Muzeu Kombëtar: Rritje me 345% e vizitorëve në janar krahasuar me një vit më parë

Muzeu Historik Kombëtar ka bërë publike shifrat e vizitorëve gjatë muajit janar.

Krahasuar me vizitorët e janarit të vitit 2022, ajo janë rritur me 345%.

Gjatë muajit janar, të vitit 2022, Muzeun Historik Kombëtar e kishin vizituar 355 persona në total, ndërkohë që ky fillimviti rezultoi shumë i susksesshëm, me 1578 vizitorë.

Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe UNOPS, Muzeun Historik Kombëtar e kanë përfshirë në programin EU4Culture, i cili nisi implementimin me mozaikun e fasadës ballore, për të vijuar më tej edhe me vetë godinën e muzeut.

Godina e MHK, një monument i kategorisë II, do të jetë edhe më funksionale për vizitorët, me pavijone të shtuara, që flasin për identitetin tonë kombëtar. Në grupin e punës janë përfshirë edhe specialistë të albanologjisë.

Ekipi që ka realizuar projektin ka pasur në përbërje të tij 31 specialistë të fushave të ndryshme: arkitektë, historianë, arkeologë, etnografë, ikonografë, dizajner etj.

Synimi është që ky muze të ketë më shumë hapësira ekspozitash të përhershme dhe të përkohshme, në mënyrë që muzeu të jetë sa më dinamik; të ketë sa më shumë hapësira edukimi për fëmijë, hapësira për takime, workshope, librari, ambiente për familjen dhe patjetër ambiente të dedikuara për digjitalizimin dhe restaurimin e artefakteve./ atsh / KultPlus.com

Hapet thirrja për Fondin e Krijimtarisë Letrare për të rinj

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka hapur thirrjen për aplikime në Fondin e Krijimtarisë Letrare për të rinj.

Thirrja u drejtohet lëvruesve të poezisë dhe prozës nga mosha 18 deri 35 vjeç, të cilët duan të botojnë dorëshkrimet e tyre të para.

Aplikimi kryhet nga një botues i pajisur me licencë përkatëse, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor.

Shuma e financimit për mbështetjen e procesit krijues të veprës do t’i paguhet drejtpërdrejt shtëpisë botuese. Aplikimi fillon sot dhe përfundon në datën 10 mars 2023.

QKLL thotë se për rastet kur dokumentacioni nuk do të jetë i plotë, aplikimi nuk do të merret në shqyrtim për fazën përzgjedhëse.

Aplikimet do të dorëzohen në formë të printuar, dorazi ose në rrugë postare, në zyrën e Protokollit të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit brenda datës 10 mars./ atsh / KultPlus.com

Pamjet nga Bjeshkët e Kukësit bëhen virale në rrjet

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka postuar në rrjetet sociale një video të filmuar në “Shtegun e ngjyrave”, në Kukës dhe që kohët e fundit është bërë virale në rrjet, duke promovuar alpet e Shqipërisë.

Videoja me kuajt e Afrim Tahirajt, një udhërrëfyes lokal, është rimarrë nga faqja @beautifuldestinations dhe ka bërë xhiron e botës.

Beautifuldestinations me 25 milionë ndjekës, është vetëm njëra nga shumë prej faqeve që kanë shpërndarë këtë video. Përveç saj janë dhe Nature, Earthbestshots, Heaven, Kingdom of Horses, Natgeomagarab etj.

Video në total ka arritur mbi 35 milionë shikime në dy javët e fundit, duke arritur madje 1 milion pëlqime te faqja “Heaven”.

Xhirimi i bukur me kuajt e lirë, me një peizazh befasues, shfaq bukurinë natyrore dhe qetësinë që ofron Kukësi e Shqipëria, duke ftuar miliona ndjekësit e këtyre faqeve, në një udhëtim nëpër veriun e vendit./ atsh / KultPlus.com

Shqipëria sot ditë zie kombëtare për viktimat e tragjedisë së tërmetit në kufirin turko-sirian

Dita e sotme do të jetë ditë zie kombëtare në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian.

Vendimi u mor nga qeveria shqiptare në shenjë solidariteti edhe me Turqinë mike, e cila iu gjend pranë Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Kryeministri Edi Rama ëhstë shprehur se në këtë ditë flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtize.

Gjithashtu, Rama është shprehur se “dhe ndezja e një qiriri nga çdonjëri sipas dëshirës e mundësisë, do të jenë shenjat kuptimplota të një të hëne të shenjuar prej dhimbjes njerëzore e solidaritetit popullor që i kapërcejnë kufijtë tanë”.

Numri i të vdekurve të raportuar nga tërmetet në Turqi dhe Siri tejkaloi dje shifrën 34 000, ndërsa shpresat për gjetjen e të mbijetuarve të tjerë në rrënoja veniten çdo orë./ atsh / KultPlus.com

Akademia e Shkencave në Shqipëri, zgjedh tre anëtarë të rinj

Pas votimeve në mbledhjen e fundit të Asamblesë së Akademisë së Shkencave, u shpallën tre fituesit për titullin akademik: prof. Adem Bunguri, prof. Anila Hoda dhe prof. Valter Memishaj.

Pas afro një viti konkurrim, u përmbyll zgjedhja e kandidatëve të regjistruar për katër fusha të reja të hapura me vendim të Asamblesë.

U regjistruan gjithsej 9 kandidatë, nga të cilët 6 prej tyre u kualifikuan për garën përfundimtare.

Në përfundim të votimit, komisioni bëri të njohur për të pranishmit në sallë dhe për ata në linjë (online) se nga katër fusha pati fitues vetëm për tri prej tyre, si vijon:

Prof. Adem Bunguri për shkencat arkeologjike për titullin akademik, prof. Anila Hoda për shkencat e mjekësisë veterinare, për titullin akademik si dhe prof. Valter Memishaj për shkencën e gjuhësisë, për titullin akademik.

Komisioni do të shpallë në vijim, pasqyrën analitike të rezultateve për të gjithë kandidatët.

Në përfundim, kryesia e Akademisë falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në garë, institucionet dhe organizmat që u përfshinë në përzgjedhjen, vlerësimin dhe votimin e tyre. / KultPlus.com

Rama: Molet në Liqenin e Shkodrës, perspektivë e re turistike me Malin e Zi

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga një prej moleve që po ndërtohet në Liqenin e Shkodrës.

“Në Zogaj, ku po ndërtohet një prej tre moleve në Liqenin e Shkodrës, me të gjitha parametrat në funksion të lundrimit në natyrën e bekuar në zonën liqenore, që shihet edhe si një perspektivë e re turistike mes Shqipërisë dhe Malit të Zi”, tha Kryeministri ndërsa ndau pamjet e molit të ri.

Investimet në bashkinë Shkodër përfshijnë rrugën Shirokë-Zogaj-Pika kufitare me Malin e Zi rreth 6 km e gjatë ku shumë shpejt nis ndërtimi.

Po ashtu, do të investohet në lidhjen Shëngjin-Ulqin, bajpasin e Shëngjinit, urën e Bunës dhe rrugën Pulaj.

Në Shkodër do të investohet për sheshin e Shirokës, Muzeun e Liqenit dhe pikat panoramike, molet Almonit, hyrjen e Shkodrës, Muzeun e Navigimit dhe Kalanë e Rozafës.

Në zonën e Alpeve investimet përfshijnë rrugën Qafë Thore-Theth, rikualifikimin e Thethit, rrugën Theth-Nderlysaj, faza 1, si dhe aksin Nderlysaj-Lotaj-Lekbibaj-Prekal ose unaza e brendshme e Alpeve.

Po ashtu ndërhyrje parashikohet në rrugën Ura e Mesit-Kala e Drishtit, për ndriçimin e rrugës Ura e Mesit-Kala e Drishtit si dhe për rivitalizimin e Kalasë së Drishtit./ atsh / KultPlus.com

Alpet Shqiptare tërhoqën rreth 240 mijë turistë në vitin 2022

Parku Kombëtar i Alpeve gjatë vitit të kaluar ka qenë një ndër destinacionet më të vizituara në vendin tonë.

Administrata e Zonave të Mbrojtura në Shkodër tha për ATSH-në se  “lumi i Gashit, Lugina e Valbonës, Thethi, Vermoshi dhe Boga nga janari deri në dhjetor të 2022 u vizituan nga 230 944 turistë”.

“Konkretisht në këtë periudhë 104 595 ishin turistë vendas dhe 126 349 të huaj”, tha ADZM Shkodër.

Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8 % të tij; kanë pozitë gjeografike tepër të izoluar, sepse rrugët që i lidhin ato me rajonet e tjera të vendit dhe trevat shqiptare jashtë kufirit janë të pakta dhe në gjendje të keqe.

Tek Alpet dallohen blloqet, malësitë, kurrizet malore dhe luginat./ atsh / KultPlus.com

Parku Kombëtar i Shebenikut, mozaik i bukurive natyrore

Parku Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë”, destinacion turistik për vizitorët e natyrës dhe të aventurës fton plot të apasionuar në çdo stinë.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga ky park me mozaikun e bukurive natyrore me Majën e Kallkanit, Majën e Zezë, Shkëmbin e Koklit, Majën e Rreshpës dhe Liqenet akullnajore të Rrajcës.

Parku Kombëtar i Shebenikut ka mjaft monumente natyrore të shpallura apo jo, që mund të vizitohen nga turistët dhe studiuesit.

Me interes është Kisha e Kosharishtit e ndërtuar në një shpellë me figura e mbishkrime që nga shek. II para Krishtit, që duhet të jetë gjithashtu pjesë e guidës për këdo që dëshiron të vizitojë Parkun Kombëtar të Shebenikut.

Kjo shpellë-kishë është e vendosur në një shkëmb në lartësi rreth 70 metra nga niveli i lumit të Qarrishtës, ku janë pikturuar Shenjtorja Mari dhe dishepujt gjatë një ceremonie.

Po ashtu në Shebenik janë liqenet karstike, liqeni i Fushë-Studnës, Vlaska, Fusha e Dorëzit, Bredhi i Fushë-Kuqes, Rrapi i Taksimit, Shkalla e Skënderbeut, Gurra e Ariut e shumë zona të tjera që presin vizitorë./atsh / KultPlus.com

Berati destinacioni i 400 mijë turistëve në 2022


Qyteti i një mbi një dritareve vijon të mbetet ndër qytetet më të preferuara të turistëve.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo tha për ATSH-në se “gjatë këtij viti Berati ka shënuar një fluks të lartë turistësh, ku në janar-dhjetor u vizitua nga rreth 400 mijë vizitorë, ku 80% e turistëve janë të huaj”.

“Ky është numri më i lartë i vizitorëve në të gjithë historinë e qytetit tonë. Vitet e fundit turistët po kalojnë më shumë kohë në qytet. Më herët turistët kryenin vizita ditore, ndërsa tani ata qëndrojnë të paktën 1-2 netë në qytet dhe kanë mundësi të njihen më mirë me historinë dhe kulturën e këtij qyteti të lashtë”, tha Demo.

Ndër atraksionet më të vizituara Demo përmend Kalanë, ndërsa në qytet më të vizituarat janë Kanionet e Osumit, kantinat e qytetit, muzeumet Onufri, Etnografik dhe Solomon.

“Një vëmendje të veçantë zënë edhe objektet e kultit, si kishat dhe xhamitë, të cilat vitet e fundit janë restauruar ”, tha Demo

Në rritjen e fluksit të vizitorëve këtë vit kanë ndikuar edhe aktivitetet e shumta të organizuara nga bashkia.

“Bashkia gjatë gjithë vitit, por sidomos në sezonin veror ka organizuar një sërë aktivitetesh çdo fundjavë si teatër kukullash, teatër për të rritur, fundjavat e muzikës live në pedonale, festa e miqësisë, ekspozita, etj., të cilat kanë sjellë një numër të lartë turistësh në qytetin e një mbi një dritareve”, tha Demo.

Sa i përket investimeve në sektorin e turizmit, Demo shprehet se “180 biznese të reja janë hapur kryesisht në lagjet kryesore turistike të qytetit”.

Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës.

Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II para Krishtit. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë./ atsh / KultPlus.com

“Voyaged” e ndjekur nga miliona njerëz, promovon Krujën

Qyteti i Krujës është promovuar nga “Voyaged”, një prej faqeve më të njohura të destinacioneve botërore.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila thekson se “kartolina e mbrëmjes vjen nga @voyaged, faqja e ndjekur nga miliona njerëz nëpër botë, që promovon Krujën tonë”.

“Duke shëtitur në rrugët e Krujës”, shkruan “Voyaged” duke publikuar edhe disa fotografi nga qyteti i Krujës.

Kruja është kthyer tashmë në një qytet me turizëm gjithëvjetor, i favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja gjeografike dhe peizazhi i bukur malor që ofron natyra me bimësi të larmishme.

Qyteti i Krujës është një nga destinacionet kryesore të turistëve në Shqipëri.

Zona turistike Pazari i Krujës është cilësuar monument kulture i kategorisë së parë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe është një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend në çdo stinë të vitit.

Krahas Pazarit, qyteti i Krujës ofron edhe vende të tjera interesante për t’u vizituar nga turistët, ku ndër të tjera mund të përmendet kalaja, apo edhe bujtinat e ndryshme agroturistike që ofrojnë ushqime tradicionale mjaft tërheqëse në ambiente me peizazhe piktoreske. / atsh / KultPlus.com

Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut, marrëveshje për parkun më të madh ndërkufitar në Evropë

Parku Natyror Korab-Koritnik në Shqipëri, Parku Kombëtar Sharri në Kosovë dhe Parku Kombëtar i Mavrovës dhe Parku Kombëtar Malet e Sharrit në Maqedoninë e Veriut do të jenë së shpejti pjesë e një parku ndërkufitar, më i madhi i këtij lloji në Evropë me një sipërfaqe mbi 242 mijë hektarë.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Maleve është zhvilluar në Tiranë takimi ndërministror “Natyrë pa kufij” mes Ministres së Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro, Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës Liburn Aliu dhe Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë së Veriut Naser Nuredini.

“Ne i shohim zonat e mbrojtura si ofrues të përfitimeve përtej kufijve – përtej kufijve të tyre në një hartë, përtej kufijve të shteteve kombëtare – midis shoqërive dhe brezave që jetojnë në këto zona. Këto vargmale shërbejnë si një korridor ekologjik, që strehon një numër të madh llojesh të rëndësishme bimësh e kafshësh, jo vetëm në nivel rajonal por edhe në nivel evropian e ndërkombëtar, siç është për shembull brezi i gjelbër evropian. Për sa i përket turizmit, i shohim zonat e mbrojtura si një mundësi shumë e mirë për zhvillimin e ekoturizmit me gjithë format e tij”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Sipas ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës Liburn Aliu, ky projekt do të ofrojë një optikë të re për zhvillimin e zonës së bjeshkës së Sharrit.

“I kemi këta kufij në mes dhe kemi dëshira për përfitime nga kompani të ndryshme që duan të depërtojnë dhe të ndërtojnë në atë zonë. Detyra jonë është që të vendosim rregulla duke pasur parasysh të kaluarën në mënyrë që edhe të zhvillohemi, edhe ta shfrytëzojmë, por edhe ta mbrojmë atë çka është mjaft e vlefshme. Në vitin 2013 e kemi rritur territorin e Parkut Kombëtar të Sharrit në 53.469 hektarë”, u shpreh ministri Aliu.

Ministri Aliu u shpreh se përveç destinacionit turistik të Brezovicës, ka një plan hapësinor për të zhvilluar zona të tjera të turizmit malor dimëror, por edhe veror, në përputhje me kriteret e mbrojtjes së natyrës.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë së Veriut Naser Nuredini foli për një vizion që mbron vlerat natyrore të zonave të mbrojtura, por nga ana tjetër siguron një menaxhim të qëndrueshëm duke mos i kthyer ato në muze të natyrës, por krijojnë mundësi të reja për zhvillimin socio-ekonomik të komuniteteve lokale.

“Lidhja natyrore ndërkufitare e zonave të mbrojtura të Parkut Natyror Korab–Koritnik në Shqipëri, Parkut Kombëtar të Mavrovës dhe Parkut Kombëtar Malet e Sharrit në Maqedoninë e Veriut, si dhe Parku Kombëtar Sharri në Kosovë, hap mundësi të reja për mbrojtje më të madhe të florës dhe faunës, duke u përballur më mirë me veprimet ilegale, monitorim më të mirë, mundësi më të mëdha për zhvillimin e ekoturizmit dhe formave alternative të turizmit”, tha Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini.

Ky projekt mes tre vendeve synon zhvillimin e përbashkët ndërkufitar i turizmit miqësor ndaj natyrës, menaxhim i përbashkët ndërkufitar i rajonit, promovimin e përbashkët të trashëgimisë së veçantë natyrore dhe kulturore përtej kufijve etj. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të UNEP, Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara që do të mbështesë këtë projekt.

Nga ana tjetër, Daniel Pirushi, Drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura sqaroi se brenda tre muajsh do të ngrihet komiteti i menaxhimit të zonës së mbrojtur që do të nisë punën për këtë projekt./ atsh / KultPlus.com

Shishtaveci, xhevahir i turizmit malor

Shishtaveci, 30 km larg Kukësit është kthyer vitet e fundit në një nga destinacionet më të preferuara të turizmit malor.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Shishtaveci duke ftuar turistët ta vizitojnë atë, sidomos në stinën e dimrit kur mbulohet edhe nga dëbora.

Kumbaro e cilësoi Shishtavecin, pjesë e Parkut Korab-Koritnik me peizazhet e veçanta dhe monumentet e natyrës që nga pyjet me Mështekna, Guri i Mëngjesit, Liqeni Novosejit, Mali i Kallabakut apo Bjeshkët e Shishtavecit si një prej xhevahirëve të veriut.

Fshati Shishtavec ndodhet në verilindje të Shqipërisë, në lartësinë 1260 m mbi nivelin e detit. Ai shtrihet buzë një kodre pothuajse shkëmbore, në lartësinë e së cilës ndodhet Kamenica me 1330 m lartësi.

Bjeshkët e Shishtavecit gjatë stinës së dimrit, janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e sportit të skive. Po ashtu Bjeshkët e Shishtavecit dhe të Kallabakut, janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e udhëtimeve dhe ekskursioneve./ atsh / KultPlus.com

Shpella e Pirogoshit, ndër atraksionet më interesante të Skraparit

Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Berat, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale njoftoi se specialistët e AdZM Berat kanë kryer një monitorim tek monumentet e natyrës “Kanionet e Gradecit” dhe “Shpella e Pirogoshit”.

“Këto monumente kanë një veçanti”, thuhet në postim. Në brendësi të monumentit “Kanionet e Gradecit” gjendet edhe monumenti “Shpella e Pirogoshit”.

Shpella e Pirogoshit ka një hyrje të gjerë 12 m dhe me lartësi 4-5 m. Gjatësia e eksploruar deri më tani është 1853 m. Shpella, përgjithësisht është lehtësisht e kalueshme dhe në brendësi të saj gjenden stalaktite e stalagmite. Gjithashtu kjo shpellë është strehë për një koloni lakuriqësh nate.

Shpella e Pirogoshit është më e madhja në Skrapar e ndër më të veçantat në Shqipëri.

Kjo shpellë është vizituar nga shumë grupe speleologjike të huaja franceze dhe holandeze. Eksplorimi i plotë i saj, u krye në vitin 1995 nga speleologët italianë të grupeve “Puglia Grotte dhe Dauno”./ atsh /KultPlus.com

Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, 65 mijë vizitorë në 11 muaj

Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë gjatë këtij viti ka shënuar një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se mbi 65,000 vizitorë kanë vizituar nga janari deri në nëntor muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të cilët u njohën me historinë dhe traditat shqiptare”.

“Vetëm gjatë festave të nëntorit muzeu u vizitua nga 2 mijë vizitorë vendas, por nuk mungonin edhe të huajt”, theksoi Hafizi.

Hafizi bën të ditur se “në Muzeun Etnografik vijojnë punimet për rikonstruksionin dhe pritet të jetë gati sa më shpejt për të pritur vizitorët”.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve.

Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së Hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim./ atsh / KultPlus.com

William Baldwin, pjesë e filmit në Shqipëri “My mother is a cosmonaut”

“My mother is a cosmonaut “, është filmi më i fundit që po prodhon producenti Andi Deliana.

Ai ka sjellë në Shqipëri aktorin e famshëm William Baldwin, i cili përveç këtij filmi do të jetë dhe si bashkëpunëtor në një serial me personazh qëndror Ali Pashë Tepelena, me titull i Beheaded.

“Nuk kam qenë asnjëherë më herët këtu. Jam një Nju Jorkez që jeton në Kaliforni. Duke qenë që u rrita në New York kam shumë miq shqiptarë. Për një projekt me Red Helicopter Films”, tha William Baldwin.

William Baldwin e njohim edhe si vëllain e Alec Baldwin. Por edhe për rolet e tij në filmat “Sliver”, “Fair Game”, “Internal Affairs”. Ai na tregon se si ishte të rriteshe në këtë familje me rregulla të çuditshme.

“Të rritesha në New Yorkun e viteve ’70 me vëllezërit e mijë të çmendur, që shumica nga ju duhet ti njohë Baldwin Brothers. Më pëlqen të tregoj mënyrën që konsiderohej normale në mënyrën se si babi na rriti dhe se se si nëna menaxhonte krizat në familje. Shkruaj në Instagram historitë dhe eksperiencat që kemi jetuar në mënyrën se si prindërit na trajtonin, dhe ata thonë, nuk do tja bëja kurrë këtë gjë fëmijës tim. Si ka mundësi që askush nuk lajmëronte policinë, por unë them; prindërit e mijë bënë një punë të mirë”, u shpreh William Baldwin.

E pranishme është dhe Natalia Sanchez aktore tejet e njohur ne Spanjë, sidomos me serialin Los Serrano.

“Po xhirojmë në Tiranë sepse një pjesë e ngjarjes zhvillohet këtu. Roli im është i Dorit, një vajzë që përpiqet të zbulojë të shkuarën e prindërve dhe merr vesh gjera jo të mira”, tha Natalia Sanchez.

Në film kanë kanë role kryesore dhe aktore: Stef Dawson, John Grossman dhe Mike Hoffman. /Top Channel /KultPlus.com

Rama: Samiti BE-Ballkani Perëndimor, ngjarje historike për vendin

Samiti BE-Ballkani Perëndimor që do të mblidhet në 6 dhjetor në Tiranë, konsiderohet si një ngjarje historike për vendin.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot në rrjetet sociale se “Shqipëria ka kënaqësinë e vendit mikpritës për herë të parë të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, një ngjarje historike, me respektin për ne që të ardhmen e shohim në familjen e madhe europiane”.

Samiti është i parë i këtij lloji që zhvillohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe është pjesë e zbatimit të Axhendës Strategjike të Këshillit Evropian 2019-2024.

Ai konsiderohet një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë drejt BE-së.

Sipas axhendës zyrtare të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Bashkimit Europian, ndër temat kryesore të diskutimit do të jenë: trajtimi i pasojave të agresionit rus kundër Ukrainës; intensifikimi i angazhimit politik; përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja duke adresuar sfidat e paraqitura nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Gjithashtu në Samit do të bëhet vlerësimi i progresit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në tregun e brendshëm të BE-së.

Samiti do të jetë një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

Po ashtu, udhëheqësit do të shkëmbejnë pikëpamjet për trajtimin e përbashkët të menaxhimit të migracionit pasi numri i migrimeve të Ballkanit Perëndimor është rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Kjo përfshin harmonizimin e politikës së vizave të BE-së dhe bashkëpunimin në sistemet e kthimit.

Ata do të diskutojnë gjithashtu forcimin e bashkëpunimit kundër terrorizmit dhe parandalimit të radikalizimit.

Samiti i fundit midis liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor ishte Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Brdo pri Kranju në tetor 2021. Ai u organizua nga Presidenca Sllovene e Këshillit./ KultPlus.com

Rama: Porti i ri i Durrësit, motor ekonomik për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se porti i ri i Durrësit do të jetë motor i jashtëzakonshëm ekonomik për Durrësin e mbarë Shqipërinë.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama përshëndeti votimin e marrëveshjes nga Kuvendi me 74 vota pro dhe 35 vota kundër.

“Me kënaqësinë e hapjes me votën e mbrëmshme PRO të rrugës për ndërtimin e Portit Turistik, që do të jetë një motor i jashtëzakonshëm ekonomik për Durrësin e mbarë Shqipërinë”, tha Rama.

Në fjalën e tij në Kuvend, Rama theksoi se Porti Turistik i Durrësit është investimi më i madh i huaj në historinë e vendit, i cili do ta kthejë Durrësin në një portë të bukur të Mesdheut turistik dhe do t’i japë Shqipërisë një hov të madh drejt majës së vendit kampion të turizmit në Ballkan.

Kryeministri tha se ai do të jetë një motor ekonomik që do të sjellë një vlerë prej 8 miliardë euro në Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Rama u shpreh se shteti nuk fal asnjë taksë në rastin e ndërtimit të Portit Turistik të Durrësit, por përfiton 1.069 miliardë euro nga taksat.

Sipas tij, “për herë të parë në histori shteti është edhe ortak me një investitor të huaj, i cili investon të paktën 2.1 miliardë”.

Kuvendi i Shqipërisë votoi mbrëmjen e djeshme me 74 vota pro dhe 35 vota marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a. dhe Nshmi Development L.L.C, në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & jahtet e Durrësit”. / atsh / KultPlus.com

Violinisti Tedi Papavrami mban koncert në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare në Shqipëri

Violinisti Tedi Papavrami do të mbajë një koncert në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare në Shqipëri, më 25 nëntor, shoqëruar në piano nga artisti Philippe Bianconi, përcjellë KultPlus.

Papavrami është shprehur i lumtur që do të jetë pjesë e Javëve Kulturore në Shqipëri dhe gjithashtu ka shpalosur programin e kësaj mbrëmje.

“Jam i lumtur që po marr pjesë në Javët Kulturore, veçanërisht në ato që paraqesin Shqipërinë. Rastet për të më ndjekur në Tiranë nuk kanë qenë të pakëta vitet e fundit dhe publiku shqiptar më ka falur vëmendjen e tij të shkëlqyer në repertore të ndryshëm. Këtë herë, pas disa integralesh (Bach, Beethoven), do të paraqes një program të kombinuar, midis disa sonatave qendrore të repertorit, rrugëtim midis gjuhëve të ndryshme të kompozitorëve Beethoven, Brahms dhe Franck, me partnerin pianist të mrekullueshëm Philippe Bianconi, me të cilin bashkëpunoj rregullisht që prej 30 vitesh. Më vjen mirë që po ia bëj atë të njohur, me këtë rast simbolik, publikut të Tiranës”, shprehet artisti.

Ndonëse zgjedhja e kompozitorëve të huaj qe logjike dhe përputhet me ekuilibrin e një programi recitali, zgjedhjen e pjesës shqiptare, Papavrami ja ka lënë në dorë një rryme më sentimentale.

“Jam sigurisht koshient që në historinë e muzikës shqiptare ka vepra më madhështore e të ndërlikuara se “Ballada” e kompozitorit shkodran Pjetër Gaci. Por veprat shqiptare që më lidhin me të kaluarën time në Shqipëri, në një kohë fëminore, kur nuk mendoja kurrë që do të jetoja më vonë në një vend tjetër, nuk janë të shumta dhe asnjë nga ato nuk është aq domethënëse sa kjo pjesë.”

Tutje, Papavrami është shprehur se para se të shkruaj këta rreshta, ka nisur të luaj “Balladën” në violinë, për ta kujtuar, në dhomën e tij të punës në Gjenevë, pa partiturë.

“Ashtu siç e prisja, çdo notë buronte qartë, pa asnjë hezitim në memorie, në karakter apo në nuanca, si dhe akordet e pianos që më përgjigjeshin në imagjinatë. Herën e fundit që e pata luajtur ishte në Paris, ku sapo kisha mbërritur, 40 vite më parë”, thotë Tedi Papavrami.

Më datë 25 nëntor, nga ora 19:00 në Teatrin e Operas dhe Baletit ju pret një mbrëmje e mbushur me melodi të veçanta të përzgjedhura me shumë kujdes nga Tedi Papavrami. / KultPlus.com

Televizioni grek Skai, reportazh mbi destinacionet turistike të Shqipërisë

Televizioni grek “Skai” ka transmetuar një reportazh mbi Vjosën, jugun në Shqipëri dhe gjithë destinacionet turistike të vendit tonë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro teksa shpërndau në rrjetet sociale, momente nga ky reportazh shprehet se turistët grekë po e preferojnë gjithnjë e më shumë Shqipërinë.

“Këtë javë do të shkojmë me Happy Traveler në Shqipërinë fqinje. Do të ecim paralelisht me lumin Vjosa deri në grykëderdhjen e  tij në Adriatik. Do të vizitojmë edhe Përmetin me banjat e famshme termale, me urat e njohura si edhe Tepelenën historike. Do të shikojmë Apoloninë e vjetër, manastiret ortodokse dhe peizazhe të mrekullueshme natyrore që as nuk i dinim që i kishim kaq afër”, theksohet në reportazhin e “Skai”.

Sipas gazetës së njohur greke ”Kathimerini” pothuajse 200 000 qytetarë grekë vizituan Shqipërinë në gjysmën e parë të këtij viti duke qenë pjesë e më shumë se 2,5 milionë shtetasve të huaj që vizituan vendin ballkanik deri në fund të qershorit 2022.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.

Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj, janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor. / atsh / KultPlus.com

Rikthimi i Shën Naumin, nën administrimin e Shqipërisë më 1941

Nga: Haqif Mulliqi

Një dokument në dosjen “Ekstrakte nga Kosova” e Foreign Office-it, bën një rikthim në kohë, suke sjellë citate dhe komente të shtypit evropian mbi kryengritjen shqiptare kundër xhonturqve mes viteve 1910-1911. Qëllimi i administratës britanike, dhe në veçanti diplomacisë së saj, ishte t’i përafrojë gjenezën e disa problemeve që u bartën për tre dekada e gjysmë si probleme që gjenerojnë konflikte në Ballkan.

Ndërsa, në artikullin “F” të kësaj dosjeje hasim pyetjen mjaft interesante: I kujt është Shën Naumi?

Ja se çfarë shkruan gazeta bullgare “La parole Bulgare” (gazetë kjo që botohej në gjuhën frenge), nr. 822 e datës 18 dhjetor 1943:

“Manastiri i Shën Naumit dhe kisha e Shën Klementit janë dy vende të shenjta për Bullgarinë Këta të shenjtë kanë përhapur kulturën bullgare kudo që kanë shkuar. Shën Naumi ishte nxënë i vëllezërve Qirili dhe Metodi. Ai u dërgua në Maqedoninë Perëndimore nga car Borisi, ngase, ajo pjesë e Bullgarisë po bëhej çdo ditë e më e rëndësishme. Tashmë janë bërë mbi një mijë vjet qëkur ai fanar drite qëndron atje si shenjë e kulturës bullgare në Maqedoninë Perëndimore. Sa herë që vendi ndodhej nën shtypjen e huaj, ai manastir ishte gjithmonë një seli e sentimentit bullgar”.

Ja çfarë thotë historia, thonë ekspertët britanik lidhur me manastirin e kontestueshëm në cep të brigjeve të Liqenit të Ohrit:

“Pas ndarjes së Perandorisë romake në dy pjesë”, shkruajnë ekspertët britanikë, “Gadishulli Ballkanik mbeti nën administrimin e pjesës lindore, gjegjësisht të Perandorisë së Bizantit. Ndodhën shumë invadime, por në shekullin IV aty u vendosën barbarët sllavë dhe më vonë edhe bullgarët, të cilët u asimiluan shpejtë nga sllavët, bile, para se të kalonin vargmalet”, komentojnë në mënyrë ironike, britanikët. “Një pjesë e maqedonasve, të cilët ishin të një familjeje me ilirët, me trakasit dhe me epirotët, u mbytën (vranë), ndërsa një pjesë tjetër u asimilua nga sllavët, ndërsa pjesa tjetër ruajti gjuhën e vjetër (trako-ilirishte ose shqiptare).

Qirili dhe Metodi ishin nga Selaniku, me prejardhje greke. I pari ishte në shërbim të perandorit bizantin, si bibliotekist, i dyti administrator në Azinë e Vogël.

Me qëllim të kundërvënies së fesë katolike që po përhapej shpejt ndër sllavët e Moravisë dhe të Çekosllovakisë, perandori e dërgoi atje Qirilin.

Qirili zbuloi alfabetin sllav dhe së bashku me vëllain e vet, ndihmoi shumë në përhapjen e influencës së lindjes në këto provinca. Në mesin e nxënësve të tyre ishin Gorazhdi, Angelari – që përmirësojnë alfabetin – Lorenci, Klementi, Naumi etj. Ata detyrohen ta braktisin Moravinë dhe Çekosllovakinë, për shkak të përhapjes së katolicizmit, dhe të shkojnë në Beograd. Më vonë Klementi, për t’u bërë pastaj peshkop i Dembrikës (Dibrës së sotme), me Ohrin si qendër. Naumi u tërhoq në bregun e Liqenit të Ohrit dhe themeloi manastirin i cili sot e mban emrin e tij, të cilin ai vetë e kishte quajtur Shën Arkangjeli. Nga viti 910, kur vdiq Naumi e deri më 1912 ky manastir është administruar nga priftërinjtë që vareshin nga Patrikana e Stambollit, përveç një kohe të shkurtër që zgjati katër vjet, nga viti 1870-1874, kur u administrua nga priftërinj maqedonas – të varur nga kisha bullgare, përsëri me seli në Stamboll.

Pas vitit 1912, ky manastir udhëhiqej nga shteti të cilin ia përcaktonin, edhe pse ky manastir ka qenë shkak për grindje në mes të shqiptarëve dhe të jugosllavëve. Në Konferencën e Londrës kjo çështje u zgjodh në favor të Shqipërisë, ndërsa me Protokollin e Firences, në Konferencën e Parisit, në Ligën e Kombeve dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, përkundër të gjitha vendimeve ndërkombëtare, siç do të sqarohet më vonë, ky manastir, faktikisht mbeti nën Jugosllavi. Pas çanëtarësimit të Jugosllavisë, ky manastir erdhi nën administrimin shqiptar.,

“Në aspektin fetar apo religjioz”, do të konstatojnë me këtë rast ekspertët britanik, “ky manastir ka më tepër rëndësi për Shqipërinë se sa për Jugosllavinë sepse, çdo vit, gjithnjë e më shumë shqiptarë e kanë vizituar atë, ndërkaq kishte shumë më pak serbë. Përveç kësaj, edhe prifti kryesor është një shqiptar nga Berati”, thonë këta ekspert për t’u zgjeruar në këtë pjesë të dokumentit me atë se si është diskutuar në fat çështja e këtij manastiri prej viti në vit, siç thonë ata, dhe prej vendi në vend.

“Më 1913, Konferenca e Londrës ia dha Shqipërisë Bregun Perëndimor të Ohrit”, thonë britanikët, “nga fshati Linit e deri tek Manastiri i Shën Naumit. Komisioni ndërkombëtar për caktimin e kufijve filloi të punojë në tetor të vitit 1912. Ata filluan ndarjen e fshatit Lin dhe vazhduan lartë deri në malet e Korabit. Më pas, për shkak të dimrit ndaluan punën, për ta rifilluar serish në pranverë të vitit 1914. Vazhduan caktimin e kufijve të Shkodrës. Para se të mund ta fillonin punën nga jugu, atyre iu desh ta ndërprisnin këtë për shkak të luftës botërore. Kështu, çështja e manastirit ngeli edhe çështje e kontestuar. Konferenca e Parisit më 1921 konfirmoi vendimin e vitit 1913, e më pas edhe Konferenca e Ambasadorëve e 6 dhjetorit të vitit 1922, ia dha manastirin Shqipërisë”, shkruajnë profesorët e Baliolit.

Pas këtij vendimi në favor të Shqipërisë, siç ishte e pritur, do të reagonte qeveria e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, ndaj dhe kjo çështje iu parashtrua Ligës së Kombeve, e cila vendosi që këtë kontest, ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë Jugosllave, ta zgjidh Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, kështu që vendimi i 6 dhjetorit të vitit 1922 u rikonfirmua, duke filluar nga Liqeni i Ohrit nëpër bregun perëndimor të Çevarës, nja 750 metra në veriperëndim të manastirit, më pas në afërsi të rrugës Korçë-Pogradec, duke shkuar në lindje, duke e lënë Alikapinë në Shqipëri, e Peshkopinë, Lubanishtën dhe Trabezicën në Jugosllavi. Mirëpo, ky vendim u refuzua nga Jugosllavia.

Kështu, në negociatat që u zhvilluan gjatë vitit 1925 , qeveria e Beogradit doli se ishte e gatshme që të hiqte dorë nga Vermoshi që ta merrte Shën Naumin. Ndërsa, qeveria shqiptare, e këshilluar që t’i hulumtonte dhe shqyrtonte këto mundësi, në fund e arriti këtë marrëveshje lidhur me këto negociata, kështu që Shën Naumi iu dha Serbisë, do të thotë Jugosllavisë, me ç’rast u përmirësuan kufijtë rreth Krajës, ndërsa Shqipëria e mori edhe Vermoshin. Gjithashtu, me këtë marrëveshje të kontestuar, edhe sot e kësaj dite, trembëdhjetë fshatra rreth Peshkopisë dhe brigjet rreth (në perëndim dhe jugperëndim) manastirit i takuan Shqipërisë..

“Më vonë”, shkruajnë ekspertët e Baliolit, “u mor vendimi (me protokollin e Firences të 26 qershorit 1926) që shqiptarët të mund të shkonin në manastir me varka kufiri, , për të qëndruar, vetëm për çështje fetare, jo më shumë se tri ditë”.

Më pas, me fillimin e Luftës ës Dytë Botërore dhe me shpërbërjen e Jugosllavisë mbretërore, u mor vendimi që Shqipëria ta rikthejë Shën Naumin dhe nënprefekturën e Prespës, aq më tepër duke pasur parasysh faktin se pjesa dërmuese e popullatës së kësaj ane ishin shqiptar etnik. Fillimisht kjo edhe ndodhi kështu, por gjërat ndryshuam më pas, pas kapitullimit të Italisë, kur bullgarët, të prirë nga situata ne porsakrijuar dhe kaosi që po mbretëronte gjithandej, ia dolën që ta pushtojnë këtë territor etnikisht dhe legalisht shqiptar me çfarë shkaktuan çarje të mëdha në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve gjë që, në këtë kohë mund të konsiderohej e dëmshme sidomos për bullgarët dhe Bullgarinë. / Press online / KultPlus.com

’Le Monde’’: Një guidë 48 orëshe në kryeqytetin shqiptar do të ishte mbresëlënëse për çdo turistë

Prestigjiozja franceze ‘’Le Monde’’ vijon t’i kushtojë vëmendje promovimit të Shqipërisë.

Ajo shkruan për lexuesit e saj se një guidë 48 orëshe kryeqytetin shqiptar do ishte mbresëlënëse r çdo turistë, teksa fton turistët të shijojnë jetën e natës, artin e rrugës, gastronominë, muzetë e mahnitshëm dhe shëtitjet në zona turistike.

“I izoluar prej kohësh nga vullneti i një fuqie të hekurt, kryeqyteti shqiptar ka marrë ngjyra të reja. Mes muzeve të pasura, hapësirave të gjelbra të mëdha dhe hapjes së rrugës për artin e rrugës, ajo doli nga ky “dimër i madh” i përshkruar nga artisti i tij më i famshëm, shkrimtari Ismail Kadare”, shkruan ndër të tjera “Le Monde”.

Artikullin e gazetës franceze e ka shpërndarë për ndjekësit e tij në rrjetet sociale edhe kryebashkiaku, Erion Veliaj, duke u shprehur i lumtur për promovimin që po i bëhet Shqipërisë. / KultPlus.com

Prestigjiozja angleze “Financial Times”: Destinacioni më emocionues i skijimit të këtij dimri, Bjeshkët e Nemuna të Shqipërisë

Me përshkrime të mahnitshme dhe me një përkushtim të jashtëzakonshëm, media prestigjioze angleze “Financial Times”, i ka dedikuar një reportazh të gjatë alpeve shqiptare dhe turizmit dimëror, veçanërisht Bjeshkëve të Nemuna, përcjell KultPlus.

“Financial Times” pemës këtij artikulli i bëjnë thirrje të pasionuarve pas skijimit që si destinacion më emocionues të skijimit të këtij dimri t’i shohin Bjeshkët e Nemuna të Shqipërisë.

Artikullin e ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, duke u shprehur se ky është një super promovim për Shqipërinë dhe ofertën turistike gjithëvjetore. / KultPlus.com

Turoperatorë francezë në Shqipëri, për përgatitjen e paketave turistike

Një grup turoperatorësh francezë do të udhëtojnë në fillim të vitit të ardhëm në Shqipëri.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila priti sot në takim Pierre Creuse, drejtues i “3B Voyages” dhe turoperatorëve të rajonit të Bordosë dhe gjithë jugut të Francës.

Kumbaro tha se “turoperatorëve francezë përveçse do të shohin nga afër gjithë destinacionet shqiptare për përgatitjen e paketave turistike, do t’u krijojmë edhe një agjendë të dedikuar me B2B për të ndërtuar bashkëpunime sa më të shpejta me turoperatorët shqiptarë”.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “67 mijë mijë turistë francezë vizituan Shqipërinë deri në shtator të këtij viti, gati dyfish krahasuar me vitin e kaluar dhe s’ka diskutim se është një treg edhe me më shumë potencial”. / atsh / KultPlus.com

”The Mirror”: Ksamili thënë ndryshe Maldivet e Shqipërisë

Ksamili në Shqipërinë e Jugut po shpallet nga TikTokersat dhe influencurat si “Maldivet e Shqipërisë” për shkak të ujërave të tij shkumbëzues dhe plazheve të bardha të pacenuara, shkruan Milo Boyd për gazetën e njohur britanike ”The Mirror”.

Kjo nënkupton për më tepër plazhe me rërë, ujërat blu kristal dhe shtëpi prej druri të varura mbi det. Kjo bën që shumica e njerëzve të imagjinojnë Maldivet.

Arkipelagu i Oqeanit Indian ka fituar një reputacion për një numër vendpushimesh të jashtëzakonshme me vila prej druri që janë ndërtuar mbi valët e detit.

Një prej tyre është Soneva Jani, që krenohet me platforma që lidhin shtëpitë private me pishina, veranda dhe një rrëshqitje të gjatë që zbret me nxitim në det, përfshirë erën nëpër disa nga lagunat blu të ishujve.

Ndonëse mund të jetë në listat e udhëtimit të shumë njerëzve, vizita në këtë vendpushim ka një çmim të kripur.

Qëndrimi për një javë në një vilë me dy dhoma gjumi në nëntor do t’ju kushtonte të paktën 7 000 paund.

Nëse ai çmim është shumë i lartë dhe kilometrat e ajrit që nevojiten për të arritur në Maldive shumë të mëdha, atëherë ekziston një opsion më i lirë dhe shumë më afër shtëpisë, çka krahasohet me plazhe si në parajsë.

Ksamili, fshati dikur i vogël në Rivierën Shqiptare, është bërë shtëpia e një numri hotelesh që duket se kanë imituar stilin e atyre në Maldive.

Video të panumërta në internet tregojnë pushues të nxirë duke notuar dhe duke u rrezitur nën qiellin blu.

Një vend veçanërisht popullor në Sarandë është plazhi i Pemës së Thatë, i cili ka disa shezlongë me korniza druri e rrjeta të varura mbi det.

Kur dielli bëhet përvëlues, ka edhe hapësira të izoluara nën çadrat me kashtë për t’u ruajtur nga rrezet e diellit ose për të bërë një sy gjumë.

Ksamili u vizitua së fundmi nga Yuliia Berkuta, një influencere ukrainase e udhëtimeve me 135 000 ndjekës në Instagram, të cilët vlerësuan resortin.

“Ksamili është një nga vendet më mahnitëse që kam vizituar në Ballkan. Ky fshat është shtëpia e ushqimeve të shijshme të detit, një deti shumëngjyrësh dhe ishujve të bukur që ndodhen shumë larg fshatit’’, shkruan ajo.

‘’E kam vizituar Ksamilin në dy raste dhe ia rekomandoj kujtdo që udhëton drejt Shqipërisë. Ndoshta avantazhi kryesor i zgjedhjes së qëndrimit në Shqipëri ndaj Maldiveve është padyshim çmimi’’, shkruan Berkuta.

Fluturimet vajtje-ardhje nga Londra në Korfuz – aeroporti më i afërt me Ksamilin dhe vetëm 30 minuta me traget larg mund të kushtojnë nën 100 paund, ndërsa udhëtimi vajtje-ardhje në Maldive zakonisht është 800.

Hotelet dhe resortet kanë gjithashtu një çmim të reduktuar për një vendpushim plazhi evropian, i cili kushton 30 deri në 40 paund për një natë për një dhomë në muajin maj.

Resortet nuk janë të vetmet gjëra që ofron Shqipëria.

Dhërmiu duket nga perëndimi përtej detit Adriatik deri në Italinë Jugore dhe është i njohur për perëndimet e diellit që të lënë pa frymë mbi ujërat blu.

Dhrimadhes është shumë joshës për hapësirën e tij me guralecë të zbehtë dhe shkëmbinj të mbështjellë nga ujërat bruz.

Ndryshe nga Maldivet, Shqipëria ka shumë më tepër për të ofruar sesa thjesht plazhe.

Brenda një jave në vendin e Evropës Jugore mund të ngjiteni në Alpe, të ecni në shtegun historik të Rrugës së Mëndafshit dhe të admironi horizontin e kryeqytetit Tiranë me rrethinat e saj./ atsh / KultPlus.com