Bebe Rexha ndërton shtëpinë e njërës nga familjet që u dëmtua nga tërmeti në Shqipëri

Kanë përfunduar punimet e shtëpisë pas tërmetit në Shqipëri që Bebe Rexha kishte marrë përsipër.

Këtë e bëri të ditur për publikun vetë ajo me një postim në Instagram e cila tha se është shumë e gëzuar.

“Shtëpia e parë është ndërtuar! Faleminderit të gjithëve që dhuruan për mbledhjen e fondeve për tërmetin në Shqipëri! Faleminderit @ monika.kryemadhi për ndihmën tuaj për ta bërë të mundur këtë! Një pamje kaq e bukur për të parë. Vetëm në kohë për pushime !!! Dashuri për familjen Bubq! Asgjë nuk më përmbush më shumë!”, ka shkruar Bebe.

Ndryshe, menjëherë pas ngjarjes së tërmetit në Shqipëri  muajin nëntor të vitit të kaluar këngëtarja e njohur me famë botërore kishte marrë iniciativën me anë të një fondi humanitar për ndërtimin e disa shtëpive. E para është realizuar në fshatin Bubq të Shqipërisë.

Në videon që Bebe ka publikuar shihet shtëpia para tërmetit dhe pas. Familjarët e kanë falënderuar këngëtaren pa masë, madje në video shihet se kanë vendosur edhe fotografi të këngëtares brenda në shtëpi në shenjë falënderimi. / KultPlus.com

Rrëfimi i një francezi mbi udhëtimin e tij me biçikletë në Shqipëri

Nga Aurenc Bebja

“L’Auto-vélo” ka botuar, të mërkurën e 31 tetorit 1923, në ballinë, rrëfimin mbresëlënës të një francezi që ka vizituar asokohe Shqipërinë me biçikletë, kjo e fundit e njohur ndryshe në Perëndim si “mbretëresha e vogël” ndërsa në Lindje si “kali i djallit”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:  

Araba e Satanit (Kali i djallit)

 “Biçikleta është bërë një përdorim kaq i zakonshëm kudo që është për t’u habitur të shohësh një vend ku makinat qarkullojnë dhe ende të injorojnë përdorimin e “mbretëreshës së vogël”.

Shqipëria është një vend malor, me lugina pjellore dhe disa fusha të bukura këtu dhe atje. Pamja e maleve të saj, neutraliteti i saj politik dhe mikpritja e shkëlqyeshme që gjejmë atje i kanë dhënë asaj emrin e “Zvicrës së vogël” të Ballkanit. Ashtu si helvetët kishin Vilhelm Telin, shqiptarët kanë Skënderbeun, plakun me mjekër të thinjur, profili i tij prej shqiponje përfaqësohet në shumë imazhe popullore. Nëse ky hero, i cili jetoi në shekullin e XV-të, do të ishte kthyer në atdheun e tij dhjetë vjet më parë, ai nuk do ta gjente atë ndryshe nga koha kur luftonte kundër turqve.

Progresi i vetëm që u bë, në fakt, daton vetëm nga lufta, kështu me pushtimin e njëpasnjëshëm nga austriakët, francezët dhe italianët, ky vend u bë me një rrjet të vogël rrugor i cili i mundëson atij tashmë një trafik mjaft të mirë. Një nga rrugët kryesore të ndërtuara nga Aleatët lidh Sarandën me Manastirin. Ishte ajo që bëri të mundur furnizimin e ushtarëve tanë në Maqedoni. Duke bërë këto rrugë, ushtritë futën përdorimin e automobilit në vend. Në kohën aktuale, shumë pronarë dhe tregtarë qarkullojnë me makinë, ndërsa biçikletën, nuk e hasim gjëkundi, përveç disave, të lëna si relike nga ushtarët, dhe të cilat përdoren nga djemtë e Tiranës dhe qyteteve të tjera për të lozur. Pasi u bë e pavarur, e çliruar nga zgjedha turke, Shqipëria, tani më e sigurtë, aspiron të jetë një komb modern, por në zhvillimin e saj ajo ka kaluar nga karroca e buajve tek automobili, duke lënë pas dore biçikletën. 

***

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

U nisa, ditën tjetër, nga Durrësi, që është port, për në Tiranë, kryeqyteti; rreth dyzet kilometra. Rruga, e ngushtë dhe e bardhë, shtrihet përtej një moçali të stërmadh, të një mbretërie bretkosash dhe mushkonjash, pastaj ngjitem në kodrat blu të mbjella me pemë të vogla, kaloj dy lumenj mbi ura prej druri, dërrasat e të cilave luajnë daulle kur kalon mbi to, vonohem përsëri nuk e di se ku dhe përfundimisht arrij në Tiranë, një qytet i madh, me xhamitë rozë, minaret e bardha si zambakë, kopshte të rrethuara, shtëpi me dritare me kangjella, në qiellin blu të sorrave të shqetësuara; poshtë, në rrugë, në sheshin publik, përpara pazarit, fshatarë me kostume të rënda prej leshi, qytetarë me xhaketa, priftërinj me rroba të çallmuara dhe, aty-këtu, dy nga dy ose tre nga tre, të gjitha të veshura me të zeza, fytyrat e tyre të mbuluara me perçe të errëta, me sa duket indiferente ndaj botës, duke mos parë asgjë dhe duke parë gjithçka, disa zonja myslimane shëtisin. Hija e tyre është një intrigë, jeta e tyre është një mister. Janë të reja apo të moshuara? Të freskëta apo të venitura? Por mjafton që ato të kenë këmbë të holla (elegante) dhe të mbathura me delikatesë që ne t’i endërrojmë shumë të bukura.

***

Me biçikletë, është e rrezikshme të ëndërrosh për gratë myslimane, sepse nëse shqiptarët kanë një kod civil, unë jam plotësisht i sigurt se ata injorojnë të gjitha hollësitë e kodit rrugor. Ne kryqëzohemi si të mundemi ose më saktë si të duam. Arti është të zgjedhësh vendin më të mirë dhe t’i lësh vend tjetrit. Kur tjetri është një lopë në kuptimin e vërtetë të fjalës, përsëri gjërat mund të shkojnë mirë; Por figurativisht, gjërat mund të shkojnë jo dhe fort mirë. Në rastin e fundit, ju rrezikoni një katastrofë.

Numri i kafshëve që has në një rrugë shqiptare varion nga breshka te lepuri dhe nga kau te mushkonja. Disa nga këto kafshë kanë një karakter dukshëm të ndryshëm nga i yni. Për shembull patat, në vend që të bërtasin (këndojnë) duke zgjatur qafën, fluturojnë larg me fletët e tyre; ndërsa qentë nuk lehin kurrë, shtrihen në mes të rrugës dhe demonstrojnë inteligjencë superiore duke e lënë shoferin të zgjedhë rrugën e tij. Kurse, pulat dhe këmbësorët tregojnë të njëjtën frymë pavendosmërie si në Francë.

Kjo botë e qetë dhe e dorëzuar nuk dridhet nga afrimi i makinave, por pamja e një biçiklete, e kësaj makinerie e cila lëviz përpara pa bërë asnjë zhurmë dhe që i ngjan nuk e di se çfarë hipogrifi, i frymëzon asaj një terror komik. Kurrë nuk do ta harroj atë të një kali të mirë që ecte paqësisht, drejt meje, i ndjekur  nga pasardhësi i tij, në këtë rast foshnja e tij. Shmang fëmijën dhe i bie nënës. Goditja e parë për asgjë, por e dyta hodhi gjithçka për tokë. Ishte një ngarkesë me shalqinj. I zoti i kalit vrapon pas frutave të tij, i grumbullon përsëri dhe më pas i jep atij një goditje të mirë me shkop. Pastaj kafsha më shikoi me sy plotësisht të siguruar : ajo e kuptoi që i zoti i saj nuk kishte vdekur. Frikën që lexova (pashë) në sytë e kafshëve, e gjeta në sytë e disa kalimtarëve. A mund të ishte ndryshe – më tha një zonjë angleze që e njeh mirë këtë rajon – a nuk e dini se turqit i quajnë biçikletat “Araba e Satanit – Kali i djallit”!

*** 

Sidoqoftë, nuk është se sporti është plotësisht i panjohur. Në disa qytete ka ekipe me lojtarë topi (futbolli). Në fund të ditës, në hijen e rrapave shekullorë, djemtë shkojnë të godasin topin, duke i rezistuar mirë lodhjes dhe privimit, kështu të rinjtë shqiptarë duken të talentuar fizikisht, gjithashtu këtë kënaqësi do ta gjejnë edhe në ngasjen e një biçiklete. Ata do të vlerësojnë këtë mjet i cili do t’u mundësojë atyre që të udhëtojnë falas për dy orë e çerek nga Durrësi në Tiranë, ndërsa për të përshkuar të njëjtën distancë, një makine i duhet një orë e gjysmë dhe kushton njëqind franga.

Por që biçikleta të ketë një shans për të fituar terren në këtë vend, është e nevojshme që rrugët të mirëmbahen pak më mirë. Ndërtimi i urave dhe përmirësimi rrugëve është temë aktuale në Shqipëri. Kur të vijë ajo orë — e cila nuk do të vonojë shumë — shërbimet e “mbretëreshës së vogël” do të vlerësohen po aq mirë sa diku tjetër dhe industria franceze e biçikletave, nëse ajo dëshiron të marrë mundimin, do të gjejë në këtë vend një treg, se Shqipëria, pavarësisht grave të saj të mbuluara dhe minareve të saj, nuk gjendet ashtu siç e besojmë shpesh në fund të botës, por vetëm njëzet vende larg Italisë.”

André SERISAT

https://www.darsiani.com/la-gazette/l-auto-velo-1923-rrefimi-i-nje-francezi-mbi-udhetimin-e-tij-me-biciklete-mbretereshen-e-vogel-apo-kalin-e-djallit-ne-shqiperi/ / KultPlus.com

Për herë të parë në Kosovë dhe Shqipëri hapet shkolla për mësimin e instrumentit të lahutës

Nxënësit që do të vijojnë mësimet në këtë shkollë janë të moshave të ndryshme, nga 7 deri në 70 vjeç.

Është hapur për herë të parë në Kosovë dhe Shqipëri shkolla për mësimin e instrumentit të lahutës nën organizimin e shoqatës joqeveritare “Shkabat” në Prishtinë, raporton Anadolu Agency, transmeton KultPlus.

15 nxënës do të ndjekin mësimet mbi këtë instrumenti të vjetër kombëtar për një periudhë prej rreth 6 muajsh.

Shkolla do të bazohet në tri linja të mësimit të instrumentit muzikor: në teorinë mbi lahutën, legjendën e saj dhe tekstet e këngëve që luhen me lahutë; mësimi praktik i të luajturit me lahutë dhe pjesa ku nxënësit do të mësojnë të gdhendin (formojnë) një lahutë.

Studiuesi i folkloristikës, profesori Zymer Neziri, thotë se lahuta ka qenë instrument që është nderuar lartë tradicionalisht ndër shqiptarët. Ai thotë se përpos dasmave dhe vdekjeve lahutarët dhe lahuta kanë pasur nderim të veçantë edhe në rastet e hyrjes në luftë ku ka shërbyer si motivim për ushtarët.

“Lahuta është një traditë që duhet të mbijetojë në kohën e sotme të jetës elektronike. Duhet të mbijetojë për shumë arsye sepse pjesa e identitetit të etnokulturës shqiptare mbështetet edhe mbi këtë instrument. Domethënë, instrumenti paraqet një identitet kulturor të shqiptarëve, të traditës sonë ndër shekuj, nga periudha ilire e këndej. Dhe tjetra, është një traditë e cila nuk duhet të zhduket, por duhet t’i jepet mundësia që të mbijetojë”, theksoi Neziri.

Nxënësit që do të vijojnë mësimet në këtë shkollë janë të moshave të ndryshme, nga 7 deri në 70 vjeç.

Nxënësi më i vjetër i shkollës, 70-vjeçari me prejardhje nga rrethina e Malishevës, Imer Mleçani, thotë se dëshira është që ta mësojë lahutën në nivelin që babai i tij dikur i binte dhe këtë pret ta mësojë nga mësuesit si Isa Muriqi, një i moshuar i anës së Rugovës dhe ekzekutues tradicional me lahutë.

“Unë gjithmonë kam pasur dëshirë ta mësoj lahutën, por ne e lamë pas dore duke u marrë me vegla të tjera muzikore. Kur e marr tash lahutën më kujtohet së pari babai im dhe kam pasur dëshirë që të vij këtu dhe të mësoj t’i bie lahutës ashtu siç i ka rënë babai im”, theksoi Mleçani.

Ndërkohë, nxënësi më i ri në moshë që është bërë pjesë e kësaj shkolle, Arian Latifi (7), thotë se dëshira për të mësuar lahutën dhe jo ndonjë instrument tjetër i ka lindur për shkak se është një ndër instrumentet më të vjetra shqiptare.

“Unë e kam emrin Arian Latifi, kam dëshirë të bëhem i famshëm dhe më pëlqen lahuta. Lahutën e kam zgjedhur sepse është një nga veglat më të vjetra dhe të preferuara të shqiptarëve”, thotë ai.

15 nxënësit e lajmëruar për ta ndjekur këtë shkollë do të ndahen në tre grupe për shkak të respektimit të masave anti-COVID-19. / KultPlus.com

Nga Shtutgarti në Vlorë me biçikletë, çifti gjerman: Krishtlindjet do i kalojmë në Shqipëri (VIDEO)

Daniel dhe Miki po i bien botës me biçikletë. Në turin e tyre të tretë një prej destinacioneve është edhe Shqipëria ku vijnë për herë të dytë, por kësaj here për të qëndruar më gjatë.

Çifti gjerman do t’i kalojë Krishtlindjet në Shqipëri.

“Shqiptaret janë te këndshmen dhe tolerantë. Kultura dhe natyra juaj na beri te vinim serish këtu”.

“Shqipëria është vend me njerëz te dashur dhe natyre te bukur. Kurrë s’na është dashur te mbyllim me çelës bagazhin tone”.

Me biçikletën e tyre dyshe dhe me bagazhin ku kanë gjërat e nevojshme dhe bazike, nuk mungon pema e Krishtlindjeve. Nga Shtutgarti deri në Vlorë ata kanë përshkuar 2730 km.

“Udhëtimi ynë është krejt ndryshe nga udhëtimet e te tjerëve… me një biçiklete dhe pa plan se ku do flemë apo çfarë do hamë është ndjesia e te papritur qe duam te marrim teksa përshkruajmë km pa fund dhe paralelisht ushtrohemi. Gjithmonë gjejmë një mënyre qe t’ia dalim dhe ndihemi te sigurt, çdokush na ofron ndihme kur kemi nevoje”.

Me urimin gëzuar Krishtlindjen, çifti nga Gjermania vijon udhëtimin e tyre me ngjitjen e majës se Llogorasë, duke vazhduar përgatitjen fizike për mijëra kilometrat që i presin për në ndalesën e tyre të fundit Kirgistan./TCH/ KultPlus.com      

Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës, unik në llojin të tij në gjithë rajonin e Ballkanit

Një ndër muzetë e veçantë në Shqipëri është pikërisht Muzeu Kombëtar Etnografik në qytetin e Krujës.

Ky muze e ka zanafillën e krijimit të tij që 20 nëntor të vitit 1989 dhe ndodhet në një objekt të ndërtuar në vitin e largët 1764 që është ish-shtëpia e Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” . Ky objekt është klasifikuar si objekt i Trashëgimisë Kulturore dhe monument kulture i kategorisë së I.

Toptanët që kanë qenë dhe pronarët e dikurshëm të objektit kanë qenë edhe sunduesit e zonës së Krujës dhe njihen si një nga familjet kryesore të vjetra dhe patriotike shqiptare.

Objektet e ekspozuara në këtë muze pasqyrojnë më së miri mentalitetin dhe shpirtin luftarakë dhe krijues të popullit tonë ndër shekuj në fushën e artizanatit, bujqësisë, blegtorisë etj. Këto artefakte dëshmojnë më së miri jetën e popullit tonë ndër shekuj dhe me kalimin e kohës ky muze vazhdon edhe sot të pasurohet me objekte të reja të gjetura që i përkasin periudhave të ndryshme.

Objektet të cilët janë vendosur në këtë muze përveçse përfaqësojnë periudha të ndryshme të historisë së vendit, pjesa më e madhe e tyre janë objekte autentike edhe sot vazhdojnë të jenë funksionalë.

Ky muze është unik në llojin të tij në të gjithë rajonin e Ballkanit për nga stili që përfaqëson dhe është gjithashtu ka dhe cicëron, ç’ka e bën atë të aksesueshëm jo vetëm nga shqiptarët por dhe nga turistët e huaj./atsh/ KultPlus.com

100 vjet nga pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve

Nga Mal Berisha

Lidhja e Kombeve, si një Organizatë Ndërkombëtare erdhi fill pas Konferencës së Paqes të Parisit në vitet 1919–1920. Qëllimi i kësaj Lidhjeje ishte çarmatimi dhe parandalimi i luftërave bazuar në një siguri të përbashkët. Grindjet midis vendeve të ndryshme do të zgjidheshin nëpërmjet bisedimeve, mjeteve diplomatike dhe përmirësimit të mirëqenies globale. Filozofia e Lidhjes ishte e ndryshme me atë çfarë njerëzimi kishte bërë ndër shekuj. Ajo nuk do të kishte ushtri, prandaj mbetej të mbështetej tek forca e armëve e Fuqive të Mëdha, në mënyrë që të detyronte zbatimin e rezolutave të saj, të impononte sanksione ekonomike në raste të caktuara ose të mobilizonte forca ushtarake po ta kërkonin interesat e përgjithshëm.

Në të vërtetë një përpjekje e pasuksesshme ishte bërë në vitet 1899 dhe 1907 për të themeluar një organizatë ndërkombëtare të quajtuar Konfederata e Shteteve të Hagës siç e kishte pagëzuar pacifisti neo-kantian Walther Schücking’. Kjo ide ishte frymëzuar nga Emanuel Kanti në një vepër të tij filozofike të njohur me emrin “Paqa e Përjetshme” – një skicë filozofike e vitit 1795. Ky projekt dështoi për t’i lënë vendin një përpjekjeje tjetër, të ndërmarrë nga Sekretari i Jashtëm Britanik, Eduard Grey në vitin 1915. Ideja e këtij të fundit u përkrah menjëherë nga Presidenti Amerikan Woodrow Wilson dhe këshilltari i tij. Koloneli Eduard M. House. Qëllimi ishte të parandalohej gjakderdhja që po ndodhte në Luftën e Madhe. Formimi i një Lidhjeje të tillë pati në themel të saj Katërmbëdhjetë Pikat për Paqen të formuluara nga Presidenti Amerikan, mbi Vetëvendosjen e Kombeve, nga të cilat pika e fundit thoshte se, duhej të formohej një Organizatë e Përgjithshme Ndërkombëtare bazuar në një marrëveshje të veçantë, me qëllim që të sigurojë garanci reciproke për pavarësinë politike dhe integritetin territorial të shteteve qofshin ato të mëdha apo të vogla. Kjo organizatë u mishërua në atë që njihet si Lidhja e Kombeve, anëtare e 42–të e së cilës u bë Shqipëria, falë mbështetjes së pakursyer të britanikëve.

Roli i Britanisë në anëtarësimin e Shqipërisë

Për të ardhur deri tek anëtarësia e vendit tonë në Lidhjen e Kombeve duhej të ishin patjetër në mbështetje Britania e Madhe dhe SHBA. Ndërsa Eduard Grey e kishte treguar interesin e tij për Shqipërinë në Konferencën e Ambasadorëve të vitit 1913, në Londër, do të duhej Presidenti Amerikan Wilson që të siguronte ekzistencën e shtetit tonë në Konferencën e Paqes në Paris, 1919. Në këtë akt, rol të rëndësishëm kanë luajtur Vatranët e Amerikës nëpërmjet të delegatit të tyre në Konferencë, Reverend Charles Telford Erickson-i, pjesë e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Turhan Pasha. Kjo jo vetëm do të ruante kufijtë e 1913-ës, por do të hapte rrugën për anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhje. Për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombëve kanë ndikuar dy elementë shumë të fuqishëm:

·         Presidenti Wilson, i cili e mbrojti Shqipërinë në Paris, duke e shpëtuar nga copëtimi që i kishte rezervuar Traktati i Fshehtë i Londrës i vitit 1915;

·         Lobimi i fuqishëm i anglezit Aubrey Herbert, me delegacionin britanik të përbërë ose alternuar prej Lordit Robert Cecil, Lordi Balfour dhe historianit M. Fisher. 

Kështu veprimi i parë e ndihmoi të dytin. Shqipëria paraqiti kërkesën për anëtarësi në dhjetor të vitit 1920. Raportin e nënkomisionit për paraqitjen e kërkesës së Shqipërisë, e mbajti Lordi Robert Cecil, përfaqësues i Mbretërisë së Bashkuar, mik i afërt i Aubrey Herbert-it. Ai në argumentet e veta rreth Shqipërisë tha se, ndonëse kufijtë e Shqipërisë ende nuk janë përcaktuar përfundimisht, fakti që vendi ekziston prej disa vitesh brenda këtyre kufijve, e vërteton ekzistencën e tij si shtet. Ndonjë rregullim i mëtejshëm mund t’i lihej së ardhmes. Lordi Cecil tha se Shqipëria duhej pranuar pasi:

 “Ajo prej virtytit përbënte një komb me dëshirë të njëzëshëm të banorëve të vet.”

Ajo çfarë Lordi Robert Cecil kërkoi në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve nuk gjeti përkrahje për shkak të lakmive të fqinjëve dhe shteteve që i mbështesnin ata. Megjithatë, ai lëshoi një apel të fuqishëm për anëtarësimin e Shqipërisë, i cili pati një efekt të jashtëzakonshëm. Në fjalën e tij ai deklaroi:

“Njohja fillimisht e sjell shtetin e ri në familjen e kombeve e më pas, ai vazhdon të ekzistojë që mos të zhduket prej ndonjë pushtimi apo ndonjë marrëveshjeje të përgjithëshme të atyre që e lakmojnë atë; Qeveritë herë pas here ose i arrijnë qëllimet, ose dështojnë t’i arrijnë, por kur ekziston shteti si shtet, ai mbetet.” 

Falë kësaj këmbënguljeje të Lordit Robert Cecil në Komisionin e Pestë të Asamblesë u deklarua si më poshtë:

“Në tërësi ne jemi të mendimit se megjithëse Qeveria e Shqipërisë nuk është tërësisht në pozitën që i takon, prapëseprapë ajo është një qeveri e cila ka një shkallë të caktuar autoriteti në të gjitha pjesët e vendit dhe padyshim përfaqëson një ndjenjë shumë të fortë kombëtare, e cila shpërfill dallimet fetare. Duket gjithashtu se vendi është i banuar prej një race të pastër shqiptare që flet një gjuhë të përbashkët, atë shqipe.”

Argumentet e Lordit Cecil, si dhe puna e delegacionit shqiptar dhe veçanërisht paraqitja e çështjes shqiptare nga Fan Noli, bënë që Shqipëria të pranohej në Lidhjen e Kombeve më datën 17 dhjetor 1920. Ai në mënyre të veçantë theksoi faktin se:

“Kufijtë e Shqipërisë ishin po ata të caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve dhe ajo konferencë nuk ishte abroguar. Ai theksoi faktin se shqiptarët ishin në zotërim të tërë territoreve, përveç një zone në Korçën e liruar nga francezët dhe pushtuar nga grekët.

Në ndihmë të Shqipërisë nga delegacioni britank doli edhe Mr. H. A. L. Fisher, i cili mbështeti fort ruajtjen e integritetit të Shqipërisë dhe gjeti argumente shumë të forta ligjore ndërkombëtare, se përse Lidhja e Kombeve dhe Konferenca e Ambasadorëve, si dy trupa ndërkombëtarë nuk duhet të ndërthureshin në veprimtarinë e tyre në çështjet e kufijve të Shqipërisë, siç kërkonin fqinjët lakmitarë të vendit tonë. Ai deklaroi tekstualisht:

“Këshilli i Lidhjes së Kombeve e vlerëson si të pakëshillueshëm që të merret njëherësh me të njëjtën çështje”.

Ai shtoi se marrëveshja midis shteteve anëtare e përjashtonte ipso facto marrjen me çështjen e kufijve të Shqipërisë nga ana e Lidhjes së Kombeve. 

Më 4 korrik 1921, Kryeministri shqiptar Vrioni, paraqiti në Asamblenë e Lidhjes një apel ku i kërkonte Lidhjes të mos njihte asnjë shmangie nga kufijtë e caktuar prej Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913. Më datën 2 shtator 1921, u miratua një raport i përgatitur prej Lordit Balfour, ish Sekretar i Jashtëm i Britanisë dhe një ndër arkitektët e Lidhjes së Kombeve. Ai i doli zot Shqipërisë, duke e përmbledhur në tri fraza të përgjithshme tërë thelbin e kësaj çështjeje. Andaj ai udhëzoi:

·         Asamblesë t’i kërkohej nga Shqipëria që të vepronte për përcaktimin e kufijve, ndërsa Këshilli të ndalonte dhunimin e tyre;

·         Çështja e statusit të Shqipërisë të zgjidhej përfundimisht me pranimin e saj në Lidhjen e Kombeve;

·         Trajtimi i pakicave rridhte jo nga Traktati i Paqes, por nga Rezoluta e Asamblesë së Lidhjes.

Këto ide të Lordit Balfour u pranuan dhe kjo pati një ndikim shumë të madh në mbarëvajtjen e punëve të mëpastajme të Shqipërisë.

Me 4 tetor, në komisionin e gjashtë të Lidhjes, u paraqit një rezolutë nga prej Lordit nga Afrika e Jugut, Robert Cecil për kufijtë, e cila pas shumë debatesh, pas kuintave, kaloi e plotë duke i bërë një shërbim tjetër të madh çështjes shqiptare. Një kombinim i britanikëve Balfour – Fisher – Cecil nën ndikimin e kolonelit Aubrey Herbert, në Lidhjen e Kombeve, zgjidhi shumë probleme që nxirrnin herë grekët, herë jugosllavët, e herë italianët në forma të ndryshme, sa për pretendime territoriale, ashtu edhe për trajtim të pakicave. Kështu u ra dakord për dhënien e shtetësisë çdo banori të Shqipërisë që kishte mbi dy vjet që jetonte aty pa dallim feje apo etnie. Po kështu lejohej përdorimi i çfarëdolloj gjuhe, por shqipja do të ishte gjuha zyrtare. Gjuha amtare sigurohej të përdorej në gjykata dhe fëmijët e minoriteteve të mësonin gjuhën e nënës së tyre.

Shqetësimet në kufi me Jugsllavinë bënë që kabineti qeveritar britanik t’i kushtonte rëndësi të madhe çështjes së Shqipërisë. Është kjo arsyeja pse britanikët shpallën njohjen e Shqipërisë si qeveri de jure e të gjithë shqiptarëve. Këtë akt e pasuan edhe fuqitë nënshkruese të Konferencës së Ambasadorëve: Franca, Italia, Japonia, duke e njohur qeverinë e Tiranës si një shtet konstitucional të pavarur dhe sovran.

Por siç dihet, telashet me fqinjët Shqipërisë nuk iu ndanë asnjëherë. Është përsëri Lordi Balfour, i cili më datën 12 mars të vitit 1922, paraqet në prani të përfaqësuesve shqiptarë dhe atyre të Komisionit të Lidhjes raportin e mbikëqyrjes së kufijve, në të cilin thotë se:

“…komisioni edhe pse ka vënë re se ka një pakicë greke, (në Korçë) prapëseprapë, vëren se “qyteti është substancialisht i banuar nga shqiptarët dhe është pjesë e tokës shqiptare.”

Anëtarësimi i Shqipërisë mban padyshim vulën e përpjekjeve të patriotëve shqiptarë, por si në çdo moment tjetër të zgjidhjes së çështjeve të mëdha të kombit tonë në shekullin e njëzetë, britanikët gjenden aty. Se si vajti puna me Lidhjen e Kombeve dhe ecurinë e shtetit shqiptar është një temë shumë e gjerë, por nuk mund të lihet mënjanë për asnjë çast kontributi i jashtëzakonshëm i britanikëve dhe pikërisht: Aubrey Herbert, themelues i Komitetit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Edith Durham, Lordit Robert Cecil, Lordit Balfour dhe delegatit britanik H.A.L Fisher.

Përfundimi i Lidhjes së Kombeve

Lidhja e Kombeve funksionoi deri në vitin 1945, kur vendin e saj e zuri Organizata e Kombeve të Bashkuara e themeluar në Konferencën e San Franciskos më datën 24 tetor 1945. Kjo është edhe data kur festohet themelimi i OKB-së. Shqipëria nuk u ftua të merrte pjesë në atë konferencë. Megjithatë, “Vatra” si përherë iu gjet atdheut në krahë dhe dërgoi amerkanin Charles Telford Erickson, i cili gjatë gjithë jetës së tij aq aktive pro-shqiptare, e “bombardoi” me letra Presidentin Truman për të drejtën e Shqipërisë që të ishte pjesë e kombeve të qytetëruara. Shqipëria, u pranua vetëm më datën 14 dhjetor 1955 si anëtare e Kombeve të Bashkuara. Sot objektivi kryesor i diplomacisë shqiptare dhe i tërë shtetit shqiptar është anëtarësimi i shtetit tjetër shqiptar, Republikës së Kosovës në këtë organizatë. / KultPlus.com

Shqipëri-Spanjë, nisin bashkëpunimet për trashëgimi kulturore dhe teknologji

Ministria e Kulturës në Shqipëri ka mbajtur një takim me Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Elva Margariti është takuar me Marcos Alonso Alonso, të cilën ranë në konkludimin se e ardhmja e këtyre dy vendeve qëndron në Bashkimin Europian.

“Trashëgimia kulturore, digjitalizimi dhe komunikimi përmes gjuhës teknologjike janë disa nga fushat, ku interest tona puqen dhe do të na drejtojnë në projekte të përbashkëta”, ka shkruar Margariti në facebook.

Tutje ministrja ka theksuar se janë dakorduar që e ardhmja duhet të nis nga të rinjtë, në mënyrë që të ndjehen europianë. / KultPlus.com

Aktorja shqiptare i vjen në ndihmë Shqipërisë, dhuron shtretër spitalorë, zjarrfikëse dhe autoambulanca

Aktorja shqiptare Zhaklina Dhimojani Blättler, e njohur për rolin e saj te “Mimoza Llastica” ka dhuruar 40 shtretër dhe orendi të tjera spitalore, autoambulancë, gjashtë furgona, dy zjarrfikëse dhe pajisje informatike për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Vetë aktorja u shpreh se ndihmat konsistojnë në krevate, komodina dhe inventarë të ndryshëm që do të përdoren nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për situatën emergjente të COVID-19. Gjithashtu aktorja ka dhuruar edhe 1 autoambulancë, 1 autotransporter për persona me aftësi të kufizuara, 2 minibusë/ dhe 2 autotransporter, 50 laptopë, 2 zjarrfikëse të cilat do të përdoren gjatë emergjencave, shkruan shqiptarja.

Aktorja shqiptare Zhaklina Dhimojani Blättler tash e mbi 30 vjet jeton e punon në Zvicër dhe kjo nuk është hera e parë që ndihmon atdheun. / KultPlus.com

Në Dardhën turistike, ku rruga e re ka shtuar fluksin e vizitorëve

Prej pothuajse dy muajsh, për të shkuar në fshatin turistik të Dardhës, 18 km në juglindje të Korçës, udhëton përmes një rruge të bukur, të standardeve bashkëkohore.

Është një rrugë që përshkon një terren të jashtëzakonshëm malor dhe që të krijon mundësi të bësh një udhëtim të këndshëm, në një peizazh piktoresk, në një mjedis të butë e plot ngjyra, nga ato ngjyra që nuk i has askund tjetër.

Në fakt, rruga e sapo përfunduar, si elementi përcaktues infrastrukturor, e ka plotësuar më së miri këtë tablo që të tërheq pafund në brendësi të saj dhe që të krijon një ndjesi të thellë, teksa pret me padurim për të arritur në destinacion.

Dhe, Dardha vetë, që të shfaqet në një luginë mes malesh, është si “qershia mbi tortë”, në këtë atmosferë ku ngjyrat duket sikur luajnë dhe zëvendësojnë njëra tjetrën. Dhe, ngjyrat e pafundme, janë karakteristike për vjeshtën e tretë, këtu, në këtë zonë malore, ndër më të bukurat e më tërheqëset në të gjithë vendin.

Dardha të tërheq. Të tërheq pa fund. Për atë që vjen këtu, për herë të parë, surprizat e dukshme të saj, të lenë pa frymë. Për të tjerët, mbetet si një minierë e thellë, të cilën nuk arrin ta zbulosh kurrë plotësisht.

-Rruga e rikonstruktuar ka rritur numrin e turistëve dhe vizitorëve-

“Pas përfundimit të rikonstruksionit të rrugës, është rritur numri i atyre që vizitojnë Dardhën”,-thotë Thomai, punonjës në një nga resortet turistike më të njohura në Dardhë. Është fundjavë dhe të gjitha dhomat e këtij resorti, duke përfshirë edhe suitat, janë të prenotuara. Pushuesit, janë nga Tirana, Vlora, Durrësi, Shkodra, si edhe nga Kosova. Kanë ardhur për të shijuar bukuritë e jashtëzakonshme të këtij fshati, ashtu sikundër edhe gatimet tradicionale.

Sipas Thomait, fundjavat janë më të ngarkuarat dhe kapacitetet akomoduese prenotohen pothuajse plotësisht. Por edhe gjatë ditëve të javës, vizitorët janë të shumtë. Rruga ka lehtësuar mjaft udhëtimin, e ka bërë atë komod, çka e ka shtuar interesin e pushuesve për të ardhur këtu.

Janë edhe qindra qytetarë nga Korça, Pogradeci e nga qytete të tjera të afërta, që shfrytëzojnë ditët e pushimit për të kaluar një ditë ndryshe me familjet, për të shijuar natyrën, për të konsumuar një drekë, apo edhe çajin e mrekullueshëm “bio” të trëndafilit të egër, të ëmbëlsuar me një porcion të bollshëm nga mjalti i mrekullueshëm i kësaj zone.

Sigurisht, ky vit i vështirë për shkak të pandemisë së së Covid-19, ka reflektuar edhe në treguesit respektivë të atmosferës turistike në Dardhë, ashtu si edhe në të gjithë vendin. Por, kjo kryesisht tek numri i turistëve të huaj, të cilët në vitet paraardhëse kanë qenë të shumtë. Megjithatë, sipas operatorëve turistikë, kjo rënie e numrit të turistëve të huaj, është kompensuar nga shtimi i pushuesve vendas, si edhe atyre nga Kosova. Aq e vërtetë është kjo sa edhe niveli i të ardhurave për operatorët e zonës, është pothuajse i njëjtë me atë të viteve të fundit.

-Dardha, fshati ku është xhiruar filmi “Dimri i fundit”-

Dardha është fshati ku është xhiruar filmi “Dimri i fundit”, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”, me regji të Ibrahim Muçës dhe Kristaq Mitros.

Ky film, një nga realizimet më të mira në periudhën e para viteve ’90-të, ka fiksuar përjetësisht mjediset e këtij fshati malor, ku dëbora është një nga elementët bashkëshoqërues dhe simbolikë të dimrit në këtë zonë.

Më shumë se 200 persona, pjestarë të stafit realizues të filmit, aktorë, regjisorë, kameramanë, teknikë etj etj, qëndruan në këtë fshat për muaj me radhë në dimrin e vitit 1976, të bllokuar nga dëbora, duke xhiruar skena që mbeten të rralla për nga mënyra e jetësimit.

Edhe sot, i ndesh ato mjedise të sekuencave filmike teksa lëviz në rrugët e fshatit, në atë strukturë të veçantë urbane, që e gjen vetëm në Dardhë, në banesat e gurta, në krojet e këtij fshati ku rrjedh ujë i kristaltë dhe i ftohtë.

“Dimri i fundit”, është një nga simbolikat e historisë së vonë të këtij komuniteti banorësh. Kjo, jo vetëm si vend i xhirimit të një prej filmave më në zë të historisë së kinematografisë shqiptare, por edhe të evokimit të traditave të spikatura të banorëve të kësaj zone.

-Asetet turistike dhe historia, këtu gjenden pranë e pranë-

“Hiqeni maskën, nuk ka nevojë për maskë këtu në Dardhë. Këtu ka vetëm oksigjen, nuk e ndjeni?..”,-Një cift të moshuarish, që vinin përballë nesh, në një nga rrugicat e fshatit, ndaloi për të na përshëndetur dhe për të na treguar se, ajri këtu, në fshat, është aq i pastër dhe i pasur me oksigjen sa sfidon çdo lloj virusi e sëmundjeje.

Ata tregojnë se numri i banorëve që jetojnë gjithë stinët e vitit në Dardhë, tashmë është reduktuar, për shkak të largimit. Një pjesë në emigracion, në SHBA dhe vende të ndryshme të Evropës dhe të tjerë në Korçë, Tiranë e gjetkë. Por, këtu kanë shtëpitë të cilat i kanë rregulluar e përshtatur për t’u kthyer herë pas here për pushime. Por, një pjesë i shfrytëzojnë për bujtina, prej të cilave nxjerrin të ardhura. Dardha, sot, është shndërruar në një model të këtij turizmi, ku, banesat janë rikonstruktuar e përshtatur si bujtina, lokale e objekte të ngjashme që u ofrohen vizitorëve e turistëve të shumtë, që vijnë në çdo stinë të vitit për të shijuar bukuritë natyrore, apo për t’u njohur me historinë, për t’u njohur me kulturën, me traditat, me strukturën urbane e vlerat arkitekturore të trashëguara brez pas brezi.

Sipas legjendës, zanafilla e këtij fshati e ka bazën tek rebelimi i banorëve të krahinave përreth, ndaj pushtuesve osmanë, ndaj politikave asimiluese të aplikuara në shekuj. Prandaj dhe banorët e parë, që u larguan nga kazaja e qendra të tjera urbane, zgjodhën këtë zonë të thellë, ku kishin mundësi të ruanin kulturën, gjuhën, fenë, të pakërcënuar nga pushtuesit. Referenca e parë e popullimit, që mendohet të ketë qenë një stan në afërsi, apo nën një dardhë,  ishte edhe elementi identifikues në komunikimet me banorë të zonave të tjera. Dhe, kështu, etimologjia e emrit të fshatit që nis me “te stanin nën dardhë”, vijoi me emërtimin “nDardhë”, për të përfunduar si proces etimologjik me emrin e sotëm.

Në breza, dardharët janë kujdesur që, krahas punëve të përditshme, që u siguronin të ardhurat për jetesë, të ndërtonin edhe një mjedis urban tërësisht të veçantë. Mundësitë në këtë zonë të thellë ishin të pakta, prandaj dhe ata, si druvarë të spikatur shkonin të punonin në zona të tjera të largëta, apo në Greqi, ku shkëlqyen me aftësitë në profesion dhe me ndershmërinë.

Me të ardhurat që siguronin, ndërtonin banesa të bollshme, të bukura e funksionale, duke respektuar rregulla urbanistike, por edhe duke investuar në objekte me interes publik për komunitetin, siç janë rrugët, objektet e kultit, krojet ku siguronin ujin e pijshëm.

Këtë veçanti të trashëgimisë dardhare e konstaton sot, në këtë hapësirë urbane ku spikasin banesat e gurta një, dy, apo tre katëshe, me një strukturë arkitektonike që pothuajse nuk e has në krahina të tjera, me çati të mbuluara me rrasa guri. Krahas këtyre, rrugët e rrugicat e fshatit, të shtruara me kalldrëm, dëshmojnë kulturën dhe dashurinë e dardharëve në shekuj, për një jetë me cilësi, për të qenë pranë njeri tjetrit. Ndërkohë, krojet me një strukturë të plotë, ofronin komoditetin e nevojshëm për vashat që mbushnin ujë për nevojat e ditës.

Kroi, si element social dhe urban, kishte një rëndësi të veçantë në jetën e fshatit, të banorëve. Ai nuk ishte thjesht një vend ku sigurohej uji i pijshëm, por edhe një objekt ku gratë dhe vajzat takoheshin, ku bisedonin dhe shkëmbenin mendime, ku kalonin një pjesë të kohës, por edhe ku niste zanafilla e njohjeve. Në këtë këndvështrim, ai merr edhe trajtat fillestare të një institucioni, si një vend ku merreshin vendime të natyrës më shumë se vetjake.

Janë së paku tre kroje në këtë fshat, pothuajse identikë me njeri tjetrin. Janë ndërtuar me kujdes dhe me dashuri, aq sa edhe sot, teksa sheh ujin e kristaltë që rrjedh në to, me mendje shkon larg, në vite. Skena e mbushjes së ujit në filmin “Dimri i fundit”, ndonëse në kushtet e errësirës dhe nën pushtimin gjerman, evokon mjaft mirë rëndësinë e kroit ne jetën e këtij fshati.

Banesa dardhare, me çardak të hapur e të mbyllur, mund të klasifikohet si një tip më vete, në historinë e banesës shqiptare. Veçantitë e saj, struktura murale me gurë, çatia e mbuluar me rrasa guri, konceptimi i hapësirës së brendshme me odën e zjarrit, atë të miqve etj, i japin asaj karakteristika mjaft të veçanta e interesante. Janë këta elementë të arkitekturës e jetës urbane, që e bëjnë Dardhën tepër tërheqëse në këtë aspekt.

Restaurimi së fundi i fasadave të këtyre banesave dhe i të gjitha objekteve të tjera, përmes një projekti të financuar nga Qeveria Shqiptare, që po vazhdon ende, i ka ridimensionuar vlerat e këtij fshati të vendosur në një luginë të mrekullueshme malore, në një lartësi prej më shumë se 1300 metra mbi nivelin e detit, në një largësi prej 18 km më juglindje të qytetit të Korçës.

-Personalitetet e historisë dhe artit, si vlera të shtuara të traditave të Dardhës-

Personalitete të njohura të historisë dhe të kulturës kombëtare, përbëjnë vlera të shtuara të cilat e bëjnë edhe më atraktive Dardhën, në sytë dhe vëmendjen e turistëve dhe vizitorëve.

Dëshmori i njohur i Luftës Antifashiste Nacional Çlrimitare, Kristo Isak, shkrimtari, Teodor Laço, general lejtnant, Vaskë Gjino, i persektuar nga diktatura komuniste, janë disa prej tyre.

Banesat e tyre, janë të restauruara e të mirëmbajtura, si dëshmi e segmenteve të historisë që duhet ruajtur e promovuar.

Në fasadën e banesës së gurtë dy katëshe, ku ka lindur e ka kaluar fëmijërinë, dëshmori i Luftës, Kristo Isak, spikat një pllakë përkujtimore.

Më tej, një kompozim skulpturor modest, në raport me hapësirën, në oborrin e një banese, të kujton se këtu ka lindur, shkrimtari Teodor Laço.

Këto godina, ashtu sikundër muzeu dhe kisha me vlera të spikatura arkitekturore, në qendër të fshatit, e plotësojnë më tej tablonë e objekteve me interes për t’u vizituar.

Por, nga ana tjetër, Dardha ka një trashëgimi të pasur në artin e mirëfilltë viziv, në pikturë. Një numër i konsiderueshëm piktorësh, të njohur me emërtimin zografë, kanë krijuar një thesar vlerash në këtë drejtim, duke themeluar një plejadë mjeshtrash me emër, që nis me Nikolla Zengon në gjysmën e dytë të shekullit XVIII dhe në vijim, ku përfshihen Andon Zengo, Papa Jani Zengo, Grigor Zdrulli, Nikolla Zdrulli, Sotir Papa Ilia, Thanas Zengo, Efthim Zengo, Kristo Zengo, Harrallamb Dardhioti, Kristo Vishnja, Konstandin Zografi  etj etj.

Turizmi, burimi kryesor i të ardhurave për banorët-

Xha Skëndi, një 85 vjeçar, dikur punonjës i arkivës në këtë fshat, tregon se, tashmë të gjithë këtu janë të lidhur me turizmin. Më parë, ekonomia kishte si bazë blegtorinë, por pas viteve ’90-të, struktura e saj ndryshoi tërësisht.  Dukuria e zhvendosjes demografike, u shoqërua edhe me rënien e interesit për degët tradicionale të ekonomisë dhe vëmendja u orientua gradualisht tek turizmi.

“Unë banoj këtu me bashkëshorten në pjesën më të madhe të vitit. Kemi rregulluar shtëpinë, ja siç e sheh dhe jetojmë mirë. Si ne, janë edhe shumë familje të tjera. Një pjesë prej tyre kanë përshtatur banesat për bujtina dhe japin dhoma me qera. Por edhe këtu, mund të vini kur të doni, derën e keni të hapur në çdo orë”,-thotë 85 vjeçari, nga oborri i një banese të bukur e të bollshme, tipike dardhare.

Dardha është e frekuentuar në çdo ditë dhe në çdo stinë. Sepse çdo periudhë e vitit, këtu shijon e përjeton gjëra të ndryshme. Ngjyrave të vjeshtës, gradualisht do u zërë vendin dëbora e dimrit, që këtu është po aq i bukur.

Pista e skive, ofron mundësi për të pasionuarit e këtij sporti, që po bëhen gati të mbërrijnë në Dardhë./Reportazh/ k.s/ KultPlus.com

Ministrja e Kulturës për Blloshmin: Ti na fole me veprën tënde më shumë se mijëra fjalë

Për vdekjen e piktores Lumturi Blloshmi nga Covid-19 ka reaguar edhe ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në facebook ministrja ka shkruar për veprimtarinë e bujshme të Blloshmit.

“Covid 19 na mori sot një tjetër emër të madh të artit shqiptar: Lumturi Blloshmin, ndër të paktat artiste pamore të brezit të saj, që sfiduan kohën, sistemet politike, ndryshimet e mëdha”, ka shkruar Elva Margariti

Tutje ka kujtuar momentet kur ishte ndalur para bustit të saj në Galerinë Kombëtare të Arteve

“Një portret i skalitur ashtu si ishte arti dhe qëndrimi i saj estetik”, ka shkruar Margariti.

Për fund, ministrja ka vlerësuar se Blloshmi ka folur me veprën e saj më shumë se me mijëra fjalë.

E krahasuar me Frida Kahlon, Lumturi Blloshmi mban mbi shpinë 25 vite krijimtari. Ajo njihet si piktorja që lëvroi ndër të parat performancën dhe instalacionin në vendin tonë. Vitet e fundit Lumturi Blloshmi u prezantua edhe me ekspozita në disa galeri private në Tiranë, Durrës, apo Korçë. / KultPlus.com

Një vit për të mbledhur 500 dhurata për fëmijët në nevojë në Shqipëri

Një grua pensioniste në Sheffield të Britanisë së Madhe ka krijuar 500 kuti këpucësh të mbushura me dhurata për fëmijët në nevojë në Shqipëri për Krishtlindje.

70-vjeçarja Ann Birks nga Gleadless u përfshi për herë të parë në thirrjen e “AlbaniAid” në 2019-tën. Ajo thotë se është një përpjekje një vjeçare për të gjetur aritkuj për të mbushur këto kuti këpucësh, diçka që i përshtatet dhe veprës së saj bamirëse.

“Për momentin jemi në 530 kuti. David (themeluesi i AlbaniAid) vjen dy herë në javë për t’i marrë që të kem më shumë hapësirë. Duke qenë se unë kam marrë të gjitha kutitë e këpucëve në Shqipëri këtë vit sapo i kam dhuruar ato për të pastrehët”, thotë Ann.

Ajo ka vizituar Shqipërinë vitin e shkuar për të parë punën e organizatës çka e nxiti atë të ndihmonte edhe më pas.

70-vjeçarja i ka kushtuar orë të panumërta përgatitjes dhe mbështjelljes së kutive ku secila përmban furçë e pastë dhëmbësh, sapun dhe fanellë. Përveç tyre, fëmijët marrin dhe sende të tjera si lodra, libra të vlera në dyqanet e bamirësisë apo të dhuruara nga grupet lokale.

“Krishtlindjet e fundit ndodhi tërmeti i fuqishëm në Shqipëri ku rreth 5 mijë familje humbën shtëpitë e tyre dhe po jetojnë në çadra. Familjet kanë humbur gjithçka, kështu që këtë vit diçka si kutia e këpucëve do të jetë e këndshme për fëmijët duke pasur parasysh gjithçka që kanë kaluar”, thotë Ann.

Këto kuti do të dërgohen në Shqipëri më 12 dhjetor./ KultPlus.com

Hapet ekspozita “Nga alfabeti në drejtshkrim” në Tiranë

Në 48-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 në Tiranë është hapur ekspozita me fotografi dhe dokumente që dalin nga fonde arkivore.

Ekspozita është hapur në Kalanë e Tiranës. Kongresi i Drejtshkrimit ishte rrjedhojë e një procesi të gjatë përpjekjesh për shqipen standarde. Për këtë arsye në panelet e kësaj ekspozite ekspozuar momente me rëndësi që nga Kongresi i Manastirit i cili mori vendimin e rëndësishëm që për shkrimin e shqipes të përdorej ky alfabet, që ne kemi edhe sot.

Studentët dhe qytetarët kanë mundësi të shohin nga afër disa ngjarje dhe personazhe me rëndësi jo vetëm për historinë e gjuhës shqipe po për gjithë vendin. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 25 nëntor. / dp/ KultPlus.com

76 vjet nga çlirimi i kryeqytetit të Shqipërisë

Sot shënohen 76 vite nga çlirimi i kryeqytetit shqiptar nga pushtuesit nazifashistë në Luftën e Dytë Botërore.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacionalçlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër pushtimit të Shqipërisë.

Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria kishte qenë e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane.

Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej te çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944.

Ky moment historik konsiderohet si operacioni më i rëndësishëm, më i ashpri dhe më i suksesshmi, që kanë zhvilluar njësitë e UNÇSH kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë.

Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë. Lufta për çlirimin e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë ballore, ku u dukën qartë shkalla e organizimit të UNÇSH.

Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet dhe rrugët e tij.76-vjetori i çlirimit të Tiranës u përkujtua edhe nga presidenti Ilir Meta.

“76 vjet më parë, djemtë dhe vajzat partizane, bashkë me qytetarët kryengritës të Tiranës, do të realizonin një nga operacionet ushtarake më të lavdishme dhe më të suksesshme, duke i dhënë të drejtën dhe kredon brigadave partizane për të hyrë fitimtare në kryeqytet”, shprehet Meta, duke vlerësuar se “për të ardhur te kjo ditë e bardhë, u desh gjaku dhe jeta në lulen e rinisë e qindra Dëshmorëve, sakrifica dhe përpjekjet e mijëra partizanëve në çdo shesh, rrugicë, barrikadë dhe shtëpi të kryeqytetit”.

“Çlirimi i Tiranës ishte një kontribut i rëndësishëm për të forcuar legjitimitetin dhe besueshmërinë e Shqipërisë, si një vend i përkushtuar në Aleancën Antifashiste.Mesazhet e mëdha të lirisë, paqes dhe luftës kundër tiranisë, tingëllojnë edhe sot më aktuale se kurrë, të nderuara dhe të pacënuara nga koha dhe devijimet e mëvonshme të kauzës së lirisë të partizanëve tanë të lavdishëm”, shprehet presidenti Meta./ atsh/ KultPlus.com

Nga 18 nëntori 2020 kush rreh gruan dëbohet nga shtëpia, strehë e përbashkët për burrat dhunues, alkoolistët në spital

Burrat që dhunojnë gratë apo pjesëtarë të tjerë të familjes, do të dëbohen menjëherë nga banesa duke filluar që nga data 18 nëntor 2020. Kështu parashikojnë ndryshimet në ligjin për masat kundër dhunës në familje, miratuar nga Parlamenti në datën 15 tetor 2020. Ndryshimet janë botuar në Fletoren Zyrtare në datën 3 nëntor 2020, ndërsa hyjnë në fuqi dhe do të zbatohen pas datës 18 nëntor 2020. Konkretisht, ligji i ndryshuar parashikon që, Policia e Shtetit, para se të vihet në lëvizje gjykata, urdhëron largimin e menjëhershëm të dhunuesit nga banesa, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë. Ligji i mëparshëm priste vendimin e gjykatës për të larguar dhunuesin nga banesa, kohë gjatë të cilës dhunuesi, kryesisht burrat, vijonin dhunën. 

Me ligjin e ri, një burrë që dhunon gruan, do të largohet në kohë rekord nga banesa. Po ku do të strehohen burrat dhunues pas largimit nga banesa me anë të policisë? Qeveria do të bashkëpunojë bashkitë për të siguruar strehë për burrat dhunues. Ndërkaq, pas ndërhyrjes së policisë, do të vihet në lëvizje gjykata, e cila sipas ndryshimeve të reja ligjore, si masë mbrojtëse të dhunës në familje, urdhëron menjëherë largimin e dhunuesit nga banesa, për një afat kohor të caktuar, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë. Pra, më pas do të jetë gjykata që do të vlerësojë vendimin e policisë për largimin e dhunuesit nga banesa. 

Gjykata do të shprehet edhe në vendimin emergjent apo edhe në vendin për mbrojtjen e viktimës, i cili do të jetë më i plotës dhe i arsyetuar. Ndryshimet ligjore parashikojnë edhe detyrimin e dhunuesve për të marrë pjesë në programe rehabilitimi psikosociale dhe në programe të aftësimit prindëror, të organizuara nga subjekte publike ose private. Ky detyrim do të vendoset nga gjykata në urdhrin e mbrojtjes. Sipas rasteve, gjykata urdhëron që dhunuesi të trajtohet në qendra të shëndetit mendor si dhe që të marrë shërbime të alkoologjisë, nëse është përdorues alkooli. Në këto programe mund të marrin pjesë edhe dhunuesit, të cilët po vuajnë dënimin me burg. / shqiptarja/ KultPlus.com

‘Shtëpia me Gjethe’, fituese e çmimit ‘Muzeu më i Mirë në Këshillin e Evropës’ për vitin 2020

Këshilli i Europës ka vlerësuar Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” me çmimin e Muzeut më të Mirë të Këshillit të Europës 2020.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast mbrëmjen e së martës në Tiranë, ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh se, “shpallja e këtij muzeu “Muzeu i Këshillit të Europës 2020”, është dëshmia që përmasat e atij deformimi njerëzor, që zinin fill këtu brenda, u shndërruan po këtu, në atë pikën e ujit, që përditë e përditë, zgjon kujtesën tonë, që nuk jemi përgjumur prej së përditshmes; që nuk kemi lejuar që e shkuara të përsëritet dhe që pikërisht këtu po i kujtojmë të rinjve se liria dhe demokracia nuk janë një e dhënë e përjetshme, por duhen mbrojtur çdo ditë”.

“Sot jemi në këtë ndalesë kohore, që shënon një tjetër etapë në pëlhurën urbane të Tiranës, falë vizionit të atyre që e ideuan, e realizuan dhe mbështetën ngritjen e këtij muzeu, që besuan në misionin dhe të vërtetat që ai kishte për të rrëfyer, e sot ky çmim është edhe një tjetër përqafim mirënjohjeje që vjen nga larg”, – tha Margariti.

Margariti tha se, “hapja e dyerve të shtëpisë së tmerrit, sot muze, do të zbulonte një nga skemat më të sofistikuara të diktaturës për të sunduar jetët e njerëzve, atë përmes frikës, ndërtuar si rrathët e “Ferrit” dantesk, ku vërtiteshin përgjuesit e telefonatave e telegrameve; mikrofonët-çimka, që si parazitë të fshiheshin në shtëpi e në trup. Nuk dua të ndalem se si mbusheshin dosje, prodhoheshin makinacione, se si niste pikërisht këtu kalvari drejt dënimit dhe se si listat e “armiqve të popullit”, që i luteshin në errësirë Zotit, veçse shtoheshin”.

Margariti falënderoi Kryeministrin Rama, që investimet tek ruajtja e kujtesës i ka parë si një investim tek e ardhmja.

“Sot pranojmë këtë çmim, jo pa krenari e mirënjohje, por më së shumti me një përgjegjësi të shtuar, për të zbardhur të kaluarën; për të mos e lëshuar ‘lopatën e kërkimit’, sepse vetëm njohja e bën me të vërtetë njeriun e lirë, vetëm njohja na bën me të vërtetë më të mirë. Faleminderit, që e keni parë këtë muze të vogël, në këtë kënd të Europës, si zërin që duhet të dëgjohet në këto kohëra të trazuara që po kalon njerëzimi. Dhe le të jetë ky çmim edhe një ftesë më shumë për të na njohur, kuptuar dhe pranuar në familjen tuaj, në Bashkimin Europian”, – u shpreh Margariti. /atsh/ KultPlus.com

“Dritë…për nesër”, koncerti homazh për viktimat e COVID-19 në Shqipëri

“Dritë…për nesër” titullohej koncerti homazh i organizuar mbrëmjen e djeshme nga bashkia e Tiranës për viktimat e shkaktuara nga pandemia COVID-19 në Shqipëri.

E ftuar e veçantë në këtë koncert ishte sopranoja e mirënjohur Linda Kazani, por dhe emra të tjerë të muzikës operistike, si sopranot Marina Kurti, Elira Hoxha e Anita Kerhani, si dhe dy baritonët Artur Vera dhe Erjon Sherri, të shoqëruar nga kori dhe orkestra e këtij Universiteti.

Sheshi përpara Universitetit të Arteve u ndriçua nga qirinjtë në nder të të gjithë atyre që kanë humbur jetën nga sëmundja që ka prekur mbarë globin.

Që në muajin mars, kur u shënua rasti i parë me COVID-19 në vendin tonë, deri ditën e sotme e kanë humbur betejën me virusin vdekjeprurës 493 persona. /atsh/ KultPlus.com

Pogradeci bën bashkë artistë nga Shqipëria dhe trojet shqipfolëse

15 fotografë nga Shqipëria dhe trojet shqipfolëse, si Maqedonia e Veriut dhe Kosova u bënë pjesë e edicionit të katërt të ekspozitës “Dita e fotografisë”. Në Galerinë e Artit, të Pogradecit u ekspozuan 32 foto me tematikë peizazhin.

Mjeshtri i fotografisë Ardian Fezollari së bashku me të tjerë emra të njohur fotografësh nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova çelën ekspozitën e fotografisë me peizazhe nga trojet shqiptare.

“Besoj se kjo ekspozitë është një promocion i mirëfilltë i gjithë bukurive shqiptare në të gjithë trevat tina si Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Mali i Zi. Vetë pjesëmarrja e fotografëve e dëshmon këtë që them”, tha mjeshtri i fotografisë, Ardian Fezollari.

Qyteti liqenor i Pogradecit me peizazhet e veta mahnitëse, sipas fotografit Osman Demiri e shton frymëzimin për të realizuar të tilla shkrepje profesionale.

“Pogradeci është i njohur si qytet i bukur, i peizazhit të bukur. Ka liqenin të bukur prandaj dhe tërheq fotograf që merren me peizazhin. Kjo është edhe arsyeja kryesore që hapet një ekspozitë e tillë”, u shpreh fotografi nga Gostivari i Maqedonisë së Veriut, Osman Demiri.

Ekspozita në Pogradec do të qëndrojë e hapur për disa ditë/Shqiptarja / KultPlus.com

Nikita Hrushov i fotografuar me bukë shqiptare në duar

Nga Aurenc Bebja

“La Croix” ka botuar, të enjten e 4 qershorit 1959, në ballinë, një fotografi ekskluzive të Nikita Hrushovit gjatë vizitës së tij asokohe në Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Bukë shqiptare për Hrushovin

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“Gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri, z. Hrushov vizitoi kooperativën bujqësore të Bulgarecit ku iu paraqit një copë bukë e madhe, një specialitet i vendit.” / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/la-croix-1959-nikita-hrushov-i-fotografuar-me-buke-shqiptare-ne-duar/

Rrëfimi ekskluziv i pilotit të avionit britanik pas uljes së detyruar në tokën shqiptare

Nga Aurenc Bebja

“La Croix” ka botuar, të martën e 7 janarit 1958, në faqen n°8, një shkrim në lidhje me rrëfimin e pilotit të avionit britanik “Skymaster” pas uljes së detyruar në tokën shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar: 

Piloti i “Skymaster-it” i ndaluar në Tiranë : “Ne u trajtuam mirë nga policët shqiptarë”

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Avioni britanik, i ndaluar që prej 31 dhjetorit nga autoritetet shqiptare, mbërriti në fushën e aviacionit të Hurn-it, afër Bournemouth-it, pas një ndalese të shkurtër në Brindizi, për t’u furnizuar me karburant.

Skymaster-i, tha piloti, duhet të kishte fluturuar në mes të korridorit ajror që ndan Shqipërinë dhe Greqinë. Por, për shkak të motit të keq, avioni devijoi trajektoren e tij rreth 12 kilometra. Pastaj u shfaqën dy Mig-ë (avionë rusë), duke më bërë të qartë se ata donin që unë të zbarkoja (ulesha), gjë që bëra.

Besoj, vazhdoi piloti-kapiten Kozubski, se ishin policë ata që më morën në pyetje. U shpjegova që moti i keq më kishte devijuar itinerarin. Marrja në pyetje zgjati rreth shtatë orë ditën e parë dhe vazhdoi të nesërmen. Por policët kanë qenë gjithmonë të sjellshëm dhe miqësorë dhe më dhanë cigare angleze. Ekuipazhi u dërgua në një hotel ku ruhej nga policia civile, por u trajtua shumë mirë.

Para se të niseshim, shtoi kapiteni, ne ngritëm reciprokisht dolli për shëndetin tonë. Nuk kishte asnjë inat. Shqiptarët kishin bërë vetëm detyrën e tyre.

A do të jetë incidenti një pretekst për rifillimin e marrëdhënieve diplomatike ?

Qeveria britanike po pret një raport të hollësishëm nga ekipi i Skymaster-it para se të vendosë nëse një veprim diplomatik është i nevojshëm.

Vëzhguesit diplomatikë pyesin nëse incidenti do të rezultojë në një rifillim të marrëdhënieve diplomatike midis Anglisë dhe Shqipërisë, të ndërprera që nga lufta. Që prej dy vitesh, Shqipëria ka hedhur në heshtje hapat për një rifillim të tillë. Londra mendon se Shqipëria duhet së pari të paguajë 800.000 paund dëmshpërblim ndaj Britanisë së Madhe si rrjedhojë e vendimit të gjykatës ndërkombëtare për humbjen e dy shkatërruesve (anijeve) anglezë në ujërat shqiptare në 1946. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/la-croix-1958-rrefimi-ekskluziv-i-pilotit-te-avionit-britanik-skymaster-pas-uljes-se-detyruar-ne-token-shqiptare/

Seria e rrallë e pullave të postës që SHBA emetoi për Shqipërinë më 1943

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Nëntor të vitit 1943 kanë nxjerrë një edicion të veçantë me pulla të dedikuar për Shqipërinë. Bëhet fjalë për një seri me rreth 15 mijë pulla në të cila jepen imazhe dhe mesazhe në ndryshme për vendin e shqiponjave.

Në serinë e printuar nga “American Bank Note Company” që mban numrin # 918 është pjesë e Serisë së Vendeve të Mbyllura, e cila nderon secilin prej kombeve të pushtuara nga fuqitë e Boshtit gjatë Luftës së Dytë Botërore.  

Në pulla paraqitet flamuri i Shqipërisë, i cili përmban një sfond të kuq me një shqiponjë të zezë dykrenare në qendër të saj. Ajo bazohet në vulën e Gjergj Skënderbeut, i cili udhëhoqi revoltën e shekullit të 15-të kundër Perandorisë Osmane, duke sjellë disa rajone të Shqipërisë një periudhë pavarësie.

Ndërsa në një pullë tjetër shkruhet “Përshendetje Shqipëri. Shqiponja e lirisë ngre shpatën e drejtësisë”

Në shpjegimin që shoqëron materialin për këtë seri pullash shkruhet: “Më 7 Prill 1939, Italia e Benito Mussolinit  pushtoi Shqipërinë, kjo e bëri Shqipërinë të ishte një nga vendet n e para që u pushtua nga fuqitë e Boshtit në Luftën e Dytë Botërore. Musolini e pa pushtimin e Shqipërisë si pjesë të ëndrrës së tij për të krijuar një Perandori Romake. Vitin pasues, Mussolini përdori bazën shqiptare për të sulmuar Greqinë, por u mund, duke çuar në pushtimin grek në Shqipërinë e Jugut. Në vitin 1942, u formua Fronti Nacionalçlirimtar Shqiptar, i përbërë nga grupe nacionaliste dhe komuniste. Shqiptarët luftuan me sukses me italianët, por në shtator 1943, parashutistët gjermanë filluan të pushtonin kryeqytetin shqiptar të Tiranës. Shqipëria u çlirua më 28 nëntor 1944, një nga kombet e fundit që largoi gjermanët nga vendi i tyre.

Këto Pulla sollën shpresë për të kapërcyer vendet e Luftës së Dytë Botërore

Pasi mori disa dizajne nga artistë që menduan se pullat aktuale postare në SHBA ishin jo tërheqëse, Presidenti Franklin Roosevelt filloi të merrte parasysh llojet e pullave që ai donte të lëshonte. Ai u përpoq t’i tregonte botës se Amerika ishte në këtë luftë për të arritur paqen në botë, jo dominimin ushtarak. Me këtë në mendje, Presidenti sugjeroi që SHBA të lëshonte një seri pullash që përshkruajnë flamujt e të gjitha kombeve të tejkaluara në Evropë.

Në kufirin përreth secilit flamur, Roosevelt sugjeroi të pikturonte Phoenix – një simbol antik i rilindjes. Ai besoi “Kjo mund t’u thotë atyre që vuajnë viktimat në Evropë se ne po luftojmë për rigjenerimin e tyre.” Ana tjetër e secilit flamur paraqiste një grua të gjunjëzuar “duke thyer prangat e shtypjes”.

Kur erdhi koha për të shtypur pullat, Byroja e Gdhendjes dhe Shtypjes nuk ishte në gjendje të shtypte ngjyrat e shumta të nevojshme për secilin flamur, kështu që Kompania Amerikane e Shënimeve mori një kontratë të veçantë për këtë seri.

Për më tepër, u zgjodh një prerje 5 – – kursi i huaj për postat e klasit të parë – në mënyrë që pullat të mund të përdoren në postën jashtë shtetit. Pullat u shtypën në sasi relativisht të vogla dhe ishin shumë të kërkuara sa më shpejt që të lëshoheshin, me rezervat në të gjithë vendin duke mbaruar pothuajse sa më shpejt që ato të lëshoheshin”./dispaorashqiptare/ KultPlus.com

Ambasadori i Gjermanisë, Peter Zingrafviziton ish-kampin e internimit në Tepelenë: Kujtimi i krimeve në ketë vend duhet të mbahet i gjallë

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf ka vizituar ish-kampin e internimit në Tepelenë.

Gjatë vizitës në ish-kampin e Tepelenës, ambasadori Peter Zingraf mësoi më shumë rreth krimeve të tmerrshme të regjimit komunist në Shqipëri. “Kujtimi i asaj kohe dhe krimeve që u kryen në këtë vend duhet të mbahet gjallë. Mësimet nga e kaluara janë kujtesë për të tashmen dhe të ardhmen”, tha ai.

Kampi i internimit në Tepelenë, u vendos nga regjimi komunist buzë lumit Vjosa në të hyrë të Tepelenës, në anën perëndimore, rrëzë kodrës së stërmadhe që u zinte diellin kazermave të kampit, ku pak më tutje ndodhej burgu i Bënçës dhe shtatë kilometra më tej një tjetër kamp famëkeq internimi, ai i Turanit.

Ish-kampi i internimit Tepelenë u ndërtua në vitin 1949 dhe funksionoi deri në mars 1954. Në kampin e Tepelenës kishte të internuar nga e gjithë Shqipëria, por kryesisht mbizotëronin të internuar nga veriu dhe Shqipëria e Mesme. Të ardhurit ishin familje me gra dhe fëmijë dhe të përqendruar në grupe në një kazermë ku numri i të internuarve arrinte deri në 300-600 persona. Kazermat ishin vendosur njëra pas tjetrës duke e çuar numri deri në 2300 të internuar gjithsej në të gjithë kampin./ atsh/ KultPlus.com

Pas sukseseve në botë, balerini Gentian Doda rikthehet në Shqipëri si koreograf

Balerini Gentian Doda kishte nisur rrugëtimin e tij në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, për të vazhduar tutje duke shkelur teatro të ndryshme të botës dhe duke rrëmbyer çmime të shumta. Ndërkaq tani ai sërish po rikthehet në vendin ku kishte nisur karrierën, kësaj radhe si koreograf, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport e Shqipërisë, Elva Margariti nëpërmjet një postimi në facebook. Ajo kujtoj kohën kur Doda ishte një balerin i ri në fillimet e tij, ndërkaq sot është “një yll i skenave botërore”.

“Gentian Doda rikthehet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit si koreograf, për të nisur një rrugë të re bashkëpunimi, me një tjetër energji, falë edhe ambienteve të rinovuara të TKOBAP”, ka shkruar Elva.

Doda pasi nisi në këtë teatër karrierën e tij, vazhdoj në Teatrin Shtetëror të Operas dhe Baletit të Azerbajxhanit, Teatro Arena di Verona, Balletto di Parma, Compañía de Victor Ullate dhe Compañia Nacional de Danza drejtuar nga Nacho Duato.

Në vitin 2011, Gentiani mori Çmimet e Parë të Koreografisë në konkurset e Kopenhagës dhe Hanoverit, si dhe Çmimin e Prodhimit Scapino. Që atëherë, ai ka krijuar premiera botërore për Institutin Koreografik të New York-ut, Scapino Ballet, Direccion Nacional de Danza Santo Domingo dhe Staatsballet Nürnberg, Gärtnerplatztheater, Teatro Massimo Palermo.

Në gusht 2014, atij iu ofrua pozicioni i Mjeshtrit të Parë të Baletit të Staatsballett Berlin, ku ai ishte në rol për katër vjet. Rikthimi i tij në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit është një vlerë e madhe për kulturën shqiptare./KultPlus.com

Korça e Shqipërisë, vendi ku për herë të parë u hap fabrika e Trikotrazhit

Në fillim të shtatorit 1925, për herë të parë në Shqipëri, u hap në Korçë një Fabrikë Trikotazhi. Kjo sipërmarrje u realizua nga Ali Alizoti ardhur nga Greqia me familjen edhe ortaku i tij Nazima Ypi, shkruan KultPlus.

Për blerjen e makinerive shkoi në Gjermani Nazima Ypi, i cili ishte specializuar në këtë vend në fushën e tekstileve të trikotuara. Makineritë e para te ardhura ishin manuale, ato u zëvendësuan më pas edhe me makineri elektrike. Kapitali për këtë investim u sigurua nga shitja e pronave të Ali Alizotit dhe Nazima Ypit të ndodhura në Veria dhe Kozhan (Kozan) të Greqisë.

Hapja e fabrikës së parë të Trikotazhit në Korçë

Fillimisht ndërtesa ku fabrika filloi veprimtarinë ishte para shtëpisë së z, Memeda Shtylla dhe më vonë në ndërtesën e z. Sabri Qyteza. Në vijim sipërmarrja kaloi prapa hotel Palas, në dyqanet e Vasillaq Moskës (në bulevard), me pas në rr. Naim Frashëri Nr. 21 dhe më në fund në Tiranë në bllokun e dyqaneve (të cilat dotë bëheshin një kompleks dyqanesh shtetërore). Vlen për tu përmendur se një nga drejtueset teknike te kësaj fabrike ishte Sofika Xoxe (e shoqja e Koci Xoxes), me profesionalizmin e saj ajo përgatiti mjaft punonjëse te reja si dhe vete vajzat e Ali Alizotit te cilat punonin se bashku me punëtoret.

Ali D.Alizoti me një nga ëellezerit Juma ne dyqanin  e Tiranes

Teknologet që nevojiteshin për funksionimin e fabrikës ishin zonjat e zonjushet e ardhura nga Greqia madam, Gjylatër zonja Dikrani, zonjushat Agavni, Siranush (bija e madam Gjylaterit, modeliste) etj. Zonjat në fjalë ishin me origjinë nga krahina e prodhimit të sixhadeve të Armenisë. Duhet theksuar se zonja Gjylater ngriti linjën e sixhadeve persiane në Shqipëri.

Kjo linjë nuk pati jetëgjatësi, u prodhuan dy sixhade të kontureve të mëdha. Kështu u përgatit një halli me përmasa 5 m x 3,5 m, dizenjo e së cilës përmbante: fushën e blertë anash me lule dhe në pjesën qendrore ishte Mbreti Zog mbi një kalë të bardhë (sipas një pikture të artistit Spiro Xega) e cila u vendos ne pallatin mbretëror. Kjo sixhade, mjaft e goditur artistikisht dhe profesionalisht, u zhduk  kur pallati mbretëror u grabit me hyrjen e Italisë Fashiste në Shqipëri. Ndërsa sixhadenë e dytë, Alizoti ia shiti Ambasadës Jugosllave në vitin 1948.

Rreth viteve 30, po në Korçë, Nazima Ypi krijoi edhe një fabrikë tjetër trikotazhi me Fadil Garon dhe Ismail Kapshticën, meqenëse linja e sixhadeve nuk e pati suksesin e pritur. Ndërkohë Madam Gjylatëri, u caktua mësuese në “Shkollën Qytetëse të Vajzave” në Korçë. Këtu ajo përgatiti dhjetra kuadro, të cilat punuan më pas si specialiste në punishten e sixhadeve të Korçës që drejtohej nga Garo Avakian, pinjoll nga familjet ermene te sjella për fabrikën e trikotazheve.

Foto nga jashtë fabrikës se pare te Trikotazhit ne Korçe

Fabrika kishte ngritur një dyqan shitje në Tiranë në kompleksin tregtar “Vllazën Juma” në Rr. 28 Nëntori (që u dogj gjatë luftës së Tiranës Nëntor 1944) dhe një tjetër dyqan luksoz në Vlorë që administrohej nga Ahmet Nurja. Në bazë të një dekreti të posaçëm, të nxjerrë në vitin 1947 nga presidenti i R.P. të Shqipërisë, pa asnjë shpërblim fabrika u shtetëzua. Ishte pikërisht kjo fabrikë që do të përgatiste plejadën e qindra punëtoreve të specializuara për të punuar në trikotazh dhe në saje të kësaj tradite kjo industri funksionoi deri vonë./ KultPlus.com

Licenca e fabrikës se Trikota’zhit

Nisin gërmimet në burgun e Burrelit për gjetjen e varreve të humbura në kohën e diktaturës komuniste

Në kuadër të gjetjes së varreve të të ekzekutuarve nga diktatura komuniste, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka nisur sot gërmimet në burgun e Burrelit për gjetjen e eshtrave të të humburve.

Këto gërmime në rrethinat e burgut të Burrelit nisën në zbatim të urdhrit të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Lajmin e bëri të ditur kryetarja e Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula.

“Nën drejtimin e Taskforcës së posaçme, po gërmohet në oborrin e Burgut të Burrelit për të gjetur gjurmë të varreve të humbur në komunizëm. Do të jetë një proces shumë i gjatë, dhe mbase i pasuksesshëm në disa raste, por i domosdoshëm dhe i përgjegjshëm”, thekson Sula.

Sula inkurajoi familjarët e lënduar nga dhimbja që të kenë durim për vënien e dinjitetit në vend.

“I uroj familjarëve kurajo, durim dhe forcë për të vënë në vend dinjitetin njerëzor të të dashurve të tyre”, shprehet ajo.

Burgu i Burrelit mendohet të ketë një nga varrezat më të mëdha të të burgosurve politikë vrarë në kohë të diktaturës komuniste, apo siç njihet ndryshe vendi te “Qershia”. /atsh/ KultPlus.com