83 vjetori i pushtimit italian të Shqipërisë

Shtatëdhjetë e tetë vjet më parë, në të premten e zezë të 7 Prillit 1939, Shqipëria u sulmua në mënyrën më të pabesë nga Italia Fashiste.

Trupat italiane komandoheshin nga gjenerali Alfredo Guzzoni, i cili kishte të gatshme një ushtri prej 40 mijë vetash dhe armatime të shumta. Mëngjesi i 7 Prillit të vitit 1939, shënoi aktin e sulmit ushtarak të Italisë kundër Shqipërisë. Luftime të përgjakshme u regjistruan në Durrës, por edhe në Shëngjin, Vlorë e Sarandë. Në Durrës trupat italiane u pritën me zjarr nga Mujo Ulqinaku, kapter i marinës dhe nga major Abaz Kupi. Pas disa orësh rezistence e luftimi, qyteti i Durrësit u pushtua.

Shqipëria, si gjithë vendet e tjera, do kalonte nga kalvari i Luftës Botërore, por kundërshtimi i pushtimit që në ditët e para do ta radhiste në Aleancën e Madhe Antifashiste, dhe kjo gjë mbetet një nga vlerat më të pamohueshme në historinë tonë moderne. / KultPlus.com

Destinacionet turistike të Shqipërisë prezantohen në forumin “New Deal Europe” në Londër


Shqipëria do të marrë pjesë sot në forumin New Deal Europe në Londër, Britani e Madhe, ku janë prezentë turoperatorët britanikë, amerikanë dhe evropianë.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

“Mirëmëngjes me një lajm të mirë për pjesëmarrjen e Shqipërisë në forumin e New Deal Europe në Londër ku janë prezentë turoperatorët britanikë, amerikanë dhe evropianë. New Deal Europe është platforma e tregut të udhëtimeve dedikuar destinacioneve turistike në rritje e ku do të prezantohet më e mira e Shqipërisë për këtë sezon turistik”, theksoi Kumbaro.

Në këtë forum turoperatorët britanikë, amerikanë dhe evropianë do të njihen me destinacionet turistike të Shqipërisë.

Si një destinacion turistik i njohur për shumë turistë nga shumë vende të botës, Shqipëria gjithnjë e më shumë po bën për vete turistë dhe vizitorë të huaj, të cilët rezervojnë udhëtime turistike në qytete të ndryshme të Shqipërisë përgjatë sezonit veror dhe dimëror. / atsh / KultPlus.com

Dy qeveritë dakordohen që qarkullimi në kufirin Kosovë-Shqipëri të bëhet pa ndalesë

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Blendi Çuçi ka thënë se para sezonës së verës së ardhshme qarkullimi mes Kosovës dhe Shqipërisë do të bëhet pa ndalesë në kufi.

Çuçi tha se kanë rënë dakord me homologun e tij Sveçla që të vendosin një sistem kamerash në kufi dhe makinat të qarkullojnë pa ndaluar fare, raporton gazeta express.

“Nga ana tjetër, nuk është pjesë e marrëveshjes por me kërkesë të kryeministrit të Shqipërisë dhe Kosovës, kemi marrë masat dhe nuk do të presim sezonin e verës sidomos në pikën kryesore të kalimit mes vendeve tona, kemi rënë dakord me ministrin e Brendshëm të Kosovës që do të vëmë një sistem kamerash në kufi dhe qarkullimi do të bëhet pa ndalim dhe kamerat do të regjistrojnë çdo gjë përsa i përket identit të makinës që kalon përmes leximit të targës dhe çdo gjë do të jetë automatike pa pasur nevojë fare të ndalojë në kufi. Kemi bërë edhe planin e punës dhe do të jetë shumë më shpejt sesa fillimi i sezonës”, tha ai.

Ai poashtu tha se gjatë fundjavës së festave të nëntorit s’do të ketë kontrolla në kufirin Kosovë-Shqipëri.

“Kemi dhënë porosi që të mos ketë kontrolle dhe asnjë pengesë në qarkullim gjatë festës së 28 nëntorit. Besoj se jemi në rrugë të mbarë për të përjetuar një lehtësi qarkullimi pa e kuptuar se ne jemi dy shtete të ndryshme”, tha ai.

Dea, një nga kryeveprat e artit antik në Shqipëri

Shtatori është muaji i trashëgimisë kulturore.

Muzeu Historik Kombëtar në Shqipëri, në kuadër të këtij muaji, ka publikuar në faqen e tij një nga kryeveprat e artit antik në Shqipëri, transmeton KultPlus.

MHK shprehet se Dea është e ekspozuar që nga 1981 në këtë institucion. “Koka e Apollonit ose e njohur si Dea, një nga kryeveprat e artit antik në Shqipëri gjendet e ekspozuar, që nga viti 1981 në Muzeun Historik Kombëtar.

Mermer, lartësia 50 cm, Butrint, gjysma e parë e shekullit IV p. Kr.”, shkruan muzeu që ka publikuar dhe foton e Deas. Muzeu Historik Kombëtar, i ndodhur në zemër të Tiranës, fton vizitorët, vendas apo të huaj, që kërkojnë të njohin më shumë nga historia e Shqipërisë, që të mos ngurojnë t’i drejtohen dyerve të tij.

Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. I ndërtuar në pjesën perëndimore të sheshit “Skënderbej”, godina e MHK është një nga veprat e rëndësishme arkitektonike me rol të veçantë në formimin urbanistik të kryeqytetit shqiptar. MHK ka disa pavione.

Në pavionin e lashtësisë që është ndër më të pasurit në MHK, janë ekspozuar edhe objekte që i përkasin periudhës së mesjetës së hershme. Objektet e paraqitura në vitrinat e tjera i përkasin periudhës së bronzit dhe asaj të hekurit.

Objekte të tjera me interes janë mozaiku “Bukuroshja e Durrësit” (shek. IV para Kr.), pamja antropomorfe e lumit Vjosa (shek. III-II para Kr.), koka e Artemisës (shek. III para Kr.), portreti i një burri në gur gëlqeror (shek. V pas Kr.) dhe objektet e varrit monumental të Selcës së Poshtme, Pogradec (shek. III para Kr.).

Muzeu Historik Kombëtar me aktivitetin e tij synon të nxisë mirëkuptimin dhe vlerësimin e historisë së Shqipërisë tek publiku vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. / KultPlus.com

Plazhet më të shtrenjta nga Jugu në Veri

Sezoni turistik veror erdhi këtë vit me rritje çmimesh për shumicën e bregdetit shqiptar. Tur-operatorët dhe vetë strukturat akomoduese raportojnë rritje mes 10-40% nga Jugu në Veri. Për ata që duan pushime ekonomike, plazhet e Adriatikut janë alternativat më të lira me Velipojën dhe Shëngjinin. Durrësi është për të gjithë, nga më ekonomikët tek më luksozët, kurse Jugu me çmimet më të kripura në të gjithë vijën. Qeparoi është varianti më i lirë në Jon, kurse Palasa, Dhërmiu e Jali më të shtrenjtat. Në disa prej tyre, çmimi i një shezloni është sa çmimi i një nate në hotel. Saranda dhe Durrësi janë dy qytetet me frekuentimin më të lartë, kurse Himara e Vlora mbeten në nivelet e një viti më parë. Pas një viti pushim, rizgjohet edhe industria e argëtimit dhe bregdeti “vlon” nga koncertet. Pavarësisht rigjallërimit të përgjithshëm të turizmit, operatorët e hotelerisë vërejnë se pushuesit kanë shkurtuar kohën e qëndrimit dhe kanë reduktuar shpenzimet.

Nga Nertila Maho

Suada dhe Enea vendosën që pushimet e tyre t’i kalonin në Sarandë, por për rezervimin nuk u kujdesën vetë. Ua lanë në dorë një agjencie, e cila u llogariti se për 7 net do të paguanin 630 euro në një hotel me tre yje, i cili do të kishte të përfshirë mëngjesin dhe shezlonet. Deri këtu gjithçka dukej për bukuri për çiftin që me vete kishin edhe një fëmijë të vogël.

Surprizat në fakt nisën sapo mbërritën në hotel. Në recepsion u konfirmohet se nuk kanë rezervim në emrin e tyre dhe se nuk kanë as dhoma bosh. Pas kontaktit me agjencinë, hoteli konfirmon se paska një rezervim (pagesa nga hoteli ishte kërkuar që të bëhej cash, pasi nuk duhet të deklarohej në bankë). Më pas, problem ishte gjetja e dhomës e kështu vazhduan peripecitë deri në akomodim e ato ditë qëndrim.

Ky është vetëm një episod ndër mijëra që pushuesit hasin çdo ditë në hotelet shqiptare. Rastet e mira në industrinë e “mikpritjes” janë të shumta, ashtu sikurse janë të pafundme edhe ato që lënë shijen e hidhur me pushues që kthehen nga pushimet me betimin “se këtu nuk do të pushoj më”. Turizmi vendas, edhe pse po rritet vit pas viti, vazhdon të vuajë nga mungesa të theksuara të cilësisë së shërbimit dhe duket se pandemia e COVID-19 e ka përkeqësuar situatën duke bërë hapa pas. Në një pjesë të hoteleve, stafet dikur të trajnuar tashmë janë larguar dhe hapja e sezonit është sajuar me aq sa ka qenë e mundur. Ecuria e dobët e vitit 2020 kur turizmi u bë nën kufizime dhe e mbajtën gjallë vetëm vendasit dhe turistët e Kosovës bëri që në vitin aktual të mos kishte angazhim për investime.

Tur-operatotët raportojnë se në një pjesë të mirë, hotelet e vogla janë lënë pa investime për shkak të mundësisë së ulët financiare, pasigurisë se çfarë do të ndodhte edhe këtë vit me turizmin, ndërkohë që ajo që është zgjuar këtë vit ka qenë qiradhënia. Jo të pakta kanë qenë rastet kur struktura, që deri dje janë menaxhuar nga pronarët e objekteve apo nga operatorë që kishin disa vite përvojë në sektor, sot janë kaluar me qira te të tjerë që janë të rinj në aktivitet. Por cilat janë disa nga tendencat që po përkufizojnë këtë sezon veror nga Jugu në Veri sa u takon çmimeve, plazheve dhe shërbimit?

Hotelet “zhdukin” ofertat, plazhet më të shtrenjta dhe më të lira nga Jugu në Veri

Një vit më parë, thuajse të gjithë hotelet, sidomos ata me kapacitet të lartë, por jo vetëm, u fokusuan tek ofertat si një mënyrë për të tërhequr turistët pranë tyre. Durrësi “luftoi” fort me paketat “all inclusive” (të gjitha të përfshira) të cilat tërhoqën jo pak turistët e Kosovës përgjatë gjithë sezonit në qëndrime fundjavash 2-3 ditë.

Po kështu, edhe për qëndrime javore kryesisht në korrik dhe gusht. Një pjesë e hoteleve, nga ana tjetër, zgjodhën “half board” (fjetje dhe dy vakte) që sërish u pa me interes nga ana e turistëve. Për hotelet në Vlorë nuk munguan ofertat e fundjavave me dy net dhe tre ditë me mëngjes të përfshirë, si dhe (shampanjë apo verë) duke synuar tërheqjen e klientelës. Të gjitha këto mblidheshin në paketa ekonomike prej 150 eurosh për dy persona.

Krejt e kundërta po vihet re në këtë sezon. Ofertat kanë qenë të limituara vetëm gjatë qershorit kur ende sezoni kishte një ecuri jo dhe aq dinamike, ndërkohë që çmimet janë kthyer pak shumë në nivelet e vitit 2019 (një vit normal ky për turizmin) ose në nivele afër me to. Tur-operatorët raportojnë se rritja e çmimeve në raport me vitin e pandemisë po shihet si një mundësi e strukturave për të rikuperuar disi humbjet e vitit të shkuar. Por cilët janë plazhet më të lira dhe më të shtrenjta në vend.

“Monitor” ka përpunuar mesataren e poshtme dhe të sipërme të çmimeve për një pjesë të mirë të bregdetit nga Jugu në Veri sipas bisedave me tur-operatorët, përfaqësues të strukturave akomoduese apo njoftime të vetë hoteleve në rrjetet e tyre sociale, për të dalë në disa përfundime.

Veriu, më ekonomiku
Kështu Veriu i Shqipërisë vazhdon të mbetet pjesa më ekonomike, nëse do të kalosh pushimet verore. Një dhomë hoteli me kushtet elementare, për dy persona, mund ta gjesh për 20 euro/natë në Velipojë dhe Shëngjin.

Sigurisht këto dy pika ofrojnë edhe hotele më të shtrenjtë se kaq, për ata që duan disa shërbime ekstra si pishina apo arredim më të detajuar, që luhaten në 70-80 euro/natë.

Shezloni kushton mesatarisht 300-500 lekë, ndërsa te Rana e Hedhun në Shëngjin arrin në 1,000 lekë.

Durrësi, me më shumë alternativa
Më pas, Durrësi është plazhi me më shumë alternativa dhe mundësi. Ky i fundit ofron si pjesën ekonomike ashtu edhe atë mesatare apo luksoze, me disa struktura akomoduese me kapacitet të lartë. Në Durrës mund të gjesh hotele me 25 euro/nata, ndërsa në strukturat akomoduese që janë ndërtuar së fundmi, çmimi arrin në 120 euro/nata. Edhe alternativat për shezlonin janë të shumta, nga 300 -1200 lekë.

Jugu më i shtrenjti, deri në 280 euro/nata
Në Jug të vendit, Vlora dhe Qeparoi ofrojnë alternativa akomodimi të mesatares së poshtme të çmimeve prej 35 eurosh (dhe maksimumi 150 euro), duke u bërë plazhet më të lira ndërkohë që Dhërmiu, Palasa, Jali apo dhe Saranda me disa struktura këtë vit janë plazhet me çmimet mesatare më të larta se pjesa tjetër e bregdetit.

Kjo sigurisht ka të bëjë edhe me tipologjinë që kanë hotelet specifike, ku një pjesë janë vila dhe nuk jepen me dhoma.

Në Himarë mund të gjesh hotele nga 40 në 100 euro nata dhe shezlonë deri në 1,500 lekë në ditë. Në Dhërmi, një hotel kushton mesatarisht nga 80 euro në 150 euro, ndërsa për shezlonin duhet të paguash midis 1000-2000 lekë. Më të shtrenjtat janë Jali dhe Palasa, që arrijnë në 280 euro/nata dhe shezloni 50 euro në ditë.

Rikthehen koncertet, por ankesa për orarin e muzikës
Ndryshe nga një vit më parë, kur grumbullimet nuk lejoheshin për shkak të pandemisë dhe pas orës 22:00 nuk lejohej muzika, vera 2021 i gjeti shqiptarët disi më të shkujdesur, por jo tërësisht pa kufizime. Orari për muzikën u zgjat deri në orën 23:00, ora policore nuk zbatohet në zonat turistike, ndërkohë që ka nisur organizmi i eventeve nga strukturat akomoduese. Thuajse të gjithë hotelet përgjatë bregdetit kanë përfshirë në mbrëmjet e tyre verore këngëtarë apo muzikë live, duke e rizgjuar biznesin që flinte prej më shumë se një viti.

Në rrjetet sociale mund të gjesh lehtësisht njoftimet për këngëtarët e ftuar nga secila strukturë, por gjithçka duhet të mbyllet në orën 23:00. Moslejimi i muzikës pas kësaj ore ka krijuar jo pak pakënaqësi tek hotelet dhe restorantet dhe përplasja më evidente këtë sezon ishte në Vlorë, ku bizneset në Lungomare ulën qepenat në formë proteste. Kjo u shoqërua edhe me përplasje me policinë. Nga ana tjetër, kjo e fundit ka vijuar me vendosjen e gjobave për rastet kur nuk respektohet orari.

Shtrenjtohen paketat turistike, Shqipëria atraktive për ata që s’duan masa anti-Covid
Që në fillim të sezonit veror, turistët shqiptarë dhe të huaj, kanë vizituar Shqipërinë, nga Veriu në Jug. Por, javët e fundit raportohet një rritje e lehtë e çmimeve. Sipas drejtuesit të një prej agjencive më të vjetra në vend, Union Travel, rritja e çmimeve ka ndodhur për disa arsye.

“Sezoni veror nisi me plotësim të kapaciteteve, si në bregdet apo edhe në mal e juglindje. Natyrisht, Shqipëria ka më primare plazhin dhe bregdeti është më i frekuentuar që në fillim të sezonit. Arsyeja kryesore që ka nxitur rritjen e çmimeve lidhet me faktin se, në Shqipëri, masat anti-Covid janë thuajse inekzistente dhe kjo e bën këtë vend atraktiv për të gjithë ata që duan pushime të lira nga rregullat. Përveç mbylljes së aktivitetit pas orës 24:00, këtu nuk ka asnjë masë tjetër të parashikuar. Kjo e bën Shqipërinë edhe më tërheqëse për turistët e huaj. Duke qenë më atraktive, kërkesa është më e lartë dhe kjo ka rritur çmimet këtë sezon” – thotë z. Sokol Dodbiba, drejtuesi i Union Travel.

Ai shton se, nuk kanë munguar turistë të huaj këtë vit, të cilët kanë qenë kryesisht nga Bjellorusia, Polonia e Armenia. Ndërsa shqiptarët e Kosovës kanë zgjedhur më tepër Malin e Zi, sipas tij.

Dodbiba shton se, muaji gusht pritet të ketë sërish çmime të larta, deri në fillim të shtatorit, duke qenë se konsiderohet historikisht si piku i sezonit, me më shumë kërkesa.

Më herët “Monitor” ka raportuar se, shumë bare në kryeqytet e bregdet kanë rritur çmimet e kafesë. Të njëjtën tendencë po shënojnë dhe çmimet në restorante. Rritja nuk është vetëm në jug, por në gjithë vendin. Tendenca konfirmohet nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit, që publikohet nga INSTAT, sipas të cilit ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit Kafe – Restorante (catering) ishte 1.3% në maj dhe qershor, rritja më e lartë që nga janari 2017, kur raportohen të dhënat. Deri në fund të 2020-s, çmimet në bare e restorante ishin më të qëndrueshme, ndërsa ishin në tendencë rënëse në gjysmën e dytë të 2020-s. /Monitor/KultPlus.com

Pas turit në Maqedoninë e Veriut, Elina Duni performon sot në Shqipëri

Artistja e mirënjohur Elina Duni, e cila jeton në Zvicër, do të interpretojë sot në mbrëmje në një koncert në “Pepperon the Beach”, Dhërmi.

Këngëtarja shqiptare e xhazit, e cila kombinon këngët tradicionale folklorike shqiptare me jazzin, do të interpretojë me Rob Luftin, Gent Rushin dhe Viktor Filipovskin.

Më herët Elina dhe grupi i saj prej 30 korrikut deri më 2 gusht performoi në Maqedoninë e Veriut.

“De Saussure” ishte shkolla artistike ku Duni zbuloi jazz-in dhe e gjeti veten në këtë rrymë muzikore. / KultPlus.com

Dua Lipa për bregdetin shqiptar: Vendi më i ëndërruar në botë, nuk dua të largohem kurrë

Këngëtarja shqiptare më famë botërore, Dua Lipa, është duke shijuar pushimet në bregdetin shqiptar së bashku me familje, përcjellë KultPlus.

Dua është mjaftë aktive në rrjete sociale, ku vazhdimisht publikon fotografi e video nga jeta e saj e përditshme. Së fundmi, ajo ka treguar se në Shqipëri po qëndron në hotelin ‘Kep Merli’.

Ajo në InstaStory ka publikuar disa fotografi me mbishkrimin: “Vendi më i ëndërruar në botë, kalova çdo ditë këtu në bregdetin e Shqipërisë dhe unë kurrë nuk dua të largohem”. / KultPlus.com

Dua Lipa: Ka shumë këngë shqipe që i dua, ndoshta do të bëj një këngë të vjetër shqiptare

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, gjatë ditës së djeshme ka arritur në Shqipëri.

Ajo është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën dhe me kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ku edhe ka pranuar dhurata simbolike.

Në një konferencë të mbajtur për media, Dua u shpreh se është e lumtur që gjendet pas pesë vitesh sërish në Tiranë, transmeton KultPlus.

“Mburrem shumë që e kam mundësinë të jem këtu sot, të ndihmoj në çfarëdo lloj mënyre të mundem jo vetëm me këtë kopsht edhe më tej. Për një komunitet që më ka dhënë shumë, për krejt shqiptarët përreth botës që më kanë suportu, kjo është një mënyrë e vogël çfarë mund të bej kështu që shumë faleminderit për suportin!”, tha ajo.

E njëjta, nuk e përjashtoi mundësinë e të bërit një kënge në gjuhën shqipe kur u pyet nga gazetarët rreth kësaj.

“E kam menduar atë gjë. Ndoshta një këngë të vjetër shqiptare. Duhet të punoj ende nëse ka mundësi të bashkoj diçka që është edhe moderne edhe tradicionale shqiptare”, tha Lipa në konferencën për media.

E njëjta vazhdoi të theksojë se si di shumë këngë në gjuhën shqipe që do të donte t’i këndonte ‘cover’, duke shtuar se synon ta ndryshojë stigmën e njerëzve nëpër botë ndaj shqiptarëve.

“Unë kam shumë këngë në gjuhën shqipe që i dua. Do kisha qejf të bëja një Cover, që ti dëgjojnë shumë njerëz. Nuk e di a jam mjaft e aftë të shkruaj këngë shqip. E kam ëndërr të madhe edhe të ndryshojmë stigmën ndaj Kosovës edhe Shqipërisë, edhe neve si shqiptarë. Ta shohin njerëzit nëpër botë që jemi kreativ, punojmë fort dhe ka të rinj”, tregoi 25-vjeçarja.

Kolona të gjata në Vërmicë, kosovarët ia mësyejnë bregdetit shqiptar

Në pikën kufitare të Vërmicës janë krijuar kolona të gjata.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në dalje të Kosovës janë krijuar kolona deri në 150 metra, transmeton KultPlus.

Si duket kosovarë ia kanë mësyer edhe këtë vikend pushimeve në Shqipëri.

Kujtojmë se vetëm në fillim të muajit qershor në pikën kufitare të Vërmicës u regjistruan mbi 30 mijë pushues nga Kosova që iu drejtuan bregdetit shqiptar. / KultPlus.com

Në Muajin e Muzikës në Shqipëri, përkujtohet Nexhmije Pagarusha

Në kuadër të Muajit të Muzikës, ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti ka kujtuar këngëtaren e madhe Nexhmije Pagarusha.

Ajo shprehet se në këtë muaj të muzikës, kujtojmë bilbilin e Kosovës, këngëtaren Nexhmije Pagarusha”.

Veprimtaria muzikore tepër e gjerë që ka interpretuar në periudhën 40-vjeçare të karrierës së saj e bëjnë tepër të vështirë që kjo artiste të përcaktohet si lëvruese e një rryme të caktuar muzikore, pikërisht nga larmishmëria e rrymave.

Nexhmija për më tepër e bëri muzikën popullore shqiptare të kalonte në një tjetër nivel dhe të kthehej në një pasuri të madhe shpirtërore. Nuk janë të pakta këngët e saj që vazhdojnë të riprodhohen nga brezat e rinj të këngëtarëve. Shpeshherë suksesi i këtyre të fundit është i garantuar vetëm prej reputacionit që ka marrë vetë kënga, duke u kënduar më parë nga Nexhmija.

Në Opera nga Puçini, Verdi por edhe nga Bethoven, por edhe në kinematografi ka punuar dhe ka arritur suksese të padiskutueshme. Mendohet se Nexhmije Pagarusha ka interpretuar mbi 150 këngë nga të cilat shumë pak ekzistojnë si të regjistruara. Ky fakt mund të konsiderohet si një fatkeqësi që nuk e disponojmë të gjithë këtë repertor të mrekullueshëm.

Gjithsesi pavarësisht se në vitin 1984 ajo u tërhoq përfundimisht nga skena, na ka lënë thesare të rralla si Baresha, E dehur jam, Ani more nuse, Mora testin, Kur më shkon si zog n’hava, Kur më del në derë, Ke selvitë, Ç’u ngrit lulja në mëngjes, Çil njat zemër plot kujtime, Zambaku i Prizrenit, Dallëndyshe, Një lule etj. /atsh/ KultPlus.com

Ulliri shqiptar nën ekspertizën arbëreshe

Dhoma e Biznesit e Diasporës Shqiptare në partneritet me Shoqatën e Kultivuesve Italianë (AIC) organizoi këtë fundjavë vizitën në terren të ekspertit Arbëresh në kultivimin dhe prodhimin e vajit të ullirit Salvatore Armentano.

Vizita e z. Armentano me qëllim trajnimin dhe këshillimin e kultivuesve vendas  u zhvilluan në kuadër të zbatimit Projekti “Angazhimi i Diasporës në transferimin e njohurive bujqësore në Shqipëri”, i financuar nga IOM me mbështetjen e AICS.

Salvatore Armentano vizitoi dy subjekte shqiptare të prodhimit të vajit të ullirit, “Subashi Olive Oil” në Marikaj të Tiranës dhe “Musa Olive Oil” në Skroftinë të Vlorës ku u njoh nga afër plantacionet e pemëve të ullirit, terrenin, teknologjinë e aplikuar në përpunim dhe kushtet e ruajtjes dhe tregtimit. Z. Armentano dhe prodhuesit shqiptarë që e shoqëruan shkëmbyen praktikat më të mira dhe teknikat e prodhimit të vajit të ullirit, përdorimin e pesticideve biologjike, metodat e krasitjes së pemëve, mjetet për korrjen e frutave të ullirit, rëndësinë e çertifikimit për eksport, teknikat novatore të marketingut si edhe rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së pemëve të ullirit etj./ KultPlus.com

Vajzat zvicerane vizitojnë Shqipërinë: Një vend parajsë!

Marielle dhe Blanche janë vajza zvicerane turiste të cilat kanë vendosur që të shëtisin botën. Shqipëria ishte një nga destinacionet e tyre ku janë mahnitur nga bukuritë e rivierës shqiptare dhe historisë së saj.

“Bregdeti shqiptar ka shumë surpriza për ne”, thonë ato në një nga postimet tyre. Me makinën e tyre rulot ata kanë vizituar Ksamilin, Urën e Kadiut në Bënjë, Lixhat e Bënjës, kanë shijuar ushqimin shqiptar në Gjirokastër, Porto Palermon, Gjipenë, Dhërmiun, Zvërnecin, Kalanë e Bashtovës, për tu përfunduar udhëtimin e tyre në Durrës për tu larguar nga vendi.

“Një vend parajsë! Nëse vini këtu, mos bëni si ne, mos harroni maskat. Spektakli nën ujë duhet të jetë dhe më i mrekulluehëm se jashtë. Një këshillë tjetër, nëse keni një automjet 4×4 mos hezitoni të zbrisni me makinë! Vendi është madhështor!”, shkruajnë vajzat në një tjetër postim.

Udhëtimi i tyre do të vijojë më pas drejt Amerikës./ KultPlus.com

Ermal Meta këtë verë do të performojë në Shqipëri

Ermal Meta, këngëtari me orgigjinë shqiptare që ka korrur një sukses të madh në Itali, do të realizojë një turne në Shqipëri.

Në një intervistë për mediat italiane, Meta tregon se pas muajsh të tëra shkëputje për shkak të pandemisë, ka planifikuar t’i rikthehet skenës me turin e tij të parë muzikor.

Një nga ndalesat e këtij turi do të jetë edhe Tirana, ku më 29 korrik, siç tregon dhe vetë Meta, ai do të jetë në Stadiumin Air Albania në Tiranë.

Teksa flet për Shqipërinë, Meta kujton edhe herën e parë që ka kënduar në vendin e tij të origjinës. Ai shton se për herë të parë ka kënduar në Tiranë në vitin 2018, dhe se ka përjetuar mjaft e mocione.

“Më 29 korrik do të jem në Stadiumin Air Albania në Tiranë. Kanë kaluar 30 vjet që kur regjimi komunist ka rënë dhe ne menduam ta festonim me muzikë. Unë jam italian dhe shqiptar dhe kam zgjedhur të bëj një koncert për nder të njerëzve nga vendi ku vij, të cilët arritën të fitojnë lirinë. Kanë ndodhur shumë gjëra vitet e fundit dhe lidhja midis Italisë dhe Shqipërisë, dy vende të ndara nga vetëm 70 kilometra det, është e me të vërtetë e bukur.

Më 5 shtator unë luaj në Taormina, në Teatrin Antik. Doja të trajtoja turneun si një ngjarje unike, për të dëgjuar këngët e mia drejtpërdrejt. Mezi po pres. Ne gjithashtu do të ofrojmë një transmetim të drejtpërdrejtë, për të qenë në gjendje të shohim koncertin nga ekrani edhe kur të gjendeni në shtëpi.

Ishte emocion i pastër. Hera e parë që mbajta një koncert në Tiranë ishte në vitin 2018 në sheshin Skënderbej, kushtuar një heroi kombëtar shumë të dashur për vendin. Mendova se sa ndryshe ishte të kthehesha në një vend nga ku ika kur isha 13 vjeç. Dhe u ktheva “i madh” duke bërë punën që dua. Pastaj përsëri në vitin 2019 në Pallatin e Kongreseve,”, thotë Ermal Meta./ KultPlus.com

17-të anëtarë të rinj të jashtëm të Akademisë së Shkencave në Shqipëri, Gjinushi: Qëllimi kryesor i reformës, hapja ndaj studiuesve e krijuesve

Akademia e Shkencave ka zhvilluar sot mbledhjen për ndarjen e diplomave 17 anëtarëve të rinj të jashtëm të Akademisë, që e kanë fituar këtë titull gjatë vitit të kaluar e sivjet.

17 personalitet e jashtme të pranuar sot në Akademinë e Shkencave janë: Ermonela Jaho, Elton Prifti, Sokrat Sinaj, Fioralba Cakoni, Bardhyl Demiraj, Bajram Berisha, Mira Mezini, Ardian Ndreca, Ardian Vehbiu, Kujtim Shala, Eno Koço, Fetah Podvorica, Ali Aliu, Luan Starova, Matteo Mandalà, Francesco Altimari dhe Rexhep Ismajli.

Kryetari i Akademisë e të Asamblesë, Skënder Gjinushi në fjalën e tij tha se “është nder për mua që, në emër të Akademisë së Shkencave e të Kryesisë së saj, t’i uroj mirëseardhjen kësaj audience të zgjedhur, në sallën që mban emrin e kryetarit historik të saj, shkencëtarit të njohur prof. Aleks Budës. Prirë prej tij, një plejadë dijetarësh, një plejadë nga më të shquarit që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, ku bënin pjesë edhe Çabej, Radovicka, Domi, Shuteriqi, Kostallari, Pilika, hodhi themelet e shkencës shqiptare, duke e ngritur atë në nivele të krahasueshme me ato të kohës, duke e vendosur madje në krye, me një rol përcaktues, për sa u takon shkencave albanologjike”.

“Janë kjo veprimtari e trashëgimi e vyer që treguan domosdoshmërinë dhe efikasitetin e ngritjes e të funksionimit të një Akademie të Shkencave në Shqipëri. Ky kontribut e kjo përvojë  treguan se investimi për shkencën është më i frytshmi e me efektivi për të ardhmen, se investimi për shkencën duhet të jetë parësor në çdo kohë e periudhë, madje edhe atëherë kur luftohej ende analfabetizmi. Kjo trashëgimi lehtësoi rrugën për ecurinë e mëtejshme të Akademisë e të shkencës  shqiptare në vendin tonë, por ndërkohë ajo rriti përgjegjësinë për pasurimin e çuarjen më tej të saj, duke e vështirësuar konkurrencën me vetveten, pasi në çdo kohë performanca jonë do të krahasohet me këtë trashëgimi. Aq më tepër kur prirja është që e shkuara të idealizohet ndërsa e tashmja të anatemohet, tendencë kjo më e theksuar në periudha tranzitore, gjatë të cilave debatin nuk e dominojnë opinionet e specialistëve, por specialistët e opinioneve. Në këto kushte, krahas nevojës për reformim të gjithë sistemit të arsimit të lartë e të atij të kërkimit shkencor, e ndërlidhur kjo me nevojën e vendosjes së zhvillimit ekonomik mbi dije e teknologji të reja shkencore, prej vitesh edhe para Akademisë së Shkencave shtrohej nevoja e reformimit të saj”, tha ai.

Në vijim, Gjinushi tha se “pas shumë debatesh e iniciativash, dy vjet më parë reformimi i Akademisë së Shkencave mori formë ligjore, dhe sot, në përmbyllje të realizimit të fazës së pare së ristrukturimit, është thirrur kjo mbledhje ceremoniale e Asamblesë, për të nderuar e kurorëzuar një prej elementeve kryesorë të reformës: pranimin si anëtarë të Akademisë me statusin e anëtarit të jashtëm të 17 shkencëtarëve e studiuesve ndër shqiptarët më të suksesshëm në fushën e shkencës e të dijes në Kosovë, në komunitetin arbëresh, në Maqedoninë e Veriut dhe kudo tjetër në Botë: në Shtetet e Bashkuara, në Gjermani, Itali e Austri”.

“Statusi i anëtarit të jashtëm është një status i ri, i parashikuar për të realizuar një nga qëllimet kryesore të reformës: hapjen e saj ndaj studiuesve, kërkuesve e krijuesve që e ushtrojnë veprimtarinë jashtë vendit, të cilët përfaqësojnë një potencial të madh intelektual, gjithnjë në rritje. Një hapje e veçantë bëhet ndaj akademive të ngjashme, që janë anëtare të ALLEA-s, e posaçërisht ndaj kolegëve tanë në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut. Ky pasurim i Akademisë së Shkencave është kryer krahas rifreskimit të saj të brendshëm me anëtarë të rinj të Asamblesë në bazë të hapësirave e kritereve të reja ligjore. Kështu, gjatë kësaj faze janë pranuar e janë në proces 13 anëtarë të rinj.E rëndësishme është të theksojmë se pranimet e reja janë cilësore e të nivelit të kolegëve të tyre në rajon e Europë, duke përcjellë te brezat e rinj mesazhin se edhe në Shqipëri të aftët mund të jenë po aq të suksesshëm. Gjej rastin të falënderoj institucionet e arsimit të lartë, institutet e njësitë e tyre përbërëse për bashkëpunimin e treguar gjatë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj, si dhe për faktin që kanë formuar e kanë në gjirin e tyre profesorë që e meritojnë titullin akademik. Statuti i ri mundëson një përfaqësim më të mirë të gjinisë më pak të përfaqësuar pa cënuar cilësinë e kandidateve femra, por duke parandaluar ndonjë aleancë – produkt të mentalitetit burrëror; si dhe një hapje ndaj krijuesve e interpretuesve në fushën e letërsisë, artit e kulturës, duke i përforcuar kështu Akademisë edhe këtë komponente të rëndësishme të krijimtarisë kulturore.Hapja e Akademisë së Shkencave ndaj institucioneve të tjera të shkencës e arsimit; funksionimi e ndërveprimi i tyre si pjesë e të njëjtit sistem, sidomos me institucionet e arsimit të lartë, janë jetike për ne dhe për vetë ardhmërinë e shkencës  shqiptare. Për këtë arsye ligji i ri mundëson e rregullon ngritjen e funksionimin pranë Akademisë së Shkencave,  krahas seksioneve, edhe të komisioneve të përhershme në fushat kryesore të dijes, me përbërje në shumicë nga profesorati e personeli akademik i shkollave të larta e qendrave kryesore të kërkimit. Konkretisht, në to sot bëjnë pjesë 132 anëtarë dhe vetëm 47 janë anëtarë të kësaj Asambleje”, tha ai.

Po ashtu, Gjinushi shtoi se “kjo hapje ndaj komunitetit e mjedisit shkencor i jep Akademisë së Shkencave mundësinë të luajë rolin e qendrës kryesore të debatimit e përpunimit të mendimit shkencor për çdo çështje a problem me rëndësi që shtrohet para shoqërisë e shkencës shqiptare. Përvoja e derimëtanishme ka treguar efektshmërinë e vlerën e këtyre strukturave, ku kontributi i anëtarëve të jashtëm është për t’u përshëndetur.

“Një nga risitë e reformës është dhe parashikimi për ngritjen e funksionimin pranë Akademisë së Shkencave të njësive të kërkim- studimit, të përkohshme a të përhershme, me bindjen se ajo nuk mund ta kryejë misionin e saj pa pasur një rol aktiv në kërkimin shkencor. Shqipëria nuk ka luksin për të patur një akademi shkencash thjesht honorifike. Këto struktura u parashikuan në ligjin e ri, duke shmangur debatin shterp e krejt formal për një akademi me apo pa institute. Aktualisht pranë Akademisë së Shkencave ushtrojne aktivitetin katër njësi të tilla në fushat e shkencave natyrore-teknike dhe një qendër e botimeve enciklopedike e albanologjike në shkencat shoqërore. Ecuria e derimëtanishme e njësive të gjeo-sizmologjisë, nanoteknologjisë, bio-gjenetikës dhe inteligjencës artificiale është pa dyshim një përvojë e parë suksesi. Njësitë e reja tregojnë domosdoshmërinë e strukturave lidhëse midis Akademisë së Shkencave dhe qendrave kërkimore të shkollave të larta. Pranë tyre tashmë bashkëveprojnë mbi 70 njësi e grupe që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut; nëpërmjet tyre u mundësua që Akademia të jetë aktive edhe në ndjekjen e çështjeve akute si ato të shkaktuara nga tërmeti e virusi Covid-19, por mbi të gjitha këto njësi tashmë janë të gatshme të japin rekomandimet përkatëse për të ristrukturuar kërkimin në të ardhmen e afërt. Nëpërmjet tyre është vënë në pah fakti se edhe në ato fusha që konsiderohen si fushat e së ardhmes, tek ne e në mjedisin shqiptar ka një sërë kërkuesish të suksesshëm, të cilët duhen mbështetur e stimuluar më shumë, një realitet ky që përforcon sërishmi mesazhin se i afti e i përkushtuari ka të ardhme edhe në Shqipëri”, tha Gjinushi.

Ai shtoi se “zhvillimi e konsolidimi i shkencave albanologjike përbën detyrën e misionin sui generis të Akademisë së Shkencave edhe sipas ligjit të ri. Ngritja e qendrës për botimin e tri veprave madhore në albanologji siç janë: Enciklopedia Shqiptare, Fjalori i madh i shqipes, Historia e  shqiptarëve përbën pa dyshim efektin më të rëndësishëm të reformës për Akademinë e Shkencave, duke i dhënë asaj përgjegjësinë për të qenë ideatorja, organizatorja e realizuesja e botimeve madhore në albanologji. Kështu, duke huazuar një thënie të Çabejt, i cili në përmbyllje të konsolidimit të studimeve albanologjike të kryera tek ne deklaronte se tashmë albanologjia u kthye në shtëpinë e vet, ne do të thonim se tani këto vepra madhore u kthyen në shtëpinë e vet, tek Akademia e Shkencave. Ky krahasim ka shumë domethënie, pasi në çdo  kohë botime të tilla kanë qenë produkt i përbashkët i Akademisë së Shkencave, instituteve e shkollave të larta, dhe të tilla do të jenë edhe në të ardhmen. E reja është rivendosja e Akademisë, në pozicionin e duhur, marrja prej saj e përgjegjësisë kryesore në zhvillimin perspektiv të albanologjisë”.

“Akademia e Shkencave, sipas traditës tashmë të konsoliduar, ka një protokoll bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës; ka lidhur e është në proces të lidhjes së marrëveshjeve përkatëse me tërë shkollat e larta publike të vendit, duke filluar me UT, UPT, UB, UM e duke vijuar me universitetet e Korçës, Vlorës e Gjirokastrës, së afërmi edhe me ato të Shkodrës, Elbasanit e Durrësit,  si dhe me disa universitete jopublike. Bashkëpunimi me to do të kulmojë këtë vit me mbajtjen e kuvendit të albanologjisë, që do të organizohet në nëntor, pas dhjetëra veprimtarish të tjera të përbashkëta”, tha ai.

“Reforma jonë do të ishte e pamundur pa bashkëpunimin e mirëkuptimin me instancat politikëbërëse e vendimmarrëse: me Qeverinë, komisionin kuvendor përkatës dhe me vetë Kuvendin. Mirëkuptimi i parë e përcaktues në ecurinë e saj ishte pranimi i faktit se reforma duhej të ishte produkt i vetë Akademisë. Ishte ky mirëkuptim që vendosi ekuilibret e duhur midis Akademisë së Shkencave, si hartuese e propozuese e reformës, dhe Qeverisë e Kuvendit, si garantë të respektimit prej saj të normave e vizionit të kërkuar. Është rasti të falënderojmë edhe një herë këtu Kryeministrin e Kuvendin për këtë ndihmë e mbështetje. Reforma e re vendos një raport të vijueshëm komunikimi të domosdoshëm midis Akademisë dhe Qeverisë e Kuvendit, në saje të të cilit është arritur mbështetja e derimëtanishme sidomos per tre projektet madhore të albanologjisë. Gatishmëria e ekzekutivit për të mbështetur fazën e mëtejeshme të reformës së Akademisë së Shkencave dhe të shkencës shqiptare në tërësi, që ka në thelb ristrukturimin e kërkimit shkencor nëpërmjet ngritjes së qendrave të reja elitare të kërkimit, me përparësi në fushat e mbiquajtura  të së ardhmes, si dhe nëpërmjet riorganizimit të qendrave ekzistuese në fushat e tjera me ndikim kombëtar, me kusht që propozimet tona,  të jenë plotësisht të argumentuara, janë një garanci për suksesin e saj, me bindjen se çdo investim nëpërmjet Akademisë së Shkencave është investim i drejtpërdrejtë për shkencën e institucionet shkencore në tërësi, për gjithë kontribuesit e saj”, tha në fund Gjinushi. /atsh/ KultPlus.com

Hiqet maska në ambientet e jashtme, shtyhet ora policore në Shqipëri

Komiteti Teknik i Ekspertëve është mbledhur sot për të njoftuar masat e reja anti-Covid. 

“Komiteti mendon se ka vend për lehtësim të masave, duke filluar nga 1 qershori do të hiqet detyrimi për mbajtjen e barrierës mbrojtëse në ambientet e jashtme, por do vijojë të mbahet në ambientet e brendshme dhe transport publik. Ora policore nga 22:00 do të kalojë më 1 qershor në 23:00”, theksoi Komiteti i Ekspertëve.

Masat që lehtësohen nga 1 Qershori:

-Hiqet detyrimi për mbajtjen e barrierës mbrojtëse në ambientet e jashtme.

-Do vijojë të mbetet detyrimi i mbajtjes së maskës në ambientet e mbyllura si dhe në mjetet e transportit publik.

-Rekomandohet mbajtja e maskës kudo ku nuk mund të ruhet distancimi social si edhe për ata që ende nuk kanë bërë dy dozat e vaksinës që konsiderohen persona në risk.

-Ora policore shtyhet në orën 23:00 -06:00.

-Klubet e natës, diskot, vijojnë të mbeten të mbyllura. Muzika do lejohet deri në orën 22:00. / KultPlus.com

Shqipëri-Itali, tjetër hap bashkëpunimi në fushën e trashëgimisë kulturore

Shqipëria hodhi sot një tjetër hap të rëndësishëm bashkëpunimi në fushën e trashëgimisë kulturore me vendin fqinj, Italinë.

Kështu u shpreh sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila theksoi se përmes një konference të organizuar nga Ambasada e Italisë në Tiranë, Agjencia ICE, Assorestauro dhe Salloni ndërkombëtar i Restaurimit u prezantua “Salloni i Restaurimit në tour” në Bari dhe “Restoration Week 2021” (Java e Restaurimit 2021), ku Shqipëria mori ftesën zyrtare për pjesëmarrje.

Ministrja Margariti tha se “nuk bëhet fjalë për një pjesëmarrje honorifike, por shkëmbime përvojash dhe vendosje e urave të komunikimit mes kompanive, specialistëve, në fushën e teknikave, materialeve, projekteve të përbashkëta”.

“Së bashku me Fabrizio Bucci ambasadori italian në Tiranë, Michele Emiliano presidenti i Rajonit të Puglia-s, Alessandro Bozzetti presidenti i Assorestauro, Andrea Moretti presidenti i Ferrara Fiere, Alessandro Ambrosi presidenti i Fiera del Levante, Elisa Scelsa drejtoreshë e Zyrës ICE Agjencia – Tirana dhe Andrea Griletto drejtor i Assotestauro diskutuam mbi bashkëpunimet e ardhshme në fushën e trashëgimisë. Italia përbën ekselencën botërore në fushën e konservimit dhe restaurimit dhe ky bashkëpunim do të çojë përpara ambicien tonë për ngritjen e Qendrës së Formimit të vazhdueshëm, shkollave-kantiere, bonusit të rijetëzimit dhe vënien në jetë të Fondit të Trashëgimisë Kulturore”, – theksoi Margariti./atsh/KultPlus.com

Kanioni i Holtës, destinacioni më i preferuar i turistëve të huaj

Kanioni i Holtës në Bashkinë Gramsh mbetet një nga destinacionet më të preferuara të turistëve vendas dhe kryesisht të huaj.

Holta është një zonë turistike që vizitohen në të gjitha stinët e vitit, por kryesisht në pranverë, verë dhe vjeshtë.

Kanioni i Holtës shtrihet përgjatë 3 kilometrave, me shpatet e luginës që arrijnë deri në 100-150 m dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 2-3 m. Kanioni ka shpate të thepisura të mbushura me shpella karstike, si dhe gropa me ujëra termale.

Ngjyrat e shumta e bëjnë këtë bukuri natyrore një destinacion të paharrueshëm ofron pamje magjepse me lartësi malesh, thellësi kanionesh, bimësi dhe lule të shumëllojshme por mbi të gjitha ujërat e freskëta që burojnë nga malet.

Në shpatet e thepisura në rrjedhën e këtij lumi, gjenden shumë shpella karstike, që janë të vizitueshme nga natyralistët dhe aventurierët e ngjitjeve sportive. Veç lumit me kanionet befasuese të tij, në shpatet malore të kësaj zone, gjenden pyje me drurë të rrallë panje, bredhi, pisha si dhe mjaft specie të rralla kafshësh dhe shpendësh.

Kanionet e lumit të Holtës vizitohen duke u nisur nga Gramshi-Bardhan-Kabash, një rrugë disi e vështirë për makinat e ulëta dhe ka një gjatësi rreth 18 km./atsh/ KultPlus.com

Muzeu Etnografik në Elbasan, një ftesë për turistët vendas e të huaj

Pozicionuar në qendër të qytetit, jo larg Kalasë së Elbasanit, Muzeu Etnografik në Elbasan është një shtëpi dykatëshe e shekullit të 18-të që ruan kulturën, folklorin dhe stilin e jetesës së qytetit.

Ndërsa ndau një tur virtual në këtë muze, deputeti i PS-së në qarkun e Elbasanit, Taulant Balla tha se në këtë muze gjenden vlerat etno-kulturore të shtëpisë karakteristike të Elbasanit me çardak.

“Mirëmëngjes dhe me këtë vizitë virtuale në Muzeun Etnografik të Elbasanit, ku gjenden vlerat etno-kulturore të shtëpisë karakteristike me çardak dhe ruhen me fanatizëm prodhimet artizanale të realizuara ndër vite nga qytetarë të ndryshëm elbasanas, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Balla.

Muzeu Etnografik ndodhet në qendër të qytetit të Elbasanit. Në vështrim të përgjithshëm ndërtesa i ngjan shumë shtëpive karakteristike në zonat e Beratit, Shkodrës dhe Gjirokastrës.

Muzeu gjendet në një nga shtëpitë e vjetra të qytetit. Ndërtesa është 200-vjeçare dhe përfaqëson një nga shtëpitë tipike të stilit post-mesjetar shqiptar. Godina dykatëshe shquhet për ballkonin e madh të shtruar e të rrethuar nga druri. Në gjuhën e folkut shqiptar ky konstruksion njihet si çardak.

Muzeu pasqyron në mënyrë të detajuar kulturën dhe folkun e Shqipërisë së Mesme, zejtarinë e kohës dhe jetën e përditshme të banorëve të qytetit e rrethinave. Për një vizitor të huaj apo shqiptar punimet e shajakpunuesve, qeleshpunuesve, terzinjve, punimet e opingarëve, saraçëve, punimet e zilexhinjve, armëtarëve, argjendarëve, çibukçinjve, samarxhinjve janë të dobishme për të kuptuar ndikimet dhe rrymat kulturore të zonës.

Mbresëlënës janë mullinjtë primitivë të vajit dhe guri mortor i legjionarit Mark Sabiti. Për këtë të fundit etnografët thonë se tregon vendndodhjen e dikurshme të Elbasanit. /atsh / KultPlus.com

Fluks i madh i veturave, kosovarët po presin deri në 3 orë për të hyrë në Shqipëri

Qytetarë të shumtë të Republikës së Kosovës kanë zgjedhur që në ditën e festës së Fitër Bajramit të marrin rrugën për në bregdetin shqiptar

Në një video të publikuar nga IndeksOnline, shihet një numër i madh i veturave në radhë duke pritur për të kaluar kufirin, transmeton KultPlus.

Ndërkohë kujtojmë se një numër i madh i kosovarëve vikendet e fundit i kanë kaluar në Shqipëri dhe Mal të Zi, për shkak të shtrëngimit të masave në Kosovë. / KultPlus.com

Resorti ekologjik i investitorëve suedezë në Nivicë, gati për këtë sezon (VIDEO)

Në Nivicë, 30 km larg Tepelenës falë programit të Rilindjes Urbane kanë marrë jetë agrobujtinat e para.

Një ndër to është dhe investimi i parë i huaj në turizëm, “Campnivica”, projekt i një grupi investitorësh suedezë që është gati të çelë sezonin turistik.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga ky investim i investitorëve suedezë.

“Mirëmëngjes ja edhe resorti ekologjik i investitorëve suedezë në Nivicë që po bëhet gati të çelë dyert këtë sezon”, tha Rama.

Ky investim synon ta kthejë Nivicën në një destinacion të turizmit elitar përmes një resorti të cilësisë së parë 100% ekologjik.

Qendra e Nivicës në 2018-ën është ndërtuar krejtësisht nga e para falë një projekti të mbështetur nga qeveria shqiptare. Sheshi i fshatit është shtruar komplet me gurë, ndërkohë që godinat dykatëshe, edhe ato të ndërtuara krejtësisht me gurët e Nivicës, i kanë dhënë një tjetër frymë fshatit që ka filluar të rigjallërohet.

Fshati Nivicë është pjesë e njësisë administrative “Kurvelesh”. Ndodhet 750 metra mbi nivelin e detit, rrëzë malit të Këndrevicës, 2100 metra të lartë. Në Nivicë ilirët në shekujt e IV-II para erës së re ndërtuan një kala si gjenezë e qytezës së më vonshme. Kalaja është ndërtuar mbi një shkëmb me lartësi 80 deri në 100 m. Pozicioni strategjik dhe kalaja bëri që ky vendbanim të ishte qendra e dytë me rëndësi e fisit ilir të Amantëve.  Më tej vijnë kanionet e Nivicës. Ujëvara me lartësi 220 metra është ndër më të lartat në Europë. / atsh / KultPlus.com

Muzeu Historik Kombëtar rihapet për vizitorët

Muzeu Historik Kombëtar u rihap sot për vizitorët, pas një periudhe mbylljeje për shkak të pandemisë, transmeton KultPlus.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se aksesi për publikun realizohet nga hyrja qendrore e Muzeut Historik Kombëtar.

Margariti rikujtoi publikun për çmimin e biletave në sportel për të vizituar Muzeun Historik Kombëtar: biletë vizitor vendas dhe të huaj: 500 lekë, biletë grup +12: 400 lekë, biletë e reduktuar për kategori të ndryshme në masë 50 %: 250 lekë, biletë për fëmijë 12-18 vjeç dhe studentë: 150 lekë, për fëmijët deri në 12 vjeç hyrja është falas.

Ministrja sqaron se për të shmangur sa më shumë kontaktet fizike, qytetarët mund të rezervonjnë edhe nga shtëpia biletën.7

Muzeu Historik Kombëtar është muzeu më i madh në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit.

Në mjediset e muzeut gjenden rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. /atsh/ KultPlus.com

Saranda e mrekullueshme nën dritën e hënës (FOTO)

Qyteti bregdetar i Sarandës ka tërhequr gjithmonë turistë të shumtë, pasi posedon bukuri ndër më të rrallat natyrore, shkruan KultPlus.

Sonte, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar disa fotografi të këtij vendi përrallor.

Në fotografi shihen turistë e qytetarë të cilët kanë dalur e po shijojnë natën e sontme pranë bregdetit shqiptar.

Më poshtë gjeni fotografitë e publikuara nga Rama. / KultPlus.com

Butrinti, mes dhjetë vendeve antike të botës së sotme

Në të katër skajet e globit, qytetërimet e lashta kanë lënë një trashëgimi të çmuar arkitektonike. Ngjarjet historike, po edhe koha, nganjëherë i dëmton këto monumente, apo i shkatërron pjesërisht, mirëpo mbetjet e tyre ende shumë shprehëse, qofshin kështjella, tempuj, apo ndërtesa të mistershme.

Ato mbeten ndërtesa magjepsëse për t’u zbuluar, duke na mësuar më shumë për jetën e njerëzve që kanë banuar në tokë gjatë shekujve të kaluar. Nga Evropa në Azi, përmes Afrikës, apo edhe Amerikës së Jugut, më poshtë gjeni 10 nga rrënojat më të bukura që mund t’i soditni ende sot.

1- Tempulli “Ta Prohm” në Kamboxhia

Ndërtuar në shekullin e 12-të, tempulli budist është nga më të mrekullueshmit në zonën Angkor. I ndërtuar nën sundimin e Jayavarman VII, ka shërbyer ndër të tjera edhe si manastir dhe universitet. Rrethuar nga një mur i madh, me një kullë të zbukuruar me 4 fytyrat tipike të Angkorit në çdo pikë kryesore. Korridoret, hendeqet, apo admiri i detajeve strukturore është një moment hyjnor, sikurse befasia nga natyra me të drejtat e saj, veçanërisht rrënjët gjigande të pemëve fromazhere, të cilat vende-vende zaptojnë monumentin.

2- Baalbeku në Liban

Në verilindje të Bejrutit, në qytetin Baalbek gjenden rrënojat gjigante të tempujve të ndërtuar gati 5000 vjet më parë nga fenikasit. Një qytet i lashtë libanez, që mirëpret vizitorë të shumtë për të shijuar shkëlqimin e tempujve të Muzave, Bakusit, një nga më të mirët ruajtur nga periudha greko-romake, apo edhe e Jupiterit me gjashtë kolona mbresëlënëse, pak më shumë se 22m i lartë.

3- Mesena e lashtë në Greqi

Dihet që Greqia është një nga shtetet e Evropës, ku sitet antike kanë një bukuri të jashtëzakonshme. Në jugperëndim të Peloponezit, në shekullin IV para Krishtit, lulëzoi qyteti antik i Mesenës. Sipas profesionistëve, gërmimet e ndryshme deri më sot kanë zbuluar një të tretën e mbetjeve, përfshi tempuj, statuja, faltore, një gjimnaz, një teatër dhe një agora (shesh publik).

4- Wat Ratchaburana në Tajlandë

Vendosur në parkun historik “Ayutthaya”, tempulli Wat Ratchaburana është nga tempujt më të bukur Khmer të zonës. Kjo faltore 600-vjeçare u ndërtua si vend adhurimi, por edhe një krematorium. Gjithmonë befasohemi nga bukuria e jashtëzakonshme e prang prej guri, që dëshmon epokën e artë të qytetit dhe sjell në mendje madhështinë dhe prestigjin e perandorisë së zhdukur. Mund të futeni në brendësi, të ngjitni shkallët që të çojn në dy dhoma gjumi ku dallohen ende në mure pikturat. Zakonisht, Wat Ratchaburana vizitohet së bashku me Wat Mahathat, që ndodhet përballë.

5- Shpellat Ellorâ në Indi

Ndodhet 30 km nga qyteti i Aurangābād dhe ka 34 manastire dhe tempuj të gdhendur në murin e një shkëmbi bazaltik. Një arkitekturë sublime e trogloditit e ndërtuar në fillim të shekullit të 7-të, vendet e shenjta i kushtoheshin kulteve të budizmit, xhainizmit dhe brahmanizmit, i cili evokon në përsosmëri frymën e tolerancës së Indisë antike. Detajet e gdhendura në gur janë të mrekullueshme, të ndërlikuara, kurse tempulli i Kailâsanâtha është sigurisht më i bukuri, i gërmuar në shkëmb, madhësia e të cilit është dy herë më i madh se Partenoni i famshëm i Athinës.

6- Kështjella “Dunluce” në Irlandën e Veriut

Kështjella Dunlunce u ndërtua në shekullin e 13-të, majë një shkëmbi gjigant me pamje nga deti. Një pozicion strategjik asokohe, për të mbikëqyrur anijet e armikut që i aviteshin tokës. Pasi kaloi nëpër duart e familjes MacQuillan deri në shekullin e 16-të dhe më pas në duart e anglezëve, nën komandën e Sorley Bob McDonnell, monumenti u përfshi nga një stuhi e tmerrshme në 1639, duke shkatërruar shumë dhoma dhe duke lënë pas rrënojat aktuale. Mund të vizitohet pjesa e brendshme dhe e jashtme e një prej ndërtesave më të bukura të trashëgimisë së Irlandës veriore.

7-Qyteti i Jerashit në Jordani

Pas Petras, Jerashi është destinacioni i dytë turistik në Jordani, ku vizitorët soditin një nga pikat turistike më spektakolare dhe më të mirëmbajturit në botë. Jerashi u pushtua nga romakët për t’u braktisur rreth xhekullit XII. Më pas, mbeti i varrosur për shekuj nën rërë, para se të rizbulohej. Nuk duhen humbur veçanërisht ulëset e teatrit jugor, muri i skenës së teatrit, tempulli i Zeusit, rruga Maksimus apo sheshi oval. Jerashi është destinacioni kryesor për adhuruesit e arkitekturës antike.

8- Butrinti në Shqipëri

I ngritur vetëm disa kilometra nga qyteti bregdetar i Sarandës në Shqipëri, rrënojat e zonës arkeologjike të Butrintit padyshim që ia vlen të vizitohen. Për dashamirët e Antikitetit dhe mbetjeve greke dhe romake, zona zbulon elemente shumë interesante, si kolonat e pagëzimit të një kishe të shekullit të 6-të, vendpushimi, por edhe një teatër me ulëse dhe skenë të ruajtur jashtëzakonisht mirë. Ajo që i jep hijeshi kësaj pike turistike, përtej shkëlqimit arkitektonik dhe kuptimit të organizimit të jetës së qytetit antik, është vendndodhja e jashtëzakonshme në një kodër, në një gadishull midis Adriatikut dhe kanalit Vivari.

9- Siti arkeologjik i Tiwanakut në Bolivi

Tiwanaku ndodhet 3 850 m mbi nivelin e detit, rreth 15 km në jug të liqenit Titicaca në Bolivi. Një pikë referimi për të gjithë të interesuarit e arkitekturës para-kolumbiane, me një sërë ndërtesash të jashtëzakonshme që formojnë ansamblin ceremonial të civilizimit Tiwanaku. Monumenti më i bukur midis mbetjeve është tempulli Akapana, një piramidë e lartë 18metra e përbërë nga shtatë platforma, pa harruar portën e Diellit dhe motivet e saj sublime, piramidën Puma Punku, si dhe monolitet e ndryshme…

10- Piramidat Meroe në Sudan

Nuk ka vetëm Egjipti dhe Amerika e Jugut piramida të bukura. Në shkretëtirën e Sudanit, piramidat dhe rrënojat Meroe janë më të ruajturat e mbretërisë antike të Kushit. Ato datojnë prej shekullit të 3-të para Krishtit, por u zbuluan vetëm në 1822 nga dy eksplorues francezë. Kryeqyteti antik i Nubisë qëndron krenar mes dunave ngjyrë okër dhe i fton vizitorët të bredhërijnë midis varreve dhe rrënojave të tij. E veçanta e këtyre piramidave qëndron tek shpatet e thepisura, janë më pak imponuese se piramidat e Egjiptit dhe kanë vetëm një dhomë të destinuar për të akomoduar kufomën mbretërore. Prej vitit 2011, zona është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. /konica/ KultPlus.com

Travel Weekly UK vlerëson Shqipërinë për hiking dhe alpinizëm

Shqipëria vlerësohet për potencialin e turizmit malor dhe hiking nga Travel Weekly UK. Media britanike ka bërë një vlerësim të vendeve turistike të Ballkanit që nga vija bregdetare e Kroacisë e deri në malet e Rumanisë e plazhet e Bullgarisë.

Teksa Kroacia vlerësohet për pushime romantike, Serbia për pushime qyteti, Sllovenia për skitë dhe Bullgaria për pushimet me familjen, vendi ynë shihet si një destinacion për alpinizëm dhe hiking.

Ja çfarë shkruan Travel Weekly UK

Ballkani mund të mburret me mundësi të pafund për arratisjet e verës, por për një vend që nuk e keni vlerësuar si duht shkoni në Shqipëri, ku pothuajse tre të katërtat e peizazhit përbëhet nga male.

Për ata që dëshirojnë të ngjitin majat më të mira, sugjeroni një turne udhërrëfyes. Wild Frontiers ka një itinerar tetë-ditor në shëtitje në Shqipërinë e Veriut duke kombinuar fshatra të largëta, liqene me shkëlqim dhe lugina të izoluara me një vizitë në Shkodër, një nga qytetet më të vjetra të Ballkanit.

“Ky është një udhëtim në një Evropë të harruar prej kohësh”, thotë Jonny Bealby, themeluesi i Wild Frontiers. “Shqipëria ofron një përzierje perfekt të peizazheve malore, sharmit të qytetit të vjetër dhe një mënyrë bukolike të jetës që po zhduket shpejt. Mund të jetë një përvojë vërtet shpërblyese, me kuzhinë dhe verë të shkëlqyeshme gjatë rrugës”, vijon ai./ KultPlus.com