Shpëtimi i mbi 3 mijë hebrenjve nga Holokausti falë zemërgjerësisë shqiptare

Teksa njohja reciproke e Kosovës dhe Izraelit u zyrtarizua sot, kur kthehemi në retrospektivë shohim se këta dy popuj përherë kanë pasur marrëdhënie të mira, shkruan KultPlus.

Mikpritja e shqiptarëve u dëshmua gjatë kohëve të vështira për popullin izraelit, gjegjësisht përgjatë periudhës kohore që ndryshoi historinë botërore, Holokatusin ndaj hebrenjve.

Gjatë viteve 1933-1944, shqiptarët hapën dyert e shtëpive të tyre, duke i dhuruar strehim e ushqim hebrenjve, teksa 3280 nga ta kanë shpëtuar nga holoakusti falë zemërgjerësisë shqiptare.

Tërë popullata shqiptare, pavarësisht nga besimet fetare veproi si një kulturë e bashkuar duke e kundërshtuar Holokaustin dhe shpëtuar tërë hebrenjtë ku ajo arrinte.

Madje, këtë e dëshmon fakti që as një hebre nuk ekziston si i humbur për shkak të Holokaustit në Shqipëri. Njëkohësisht, ishin 14 hebrenj që ranë dëshmorë si pjesëtarë të njësive luftarake kundra-fashiste shqiptare ose u vranë nën zjarrin e luftës. Shqipëria ishte një arkë shpëtimi për hebrenjtë e përndjekur.

Dëshmitë për hapjen e dyerve të shqiptarëve ndaj popullit mik, izraelit qëndrojnë në qytetet e fshatrat e Mitrovicës, Prishtinës, Gjilanit, Deçanit, Pejës, Gjakovës, Shkodrës, Krujës, Tiranës, Beratit, Kavajës, Durrësit, Elbasanit, Librazhdit, Korçës, Dibrës, Burrelit, Fierit, Lushnjës, Vlorës, Delvinës, Përmetit, Gjinokastrës, etj.

Sipas regjistrimit të popullatës në vitin 1931, Shqipëria qendrore kishte 204 hebrenj. Sipas dokumenteve, rajoni i Kosovës kishte 409 hebrenj vendas deri në pushtimin e ish-Jugosllavisë në prill 1941. / KultPlus.com

Historia e Shqipërisë së 1900-tës përmes çokollatave gjermane

Pamje të rralla vijnë nga Hamburgu i Gjermanisë kur jeta shqiptare në vitet 1900 pasqyrohet në ambalazhin e çokollatave të kompanisë “Gartmann Schokolade”.

Bëhet fjalë për gjashtë seri ambalazhi ku shihet jeta e shqiptarë në ato vite, si në Durrës, Malësi e Krujë. Nuk dihet ende se kush është autori i këtyre pikturave, por ato janë në një nga katalogët e atëhershëm të kompanisë ku krahas serisë me jetën në Shqipëri, janë ato në Arabi, Austri etj.

Në atë periudhë kompania e çokollatave madje nxirrte dhe albume të ndryshme nën titullin “Libri i Çokollatave” prej nga mendohet të jenë shkëputur dhe këto foto. Sipas shpjegimit të gjetur të kompanisë botimi nuk është specifikuar por mund të jetë botimi i parë rreth viteve 1916-1923.

Gartmann është një kompani tradicionale e Hamburgut që ekziston që nga viti 1810 dhe tani është në brezin e gjashtë dhe të shtatë.

Produkti kryesor i kësaj kompanie janë kurorat e pemës së Krishtlindjes Gartmann, të cilat janë bërë nga çokollata e zezë të spërkatur me “nonpareille” të bardhë ose të kuq (rozë). Nonpareille i jep shijes së imët të çokollatës një nuancë pak të ëmbël. Motoja e saj është ndërthurja e cilësisë me traditën dhe pasionin./diapsorashqiptare/ KultPlus.com

“Shqipëria i vetmi vend në Europë ku nuk humbi jetën asnjë hebre”

Asambleja e Përgjithshme OKB-së do të caktonte në vitin 2005, 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit, në nderim të viktimave ‪të Holokaustit.

Meta: Shqipëria i vetmi vend në Europë, ku nuk humbi jetën asnjë hebre

Në kuadër të kësaj dite, Presidenti Ilir Meta shprehet se “sot, në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës, u bashkohem lutjeve për miliona viktima të pafajshme të mizorisë së Holokaustit dhe për të gjithë ata, të cilët i mbijetuan tragjedisë më të tmerrshme njerëzore të kohërave tona dhe janë sot dëshmitarë të gjallë të saj, për të na inkurajuar, që të mos lejojmë kurrë më të tilla gjenocide e akte çnjerëzore”.

“Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë, ku nuk humbi jetën asnjë hebre dhe askush prej tyre nuk iu dorëzua pushtuesve nazistë, duke dalë nga ajo periudhë e errët, me një popullsi hebraike më të madhe në numër nga ç’kishte para fillimit të Luftës”, thekson Meta.

Ai shton se “ndihemi jashtëzakonisht krenarë dhe e gjithë bota duhet të ndjekë shembullin frymëzues shqiptar dhe Kodin tonë të nderit e të mikpritjes besa”.

“I lumtur, që sot Shqipëria dhe Izraeli ndajnë të njëjtat vlera të paqes, lirisë dhe demokracisë dhe janë bashkërisht të angazhuara në luftën ndaj terrorizmit dhe antisemitizmit, për promovimin e tolerancës, bashkëjetesës dhe përkujtimit të Holokaustit”, u shpreh Meta.

Ruçi: Shqipëria, lider në luftën kundër antisemitizmit

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i bashkohet fushatës “WEREMEMBER-NE KUJTOJMË”, në përkujtim të Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës për Holokaustin.

Duke përkujtuar Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës për Holokaustin, Ruçi, u shpreh se “Shqipëria është mjaft aktive dhe në sinergji me përpjekjet e qytetërimit bashkëkohor në luftën kundër antisemitizmit. Të gjithë kombet që aspirojnë demokracinë, pluralizmin, diversitetin e tolerancën duhet t’i bashkohen këtij fronti”.

“Shqipëria e konsideron përgjegjësi para qytetërimit, por edhe një privilegj, të meritojë lidershipin e frontit të bashkuar të rajonit të Ballkanit për luftën kundër antisemitizmit.  Ne, shqiptarët, mbetemi stoikë në zgjedhjet tona: dashuria mbi urrejtjen, toleranca mbi konfliktin, humanizmi mbi përndjekjet, vuajtjen e dhimbjen në vend të shkaktimit të saj të tjerëve. Historia na ka vendosur shpesh në të njëjtën barkë me hebrenjtë, me këtë popull që ka vuajtur një fat tragjik, por që dhimbjet e shkaktuara prej historisë nuk ia pakësuan fisnikërinë, dashurinë dhe humanizmin. Shqipëria në kohë të vështira ka shërbyer si një atdhe rezervë për hebrenjtë dhe është vendi i vetëm në Europë, ku të gjithë hebrenjtë u morën në mbrojtje dhe u shpëtuan gjatë Luftës së Dytë Botërore”, thekson kryeparlamentari.

Ai nënvizon se “shqiptarët bota i njeh si magjistratët e mbrojtjes së hebrenjve, pa dallim besimi fetar, pasurie, territori, orientimi politik, duke shënuar një konvergjencë kombëtare si rrallë herë në histori. Në qëndrimin në krah të aleatëve tanë strategjikë, SHBA dhe BE, në luftën kundër antisemitizmit, ne jetërsojmë veprën e brezave para nesh, ndaj mbrojtjes që u bënë katër valëve të ardhjes së hebrenjve në Shqipëri, të cilat kanë ndodhur gjatë viteve të tmerrshme, në periudha dramatike dhe nxitur prej impulsesh të errëta”.

“Dita Ndërkombëtare e Kujtesës për Holokaustin nuk është një ditë urrejtjeje, por dashurie; nuk është një ditë armiqësie, por miqësie; nuk është një ditë që ndan, por që bashkon; nuk është kujtimi i një dite lufte, por thirrja për një epokë paqeje. Është një ditë që fton e bashkon në pajtim të gjitha qytetërimet, komunitetet e besimet fetare, kombet, rajonet, racat, të gjithë njerëzimin”, deklaron Ruçi.

Këtë vit, Kuvendi i Shqipërisë përkujton Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës për Holokaustin, pas organizimit, në 28 tetor 2020, të Forumit të Parë Ballkanik Kundër Antisemitizmit, një nismë e Kuvendit në partneritet me Lëvizjen Kundër Anti-Semitizmit dhe Agjencinë për Hebrenjtë.

Forumi bashkoi në një platformë virtuale autoritete të larta nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Izraeli dhe vendet e rajonit.

Në Forum përshëndetën Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, Presidenti i Parlamentit Europian David Sassoli, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Parlamenit të Izraelit Yariv Levin, dhe drejtuesit e parlamenteve të vendeve ballkanike etj. Forumit i parapriu adoptimi nga Kuvendi i Shqipërisë, më 22 tetor 2020, i Rezolutës “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”. Të dyja këto nisma e bënë Shqipërinë një vend lider në rajon për luftën kundër antisemitizmit.

Xhaçka: Thellësisht krenarë për shqiptarët në misionin e shpëtimit të hebrenjve

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka shprehet se në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, nderojmë miliona jetë të humbura.

Ministrja thekson se nuk duhet të harrojmë apo të ulim vigjilencën në luftën ndaj antisemitizmit.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, nderojmë miliona jetë të humbura, si dhe të gjithë ata që dolën kundër të keqes më të madhe të kohës.

Kurrë nuk duhet të harrojmë apo të ulim vigjilencën në luftën tonë ndaj antisemitizmit. Thellësisht krenarë për Shqipërinë, shqiptarët dhe shërbimin diplomatik në misionin e shpëtimit të hebrenjve”, shprehet Xhaçka.

Basha: Përballja me të keqen është imperative edhe sot

Kryetari i PD-së Lulzim Basha kujtoi sot Ditën Ndërkombëtare të Holakaustit, ndërsa thekson se përballja me të keqen është imperative edhe sot.

Basha shprehet se sot në Ditën Ndërkombëtare të Holakaustit kujtojmë dhe nderojmë viktimat e Holokaustit dhe gjithë brezat e humbur prej tij.

“Qëndresa dhe përballja me të keqen është imperative edhe sot kur fatkeqësisht fuqia e propagandës është akoma shkatërrimtare “, shprehet ai./ atsh/ KultPlus.com

Shqipëria në vitin 1982 (FOTO)

Parë nga një gazetar i huaj, gjithçka në një vend komunist në mes të Evropës, dukej kaq “ekzotike” për kohën. “Shqipëria në vitin 1982 – Një udhëtim fotografik” – titullohet ky bllok që sjell në kujtesë vendin tonë, 39 vjet më parë.

Autori i këtyre fotografive, Onide Donati, është gazetari tashmë në pension, që ka ruajtur dhe publikuar këto pamje të vjetra nga Shqipëria, dikur socialiste…

Gazetari 65-vjeçar italian, asokohe kur inventarizoi pamjet e rralla, ishte zyrtar i Partisë Komuniste në Rimini, Itali.

Më vonë, Donati ka punuar për më shumë se tridhjetë vjet, së pari si korrespondent e më pas, si gazetar politik. Në fund të karrierës, ai mbajti vendin e kreut të redaksisë së “Emilia-Romagna”. /konica/ KultPlus.com

Konferenca e Paqes në Paris dhe Shqipëria

Me 18 janar 1919, filloi punimet Konferenca e Paqes e Parisit në një nga sallat luksoze të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Frances. Konferenca e Paqes, e para e këtij lloji për nga formati i pjesëmarrësve dhe problemet që pritej të zgjidhte, u mblodh pas konfliktit të madh botëror 1914-1918.

Fituesit e luftës u mblodhën për të vendosur një rregull të ri botëror që katastrofa të tilla mos të ndodhnin më. Për herë të parë mbërriti në Evropë Presidenti amerikan Wilson duke ballafaquar dy këndvështrime të ndryshme për rregullimet e pasluftës, atë amerikan mbështetur në 14 pikat e Willsoni ku spikaste parimi i vetvendosjes, dhe traditën e vjetër evropiane mbështetur në parimin e ruajtjes së ekujlibrave midis fituesve e shmangien e luftës. Në fakt në 20 vite filloi konflikti i dytë botëror duke nxjerrë në pah gabimet e vendimarrjes në Paris 1919. Zyrtarisht Konferenca e Paqes zgjati deri në vitin 1920, por në gjashtë muajt e parë të saj u morën vendimet kyçe dhe u vunë në lëvizje zinxhirët jetikë të ngjarjeve.

Në muajt që kaluan në Paris, në një hapësirë të re gjeopolitike të krijuar pas shembjes së 4 perandorive, paqbërësve iu desh; të vijëzonin kufij të rinj në hartën e Evropës, por edhe të mendonin për Azinë, Afrikën e Lindjen e Mesme, të përballeshin me nacionalizmat që lindën e u zunë vendin perandorive, të hartonin traktat paqeje me Gjermaninë, Austrinë, Hungarinë e Bullgarinë, por edhe të gjenin mjetet që të shmangnin një konflikt tjetër e të ofronin siguri kolektive. Një i tillë do të ishte krijimi i Lidhjes së Kombeve. Kryetari i Konferencës, kryeministri francez Klemanso, iu ankua një kolegu “ Eshtë shumë më e thjeshtë të bësh luftë se të bësh paqe”.

Shqipëria gjatë Luftës së Parë Botërore ishte kthyer në një shesh betejash midis paleve kundërshtare të cilat në fund të saj u ndanë në fitues e të humbur. Elita politike shqiptare u angazhua që atdheu i tyre të mos humbiste në pazaret e mëdha të Konferencës së Paqes, dhe të gjendej një mbështetës i madh dhe i interesuar për Shqipërinë midis Fuqive fituese të luftes. Më të interesuarat dhe simpatizante të pavarësisë së Shqipërisë ishin Italia dhe SHBA.

Në dhjetor 1918 nën kujdesin e Italisë, një ndër mbeshtetëset e pavarësisë së Shqipërisë në 1913, u krijua Qeveria e Përkohshme e Durrësit e cila do të dërgonte delegacionin e saj zyrtar si përfaqësuese në Paris, të kryesuar nga kryeministri Turhan Pasha. Në Paris mbërriti edhe një delegacion i kryesuar nga Esat Pasha në cilësinë e kryetarit të vetëshpallur të qeverisë shqiptare. Ky dualizëm në përfaqsim nuk i bënte dobi trajtimit të statusit të Shqipërisë i cili pas Luftës së Parë Botërore dhe ndryshimeve të ndodhura ishin vënë përsëri në diskutim. Në kryeqytetin francez, për të mbështetur qeverinë e Durrësit dhe të ardhmen e pavarësisë së Shqipërisë dhe kufijve të saj territorial, mbërritën edhe përfaqësues të kolonive shqiptare në SHBA, Rumani, Turqi, etj, të cilat herë pas here organizonin takime të përbashkëta me delegacionin zyrtar të Shqipërisë.

Në ceremonine e festimeve për Ditën e Pavarësisë së Amerikës, në 4 korrikut 1918, Fan Noli i ftuar si përfaqësues i shqiptarëve në Amerikë, arriti të takonte presidentin Willson dhe ti fliste për Shqipërinë dhe nevojën për mbështetje nga SHBA në Konferencën e Paqes. Pasi e dëgjoi me vëmendje Nolin, Willson u përgjigj “ Une do të kem një zë në Konferencën e Paqes dhe do ta përdor këtë zë edhe në emër të Shqipërisë”.

Shqiptarët kudo ndodheshin, mbështetën platformën dhe qëndrimin e delegacionit shqiptar për rinjohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe paprekshmërinë se saj territoriale duke korrigjuar gabimet e së shkuarës. Ata demostruan kohezion e vitalitet, duke lënë mënjanë përkatësinë fetare e krahinore, duke demostruar në këtë mënyrë vlerat më të mira evropiane në mbrojtje të të drejtave të tyre .

Nga Konferenca e Paqes në Paris, Shqipëria doli pa një zgjidhje finale për çështjen e statusit të saj dhe kufijve tokësorë, por ama shpëtoi nga platformat copëzuese të trungut të saj të diskutuara në këtë Konferencë, e kjo falë mbështetjes së madhe të SHBA. Çështja shqiptare do të ridiskutohej përsëri në Konferencën e Ambasadorëve 1921, ku do të merrej vendimi final për Shqipërinë në kushte të reja pas krijimit të Lidhjes së Kombeve 1920. / KultPlus.com

CNN: Shqipëria, mikpritëse e shkëlqyer e turistëve amerikanë

Dokumentet më të fuqishme të udhëtimit në botë, fuqia e pasaportës amerikane është ulur si pasojë e pandemisë së koronavirusit, shkruan rrjeti i njohur informativ amerikan, CNN, përcjell KultPlus.

Pavarësisht se sa i duan fitimet nga turizmi, amerikanët nuk janë të gatshëm të marrin përsipër rrezikun e përhapjes së Covid-19 në vendet e tyre.

Ndërkohë, edhe pse shumë amerikanë po qëndrojnë në shtëpi, disa ende duan të shkojnë jashtë vendit. Vendet e ndryshme të botës i ndryshojnë rregullat në mënyrë dramatike në çdo kohë, transmeton atsh.

CNN jep edhe listën e vendeve ku mbajtësit e pasaportave amerikane të shkojnë për pushime dhe një ndër këto është edhe Shqipëria.

”E gjendur në detin Adriatik, Shqipëria mbetet e hapur dhe mikpritëse e shkëlqyer, shkruan tutje CNN.

”Faqja web e ambasadës amerikane thotë se nuk ka kërkesa për test Covid-19 ose karantinë. Ndërkohë janë vendosur rregulla për maskat dhe ka një orar të përcaktuar lëvizjeje”, përfundon CNN. / KultPlus.com

Ministria e Kulturës në Shqipëri premton ndriçimin e 15 kalave

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Shqipëri, Elva Margariti ka publikuar një projekt që pritet të ndodh përgjatë vitit 2021, shkruan KultPlus.

Margariti në facebook ka shkruar se do të arrihet ndriçimi i 15 kalave në Shqipëri.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Elva Margaritit:

Ditë të mbarë!  #Punëtqëçojmëpërpara2021

Falë projektit të rikualifikimit të monumenteve të kulturës do të ndriçohen 15 kala në të gjithë Shqipërinë, duke u kthyer krenarinë e harruar. / KultPlus.com

Ministria e Jashtme e Shqipërisë vazhdon promovimin e gjuhës shqipe në biblioteka të Malit të Zi

Iniciativa e Ministrisë së Jashtme në Shqipëri për libraritë dhe bibliotekat shqip në Mal të Zi po vazhdon, shkruan KultPlus.

Ministri Gent Cakaj ka bërë të ditur se kanë mbeshtetur ripërtëritjen e bibliotekave të dy shkollave në Tuz.

Pas mbështetjes financiare për ngritjen e librarisë së parë me literaturë në gjuhën shqipe në Ulqin, kemi vendosur të japim mbështetje financiare për ripërtëritjen e bibliotekave të dy shkollave në qytetin e Tuzit”, ka shkruar Cakaj.

Përveç premtimeve për mbështetjen e mëtutjeshme të shqiptarëve të Malit të Zi, ministri ka thënë se do të hapet së shpejti edhe Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Ulqin. / KultPlus.com

100 vjet më parë, Shqipëria anëtare me të drejta të plota në Lidhjen e Kombeve

Si sot, 100 vjet më parë, Shqipëria u pranua anëtare me të drejta të plota në Lidhjen e Kombeve.

Presidenti Ilir Meta, duke kujtuar këtë datë të shënuar, u shpreh se, “ky akt unik në historinë e kombit tonë, sanksionoi shtetin shqiptar si subjekt të së drejtës ndërkombëtare, por mbi të gjitha përforcoi sovranitetin, rikonfirmoi pavarësinë dhe vendosi garanci për kufijtë e caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës të vitit 1913”.

“Mundi, sakrificat dhe luftërat e popullit shqiptar, sidomos përpjekjet diplomatike të patriotëve, kudo ku ndodheshin, veçanërisht të Federatës Patriotike “Vatra” dhe kryetarit të delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, Fan S. Noli, u kurorëzuan nëpërmjet këtij akti jashtëzakonisht të rëndësishëm, që e pranoi Shqipërinë, edhe pse të lodhur e të copëtuar nga Lufta e Parë Botërore, si të barabartë mes të gjitha kombeve, me të drejtat dhe detyrimet, që buronin nga anëtarësimi në këtë organizatë”, tha Meta.

Presidenti shprehu, “mirënjohje për kontributin e spikatur të Presidentit amerikan Thomas Woodrow Wilson, i cili nëpërmjet planit të tij prej 14 pikash hodhi themelet e një paqeje të barabartë në Europë, krijimin e konceptit të kombeve me të drejta të barabarta, pavarësisht madhësisë së tyre dhe vizionin për një organizatë të sigurisë kolektive si Lidhja e Kombeve”. /ata/ KultPlus.com

Me fanellën kuq e zi, gjimnasti me origjinë ruse shpall Shqipërinë kampione Evrope

Shqipëria ka arritur të fitojë një medalje të artë në Kampionatin Evropian të Gjimnastikës, falë atletit rus i pajisur me pasaportë shqiptare, Matvei Petrov. Në garën e zhvilluar në Mersin të Turqisë, Petrov fitoi më shumë pikë se të gjithë në kategorinë “kalë me doreza”, duke i dhuruar Shqipërisë kështu për herë të parë rezultat historik. 

Pas Petrov, qëndron një tjetër shqiptar. Ai është stërvitur shqiptari Alon Hasa, i cili është president i klubit Sk Hradcani në Pragë si edhe zotëron një nga palestrat më të mira për gjimnastikë. Në përfundim të garës, Petrov ka shpjeguar edhe lidhjen e tij me Shqipërinë.

“Kur nuk u kualifikova për Lojërat Olimpike 2016, unë e përfundova karrierën time si gjimnast dhe u transferova në Pragë për të punuar si trajner. Unë nuk kam menduar për të ndjekur një karrierë si gjimnaste. Por ndërsa punoja si trajner, gjeta pak kohë të lirë, kështu që fillova përsëri stërvitjen dhe kuptova se isha akoma në gjendje të mirë. Dhe unë isha me fat sepse drejtori i palestrës ku unë punoja, Alon Hasa ishte shqiptar. Kështu filloi historia ime me Shqipërinë “, tha Matvei Petrov./shqiptarja/ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=5_mEEqHjIAs&feature=emb_logo

Familja e Klodian Rashës me një letër publike: Protestat po na i thellojnë dhimbjet

Katër ditë pas humbjes së djalit, familja e Klodian Rashës ka bërë thirrje për qetësi me anë të një letre publike duke kërkuar që dhimbja e tyre të mos thellohet më tej me padrejtësi të tjera.

Top Channel ka siguruar këtë letër, për të cilën një nga anëtarët e familjes Rasha i konfirmoi se ajo është letër publike për të gjithë shqiptarët. Në letër, anëtarët e familjes Rasha shkruajnë se “pamë me shumë keqardhje dje policin e plagosur në sy dhe ndjemë dhimbje për prindërit e tij”.

Kështu nis letra publike e familjes së 25-vjeçarit, vrasja e të cilit ka ngritur në këmbë mijëra vetë në protesta që janë përshkallëzuar prej tri ditësh në dhunë.

“Ato që po shohim pas humbjes së djalit tonë nuk na ngushëllojnë. Po na e thellojnë plagën tonë të jashtëzakonshme”.

“Djalit tonë”, shkruhet më tej në letër, “ia mori jetën arma e një polici”.

Ndaj familja kërkon drejtësi deri në fund.

“Por rrëmujat në emër të djalit dhe plagosja e djemve të nënave që i shërbejnë shtetit në polici nuk sjellin drejtësi, por vetëm padrejtësi të tjera”. /express/ KultPlus.com

104 vite nga shpallja e Korçës krahinë autonome

Sot janë bërë 104 vite që nga shpallja e Korçës krahinë autonome, shkruan KultPlus.

Ishte 10 dhjetori i vitit 1916 kur u shënua një kthesë e rëndësishme historike për qytetin shqiptar.

Qyteti i Korçës rrezikonte të binte nën pushtimin grek. Bisedimet mes Themistokli Gërmenjit dhe kolonelit të atëhershëm francez, Dekoen bënë që Korça të fitonte autonominë nën mbrojtjen e Francës.

Administrata ishte shqiptare, teksa në përbërje të saj kishte të krishterë dhe myslimanë.

Në këtë kohë qyteti pati një zhvillim të madh ekomomik, u hartuan rregullla të reja, u mbyllën shkollat e huaja dhe u hapën të tjera shkolla në gjuhën shqipe, qarkullonin monedha dhe pulla të reja të Krahinës Autonome.

Qeveria vetë qeverisëse pati një jetëgjatësi të shkurtër deri kur qyteti u drejtua plotësisht nga Francezët në vitin 1918, por megjithatë francezët nuk ju hoqën të drejtën themelore korçarëve për të mësuar në gjuhën shqipe dhe shkollat vazhduan aktivitetin e tyre. / KultPlus.com

Pas vrasjes së 25 vjeçarit, dorëhiqet ministri i brendshëm i Shqipërisë

Pas trazirave në Shqipëri ku mbeti i vrarë nga policia i riu Klodian Rasha, ministri i punëve të brendshme, Sandër Leshaj ka dhënë dorëheqje, shkruan KultPlus.

Ministri i brendshëm nëpërmjet një deklarate drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama ka dhënë dorëheqjen e tij pas protestimeve të shumta rreth vrasjes së 25 vjeçarit.

“Vendimi im vjen si njeri e si prind që ndan modestisht dhimbjen me prindërit e femijët e familjes së Klodian Rashës,por edhe si shprehje mirënjohjeje e respekti për ata që më besuan, mbështetën, inkurajuan e që jane fatmirësisht shumica qytetare e Shqipërisë”, ka thënë në deklaratë Leshaj.

KultPlus ua sjell të plotë deklaratën e ish-ministrit të brendshëm, Sandër Leshaj:

Deklaratë e Ministrit të Brendshëm Sander Lleshaj

Tiranë, 10.12.2020

Edhe pse në jetën time kam pasur shumë detyra të rëndësishme shtetërore, kurrë nuk kam luftuar apo bërë përpjekje të posaçme për të marrë ndonjërën prej tyre. Të gjitha kanë ardhur si produkt rrethanash të caktuara, ku unë kam qenë i thirrur.

Kur u thirra nga Edi Rama për të kryer detyrën e ministrit të brendshëm në vitin 2018, isha krejt i vetëdijshëm për atë që më priste. Duhej të ecja në një fushë të minuar herët, që nga dita e krijimit të shtetit shqiptar.

U gjenda përpara dilemës që kishte përjetuar Patër Anton Harapi, kur pranoi të merrte një post të lartë shtetëror në vitin e mbrapshtë 1943. Dilema e prelatit të madh në ato kohë të tmerrshme ishte: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë; ase të tregoj nji dobsí tue u largue.

Edhe unë me ndërgjegje të plotë vendosa të “baj nji marri”, sepse nuk mund të tregoja dobësi.

Isha i qartë se e gjithë përpjekja ime do të ishte vetëm në funksion të konsolidimit të shtetit shqiptar, dhe se pikërisht për këtë arsye, do të isha në shënjestrën e atyre që shtetin shqiptar e luftojnë sistematikisht që nga dita e krijimit të tij. Në se nuk i njihni, mundohuni të kujtoni ata që vënë zjarr mbi institucionet e Shqipërisë, vrasin dhe plagosin policët e saj, që e vjedhin, e shajnë dhe e shëmtojnë pa mëshirë atë.

Nuk kam pasur për asnjë çast iluzionin se unë do ta ndryshoj ministrinë apo Shqipërinë. Megjithatë jam përpjekur me të gjitha energjitë e mia për të lënë një gjurmë normaliteti në ushtrimin e detyrës.

Pas dy vjetësh, deklaroj me përgjegjësi të lartë se Shqipëria është një vend më i sigurtë, me më pak vrasje, më pak banda, më pak kanabis, më pak aksidente dhe me më pak krim se kurrë më parë në historinë e 30 vjetëve të fundit. Kjo tablo nuk është meritë e imja, por e qytetarëve shqiptarë, e policëve shqiptarë dhe e gjithë atyre që punojnë përditë për Shqipërinë.

Në të njëjtën kohë, ata që historikisht e kanë vrarë, djegur, vjedhur, dhunuar, turpëruar dhe shëmtuar Shqipërinë, po përpiqen sot që të gjejnë një pretekst për të nisur një sulm të ri kundër vendit, në vijim të përpjekjeve për ta mbajtur atë në gjendje amullie dhe larg trungut amë europian.

Të aftë për të mos pasur turp as márre përpara asgjëje, ata po përpiqen të përdhosin një mort të dhimbshëm të një djali të ri, të vrarë padrejtësisht nga një punonjës policie që është arrestuar menjëherë pas ngjarjes, për të sulmuar barbarisht policët e tjerë të Shqipërisë dhe institucionet e shtetit tonë.

Ministria e Brendshme është pozicionuar menjëherë drejt, duke i konsideruar të paligjshme veprimet e punonjësit të policisë që sollën vdekjen e një qytetari, duke bërë kështu një akt elementar përgjegjshmërie, por edhe të pazakontë në historinë e re të vendit.

Qytetarët e Shqipërisë nuk mund të harrojnë kurrë se ata, që sot ngrenë gishtin për të akuzuar dhe dorën për të goditur, më 21 janar 2011 vranë katër qytetarë, plagosën qindra të tjerë, në një kasaphanë politike barbare në mes të kryeqytetit, dhe e thelluan më tej mynxyrën, duke shkatërruar provat e krimit shtetëror dhe duke refuzuar madje edhe zbatimin e urdhrave të prokurorëve për arrestimin e autorëve, gjë e panjohur në ndonjë vend normal. Nuk mund të harrohen ata që kurrë nuk kërkuan as ndjesë për masakrën që dirigjuan vetë dhe që vijojnë edhe sot që ta quajnë të drejtë këtë turp të madh përpara Zotit, popullit dhe shtetit shqiptar.

Përballë përpjekjes së autorëve të 21 janarit 2011 për të kërkuar sot një pretekst të ri për të mbjellë dhunë mes shqiptarësh bazuar mbi një episod tragjik dhe fatal, si dhe me vetëdijen e plotë se vendi ka nevojë për një model të ndryshëm sjelljeje politike kam vendosur të jap dorëheqjen e parevokueshme nga posti i Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë.

Nuk kam dashur në asnjë çast që sjellja ime në krye të Ministrisë së Brendshme t’i ngjajë asaj të shumë të tjerëve dhe sidomos asaj të autorëve të masakrave të 1997-ës, të 1998-ës dhe veçanërisht të 2011-ës.

Ndaj jam sot pafundësisht i lumtur që arrita të provoj përpara çdo shqiptari se unë nuk jam si ata. Jo. Nuk jam si ata.

Edhe pse, që nga dita e parë e marrjes së detyrës, më është dashur të përballoj një seri aktesh të dhunës histerike apo të angazhohem për policë të plagosur në detyrë nga verbëria e dhunës antishtet, asnjëherë nuk u ngjita gjatë protestave tek snajperët në tarracën e Kryeministrisë, siç bënin pa turp autorët e 21 janarit, asnjëherë nuk lejova përdorimin e armëve në protestat politike, asnjëherë nuk mora në mbrojte ndonjë polic apo person tjetër që shkeli ligjin dhe asnjëherë nuk u kërkova të tjerëve ndonjë standard që nuk e zbatoja vetë.

Janë këto arsye që më kanë bindur se TANI ËSHTË MOMENTI për të mbyllur një kapitull angazhimi në krye të Ministrisë së Brendshme, me brengë në shpirt për humbjen e padrejtë të jetës së një djali të ri, i qetë për trajtimin e drejtë të ngjarjes dhe krenar për vendosjen e një standardi diametralisht të kundërt me atë të autorëve të 21 janarit 2011.

Edhe sot jam përballë dilemës së fillimit, por në një kuptim tjetër. Nëse në fillim e pranova këtë post për të mos treguar dobësi, sot, në rrethanat e krijuara, dobësi do të ishte ngulmimi për të qëndruar.

Përgjatë më shumë se dy vjetëve në krye të Ministrisë së Brendshme, u përpoqa dhe arrita të ndryshoj për mirë shumë gjëra dhe e mbyll misionin tim me rekordet më të mira historike në fushën e rendit dhe të sigurisë publike në 30 vjetët e fundit të historisë së Shqipërisë.

U identifikova me vetëdije me çdo polic të Shqipërisë dhe i mbeta besnik këtij standardi.

Edhe sot besoj se tek punonjësit e policisë qytetarët duhet të shohin Ministrin e Brendshëm, për sa kohë ministri pajtohet dhe pranon sjelljet apo qëndrimet e këtyre punonjësve.

Të gjitha gjërat që arrita të bëj në shërbim të konsolidimit të shtetit shqiptar janë hipoteka ime e rëndësishme që më bëjnë sot personalisht të ndihem mirë përpara qytetarëve shqiptarë dhe plot mirënjohje për kontributin e gjithë personelit të strukturave të Ministrisë së Brendshme dhe atë të bashkëpunëtorët e mi.

Në të njëjtën kohë, u përpoqa dhe arrita që të mos ta ndryshoj veten time. Mbeta ai që isha, me të njëjtën strehë familjare, me të njëjtën familje, me të njëjtët miq. Nuk mora asgjë nga posti, përveç pagës që ishte më e ulët se të ardhurat që kisha përpara se të bëhesha ministër, nuk bleva, nuk shita, nuk ndërtova, nuk……

Të gjitha këto gjëra që nuk bëra janë sot pasuria ime e pafundme që më bën të ndihem i fortë si shkëmb, i pastër si dritë dhe jashtëzakonisht i qetë.

E di fort mirë se shumëkush nuk është dakord sot me këtë vendim. Por megjithatë dëshiroj t’i garantoj ata se vendimi im vjen pikërisht në respekt të tyre dhe aspak si reagim ndaj atyre që e shajnë, shëmtojnë, vjedhin apo e djegin këtë vend.

Vendimi im vjen si njeri e si prind që ndan modestisht dhimbjen me prindërit e femijët e familjes së Klodian Rashës,por edhe si shprehje mirënjohjeje e respekti për ata që më besuan, mbështetën, inkurajuan e që jane fatmirësisht shumica qytetare e Shqipërisë.

Ky akt vjen edhe si shenjë falënderimi për Kryeministrin Edi Rama, i cili besoi tek unë, duke ruajtur përherë një marrëdhënie në radhë të parë shumë njerëzore, pastaj edhe gjithnjë intelektualisht sfiduese dhe profesionalisht krejt të ndershme.

Dhe së fundi, por jo nga rëndësia, kjo është edhe shprehje dashurie, pse jo edhe një urim për Krishtlindjet, ndaj familjes time, asaj shumë të madhes, të madhes dhe të voglës, për të cilët mungova pothuajse krejtësisht për më shumë se dy vjet dhe që, megjithatë, vijuan të më duan e të më mbështesin si gjithmonë fort dhe pa kushte.

ZOTI E BEKOFTË SHQIPËRINË! / KultPlus.com

12 artistë pikturojnë gjatë pandemisë Shqipërinë nga Jugu në Veri

Ekspozita “Plein air” është çelur në Muzeun Historik Kombëtar. 12 piktorë janë bërë bashkë për të sjell përmes tablove të tyre peizazhin e Shqipërisë nga Jugu në Veri. Piktori Agron Polovina rrëfen përpjekjet e artistëve për të promovuar natyrën shqiptare përmes artit figurativ.

“Rrugëtimi i artistëve të Plein air ka qenë në të gjithë Shqipërinë, por unë do të veçojë krijimet e realizuara në Veri të vendit, në Liqenin e Prespës dhe në bregdet. Kjo ekspozitë është një ftesë për njerëzit për të udhëtuar, për të njohur vendin, por përse jo edhe për ta zbukuruar jetën e tyre”, shprehet piktori Agron Polovina.

Piktorët Buron Kaceli, Kujtim Buza, Nikolin Ivanaj, Pashk Përvathi, Xheneta Kadillari edhe të tjerë artistë, prezantojnë veprat e krijuara në këtë periudhë të vështirë pandemie, si një ushqim shpirtëror për artdashësit

“Unë personalisht kam shëtitur, si asnjëherë tjetër. Kam plotësuar boshllëqet që ka krijuar ambienti gjatë pandemisë. Mendoj se kjo ekspozitë është një ftesë për publikun, sepse të parët direkt një vepër arti nga afër është e pakrahasueshme me çdo mënyrë tjetër”, thotë Xheneta Kadillari.

Ekspozita vazhdon të qëndrojë hapur në Muzeun Historik Kombëtar./Shqiptarja.com/ KultPlus.com

8 Dhjetori, Basha: 30 vjet më parë, heronjtë e rinisë ndryshuan përgjithmonë fatin e Shqipërisë

“Në 30 vjetorin e lëvizjes së dhjetorit, le t’i nderojmë ata me zotimin për të bërë realitet Shqipërinë si gjithë Europa”, thekson Kreu i PD, Lulzim Basha në përkujtim të Lëvizjes Studentore të 30 viteve më parë.

Basha shprehet se “’E duam Shqipërinë si gjithë Europa’, kjo ishte thirrja e tyre, teksa kapërcenin barrierat policore dhe dhunën e regjimi”

“E duam Shqipërinë si gjithë Europa! 30 vjet më parë, heronjtë e rinisë shqiptare ndryshuan përgjithmonë fatin e Shqipërisë. Ata luftuan për liri, për demokraci, për të drejtat e njeriut – dhe fituan.  Në 30 vjetorin e lëvizjes së dhjetorit le t’i nderojmë ata me zotimin për të bërë realitet Shqipërinë si gjithë Europa”, thekson kreu i PD, Basha. / atsh/ KultPlus.com

15 vjet isopolifonia shqiptare në listën e UNESCO-s

Presidenti i Republikës Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë artistiko-kulturore që u mbajt në Muzeun Etnografik të Vlorës, në 15-vjetorin e përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit”, të mbrojtura nga UNESCO-ja.

Gjatë fjalës së tij Meta tha se “gjuha, kënga polifonike dhe identiteti i shqiptarit kanë qenë dhe do të jenë përherë një e të pandara”.

Presidenti Meta uroi veçanërisht korifejtë shqiptarë të polifonisë, ata që “në rolet e ‘Marrësit’, ‘Prerësit’, ‘Hedhësit’ dhe ‘Isos’ së kësaj kënge, kanë mbajtur gjallë dhe transmetuar këtë traditë të shquar kombëtare, brez pas brezi.”

Duke përshëndetur kontributin e grupeve krijuese, bartësve, interpretuesve, rapsodëve, muzikologëve, studiuesve dhe artistëve të folklorit e kulturës popullore, Presidenti theksoi se ky akt vlerësimi i UNESCO-s reflekton shkallën e lartë të cilësisë së trashëgimisë sonë shpirtërore kombëtare, identitetin e spikatur kulturor dhe talentin e bartur në vite të genit shqiptar. Gjuha, kënga polifonike dhe identiteti i shqiptarit kanë qenë dhe do të jenë përherë një e të pandarë!”

Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh se “Në këtë ditë të shenjtë të ngritjes së Flamurit tonë Kombëtar këtu në Vlorë ndihem dyfish i gëzuar, sepse krahas nderimit të veprës së lavdishme të firmëtarëve të Pavarësisë me në krye Ismail Bej Vlorën, po përkujtojmë sot edhe një arritje të shënuar të kulturës sonë shpirtërore dhe kombëtare si komb: 15-vjetorin e përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e ‘Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit’, të mbrojtura nga UNESCO-ja”.

“Ku tjetër më bukur se sa në Vlorë dhe kur më shumë se sa sot, pikërisht këtu në djepin e lirisë dhe të polifonisë, në këtë qytet të ndërtuar mbi atdhedashurinë, midis valëve të detit dhe maleve të Çikës, do të mund ta festonim këtë përvjetor të shquar! Shqiptarët nuk e ndanë kurrë këngën nga pushka apo flamurin kombëtar nga gjuha dhe eposi etno-kulturor! E meritojnë gjigandi Lefter Çipa dhe të gjithë korifenjtë e polifonisë këtë nder dhe kënaqësi për gjithçka që kanë bërë për atdheun, për flamurin, për shpirtin kulturor të kombit dhe lartësimin deri në UNESCO të polifonisë shqiptare”, u shpreh Meta.

Presidenti solli në vëmendje se data 25 nëntor e vitit 2005 është dhe do të mbetet një datë historike për kulturën shpirtërore të popullit shqiptar.

Në atë ditë, 15 vite më parë, nga selia qendrore e UNESCO-s në Paris, Drejtor i saj i Përgjithshëm kumtoi për të gjithë botën se dukuria e ‘Polifonisë me iso’ e Shqipërisë futet në listën e ‘Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit’ të mbrojtura nga UNESCO-ja.

Juria ndërkombëtare e mbledhur në Paris nga data 21-24 nëntor 2005, e përzgjodhi polifoninë tonë për t’u përfshirë në listën ‘Kryevepër e njerëzimit’ midis 60 kandidaturave të propozuara  nga shtete të ndryshme në çdo anë të botës.

Presidenti theksoi se, “Polifonia, gjuha shqipe dhe shqiptaria janë një. Ajo lindi nga vajtimi dhe u bë këngë përmes muzikalitetit të gjuhës sonë të bukur, për të cilën populli nuk thotë ‘e lexoi’, por ‘e këndoi’, sepse kënga ruajti edhe gjuhën. Kjo traditë madhështore e shoqëron shqiptarin nga lindja në vdekje dhe i ka dhënë kuptim këtij udhëtimi njerëzor, në çdo kohë e nën çdo sistem”.

“Se çfarë përfaqëson polifonia më lejoni sot të citoj përsëri ikonën e saj Lefter Çipën, i cili na mblodhi sot në këtë takim të paharruar: ‘Polifonia shqiptare, njëkohësisht është këngë klasike, këngë perëndie, për ta parë, për ta dëgjuar, për ta puthur, për ta dashuruar. Por duhet patur kujdes me dashurinë e saj. Duhet ta duash me gjithë shpirt, të të hyjë në gjak e deje. Polifonia është shpirti i ditës, dhe zëri i natës, është bota shpirtërore e shqiptarit. Aty ku dëgjohen zërat e polifonisë, të bën të besosh se aty ka zot.”- u shpreh gjatë fjalës së tij Meta.

Ndërsa theksoi se “sot kujtojmë, nderojmë dhe do të vlerësojmë të gjithë ata korifej të këngës, me emra të përveçëm e që njihen nga të gjithë, të cilët në rolet e ndryshme, sepse polifonia është ekip, kanë mbajtur gjallë dhe transmetuar gjithë këtë traditë të madhe”.

Meta tha se “Presidenca ka dekoruar me tituj nderi disa prej artistëve të folklorit të spikatur të vendit, sot jemi mbledhur të vlerësojmë disa të tjerë të shquar prej qarkut të Vlorës, në të ardhmen do të rikthehemi sërish këtu, por edhe në treva të tjera, si dhe do të shkojmë në të tjera treva për të vendosur në piedestal të tjerë artistë me emër të këngës polifonike dhe folklorit në përgjithësi”.

Ai tha se, një nderim të veçantë e kam edhe për studiuesit, muzikologët dhe folkloristët e mëdhenj si Prof. Ramadan Sokoli, Prof. Benjamin Kruta,  Prof. Spiro Shetuni,  Prof. Afërdita Onuzi, Prof. Vaso Tole, Prof. Piro Miso e shumë të tjerë si dhe për të gjitha ato institucione studimore, të cilët e vendosën polifoninë shqiptare në shtratin e një strukture vlerash të mirë studiuara shkencërisht.

Por sot është dita që të kujtojmë dhe vlerësojmë me nderim edhe të gjithë ata këngëtarë e këngëtare popullore anonimë, ‘të heshtur’, të cilët nuk kanë emër pasi njihen thjesht me emrin ‘kori i isos’, ose ata që ‘ia mbushin këngës’ apo siç thonë ‘që bëjnë eee’.

Presidenti nderoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” këngëtarët dhe valltarët e talentuar Arap Çeloleskaj dhe Taip Madani (pas vdekjes); zoti Sejmen Gjokoli, zonja Katina Mërkuri, zotit Hysen Ruka, zoti Rrahman Nuredini; zoti Syrja Hodo, zonja Fatbardha Brahimaj, zoti Abdyl Lizaj dhe zoti Berdo Berdaj për kontributet e paçmueshme në interpretimin, ruajtjen, transmetimin dhe popullarizimin e vlerave të polifonisë me iso, në festivalet folklorike nëpër skenat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Me Dekoratën “Nder i Kombit” Kreu i Shtetit çmoi poetin e shquar Lefter Çipa në vlerësim të rolit të tij brilant si krijues, rapsod, mbartës dhe interpretues i perlave të këngëve polifonike shqiptare tradicionale dhe bashkëkohore duke e quajtur: “Poet të talentuar me frymëzim thellësisht kombëtar dhe me vargje të shtrydhura nga dallgët e detit dhe të përshkuara nga dashuria për dheun e mëmëdheut dhe frymëzues i përjetshëm i bukurisë së jetës dhe shpirtit njerëzor, eposit historik dhe vlerave morale, identitetit dhe ndjenjës kombëtare”.

Zotit Dhimitër Varfi iu akordua Titulli “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” për talentin artistik, interpretimin e spikatur dhe zërin e veçantë prej tenori, si dhe rolin unik në mbajtjen gjallë, kultivimin dhe përsosmërinë e këngës himarjote.

Ndërsa me “Titullin Naim Frashëri” Presidenti Meta çmoi zotin Sinan Gjoleka dhe zoti Dule Beqir Gjoka për kontributet e tyre vyera si këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë popullor të shquar të Labërisë. /ata/ KultPlus.com

NATO uron Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë

Aleanca Veriatlantike, NATO ka uruar Pavarësinë e Shqipërisë në 108 vjetorin e saj, shkruan KultPlus.

Në faqen zyrtare të NATO-së në facebook, NATO ka uruar shtetin shqiptar, duke i ftuar të tjerët në festimin e kësaj dite.

“Bashkohuni me ne në festimin e Aleatit tonë #Albania në Ditën e Pavarësisë së tyre.

#Ne jemiNATO”, ka shkruar Alenaca Veriatlantike.

Shqipëria është pjesë e NATO-s që nga viti 2009. / KultPlus.com

28 Nëntori bashkon tre ministrat e jashtëm shqiptarë

28 Nëntori përveç që ka qenë shënim i sukseseve kombëtare, sot është edhe ditë unfikuese për shqiptarët, shkruan KultPlus.

Këtë e dëshmuan tre ministrat shqiptarë nga tre vendet me popullsi shqiptare, teksa u lidhën në një video telefonatë.

Ministrja e Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Meliza Haradina-Stublla, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Gent Cakaj si dhe Ministri i Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani u bashkuan virtualisht për këtë ditë të madhe të kombit.

Në një reagim në Facebook, lidhur me video-telefonatën, Kryediplomati Cakaj u shpreh se me homologët e tij, e nisën këtë ditë me nderim të përulur për flamurin kuq e zi, bashkëndjenjë të thellë e vetëdije të plotë për rrugëtimin e përbashkët si komb shqiptar dhe, natyrisht, me urimet më të përzemërta për çdo shqiptar, kudo në botë. / KultPlus.com

Shqipëria e shekullit të XIX sipas piktorëve të huaj

Piktorët shqiptarë vazhduan të pikturonin motive fetare sipas kanoneve të artit post-bizantin deri në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe ata pothuajse nuk arritën të krijonin as një imazh të botës reale, të jetës së përditshme, ose një peizazhi të natyrës së vendit. Kjo mungesë thelbësore e historisë dhe kulturës shqiptare u plotësua nga piktorë të huaj.

Gjatë shekullit të pesëmbëdhjetë, pikërisht kur populli shqiptar u gjend në syrin e stuhisë, dhe së bashku me popujt e tjerë të Ballkanit atyre iu desh të luftonin kundër osmanëve. Kjo rriti vëmendjen e piktorëve të huaj ndaj Shqipërisë. Lufta, rezistenca, emigrimi gjatë pushtimit osman, ishin temat e shumicës së pikturave në ato vite. Më të vjetrat janë portrete të Skënderbeut, të tilla si piktura, Rrethimi i Skutarit nga Paolo Veronese (1528-1588) e cila ruhet në Pallatin e Doges në Venecia. Mendohet se Gentile Bellini (1429-1507) bëri portretin e parë gjatë periudhës në të cilën Skënderbeu ishte në Itali për të ndihmuar Ferdinandin e Napolit.

Piktorët e huaj ishin të magjepsur nga rrobat shumëngjyrëshe, peisazhet, dhe gjithashtu nga krenaria e shqiptarëve. Disa piktorë të njohur janë Camille Corot (1796-1875) me Vajze shqiptare, Eugene Delacroix (1796-1863) me pikturën Çift shqiptaresh, Leon Gerome (1824-1904) i cili bëri rreth 30 piktura me tema shqiptare.

Pikturat e Gerome janë ndër më të bukurat nga të gjitha ato që kanë të bëjnë me Shqipërinë, midis të gjithë piktorëve të huaj. Edward Lear anglez, gjatë dy udhëtimeve të tij në Shqipëri midis 1848-1849, pikturoi rreth 100 fotografi. Midis pikturave të ndryshme nga Lear me temë shqiptare, litografia Gjirokastra dhe akuareli Ura e Bahçallekut, janë të rëndësishme jo vetëm për vlerat artistike, por edhe sepse përshkruajnë dy monumente të kulturës shqiptare me shumë vlera që nuk ekzistojnë më sot: Ujësjellësi i Gjirokastrës dhe ura mbi Drinin, afër Shkodrës. Puna e Lear-it është dëshmia e vetme e këtyre monumenteve të rëndësishme.

Lear ishte shumë i magjepsur nga Shqipëria, nga njerëzit dhe veshjet popullore. Në pikturat e tij ne kemi përfaqësuar peisazhet e mrekullueshme shqiptare dhe pothuajse gjithmonë ka njerëz të veshur me rroba tradicionale.

Të gjithë këta piktorë të huaj ndihmuan në sjelljen e një jete nga ajo periudhë pasi nuk ka mbetur as një pikturë nga periudha realiste nga piktorët shqiptarë./Mario Bellizzi/ KultPlus.com

Shqipëria në gjysmëfinalen e dytë të Eurovisionit

Organizatorët e Eurovisionit kanë konfirmuar se 41 vendet që pritej të merrnin pjesë në maj në Rotterdam të Holandës do të jenë pjesëmarrëse në vitin 2021.

Grupi i Konkursit të Eurovisionit është pajtuar që të mos vazhdojë me një short të ri të alokimit në muajin janar. Kjo nënkupton se të gjitha vendet që ishin caktuar për gjysmëfinalen e parë dhe të dytë do të performojnë në Ahoy Arena më 2021.

Në këtë formë ruhet edhe validiteti i biletave të blera nga fansat e Eurovisionit për edicionin 2020.

Shqipëria do të performojë në gjysmëfinalen e dytë.

Në gjysmëfinalen e parë, më 18 maj 2021 paraqiten këto shtete:

Kurse në të dytën, më 20 maj 2021, do të performojnë këto vende:

KultPlus.com

‘111 arsye për të dashur Shqipërinë’, gjermani i apasionuar pas tokës së shqiponjave

Turistin gjerman Joerg Doisher e kemi takuar verën e 2019  në Tiranë teksa përpiqej të orientohej në kryeqytet, por me të këqijat dhe të mirat e saj ai e ka pranuar Shqipërinë.

Për më shumë se një dekadë Jorg ka zbuluar jugun dhe veriun e vendit tonë, për të rrëfyer më pas në një libër 111 arsyet për ta dashur Shqipërinë.

Jorg ka vizituar për herë të parë Shqipërinë në vitin 2006 , e tregon se pasi është larguar drejt Berlinit ka pasur dëshirën të shkruajë për përjetimet e tij këtu. Më pas ikje ardhjet këtu ishin të shpeshta, nuk numërohen. Ndërsa prej një viti shtëpia e tij është kthyer Lukova.

Për shkrimtarin gjerman libri është një deklaratë dashurie për një nga vendet më të bukura në botë, i cili gjendet ngahera në ndërtim e sipër. /tch/ KultPlus.com

Spektakël i rrallë hipizmi në vijën bregdetare Darëzezë – Pishporo

Darëzeza e Fierit mori një tjetër dimension turistik.

Me qindra pjesëmarrës nga gjithë Shqipëria e Kosova përjetuan spektaklin e rrallë të hipizmit në vijën bregdetare Darëzezë – Pishporo.

Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi lidhur me organizimin e këtij eventi të rëndësishëm sportivo turistik u shpreh se “kalorës të apasionuar pas kalërimit nga Fieri, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi i vunë një kurorë të artë turizmit tonë bregdetar”.

“Mirënjohje për organizatorët fierakë dhe Shoqatës “Bilali” të hipizmit që e kthyen Darëzezën tonë në pistën me fantastike të hipizmit mbarëkombëtar”- tha Subashi.

Për herë të parë bregdeti i Darëzezës në Fier është shndërruar në një “pistë” hipizmi.

Iniciatorët e kësaj gare u bënë disa të rinj fierakë, të cilët prej janarit të këtij viti çdo ditë për hobi bënin shëtitje me kuaj në bregdet. Gara u zhvillua në bregdetin e Darëzezës dhe Pishporos për shkak të gjatësisë të pandërprerë, prej 10 km.

Gjatë aktivitetit u zhvilluan dy gara, një garë shpejtësie ku marrën pjesë 15 kalorës që zgjati 1 minutë dhe gara tjetër zgjati më shumë. Gara e gjatë e rezistencës është e gjatë 10 km, vajtje ardhje nga Darëzeza në Pishporo dhe nga Pishporo deri tek grykëderdhjen e Vjosës ku kufizohet Fieri me Vlorën.

Hipizmi është prej shekujsh një sport i preferuar për adhuruesit e tij, i cili sjell emocione dhe adrenalinë të papërshkrueshme. Mund të ushtrohet nga të gjithë grupmoshat. Ky sport vë në lëvizje të gjithë pjesët e trupit si dhe mendjen në të njëjtën kohë./ atsh/ KultPlus.com

Kur Shqipëria shkëlqente në skenat botërore (FOTO)

Agim Krajka dhe Vaçe Zela me Ansamblin e Shtetit, në vitet ’80-të, kohë kur turnetë artistike nga Ansambli, zinin një pjesë të rëndësishme të programit të tyre.

Mes pjesëmarrësve bien lehtësisht në sy, e madhja Vaçe Zela dhe kompozitori i shquar i muzikës së lehtë, Agim Krajka. Fotot janë realizuar në vitin 1988, para dhe gjatë shfaqjes së Ansamblit të këngëve dhe valleve të Shqipërisë, në një qytet të Austrisë.

Në këto imazhe bie në sy prania e këngëtares legjendare Vaçe Zela, Agrim Krajkës, mjeshtrit të ndjerë Rexhep Çeliku, partneres së tij Lili Cingu, si dhe vallëtarë, instrumentistë dhe anëtarë të delegacionit shqiptar. Fotografitë u publikuan për herë të parë, nga gazetari dhe studiuesi, Armand Plaka. / KultPlus.com

Kriteret për të marrë patentën shqiptare në 1925: Duhej të ishe 21 vjeç dhe të mos ishe gjaknxehtë

Në vitin 1925 Shqipëria miratoi një rregullore të detajuar  për mënyrën sesi duhej të jepeshin patentat, si merrej leja e qarkullimit të automjeteve, tarifat që duheshin paguar dhe penalitetet me të cilat përballeshin ata që shkelnin rregullat e qarkullimit.

Referuar rregullorës, të gjitha qerret me fuqi motorri që punojnë në rrugë në vende publike duhet të ishin nën kontroll të autoriteteve kompetente te qeverisë. Çdokush që dëshironte të mbante e përdorte qerre me fuqi motori duhet të kishte leje nga qeveria. Leja merrej pasi kërkuesi të paraqitej te autoritetet kompetente të shtetit e të jepte provimin e zotësisë, shkruan Scan, transmeton KultPlus.

“Çdo qerre me fuqi motori që vepron mbi rrugë ose vende botnore (publike) duhet të ketë një leje veprimi. Çdo përdorues i këso lloj qerresh duhet të ketë leje përdorimi që quhet “Leje Chaufferi”” shkruhej në rregullore.

Rregullorja ishte aq e detajuar sa parashikonte edhe elementet e sigurisë që duhej të përmbante automjeti, përcjell albinfo.ch.

“Çdo qerre motorike duhet të ketë një aparat sinjali me za. Çdo qerre me fuqi motori do të ketë përpara dy llampa e përmbrapa nji për ndriçim” përcaktohej më tej në rregullore.

Referuar rregullore, ‘përbrenda qyteteve ‘Chauffeuri” nuk do të kalojë 10 kilometra shpejtësi në orë. Përjashta qyteteve jo më tepër se 40 kilometra në orë’.  Shpejtësia nuk duhej të kapërcente më shumë se 6 kilometra në orë kur moti ishte me mjegull ose kur makina kalonte në kryqëzime.

Çmimi i çertifikatës së pronësisë ishte 50 franga ari.

Ai që dëshironte të merrte patentën për drejtimin e automjetit duhej të bënte një kërkesë para autoriteteve kompetente. Dokumentacioni që duhej dorëzuar ishte çertifikata e lindjes. Kushti i parë ishte që kandidati të kishte mbushur moshën 21 vjeç. Po ashtu, kandidati duhej të mos kishte kryer krime e për këtë kërkohej edhe dorëzimi i “dëftesës penale” apo dëshmisë së penalitetit jo me të vonshme se 2 muaj.

Po ashtu, në listën e dokumenteve ishte edhe certifikata mjekësore në të cilën vërtetohej nga mjeku i qeverisë ose i bashkisë se kandidati nuk kishte të meta fizike apo shëndetësore që mund të pengojnë drejtimin e automjetit.

Provimi për patent përbëhej nga dy faza, sikurse në ditët e sotme; testimi teorik dhe praktik. Provimi teorik përbëhej nga pyetje të ndryshme verbale. Ndërkohë, testimi i praktikës zhvillohej duke e çuar kandidatin që të ngasë automjetin në rrugë ku kishte më shumë vështirësi qarkullimi.

“Në provim praktik konsiderohet vetëm aj qi tregon dijeni të plotë dhe nuk ka gjaknxetësie” përcaktohej në rregullore.

“Çertifikata e Chauffeurit” kushtonte 20 franga. Kjo rregullore hyri në fuqi me datën 1 shtator 1925./ scan/ KultPlus.com