Vjosa Osmani vizitë zyrtare në Shqipëri më 4 shtator

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të vizitojë më 4 shtator Shqipërinë me ftesë të Presidentit Bajram Begaj. Osmani do të pritet me një ceremoni shtetërore në ambientet e Presidencës.

Pas takimit është planifikuar një konferencë e përbashkët për shtyp e dy homologëve, siç ka bërë të ditur Presidenca e Shqipërisë.

Kjo është vizita e parë e Presidentes së Kosovës që nga koha kur kreu i shtetit Bajram Begaj mori detyrën.

Vizita e kreut të shtetit të Kosovës vjen pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive në Gjakovë dhe refuzimit që kryeministri Albin Kurti i bëri kryeministrit Rama në takimin informal me liderët e rajonit gjatë muajit korrik. / KultPlus.com

Dy ditë plot aktivitete kulturore në Lin të Pogradecit


Rijetojmë trashëgiminë tonë”, është një aktivitet kulturor i cili do të zhvillohet sot dhe nesër në Lin të Pogradecit.

Ky aktivitet do të zhvillohet gjatë ditës në fshatin turistik Lin dhe në mbrëmje në orën 19:30 tek Mozaiku Paleokristian, 20 km larg qytetit të Pogradecit.

Prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole tha se, ky aktivitet i bukur ka për qëllim evidentimin e vlerave etno-kulturore dhe prezantimin e tyre para turistëve të huaj, por edhe qytetarëve shqiptarë që vizitojnë Pogradecin në këte sezon veror.

Vizitorëve do t’iu ofrohet muzikë, kulinari, etnografi, artizanë, sfilatë slow fashion, guida turistike profesionale në fshat dhe tek Mozaiku Paleokristian./ atsh / KultPlus.com

Përkujtohet At Gardini, jezuiti që rrëfeu tmerret e komunizmit në Shqipëri

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton sot At Jak Gardini, i cili më 23 gusht 1945 nisi dënimin 10-vjeçar.

Ardhja në pushtet e komunistëve do t’i kushtonte lirinë, sikundër qindra klerikëve nga të gjitha besimet që u ekzekutuan, u dënuan dhe u internuan në vendin tonë.

At Gardini u lind në krahinën e Pordenones, në Itali, më 24 shtator 1905. Në moshën 18-vjeçare u regjistrua në shkollën jezuite, pastaj në Goricë, ku nisi përgatitjet në filozofi, sipas traditës jezuite. Në vitin 1930 vjen në Shqipëri për të dhënë ndihmesën e vet në mësimdhënie. Më pas, u kthye në Chieri për ndjekjen e studimeve teologjike. Më 15 korrik 1936, u shugurua meshtar.

Në Shqipëri dha mësim në Seminarin Papnor Shqiptar në Shkodër, ku punoi me përkushtim me nxënësit deri në vitin 1945, kur edhe u arrestua. Ati kaloi plot dhjetë vjet nën kalvarin komunist të burgjeve dhe më 1955, me ndërhyrjen e autoriteteve italiane, u lirua dhe u atdhesua.

At Gardinit iu shua fryma më 3 gusht 1996 në Gallarate të Italisë, ndonëse dëshira e tij e mbrame qe që t’i mbyllte sytë në atdheun e dytë, në Shqipëri. Në botimin e tij të vitit 1988 (SHBA), të titulluar “10 vjet burg në Shqipni”, At Gardini-t dëshmon mbi martirizimin e klerit e të popullit shqiptar, atëkohë ende pas perdes së hekurt. DPA sjell foto të letrave për Vitore Kallmetin të dërguara prej At Gardinit gjatë viteve që vuante dënimin në Shqipëri./ atsh / KultPlus.com

Spektakël yjesh në botë, BBC sjell pamjet edhe nga Shqipëria (FOTO)

Shiu vjetor i meteorëve i quajtur “Perseid” ka ndriçuar qiejt anembanë botës për kënaqësinë e atyre që shpresojnë të kapin një paraqitje të shkurtër të një ylli që bie.

Fenomeni sjell deri në 100 meteorë në orë, ndërsa Toka përplaset në mbetjet e lëna pas nga kometa.

Spektakël yjesh kanë pasur rastin që të shohin qytetarët kudo në botë, në mesin e të cilëve edhe ata nga Shqipëria. Gjiganti media, BBC ka publikuar edhe fotografitë e realizuara në Parkun Kombëtar të Shebenikut, transmeton Klankosova.tv.

Shfaqja natyrore ndodh në një kohë të ngjashme në korrik dhe gusht të çdo viti, dhe këtë vit arriti kulmin midis natës së së shtunës dhe orëve të para të së dielës.

Një meteor u pa para Derës së Sfinksit në qytetin antik të Hattusa, në Turqi.

Dy meteorë rridhnin në qiellin e natës mbi kodrën Leeberg në Grossmugl, Austri.

Kjo foto e bukur kap një yll gjuetar dhe farin e ishullit Lastovo në Kroaci

Një meteor shfaqet në qiellin e natës gjatë shiut vjetor të meteorëve Perseid në Parkun Kombëtar të Shebenikut, në Fushë Stude, Shqipëri.

Një meteor mund të shihet gjatë shiut vjetor të meteorëve Perseid në Ronda, Spanjë. / KultPlus.com

Shiroka, atraksioni turistik buzë liqenit të Shkodrës

Vetëm 4 kilometra larg qytetit të Shkodrës, pasi lë “Urën e Bunës” dhe merr rrugën në të djathtë të shfaqet Shiroka, një nga lagjet më të veçanta të Shkodrës, e vlerësuar si një prej bukurive mahnitëse të veriut buzë liqenit të Shkodrës dhe rrëzë malit të Taraboshit.

Bashkia e Shkodrës publikoi sot disa fotografi nga Shiroka, të cilës investimet e viteve të fundit i kanë ndryshuar faqen, duke i dhënë një rrugë të re, pedonalen brigjeve të liqenit, rehabilitimin e plazheve të vogla dhe së fundmi edhe moli për varkat lundruese.

Ajri i freskët, që vjen nga thellësitë e Alpeve, filtrohet në ujërat e liqenit dhe vjen i shëndetshëm këtu, duke e bërë Shirokën një nga joshjet më të veçanta për të kaluar disa orë ndryshe për shkodranët, por edhe për turistët vendas dhe të huaj.

Shiroka ka histori qindravjeçare dhe kjo mund të vërtetohet nga disa zbulime arkeologjike, që janë bërë në afërsi të saj, në vendin e quajtur “Ullini i vetun”, në vitin 1959, të cilat sot gjenden në muzeun e qytetit.

E njohur që në shekullin e 19-të për aftësitë kurative, Shiroka shumë shpejt do të bëhej një nga zonat më të famshme në vend.

Kjo zonë turistike shquhet për florën dhe faunën e pasur, ku  jetojnë në harmoni shumë lloje bimësh, peshqish, shpendësh dhe kafshësh. Pjesa më e madhe e faunës përbëhet nga shpendët.

Numërohen gjithsej 240 lloje, ku më shpesh syri të ndesh pulëbardhat. Për të apasionuarit e peshkimit, fauna ujore ofron rreth 65 lloje peshqish. Më i famshmi krapi, por jo vetëm, edhe karasi, gjuca etj. Kjo pasuri e faunës dhe florës, e bën këtë zonë një ekosistem shumë të veçantë dhe atraktiv./ atsh / KultPlus.com

Statujëza unike 2 500-vjeçare nga Shqipëria mbërrin në Muzeun Getty për ekzaminime të mëtejshme

E nxjerrë nga një fushë në Shqipëri, një statujë 2 500-vjeçare mbërriti në Muzeun J. Paul Getty, i referuar zakonisht si Getty, që është një muze arti në Los Anxheles. Ky muze përmban piktura evropiane të para shekullit XX, vizatime, dorëshkrime, skulptura, arte dekorative dhe foto.

”Në fillim, ishte vetëm një vezullim i gjelbër dhe kafe në papastërti, i ekspozuar gjatë lërimit rutinë në një fermë shqiptare që ndodhej pranë një vendbanimi të lashtë”, shkruan Erin Migdol për getty.edu.

Më pas, ndërsa arkeologët pastronin me kujdes dheun, forma e saj u shfaq gradualisht dhe ajo ishte një figurë e kalorësit mbi kalë, një krah i zgjatur, që dukej sikur tundte një armë ose kamxhik.

Thundrat e kalit humbën dhe pjesa më e madhe e trupit të kalorësit ishte ende e fshehur nën shtresa të dheut. Por, arkeologët që panë këtë statujë e dinin se ishte diçka e jashtëzakonshme.

Instituti Shqiptar i Arkeologjisë kërkoi ndihmën e Getty-t duke ia besuar kalorësin laboratorit të konservimit të Muzeut, ku konservatorët dhe studiuesit kaluan muaj të tërë duke pastruar bronzin dhe duke hetuar origjinën e tij.

Statuja është e ekspozuar në një ekspozitë të veçantë, Kali dhe Kalorësi nga Shqipëria, në Muzeun Getty Villa nga 26 korriku 2023 deri më 29 janar 2024.

Më pas, ajo do të kthehet në shtëpi.

“Si arriti atje dhe pse ishte atje dhe pse nuk u gjet asgjë tjetër rreth tij që ne të mund ta lidhnim vërtet me të?”, pyet Jens Daehner, kurator i asociuar i antikiteteve në Muzeun Getty duke theksuar pyetjet që studiuesit po përpiqen t’u përgjigjen në lidhje me këtë gjetje unike.

Megjithatë, i mrekulluar ai thotë se ”pjesa shqiptare është e një cilësie që vështirë se e gjeni askund tjetër në botën greke. Është një objekt vërtet i veçantë”.

Zbulimi i vitit 2018 i Kalit dhe Kalorësit, siç u bë e njohur statuja, ishte rezultat rrethanash të vështira. Gjatë fushatës së gërmimeve të atij viti në Babunjë, një projekt i disa vendeve evropiane, arkeologët vëzhguan një fermer vendas që lëronte arën e tij aty pranë. Ata menduan se ia vlente t’i kushtohej vëmendje, pasi gjetjet e rastësishme janë gjithmonë një mundësi. Asnjëherë nuk e dini se çfarë mund të gjendet pranë shtresave të sipërme të tokës. Sigurisht, ndërsa fermeri lëronte fushën pas vjeljes së qepëve të sezonit, arkeologët panë që statuja të dilte nga jo më shumë se 15 centimetra nën sipërfaqe.

Vlerësimet fillestare të bazuara në teknikat artistike të veprës, mënyrën se si ishte hedhur, stili i saj dhe vendndodhja e saj në një zonë ku u vendosën edhe grekët e lashtë treguan se objekti ishte grek dhe datonte rreth vitit 500 para Krishtit.

Duke njohur ekspertizën e Getty-t në ruajtjen e antikiteteve dhe objektet e tij më të avancuara, kolegët shqiptarë propozuan një bashkëpunim me Getty-n për konservimin e statujëzës. U bënë plane për hetimin, trajtimin dhe ekspozitën eventuale dhe statuja më në fund mbërriti në Los Anxheles vitin e kaluar.

Heqja e papastërtive

Susanne Gänsicke, konservatore e vjetër e antikiteteve në Getty dhe specialiste në ruajtjen e metaleve të lashta, iu fut punës. Statuja erdhi në laboratorin e konservimit me shumë tokë ende të ngjitur, duke e bërë të pamundur të dalloheshin shumë detaje. Së pari, bronzi u ekzaminua me radiografi, e cila zbuloi se kali ishte i fortë, jo i zbrazët në qendër dhe se vepra ishte, në mënyrë mbresëlënëse, e derdhur në një pjesë. Imazhet treguan gjithashtu se nën papastërti, kalorësi mbante një shpatë.

“Ishte një surprizë vërtet e bukur”, tha Gänsicke.

Duke përdorur një bisturi të vogël të krijuar për të kryer operacione në sy, Gänsicke filloi të fshinte me kujdes papastërtitë. Llojet e etanolit shërbyen si lubrifikant për të ndihmuar në lirimin e dheut dhe një furçë e vogël ndihmoi në fshirjen e pluhurit.

“Është shumë e ngjashme me atë që përjetojmë kur shkojmë te dentisti”, tha ajo.

Procesi ishte delikat, pranoi ajo, sepse i duhej të hiqte dheun pa dëmtuar sipërfaqen origjinale.

Më në fund, puna e saj e kujdesshme filloi të zbulonte detaje mbi statujën, si sytë dhe vrimat e hundës së kalit dhe buzëqeshja e kalorësit. Hulumtimi i mëtejshëm do të ndihmojë në përcaktimin e shkakut të saktë të korrozionit që ka bërë ngjyrën e bronzit të gjelbër.

Hetimi i origjinës së statujëzës

Kuratorët dhe historianët nga Getty dhe në Evropë, të etur për të mësuar historinë pas statujëzës përballen me një sfidë të madhe, pasi aty pranë nuk u gjet asnjë objekt tjetër. Nuk ka asnjë provë për të dhënë fakte se kush mund ta zotëronte bronzin dhe ku apo si u përdor. Dhe për shkak se thundrat e kalit mungojnë, është e paqartë nëse ose si ishte ngjitur me diçka tjetër, si për shembull një mobilie ose një enë.

“Ne mund ta krahasojmë atë me objekte të tjera të një natyre të ngjashme dhe më pas të dalim me disa skenarë, por deri më tani nuk mund të tregojmë më shumë se një tjetër”, thotë Daehner.

“Pra, është ende një pyetje e hapur, a ishte një pjesë e pavarur apo pjesë e diçkaje edhe më të madhe dhe më mbresëlënëse?”, shton Daehner.

Kur statujëza të kthehet në Shqipëri, historia e saj e plotë ka të ngjarë të jetë ende e panjohur dhe të mbetet një objekt studimi për vitet në vijim.

“Konservimi përfshin analiza që na lejon të mësojmë më shumë rreth metalurgjisë aktuale, si është bërë dhe ku mund të jetë bërë”, thotë Daehner.

“Dhe shpresa është që me gërmimet e ardhshme, ne do të fitojmë më shumë pika të dhënash në mënyrë që t’i afrohemi përgjigjeve këtyre pyetjeve”, thekson Daehner.

Vizitorët në ekspozitën në Getty Villa do të shohin statujëzën si dhe video dhe imazhe që dokumentojnë procesin e konservimit.

Në Shqipëri, objekti do të shfaqet përfundimisht në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë./ atsh / KultPlus.com

Spahiu: Pronarët e hoteleve me 5 yje s’kanë bërë 5 ditë shkollë për turizëm

Juristi Kreshnik Spahiu tha në një intervistë për Euronews Albania se mungesa e traditës turistike dhe arsimimit përkatës bën që Shqipëria të jetë ende e papërgatitur në sektorin e turizmit.

Sipas tij, fakti që sot hapin hotele me 5 yje njerëz nuk kanë bërë asnjë ditë shkollë për turizëm apo nuk kanë asnjë njohuri rreth tij, bën që të mos e shohin klientin si zot shtëpie por si qenie për ta grabitur.

“Shqipëria është e papërgatitur se nuk ka traditë turistike. Shqipëria ka qenë një lloj bunkeri, s’e ka  zhvilluar kurrë turizmin. Turistët e rrallë që kalonin në Shqipëri na shikonin si ishulli i Tarzanit. Ne nuk jemi të përgatitur në kuadrin arsimor. Ata që sot hapin hotele me 5 yje nuk kanë bërë 5 ditë shkollë për turizëm, nuk kanë bërë 5 ditë si turistë, nuk kanë shkuar në 5 vende turistike. Kjo sjell turizëm agresiv, që mendon sot për sot. Pronarët e hoteleve e shohin klientin jo si zot të shtëpisë, por si qenie për ta grabitur”, tha Spahiu. / KultPlus.com

‘Kala fest’ jehonë në ‘New York Times’ dhe ‘Metro’, Rama: Festivalet verore, ambasadore të promovimit të turizmit

Mediet ndërkombëtare vijojnë t’i bëjnë jehonë Shqipërisë turistike, kësaj here duke u ndalur edhe te festivalet e shumta verore që tërheqin turistë nga gjithë bota.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale shkrimet e prestigjozes amerikane “New York Times” si dhe të britanikes “Metro” të cilat shkruajnë për “Kala Fest”.

Rama vlerësoi se festivalet verore që po shtohen vit pas viti si “Kala” në Dhërmi, “South Outdoor” në Borsh, “UNUM” në Shëngjin, “Lova” në Livadh etj, janë ndër ambasadorët më të mirë të promovimit, zgjatjes dhe pasurimit të sezonit turistik.

“Për Shqipërinë mediat ndërkombëtare ‘New York Times’ dhe ‘Metro’, të cilat shkruajnë për ‘Kala Fest’ si një event për t’u prezantuar denjësisht me mrekullitë e bregdetit tonë, ndërsa festivalet verore që po shtohen vit pas viti si ‘Kala’ në Dhërmi, ‘South Outdoor’ në Borsh, ‘UNUM’ në Shëngjin, ‘Lova’ në Livadh etj, janë ndër ambasadorët më të mirë të promovimit, zgjatjes dhe pasurimit të sezonit turistik”, shkruan Rama.

Festivali veror “Kala Festival” në Dhërmi (31 maj-6 qershor) përveç atmosferës për adhuruesit e muzikës elektronike, është edhe një promovim i mirë për turizmin e Shqipërisë.

Këtë vit morën pjesë mbi 3000 pjesëmarrës në javë, nga Britania e Madhe dhe vende të tjera europiane, si dhe DJ të famshëm ndërkombëtarë.

Festivali vjen si miksim i përkryer për promovimin e bregdetit, zhvillimin e ekonomisë lokale, konsolidimin e festivaleve dhe nisjen e sezonit veror më herët se çdo vit./ atsh / KultPlus.com

“New York Times” për Shqipërinë: Vizitorët po dynden, në TikTok krahasohet me Maldive dhe Bali

Mediumi amerikan New York Times i ka kushtuar një artikull rivierës shqiptare por edhe qyteteve të tjera historike si Berati. Në artikull theksohet ndryshimi që ka pësuar vendi jonë që nga heqja e regjimit komunist. Në artikull shkruhet se riviera shqiptare krahasohet nga influencer të huaj me vende si Maldive dhe Bali. Por gjithashtu nuk jo çdo gjë përshkruhet bukur, pasi NY Times ka nxjerr ne anën e errët të bregdeteve shqiptare. Aty theksohet se një nga problemet kryesore në vend është dhe ikja e dritave si dhe papastërtia e tualeteve.

Artikulli i Plotë:

Më shumë se një duzinë njerëz tek dëfreheshin, me veshje të ndryshme, qeshnin teksa një instruktor i arteve marciale na drejtonte të zvarriteshim në dysheme. Bëni kontakt me sy, na tha ai ndërsa përpiqeshim të ndiqnim lëvizjet e trupave të njëri-tjetrit. Por ishte e vështirë të mos shikoje detin Jon me shkëlqim blu. Në Dhërmi, një fshat në Rivierën Shqiptare, ujëra shkëlqenin nën diellin e verës, pa jahtet që mbushin brigjet kroate apo greke. Palmat mbulonin peizazhin. Pas tyre dukeshin Malet e harlisura e të gjelbra. Muzika e ndërpreu mësimin tonë, duke na kujtuar arsyen pse ne fillestarët e kapoeira-s ishim mbledhur: Kala, një festival muzike dhe mirëqenieje një javor. Unë isha pjesë e një turme prej rreth 3500 të rinjsh, që shkëlqenin me pantallona e bluza transparente, të cilët kishin zbritur në Dhërmi në fund të majit dhe fillim të qershorit për t’u argëtuar nën dritën e hënës dhe për të punuar me yoga, frymëmarrje, masazh dhe klasa arte marciale. Më tej, në reportazh gazetarja përmend DJ e njohur që performuan në të gjitha netët e festivalit, duke luajtur muzikë tekno, elektronike, disko, xhaz dhe jo vetëm, ndërsa vlerëson ushqim e freskët e të shijshëm në restorantet e Dhërmiut. Na shërbyen ushqime deti të freskëta, të shijshme dhe pije me çmime të arsyeshme. Paketat njëjavore të Kala-s, të cilat përfshinin bileta dhe akomodime, fillonin me 370 dollarë, ndërsa për festivale të ngjashme në SHBA, këtë vit tarifat shkonin nga 200-400 dollarë bileta, pa akomodim.

Çdo skenë në mjedis të hapur ishte si një botë e vogël, një liman komod, një platformë që dilte në det, apo një hapësirë e madhe e rrethuar nga palma. Kur lodhesha duke tundur kokën duke ndjekur muzikën, mund të endja rrugës me të bërtitura, të qeshura nga pjesëmarrësit e festivalit dhe të futesha në një turmë tjetër me një ritëm tjetër. Ajo thekson mikrpritjen e banorëve të Dhërmiut, që në bizneset që kanë ngritur punojnë me orare të tejzgjatura teksa turistët vetëm shtohen. Problemet në Dhërmi nuk mungojnë. Dritat mund të ikin pa paralajmërim dhe tualetet mund t’i gjesh të papastruara. Popullariteti në rritje i Dhërmiut ka pasqyruar atë të Shqipërisë në tërësi. Në vitin 2022, një rekord 7.5 milionë njerëz vizituan vendin, duke shpenzuar rreth 3.1 miliardë dollarë, krahasuar me 6.4 milionë dhe 2.4 miliardë dollarë në vitin 2019, sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Dhe në tre muajt e parë të vitit 2023, Shqipëria përjetoi një rritje prej 54 për qind të vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, sipas Organizatës Botërore të Turizmit.

Shumë prej atyre turistëve nisen drejt qyteteve turistike dhe plazheve të Rivierës Shqiptare, të cilat po tërheqin kërkuesit evropianë të diellit dhe detit, të cilët e shohin ishullin grek të Korfuzit dhe Dubrovnikut, Kroaci, shumë të shtrenjtë dhe të mbushur me njerëz. Në Instagram dhe TikTok, influencuesit krahasojnë peizazhin detar të Shqipërisë me atë të Maldiveve ose Balit. Në të njëjtën kohë, adhuruesit e historisë po vërshojnë drejt rrënojave të lashta greke dhe romake të Shqipërisë, arkitekturës së epokës otomane dhe mijëra bunkerëve të ndërtuar nga Enver Hoxha. Natyra është e përshtatshme për të udhëtuar me biçikletë përgjatë lumit Vjosa dhe të shëtisës në Alpet Shqiptare. Gati 300 operatorë agroturizmi të certifikuar nga qeveria ofrojnë turne në ferma, degustime të verës dhe ushqime të bëra vetë në pronat që rritin qershi, arra, kumbulla, ftua dhe më shumë.

Mjedisi i sotëm miqësor për turistët është në kontrast të thellë me Shqipërinë e fillimit të viteve 1990, pasi ajo doli nga katër dekada izolim si një nga vendet më të varfra. Pasoi një krizë ekonomike dhe një rënie pothuajse në luftë civile. Në fillim të vitit 1997, gjatë një kryengritjeje popullore, rreth 550,000 armë u grabitën nga armatura dhe të paktën 2,000 njerëz vdiqën ndërsa forcat qeveritare goditën dhe kryengritësit luftuan. Kombet e Bashkuara më në fund dërguan një forcë shumëkombëshe për të rivendosur rendin. Por e gjithë kjo e la Shqipërinë me një reputacion si një vend i rrezikshëm dhe i mbushur me krime. Zhvillimi në zonën e Dhërmiut është përshpejtuar me ritme marramendëse: gjysma e fshatit ngjitur të Drymades duket se është një kantier ndërtimi. Fluksi i vizitorëve të huaj në një vend që vetëm disa dekada më parë ishte mbyllur për botën ka sjellë si prosperitet ashtu edhe sfida.

Në Dhërmi, rryma apo uji në hotele ndonjëherë fiket pa paralajmërim dhe banjat në restorante dhe bare mbetën të papastra për shumë kohë. Në ditën e dytë të festivalit, një shitëse vendase fshiu ballin dhe murmuriti teksa vëzhgoi një varg të pafund turistësh të veshur me rroba banje të paduruar që prisnin të blinin patate të skuqura, ujë, birrë dhe krem ​​dielli. Ajo po drejtonte vetëm dyqanin ushqimor dhe shkëmbimin valutor ngjitur, sepse vëllai i saj kishte qëndruar zgjuar gjithë natën duke shitur karta SIM për turistët. Vërshimi i vizitorëve po ngre gjithashtu frikën për dëmtime të mundshme ndaj florës dhe faunës së rajonit. Në qytetin e Vlorës, rreth një orë me makinë nga Dhërmiu, një projekt ndërtimi aeroporti që qeveria promovon si një mënyrë për të sjellë më shumë turistë në rivierën shqiptare është përballur me protesta nga grupet mjedisore që thonë se mund të rrezikojë vendet e shenjta të shpendëve si flamingot dhe pelikani. 

The Jewish Post më 1937: Qeveria shqiptare njeh zyrtarisht komunitetin hebre në vend

Nga Aurenc Bebja 

“The Jewish Post” ka botuar, të premten e 9 prillit 1937, në ballinë, një shkrim rreth njohjes zyrtare të komunitetit hebre asokohe nga qeveria shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 Hebrenjtë shqiptarë do të hapin sinagogën e parë

Nga Jewish Telegraphic Agency

 Burimi: The Jewish Post, e premte, 9 prill 1937, ballinë

Tiranë, Shqipëri – Komuniteti i parë hebre në Shqipëri u njoh zyrtarisht nga qeveria javën e kaluar. Ai përfshin dhjetë familje hebreje në Vlorë – numri më i madh në të gjithë vendin.

 E gjithë popullsia hebreje e Shqipërisë përbëhet nga 35 familje.

 Pas regjistrimit zyrtar të komunitetit hebre, në Vlorë filloi ndërtimi i sinagogës së parë të ndërtuar në vend pas grumbullimit të 350 napolonëve ari. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/the-jewish-post-1937-qeveria-shqiptare-njeh-zyrtarisht-komunitetin-hebre-ne-vend-ne-vlore-filloi-ndertimi-i-sinagoges-se-pare/

Plazhi i Semanit në Fier, një tjetër destinacion turistik (VIDEO)

Plazhi i Semanit, 18 kilometra larg qytetit të Fierit me hapësira pa fund bregdetare me rërë të imët kurative, plazhe familjare me ujëra të ngrohta është një tjetër destinacion turistik.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjete sociale pamje nga ky plazh dhe fton qytetarët që ta vizitojnë.

Rama shprehet se Semani është një tjetër destinacion turistik për këto ditë të nxehta.

Plazhet e Darzezë dhe Seman po kthehen gjatë viteve të fundit në të preferuarit e shumë  turistëve të huaj, pasi janë plazhe të virgjëra me rërë të pastër dhe ujë të kthjellët.

Vija bregdetare e Fierit nuk ofron vetëm plazhe, por edhe vende fantastike për aventurë,  eksplorim, peshkim apo sporte ekstreme./ atsh / KultPlus.com

Rama ndan shkrimin e “Time Out” për Shqipërinë: Destinacione interesante nga Shkodra në Gjipe

Media globale ”Time Out” shkruan për Shqipërinë duke ua sugjeruar miliona ndjekësve të saj si një vend plot destinacione interesante e aventura për t’u shijuar në çdo cep ku hedh këmbën.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimin promovues të “Time Out”, ku përshkruhen bukuritë e natyrës shqiptare nga Shkodra, në Gjipe.

Autori i shkrimit, Stuart Butler, i cili ka udhëtuar shumë në Shqipëri shprehet se vendi ruan ende një atmosferë të një Evrope më të vjetër dhe më të egër.

“Shqipëria është Evropa që nuk e dinit se ekzistonte. Male të thyera të mbushura me shtigje të qeta ecjeje, rrënoja të lashta të fshehura nën hijen e pemëve, plazhe mahnitëse gati për eksplorim dhe qendra urbane me zhvillim të shpejtë”, shkruan ai.

Autori vlerëson se Shqipëria është një vend ku tradita ka rëndësi.

“Një vend me aventura të papritura në fund të çdo korsie fshati me pluhur. Një vend që mund të ndryshojë të gjithë idenë tuaj për Evropën e shekullit XXI. Pra, ku të filloni? Nga kryeqyteti i saj historik, deri te bregdeti i saj i mbushur me plazhe, këto janë vendet më të mira për t’u vizituar në Shqipëri”, shkruan ai. / atsh / KultPlus.com

Vajza e ish-presidentit Trump viziton muzeun në Tiranë, e mahnitur me transformimin e Shqipërisë

Vajza e ish-presidenti Donald Trump, Ivanka Trump bashkë me bashkëshortin e saj kanë zgjedhur të vizitojnë nga afër Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”.

Në këtë vizitë ata u shoqëruan edhe nga kryeministri Edi Rama. Gjatë vizitës, çifti amerikan la një shënim në librin e përshtypjeve, ndërsa veçuan mikpritjen shqiptare, si një vlerë e veçantë.

“Kënaqësi të prisnim në muze Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, Ivanka Trump dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner, të cilët vizituan Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”.

Në fund të vizitës z. Kushner la këtë shënim në Librin e Përshtypjeve:

“Ju falënderoj për mikpritjen kaq dashamirëse dhe që ndatë me ne historinë e shtypjes së Shqipërisë për ta kuptuar më mirë transformimin e jashtëzakonshëm, dëshmitarë të të cilit jemi ne sot. Le të mësojë dhe populli im nga ky muze që këto tmerre të mos përsëriten më!”.

Ndërsa Ivanka Trump u shpreh:

“Faleminderit. Gjithë të mirat për të dy vendet tona Amerika & Shqipëria”. / KultPlus.com

Parku Kombëtar i Butrintit, destinacion i turizmit gjithëvjetor

Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi në një postim në rrjetet sociale, solli sot një album fotografik të Parkut Kombëtar të Butrintit, që konsiderohet një aset i çmuar për turizmin shqiptar.

Fotot tregojnë pamjet më të bukura të këtij Parku, ku ndërthuren bukuritë natyrore dhe ato historike.

Parkun Kombëtar i Butrintit, është një nga pikat më të rëndësishme të turizmit kulturor, në jug të vendit që tërheq interesin e vizitorëve vendas dhe të huja në çdo strinë të vitit.

Parku Kombëtar i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin juglindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur në dy anë nga liqeni i Butrintit dhe në një anë nga kanali i Vivarit.

Parku Kombëtar i Butrintit ofron një numër të konsiderueshëm vendesh arkeologjike dhe konsiderohet si një “mikrobotë e historisë shqiptare”.

Butrinti është një mikrokozmos i historisë së Mesdheut, që prezanton ngritjet dhe uljet e perandorive të mëdha që kanë mbizotëruar në rajon. Sot është një amalgamë e monumenteve që prezantojnë një hapësirë me mbi 2000 vjet, që nga tempujt helenikë të shek. IV para Krishtit, deri në kalatë osmane të fillimit të shek. XIX./ atsh / KultPlus.com

Muzeu Arkeologjik i Korçës, i vetmi muze prehistorik në vend


Sotiraq Filo, kryebashkiaku i Korçës, i një qyteti që ka se ç’t’u ofrojë turistëve, solli sot në vëmendje Muzeun Arkeologjik të Korçës, i cili është muzeu i vetëm pre-historik në Shqipëri.

“Janë 1111 objekte të ndryshme në këtë muze, të cilat datojnë nga Epokat Pre dhe Proto historike e deri në shekullin e 12-të të erës sonë” është shprehur Sotiraq Filo.

Muzeu Arkeologjik është i veçantë në llojin e vetë. Ai u krijua në vitin 1985, në një godinë karakteristike të shek XIX. Për vlerat arkitektonike është shpallur monument kulture. Në të janë ekspozuar pasuritë arkeologjike të trevave juglindore të Shqipërisë, ku vendin kryesor e zë pellgu i Korçës.

Objektet e ekspozuara nisin nga periudha neolitike dhe deri në fazën e zhvilluar të epokës së hekurit. Në këtë muze janë përfaqësuar disa vendbanime të rëndësishme prehistorike si Maliqi, Potgoria, Dunavesi, Trajani e përmbyllet me një sesion të vogël të periudhave pas prehistorike./ atsh / KultPlus.com

“The Sun” sugjeron plazhet shqiptare si alternativa më fantastike për pushimet në Mesdhe

Gjiganti mediatik “The Sun” i ofron publikut britanik më të mirën e bregdetit shqiptar, duke u sugjeruar plazhet shqiptare si alternativa më fantastike për pushimet në Mesdhe.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale artikullin e publikuar në ‘The Sun”, i cili i bën jehonë bregdetit shqiptar.

Sipas tij, “The Sun” promovon edhe lehtësinë e aksesit falë investimeve në infrastrukturë dhe së shpejti me aeroportin e Vlorës.

Ndërsa e cilëson Shqipërinë “Maldivet ekonomike të pazbuluara të Evropës”, “The Sun” e promovon atë si një pikë pushimesh që ka marrë shumë popullaritet për shkak të ofertave të lira dhe plazheve të bukura./atsh / KultPlus.com

Liqenet e Valamarës në listën e destinacioneve të preferuara nga turistët

Kreu i AdZM Korçë, Gjergji Koki solli sot pamje nga liqenet akullnajore në malin e Valamarës.

Koki publikoi në rrjetet sociale fotografi të cilat shprehin më së miri natyrën e mrekullueshme malore të trevës Pogradec, Gramsh, Korçë. Dhjetëra liqene akullnajore gjenden në malin e Valamarës që bashkon Pogradecin, Gramshin dhe Korçën në lartesinë mbi dy mijë metra nga niveli i detit.

Pogradeci nuk ka vetëm liqenin, por edhe destinacione turistike malore të cilat kohët e fundit janë rizgjuar nga të apasionuarit e alpinizmit dhe jetesës në harmoni me natyrën. Edhe Valamara është në listën e destinacioneve të preferuara të turistëve dhe entuziastëve vendas të natyrës.

Valamara është mal me lartësi 2373 m në kufirin midis rrethit të Korçës, atij të Gramshit dhe të Pogradecit. Në veri kufizohet me Gurin e Topit. Bimësia përbëhet nga pyje ahu e pishe në pjesën e ulët dhe nga kullota të pasura verore në pjesën e sipërme. / atsh / KultPlus.com

Ricky Martin: Shqiptarët janë jashtëzakonisht mikpritës

Artisti latin me renome ndërkombëtare, Ricky Martin prej disa ditësh po qëndron në Shqipëri.

Këngëtari sonte (e enjte) do të mbaj koncertin madhështor në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë por para kësaj ai ka vizituar edhe qytetin bregdetar të Durrësit, nga ku edhe postoi imazhe për fansat e tij.

Përveç tjerash, 51-vjeçari ka mbetur i mahnitur nga mikpritja e popullit shqiptar, për të cilën është shprehur para miliona ndjekësve në Instagram.

Ai ka publikuar një informacion në të cilën përshkruhej mikpritja si një prej karakteristikave të popullin shqiptar, një gjë të cilën e ka konfirmuar edhe vet autori i “Livin’ La Vida Loca”.

Foto: Ricky Martin / Instagram
FOTO: RICKY MARTIN / INSTAGRAM

“Shqiptarët janë jashtëzakonisht mikpritës, fakte”, ka shkruar Martin në postim.

Ndërkohë, me të arritur në aeroportin e Tiranës, ai tha se është i lumtur për koncertin që do të mbaj për shqiptarët dhe ftoi që të gjithë të bëhen pjesë e tij. / KultPlus.com

Altin Basha sjell për herë të parë në Shqipëri komedinë muzikore “Mamma Mia”, bazuar në këngët e grupit “ABBA”

Bazuar në këngët më të njohura të grupit “ABBA”, do të vihet në skenë për herë të parë ‘live’ për publikun shqiptar komedia muzikore “Mamma mia”, në datat 25 dhe 26 korrik në orën 21.00 në Amfiteatrin e Liqenit të Tiranës. Me Regji nga Altin Bashës dhe skenografi nga Iliriana Basha, komedia muzikore “Mamma Mia” nis me historinë e Sophie-së, e cila ka ftuar në martesën e saj me Sky-in, tre baballarët e saj të mundshëm.

Ajo kupton, nga ditari i nënës së saj- Donnes, se është fryt i dashurisë së tre historive romantike gjatë një muaji 21 vjet më parë. Cila nga tre dashuritë e rinisë së Donnes, është babai i Sophi-së? Sam? Harry? Apo Bill? Kjo komedi muzikore, e sjellë ne stilin Musical, është një sfidë e madhe për të gjithë protagonistët e shfaqjes, të cilët njëherësh aktrojnë, kërcejnë dhe këndojnë ‘live’. Emocionet, humori, muzika e bandit dhe e protagonisteve ‘live’, ju ofrojnë një shfaqje me nivel te kalibrit botëror, shkruan shqiptarja.com.

Aktorët pjesëmarrës janë Elia Zaharia, Ina Morinaj, Rea Nuhu, Gerta Mahmutaj, Amos Zaharia, Endri Kacaci, Donald Shehu dhe Igli Zarka.. Trupa mbeshtetese e personazheve te teatrit muzikor përbehet nga artistët e rinj: Ketjona Pecnikaj,  Zerxhina Hasanaj, Gloria Taga, Krisa Gjika, Maria Ademi, Ilia Kaci, Amri Hasanlliu, Aldrin Biba, Mario Dorre, Denardo Neziri.

Instrumentistët e Bandit që do të luajnë këngët e ABBA-ve të orkestruara për teater muzikor nga Jusiald Xhani janë: Erald Simixhiu, Denis Hima, Mateos Gjipi, Emil Zaharia, Alex Zisi. 

“Mamma mia” erdhi si një projekt veror dhe për ta vënë në skenën e Amfiteatrit. Puna ka nisur dhe Ilirjana (Loxha – Basha) po bën skenografinë. Ka një lloj kënaqësie kur ti punon me disa zhanre artistike në të njëjtën kohë. Këtë radhë sigurisht kemi aktorë si Elia Zaharia, që është në rolin kryesor, në rolin e Donës. Ky është projekti i dytë që punoj me Elian dhe është kënaqësi të shohësh se si ajo është pjekur si aktore,” tha Altin Basha për ABC News,

“Sigurisht personazhet janë mjaft interesante dhe kthesat dramaturgjike janë mjaft interesante, si histori me nevojën e njeriut për të njohur vetveten dhe sigurisht mesazhet që përcjell vepra se nuk është e thjeshtë. Janë mesazhe me të cilat shoqëria jonë mund të përballet, janë problemet e familjes, të dashurisë dhe të identitetit. Është komplekse, ndoshta ne na duket e lehtë, por ka dhe koreografi”, u shpreh ai./KultPlus.com

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhuron koleksionin e botimeve të saj për bibliotekën e Presidentit të Kosovës ‘Dr. Ibrahim Rugova’

Biblioteka presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”, është pasuruar me rreth 600 tituj të rinj, botime të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.

Dorëzim-pranimi u bë në një ceremoni të organizuar në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, në të cilën këshilltari i Presidentes Osmani z. Vehbi Miftari dhe përgjegjësi i bibliotekës presidenciale Florent Rrahmani u pritën nga sekretari shkencor i Akademisë akad. Shaban Sinani dhe akad. Vasil S. Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Përgjegjësi i bibliotekës presidenciale z. Rrahmani tha se ky koleksion e pasuron fondin bibliotekar dhe thellon më tej bashkëpunimin ndërinstitucional, por njëkohësisht ofron edhe mundësi të reja për studiues dhe hulumtues.

“Fondi i dhuruar nga Akademia e Shkencave, që po i dhurohet bibliotekës presidenciale, përveç pasurimit, ka peshë të veçantë jo vetëm për bashkëpunimin ndërinstitucional, por edhe për hapjen e mundësive të reja për studiues”, ka thënë Rrahmani.

Ai, më tutje, në emër të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, ka falënderuar Akademinë për gatishmërinë dhe kontributin e tyre

Ndërkaq, Shaban Sinani, sekretar shkencor në Akademi, theksoi se është nder që botimet tona të jenë pjesë e bibliotekës presidenciale.

“Për ne është nder i veçantë që një pjesë e botimeve të Akademisë, sidomos nga fusha albanologjike, të jenë pjesë e bibliotekës presidenciale. Shprehim gatishmërinë tonë që kjo formë e bashkëpunimit të vazhdojë edhe në të ardhmen”, ka thënë Sinani./KultPlus.com

Rama: Velipoja më e pastër se asnjëherë më parë

Velipoja, një ndër plazhet ranore me shtrirjen më të gjerë në Shqipëri, frekuentohet çdo vit nga mijëra pushues vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale përshtypjet e pushuesve për këtë sezon veror në Velipojë.

Rama tha se pushuesit “këtë vit e gjejnë më mirë të organizuar, si edhe më të pastër se asnjëherë më parë”.

“E mbajnë pastër më mirë se vjet. Plazhi është plot nuk ka pasur asnjëherë kaq shumë”, tha një qytetar.

Një qytetare u shpreh se “jemi të kënaqur është përmirësuar shumë zona është e lirë, ka pastërti”.

“Siguria në plazh është e mirë ne po kalojmë shume mirë”, tha një tjetër qytetar.

Me një shtrirje prej mbi 14 km, plazhi i Velipojës është ndër më të preferuarit në veriperëndim të vendit edhe për shkak të cilësive kurative të rërës.

Rëra me efektin e saj kurativ, ndërthurja me hijeshi e detit, lumit, delta me ishuj, kodrat, pylli, laguna e fusha, bëjnë për vete çdo vit pushues të shumtë.

Shumë prej tyre janë të përvitshëm në sezonin veror në Velipojë, të tjerë vijnë për herë të parë për t’u rikthyer vit pas viti. /atsh / KultPlus.com

“The Face”: Si u bë Shqipëria pika kryesore turistike në verën e 2023?

Pavarësisht sulmeve ksenofobike të konservatorëve të Britanisë së Madhe ndaj emigrantëve shqiptarë, Shqipëria është kthyer në një vend shpëtimi për të rinjtë britanikë, duke ofruar festivale si, “Kala” dhe ION, akomodime të lira dhe plazhe të mrekullueshme, shkruan “The Face”.

Sa më shumë t’i referohesh një destinacioni si një vend krejtësisht i ndryshëm, aq më shumë do të bëhet një pikë e nxehtë turistike . Rasti në fjalë? Së fundmi Shqipërisë i është referuar si, Kroacia e Re, Maldivet e Evropës, Karaibet e Evropës, Greqia e ardhshme, e cila po gëzon një rritje të madhe të numrit të turistëve.

Edhe nëse nuk keni qenë kohët e fundit në Shqipëri, me siguri i keni parë pamjet në internet. Për ne që navigojmë, “Toka e Shqiponjave” është shpërndarë kudo në rrjete kohët e fundit. Të gjithë, me sa duket, kanë bërë banjo dielli në plazhet e saj me rërë, janë zhytur në ujërat e paeksploruara dhe kanë kërcyer në festivalet e saj.

Nga viti 2010 deri në vitin 2019, numri i turistëve që shkojnë në Shqipëri çdo vit u trefishua në 3,3 milionë, ku 120 000 prej vizitorëve ndërkombëtarë ishin nga Britania e Madhe. Megjithatë, së shpejti parashikohet që vendi të vizitohet nga miliona turistë britanikë.

Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Për dekada me rradhë, Shqipëria i ndaloi hyrjet. Vendi më i izoluar në Evropën Lindore, kombi ballkanik nuk i hapi dyert deri në fund të viteve ’80, duke ekzistuar si një shtet komunist i mbyllur për pjesën tjetër të botës.

Kur lideri i saj stalinist Enver Hoxha vdiq në vitin 1985, turistët filluan të vërshonin drejt vendit, por jo me një ritëm të shpejtë, deri në vitin 1989 ku vetëm 10 000 njerëz në të gjithë globin shkonin në Shqipëri çdo vit.

Mbërritjet filluan të rriteshin në fund të viteve ’90, kur industria evropiane e turizmit filloi të zbulonte potencialin e Shqipërisë për të konkurruar në Mesdhe.

Megjithëse vendi ende përballej me ndërprerje të energjisë elektrike, probleme me ujin e papijshëm dhe ujërat e zeza, në vitin 2003 Ministria e Turizmit vendosi të shkatërronte ndërtesat për të zbukuruar plazhet dhe për të riemërtuar kombin. Shtatë vjet më vonë, Shqipëria ishte vendi më i mirë për t’u vizituar sipas “Lonely Planet”.

Në vitin 2017, ishte vetëm një linjë udhëtimi me “British Airways” nga aeroporti “Gatwick” i Londrës në Tiranë. Tani, ka mbi dhjetë linja, më e lira është “WizzAir”, që ju çon për tre orë për vetëm 27 £.

“Ka patur një rritje të konsiderueshme në numrin e pasagjerëve që zgjedhin Shqipërinë si destinacionin e pushimeve”, tha për “The Face”, Zsuzsa Trubek, menaxhere e Komunikimit të Korporatës “Wizz Air”.

“Numri i pasagjerëve është rritur 27% në gjysmën e parë të vitit në 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë në 2022. Për të përmbushur kërkesën, është rritur kapaciteti për të kryer 19 fluturime në javë”, tha ajo.

Shqipëria është ende një destinacion relativisht alternativ. Aktualisht, kryhen më pak se 20 fluturime në javë, dhe numri i britanikëve që shkojnë në Greqi çdo vit është pothuajse 40 herë më i lartë. Por, pritet që numri i turistëve drejt Shqipërisë të vazhdojë të rritet, një besim i çeliktë që ka çuar në investime nga e gjithë bota dhe ndërtimin e një aeroporti me vlerë 125 milionë dollarë në Vlorë, i cili është në punime e sipër, deri në përfundimin e tij në prill të 2024.

Gjithashtu, duke pasur parasysh se pothuajse askush jashtë Shqipërisë nuk dinte për vendin deri 20 e ca vjet më parë, zhvillimi i tij është marramendës.

“Ndërsa Amsterdami po largon të gjithë britanikët, italianët po lodhen gjithnjë e më shumë dhe Lanzarote po vuan sjelljen tonë të keqe, Shqipëria po na mirëpret krahëhapur, duke premtuar një paketë të plotë, gjithëpërfshirëse, diell, plazhe dhe festa të këndshme. dhe një litër birrë të mirë për 200 lekë (vetëm 1,50 £)”, tha ajo.

Shumë njerëz, tërhiqen kryesisht nga festivalet. “Kala”, një festival i nisur në vitin 2018 nga “Mainstage Festivals” dhe i vendosur në Rivierën Shqiptare, ka fituar shpejt zemrat e vizitorëve.

“Ne nuk mund të marrim meritën e plotë për rritjen më të gjerë të turizmit, mendoj se festivalet tona muzikore kanë ndihmuar që Shqipëria të vendoset në hartë për një numër të madh të rinjsh që nuk kishin dëgjuar më parë për të”, tha Juan J. Lopez, drejtor i Marketingut në “Mainstage”.

“​Ambjenti në Dhërmi është perfekt, sepse shumica e hoteleve nuk janë shumë larg nga skena. Bonusi i madh? Çmimi i një festivali kampingu ku mund të kaloni një javë të plotë në një hotel në Shqipëri, që do të thotë të mos ketë netë pa gjumë në tenda”, tha Lopez.

Antonia dhe Georgie, të dy 28 vjeç, shkuan në “Kala” muajin e kaluar.

​“Dhërmiu ishte vendi ku do të shkonim. Edhe shqiptarët vendas shkonin atje për pushimet e tyre, ishte një vend vërtet emocionues”, tha Georgie. ​

“Ishte një nga festivalet e para ku kemi qenë, të gjithë aty ishin vetëm për muzikë dhe Vibe të mirë, të gjithë kishin energji të mirë dhe ishte bukur të ishe në një hotel dhe jo në një tendë”, shtoi Antonia.

​“Dhe sigurisht që kishte peizazhe, male, plazhe të bukura, kanioni në Gjipe, një ekstazë për syrin tuaj”, tha ajo.

Ky peizazh piktoresk është i përsosur për postimet e bukura si një kartolinë në Instagram. Për ata që nuk shqetësohen për festat, janë pamjet që i nxisin të vizitojnë, veçanërisht pasi ato janë relativisht të përballueshme.

​”Kur bëhet fjalë për udhëtime, ka pak mistere të mbetura në Evropë. Shqipëria është vendi i fundit evropian, që nuk është kthyer në një destinacion të qëndrueshëm për pushime në plazh dhe i rrënuar nga turizmi masiv”, tha Lopez.

“Shqipëria ofron peizazhe mahnitëse mesdhetare, ujëra të mrekullueshëm bruz, plazhe të paprekura, ushqim të shkëlqyeshëm dhe çmime shumë të përballueshme”, shtoi ai.

Bardha Krasniqi, një fotografe me origjinë shqiptare, e cila u shpërngul në Britaninë e Madhe kur ishte ende një femijë, kthehet rregullisht në Shqipëri.

​“Shkova në qershor dhe vura re se kishte më shumë turistë se zakonisht”, tha ajo. ​

“Njerëzit me të vërtetë duan të shohin dhe eksplorojnë diçka ndryshe. Shqipëria është në jug të Evropës, kështu që është si një Greqi tjetër. ​Është diçka e re dhe njerëzit nuk e dinin se ekzistonte. Ka kaq shumë larmi të natyrës, është një çmenduri”, tha Krasniqi.

Ky vizion idilik është përhapur falë rrjeteve sociale. Në fund të fundit, shumica prej nesh tani ndjekin në TikTok Thomas Cook për këshilla udhëtimi, përmes një katalogu gjithnjë e më të përditësuar të destinacioneve më të bukura në botë. Shqipëria u bë virale verën e kaluar, veçanërisht resorti i plazhit Ksamil, shkëlqimi i të cilit nuk po shuhet.

​”Gushti do të jetë i çmendur dhe kjo për shkak të TikTok-ut, vitin e kaluar të gjithë ripostonin vendodhjet e tyre”, tha Krasniqi.

​”Edhe këtë vit miqtë më kanë dërguar mesazhe si: “Nuk e dija që Shqipëria dukej kështu”, sepse jugu është shumë i bukur’, shtoi ajo.

“Kur shkova për herë të parë në jug të Shqipërisë, muajin e kaluar, takova dy vajza britanike dhe i pyeta se si e kishin zbuluar vendin. ​Ato thanë nga TikTok-u, është qartë se TikTok po promovon gjithandej Shqipërinë”, tha ajo.

Ekziston gjithashtu efekti “Dua Lipa”. Krahas figurave të njohura si Rita Ora dhe Bebe Rexha, Dua, e lindur në Shqipëri, është bërë një vajzë që promovon vendin përmes postimeve. Në fund të vitit të kaluar, ajo u bë qytetare nderi dhe madje përmbylli turneun e saj botëror “Future Nostalgia” në Tiranë.

Becky dhe Elena, të dyja 24 vjeç, vizituan Shqipërinë javën e kaluar.

​“Ne nuk bëmë asnjë kërkim dhe përfunduam në një fshat, një orë larg Tiranës. Pamë anën më pak turistike”, tha Becky. ​

“Rreth orës 1 të mëngjesit, gjithçka ishte ndryshe. Përpara nesh u shfaqën vajza me bikini duke kërcyer në ballkone, njerëz që zhyteshin në pishinë dhe gjithçka ishte e ndezur njësoj si “My Super Sweet Sixteen”. Ne përfunduam në ato që vendasit i quajnë ​“vilat e festave” që merren me qira për një natë, të klasifikuara si shumë të zhurmshme nga policia e Tiranës”, shtoi ajo.

Personat e përfshirë në industri janë të prirur të theksojnë rolin e madh që luan turizmi në ekonominë lokale. “Kala”, për shembull, punon me 250 biznese lokale, krijon 200 vende pune çdo vit dhe ka ndihmuar në dyfishimin e sezonit turistik. Dhe organizatorët përpiqen të sigurohen që vendasve të mos u mungojë argëtimi. ​

“Çdo vit ne rezervojmë një pjesë të biletave për banorët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët mund t’i blejnë ato me një çmim të reduktuar”, tha Lopez.

Shqiptarët po përballen me probleme të migracionit. Qasja nënçmuese e Partisë Konservatore ndaj migrantëve shqiptarë, e nxitur nga politikat e Suella Braverman, ka nxitur forma të reja të ksenofobisë. Çështja është komplekse, është e vërtetë që mafia shqiptare ka një rol kyç në tregun e drogës në Britaninë e Madhe, por shumë nga ata që mbërrijnë në BM trafikohen dhe detyrohen të punojnë për këto banda, dhe nuk është një zgjedhje e tyre.

Siç ka theksuar më parë David Neale, një ekspert i migracionit shqiptar, Shqipëria nuk është domosdoshmërisht një vend i sigurt. ​

“Një shkak i zakonshëm i arratisjes së shqiptarëve nga vendi i tyre është gjakmarrja”, shkroi Naele në “The Guardian”, duke shpjeguar se shumë prej tyre përballen me kërcënimin e sulmeve hakmarrëse nga familje të tjera, që zgjasin me breza.

Ky kontrast midis turizmit dhe torizmit është i vështirë. Ndërsa shumë prej nesh e kalojnë kohën me pushime në Shqipëri, shumë nga vendasit e saj po kalojnë një kohë të vështirë në shtëpi dhe po përballen me qëndrime ksenofobike, përkatësisht, nga Britania e Madhe.

​“Fatkeqësisht, shumica e njerëzve nuk dinë shumë për Shqipërinë dhe mbështeten thjesht në stereotipe negative”, tha Lopez. ​

“Megjithatë, kjo është në avantazhin tonë, pasi aventurierët kur vijnë në Shqipëri habiten shumë kur zbulojnë se të gjitha këto paragjykime jane larg realitetit”, tha ai.

Becky dhe Elena e përjetuan këtë nga afër.

​”Të gjithë shqiptarët që na priten ishin të këndshëm me turistët”, tha Becky.

Një punishte vere u ofroi ushqim falas, një vendas i ftoi për raki, një tjetër u ofroi atyre një udhëtim me varkë dhe një taksist madje ndaloi për t’u blerë bakllava.

​”Ne e vizituam vendin me shumë paragjykime, pasi familja dhe miqtë tanë ishin të pasigurt, por ishte vërtet argëtuese. Njerëzit ishin vërtet të sjellshëm”, thanë Antonia dhe Georgie.

Një banakier vrapoi për të gjetur vodka për ta, ndërsa një pronar gazetash u dha atyre një kovë akulli pasi mendonte se birrat që shiste nuk ishin mjaftueshëm të ftohta.

Për Krasniqin, pushuesit e verës 2023 do të thyejnë industrinë e turizmit të Shqipërisë.

​”Ky vit do të përcaktojë se si njerëzit e trajtojnë dhe respektojnë atë”, tha ajo, duke shtuar se vendi mund të shndërrohet në një tjetër Ibiza, me shpresën se vizitorët do të ndikohen pozitivisht. Ashtu si çdo vend në zhvillim, ekziston rreziku drejt nje kolapsi te turizmit, që numëron mbrapsht drejt erozionit kulturor. Po kështu, nëse të ardhurat nga turizmi rrjedhin në ekonominë lokale, kjo mund të çojë në një rezultat pozitiv për të gjithë.

Sido që të jetë, është e qartë se “Albmania” do të vazhdojë të përhapet në të gjithë Britaninë e Madhe, pasi infrastruktura shtesë dhe një valë e re ngjarjesh e ëmbëlsojnë marrëveshjen, tashmë joshëse.

Së shpejti, vendit nuk do t’i referohen më si Kroacia e Re, Maldivet e Evropës, Karaibet e Evropës, Greqia e ardhshme, por thjesht Shqipëria. /atsh / KultPlus.com

Lumi i Shalës fluks vizitorësh, rreth 12 mijë vetëm në qershor

Lumi i Shalës, në liqenin e Komanit po tërheq çdo vit një numër të lartë turistësh vendas e të huaj, për shkak të bukurisë që natyra i ka falur kësaj zone.

I cilësuar nga mediet e huaja si një “parajsë e vogël”, ky lum është padyshim destinacioni më i preferuar sidomos nga të rinjtë.

Emanuel Pjetri, guidë turistike në Pukë, tha për ATSH-në se ” nga 1 qershori e deri tani mund të ketë pasur afërsisht 12 000 vizitorë. Në ditë ky lum është vizituar nga 400 -500 persona në ditë, ndërsa fundjavat normalisht ka pasur një numër më të lartë”.
Sipas tij, për të vizituar lumin e Shalës udhëtimi me varkë nga Komani zgjat 1 orë e 20 minuta.

“Turistët shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës, ushqimet tradicionale që ofrohen në bujtinat e ngritura pranë tij”, theksoi Pjetri.

Pjetri tregon se vizitorët në udhëtimin e tyre vizitojnë kanionin te lumi i Shalës, ujëvarën e Qerretit të Vilës, Shpellën e Kaurrit (murgjëve) etj.

Lumi i Shalës buron rrëzë Alpeve Shqiptare dhe ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Drin. Lumi Shalës dallohet me ujin e tij të veçantë ngjyrë blu e thellë.

Ai është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më e përhapura është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla. Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin./ atsh / KultPlus.com

Rikualifikimi i Drilonit, Rama: Do të jetë një nga destinacionet mahnitëse për të gjithë vizitorët

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga Driloni i cili do jetë një pol i ri ekoturistik në Pogradec dhe në qarkun e Korçës.

Rama nënvizon se Driloni këtë verë do të jetë falë vënies në jetë të një super projekti transformues në një nga destinacionet mahnitëse për të gjithë vizitorët, të huaj apo vendas.

Projekti rikualifikues që shtrihet në 170 hektarë të parkut parashikon investime në  infrastrukturë për xhiro me biçikleta, kullat e vëzhgimit për shpendët, vijat ujore që mund të përshkohen me varka apo edhe mjetet elektrike miqësore me mjedisin.

Rikualifikimi i projekti po zbatohet në bashkëpunim mes Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe AADF.

Të gjitha ndërhyrjet janë bërë me qëllim ruajtjen e mjedisit dhe biodiversitetit të zonës, si edhe do të pasohet nga një plan menaxhimi.

Ky projekt lejon që vizitorët të mos shëtisin vetëm në pedonalen e Drilonit, por përmes kalimeve dhe urave të shkohet deri tek burimet e Drilonit dhe në Tushemisht./ atsh / KultPlus.com