, i cili u tha gazetarëve se familja e Elenit kishte jetuar në këtë fshat para se të emigronte për në Greqi.
“Që do të bëhej kaq e famshme, nuk e besonin as prindërit e saj. Jemi shumë të lumtur për të dhe presim që Eleni të vijë në fshat dhe të mbajë një koncert këtu”, tha kryeplaku i këtij fshati për gazetarët grekë.
Për emisionin folën edhe banorë të tjerë të këtij fshati. Ata i dërguan këngëtares me origjinë shqiptare edhe një mesazh:
“Siç ke qenë një vajzë e mirë, e edukuar dhe e respektuar, vazhdo të qëndrosh kështu. Ka gjakun e babait tim dhe vlerësim për prindërit e Elenit që kanë rritur atë vajzë. Mendoj se e ka ndryshuar mbiemrin e saj. Është fëmijë i vetëm, ka lindur këtu. Emrin e vërtetë e ka Entela”, thanë disa prej banorëve që u pyetën nga stafi i emisionit në Greqi, i cili realizoi një reportazh në vendlindjen e këngëtares.
Eleni Foureira, e cila prej vitesh jeton dhe punon në Greqi ku ka ndërtuar karrierën e saj të suksesshme, këtë vit përfaqësoi Qipron në Eurovision duke zënë vendin e dytë./KultPlus.com
Marrëdhëniet Shqipëri-Kinë i referohet marrëdhënieve historike dhe të tanishme mes Shqipërisë dhe Kinës. Dy shtetet bënë marrëdhënie diplomatike më 23 nëntor 1949.
Nga vitet 1960 e më pas, Republika Popullore e Shqipërisë nën Enver Hoxhën, solli një rezolutë vjetore në Asamblenë e Përgjithshme për të transferuar selinë e Kinës në OKB nga Republika e Kinës në Republikën Popullore të Kinës. Më 25 tetor 1971, Rezoluta 2758, e sponsorizuar nga Shqipëria, u miratua nga Asambleja e Përgjithshme, duke tërhequr njohjen e Republikës së Kinës si qeveri legjitime të Kinës dhe duke njohur Republikën Popullore të Kinës si qeverinë e vetme legjitime të Kinës.
KultPlus ju sjellë disa posterë që pasqyrojnë miqësinë e Shqipërisë me Kinën.
Shqipëria është nikoqire e festivalit “Balkanika Folk”. Në festival ishte e paraparë të marrin pjesë 11 ansamble nga i gjithë Ballkani dhe dy të tjera, të Arbëreshëve e Italisë dhe atij të Polonisë.
Mirëpo, mysafirët nuk u mblodhën në numër sa ishin ftuar. Kjo sepse Serbia kishte mohuar pjesëmarrjen në një organizim në të cilin ngrihet edhe flamuri i Kosovës, njofton Klan Kosova.
Madje, Ambasada e Serbisë në Tiranë kishte kërkuar nga organizatori të mos e lejojnë ngritjen e flamurit kosovar, nëse duan që ansambli nga Serbia të marrë pjesë në festival.
E organizatori i këtij festivali, producenti Sokol Gunga, po e konsideron këtë kërkesë absurde dhe në kundërshtim me parimet e artit.
Edhe pse Serbia i largoi artistët e vetë nga gara, Gunga kishte kërkuar që ata të qëndrojnë së paku për ta ndjekur festivalin nga afër.
“Artistët serbë ishin të mrekullueshëm, artistë të vërtetë, kërcimtarë të jashtëzakonshëm dhe pse jo nëse do të ishin në garë, mund të ishin edhe pretendent edhe për çmimin e madh qe e fitoi Bullgaria”, ka shkruar producenti në reagim.
Ai ka shtuar se politika nuk duhet të fusë hundët në art sepse arti nuk njeh kufij./KultPlus.com
Monumentet e kulturës dhe parqet arkeologjike në vendin tonë tashmë janë kthyer në atraksione turistike për turistët e huaj por dhe vendas.
Në Parkun Arkeologjik të Apolonisë mozaiku që ndodhet në Vilën me Impluvium është i hapur për vizitorët dhe gjatë muajit shtator pasi sezoni turistik në vendin tonë nuk ka mbaruar ende.
Specialistë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës kanë bënë të mundur zbulimin e mozaikut që ndodhet në Vilën me Impluvium. Kjo vilë i takon shek. III-II p.Kr. dhe zotëron një oborr të rrethuar me peristil dhe të shtruar me mozaikë me motive gjeometrike dhe floreale.
Mozaiku që daton ne vitet II-III para Krishtit,është një tjetër destinacion turistik por dhe historik i cili nuk duhet ti mungojë guidës turistike të turistëve të huaj dhe gjatë këtij muaji./a.a/ KultPlus.com
Hajrulla Çeku, ish udhëheqës i organizatës “Ec Ma Ndryshe”, i cili u emëruar zëvendësministër i Turizmit në Qeverinë e Shqipërisë, ka dhënë disa statistika rreth vizitorëve kosovarë në territorin e Shqipërisë.
Sipas tij kosovarët realizuan afër 670 mijë vizita/hyrje në territorin e Shqipërisë gjatë muajit gusht 2018, një rritje prej 40% në krahasim me gushtin 2017. Në total (janar-gusht 2018) kemi mbi 1.5 milionë hyrje, 17.7% më shumë se e njëjta periudhë 2017.
“Kosovarët vazhdojnë të dominojnë turizmin shqiptar. Përkundër të gjithave dhe gjithçkaje. #VisitAlbania”, ka shkruar Ceku në Facebook./KultPlus.com
Qyteti 2400-vjeçar i Beratit, i njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë, por edhe për mikpritjen, vazhdon të zgjojë interesin e turistëve të huaj, të cilët kanë qenë të shumtë gjatë këtij viti.
Turizmi në Berat nuk ka mbaruar ende, pasi qyteti ofron një panoramë të shumëllojshme me vende atraktive të cilat mund t’i shijosh në çdo muaj të vitit.
Gjatë ditës së sotme një çift gjerman, të cilët vizitonin për herë të parë Beratin ndau eksperiencën e tyre duke u shprehur se, ”kjo është hera e parë që ne vizitojmë Beratin. Ne mbërritëm dje dhe kishim një problem të vogël dhe të gjithë këtu u treguan të gatshëm për të na ndihmuar dhe shumë të sjellshëm”.
Ata shtuan se “vizituam kalanë e qytetit dhe po na pëlqen shumë. Gjithashtu qyteti është shumë i bukur dhe sidomos qyteti i vjetër, me shumë dritare nga dy anët e lumit është impresionues”.
Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.
Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella, ose kalaja, siç quhet nga beratasit, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. /a.a/j.p/KultPlus.com
Rreth 100 mijë pritet të jetë numri i turistëve, që do të vizitojnë qytetin e Beratit.
Qyteti 2400 vjeçar i Beratit i njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë, por edhe për mikpritjen, ka zgjuar interesin e turistëve të shumtë që e kanë vizituar.
Një muze i gjallë në natyrë ku “ngjizen” natyrshëm historia , arti dhe arkitektura e monumenteve ka shënuar një rekord historik vizitorësh gjatë këtij viti. Në periudhën janar-gusht, Berati u vizitua nga 95 000 vizitorë, ndërsa vetëm gjatë muajit gusht u vizitua nga 23 000 vizitorë.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Eugen Kallfani, në një video të publikuar nga Banka Botërore, e cila po ndihmon zhvillimin e turizmit në Berat, thekson se “sot mund të flasim për një shifër prej 100 mijë vizitorë , që priten të vijnë këtë vit”.
“Në Berat numërohen rreth 486 monumente kulture në të gjithë qarkun e Beratit dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos këto 3 vitet e fundit”, nënvizoi Kallfani.
Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.
Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella ose kalaja, siç quhet nga beratasit është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. /ata
Për herë të parë në Shqipëri, vjen një event artistik i një tjetër lloji. “Balkanika Folk Festival” vjen në Tiranë më 18-23 shtator në Sallën e Akademisë së Arteve.
300 artisë nga 12 shtete pjesëmarrëse do të garojnë në kërcim për 5 kategori çmimesh. Njëri prej çmimeve do të jetë “Lahuta e artë” që do të përzgjidhet nga votimi në sallë i publikut, ndërsa katër të tjerat nga juria. Është përzgjedhur pikërisht simboli i lahutës si vegla muzikore më e lashtë në rajon.
Festivali do të prezantohet nga Jonida Lloha dhe Klaus Bardeli, ndërkohë që skenografia është mundësuar nga Dea Martini. Eventi është një produksion i Sokol Gugës. /KultPlus.com
Fondi Arkivor Online i ministrisë së Jashtme me rastin se shenjtërimit të Nënë Terezës ka publikuar dokumentet, shkresa dhe letra të shenjtores shqiptare e cila ka kërkuar të vizitojë varret e nënës dhe motrës së saj që preheshin në atdhe.
Nënë Tereza nuk u lejua nga regjimi të merrte pjesë në ceremonitë e tyre mortore, por prej 1985 në Shqipëri nisi të kishte disi ndryshime. Sipas dokumenteve të kohës, kërkesa e parë u përcoll në ambasadën shqiptare në Romë, nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Arbëresh.
Në dokument bie në sy përgjigja e saj në intervistën e dhënë për gazetaren e televizionit shtetëror shqiptar pyetjes lidhur me përshtypjet nga vizita e saj e parë në Shqipëri, ku rëndom dëgjoheshin vetëm vlerësime pozitive, Nënë Tereza do përgjigjej “ Nuk kam ditur më parë ç’ka qenë Shqipëria dhe nuk jam në gjendje të bëj një krahasim dhe të jap ndonjë përshtypje”. Pas largimit nga Shqiperia Nënë Tereza iu drejtua me një letër presidentit Alia për të lejuar hapjen e një shtëpie në Tiranë për Misionaret e saj të Bamirësisë. Përgjigja vonoi gjatë.
Vizitat e Misionareve të Nene Terezës që prisnin në Romë, por edhe të vetë Nënë Terezës vazhduan në ambasadën shqiptare në Romë edhe në muajt në vijim për të marrë një përgjigje nga pala shqiptare, përcjellë KultPlus.
Pas vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB Haver Perez De Kuelar në Shqipëri në maj 1990 dhe ngjarjeve të korrikut në 1990, në tetor 1990 Alia përgjigjet se së shpejti do kishte një përgjigje pozitive për vizitën e Nënë Terezës në Shqipëri. Po në tetor 1990, në Tiranë kopshtit të fëmijëve që u vizitua nga Nënë Tereza gjatë vizitës së saj të parë në Shqipëri i vihet emri i nobelistes per paqe “Kopshti Nënë Tereza”. Në këtë periudhë pati zhvillime të reja politike në Shqipëri dhe po flitej zyrtarisht për lirinë e praktimit të besimit dhe për veprimtarinë e institucioneve fetare. Këto rrethana lehtësonin edhe hapjen e Misionit të Nënë Terezës në Shqipëri. Përgjigjia nga shteti shqiptar vjen në nëntor 1990 sipas të cilës Nënë Tereza ishte e mirepritur për një vizitë të dyte në Shqipëri, ndërsa për aktivitetin e Motrave të saj Misionare të Bamirësisë në Shqipëri duhej të ndryshonte në fillim legjislacioni ekzistues shqiptar që të lejonte këtë veprimtari. Vizita e dyte u zhvillua 1-5 dhjetor 1990.
Shtëpitë e Misionit të Bamirësisë së Nënë Terezës në Shqipëri do të fillonin aktivitetin e tyre në mars 1991 në Tiranë e në Shkodër./ topchannel
Bum turistësh drejt Shqipërisë, një prej destinacioneve më popullore gjatë verës 2018, sipas të dhënave nga portalet e prenotimeve të hoteleve dhe fluturimeve, shkruan në faqen e saj në internet gazeta italiane “Il Messaggero”.
Vendi i Shqiponjave pëlqehet shumë edhe nga italianët. Rreth 5,7% e tyre e kanë zgjedhur si destinacion për të kaluar pushimet e verës. Por, edhe ata që kërkojnë në internet informacione për Shqipërinë janë të shumtë.
Një rezultat i jashtëzakonshëm, nëse shihet historia e këtij vendi, që vetëm pak vite më parë turizmi gati nuk ekzistonte fare.
Arsyet përse turistët zgjedhin këtë vend si destinacion për pushimet e tyre janë të shumta.
Në radhë të parë ka një raport të shkëlqyer cilësi-çmim. Shqipëria është një destinacion i lirë dhe cilësia e shërbimeve është e mirë.
Nga ana tjetër, komentet e turistëve janë shumë pozitive dhe kjo tregon se vendi ka shumë për të ofruar.
Për të mos u nënvlerësuar është edhe pozicioni i mirë i Shqipërisë, që është pranë të gjitha baseneve të Mesdheut.
Në fund, një faktor tjetër i rëndësishëm që tërheq gjithnjë e më shumë persona janë 3390 atraksionet turistike të vendit.
Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit organizon për herë të parë në Shqipëri një Festival Balonash.
Do të bëhesh pjesë e një festivali shumëngjyrësh balonash? Eja në lëndinën jugore të Parkut të Madh të Liqenit Artificial të Tiranës në datat 1 dhe 2 shtator. Çdo fëmijë që ka gati një balonë, por edhe atij që i duhet ndihmë për ta ndërtuar atë, mund të jetë pjesë e magjisë së ngjyrave dhe haresë.
“E di çfarë ngjyre ka era? Po retë? Po qielli? Po ajo ndjesia magjike e të vrapuarit bashkë me to?
Po sikur ta ngjyrosim erën, retë dhe qiellin së bashku? Po, po, të ngremë balona shumëngjyrëshe që fluturojnë lart!
Në datat 1 dhe 2 shtator, eja në lëndinën jugore të Parkut të Madh të Liqenit Artificial Tiranë, merr me vete balonën tënde, ose eja ta ndërtojmë bashkë!
Për herë të parë në Shqipëri, një Festival Balonash!
Shumë ngjyra, shumë aktivitete, shumë festë!”/ a.t.a/ KultPlus.com
Dasmat shqiptare para viteve 90-të nuk kanë qenë aspak të zakonshme. Michel Setboun hyn tek ata fotografë të huaj që kanë patur mundësi të shohin disa prej tyre gjatë komunizmit për ti fokusuar në aparatin fotografik.
Prej vitesh ato kanë ngjallur kureshtjen e çdo vizitori në ekspozitat e Setboun. Tashmë këto foto ku nusja është e mbytur e tëra në vaj, dhe nuk është aspak e gëzuar mund të shihen në ekspozitën “Fundi. Fillimi.”.
Shqipëria 1981-1991” që vijon të qëndrojë e hapur në COD. Në fund të viteve 80-të një prej këtyre fotove është realizuar në një dasmë në veri të Shqipërisë. Nëse e sheh me kujdes nusja duket e tmerruar, po kështu edhe njerëzit që e shoqërojnë. Dalja e vajzës nga dera e shtëpisë së babait ka qenë një rit i shoqëruar me lot e trishtim nga njerëzit e shtëpisë teksa e përcjellin në shtëpinë e bashkëshortit. Këto imazhe aspak të zakonshme vijojnë të jenë interesante për publikun e huaj që kërkon të shohë zakonet shqiptare. Shqipëria e regjimit komunist.
Durrësi përbënte një nga destinacionet kryesore turistike të asaj kohe për shqiptarët dhe vizitorët evropiane. Amerikanëve, rusëve dhe kinezëve nuk iu lejohej të vizitonin vendin. Në një tjetër foto shihet fytyra e gëzuar e një kooperativisti pas prishjes së kooperativave shtetërore. Simbolet e fundit të komunizmit shkatërrohen një nga një. Një tjetër foto na çon më 1981 Durrës. Kampi i pionerëve në plazhin e Durrësit, për moshat 8 – 14 vjeç. Kampi është i rrethuar me bunkerë. Një tjetër foto tronditëse është ajo ku një burrë mban në duar një copë mishi.
Fotoja është realizuar në Plug një fshat të persekutuarish gjatë regjimit komunist. Ish të përndjekurit e kishin të vështirë të gjenin ushqim në Shqipëri. Në hapësirat e COD, Setboun sjell për herë të parë 99 foto në dimensione të mesme e të mëdha, imazhe emblematike që kanë në thelb kujtesën e dokumentimin, diakroninë përgjatë një dekade dramatike, të mbushur me ngjarje të një rëndësie të jashtëzakonshme për historinë e shqiptarëve. Ekspozita do qëndrojë e hapur për publikun deri më 2 shtator./ KultPlus.com
Përmeti ka qenë gjithnjë një qytet i këndshëm për t’u vizituar, por së fundmi me investimet e reja të qeverisë shqiptare, gjithnjë e më shumë turistë po kthejnë sytë nga kjo zonë e vendit, e pasur në tradita historike, kulturore dhe kulinarie.
Fotot flasin vetë për bukurinë e zonës dhe atraksionet që presin vizitorët.
Programi i investimeve për zhvillimin e integruar urban të Beratit dhe Përmetit, dy qytete në juglindje të Shqipërisë, që karakterizohen nga vlera të veçanta të trashëgimisë kombëtare, bukurisë natyrore dhe turistike ka nisur të detajohet.
Qeveria synon që në periudhën afatgjatë të fuqizojë ekonomitë lokale drejt orientimit të zhvillimit të turizmit kulturor dhe natyror, vlera specifike që karakterizojnë këtë dy qytete.
Mbi 80,000 banorë të Beratit dhe Përmetit do të përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga këto investime, të cilat do t’u shërbejnë gjithashtu edhe turistëve.
Vetëm gjatë 2017-ës rreth 100,000 turistë vizituan këto dy qytete dhe pritet që numri të rritet gjatë viteve që vijnë.
Investimet planifikohen në kuadër të projektit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” që financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore. /ata