Peshkimi, arkeologjia, turizmi dhe natyra do të jenë pjesë e edicionit të tetë të “Mercati della terra e del mare” (Tregjet e Tokës dhe Detit), në Pulia ku flitet për brigjet e adriatikut mes Pulias dhe Shqipërisë.
Ky edicion përfshin tregje, gatim, workshope, konferenca e forume si dhe udhëtime. Aktiviteti do të mbahet për tri ditë, 9-11 gusht 2021.
Në këtë event përfshihet edhe arkeologjia, ku do të diskutohet mbi vendet me ujë të ëmbël që për mijëvjeçarë kanë qenë vendi ideal për jetën njerëzore. / KultPlus.com
Qyteza e Ulzës vetëm 1 orë e 10 minuta larg Tiranës, është një nga destinacionet më interesante për të kaluar fundjavën, mes qetësisë dhe bukurive që kjo qytezë ofron.
Tashmë atë e vizitojnë edhe turistë që vijnë nga qytete të tjera të vendit, si dhe turistë të huaj nga Italia, Franca, Gjermania, Çekia e Polonia.
E pozicionuar midis bashkive Mat dhe Mirditë, Parku Rajonal i liqenit të Ulzës ka një sipërfaqe prej 4,206 hektarësh dhe shtrihet nëpër të gjithë kurorën e liqenit të Ulëzës dhe Shkopetit, në një lartësi 400 m mbi nivelin e detit.
Kjo është zona turistike më e afërt për banorët e këtyre bashkive, të cilët e frekuentojnë edhe për plazh gjatë verës. Pas shpalljes Park Natyror Rajonal rreth pesë vite më parë, tashmë Ulzën e vizitojnë edhe turistë që vijnë nga qytete të tjera të vendit, si dhe turistë të huaj.
Në këtë qytezë, turistët vendas dhe të huaj shijojnë bukuritë natyrore si dhe pyjet e shumta duke bërë hiking dhe eksploruar shtigjet. Gjithashtu turistët e aventurës mund të shijojnë lundrimin me kanoe në liqen. Për të apasionuarit pas turizmit të kulturës mund të vizitojnë kullat e vjetra plot histori nga e kaluara dhe kishat.
Mikpritja dhe kulinaria e shumëllojshme nuk mungojnë në këtë qytezë ku vizitorët shijojnë ushqimi tradicional me bazë peshku dhe prodhimet bujqësore të zonës.
Ulëza ka shumë për t’i ofruar turistëve përgjatë gjithë vitit. / KultPlus.com
Ndre Mjeda, ishte njëri ndër poetët, veprimtarët dhe atdhetarët më të shquar të kohës. Ai krahas Fishtës, Gurakuqit, Nolit, Mosit, veproi në drejtim të zgjimit dhe kalitjes së ideve përparimtare, pavarësisht petkut të tij fetar. I pajisur me dije filozofike, gjuhësore, fetare, shoqërore, Mjeda me tërë qenien iu kishte përkushtuar arsimimit dhe përparimit të bashkëkombësve, të cilët në kohën e tij, të paarsimuar kombëtarisht, analfabetë e të nëpërkëmbur nga fuqitë e mëdha dhe nga Perandoria Osmane, po përpëliteshin mes Lindjes e Perëndimit.
I orientuar drejt vlerave demokratike dhe botës së qytetëruar, Ndre Mejda përfaqësonte intelektualin model të kohës, me një kulturë të shëndoshë kombëtare e shoqërore, me një modesti karakteristike të njerëzve të rangut të tij dhe me një botë të pasur krijuese, të cilën e vuri në shërbim të arsimimit dhe emancipimit të shqiptarëve pa dallin krahine, feje e bajraku. Veprimtaria poetike, gjuhësore, filozofike e fetare e Mjedjes është mjaft e thellë si nga përmbajtja ashtu edhe nga qasja që iu ka bërë problemeve të caktuara. Ai ka shkruar poezi antologjike, të cilat me të drejtë janë prezantuar në abetaret shqipe dhe në librat shkollorë. Janë të mirënjohura poemat e tij si: “Endrra e jetës”, Vaji i Bylbylit, Liria, Lissus, Scodra e të tjera.
Ndre Mjedja u lind në Shkodër nga i ati Jakë Zefi dhe ëma Luçije Thaçi. I ati ishte me origjinë nga Mirdita ndërsa e ëma nga Malësia e Pukës. Si i ri me intelekt të zhvilluar, i talentuar dhe studioz, tërhoqi vëmendjen e jezuitëve, të cilët menduan ta bënin prift. Në edukimin e tij patën ndikim shkrimtari jezuit Anton Xanoni (1863-1915) dhe poeti françeskan Leonardo de Martino (1830-1923). Ai vazhdoi më pas studimet fetare në Spanjë, Itali e Poloni. Në fillim ndenji tre muaj në pranverë 1880 në fshatin Cossé-le-Vivien afër Lavalit në perëndim të Francës, kurse më pas ndoqi një kolegj në manastirin Kartuzian të Porta Coeli-t në veri të Valencias në Spanjë, ku studioi për letërsi.
Më 1883 e gjejmë në Kroaci, ku studion retorikë, latinisht dhe italisht në një institut jezuit në Kraljevica (ital. Porto Re) në bregdetin dalmat. Nga 1884 deri në fillim të vitit 1887 u stërvit në një kolegj që drejtohej atje nga Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj Gregorian tjetër në Kieri (Chieri), në juglindje të Torinos, ku ndenji deri në fund të atij viti. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci.
Në këto vite Ndre Mjedja filloi të shkruajë poezi shqip, ndër to edhe vjershën melankolike mjaft të lexuar “Vaji i bylbylit”, botuar më 1887 në broshurën Scahiri Elierz (Poeti i nderuar), ku shpreh mallin për vendin e tij. Po e kësaj periudhe është vjersha Vorri i Skanderbegut. Tema e shqiptarit në mërgim, që e merr malli për atdheun nën zgjedhën turke, ishte më se e zakontë në letërsinë e Rilindjes, sidomos në dhjetëvjeçarin pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit. Edhe shumë vjersha të tjera nga penda e tij u kushtohen temave të tilla kombëtare. Por në poezinë e Mjedës ndihet ndikimi jo vetëm i kulturës rilindëse të kohës, por edhe i mësuesit të tij Leonardo De Martino, poetit katolik shkodran, përmbledhja poetike e të cilit e përpunuar bukur me 442 faqe e në dy gjuhë L’Arpa di un italo-albanese (Harpa e një italo-shqiptari) kishte dalë në Venedik më 1881. Po aq ndihet në vargun e Mjedës edhe ndikimi i poetëve bashkëkohës të Italisë: atdhetarit Xhozue Karduçi (Giosuè Carducci, 1835-1907), medituesit Xhovani Paskoli (Giovanni Pascoli, 1855-1912), të ndjeshmit Gabriele D’Anuncio (Gabriele D’Annunzio, 1863-1938) si dhe i letërsisë latine të lashtësisë klasike.
Nga 1887 deri më 1891 Mjeda dha muzikë në kolegjin Marko Xhirolamo Vida (Marco Girolamo Vida) në Kremona buzë lumit Po, qytet i kompozitorit Klaudio Monteverdi (1568-1645) dhe i Antonio Stradivarit (1644-1737). Atje, dhe në Soresina, ai vazhdoi të shkruajë poezi e njëkohësisht iu përkushtua përkthimit të letërsisë fetare. Më 1888 Propaganda Fide në Romë botoi librin e tij, Jeta e Shën Gjon Berhmansit, për një shenjtor jezuit nga Brabanti (1599-1621), kurse më 1892 Përngjasim i Zojës së Bekueme përkthyer nga spanishtja. Më pas ai do të botonte një përkthim nga Katekizmi i madh në tre vëllime, Historia e shejtë, dhe një jetëshkrim të Shën Alojsius nga Gonzaga (1568-1591).
Nga viti 1891 Mjeda studioi për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të Krakovit në Poloninë katolike. Atje u njoh me veprat filologjike të albanologëve Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900) dhe Holger Pedersen (1867-1953). Vjersha e Mjedjes Gjûha shqype, e shkruar në dhjetor 1892, iu përkushtua gjuhëtarit austriak Majer, vepra monumentale e të cilit Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe) kishte qenë botuar një vit më parë në Strasburg. Veprat e Majerit dhe Pedersenit zgjuan te Mjedja interesimin për historinë dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, që do të vazhdonte edhe në vitet e mëvonëshme dhe do të kthehej në një ndihmesë për vetë problemin e alfabetit, nëpërmjet punës së tij me tekstet shkollore dhe studimet për autorët e vjetër katolikë Pjetër Budi (1566-1622) dhe Pjetër Bogdani (rr. 1630-1689).
Më 1893 poetin e gjejmë në Goricia buzë kufirit italo-slloven, kurse pas një viti përsëri në Kraljevica, ku dha mësim filozofi e teologji e ku shërbeu si bibliotekar në kolegjin Gregorian. U emërua profesor i logjikës e më pas i metafizikës. Thuhet se më 1898, në gjirin e jezuitëve të Kraljevicës shpërtheu një konflikt, me sa duket për lidhjet e tyre me Austro-Hungarinë dhe me Vatikanin. Hollësitë e skandalit nuk njihen me saktësi, por dihet se Ndre Mjeda u përfshi njëfarësoj në këtë konflikt dhe menjëherë u përjashtua apo dha dorëheqjen atë vit nga Urdhri Jezuit.
Më 1899, me ndihmën e të vëllait Lazër Mjedja, peshkop i Sapës që më 1896 e më pas kryepeshkop i Prizrenit e kryepeshkop i Shkodrës, e sidomos me ndihmën e Prenk Doçit (1846-1917), abati me influencë i Mirditës dhe vetë poet i lëvizjes kombëtare, Ndre Mjeda u emërua mësues në Vig, në krahinën malore të Mirditës. Gjithashtu mori pjesë në fillim në veprimtarinë e shoqërisë letrare Bashkimi, që ishte themeluar atë vit në Shkodër me mbështetjen austro-hungareze nga Preng Doçi, Ndoc Nikaj dhe Gjergj Fishta.
Më 1901 bashkë me të vëllanë themeloi shoqërinë Agimi, e cila krijoi një alfabet (alfabet ky i nji komisioni t’Ministrisë s’punëve të jashtme t’Austro-Hungarisë, me bazë alfabetin kroat) dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Për veprimtari patriotike autoritetet osmane e arrestuan. Me këtë alfabet Ndre Mjedja dhe Anton Xanoni botuan një numër këndimesh për shkollat shqipe, ndër to Këndimet për shkollat e para të Shqypnisë, i cili përmbante një numër tekstesh në prozë të shkruara nga Mjedja. Në fillim të shtatorit 1902, Mjeda u ftua në Hamburg për të marrë pjesë në Kongresin e 13-të Ndërkombëtar të Orientalistëve, ku lexoi një kumtesë me titull De pronunciatione palatalium in diversis albanicae linguae dialectis (Mbi shqiptimin e palataleve në dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe). Interesimi i zjarrtë i Mjedës për çështjen e alfabetit të shqipes bëri që ai, pavarësisht nga problemet me autoritetet osmane, të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit më 1908, ku alfabeti i tij Agimi humbi para atij Bashkimi të Gjergj Fishtës. Më 1908 në Kongresin e Manastirit bashkë me At Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin dhe Mati Logorecin si përfaqsues i Shkodrës dhe variantit të karaktereve latine, u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916-1917 ishte anëtar i Komisia Letrare Shqipe.
Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924) Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël.
Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër, ku edhe vdiq më 1 gusht 1937.
Poema romantike e njohur Vaji i bylbylit u shkrua më 1887; në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi, që shquanin paraardhësit e tij L. De Martinin, N. Bytyçin etj. Vepra përmbyllej me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Që nga kjo kohë e deri më 1917 kur pa dritën e botimit vëllimi me vjersha Juvenilia, Ndre Mjeda shkroi, por nuk botoi gati asgjë. Të kësaj kohe janë poema tjetër romantike I tretuni, në të cilën është derdhur malli për atdheun, për njerëzit dhe natyrën e vendit me bukuritë e saj, vjersha Shtegtari, Malli për atdhe, Gjuha shqype, Bashkoniu !etj. Krahas krijimeve të përshkuara nga notat elegjiake, Ndre Mjeda hartoi edhe vepra poetike, në të cilat tema patriotike u trajtua në frymën e poezisë luftarake të Rilindjes, si Liria (1910-1911). Në të gjeti jehonë kryengritja e malësorëve të Shqipërisë së Veriut më 1911, qëndresa dhe aspirata e tyre e zjarrtë për drejtësi shoqërore dhe për tokë. Grishja e poetit që fshatarët të ngriheshin për t’u çliruar nga zgjedha e rëndë shoqërore, ndërthuret me besimin se lufta e vegjëlisë do të sjellë lirinë. Në këtë vepër gjeti pasqyrim demokratizmi i Ndre Mjedës, që përbën bashkë me patriotizmin, anën më të fortë të botëkuptimit dhe të krijimtarisë së tij. Vjersha “Mustafa Pasha në Babunë” fshikullon pavendosmërinë dhe qëndrimin e lëkundshëm të parisë feudale në luftë kundër zgjedhës së huaj. Në poemën e njohur Andrra e jetës nëpërmjet pamjeve poetike prekëse, autori zbuloi tragjedinë e malësorëve të varfër, që rronin në zgrip të jetës, mjerimin dhe padijen e madhe, ku ata ishin kredhur. Botën shpirtërore të personazheve të poemës, ndjenjat dhe mendimet e tyre, poeti i dha me mjete të kursyera dhe mjeshtëri.
Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjeda e cila nisi pas Luftës I Botërore, i përkasin poemat në tingëllima (sonete) “Scodra” dhe “Lissus”, ku, përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme e popullit tonë, sidomos fryma luftarake dhe liridashëse e stërgjyshërve të tij, ilirëve. Duke vijuar në këtë kohë traditën e poezisë së Rilindjes Kombëtare, Ndre Mjedja shprehu kështu mospajtimin e tij me regjimin reaksionar që sundonte vendin.
Në prodhimin poetik të Ndre Mjedës, zënë vend edhe vjershat për fëmijë. La edhe disa shqipërime të goditura nga Gëtja, T. Grosi, etj. Romantik në thelb, Ndre Mjedja bëri një hap përpara drejt realizmit, ai kishte kërkesa të larta dhe tregoi mjeshtëri të rrallë poetike.
Ndre Mjeda dha ndihmesën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në, gramatikë, leksikologji, filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë Agimi me kriterin shkencor për çdo tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike. Dha ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t’u përmendur Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe (1934), Mbi shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe (1902). Ndre Mjedja është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV-XV (1933).
Ndre Mjedja është njëri nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe. Me një frymëzim të parë romantik e djaloshar ai ka krijuar poemën e mallit e të dhembjes personale (Vaji i bylbylit). Me njohjen e jetës autentike të botës shqiptare ai ka krijuar poemën e botës shqiptare (“Andrra e jetës”). Me kërkime në njohjen e rrënjëve kulturore e historike ai ka krijuar tufat e tingëllimeve (Lissus, Scodra). Me rebelimin e tij personal e rebelimin nacional ai ka krijuar poemën e revoltit dhe himnin e lirisë (Lirija).
Mjedja mbetet mjeshtër i pashembullt i formës e i gjuhës poetike në shqip dhe mjeshtri më i madh i tingëllimit në shqip deri më sot. / KultPlus.com
Qyteti i Korçës, vijon të tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas edhe të huaj, të cilët gjejnë mjaftë tërheqëse klimën, bukuritë dhe traditën kulturore të këtij qyteti në juglindje të vendit.
Bashkia Korçë bën të ditur për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) se mbi 30 000 vizitorë, 65% e të cilëve turistë të huaj, vizituan qytetin dhe fshatrat turistik të tij, gjatë periudhës janar – qershor 2021.
Akomodimi i turistëve është realizuar si në mënyrën moderne (hotele) ashtu edhe në atë tradicionale (bujtina) që kanë ofruar sipas bashkisë shërbime cilësore për pushuesit.Aktualisht në qytetin e Korçës kapaciteti i shtretërve shkon në 2 980 persona ndërsa numri i strukturave akomoduese arrin në 111 (83 hotele dhe 29 bujtina).
Kapacitetet akomoduese në qarkun e Korçës vitet e fundit janë shtuar edhe me 20 njësi të reja (hotele dhe bujtina) duke ofruar më shumë shtretër dhe kushte komode për pushuesit.Korça është kthyer në një prej destinacioneve turistike më të frekuentuara në Shqipëri, që mirëpret fluks vizitorësh në çdo stinë të vitit.
Kjo ka sjellë edhe nevojën për rritjen e kapaciteteve akomoduese, duke krijuar kështu një trend në ndërtimin e bujtinave dhe hoteleve të cilat pozicionohen kryesisht në zonat karakteristike të qytetit. Janë vetë qytetarët e Korçës ata të cilët i kanë kthyer banesat karakteristike korçare në bujtina pritëse për turistët.
Ajo çfarë i bën aq shumë të dashura bujtinat është ruajtja e stilit origjinal të ndërtimit por edhe arredimi me elementë karakteristik tradicionalë.Korça është një destinacion mjaft interesant për t’u vizituar pasi në stinën e dimrit të ofron mjaft alternativa argëtimi në fshatin e Dardhës dhe Voskopojë, gjithashtu në këtë zonë gjenden edhe një sërë veprash antike, si bazilikat, mozaikët etj.
Ndërsa në verë, kima e freskët dhe piktoreske është një relaks më vete.Vizitorët vendas dhe të huaj që vizitojnë Korçën kanë mundësi të orientohen lehtësisht në muzeumet, institucionet publike, parqet dhe vendet e tjera të vizitueshme në qytet.
Në çdo kohë, turistët mund të vizitojnë të gjitha atraksionet turistike, të përfshira në turin e qytetit për të cilat orientohen lehtësisht, pasi janë vendosur tabela informuese. Ndërsa investimet në vepra publike kanë shtuar komoditetin e shëtitjeve në parke dhe ambiente të ndryshme historike kulturore që ofron ky qytet./atsh/ KultPlus.com
Peshëngritësi shqiptar, Erkand Qerimaj ka siguruar vendin e parë në kategorinë B të peshës 81 kg për meshkuj në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, përcjellë KultPlus.
Ai ka shkëlqyer në të treja provat në shkëputje ku më e mira ishte në 157 kg, ndërsa ka arritur të ngrejë 181 kg në shtytje, duke çuar në një total prej 338 kg në dygarësh.
Në përfundim të renditjes së përgjithshme në disiplinën 81 kg në peshëngritje për meshkuj, peshëngritësi Qerimaj zuri vendin e 9 nga 14 peshëngritës të kategorisë së tij në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.
Kampioni Erkand Qerimaj sot gjatë garës kishte edhe mbështetjen e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj i cili shoqërohej nga presidenti i KOKSH, FidelYlli dhe sekretari përgjithshëm, Stavri Bello, shefi i misionit dhe anëtarë të tjerë të delegacionit Olimpik shqiptar. / KultPlus.com
Mbi 5 mijë turistë vendas e të huaj zgjodhën si destinacion gjatë muajit korrik parkun Kombëtar të Thethit.
I ndodhur 70 km larg Shkodrës, ky park vitet e fundit po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.
Në këto ditë të nxehta vere sidomos në fundjavë shumë turistë vendas, por edhe të huaj preferojnë të zgjedhin Thethin, për të shijuar natyrën e bukur, ajrin e freskët dhe ushqimet bio të zonës.
Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Shkodër, Agim Dardha tha për ATSH-në se gjatë muajit korrik Thethi pati një rritje të numrit të turistëve, ku mbi 5 mijë vizitorë vendas e të huaj shijuan bukuritë e tij”.
Sipas tij, gjatë ditëve ka patur rreth 300 turistë në ditë, ndërsa në fundjavë mbi 500 turistë.
“Veçori këtë vit është se mbi 60-70% e turistëve janë vendas. Vetëm në korrik qendrën turistike të Thethit e vizituan 1300 turistë”, – tha Dardha.
Pikat kryesore që vizitohen jane Monumenti e Natyrës si Syri Kaltër, vaskat në Ndërlysa. Ujëvara e Grunasit, kanioni i Grunasit, shtegu Theth-Valbonë, shpella e Arapit, Shtegu i Bjeshkëve të Namuna etj.
Thethi gjendet në mes të Alpeve në veri të Shqipërisë, 70 km nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre malet, Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500 m mbi nivelin e detit. Lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre alpeve, ndodhet 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh.
Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.
Thethi është i vizitueshëm në katër stinët, ku në pranverë dhe verë për gjelbërimin e rrallë, në dimër për bardhësinë e dëborës dhe për lojërat aventureske me të, ndërsa vjeshta për ngjyrat mahnitëse dhe begatinë në frutikulturë. / ATSH / KultPlus.com
Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për restaurimin e Kishës së Shën Gjergjit në qytetin e “një mbi një dritareve”, përcjellë KultPlus.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti ka bërë të ditur se ndërhyrjet do të konsistojnë në restaurimin dhe konsolidimin e fasadës dhe çatisë së kishës që i përket shek. XVIII në Berat.
Margariti shprehet se edhe pse shumë pak ka mbetur nga ndërtimi origjinal, objekti është dëshmi edhe disa etapave historike që ka kaluar jo vetëm ky objekt, por edhe vendi ynë dhe se si diktatura shkatërroi objektet e kultit, duke i shndërruar në magazine, pallate sporti apo i shembi.
“Kjo kishë në vitet ’80, u transformua në një rezidencë dhe pikë turistike qeveritare dhe si rrjedhojë u shemb pjesa e sipërme e kishës, për të ndërtuar një imitim të shtëpisë karakteristike beratase. Nga gjurmët që ruhen ende sot, duken muret origjinalë në katin përdhe, ku janë përdorur brezat e tullës së kombinuar me gurë”, ka shkruar ministrja. / KultPlus.com
Agim Krajka dhe Vaçe Zela me Ansamblin e Shtetit, në vitet ’80-të, kohë kur turnetë artistike nga Ansambli, zinin një pjesë të rëndësishme të programit të tyre.
Mes pjesëmarrësve bien lehtësisht në sy, e madhja Vaçe Zela dhe kompozitori i shquar i muzikës së lehtë, Agim Krajka. Fotot janë realizuar në vitin 1988, para dhe gjatë shfaqjes së Ansamblit të këngëve dhe valleve të Shqipërisë, në një qytet të Austrisë.
Në këto imazhe bie në sy prania e këngëtares legjendare Vaçe Zela, Agrim Krajkës, mjeshtrit të ndjerë Rexhep Çeliku, partneres së tij Lili Cingu, si dhe vallëtarë, instrumentistë dhe anëtarë të delegacionit shqiptar. Fotografitë u publikuan për herë të parë, nga gazetari dhe studiuesi, Armand Plaka. / KultPlus.com
Media italiane “Corriere.it” në rubkrikën dedikuar udhëtimeve i ka kushtuar një artikull plazheve të Shqipërisë.
Nga një vend i panjohur, tashmë në destinacion për pushime. Kush do ta kishte menduar se Shqipëria do të bëhej shpejt një nga destinacionet e reja verore evropiane të preferuara nga italianët (dhe jo vetëm)?
Vitet e fundit, Toka e Shqiponjave është rilindur: e re, dinamike, krijuese – pavarësisht problemeve të secilit vend në zhvillim. Qytetet e gjalla, deti i kristaltë, peizazhet e paprishur dhe disa nga plazhet më të bukur në gadishullin Ballkanik.
Plazhet më të mira janë në jug të vendit, midis qytetit të Vlorës dhe Ksamilit, pikës së fundit të tokës shqiptare para Greqisë. Disa – si Sazan dhe Karaburun – mund të arrihen me varkë, të tjerët si Gjipë mund të arrihen vetëm pasi të keni ndjekur itineraret e shëtitjes.
Duke zbritur takoni Porto Palermon, me kështjellën e Ali Pashës me pamje nga deti, dhe Borshi, të përqafuar nga një hapësirë pemësh ulliri dhe shkurre mesdhetare. Dhe pastaj Himara dhe Saranda deri në Ksamil, i famshëm për perëndimet e diellit dhe ujërat që zbehen nga blu në të kaltër në bruz.
Në veri të Shqipërisë, nga ana tjetër, ka Velipojë dhe Kepi i Rodonit, ku mund të admironi edhe një kështjellë të lashtë nga koha e Skënderbeut, heroit kombëtar shqiptar./ KultPlus.com
Takime, prezantime, koncerte, një “itinerar fotografik” për të rrëfyer Shqipërinë 30 vjet pas zbarkimeve në Brindisi dhe Bari.
Nga e enjtja 29 korrik deri të dielën 1 gusht në fshatrat Castro, Diso, Marittima dhe Acquaviva të Salentos mbërrin “MediFest – Tinguj, bashkëbisedime, kujtime, imazhe të Mesdheut” i promovuar nga Rajoni i Pulias në bashkëpunim me partnerë të shumtë.
Edicioni i parë i Festivalit do t’i kushtohet tërësisht Shqipërisë. Tridhjetë vjet pas zbarkimeve në Brindisi dhe Bari, festivali ofron katër ditë takime, prezantime, koncerte, lexime, shfaqje, një “rrugëtim fotografik” por edhe pjata të kuzhinës shqiptare e arbëreshe për të njohur Shqipërinë, vendin e projektuar drejt Evropës, pa lënë mënjanë historinë e kujtimet që veçanërisht dhjetëvjeçarët e fundit e kanë lidhur në mënyrë të pandashme me Italinë e Rajonin e Puglias në veçanti.
“Shqipëria është e ftuara e këtij edicioni të parë falë afrimitetit të veçante me fqinjët italianë të Puglias – thotë Geri Ballo, kuratore shkencore e Festivalit, – Para syve të puljezëve ra muri që ndante Shqipërinë nga pjesa tjetër e botës para 30 vjetësh. Ishin ata të parët që përjetuan bashkë me ne shqiptarët eksperiencën e fortë emocionale të emigracionit. Tani që komuniteti italo-shqiptar është ndër më të rrënjosurit mes italianëve të rinj në Puglia, ato copëza historie kthehen në pikënisje reflektimi për MediFest, gjatë të cilit do të ndalohet në mënyrë të veçantë mbi çka bashkon popullin shqiptar me atë puljez, duke filluar nga civilizimi antik mesapian dhe trashëgimia e rëndësishme e përbashkët e përfaqësuar nga arbëreshët për të vijuar me shumë elementë të tjerë artistikë dhe letrarë që do të jenë subjekt i aktiviteteve të propozuara për publikun në katër mbrëmjet e festivalit”.
Mbrëmja e parë, e enjte 29 korrik, do t’i ofrojë publikut të Kastros dy takime në “Messapi: Populli i dy deteve” me arkeologët Francesco D’Andria dhe Katia Mannino dhe “Të rinjtë dhe Mesdheu” me nënkryetaren e bashkisë së Tiranës Anuela Ristani dhe Aldo Patruno, drejtor i përgjithshëm i Departamentit të Turizmit e Kulturës së Rajonit të Puglias dhe shfaqjen “Nina kërcen” të Claudio Prima & Seme.
Gjatë mbrëmjeve në vijim do të flitet për ndikimin kulturor të komuniteteve arbëreshe, për “Fenë, ateizmin dhe shqiptarinë” me, ndër të tjerë, Imzot Gjergj Metën dhe me Imamin e Tiranës Ylli Gurra; do të kujtohet i ndjeri Alessandro Leogrande dhe këndvështrimi i tij mbi Shqipërinë dhe Mesdheun me Christian Raimo dhe Stela Xhunga. Botuesi Besa Muci do të kurojë një fokus mbi letërsinë shqipe që do të ofrojë një ballafaqim mes shkrimtarëve Tom Kuka dhe Anilda Ibrahimi dhe një lexim me zërin e Angela De Gaetano. “Tingujt” do t’u besohen fizarmonikës Admir Shkurtaj i cili do të sjellë në skenë projektin Harè me Lindita Hoxhën (violinë) dhe Pino Basile (kupafon) dhe një përqafimi midis muzikës popullore arbëreshe dhe asaj të Salentos të realizuar nga bashkëpunimi i “Ansamblit arbëresh të Puglias” me tre grupe tradicionale të Disos.
Agimi i të dielës 1 Gusht do të pritet në gjirin Acquaviva nën tingujt e koncertit për piano të Robert Bishës. Nuk do të mungojë seksioni “Imazhe” që do të sjellë për publikun “itinerarin fotografik” të Elton Gllavës dhe Fate Velajt dhe shfaqjen e filmit të shkurtër “Omonimia” të Mentor Selmanit. Çdo mbrëmje në orën 21.30 pjata tipike arbëreshe dhe shqiptare të përgatitura nën kujdesin e Institutit të hotelerisë IPSEO “Aldo Moro” në Santa Cesarea Terme në bashkëpunim me Puglia në Rosè.
Për informacion më të detajuar për çdo veprimtari të këtyre 4 ditëve të MediFest, shkoni në faqen e facebook MediFest Puglia/diaspora shqiptare. / KultPlus.com
Ambasada e Gjermanisë në Tiranë theksoi sot se, në serinë “Postim nga Postet”, Ministria e Jashtme gjermane hedh vështrimin në vende të ndryshme të botës duke përcjellë pikëpamje të punonjësve në ambasadat gjermane, transmeton KultPlus.
“Dje u raportua mbi Shqipërinë! Sepse një koleg nga ambasada gjermane në Tiranë u kthye disa ditë më parë në Berlin me një valixhe plot përvoja pozitive dhe fotografi të bukura nga Shqipëria”, thekson ambasada gjermane.
“Shqipëria” – vendi i shqiponjave, siç vendi quhet në gjuhën vendase, ka qenë për 3 vitet e fundit shtëpia e kolegut tonë më të ri në ekipin e shtypit, i cili sapo ka mbërritur në Berlin. Kohë e mjaftueshme për të zbuluar këtë vend plot larmi dhe kontraste. Përveç kryeqytetit hiper-urban “Tirona”, në të cilin jeton rreth një e treta e popullsisë vendase, jugu i vendit tërheq me plazhe të bukura ndërsa veriu me zonat e thella malore. Historikisht, Shqipëria ka qenë një vazo e shkrirjes së kulturave dhe ndikimeve të ndryshme dhe sot është një shembull i tolerancës ndërfetare”, nënvizon ambasada gjermane. / KultPlus.com
Pushimet e britanikëve janë bërë të pasigurta në mes të paqartësive dhe rregullave që ndryshojnë pothuajse çdo ditë, sipas faqes online të gazetës së njohur britanike express.co.uk, transmeton KultPlus.
Megjithatë, eksperti i njohur i udhëtimeve, Simon Calder ka zbuluar një destinacion ku britanikët mund të pushojnë.
“Unë jam duke vëzhguar disa destinacione ballkanike, siç janë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku nuk kërkohen teste PCR apo karantinë”, deklaroi Calder.
“Këto dy vende janë sugjerimet e mia kryesore për listën e gjelbër, edhe pse britanikët mund të preferonin që edhe ndoshta një vend të madh dhe me shumë lidhje me Britaninë e Madhe si Polonia, me plazhet e saj në detin Balltik, të futej në këtë listë”, theksoi ai./ KultPlus.com
Mali me Gropa është një nga fenomenet e rralla të karstit në Shqipëri dhe një ndër më të rrallët dhe në Europë, për nga përmasat dhe shtrirja. Emrin ky mal e ka marrë nga sipërfaqja e sipërme e tij, që është e mbushur me gropa karstike, që janë formuar nga tretja e gurit gëlqëror në epokën e akullnajave.
Është ndër zonat më të reja të shpallura në mbrojtje nga Qeveria Shqiptare. Kjo zonë kufizohet ngushtë me Parkun Kombëtar të Dajtit (të zgjeruar), nga veriperëndimi i saj, dhe është, gjithashtu, ekologjikisht e lidhur ngushtë edhe me pellgun e Bovillës dhe Parkun Kombëtar të Qafështamës, që ndodhen më në veriperëndim, duke qenë vazhdim natyror i njëri-tjetrit.
Këto gropa kanë një thellësi që shkon nga disa dhjetëra metra, deri në mbi 100 metra në zona të caktuara. Disa prej këtyre gropave përfundojnë me puse të cilat zgjerohen në shpella karstike të nëndheshme. Ky mal është “prodhuesi” dhe fillesa e disa përrënjve që përshkojnë rrethin e Tiranës. Nga ky mal furnizohet me ujë burimi i Selitës. Pika më e lartë e tij arrin në 1847.3 metra që quhet dhe maja e Mcekut (njihet dhe e Micekut).
Ai është një destinacion për të gjithë të apasionuarit e ngjitjes malore dhe të skisë. Në dimer ai është pothuaj gjithnjë i mbuluar me borë, që arrin me raste deri në disa metra, duke e bërë të përshtatshëm për sportin e skisë ekstreme. Nuk ka shenja, por ka shtigje që të çojnë deri në lartësinë më të madhe. Mali është kryesisht i zhveshur nga pemët, përveç bimësisë së ulët.
Rruga për tek ai mund të vijojë në dy drejtime Tiranë -Qafëmollë dhe Tiranë – Shenmeri(Shengjergj). Rruga deri në Shenmeri dhe Qafëmollë është kryesisht më mirë. Me pas procedohet në rruge rurale dhe ngjitja në këmbë deri në destinacion. / diasporashqiptare.al / KultPlus.com
Nga shëtitjet në bregdet me limane të fshehur në detin Jon ose Adriatik, në liqenet akullnajore në majat më të larta të Ballkanit, Shqipëria ofron mundësi të tjera për të eksploruar natyrën gjatë pushimeve.
Megjithëse pamjet e Jonit blu i tundojnë udhëtarët të kënaqen me diellin, detin dhe të mos bëjnë asgjë tjetër, disa duan më shumë.
Për fat të mirë, Shqipëria ofron mundësi të pafundme për të organizuar shëtitje në natyrë.
Kërkuesit e aventurave mund të zgjedhin rrugë e shtigje që gjarpërojnë nëpër pyje të harlisura, male të larta dhe liqene të paanë, të gjitha këto me mundësinë për të kombinuar notin në një peizazh frymëzues me kampimin nën yje.
Liqeni akullnajor i malit të Gramozit
Liqeni alpin në Malin e Gramozit, i njohur edhe si Liqeni i Dragoit të Gistovës, ndodhet në 2 365 metra mbi nivelin e detit dhe është një nga liqenet më të larta akullnajore në Ballkan.
Shëtitjen mund ta nisni në fshatin Starje dhe, pas pesë orësh ecje të moderuar, është momenti për një zhytje në liqen.
Ujëvara e Bogovës në Berat
Bogova është një fshat në bashkinë Skrapar, Qarku i Beratit. I shtrirë mes maleve dhe me gjelbërim gjatë gjithë vitit, ai është kthyer në një atraksion turistik për vendasit dhe të huajt.
Në këtë fshat mund të vizitoni edhe Parkun Natyror të Bogovës, që shtrihet në një sipërfaqe prej 3,3 kilometrash katrorë.
Për të arritur te ujëvara, e pozicionuar në anën e majtë të Kanionit të Osumit, duhen afërsisht 45 minuta në këmbë nga fshati.
Kanioni i Gradecit
Kanioni i Gradecit është një destinacion radar i jashtëm që ndodhet në pjesën verilindore të Korovodës, një qytet afër Beratit.
Kanioni ndodhet në 250 metra mbi nivelin e detit, është i gjatë rreth tre kilometra dhe thellësia e tij varion nga 100 në 200 metra.
Gradeci është shtëpia e një ekosistemi interesant ujor karstik. Ky monument natyror ka vlera shkencore, kulturore, ekologjike dhe turizmi.
Një tjetër destinacion interesant në zonë është Shpella e Pirogashit, që nuk është eksploruar plotësisht.
Syri i Kaltër i Thethit
Syri i Kaltër i Thethit është një nga atraksionet më të famshme turistike në veri.
Ai ndodhet në fshatin Kaprre, që vlerësohet si një nga fshatrat më të bukur në Alpet Shqiptare.
Syri i Kaltër është krijuar nga Lumi i Zi që buron nga Maja e Zezë, ka një sipërfaqe të përafërt prej 100 metrash katrorë dhe thellësi prej tre deri në pesë metra.
Është lehtësisht i arritshëm për të gjitha grupmoshat.
Kanioni i fshatit Kryezi në Pukë
Ky fshat është një nga më të bukurit në veri të vendit, i pasur me burime ujore, kanione, ujëvara dhe shumë tradita historike dhe kulturore.
Kanioni i Nivicës
Nivica është vendi i përsosur për ata që e duan natyrën dhe historinë.
Fshati është shtëpia e peizazheve piktoreske dhe dramatike, ku është e mundur të ngjitesh në majën e majave të larta malore, si Kendrevica, 2 121 metra mbi nivelin e detit, ose të eksplorosh kanione dhe ujëvara të panjohura.
Përveç pasurive natyrore, rajoni është gjithashtu shtëpia e monumenteve të kulturës të tilla si fortesa, tempuj paganë, faltore, kisha dhe objekte të tjera që datojnë që nga antikiteti.
Kanioni i Nivicës, në malësitë e Kurveleshit, është një nga kanionet më të gjatë në Europë.
Liqeni akullnajor i Bunit, mali i Jezercës
Në majat veriore të qytetit të Tropojës, turistët mund të vizitojnë liqene akullnajore që datojnë pas epokës së fundit akullnajore, rreth 15 000-12 000 vjet më parë.
Liqene të tilla akullnajore nuk janë vetëm një atraksion turistik, por edhe një objekt studimi për ekspertët dhe natyralistët.
Liqeni i Sylbikës
Një tjetër liqen akullnajor që mund të vizitoni në veri të Shqipërisë është Liqeni Silbikës, rreth 1 900 metra mbi nivelin e detit, në livadhin akullnajor të Sylbikës në Malësinë e Gashit, rajoni i Kukësit.
Livadhi akullnajor i Sylbikës është i njohur për nëntë liqenet e tij akullnajorë, me një lartësi mesatare prej 1 000 -1 500 metra. Secili prej tyre mbulon rreth 40 hektarë sipërfaqe.
Kanioni i lumit të Holtës
Holta ndodhet në verilindje të Gramshit, afër fshatrave Kabash dhe Bardhë.
Kanioni është tre kilometra i gjatë, 150 metra i lartë dhe, në disa vende, ai ngushtohet deri në dhjetë metra gjerësi.
Ai është formuar nga aktiviteti karstik dhe erozioni i lumit Holta.
Në muret e kanionit gjenden disa shpella karstike të pashkelura.
Liqenet e Valamarës
Arsyeja për të vizituar malin Valamara janë tre liqenet akullnajore, që ndodhen rreth 2 200 metra mbi nivelin e detit, pranë fshatit Lenie.
Liqenet kanë madhësi mesatare prej 300 metra të gjatë dhe 200 metra të gjerë, me ujë të ftohtë të pastër si kristal.
Liqenet e Valamarës krijojnë një ekosistem interesant dhe kanë gjithashtu vlera gjeologjike, ekologjike dhe kulturore.
Zona është e përshtatshme për shëtitje, ngjitje në mal, eksplorim shpellash dhe aktivitete të tjera në natyrë.
Liqenet e Kacnias
Pesëmbëdhjetë liqenet akullnajore të Kacnias janë një destinacion i panjohur, edhe pse janë të vendosura jo larg nga liqenet e Lurës.
Aktiviteti akullnajor ka krijuar një terren të dhëmbëzuar me maja të tilla, si Miceku, Arnishta dhe Gurrat e Zeza.
Parku Kombëtar i Lurës
Lura u shpall një park kombëtar i kategorisë së dytë në 1966, për të mbrojtur biodiversitetin dhe ekosistemin e zonës.
Parku mbulon një sipërfaqe totale prej 1 280 hektarë në rajonin e Dibrës.
Lura njihet për liqenet e saj akullnajore, si Liqeni i Luleve, Liqeni i Kallabës, Liqeni i Blakut, Liqeni i Madh, etj.
Banjat termale të Bënjës dhe kanioni i Lengericës
Këtu turistët mund të shijojnë një zhytje relaksuese në ujërat termale, pavarësisht nga stina.
Përveç bukurisë natyrore të zonës së Bënjës dhe kanionit të Lengericës, burimet njihen për vetitë e tyre shëruese.
Kanioni ndodhet rreth 200 metra nga burimet termale dhe lartësia e tij varion nga 30 metra në 150 metra.
Lumi i Valbonës
Lumi i Valbonës është një nga lumenjtë më të bukur dhe është pjesë e Parkut Kombëtar të Valbonës.
Ai buron nga kufijtë e Bjeshkëve të Nëmuna, në veri të Shqipërisë.
Turistët mund të shijojnë bukurinë e lumit dhe të parkut kombëtar, kryesisht gjatë stinëve të pranverës, verës dhe vjeshtës, periudha kur natyra tregon anën e saj më të mirë, me ngjyra të mrekullueshme.
Rrajca
Rrajca është e përkryer për turizëm njëditor ose, nëse planifikoni të qëndroni disa ditë, mund të përfitoni nga bujaria e vendasve.
Kompleksi i qarqeve akullnajore të Rrajcës ndodhet në shpatin verior dhe lindor të Malit Shebenik.
Këto liqene kanë një gjatësi prej 100 metrash, gjerësi 80 metra dhe janë 2 200 metra mbi nivelin e detit.
Lumi i Gashit
Lumi i Gashit, së bashku me Rrajcën, janë pjesë e Pyjeve të Ahut Antik dhe Primitiv të Karpateve dhe Rajoneve të Tjera të Evropës të listuara si Trashëgimi Botërore e UNESCO-s.
Lumi i Gashit ndodhet në verilindje të Shqipërisë, në zonën kufitare me Malin e Zi dhe Kosovën, në zonën e Rripit të Gjelbër Evropian.
Ai i përket Bjeshkëve të Nëmuana ose Alpeve Shqiptare, me maja që arrijnë në 2 694 metra mbi nivelin e detit. / pragueforum.cz / ATA / KultPlus.com
Lojërat Olimpike “Tokio 2020” edhe zyrtarisht kanë nisur, me ceremoninë hapëse që po mbahet në stadiumin olimpik të Tokios.
Tashmë ka nisur prezantimi i ekipeve olimpike në “Tokio 2020”.
I pari që parakaloi në ceremoninë hapëse ishte ekipi i Greqisë. Ndërsa, pas Greqisë, radhën e pati ekipi olimpik i refugjatëve dhe pastaj Islanda, transmeton KultPlus.
Tashmë edhe ekipi olimpik i Shqipërisë ka parakaluar në ceremoninë e Lojërave Olimpike.
Luiza Gega dhe Briken Çalaj ishin bartës të flamurit shqiptar në këtë ceremoni. Shqipëria në Lojërat Olimpike prezantohet me tetë sportistë.
Në mesin e shteteve pjesëmarrëse, është edhe Kosova që po paraqitet për herën e dytë në Lojërat Olimpike pas debutimit në vitin 2016.
Kosova në këtë ngjarje po prezantohet me 11 sportistë, prej të cilëve gjashtë janë me normë olimpike derisa pesë të tjerët me ftesa. Medalistja e artë olimpike, Majlinda Kelmendi dhe Akil Gjakova do ta bartin flamurin e Kosovës në këtë ceremoni.
Derisa ka nisur ceremonia hapëse, protestuesit anti-Olimpiadë janë mbledhur para stadiumit olimpik dhe po i vazhdojnë protestat e tyre edhe gjatë ceremonisë të Lojërave Olimpike.
Protestuesit kanë kritikuar qeverinë japoneze që sipas tyre po i jep përparësi Olimpiadës para shëndetit të popullit të saj.
Spektatorët janë ndaluar që të jenë të pranishëm në të gjitha ngjarjet sportive që do të mbahen në zonën e Tokios, me audiencë të kufizuar që lejohet në disa zona periferike.
Rreth 23 për qind të popullsisë prej më shumë se 120 milionë banorësh është vaksinuar plotësisht në Japonisë.
Megjithatë, numri i infeksioneve javën e shkuar po rritet vazhdimisht, me Tokion që regjistroi 1979 raste të enjten. / KultPlus.com
Një pjesë e konsiderueshme e individëve shqiptarë deklarojnë se nuk kanë mundësi që të blejnë apo të ndërtojnë një shtëpi, që është në kontrast me lulëzimin që po përjeton tregu i pasurive të paluajtshme së fundmi.
Banka e Shqipërisë në indeksin që ajo harton për treguesin e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve, një prej pyetjeve e ka të lidhur me blerjen e shtëpive.
Të anketuarve, në bazë tremujore, u bëhet pyetja: “A keni në plan të blini ose të ndërtoni një shtëpi gjatë 12 muajve të ardhshëm (për të jetuar vetë ju, një anëtar i familjes, si shtëpi pushimi, për ta dhënë me qira etj.”? dhe mundësitë e zgjedhjes janë : Po, me siguri; E mundshme; Ka shumë mundësi që jo; Jo; Nuk e di.
Balanca e përgjigjeve është për këtë pyetje është -88, për tremujorin e parë 2021, afër nivelit maksimal negativ (prej -100), që tregon një pamundësi të lartë për blerjen e një shtëpie. Sipas metodologjisë së Bankës së Shqipërisë treguesi i balancës merr vlera midis -100 dhe +100. Një tregues mbi 0 tregon për një numër më të madh të përgjigjeve pozitive sesa negative, në një tremujor të caktuar.
Nga të 15 pyetjet që bën Banka e Shqipërisë për të matur besimin e konsumatorëve, (ku përfshihet vlerësimi i situatës financiare, papunësisë, pritshmërisë për blerjet e mëdha, prirjet e kursimit, papunësisë etj) kjo është përgjigja që ka balancën më të lartë negative.
Pamundësia për të blerë një shtëpi ishte më e larta në pjesën e parë të vitit të kaluar, sidomos në tremujorin e dytë, kur balanca arriti në gati 90%, për shkak të pasigurisë së krijuar nga pandemia dhe rritjes së papunësisë. Megjithatë, në realitet, tregu i pasurive të paluajtshme në atë periudhë ishte në lulëzim.
Të dhënat e tjera të INSTAT treguan se ndonëse në periudhë pandemie, rënie ekonomike dhe konsumi të tkurrur, sektori i pasurive të paluajtshme në vend është i vetmi që nuk e ndjeu aspak krizën. Për 9-mujorin 2020, transaksionet e pasurive të paluajtshme arritën në 76 miliardë lekë (rreth 612 milionë euro), duke shënuar sërish rekord për periudhën në fjalë, që nga viti 2009.
Pamundësi e lartë edhe për blerjen e makinave
Përgjigja e dytë me balancën më të lartë negative është ajo për blerjen e një makine. Konsumatorëve iu bëhet pyetja:
“Sa mundësi ka të blini një makinë gjatë 12 muajve të ardhshëm?” Alternativat e përgjigjeve janë: Shumë e mundshme; E mundshme; E pamundur; Krejtësisht e pamundur; Nuk e di.
Balanca e përgjigjeve në tremujorin e parë 2021 ishte -61.2. ashtu si në rastin e shtëpive, pamundësia më e lartë ishte në periudhën e pandemisë, në tremujorin e parë dhe të dytë 2020.
Sipas Eurostat, Shqipëria është një nga shtetet me numrin më të ulët të automjeteve në raport me popullsinë, së bashku me Maqedoninë./ monitor/ KultPlus.com
“Radiocorriere” ka botuar, me 2 maj 1931, në faqen n°15, një shkrim në lidhje me nevojën asokohe të një stacioni radiofonik në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Zëra në qiellin e botës
Radio në Shqipëri
— Në Kuran është shkruar se vetëm njeriu mund të flasë — një hoxhë mysliman deklaronte me vendosmëri në zyrën doganore në Shkodër në 1904, ndërsa ai dëgjoi zërin e gramafonit të parë që një katolik rebel dhe shumë i guximshëm kishte marrë nga Venecia. Dënimi i priftit islam hyri në fuqi dhe meqenëse vetëm boria fliste — sipas tij — ajo duhej të dërgohej përsëri në Itali. Blerësi i zgjuar iu përshtat më së miri për të kompozuar një gyp kallaji për përhapjen e zërit.
Kanë kaluar shumë vite që nga ajo kohë dhe gramafonët kanë ndjekur njëri-tjetrin për avantazh dhe propagandë më të madhe ata kanë tërhequr në vend disqet e lutjeve dhe të këngëve turke të Stambollit. Por sot në Shqipëri nuk ka më asgjë turke : mbase kujtimi i zbehtë i trishtuar dhe i largët tek të moshuarit dhe tek të rriturit, por të gjitha një reflektim i ndjenjave tek të rinjtë që më në fund shohin tokën e tyre, vendin e Skënderbeut, nën kujdesin dhe udhëheqjen e mbretit Zog dhe me mbështetjen shumë të vendosur të Italisë.
E vetmja, trashëgimia e vetme e popullit shqiptar për katërqind e më shumë vjet është gjuha shqipe, e ruajtur me një vullnet të rreptë kundër çdo depërtimi të idiomave dhe thekseve turke, arabe dhe perse.Nuk është ekzagjerim të thuash se është gjuha më e vjetër në Evropë, ajo me të cilën — siç rrëfen Ksenofoni — Aleksandri i Madh u fliste trupave të tij dhe se ushtarët grekë nuk e kuptonin.
Kjo gjuhë është mbrojtur në momente dhe vite shumë të trishtueshme, por nuk është se era e re e civilizimit është më pak e rrezikshme për rezistencën e saj ose për përparimin e saj.
Prandaj, Radio, e cila transmeton lajmet dhe muzikën në gjermanisht nga Vjena çdo mbrëmje në Shqipëri, në italisht nga Roma dhe në greqisht nga Athina, ngatërron dhe shqetëson idetë dhe preferencat e dëgjuesve.Muzika — me të vërtetë — nuk është një gjuhë, por një ritëm i kuptueshëm nga të gjitha fjalimet, por ka këngë të largëta nga çdo tokë, ninulla, kujtime, ritme të rinisë së hershme që gjithmonë të pëlqen t’i njohësh dhe t’i dëgjosh përsëri.Këngët e tabarinëve të Vjenës, “Kur hëna ngrihet në Marecchiare” në Romë, ose stacione të tjera të transmetimit mund të argëtojnë gjatë një mbrëmbje, por ato nuk janë në gjendje të lartësojnë shpirtin dhe zemrën e njerëzve të palëkundur të “Skiptaria-s” në evokimin e mitit të tyre të largët.
Kjo është arsyeja pse sot, më shumë se kudo tjetër, një stacion radiofonik shfaqet në Shqipëri si nevoja më e domosdoshme, ndihma politike dhe ndezja e bashkimit të gegëve dhe toskëve dhe për ngritjen e të gjithë vendit. Vitet e trishtuara të zgjedhës, të luftës së brendshme, të skllavërisë kanë kaluar, por për të parë drejtpërdrejt, me energji qytetërimin, ato pak llamba elektrike të shpërndara në rrugët e Tiranës dhe Shkodrës nuk janë të mjaftueshme, pra duhet ndihma fonike, përkujtimi i zërit të dëgjuar, i fjalimit të thënë gjatë ditës, është e nevojshme të dëgjojmë se çfarë po ndodh në Evropë dhe në botë, jo përmes telegrameve të trajnuar dhe të rregulluar mirë nga agjensitë zyrtare dhe jozyrtare, por në gjuhën e vet, në intonacioni e saj, në përputhje me interesat dhe të mirën e vendit.
Vetëm në këtë mënyrë do të jetë e mundur të rikonfirmojmë ndërgjegjësimin dhe lartësinë e popullit “skipetaro” dhe t’i japin rinisë kontributin e sinqeritetit fonik të gjuhës së tij.Sepse nuk janë fjalimet zyrtare të rasteve të mëdha ose predikimet nga foltoret që mund të falsifikojnë të korrat kulturore të një populli që fatalisht, për shkak të ngjarjeve antike, të trishtueshme, vetëm sot përballet me dritaret e civilizimit. Aty është radioja, zëri i ri, i cili do të jetë në gjendje të hapë për njerëzit miqësorë të Adriatikut të poshtëm vizionin e saktë, kuptimin integral të thelbit, virtyteve dhe miteve të tij përmes valëve të difuzionit (përhapjes) nga Shën Gjini në Vlorë,nga Gjirokastra në Shkumbin.Dhe gjithashtu do të përbëjë një armë të fortë politike kundër shpifjeve të pakuptimta dhe fyese që agjensitë e huaja të interesuara, nën maskën e lajmeve të pastra dhe të thjeshta, hedhin çdo mbrëmje atje, në qëllimin budalla dhe të kotë për të ngadalësuar, për të ftohur marrëdhëniet e përzemërta midis Italisë dhe vendit të vogël të Adriatikut të poshtëm.
Më në fund, Radio do të përsërisë me kadenca (valë) të buta këngët antike të paraardhësve, të poetëve spontanë të bukurisë së tokës shqiptare, muzikalitetin nostalgjik të maleve të Mirditës dhe rivierës, dhe lajmet për ato që po ndodhin në botë, ritmin politik, fitoret financiare, kompleksin dhe ndërmarrjen e gjerë shoqërore.
Në vjeshtën e vitit të kaluar Bashkimi Evropian kishte dhuruar 40 milionë euro për rehabilitimin e siteve kulturore shqiptare që u dëmtuan nga tërmeti i 2019-s. Kjo ndihmë e dhënë nga programi “EU4Culture” kishte për qëllim rikonstruktimin, rehabilitimin dhe valorizimin e mbi 50 monumenteve të dëmtuara.
Të premten, në kuadër të këtij programi, është mbajtur takim mes palëve të interesuara dhe ekspertëve të fushës për trashëgiminë kulturore.
Në qendër të takimit ka qenë ndërhyrja në gjashtë asete kulturore gjithandej Shqipërisë: Muzeu Etnografik në Krujë, Torra veneciane e Hamami në Durrës, Muzeu Etnografik në Kavajë, Teatri Kombëtar i Kukullave, si dhe Ura e Kurcajt.
Në këtë takim të pranishmit janë pajtuar që përdorimi i qëndrueshëm dhe i përgjegjshëm i aseteve të trashëgimisë kulturore sjell ruajtjen më të mirë të tyre, gjë që, sipas tyre, mund të shërbejë si burim frymëzimi për pjesëtarët e komunitetit lokal, artizanët, artistët dhe të gjithë të interesuarit e tjerë.
Në fjalën e saj ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka thënë se fondi i dhënë për Shqipërinë ka për qëllim jo vetëm rijetëzimin e objekteve, por edhe të gjithë zonën përreth monumenteve.
“Kjo do të thotë kthim të këtyre objekteve në atraksione turistike dhe kulturore, duke thirrur në ndihmë teknologjinë, qasjen bashkëkohore muzeale, që i flet kujtdo me gjuhën e kohës, që bën për vete të rinjtë me krijimtarinë dhe fantazinë e tyre; që tërheq vëmendjen e fëmijëve për të njohur më mirë vendin e tyre. Por, mbi të gjitha, kthimi në një çelës zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm për komunitetet lokale”, ka thënë ministrja Margariti.
E pranishme në takim ishte edhe Pamela Lama, drejtuese e UNOPS-it në Shqipëri, e cila nënvizoi disa nga propozimet e kësaj zyre të Kombeve të Bashkuara.
Sipas saj, sitet e projektit do t’u nënshtrohen disa fazave të ndërhyrjes duke filluar nga restaurimi dhe konservimi i strukturës, interpretimi, menaxhimi i trashëgimisë kulturore, plani i biznesit dhe menaxhimi i riskut ndaj katastrofave natyrore.
“Ne do të punojmë në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës për të zhvilluar modele të reja për shfrytëzimin e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm të trashëgimisë kulturore, e cila ka një kontribut të madh në zhvillimin ekonomik lokal dhe kombëtar”, ka thënë Lama.
Ndërkaq përfaqësuesi i delegacionit të BE-së në Shqipëri, Andrea Marco Vera, citohet të ketë thënë se programi “EU4Culture” është një nga më të mëdhenjtë që është hartuar ndonjëherë nga Bashkimi Evropian për sa i përket numrit të monumenteve dhe fondeve të përfshira.
“Programi ‘EU4Culture’ do të ndihmojë në përmirësim dhe do të rrisë tërheqjen ndaj këtyre siteve dhe do të përfshijë komunitetin e trashëgimisë kulturore shqiptare – historianë, arkeologë ose arkitektë me njohuri të paçmueshme”, ka thënë Vera. /koha/ KultPlus.com
Me ujërat e tij të bruzta, plazhet e bardha, fshatrat në majë të kodrave dhe rrezet e vazhdueshme të diellit, bregdeti jugperëndimor i Shqipërisë është shtëpia e disa prej plazheve më të mira në Gadishullin Ballkanik, shkruan Thibault Petit për gazetën e njohur franceze “Le Figaro”.
Le të tregohemi të sinqertë. Çfarë dimë ne për Shqipërinë? Dimë për diktaturën e saj komuniste, makinat e vjetra ”Mercedes’, bunkerët dhe ndoshta shkrimtarin e shkëlqyer Ismail Kadare dhe kaq.
Megjithatë, Shqipëria ka më shumë se 2 000 vjet histori, një kulturë unike, qytete antike dhe peizazhe të larmishme. Në veri, male dhe lugina të thella. Në qendër, qytete. Në perëndim, kryeqyteti aktiv, Tirana. Në jug, bregdet dhe plazhe, rajoni më turistik i vendit.
Shqipëria është një nga gurët e çmuar më të ruajtur mirë të Adriatikut.
Qafa e Llogarasë, midis qiellit dhe detit
Jul Cezari atje ”theu dhëmbët”. Ishte viti 48 para Krishtit dhe kalimi ishte i mbuluar nga bora. Rruga është shtruar që atëherë.
Qafa e Llogarasë është legjendare në shumë mënyra.
Së pari, sepse romakët shkuan atje.
Së dyti, sepse shënon hyrjen në Rivierën Shqiptare.
Në çdo hap, një pamje mbi Detin Jon, plazhet dhe fshatrat, një nga panoramat më të bukura në vend.
Qafa ndodhet në Parkun Kombëtar të Llogarasë. Vendi ofron shëtitje të bukura malore.
Dhërmiu, margaritari i detit Jon
“Perla e bregdetit”, kështu e quajmë ne. Kuptohet shumë mirë: ujë i pastër, plazhe me guralecë dhe bare pothuajse në ujë.
Dhërmiu është një nga vendpushimet më të njohura bregdetare. Ka infrastrukturë cilësore dhe një ambient ëndërr.
Një tjetër përparësi: plazhi shtrihet me kilometra. Nuk ka vend në anë të qytetit? Ecni në jug, do të gjeni hapësira të shkreta, ujëra të tejdukshëm dhe një mjedis të jashtëzakonshëm. Rreth teje, një mal i vërtetë, që arrin maja mbi 2 000 metra.
Dhërmiu është vend bregdetar, por edhe një qytet i vjetër. Ngjituni atje lart dhe shëtisni pak: do të gjeni rrugë me kalldrëm, shtëpi prej guri, fiq, hardhi dhe trëndafila të lulëzuar. Fshati ka më shumë se 30 kisha ortodokse, përfshirë Manastirin e Panajasë, në kodër. Brenda, afreske të bukura të shekullit XVI.
Poshtë fshatit, dy plazhe: ai i Dhërmiut dhe ai i Dhralës. Më në veri, plazhi i Drimadhës është shumë i bukur, por edhe shumë i gjallë. Akoma pak më sipër, plazhi i famshëm i Palasës. Në mes, gjendet një liman i vogël, i izoluar dhe i pambushur me njerëz, që arrihet duke u ngjitur mbi disa shkëmbinj.
Kanioni i Gjipesë dhe plazhi i tij i fshehur
Është paksa i largët, diskret, më pak i frekuentuar. Këtu nuk ka klube të zhurmshme apo atmosferë feste, vetëm disa çadra dhe një lokal i vogël.
Plazhi i Gjipesë është një nga më të bukurit në Shqipëri. 400 metra guralecë, ujë i pastër dhe shkëmbinj përreth. Ideal për not, qetësi dhe shëtitje.
Faqja e shkëmbit pritet nga një kanion mbresëlënës.
Himara
Himara ka 2 800 banorë, dalje direkte në det, plazhe të shumta, por edhe një qytet të vjetër të fortifikuar, Kastro, 180 metra mbi det. Atje lart, kisha bizantine, rrugica tipike dhe një panoramë e mrekullueshme. Mund të shohim bregdetin dhe madje edhe një pjesë të Greqisë, ishullin e Korfuzit, pikërisht përballë.
Plazhi i Spillesë është shumë i frekuentuar. Gjatë rrugës për në hyrje të qytetit gjeni lehtësisht plazhin e vogël të Sfajos.
Në një shtrirje të gjatë rëre me bare dhe restorante, plazhi i Potamit ndodhet 1,5 kilometra në jug të Himarës.
Zona e famshme e zhytjes, katër kilometra në jug të Himarës, plazhi i Llamanit është 200 metra i gjatë.
Plazhi i famshëm dhe i madh i Livadhit është rreth katër kilometra larg Himarës dhe lehtësisht i arritshëm.
Më në fund, një plazh i izoluar: Akarium mbi Livadh. Para se të mbërrini në Livadh, ecni për 30 minuta në drejtim të veriperëndimit.
Porto Palermo dhe Qeparoi, të qetë dhe autentikë
Asnjë banor, asnjë popullsi, asnjeri: zyrtarisht, Porto Palermo është pjesë e qytetit fqinj, Himarës, por vetëm zyrtarisht ama.
Në fakt, zona meriton një vizitë më vete. Nga lart, duket si një atol, i rrumbullakët dhe i mbështjellë me ujë të pastër. Nga poshtë, faqja të fton për not dhe eksplorim. Është një gji i mrekullueshëm dhe i virgjër.
Porto Palermo citohet rregullisht ndër destinacionet më të bukura në Europë.
Njerëzit shkojnë atje për të notuar në istmin me rërë, për të eksploruar kështjellën e Ali Pashës dhe për të vizituar një fshat tjetër aty afër, Qeparoin, që konsiderohet si më i bukuri në Rivierë.
Qeparoi është një Shqipëri autentike, një pamje që të lë pa frymë mbi gjirin detar dhe qetësinë e malit.
Pak më tej, ju do të gjeni një hapësirë plazhi prej pesë kilometrash të gjatë, Borshin.
Saranda, gjiri dhe rrethinat e saj
Le të jemi të qartë, Saranda është qyteti më turistik në vend: 17 000 banorë, një port, ndërtesa dhe një gji të rrethuar me beton.
Njerëzit vijnë këtu kryesisht për të shijuar plazhin dhe infrastrukturën.
Së pari, shkoni te burimi Syri i Kaltër, rreth 20 kilometra larg. Atje, një ujë i mrekullueshëm jeshil në blu del në sipërfaqe.
Gjatë kthimit, ndaloni në manastirin e Shën Nikollës të Mesopotamit, një nga kishat më të mëdha bizantine në Ballkan, me muret e tij mbi 10 metra të lartë dhe katër kupola.
Më në fund, ngjituni në Kështjellën e Lëkures, një fortesë osmane e ndërtuar për të kontrolluar rajonin. Në vend, pamja shtrihet në Sarandë, Korfuz, në brendësi të vendit dhe Butrint.
Rreth 15 kilometra më në jug, është e pamundur të mos përmendësh Ksamilin, shtëpia e disa prej plazheve më të bukura në vend, por edhe më të frekuentuara.
Butrinti, antik dhe mitologjik
Është vendbanimi më i bukur në Shqipëri. Ai ka frymëzuar Rasinin, Virgjilin, lord Bajronin dhe Eugjen Delakruanë. Qyteti antik i Butrintit është magjik. I themeluar pas Luftës së Trojës nga Helenos, djali i vetëm i mbijetuar i mbretit Priam.
Për UNESCO-n, ky vend përbën një “mikrokozmos të historisë së Mesdheut”.
Përreth, kodra të pyllëzuara, dy liqene dhe ngushtica strategjike e Korfuzit. Rajoni u shpall park kombëtar në vitin 2000.
Gjirokastra, qyteti i bukur me arkitekturë osmane
Nga larg, ajo duket paksa e ashpër, e zymtë, e shuar. Shtëpitë grumbullohen njëra me tjetrën dhe duken gri, si kështjella në majë, të forta dhe të rrepta, por, sapo të hyni brenda, do të ndryshoni përshtypje. Fasada të bardha, rrugë me kalldrëm, lokale miqësore, kafene të gjallëruara, jetë e vërtetë në fshat dhe një xhami që duhet të vizitohet.
Gjirokastra konsiderohet qyteti më i bukur në Shqipëri.
Nëse ecni për 15 minuta në lindje do të hasni vendin më të rëndësishëm të qytetit, Kalanë e Gjirokastrës, që është një masiv 600 metra i gjatë, me daljen e saj shkëmbore të ndërtuar nga bizantinët në shekullin V dhe më pas i përforcuar nga osmanët./konica.al/ KultPlus.com
Pandemia ka sjellë një gjë të mirë në Lagunën e Divjakë-Karavastasë në Shqipërinë Perëndimore, qetësinë për pelikanët dhe rritjen e numrit të tyre, shkruan gazeta e njohur amerikane “The Washington Post”.
Zyrtarët e Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura thonë se numri i çifteve riprodhuese të pelikanëve është rritur me një të pestën në dy vitet e fundit, nga 68 në vitin 2019 në 85 në vitin 2020 dhe i njëjti numër edhe këtë vit.
Ata janë shpendë të mëdhenj, që arrijnë deri në dy metra gjatësi dhe më shumë se tre metra pas hapjes së krahëve.
Parku Kombëtar bregdetar Divjakë-Karavasta mbulon rreth 55 000 hektarë duke përfshirë një plazh të gjatë me rërë, një lagunë me ujë të kripur dhe ishuj të vegjël si edhe pyll me pisha. I ndodhur 90 kilometra në jugperëndim Tiranës, ai është shtëpia e rreth 260 specieve të zogjve.
“Por, më i njohuri është i ashtuquajturi “pelikani kaçurrel”, siç e quajnë vendasit gjigantin Pelikani Dalmat, që kanë këtu koloninë e tyre të vetme në Shqipëri dhe ku vijnë në dhjetor dhe ikin në qershor.
Pelikanët kanë qenë një specie e rrezikuar në Shqipëri, kur numri i tyre ra në 2001-2003 deri në 19 çifte, krahasuar me 250 një shekull më parë.
“Por, paqja dhe qetësia gjatë pandemisë na kanë ndihmuar shumë në ruajtjen e ishullit të pelikanëve”, thotë Adrian Koçi, kreu i Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura.
Në 2014, Koçi dhe stafi i tij filluan të kujdeseshin për ishullin 150-200 metra katrore.
Njerëzit me varka u ndaluan të afroheshin më afër se 180 metra. Një rrjetë mbante larg anijet e peshkimit. Dhe një roje 24-orëshe u vendos për t’i mbrojtur ata. Gardhe të vogla prej druri përgjatë pjesëve të rrugëve ujore parandalojnë erozionin.
Koçi kontrollon rregullisht në ishull me një dron gjatë periudhës riprodhuese janar-qershor.
“Ne kemi liruar ishullin e peshkatarëve që shqetësonin pelikanët. Ne kemi ngritur foletë e tyre të kërcënuara nga batica, por peshkimi intensiv përreth ka zvogëluar numrin e peshqve që hanë pelikanët”, shton Koçi.
Koçi, me profesion veteriner, gjithashtu kujdeset për zogjtë e tjerë të plagosur që vijnë nga larg si Kosova fqinje dhe Mali i Zi. Disa vjet më parë, Programi i Zhvillimit i OKB e ndihmoi atë të krijontë qendrën e parë të rigjenerimit të shpendëve në Shqipëri.
Një shkabë e rrallë, e gjetur e plagosur dhe që vinte nga Mali i Zi, u trajtua për dy muaj atje dhe më pas u la e lirë të vazhdonte udhëtimin e saj drejt Afrikës.
Dy pelikanë dalmatë, të quajtur Xhoni dhe Vlashi, ndodhen aty prej tri vitesh. Xhoni nuk mund të fluturojë për shkak të një krahu të dëmtuar. Por Vlashi mundet, dhe të dy janë të relaksuar me vizitorët. Personeli i konsideron ata si pjesë të familjes së tyre dhe shpesh blejnë vetë peshk për t’i ushqyer.
Që nga financimi fillestar, kjo qendër ka pasur pak mbështetje financiare nga donatorët.
Sidoqoftë, numri i vizitorëve ka ardhur duke u rritur. Nga 1 300 në 2014, vizitorët u rritën në një 550 000 në 2019. Vitin e kaluar, ky numër u përgjysmua për shkak të pandemisë. Stafi thotë se në përgjithësi do të ishte më mirë të rifitoheshin vizitorët e humbur nga kufizimet e koronavirusit pasi donacionet e tyre janë shumë të nevojshme.
Klara Perinova, 28 vjeçe, u largua nga Praga për të kaluar dy javë në Shqipëri me të dashurin e saj. Ajo vlerëson “bukurinë e pazbuluar” të Divjakës.
“Ne jemi këtu sepse ka një natyrë shumë të bukur, specie vërtet të rrezikuara, jo të njëjtën natyrë që mund të shihni në pjesë të tjera të Shqipërisë”, thotë ajo.
Koçi po përpiqet shumë të ruajë të pashqetësuar mjedisin e lagunës duke u kërkuar autoriteteve lokale të zëvendësojnë motorët e pesë varkave me varka elektrike ose të instalojnë më shumë panele diellore.
Limya Eltayeb, përfaqësuesja rezidente e UNDP, tha se organizata e OKB-së po mbështet Shqipërinë në zbatimin e “zgjidhjeve të bazuara në natyrë” në Divjakë dhe gjetkë dhe duke ndihmuar qendrën, përtej financimit të vogël të shtetit dhe donacioneve private.
“Turistët janë mirëpritur këtu. Edhe Xhoni dhe Vlashi e duan këtë gjë”, thotë Ervin Allushi, një nga ekspertët e qendrës.
” Vizitorët shpesh ndihmojnë edhe financiarisht, megjithëse pelikanët atje në ishull nuk i duan pranë tyre”, thekson ai. / KultPlus.com
Me 175 vota nga 117 të nevojshme, Shqipëria ka arritur të zgjedhet anëtare e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për dy vitet e ardhshme, përcjell KultPlus.
Këtë e bëri të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me anë të një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.
“Me 175 vota nga 117 të nevojshme, Shqipëria sapo u zgjodh anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB për vitet 2022-2023”, ka shkruar Rama, derisa ka njoftuar për këtë lajm që ai e quajti të bukur.
Shqipëria do të jetë pjesë e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pasi u votua për të marrë një nga pesë vendet e përkohshme në këtë këshill me një mandat dyvjeçar.
Në votim morën pjesë 190 vende anëtare, por 15 prej tyre nuk e mbështetën shtetin shqiptar në këtë votim.
Në garë për pesë vende ishin gjashtë shtete, përveç Shqipërisë edhe Brazili, Republika Demokratike e Kongos, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Shqipëria ishte vendi i vetëm që nuk kishte qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit. / KultPlus.com
Ka nisur rrugëtimin “Triptoalbania.al“, platforma e vetme online në trevat Shqiptare, e cila do të jetë udhërrëfyesi dhe pika juaj e refermit mbi çdo informacion turistik në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe në të gjitha trevat shqipëfolëse.
Në prezantimin e kësaj platforme, morën pjesë akterë të rëndësishëm të këtij sektori, ndër to edhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, Ambasadori në detyrë i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani si dhe operatorë të suksesshëm turistik.
Në fjalën e tij Ministri Klosi, shprehu vlerësim të lartë për krijimin e kësaj platforme, duke bërë thirrje që të pushojmë shqip, për të shfrytëzuar të gjithë potencialin turistik që kemi në trojet shqiptare.
“Duhet të shoqërohemi që të vizitojmë detin, por duhet të vizitojmë edhe bukuritë e bjeshkëve. Të vizitojmë bukuritë e Durresit e të Vlorës, por operatorët turistikë duhet të shikojnë edhe Prizrenin dhe Prishtinën si një opsion, sepse lidhja është më e thjeshtë. Mundësitë i kemi shumë më të kollajshme dhe mundësitë i kemi shumë më të mëdha qe të bëjmë një turizëm mbarë shqiptar”.
Ndër të tjera, Klosi tha se pasuria turistike shqiptare duhet të vitalizohet.
“Kjo është pasuri e madhe kombëtare. Kemi turizëm në të dy anët e bjeshkëve dhe kjo besoj është në përgjegjesinë tonë, administratorëve publik të flasim dhe të promovojmë turizmin shqiptar“.
Gjithashtu ministri Klosi ka thënë se kemi pasur nevojë për produkte si projekti i “Triptoalbania.al”.
Sipas tij, projekte si ky nxitin qytetarët të pushojnë shqip, të pushojnë në Prishtinë, Durres, Vlorë, Prizren, Pejë etj, kudo ku kanë mundësi të kontribuojnë, pasi ata janë vërtet heronj të kësaj beteje ekonomike, ka thënë ai.
Nga ana tjetër Qemal Minxhozi, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, shprehu mirënjohje për krijuesin e kësaj platforme.
“Unë kam shumë bindje se në ballë të turizmit të Shqipërisë do të qëndrojë Kosova. Uroj që në Shqipëri të bëhet edhe më tepër një jehonë sa më e madhe edhe për turzmin malor të Kosovës jashtë mase i lakueshëm”.
Nait Hasani, Ambasador në detyrë i Kosovës në Shqipëri ka përgëzuar për platformën “Triptoalbania.al”, duke shpresuar që turizmi në të dy vendet shqipëfolëse të rritet, pasi të dy vendet i kanë potencialet e veta turistike.
“Kosova e ka malin, Shqipëria e ka detin, prandaj që të dy vendet ofrojnë shumë për vizitorët dhe pushuesit në çfarë do stine të vitit“.
Ndërsa Azem Bujupi, Drejtori Ekzekutiv dhe ideator i “Triptoalbania.al”, ka treguar rreth idesë së tij për krijimin e platformës.
“Arsyeja e krijimit të kësaj platforme është shumë e thjeshtë. Fillimisht ne duhet të prezantojmë veten se kush jemi ne, për ata që duan të na vizitojnë. Duhet të prezantojmë tokën, traditën, mikpritjen, veshjen dhe gjithçka tjetër që neve na bën të jemi ata që jemi krenarë. Pjesa e parë e kësaj është “Know me” të njihemi dhe pjesa tjetër “Taste me” më provo, më testo. Është komplet prezantimi i vijës bregdetare malore, Mal i Zi, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Kosovë.
Bujupi më tej ka treguar se “Triptoalbania.al“, ka arritur në regjistrimin e materialeve mbi 4 mijë orë në Shqipëri, kurse në Kosovë 2mijë orë sa i përket prezantimit të turizmit bregdetar dhe atij malor.
Sipas statistikave gjatë hulumtimit Bujupi u shpreh se hyrjet e turizmit malor në vijën e Austrisë dhe Zvicrës, janë më shumë se vija bregdetare dhe se shtetet për rreth.
“Në infrastrukturën e Kosovës, duhet të ndërhyet në një zonë të tillë dhe një ofertë të tillë siç e ka Kosova është e papërjashtueshme që të shijohet nga çdo kush, si i Republikës së Shqipërisë dhe të tjerëve që dëshirojnë ta vizitojnë Kosovën“.
Në përfundim u bë edhe prezantimi komplet i platformës, se ku mund ta gjeni dhe si të njiheni me vendet më atraktive të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të zi, duke u njohur me historinë e tyre, traditat, zakonet, gastronominë etj. / KultPlus.com
Komisioni Europian dhe ‘Europa Nostra” njoftojnë fituesit e vitit 2021, të çmimit europian për Trashëgiminë. Mes 24 arritjeve shembullore, nga 18 vende të Europës, një çmim shkon për Fondacionin Gjirokastra, nga Shqipëria.
Juria deklaroi se: “Përpjekjet e fondacionit promovojnë një brez të ri arkitektësh, zejtarësh dhe profesionistësh të tjerë, duke krijuar projekte të rijetëzimit, mbrojtjes dhe rigjallërimit të qytetit të Gjirokastrës”.
Njëri prej ekspertëve kryesorë që loboi për dosjen e Gjirokastrës, tha megjithatë, se çmimi përveçse promocion për Gjirokastrën është edhe sfidë që imponon zgjidhje më të qëndrueshme në të ardhmen.
Duke folur online gjatë eventit, komisionerja Europiane Mariya Gabriel, tha se: “Fituesit e çmimeve Europiane të trashëgimisë janë ambasadorë të bukurisë së trashëgimisë europiane, qoftë kjo traditë apo dije, arkitekturë mbresëlënëse, apo mënyrë sesi trashëgimia mund të bashkojë komunitete dhe breza”. / Konica.al / KultPlus.com
S’kam qenë asnjëherë në Shqipëri, në tokën e ashpër, plot dashuri, peisazheve bjeshkatare me barinj trima. S’kam qenë, po ja që sot kam shpresë të vij ashtu si festat apo dasmat popullore, për të pare i etur diellin e madh që praron fuqishëm muskujt viganë të vargmaleve të saj epikë! Si zambaku i ri dhe i freskët që shpërthen mes shkrepave shpërthen nga gjiri i saj kultura, arti, librat, ndërsa përpara bujkut e punëtorit ngrihet nderimi i epokës, përmendorja e dashurisë e virtuti lulëzon viset e lashta! O Shqipëri e vogël, por sa e fortë! E vendosur e patundur e fjalëmbël. Tingulli i kitarës tënde është i gjallë e i çeliktë e vjen e i shtohet me dinjitet melodive të historisë, këngës së epokës që s’ka të heshtur! Është një zë malesh, ndërtimesh të pafundme e të bardha, kjo është kënga e njerëzve dhe bjeshkëve e zogjve të pranverës dhe drurëve të mollëve plot lule të porsaçelura e erërave e valëve të detit. Qëndresa, pamposhtmëria dhe lulet e tua Shqipëri janë dhurata që po i sjell vetë ndërtimit të jetës së re mbi botë.