Pranvera ka ardhur në Elbasan me një ekspozitë të makinave historike të cilat si asnjëherë më parë kanë tërhequr vëmendjen e qindra qytetarëve Elbasanas të ekspozuara në bulevardin Aqif Pasha.
Qindra qytetarë kanë nxituar të mos humbin mundësinë për të parë këto makina të cilat janë të rralla por edhe për të bërë foto pafund. Ndalesa e radhës ishte qyteti i Elbasanit, por sic e dini ekspozita e këtyre makinave bëhet në çdo qytet të Shqipërisë.
Kjo ekspozitë u organizua nga koleksioni i makinave historike shqiptare retro, bashkia e Elbasanit, dhe ministria e infrastrukturës.
Makinat e këtij koleksioni do të qëndrojnë të ekspozuara përgjatë mureve të kalasë gjatë gjithë ditës dhe më pas do të parakalojnë në rrugët e qytetit./tch/ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama në kuadër të turit të tij elektoral në Korçë u ndal në Rehovë, një ndër oazet më të bukura të Shqipërisë.
Kryeministri Rama në fjalën e tij theksoi se me përfundimin e rrugës, që është në fazë të avancuar, Rehova mund të bëhet një destinacion turistik.
“Me shkurtimin e distancës kjo do të jetë zona e re e zbulimit e shqiptarëve dhe e të huajve”, tha Rama.
“Rehova ka një histori të veçantë. Shumë nga banorët e fshatit emigruan në Amerikë, përveç se punuan ata formuan një shoqatë me emrin e fshatit dhe çdo vit mblidhnin fonde dhe i dërgonin për punë publike në fshat dhe në 1930 Rehova ishte me kanalizime, ujëra të zeza, ujësjellës, rrugë, kalldrëme dhe të gjitha. Banorët nuk i shesin shtëpitë, megjithëse kanë emigruar disa prej tyre ose janë shpërngulur drejt Tiranës apo Korçës”, tha kryetari i bashkisë Kolonjë, Erion Isai.
“Ka filluar njëfarë turizmi i veçantë. Këtu vijnë kryesisht turistë francezë që bëjnë jetën e fshatit duke gatuar me ta, shëtitur me ta”, u shpreh Isai.
Në këtë zonë është ngritur edhe një kamp, i cili vizitohet nga rreth 500 fëmijë gjatë sezonit veror. /atsh / KultPlus.com
87 vite më parë një biletë nga Shqipëria drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës kushtonte 10 dollarë.
Këtë e vërteton edhe kjo foto, e cila është një reklamë e vitit 1934, ku jepet informacioni i duhur për udhëtime drejt SHBA-së.
Në reklamë saktësohet çmimi për një biletë të klasit tretë nga Durrësi, Vlora dhe Saranda deri në New York kushtonte 10 dollarë, vlerë e cila në ditët e sotme konvertohet me 196 dollarë.
Agjencitë që kishin më shumë informacion për udhëtimet drejt Amerikës ndodheshin në: Korçë, Ersekë, Përmet, Gjirokastër dhe Berat./ KultPlus.com
Sot përkujtohet protesta e parë antikomuniste në Shqipëri, që ndodhi më 26 Mars 1990 në Kavajë, përcjellë KultPlus.
Rrëzimi i Murit të Berlinit dhe një sërë ndryshimesh radikale politike, që ndodhën në vitet 1989-1990 në Bllokun Lindor kanë pasur ndikim edhe në jetën politike shqiptare.
Protesta e parë kundër regjimit komunist në Shqipëri u zhvillua më 26 mars 1990 në qytetin e Kavajës. Kjo protestë erdhi si pasojë e ngjarjeve të një dite më parë, më 25 mars 1990, në stadiumin “Besa” gjatë ndeshjes Besa-Partizani, ku shumë të rinj shpërthyen në thirrje kundër regjimit komunist. Gjatë kësaj proteste u arrestuan shumë të rinj.
Më 26 mars 1990 një numër i madh njerëzish iu drejtua rajonit të policisë me thirrjet “Lironi shokët tanë”, “Poshtë Diktatura”, “Liri, Demokraci”. Kjo protestë i hapi rrugën zhvillimeve të reja në vend. / KultPlus.com
Çdo muaj të ri Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ofron për gjithë qytetarët ekspozita të ndryshme, një mënyrë kjo për t’u njohur më tepër me historinë tonë.
Këtë muaj vëmendja shkon për një ekspozitë të veçantë kushtuar arbëreshëve. Këtu janë pasqyruar një sërë dokumentesh dhe fotografish, mes të cilave; letra Francesko Mauro, mbi themelimin e Komitetit Qendror Italo-Shqiptar, Napoli 1911; apeli i Komitetit Shqiptar në Milano, drejtuar presidentit të ShBA-ve lidhur me të drejtat e Shqipërisë e të shqiptarëve, maj 1920; Fragmente historike nga veprimtaria e Komitetit Qendror Politik shqiptar të Napolit, për pavarësinë e Shqipërisë, 1921; skica të grave arbëreshe me kostume kombëtare,1826-1829, e të tjera.
Dokumentet e vendosura në këtë ekspozitë janë një pjesë mjaft e rëndësishme e historisë sonë ndaj Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ju fton t’i shihni nga afër. / KultPlus.com
Bashkia e qytetit bregdetar të Durrësit në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit në kuadër të projektit Festivali Evropian i Turizmit dhe Peshkimit kanë organizuar festivalin “Blu European Festival”.
Ky festival i nisur në 22 shkurt mbaron në 28 shkurt, javë gjatë së cilës do të ketë panaire dhe një larmi aktivitetesh të fokusuara në fushën e peshkimit.
“Ky është një aktivitet i rëndësishëm që do të kthehet në një traditë për qytetin tonë” është shprehur në çeljen e këtij festivali kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako.
Kryebashkiakja Sako deklaroi gjithashtu se “Turizmi dhe industria e peshkimit janë motorri ekonomik i qytetit të Durrësit dhe këta dy sektorë do të marrin një hov të madh zhvillimi nga investimet e rëndësishme për portin që nisin shumë shpejt”.
Ky festival organizohet në të gjithë vendet pjesëmarrëse në këtë projekt si Shqipëri, Itali, Spanjë, Greqi, Portugali dhe Mali i Zi duke krijuar një javë unike evropiane e turizmit të peshkimit.
Kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit Ledion Lako që gjithashtu ishte prezent në këtë event deklaroi se: “Ky festival synon të ktheje turizmin e peshkimit në një produkt inovativ në turizmin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, duke u fokusuar në traditat evropiane të peshkimit dhe komunitetet bregdetare”.
Gjithashtu, ky festival kontribuon edhe në diversifikimin e paketave dhe ofertave turistike, si një mundësi apo alternativë e re për çdo turist apo vizitor si edhe duke promovuar kulturën e peshkimit dhe traditat e kulinarisë, aq më tepër për një qytet si Durrësi. /atsh / KultPlus.com
Ksamili është një nga vendet më befasuese që kam vizituar në Ballkan, shtëpia e ushqimeve të shijshme të një deti shumëngjyrësh dhe ishujve të bukur, kështu shkruan për faqen e njohur turistike MagnificientWorld fotografja dhe blogerja e njohur e udhëtimeve, Julia Berkuta.
”E kam vizituar Ksamilin në dy raste tani dhe e rekomandoj atë për këdo që udhëton në Shqipëri dhe në këtë udhëzues destinacioni, dua t’ju tregoj përvojat e mia në Ksamil, si edhe t’ju ofroj gjërat më të mira për të bërë gjatë vizitës suaj”, vazhdon ajo.
Dy udhëtime të mrekullueshme në Shqipëri
Hera e parë që vizitova Shqipërinë ishte në vitin 2018 dhe ishte një udhëtim spontan.
Hera e dytë ishte në vitin 2020, me bashkëshortin, sepse dëshiroja t’i tregoja vendet që kisha parë.
Në vizitën time të parë në Shqipëri, erdha për disa ditë për të zbuluar dy pika të bukura, Ksamilin dhe Dhërmiun. Në vizitën e dytë, kisha më shumë kohë, me pesë ditë në Ksamil dhe tri ditë në Dhërmi.
Të dyja këto udhëtime ishin thjesht fantastike dhe nuk mund ta rekomandoj mjaftueshëm Ksamilin!
Vizitoni plazhet e bukura të Ksamilit
Ksamili është një fshat mjaft i vogël dhe tërheqja kryesore është deti. Kështu që gjëja e parë që mund të bëni është të vizitoni plazhet e shumta që ai ofron. Plazhet e mia të preferuara ishin Stela, Bora Bora dhe Lori, por mund të merrni, gjithashtu, me qira një makinë dhe të zbuloni më shumë plazhe aty pranë, si Plazhin e Pulëbardhës, Plazhin e Krorezës dhe Shpellën e Pëllumbave.
Shikoni perëndimin e diellit nga manastiri i shën Gjergjit
Ky manastir është një manastir antik ortodoks, që gjendet në gjysmë të rrugës midis Ksamilit dhe Sarandës. Nëse merrni me qira një makinë, mund të shkoni në manastir dhe të shihni një perëndim të diellit madhështor.
Vizitoni lagunën e kripur të liqenit të Butrintit
Në anën tjetër të Ksamilit është liqeni i Butrintit, një lagunë e bukur me ujë të kripur, e rrethuar nga kodra të dendura të pyllëzuara, një bregdet shkëmbor dhe këneta me ujë të ëmbël.
Zbuloni historinë e Parkut Kombëtar të Butrintit
Parku Kombëtar i Butrintit është një domosdoshmëri për t’u parë, nëse keni kohë dhe jeni të interesuar për natyrën dhe historinë.
Ky park prej 9 400 hektarësh është shtëpia e liqeneve me ujëra të ëmbla, peizazheve kodrinore dhe shumë thesareve të tjera natyrore.
Atje ka specie të panumërta bimësh dhe kafshësh për të zbuluar, si edhe ishujt e Ksamilit dhe vende të tjera arkeologjike historikisht të rëndësishme, që datojnë me shekuj, disa prej të cilave janë shpallur Vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Eksploroni shpellën magjepsëse të Kreshmoit
Udhëtimi nga Ksamili në shpellën e Kreshmoit zgjat më pak se një orë dhe ia vlen, sidomos për ata që e duan arkeologjinë.
Është një nga shpellat më të vjetra të banuara në Europë, që arkeologët besojnë se është 20 000-vjeçare.
Kaloni një ose dy ditë në Sarandë
Saranda është një qytet afër Ksamilit, ku mund të pushoni në plazhe, të shikoni perëndimin e diellit nga Kalaja e Lëkursit, të vizitoni manastirin e 40 Shenjtorëve dhe të shijoni ushqimin dhe pijet lokale në shumë kafene dhe restorante fantastike.
Mrekullohuni me ujërat e “Syrit të kaltër”
Syri i Kaltër është një burim natyror pranë fshatit Muzine. Ky burim është i famshëm për ujërat e tij të pastër blu, nga merr edhe emrin “Syri i kaltër”.
Thellësia e burimit besohet të jetë më shumë se 50 metra.
Një vend magjepsës për të vizituar pasdite, në udhëtimet tuaja nëpër Shqipërinë e Jugut.
Vizitoni qytetin e UNESCO-s, Gjirokastrën
Gjirokastra është një qytet i UNESCO-s dhe ndodhet një orë e gjysmë larg Ksamilit. Qyteti i Vjetër është i njohur për shtëpitë e tij prej guri dhe arkitekturën.
Ky destinacion është, gjithashtu, shtëpia e një prej kështjellave më të pabesueshme në Shqipëri, në të cilën mund të kaloni orë të tëra duke eksploruar dhe mësuar mbi historinë.
Bëni një udhëtim të shkurtër me anije në Korfuz
Nga Saranda është e mundur të bëni një udhëtim të shkurtër me anije në ishullin e bukur të Korfuzit./atsh/ KultPlus.com
Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore ka zhvilluar koncerte në skena të ndryshme të vendit tonë.
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka publikuar disa fakte për jetën artistike. Në këtë material të institucionit publikohen materiale të Ansamblit Popullor gjatë katër viteve të fundit.
“21 janar 2017- Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore performoi në Lushnjë, me rastin e 97-vjetorit të Kongresit të Lushnjës. 23 shkurt 2017, me ftesë të Bashkisë Mirditë, Ansambli dhuroi një shfaqe të larmishme me këngë popullore të trevave të ndryshme të Shqipërisë, me rastin e 100-vjetorit të Abat Doçit.
22 prill 2017 – Ansambli Popullor në qytetin e Përmetit me rastin e “Çeljes së sezonit turistik Përmet”, ku u zhvilluan aktivitete të ndryshme dhe Ansambli performoi me këngë e valle të krahinave të ndryshme të vendit dhe në fund të koncertit dy numra me këngë lirike së bashku me sazet e Përmetit”, shkruan institucioni në materiale.
Në 6 maj 2018, Ansambli Popullor performon në Vaun e Dejës në festën tradicionale të “Ditës së Luleve”, në 28 maj 2018 merr pjesë në “Javën e Ali Pashës” në Tepelenë, 15 qershor 2018 mban koncert në Rrëshen, 22 qershor 2018, koncert i 60 vjetorit të Ansamblit Popullor në Llogara në kuadër të “Opera Summer Tour”.
Më 22 qershor 2018, Ansambli Popullor vijoi me koncertin e 60- vjetorit të Ansamblit në Sarandë. 23 korrik 2018, Ansambli Popullor performoi në “Sokakun e të marrëve”, në sheshin e shëtitores në Himarë. Në 17-18 tetor 2018, Ansambli Popullore mbylli natën e fundit të festivalit “Oda Dibrane” në Dibrën e Madhe dhe vijoi me koncertin në Peshkopi.
Në 28 tetor 2018 performon me koncertin “60 vjet Ansambël Popullor”, në Elbasan. Në datë 21 janar 2019 zhvillon koncertin në Lushnjë, me rastin e 99 -vjetorit të Kongresit të Lushnjës dhe në 24 shkurt po të këtij viti trupa e madhe e Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve, orkestra e TKOB, artistët më të mirë të muzikës shqiptare, çuan në Shkodër grand galanë “Të gjithë e duan Agim Krajkën”.
Ansambli shtetëror, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. /sot/ KultPlus.com
Organet e larta të shtetit shqiptar, që dolën më 1920 nga Kongresi i Lushnjës (21-31 Janar 1920) u vendosën më 11 Shkurt 1920 në Tiranë, që u caktua përkohësisht kryeqyteti i Shqipërisë, kurse përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet me statutin e Republikës Shqiptare në Janar 1925.
Pas 1920 filloi popullimi me banorë të ardhur nga krahina e qytete të tjera të vendit. Më 11 shkurt 1920, populli i Tiranës priti me entuziazëm Këshillin e Lartë dhe Qeverinë, e cila u vendos pikërisht në atë ndërtesë, ku tiranasit kishin ngritur flamurin në vitin 1912. Autoritetet e larta të shtetit shqiptar që dolën nga Kongresi, në marshimin e tyre (që nisi më 6 shkurt), kaluan në Kavajë dhe në pamundësi për të hyrë në Durrës, i cili ishte i pushtuar nga forcat italiane, u kthyen drejt Shijakut, për të mbërritur në Tiranë.
Arsyet që u vendos të shkohej drejt Tiranës qenë:
– Mosprania e forcave të huaja (pushtuese),
– pozita gjeografike në qendër të vendit,
– patriotizmi shumë herë treguar i popullsisë së trevës, dhe
– ndodhja e disa ndërtesave që mund të përdoreshin si zyra.
Në këtë rrugëtim të rrezikshëm, rol kryesor pati Ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, i cili kishte përkrahësit e tij të armatosur. Sipas kujtimeve të bashkëkohësve, ka qenë moszbrapsja e tij përballë forcave italiane, (që tentuan t’i ndalonin përfaqësuesit e zgjedhur në Lushnje), moment kyç për suksesin e kësaj ndërmarrjeje. Me të mbërritur në Tiranë, Këshilli i Naltë dhe qeveria, më 11 shkurt 1920, mes entuziazmit popullor, e shpallën atë kryeqytet të përkohshëm. Më 1922 Tirana u shkëput si nënprefekturë nga prefektura e Durrësit dhe u bë prefekturë më vete. Më 1923 ajo kishte 12.453 banorë. Më 1924 Tirana u bë arenë e luftës së brendshme politike-Revolucionit të Qershorit dhe rikthimit të Ahmet Zogut, i cili u vu në krye të shtetit, në filim si kryetar i Republikës Presidenciale (1925-1928) pastaj si mbret (1928-1939).
Data 11 shkurt, datë në të cilën Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm, është e një rëndësie parësore në historinë tonë kombëtare; kjo zgjedhje lidhet ngushtë me veprimtarinë e dendur patriotike të tiranasve, para dhe pas pavarësisë. / KultPlus.com
Me lumenjtë e saj të shumtë, Shqipëria ofron gjithashtu edhe ura të veçanta, të cilat zbukurojnë vendin duke treguar njëkohësisht edhe historinë e tij.
Pse janë urat objekte kaq interesante për ne? Shumë mendojnë se adhurimi jonë vjen nga fakti se urat dëshmojnë dëshirën e njeriut për të bashkuar. Teksa ne i shohim, ato na transmetojnë këtë mesazh bashkimi e kjo na qetëson e na jep shpresë.
Të gjitha urat e Shqipërisë tregojnë po këtë gjë. Ato dëshmojnë gjithnjë për lidhjet që janë krijuar gjatë historisë mijëvjeçare të vendit. Pasqyrimi i tyre mbi sipërfaqen e ujit thjesht i shton harmonisë së tyre dhe i bën ato muzat e shumë piktorëve e fotografëve.
Më poshtë, lexoni mbi disa nga urat më të njohura në Shqipëri.
Ura e Mesit (Shkodër)
Ndoshta ura më e dashur në vend, Ura e Mesit ndodhet 5 km larg qytetit të Shkodrës. U ndërtua në fillim të shekullit të 18-të pikërisht për të bashkuar Shkodrën me Drishtin dhe Cukalin. Ajo zgjatet mbi 108 metra mbi lumin Kir, dhe përfshin 13 harqe! Është ura më e madhe nga periudha osmane në vend, si dhe më e fotografuara dhe e skicuara, duke përfshirë këtu edhe skicimet e poetit dhe udhëtarit britanik të shekullit të 19-të, Edward Lear.
Ura e Goricës (Berat)
Ura e Goricës është një vepër e arkitekturës osmane, e cila mban emrin e lagjes historike të Beratit. E përbërë nga gjithsej shtatë harqe që shtrihen mbi 130 metra, kjo urë me hark elegant lidh qytetin me lagjen Gorica. Fillimisht e ndërtuar në dru në 1780-ën, ura u rindërtua edhe në gur në vitet 1920, në formën e saj origjinale. Vlen të përmenden edhe dy ura të tjera të mrekullueshme pranë Beratit, Ura e Kasabashit (26 metra) e shekullit të 17-të dhe Ura e Velabishtit e shekullit të 18-të.
Ura e Tabakëve (Tiranë)
Ura e Tabakëve është e vetmja urë që mbetet në kryeqytet nga periudha osmane! Ndodhet pranë bulevardit kryesor, e rrethuar prej ndërtesave moderne. Kjo urë e shekullit të 18-të u ndërtua fillimisht për të transportuar produkte bujqësorë përtej lumit Lana, deri sa ky i fundit u ridrejtua në vitin 1930. Kjo është edhe arsyeja pse sot lumi nuk rrjedh poshtë kësaj ure. Ajo mbetet një ndër monumentet më të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore në Tiranë.
Ura e Katiut (Përmet)
Kjo urë e shekullit të 19-të, e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena, është bërë një prej urave më të vizituara në vend kohët e fundit. Kjo sepse pranë kësaj urë të bukur historike gjenden Vaskat kurative të Bënjës, një prej destiancioneve më popullore. Urën, dhe vaskat, i gjeni 8 km larg Përmetit. Ndonëse jo e gjatë si urë, harku i saj i madh shtrihet vertet bukur mbi lumë. E gjithë zona përreth njihet për gjetjet parahistorike nga periudhat e Neolitit (7000-3000 p.e.s.) dhe Eneolitit (3000-2000 p.e.s).
Ura e Ali Pashës (Gjirokastër)
Ali Pashë Tepelena është përgjegjës për shumë prej urave të ndërtuara në vend, veçanërisht në zonën e Tepelenës, rajoni ku u rrit. E ashtuquajtura Ura e Ali Pashës, ndryshe Ura e Dunavatit, ndodhet 30 minuta me këmbë larg Gjirokastrës. Dikur ura ishte pjesë e një kompleksi madhështor ujësjellësi të shekullit të 19-të, porositur nga Ali Pasha për të furnizuar Gjirokastrën me ujë nga mali i Sopotit. Tani ajo mbetet i vetmi fragment që ka mbijetuar. Ura është gjithashtu një ndër subjektet e skicave të famshme të Edward Lear.
Një tjetër urë e Ali Pashës që vlen të përmendet është ajo e Beçishtit, e vendosur poshtë Kalasë së Tepelenës në lumin Vjosa. Me fragmente nga periudha romake, mesjeta dhe shekulli i 17-të, ura me gjatësi 260 metra është vërtet magjepsëse. Ajo lidh Tepelenën me shtatë fshatra, njëri nga të cilët është Beçishti, vendlindja e Ali Pashë Tepelenës.
Vlen të përmendet: Ura e Zvërnecit (Vlorë)
Edhe pse jo historike, ura prej druri e Zvërnecit nuk mund të mos përfshihet në këtë listë. I pozicionuar veçse 12 km nga qyteti, ishulli Zvërnec është një nga vendet më të bukur dhe historikë të vendit. I mbuluar nga pisha të larta, ishulli është vendi ku ndodhet Manastiri i Shën Marisë, ndërtuar në shekullin e 13-të. Pjesa më interesante është fakti që, për të arritur aty, duhet të përshkoni urën 270 metra të gjatë në këmbë! /intoalbania/ KultPlus.com
Nxitur nga temperaturat e ngrohta në Shqipëri, mijëra shtetas shqiptarë nga Kosova kanë vendosur të udhëtojnë drejt Shqipërisë për të kaluar fundjavën.
Gjatë ditës së sotme mbi 12 mijë kosovarë dhe mbi 4500 mjete kanë kaluar kufirin në doganën e Morinës, ndërkohë që për të hyrë në territorin shqiptar pritjet zgjasin deri në 30 minuta.
Për të përballuar fluksin, policia kufitare po punon me 5 sportele dhe procedurë të përshpejtuar, por radha mbetet sërish shumë e gjatë.
Vetëm këtë javë kanë hyrë në Shqipëri, rreth 20 mijë shtetas kosovarë, të cilët thonë se kufiri mes dy vendeve nuk duhet të ekzistojë. /express/ KultPlus.com
Faqja prestigjioze MSN, në kategorinë kushtuar të apasionuarve pas udhëtimeve, së fundmi ka përfshirë edhe një tematikë shumë interesante, titulluar: “Reliket e komunizmit nëpër botë”.
Siç kuptohet edhe nga titulli, bëhet fjalë për disa nga veprat që lanë shenjë në histori gjatë sundimit të diktatorëve komunistë.
Mes këtyre relikeve, faqja ka përfshirë edhe bunkerët në Shqipëri, që u ndërtuan masivisht si një mekanizëm mbrojtjeje nga armiku i jashtëm, prej diktatorit Enver Hoxha.
Kështu i përshkruan revista prestigjioze:
“Në Shqipëri, bunkerët prej betoni nga vitet 1960 në 1980, janë një pamje që e has ngado.
Ato u ndërtuan gjatë qeverisë komuniste të Enver Hoxhës, i cili, e pa vendin e tij nën kërcënimin e vendeve fqinje.
Pas rënies së Perdes së Hekurt, bunkerët u lanë të braktisur dhe shumë syresh, janë tani të shkretuar. Disa prej tyre, janë kthyer në muze, strehim për kafshët endacake e madje, në shumë raste edhe vendstrehim për njerëzit.”
Bunkerët vazhdojnë të tërheqin shumë turistë në Shqipëri dhe tashmë, fakti që ato kanë përfituar edhe titullin si “relike”, nga një faqe e famshme ndërkombëtare, i bën këto mbetje nga komunizmi, si objekte të rralla që duhen vizituar, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në turizmin shqiptar, me interesin që ngjall për të huajt Shqipëria ish-komuniste. / Konica.al / KultPlus.com
Shqipëria përbën gurin e themelit për hegjemonizimin e Gadishullit të Ballkanit dhe pasja e një ndikimi vendimtar mbi këtë komb të lashtë është e barabartë me hipotekimin e të ashtuquajturit “brezi e shqiponjave” – trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup – një brez për një nisje shumëdrejtimshe, i aftë për të projektuar lojtarin simultan të radhës në Greqi, Bullgari, Serbi, Bosnje dhe Adriatik, shkruan Emanuel Pietrobon për faqen e njohur insideover.com.
”Shqipëria është gjithashtu një ekonomi e lulëzuar dhe në zhvillim të shpejtë, një vend i hapur për investime të huaja, por gjithashtu është dhe, mbi të gjitha pret të bashkohet me Bashkimin Europian, anëtare e Aleancës Atlantike. Gjermania, për shkak të rolit të saj si fuqia udhëheqëse e Europës dhe atyre që thamë më lart, po vë bast të madh për të ardhmen e zemrës së brezit të shqiponjës.
Roma pas, Berlini para
Italia vazhdon të jetë tregu i parë referues i Shqipërisë për sa i përket import-eksporteve, por pozicioni i dominimit tregtar, rezultat i afërsisë gjeografike dhe së kaluarës historike, po ndryshon me kalimin e kohës në favor të një situate më të larmishme duke reflektuar shfaqjen e polariteteve dhe ekuilibrave midis Ballkanit dhe Adriatikut.
Shifrat flasin vetë: tregtia mes dy vendeve ka qenë në rënie të vazhdueshme që nga viti 2017, ndërsa ekspozimi i Turqisë dhe Kinës është rritur vazhdimisht, pa intervale, pauza ose ngadalësime, që nga viti 2005. Midis 2018 dhe 2019, ndërsa importet nga Italia regjistruan një rënie prej 6.3%, ato nga Ankaraja dhe Pekini u rritën përkatësisht me 14% dhe 11%. Nëse trendi do të vazhdojë të jetë kështu, atëherë nga mesi i viteve 2020 Italia mund të humbasë titullin e partneres së parë tregtare të Shqipërisë.
Gjermania po luan një rol kryesor në këtë proces erozioni: ajo hyri në renditjen e pesë partnereve kryesore tregtare të Shqipërisë në 2015, duke zënë pozicionin e katërt dhe, që nga ajo kohë, ka treguar gatishmërinë e saj për të mbrojtur me këmbëngulje këtë status dominimi. Vitin e kaluar, pika e kthesës: rritja e jashtëzakonshme e eksporteve të produkteve shqiptare në tregun gjerman, + 12.8% krahasuar me 2019; rritja më e madhe ndonjëherë midis të gjithë partnerëve tregtarë të Tiranës – përshpejton ngjitjen e pashmangshme të Berlinit nga vendi i katërt në të tretin.
Investimet
Përveç këmbimit tregtar, Gjermania po përdor investime dhe diplomaci kulturore për të rritur peshën e saj brenda skenës shqiptare. Për nga rëndësia, Berlini është investitori i njëmbëdhjetë i drejtpërdrejtë në Shqipëri, ku ka një prani veçanërisht të fortë në energji, infrastrukturë dhe turizëm; tre sektorë të cilët më 27 janar ishin objekt i një serie marrëveshjesh.
Në fakt, në fund të muajit, midis ambasadorit gjerman në vend, Peter Zingraf dhe ministres së energjisë dhe infrastrukturës së Shqipërisë, Belinda Balluku, u firmosën tre dokumente të rëndësishme në fushat e energjisë – restaurimi i hidrocentralit të Fierzës, më i madhi në vend, nga specialistët gjermanë, investimet – disbursimi gjerman i 50 milionë eurove gjatë katër viteve për të promovuar zhvillimin e integruar rajonal dhe turizmin përmes forcimit të rrjetit infrastrukturor – dhe mjedisin – ose mbështetje në “menaxhimin e qëndrueshëm të mbeturinave”.
Gjermanishtja flitet gjithnjë e më shumë në Tiranë
Më në fund, ekziston kultura, një sferë në të cilën Gjermania po përqendrohet shumë. Falë lëvizjes së migrimit nga Tirana në Berlin, duke filluar nga viti 2018 universitetet gjermane njohin zyrtarisht kualifikimet e sistemit të arsimit të lartë shqiptar dhe lëvizja e studentëve është rritur përmes programeve të shkëmbimit.
Tema lidhet me promovimin e gjuhës gjermane, një lëndë zyrtare e mësuar në gjashtë shkolla që marrin pjesë në iniciativën ”Partnerët për të Ardhmen” dhe një objekt me interes në rritje nga ana e të rinjve shqiptarë. Për të dhënë një ide për madhësinë e fenomenit, mendoni se Instituti ”Goethe” i Tiranës në vitin 2016 duhej të transferonte aktivitetet e tij në një ndërtesë më të madhe për të përballuar në mënyrë adekuate një kërkesë shpërthyese: 4 000 studentë të regjistruar në atë kohë, duke rritur 22% krahasuar me vitin e kaluar.
Ballafaqimi me faktorin gjuhësor me kujdesin e duhur është thelbësor: sferat e ndikimit ruhen gjithashtu përmes punëve të kushtëzimit dhe ngjitjes kulturore dhe interesi dhe magjepsja e një populli ndaj një gjuhe janë tregues i gjendjes shëndetësore të një lidhjeje midis kombeve. Situata aktuale, përsëri, duhet të shqetësojë Romën: ndërsa gjuhë të tilla si anglishtja, gjermanishtja dhe turqishtja po fitojnë besueshmëri dhe popullaritet, në vitet e fundit ka pasur protesta studentore kundër imponimit të mësimit të detyrueshëm të italishtes.
Rëndësia e Shqipërisë
Shqipëria përbën gurin e themelit për hegjemonizimin e Gadishullit të Ballkanit dhe pasja e një ndikimi vendimtar mbi këtë komb të lashtë është e barabartë me hipotekimin e të ashtuquajturit “brezi e shqiponjave” – trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup – një brez për një nisje shumëdrejtimëshe, i aftë për të projektuar lojtarin simultan të radhës në Greqi, Bullgari, Serbi, Bosnje dhe Adriatik.
Kush kontrollon brezin e shqiponjave rrit dhjetëfish shanset për të qenë në gjendje të ndërtojë një pozicion hegjemonik në Ballkan, i cili, nga ana tjetër, duke qenë thembra historike e Akilit e Europës, është thelbësore për të kushtëzuar dinamikën politike të Kontinentit të Vjetër. Është për shkak të kësaj arsyeje, shpesh të keqkuptuar dhe / ose të lënë pas dore në botën e analizave gjeopolitike, që fuqitë e mëdha rajonale dhe ekstrarajonale janë interesuar për fatin e Tiranës dhe të motrës së tyre, Prishtinës, që nga fundi i Luftës së Ftohtë duke përfituar nga ngjarjet në Jugosllavi dhe humbja e fuqisë dhe ndikimit të garantuesit historik, Italisë.
Turqia dhe SHBA janë lojtarët të cilët kanë qenë në gjendje të përfitojnë më së shumti nga dinamika e pasluftës, e para në kontekstin e zgjerimit neo-Osman në Ballkan dhe e dyta në kontekstin e zgjerimit të Aleancës Atlantike dhe kufizimit të Serbisë (dmth Rusisë), por edhe një numër vendesh po kërkojnë kontrollin e zemrës së brezit të shqiponjës: Kina, Izraeli, Irani, petromonarkitë e Gjirit, Franca, Gjermania dhe Vatikani.
Shqiptarët nuk duket se po flasin më italisht, gjithashtu dhe mbi të gjitha për shkak të zgjedhjeve të gabuara, neglizhencës dhe mungesës së parashikimit nga ana e klasës sunduese të Italisë; çështja është, megjithatë, se largimi i Tiranës është i barabartë me humbjen e një vendi të çmuar në Adriatik dhe në Ballkanin Perëndimor. Roma është paralajmëruar./atsh/ KultPlus.com
Një nga pikat më të rëndësishme të rendit të ditës në mbledhjen e zgjeruar vjetore të Asamblesë së ASH-së, që u mbajt më 29 janar 2021, ishte edhe ngritja e Qendrës së Botimeve Albanologjike e Enciklopedike pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Vendimi që të ngrihet njësia e kërkim-studimit me emërtimin Qendra e Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike (QBAE) pranë ASH u propozua nga Kryesia dhe mori pëlqimin njëzëri të anëtarëve të Asamblesë në mbledhjen e zgjeruar të saj më 29 janar 2021.
Kjo qendër ngrihet për të organizuar, drejtuar e realizuar punën në hartimin e tre projekteve madhore në Albanologji: Enciklopedia Shqiptare, Fjalori i Madh i Shqipes, Historia e Shqiptarëve si dhe Historinë e Letërsisë Shqipe.
Drejtimi ekzekutiv-administrativ dhe ai shkencor i Qendrës së Botimeve Albanologjike e Enciklopedike QBAE do të bëhet përkatësisht nga Drejtori i Qendrës së Projekteve dhe të Koordinimit Shkencor, prof. Irakli Koçillari, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv; bibliotekarja e ASH në cilësinë e sekretares teknike dhe këshilli shkencor në përbërjen e të cilit janë Sekretari Shkencor i ASH akad.Shaban Sinani, akad. Pëllumb Xhufi, prof. Neritan Ceka, akad. Jani Thomai, prof. Valter Memisha, prof. Emil Lafe, akad.Marenglen Verli, akad. Ilirjan Malollari.
Propozimi i kryesisë u bë i shoqëruar me preventivat orientuese dhe platformat paraprake të hartuara nga grupet e punës dhe komisionet përkatëse, në bashkëpunim me përfaqësues të ASA-s, e pas konsultimit me ASHAK-un e marrjes së konfirmimit në parim të tyre për bashkëpunim.
Kryetari i ASH, akad. Skënder Gjinushi në raportin e Kryesisë, për këtë çështje, theksoi se “forcimi i rolit aktiv të Akademisë së Shkencave në kërkim-studim nëpërmjet drejtimit e realizimit të projekteve madhore në albanologji dhe krijimit të kushteve për thithjen dhe drejtimin e projekteve të tjera do të jetë një prioritet tjetër i rëndësishëm jo vetëm për këtë vit, por edhe me një shtrirje në disa vjet”.
Fillimi i punës për hartimin e tri veprave madhore albanologjike: Enciklopedia shqiptare, Fjalori i madh i shqipes dhe Historia e shqiptarëve; si dhe organizimi me sukses i konferencës ndërkombëtare të albanologjisë, përbëjnë angazhimin tonë kryesor gjatë këtij viti. Marrja prej Akademisë së Shkencave, në bashkëpunim me ASHAK-un, e rolit organizator në hartimin e tri projekteve madhore shqiptare, realizon një prej objektivave kryesorë të reformës, atë të rolit strategjik në zhvillimin cilësor të shkencave albanologjike.
Për realizimin e kësaj ndërmarrjeje të madhe pranë Akademisë së Shkencave do të ngrihet qendra e botimeve albanologjike e enciklopedike (QBAE), hap për të cilin kërkohet dhe pëlqimi i kësaj Asambleje. Ndërkohë, janë hartuar preventivat orientuese e platformat paraprake të domosdoshme për fillimin e punës zbatuese, në bashkëpunim me përfaqësues të ASA-s, me anëtarë të Asamblesë e të komisioneve. Ato janë konsultuar me ASHAK-un dhe është konfirmuar miratimi në parim i tyre. / atsh / KultPlus.com
Kisha e Shirqit e ndërtuar në Dajç të Shkodrës, e ndërtuar në shekullin e VI, është sot një nga monumentet me vlerë në Shqipëri për nga pikëpamja historike dhe arkitektonike por ajo çfarë ka mbijetuar nga rrebeshet e historisë dhe kushteve klimaterike, është vetëm kjo anë muri.
Sot, për shkak të vërshimit të lumit Buna, edhe kjo dëshmi rrezikon të zhduket.
Kjo zonë me bukuri të rralla natyrore, mund të shërbejë edhe për turizëm historiko-kulturor prandaj ai bën apel për ndërhyrje emergjente.
Themelet e kësaj kishe bashke me varrezat e Shirqit, vijojnë ende luftën për ekzistence me ujërat e rrëmbyeshëm të Bunës, një luftë të cilën nëse nuk do të ndërhyhet shumë shpejt për ta mbrojtur, do të humbasë duke shkatërruar dhe fshirë një dëshmi të fortë të identitetit shqiptar./tch/ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama tha se, “krijimi i resortit të parë të skive në Shqipëri, në zonën e Nikolicës, do të sjellë shumë më tepër turistë, në Korçë”.
Gjatë një bashkëbisedimi të dielën, me qytetarë në Korçë, Rama theksoi se “Korça sot nuk është më në fazën a do të ketë më turistë, nuk e ka më Korça këtë problem. Korça ka hyrë në një fazë që do të ketë problemin si do të përballojë turistët dhe mendoj se ne kemi dhe disa ndërhyrje të tjera për të bërë këtu, siç është ajo për krijimin e resortit të parë të skive në Shqipëri në zonën e Nikolicës, që është një ndërhyrje që do të sjellë shumë më tepër turistë”- tha Rama .
“Unë kam parë një pistë që është modeste këtu afër dhe është e përmbytur nga kërkesat dhe nga studimi që kemi bërë, jemi mahnitur që janë afro 1 mijë shqiptarë shkojnë në resorte dimërore skishë çdo vit”, tha ai.
“Afro 1 mijë është statistikë nuk është opinion. Pra janë shqiptarë që shpenzojnë pa llogaritur këtu se çfarë mund të sjellë Korça të huaj. Provat tashmë janë, vetëm nga Fesat e Birrës e cila filloi si festë lokale u kthye, në një destinacion me fluks vizitorësh që vinin nga Greqia, Maqedonia e Veriut dhe të tjerë, për të marrë pjesë në këtë festë”- u shpreh kryeministri.
Ndërsa kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, u shpreh se “lajmi që dha Kryeministri Rama, për ndërtimin e resortit dimëror të skive, është fantastik dhe i garanton Korçës 4 deri 5 muaj turizëm në sezonin e dimrit”.
Ndërsa duke veçuar diversifikimin e ofertës turistike në Korçë, Filo tha se, “kemi disa iniciativa interesante siç është ajo në Turan, ku me mbështetjen AZHBR –së është vendosur pista e hipizmit, ku dy vëllezër të apasionuar kanë bërë një hipodrom me stalla dhe pistë për kuajt ku ofrojnë shëtitje me kuaj dhe kurse për hipizmin”.
Gjithashtu tha ai, dua të diskutoj me kryeministrin edhe për pistën në Rumalasë, që mundtë shndërrohet në një aeroport për fluturimet turistike dhe sportive, që nxit më tej turizmin në këtë bashki.
“Javën e fundi balonat që erdhën në Korçë, ishin një atraksion i veçantë që solli aeronautistë nga Selaniku në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Aeronautikës dhe nëse krijojmë një fushë bari për këto lloj fluturimesh mund të krijojmë hedhje me parashutë duke shtuar kështu ofertës turistike në Korçë”- tha Filo.
Rama theksoi se, “sfida në Korçë është si do të përballojë kërkesat, sidomos në periudhën e fundjavës. Nga ana tjetër si do të zgjerohet koha e qëndrimit për të mos ardhur vetëm në fundjavë, por në kohë edhe më të gjatë. Pra është një situatë shumë pozitive për Korçën. Patjetër që ka këtu dhe kudo, një pjesë njerëzish që janë larg këtyre zhvillimeve. Por nuk ka një formulë magjike prandaj duhet parë se ku ishim për të marrë forcë , për të marrë energji dhe për të vazhduar që të shkojmë aty ku duhet, të shkojmë përpara deri sa e kemi bërë këtë rrugë. Se dikur thonin fasada, fasada, por po të bëjmë një llogari sa vende pune kanë hapur “fasadat”, është pikërisht ai fillimi i ndryshimit që ka ndodhur . Sepse për çfarë duhet të vinin njerëzit më parë në Korçë, vinin vetëm, për të takuar të afërmit, normalisht, kurse sot çdo vit e më shumë kamë shumë arsye për të ardhur në Korçë, dhe detyra jonë është të shtojmë arsyet për të ardhur se kështu do shtojmë ditët e qëndrimit këtu”- deklaroi Rama. /atsh/ KultPlus.com
Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe kryesia e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës zhvilluan sot në Tiranë një takim zyrtar ku diskutuan për projektet madhore në albanologji: “Enciklopedia shqiptare”, “Fjalori i madh i gjuhës shqipe” si dhe për kuvendin ndërkombëtar të studimeve albanologjike, që do të mbahet sivjet në muajin nëntor.
Akad. Skënder Gjinushi, kryetar i ASHSH, paraqiti në fillim hapat që janë hedhur për këto projekte e nisma, duke përfshirë përgatitjen e platformave paraprake, parashikimin e shpenzimeve, arritjen e dakordësive parimore me ASHAK-un dhe miratimin e një buxheti ekstra nga Këshilli i Ministrave për një shtesë prej 100 milionë lekë të reja.
Kryetari i ASHAK akad. Mehmet Kraja tha se dokumentet paraprake janë diskutuar në Kryesi dhe në seksionin e gjuhësisë dhe kanë marrë pëlqim. Tani duhet t’i paraqiten për miratim kuvendit të ASHAK, në njërën nga dy mbledhjet e rregullta vjetore të tij: në shkurt ose në qershor, që është koha e rishikimit të buxhetit nga Qeveria e Kosovës.
Akademikët u dakortësuan në propozimet për krijimin e grupeve të punës për kuvendin e studimeve shqiptare, enciklopedinë dhe fjalorin që të bëhen e të miratohen në mbledhjen e muajit shkurt.
Përbërja e grupeve të punës do të jetë nga pesë vetë për secilën palë, kurse për fjalorin nga tre vetë.
Gjithashtu në këtë takim, u vu në dukje se puna për fjalorin është më e mundshme për të filluar menjëherë, sepse tashmë leksiku i shqipes së shkruar dhe të asaj të folur në Kosovë është mbledhur, ndërsa në Tiranë kartoteka e leksikut të shqipes përmban 15 milionë njësi leksikore, duke përfshirë dialektet dhe format e tyre.
Akad. Gjinushi theksoi se këto nisma kanë të bëjnë me konceptin që dy akademitë të funksionojnë si në një rrjetëzim shkencor, duke qenë në zgjidhje të përbashkëta programore. /atsh/ KultPlus.com
Asambleja e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë miratoi njëzëri vendimin e kryesisë së saj për aderimin në Lëvizjen për Luftën Kundër Antisemitizmit.
Në një letër drejtuar Robert Singer (Chairman Center of Jewish Impact Senior Advisor to the Combat Anti-Semitism Movement) dhe shkëlqesisë së tij z. Noah Gal Gendler, ambasador i Shtetit të Izraelit në Tiranë, Skënder Gjinushi, në emër të Akademisë së Shkencave, i informon ata se forumi më i lartë vendimmarrës i ASH-së, në mënyrë të njëzëshme vendosi të miratojë propozimin e Kryesisë për aderimin e këtij institucioni në Lëvizjen për Luftën kundër antisemitizmit (Combat Anti-Semitism Movement), duke miratuar përkufizimin e përdorshëm për antisemitizmin sipas kuptimit në dokumentin e Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (Insternational Holocaust Remembrance Alliance – IHRA).
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi, deklaroi se “duke qenë se shteti shqiptar është vend bashkëthemelues i Forumit Ndërkombëtar të Holokaustit, duke qenë se shteti shqiptar si vend organizator i Forumit të Ballkanit kundër Antisemitizmit ka pranuar interpretiminin e antisemitizmit sipas përcaktimit nga Lëvizja kundër Antisemitizmit dhe është anëtarësuar në këtë lëvizje, duke qenë se Akademia e Shkencave është bashkëhartuese e Ligjit për “Ditën e Kujtesës” dhe organizatore e shumë konferencave shkencore në përputhje me të, duke qenë se botimet shkencore të Akademisë së Shkencave dhe bashkëpunëtorëve të saj kanë luajtur një rol të rëndësishëm për njohjen ndërkombëtare të rolit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve gjatë SHOAH, Asambleja e Akademisë së Shkencave ka vendosur të aderojë si intitucion në nismat ndërkombëtrare IHRA dhe CAM”.“Ky vendim të shpallet me rastin e Ditës së Ndërkombëtare të Kujtesës, që është 27 Janari 2021. Pikërisht për këtë arsye ne sot bëjmë publik këtë vendim tonin, i cili iu është transmentuar institucioneve përkatëse dhe për pasojë Akademia e Shkencave e Shqipërisë është anëtare e Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokasutit”, – tha kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi. Më pas akad. Shaban Sinani, sekretari shkencor në Akademinë e Shkencave, bëri të ditur për mediet se vendimi që mori Asambleja e Akademisë së Shkencave u është bërë i njohur menjëherë organizatave ndërkombëtare që bënë regjistrimin e subjekteve qofshin shtetërore, qofshin institucionale, qofshin edhe individë, për ta regjistruar si një institucion që e ka pranuar përkufizimin sipas dy organizatave IHRA dhe CAM. “Në përgjigje të letrës që i është dërguar kësaj organizate, presidenti i Qendrës së Ndikimit Hebre, Robert Singer është shprehur me vlerësimet më të larta për këtë hap që është hedhur nga Akademia e Shkencave, duke e quajtur “një vendim të jashtëzakonshëm” të saj dhe duke e konsideruar një “hap kolosal” që një akademi kaq prestigjoze si Akademia e Shkencave të Shqipërisë, jo vetëm përcakton pozicionin e saj në lidhje me termin antisemitizëm në kuptimin e sotëm dhe në kushtëzimet që ka termi me Holokaustin, por edhe si dhe një hap që mund të ndikojë për mirë që institucione të tjera akademike dhe universitare, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe me gjerë, në prag të Ditës së Kujtesës apo edhe më tej, të hedhin një hap emancipues për një shoqëri të lirë”, – tha akad. Shaban Sinani.Edhe në letrën përshëndetëse të ambasadorit të Izraelit në Tiranë, Noah Gal Gendler, dërguar kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushit, është shprehur se “populli shqiptar ka mbajtur gjithmonë anën e vërtetë të historisë”./atsh/ KultPlus.com
Asambleja e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë miratoi njëzëri vendimin e kryesisë së saj për aderimin në Lëvizjen për Luftën Kundër Antisemitizmit.
Në një letër drejtuar Robert Singer (Chairman Center of Jewish Impact Senior Advisor to the Combat Anti-Semitism Movement) dhe shkëlqesisë së tij z. Noah Gal Gendler, ambasador i Shtetit të Izraelit në Tiranë, Skënder Gjinushi, në emër të Akademisë së Shkencave, i informon ata se forumi më i lartë vendimmarrës i ASH-së, në mënyrë të njëzëshme vendosi të miratojë propozimin e Kryesisë për aderimin e këtij institucioni në Lëvizjen për Luftën kundër antisemitizmit (Combat Anti-Semitism Movement), duke miratuar përkufizimin e përdorshëm për antisemitizmin sipas kuptimit në dokumentin e Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (Insternational Holocaust Remembrance Alliance – IHRA).
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi, deklaroi se “duke qenë se shteti shqiptar është vend bashkëthemelues i Forumit Ndërkombëtar të Holokaustit, duke qenë se shteti shqiptar si vend organizator i Forumit të Ballkanit kundër Antisemitizmit ka pranuar interpretiminin e antisemitizmit sipas përcaktimit nga Lëvizja kundër Antisemitizmit dhe është anëtarësuar në këtë lëvizje, duke qenë se Akademia e Shkencave është bashkëhartuese e Ligjit për “Ditën e Kujtesës” dhe organizatore e shumë konferencave shkencore në përputhje me të, duke qenë se botimet shkencore të Akademisë së Shkencave dhe bashkëpunëtorëve të saj kanë luajtur një rol të rëndësishëm për njohjen ndërkombëtare të rolit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve gjatë SHOAH, Asambleja e Akademisë së Shkencave ka vendosur të aderojë si intitucion në nismat ndërkombëtrare IHRA dhe CAM”.
“Ky vendim të shpallet me rastin e Ditës së Ndërkombëtare të Kujtesës, që është 27 Janari 2021. Pikërisht për këtë arsye ne sot bëjmë publik këtë vendim tonin, i cili iu është transmentuar institucioneve përkatëse dhe për pasojë Akademia e Shkencave e Shqipërisë është anëtare e Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokasutit”, – tha kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi.Më pas akad. Shaban Sinani, sekretari shkencor në Akademinë e Shkencave, bëri të ditur për mediet se vendimi që mori Asambleja e Akademisë së Shkencave u është bërë i njohur menjëherë organizatave ndërkombëtare që bënë regjistrimin e subjekteve qofshin shtetërore, qofshin institucionale, qofshin edhe individë, për ta regjistruar si një institucion që e ka pranuar përkufizimin sipas dy organizatave IHRA dhe CAM.
“Në përgjigje të letrës që i është dërguar kësaj organizate, presidenti i Qendrës së Ndikimit Hebre, Robert Singer është shprehur me vlerësimet më të larta për këtë hap që është hedhur nga Akademia e Shkencave, duke e quajtur “një vendim të jashtëzakonshëm” të saj dhe duke e konsideruar një “hap kolosal” që një akademi kaq prestigjoze si Akademia e Shkencave të Shqipërisë, jo vetëm përcakton pozicionin e saj në lidhje me termin antisemitizëm në kuptimin e sotëm dhe në kushtëzimet që ka termi me Holokaustin, por edhe si dhe një hap që mund të ndikojë për mirë që institucione të tjera akademike dhe universitare, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe me gjerë, në prag të Ditës së Kujtesës apo edhe më tej, të hedhin një hap emancipues për një shoqëri të lirë”, – tha akad. Shaban Sinani.
Edhe në letrën përshëndetëse të ambasadorit të Izraelit në Tiranë, Noah Gal Gendler, dërguar kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushit, është shprehur se “populli shqiptar ka mbajtur gjithmonë anën e vërtetë të historisë”. /atsh/ KultPlus.com
Historia e Hasan Kadukut është shembulli i atyre njerëzve të cilët vendosën që të ndjekin pasionin e tyre në jetë dhe t’ja dalin të lënë gjurmë. Nga një çirak pranë dyqanit të dajës së tij ai arrin të hedhë bazat e para të stomatologjisë në Shqipëri.
Madje aq i njohur ishte në kohën e tij sa At Gjergj Fishta do ta përshkruante kaq bukur punën e tij. “Asnjëherë nuk jam përkulur, as prej shkaut e as prej ukut, por rri e bëhem pulë te karrigia e Kadukut”.
Hasan Kaduku u lind në vitin 1865 në Shkodër. Që në moshë të re shkon në Stamboll për të vazhduar shkollën, ku vendoset pranë dajës së tij Fetah Lini, ku fillon dhe punë. Atje njihet me dijetarë të kohës, nga të cilët merrte edhe mësime mistike, si dhe filloi mësimin përmendësh të Kur’anit. Sipas kronikanit Hamdi Bushati, mësuesit e tij kishin vënë re se kishte disa probleme me dhëmbët e parë të cilët i kishin rënë dhe bënin që të mos i shqiptonte qartë shkronjat arabe me “texhvid”, të cilët duan një vokalitet shumë të pastër. Nga dashuria që kishte për Kur’anin, ai vendos fillimisht që paralel me mësimin e Kur’anit, të rregullojë edhe dhëmbët, ku u njoh edhe me profesionin e dentistit, të cilin e dashuroi menjëherë. Kështu ai i lutet dentistit të tij, që ta merrte në punë, por dentisti i thotë se nuk ka nevojë.
Hafiz Hasani i thotë se, “ti nuk ke nevojë për mua, por unë kam nevojë për ty dhe jam gati të të paguaj rrogë, vetëm të rri pranë teje dhe të mësoj profesionin”, e kështu ndodhi. Më vonë fillon praktikën edhe pranë dentistit të famshëm Halid Shenazi Bej dhe më pas dhe te profesor Dionizi me kombësi armene. Pasi siguron lejen e ushtrimit të profesionit, ai kthehet në vendlindjen e tij, në Shkodër.
Kështu ai për një kohë të shkurtër rreth tre vjeçare bëhet Hoxhë dhe dentist.
Hafiz Hasani sapo u kthye nga Stambolli në Shkodër, fillon ushtrimin e këtij zanati, duke hapur një klinikë portative, duke shkuar në shtëpitë e atyre që kishin nevojë, siç shkonin edhe mjekët e tjerë. Por nga dëshira e madhe për profesionalizëm të plotë sapo u hap Fakulteti i Stomatologjisë në Universitetin e Stambollit (1907), pasi punoi disa vjet si dentist diletant, në një moshë kur tashmë ishte familjar dhe me fëmijë, shkon përsëri në Stamboll, ku nga tre vjet studimi, që kishte fakulteti, ai i kryen studimet për dy vjet, favor ky që iu bëhej atyre që kishin njohuri praktike disa vjeçare. Hafiz Hasani arrin të bëhet një nga studentët më të përparuar të fakultetit, pavarësisht moshës së tij afërsisht 40 vjeçare. Madje familjarët e tij tregojnë se edhe letrat që i vinin nga familja nuk i hapte deri në fundjavë, për të mos u shkëputur nga mësimet. Ai diplomohet më 1908 dhe kthehet në vendlindje si i pari mjek stomatolog, apo siç njihej ndryshe “mjek dhëmbësh” me diplomë universiteti, jo vetëm në Shkodër, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Ai njihte gjithashtu shumë mirë arabishten, osmanishten dhe frëngjishten.
Hafiz Hasan Kaduku mbahet si njeriu që vuri bazat e shërbimit stomatologjik modern në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër.
Kronikani Hamdi Bushati tregon se Hafiz Hasan Kaduku e ushtroi profesionin si dentist në disa qytete të Shqipërisë dhe në Mal të Zi. Kronikat e asaj kohe tregojnë që Hasan Kaduku, me zotësinë e një dentisti të talentuar, tërhoqi vëmendjen e të gjithë bashkëqytetarëve të tij, duke krijuar një klientelë të gjerë edhe jashtë kufijve të vendit, si p.sh. në Mal të Zi. Të gjithë konsujt e huajt që ishin të akredituar në Shkodër, si dhe personalitete të viseve të tjera të vendit, kishin si dentist (apo siç quhej atëherë mjek dhëmbësh) të tyre Hafiz Hasan Kadukun. Shkodra në fillim të shekullit XX, duke qenë një prej pikave më perëndimore të Perandorisë Osmane, kishte pesë konsullata të huaja, personeli i të cilëve bëheshin shpeshherë pacientë të Hafiz Hasanit. / KultPlus.com
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në nderim të 85-vjetorit të akademikut Ismail Kadare, do të organizojë një veprimtari shkencore me temën “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore”, përcjellë KultPlus.
Gjatë kësaj veprimtarie do të prezantohen disa kumtesa dhe pas kumtesave, Akademia ka bërë me dije se do të jepet edhe njoftimi për rikandidimin e shkrimtarit Ismail Kadare për çmimin Nobel në Letërsi nga kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi.
Veprimtaria do të mbahet më 28 janar 2021, ora 12.00, në Akademinë e Shkencave, në sallën “Akademikët”. / KultPlus.com
Muzetë, parqet arkeologjike dhe kalatë në vendin tonë u vizituan gjatë vitit 2020 nga turistë vendas dhe të huaj, edhe pse ishte vit vështirë për shkak të pandemisë.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, bëri të ditur se “vitin e kaluar monumentet e kulturës u vizituan nga 62 627 vizitorë, ndërsa janë mbledhur 11,698,370 lekë të ardhura”.
“Edhe pse një vit i vështirë, nuk e ndalëm punën në promovimin e trashëgimisë kulturore. Shifrat, ndonëse më të ulëta se një vit më parë, tregojnë se shqiptarët e duan të bukurën dhe trashëgiminë kulturore. Kjo, falë edhe politikave për nxitjen turizmit vendas”, theksoi Margariti.Ministrja Margariti shprehet se “ftesa jonë qëndron e hapur, vizitoni kalatë, këtë pjesë të historisë dhe trashëgimisë sonë”.
Shqipëria me bukuritë e saj natyrore, historike dhe kulturore vazhdon të mbetet atraksioni turistik i preferuar i turistëve të huaj dhe përgjatë 2019.
Si një destinacion turistik i njohur për shumë turistë nga shumë vende të botës, Shqipëria gjithnjë e më shumë po bën për vete turistë dhe vizitorë të huaj, të cilët rezervojnë udhëtime turistike në qytete të ndryshme të Shqipërisë përgjatë sezonit veror dhe dimëror. /atsh/ KultPlus.com
Llogoraja prej ditësh ështe veshur me petkun e dëborës. Pamjet që përcjell kryeministri Edi Rama nga Llogorja tregojnë një vend të mrekullueshëm për t’u vizituar edhe në mot të ftohtë.
Ndërkaq, rruga e vështirë deri atje është e hapur për qarkullim, pasi ekipet e mirëmbajtjes hedhin kripë dhe monitorojnë aksin. / atsh/ KultPlus.com
Aleksia dhe Vasja janë motra binjake, 20 vjeçe që studiojnë në Universitetin e Pensilvanisë, SHBA. Por kanë vendosur ti vijnë në ndihmë fëmijëve me kancer në Shqipëri.
Aleksia thotë se ishte 12 vjeçe kur dhuroi për herë të parë flokët në Amerikë. Por pas dy vitesh, kur iu rritën flokët donte që ti dhuronte ne Shqipëri, për fëmijët që iu bien flokët nga kimioterapia.
Së fundmi kanë hapur një organizatë jofitimprurëse për të mbledhur fonde për flokë artificialë që më pas do t’u dhurohen këtyre fëmijëve. Në emisionin “Ftesë në 5” motrat treguan librin e krijuar për fëmijë. Është një libër me vizatime, ngjyrosje dhe ushtrime matematikore për fëmijët 4-8 vjeç. Fitimet nga shitjet e librit do të shkojnë për të prodhuar flokë.
Vajzat shprehen se kanë gjetur shumë mbështetje: “Është kënaqësi e madhe që kemi mbi 200 vajza që kanë dhuruar flokët”.
Të dyja kanë ecur në të njëjtat hapa, duan të bëhen mjeke dhe të merren me kërkime shkencore por shprehen të vendosura se këtë kauzë do ta vazhdojnë./tch/ KultPlus.com