‘Shtëpia jonë’ e Shqipërisë hap dyert në Venecia

Nga e enjtja, artistët shqiptarë i flasin botës artdashëse në Venecia me konceptin e fqinjësisë, siç kuptohet ndër shqiptarë. Por, evokimi i tij është universalist në dritën e një bote që po ngrihet nga gërmadhat e koronavirusit. Në anën tjetër, edhe Kosova me pavijonin e saj që e hap zyrtarisht të premten i mëshon një teme po kaq universaliste: urbanizimit global dhe krijimit të mjediseve të qëndrueshme

“Shtëpia jonë” i ka hapur dyert në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia. I realizuar në kushte të pazakonta, pavijoni shqiptar shpalos vizionin e tij për fqinjësinë, i cili – në thelbin e tij – mbetet aktual edhe sot.

Lajmin e ka bërë me dije ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Elva Margariti. Në një afishim në faqen e saj në “Facebook”, ajo ka përgëzuar artistet kuratore, Fiona Malin, Irola Andonin, Malvina Ferrën dhe Rudina Breçanin, duke e bërë një pjesë të përvojës shqiptare pronë të të gjithë artdashësve.

“Gjithkush mund të hyjë në të jo thjesht si vizitor, por për t’u bërë pjesë e saj, ashtu si ne duam të japim e të marrim nga familja jonë e përbashkët evropiane”, ka shkruar Margariti, e cila ka qenë e pranishme në ceremoninë e hapjes së Pavijonit.

Ministrja e Kulturës e ka cilësuar mbajtjen e Bienales së njohur si një lajm padyshim të mirë, duke vlerësuar se është dëshmi që bota po hapet dalëngadalë.

“Pas një viti e gjysmë në një luftë absurde, të paparashikueshme me një virus, që ende e kemi mes nesh, po përpiqemi t’i kthehemi normalitetit”.

Duke folur mbi pavijonin shqiptar në Venecia, ajo ka thënë se koncepti vjen me një histori lokale të mbushur me copëza historish personale, për të ndërtuar atë mozaik që “ne e quajmë ‘fqinjëri’, një vepër në proces ku secili mund të vendosë copëzat e veta, eksperienca jete që kanë shënjuar jetën e secilit prej nesh”.

“Shtëpia jonë”, sipas Margaritit, nuk është një pavijon nostalgjik, por nxitje për reflektim mbi atë çka përbën vlerë, “mbi atë që duhet ta ruajmë apo rishikojmë nga e shkuara”.

“Gjatë pandemisë filluam të ridimensionojmë raportin tonë me shtëpinë si hapësirë, me të afërmit dhe fqinjët. Ky pavijon është një përgjigje për pyetjen e madhe të këtij edicioni: Si do të jetojmë së bashku?”, ka shkruar Margariti.

Në zemër të konceptit shqiptar, siç përmblidhet shkurt në një video përmbledhëse në kanalin zyrtar të Bienales në “Youtube”, janë skena nga filmi “Në shtëpinë tonë” të regjisorit Dhimitër Anagonsti më 1979.

“Tri apartamente fqinje që ndajnë shumë më shumë sesa veç muret. Pavijoni shqiptar do t’ju ngashënjejë të kridheni në kuptimin e të jetuarit bashkë në shtëpitë tona, në ndërtesat e lagjet tona”, thuhet në përshkrimin kuratorial për Shqipërinë në faqen “labiennale.org”.

Ndryshe, sipas kuratorëve, me 20 filma të kinemasë shqiptare, në Venecia do të jetë jo vetëm fqinjësia, por edhe kinematografia shqiptare. /koha/ KultPlus.com

Hapet sot Bienalja e Arkitekturës në Venecia, Shqipëria paraqitet me pavijonin “Si do të jetojmë së bashku”

Hapet sot Bienalja e Arkitekturës në Venecia. Lajmin e ka bërë publik ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila ka prezantuar pak ditë më parë edhe temën e pavijonit me të cilin prezantohet Shqipëria.

“Si do të jetojmë së bashku” është edhe tema e pjesëmarrjes së vendit tonë në këtë Bienale e cila hap dyert pikërisht sot dhe do të qëndrojë e hapur për një muaj rresht. Bienalja rihapet këtë vit, pas një periudhe mbylljeje njëvjeçare për shkak të pandemisë Covid-19.

Konceptimi i përfaqësimit të Shqipërisë në këtë Bienale bazohet në konceptin e fqinjësisë si një traditë tipike shqiptare dhe që gjatë pandemisë na bëri të rijetojmë fqinjësinë edhe njëherë tjetër.

Kjo pjesëmarrje vjen me materiale të arkivit të filmit, materiale që sjellin realitetin e përjetuar në fqinjësi duke treguar që fqinji ynë është gjithmonë diku aty pranë dhe prezent në jetën e të gjithë shqiptarëve.

“Këtë realitet ne duhet ta çojmë edhe në Venecia si traditë dhe filozofi. Jam e sigurt që është një prezantim dinjitoz dhe ne ia dolëm”, u shpreh Margariti.

Gjithashtu duke shfrytëzuar 20 filma shqiptarë, në Venecia dërgohet jo vetëm fqinjësia por edhe kinematografia shqiptare. /atsh / KultPlus.com

Margariti: Muzeu Etnografik në Krujë do të restaurohet

Aktivitete të ndryshme po zhvillohen për ditët e Evropës në Shqipëri.

Në këtë kuadër, në muzeun Etnografik në Krujë u zhvillua një aktivitet, ku merrnin pjesë ministrja e Kulturës Elva Margariti, ambasadori i BE në Tiranë, specialistë të fushës së trashëgimisë, etj.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se takimi u zhvillua në një muze, që do të rijetëzohet për të dëshmuar vlerat. “Ne shqiptarët synojmë të bëhemi pjesë e familjes europiane me identitetin tonë kombëtar.

E pikërisht, në këto ditë të Europës, u mblodhëm në oborrin e një godine të hijshme, në atë të Muzeut Etnografik në Krujë, që falë mbështetjes së Bashkimit Europian do të restaurohet, rijetëzohet për të dëshmuar vlerat më të mira shqiptare e europiane”, shkruan Margariti në një status të saj në Facebook, për këtë takim ditët e fundit që ka publikuar edhe foto.

Sipas saj, takimi shërbeu dhe për të folur mbi projekte të ndryshme dhe shkëmbim idesh. Ndër tjera Margariti shprehet se falënderon ambasadorin Soreca për ndihmën, në projektet me monumentet e kulturës në vendin tonë.

“Bashkë me përfaqësues institucionesh, specialistësh të trashëgimisë, Afërdita Onuzi, Iris Pojani, Mehdi Hafizi, zv. kryetari i Bashkisë së Krujës Florind Cerhozi dhe përfaqësues të komunitetit lokal diskutuam projektet tona e shkëmbyem ide të reja.

Një falenderim i veçantë për ambasadorin e BE në Tiranë, Luigi Soreca, për ndihmën e vazhdueshme për të çuar përpara programin e ringritjes, EU4CULTURE; por edhe përfaqësuesve të UNOPS-it, Pamela Lama (County menager) e Lejla Hadzic për bashkëpunimin për realizimin e projekteve të rindërtimit të monumenteve të kulturës”, shprehet ministrja Margariti. Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës.

Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture e kategorisë së I-rë.

Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara.

Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989. /sot/ KultPlus.com

Destinacion “COVID FREE”, 100 milionë lekë për promovimin e Shqipërisë turistike

Qeveria shqiptare ka vendosur të shtojë një fond prej 100 milionë lekësh në programin “Zhvillimi i turizmit”, për të promovuar vendin.

Këshilli i Ministrave, të mërkurën në mbrëmje, me propozim të të Ministrisë së Turizmit ka vendosur të shtojë një fond prej 100 milionë lekësh në programin “Zhvillimi i turizmit”, program  i cili ka si synim promovimin e Shqipërisë si një vend “COVID FREE”.

Në vendimin e publikuar në faqen e Këshillit të Ministrave bëhet me dije se ky fond do të përballohet nga nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2021.

Vendimi vjen në prag të sezonit turistik dhe është do të shpenzohet nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, dhe synimi është promovimi në tregjet ndërkombëtare post COVID-19 dhe prezantimin e Shqipërisë si një destinacion mikpritës COVID-free.

Më poshtë vendimi i plotë:

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2021, MIRATUAR PËR MINISTRINË E TURIZMIT DHE MJEDISIT, PËR MBËSHTETJEN E TURIZMIT SHQIPTAR PËR PROMOVIMIN NË TREGJET NDËRKOMBËTARE POST COVID-19

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

  1. Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, në programin “Zhvillimi i turizmit”, në artikullin 602 (shpenzime operative), për Agjencinë Kombëtare të Turizmit, i shtohet fondi prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve për mbështetjen e turizmit shqiptar për promovimin në tregjet ndërkombëtare post COVID-19 dhe prezantimin e Shqipërisë si një destinacion mikpritës COVID-free.
  2. Efekti financiar, prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2021.
  3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. / atsh / KultPlus.com

Shqipëria në vitin 1982, një udhëtim fotografik

”Shqipëria në vitin 1982- Një udhëtim fotografik”, mban titullin blloku i fotografive të cilat 39 vjet më parë ishin realizuar nga fotografi Onide Donati, përcjell KultPlus.

Autori i këtyre fotografive, tashmë në pension, ka ruajtur dhe publikuar këto pamje të vjetra nga Shqipëria, atëbotë socialiste.

Gazetari 65-vjeçar italian, asokohe kur inventarizoi pamjet e rralla, ishte zyrtar i Partisë Komuniste në Rimini, Itali.

Më vonë, Donati ka punuar për më shumë se tridhjetë vjet, së pari si korrespondent e më pas, si gazetar politik. Në fund të karrierës, ai mbajti vendin e kreut të redaksisë së “Emilia-Romagna”.

Më poshtë mund t’i shihni këto fotografi që paraqesin Shqipërinë prej një këndvështrimi tjetër, një Shqipëri shumëngjyrëshe e me shumë gjallëri. / KultPlus.com

Kolona të gjata në Rrugën e Kombit, kosovarët nisen drejt Shqipërisë (VIDEO)

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të kenë Shqipërinë, destinacionin kryesor për pushime.

Për pasojë, lëvizja në Rrugën e Kombit, gjatë paradites së sotme paraqitet e rënduar.

Të favorizuar nga moti i mirë dhe temperaturat e larta, ata kanë vendosur të kalojnë këto ditë pranë bregdetit.

Disa javë më parë, qeveria e Kosovës, vendosi si masë kufizuese anti Covid, kalimin e kufirit, vetëm më testin negativ PCR të koronavirusit.

Kjo pengonte qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës të udhëtonin lirshëm drejt dy shteteve. Megjithatë, Kosova doli me një vendim të dytë, ku theksohet se nuk është nevojë për testin negativ, për të kaluar kufirin.

Ndërkohë, Shqipëria ka dalë nga lista e kuqe e vendeve, që paraqesin risk të lartë të pandemisë Covid 19./tch/ KultPlus.com

Për herë të parë, Shqipëria kalon 24 orë pa asnjë të infektuar me Covid-19

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka treguar se sapo kanë kaluar 24 orët e pata pa asnjë të sëmurë ne Covid-19, shkruan KultPlus.

”LAJM I BUKUR
Sapo kanë kaluar 24 ORËT E PARA pa asnjë të sëmurë me Covid të paraqitur në dyert e Spitalit Infektiv qysh nga marsi i vitit 2020
”, ka shkruar Rama.

Shqipëria është ndër vendet e Evropës që procesin e vaksinimit e ka zhvilluar shumë shpejt dhe deri më tani është bërë e ditur se janë vaksinuar mbi 500.000 persona. / KultPlus.com

Shqipëria, asnjë kusht për turistët e huaj

Kryeministri Edi Rama deklaroi se “Shqipëria nuk do të vendosë asnjë kusht apo kriter për të gjithë ata që duan të vijnë në Shqipëri, për një sezon turistik që siç e kam thënë edhe më parë duhet të jetë, një sezon shumë më i lehtë se ai i shkuari”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me komisionerin e BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, pas mbërritjes së sasisë së vaksinave “Pfizer”, Rama tha se “me shumë kënaqësi po ndjek procesin e pronotimeve dhe kërkesave që po rriten vazhdimisht nga vendet e tjera, për të ardhur dhe për të kaluar pushimet në Shqipëri”.

Duke i referuar ecurisë pozitive të vaksinimit antikovid në vendin tonë, kryeministri theksoi se “ne jemi sot në një pozicion relativisht të admirueshëm, nga pikëpamja epidemiologjike, nga pikëpamja e sasisë së vaksinave të bëra”.

“Do të vazhdojmë me ritëm të lartë vaksinimin. E kemi realizuar objektivin me gjysëm milion vaksinime, 29 ditë përpara afatit, tani objektivi është 1 milion”, u shpreh Rama.

“Puna vazhdon intensivisht, në mënyrë që Shqipëria të buzëqeshë e çliruar nga ky makth i gjatë dhe që kapaciteti i saj kryesor, që ka të bëjë me turizmin të përdoret sa më shumë këtë vit dhe pastaj totalisht vitin e ardhshëm dhe në vijim”, deklaroi Rama.

Varhelyi: Shpresoj të kemi një verë e cila do t’i ngjajë një vere normale

Nga ana e tij, Komisioneri i BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, u shpreh se, “ne i kemi bërë një propozim shteteve anëtare dhe shtetet anëtare do të marrin vendimin sesi do të ecet përpara, si do të procedohet”.

“Në rekomandimet tona, ne kemi sugjeruar që shtetet anëtare të rihapin kufijtë dhe të lejojnë edhe qytetarët e shteteve të tjera, të hyjnë në BE, në veçanti të Ballkanit Perëndimor edhe pa pasur arsye thelbësore. Pra që të rifillojë udhëtimi i tyre”, u shpreh ai.

“Ne, natyrisht do të përdorim të dhëna epidemiologjike, në mënyrë që ato vende të cilat kanë një situatë të mirë epidemiologjike të kenë mundësi, që qytetarët e tyre të udhëtojnë në shtetet anëtare të BE-së, si dhe ata individë që janë të vaksinuar”, tha ai.

“Shpresoj që në formë graduale ne do të rifillojmë këtë proces dhe shpresoj të kemi një verë e cila do t’i ngjajë një vere normale apo një normaliteti veror, pasi ka ardhur koha që të ndodhë kjo gjë”, deklaroi Varhelyi. / atsh / KultPlus.com

Pa filluar vikendi, kosovarët nisen masivisht për Shqipëri

Temperaturat e larta dhe Festa e 1 Majit, ka shkaktuar nisjen e shqiptarëve të Kosovës në bregdetin shqiptar.

Fundjava ka sjelur një fluks kosovarë në pikën kufitare të Morinës.

Dalja nga pika kufitare në Morinë(Vërmicë) sipas Qendrës për Menaxhimin e Kufirit zgjat 15-20 minuta, teksa kolona të veturave ka në një gjatësi deri në 70 metra.

Temperaturat e larta dhe Festa e 1 Majit, ka shkaktuar nisjen e shqiptarëve të Kosovës në bregdetin shqiptar.

Vetëm deri në mesditën e së premtes mbi 5600 qytetarë kanë kaluar pikën kufitare në drejtim të Shqipërisë.

Ndër të tjera mësohet se përveç qytetarëve që kanë zgjedhur Shqipërinë për pushime, ka dhe shumë të tjerë të cilët vijnë për arsye pune. /gazetaexpress/ KultPlus.com

‘Shqipëria është një vend i humbur, e shqiptarët një popull i humbur’

Nga Kasëm Trebeshina

Dhe askush nuk mund ta parashikojë dot fundin e kësaj mbretërie të terrorizmit absolut, sepse Shqipëria është një vend i humbur, sepse shqiptarët janë një popull i humbur, pa një shtresë të vërtetë udhëheqëse, të dënuar të enden përjetësisht në një rreth të mbyllur…

Tashti, para lamtumirës, dua t’ju kujtoj se e gjithë kjo që na duket se e shikojmë është sa e madhërishme, aq edhe e tmerrshme!… Ju mos e bëni më të padurueshme, gjer në shkatërrim!… Dhe mos harroni!… Diktaturat nuk i kemi lënë pas!…

Diktaturat më të tmerrshme, të ngarkuara edhe me shkencë, do t’i keni përpara!… Mendohuni mirë… Për të mirën tuaj dhe të atyre që do të vijnë!…

Lamtumirë!…/ KultPlus.com

Milan Shufflay, albanologu kroat që dashuronte Shqipërinë

Milan Shufflayn ishte një dijetar i njohurive të hollësishme të albanologjisë dhe një pikë referimi për çdo studim të mëtejshëm në këtë fushë.

Shufflay lindi në Lepoglava, Kroaci, më 9 nëntor 1879. Familja e tij ishte në gjendje t’i siguronte atij arsimimin e duhur duke inkurajuar talentet e tij të shumta. Ai studioi histori dhe filologji klasike në Universitetin e Zagrebit dhe ishte një poliglot. Një gjeni gjuhësor pa dyshim, që dinte një numër të madh gjuhësh të huaja, përfshirë shqipen.

Ai mori një Ph.D në histori në Universitetin e Zagrebit gjithashtu, me specializim shtesë në Vjenë dhe Budapest në historinë e Ballkanit. Puna e tij shkencore u përqendrua në historinë mesjetare të Kroacisë dhe historinë e popullit shqiptar.

Veprat e Shufflay-it për Albanologjinë

Albanologjia u bë një nga fushat e tij kryesore të karrierës kërkimore gjatë së cilës ai shkroi shumë libra për Shqipërinë. Shufflay botoi “Biologjia e Pemës Gjenetike Shqiptare” dhe “Kushtet në kisha në Shqipërinë para-Osmane” në 1916, dy libra mbi historinë shqiptare. I pari, “Historia e Shqiptarëve të Veriut” e ndjekur nga “Qytetet dhe Fortesat e Shqipërisë, Kryesisht gjatë Mesjetës” botuar në 1924. Por dy vëllimet e të ashtuquajturit “Codex albanicus” të hartuar së bashku me Ludwig von Thalloczy dhe Konstantin Jirecek, janë xhevahiret e veprës së tij. Një koleksion arkivor i titulluar “Aktet dhe Çështjet Diplomatike që ilustrojnë Mesjetën në Shqipëri”. Vëllimi i parë u botua në Vjenë në 1913, dhe i dyti në 1918. Të dy vëllimet mbulojnë periudhën e viteve nga 344 deri në 1406.

Në 1931 Shufflay udhëtoi në Shqipëri për t’u angazhuar plotësisht në shkrimin e “Acta Albaniae”. Menjëherë pasi u kthye nga Tirana, më 18 shkurt 1931 ai u sulmua nga radikalët serbë që i zunë pritë në Zagreb, në pragun e tij të derës, duke i thyer kafkën me çekan. Sulmuesit më pas hynë në banesën e Shufflay dhe vodhën dorëshkrimin e vëllimit të 3-të të “Codex albanicus”. Shufflay vdiq të nesërmen, më 19 shkurt 1931. Autoritetet madje refuzuan të hetonin vrasjen. / KultPlus.com

‘Washington Post’: Rama shpreson ta shndërrojë Shqipërinë në kampione të turizmit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shpreson të rifitojë zgjedhjet këtë fundjavë në mënyrë që ai të mund të punojë për ta shndërruar një nga vendet më të varfra të Europës në një kampione të turizmit, shkruan sot gazeta e njohur amerikane ”The Washington Post”.

Ndikimi negativ i pandemisë në ekonominë e Shqipërisë është një nga çështjet thelbësore në zgjedhjet parlamentare të së dielës, të cilat BE i ka vënë si kusht për të filluar negociatat e plota për të pranuar vendin e vogël ballkanik si një anëtar. Parregullsitë kanë dëmtuar zgjedhjet e mëparshme në Shqipërinë postkomuniste.

Kryeministri Rama përmend një aeroport të ri ndërkombëtar që u hap të dielën, një marrëveshje ndërtimi e arritur sot për një aeroport tjetër në vijën bregdetare të vendit prej mbi 300 kilometrash dhe planifikon të kthejë portin e Durrësit në një destinacion vetëm për tragete, jahte dhe anije të tjera argëtimi si shenja premtuese.

“Ne jemi në rrugën e duhur për ta shndërruar këtë vend në kampionin e Ballkanit Perëndimor për turizmin”, tha Rama në një intervistë për ”The Associated Press”.

Sondazhet parazgjedhore kanë treguar se Partia Socialiste e Ramës ka të ngjarë të zerë vendin e parë në zgjedhje.

Shqipëria tërhoqi më shumë se 6 milionë turistë në 2019, kur turizmi zinte rreth 9% të PBB-së. Shifrat paraprake të vitit 2020 nga Ministria e Turizmit tregojnë të paktën një rënie prej 40% të të ardhurave nga turizmi, që i atribuohet pandemisë. Një shtetrrethim me orar të caktuar, rregullat e distancës sociale dhe masa të tjera të kontrollit të virusit të urdhëruara nga qeveria kanë prekur kryesisht hotelet, restorantet dhe kafenetë.

Si pjesë e programit të vaksinimit masiv të vendit, qeveria u ka dhënë përparësi  punonjësve të hotelit dhe restoranteve si dhe operatorëve të shtëpive private me qira përgjatë bregdetit ose në vendpushimet malore.

Pas ankesave të mëparshme për vonesa, Rama falënderoi ekzekutivin e Bashkimit Europian për dhurimin e 145 000 dozave të vaksinave për Shqipërinë.

Brukseli i hapi dritën jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në fund të vitit 2020 për fillimin e negociatave të anëtarësimit të plotë, por asnjë datë nuk është caktuar për takimin e parë.

”Bashkimi me BE mbetet qëllimi kryesor i Shqipërisë”, tha Rama.

“Procesi i integrimit… është një proces i kapërcimit të pengesave. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Ne duhet të vazhdojmë të luftojmë dhe të jemi atje dhe ne do ta bëjmë këtë”, tha ai.

Shqipëria pa një rënie prej 3,31% të PBB-së në 2020 për shkak të pandemisë dhe një tërmet fatal me magnitudë 6,4 ballë Rihter më 26 nëntor 2019 që shkaktoi dëme të konsiderueshme.

”Hapat e ardhshëm për vendin janë lënia pas e pandemisë dhe pasojat e tërmetit dhe ta ngjisim Shqipërinë më lart”, thotë kryeministri.

“Ne duam të jemi kampionë në turizëm. Ne duam të jemi kampionë në energjetikë. Dhe ne mund të jemi (me siguri) në agroturizëm”, shton Rama.

”Ne duhet të shkojmë më tej. Dhe këto janë qëllimet tona”, përfundon ai./ atsh / KultPlus.com

Charles Erickson: Popullit shqiptar kurrë nuk iu dha mirënjohje për atë që i dhanë historisë

Nga Charles Telford Erickson

Populli shqiptar i ka përshkuar shekujt duke punuar si trim dhe i talentuar; ai kapi lartësitë e Republikës Greke, ato të Mbretit të Persisë dhe të Babilonit.

Me ndihmën e Princeshës së Maqedonisë, ata i dhanë fund pushtetit të Romës, hoqën qafe mizoritë e Tarantinit, frenuan për një farë kohe në emër të krishtërimit përparimin e shpejtë të islamit.

Ata mbrojtën fronin e Mbretit të Siçilisë, ngritën atë të Greqisë, dhe përsëri atyre kurrë nuk iu dha mirënjohje për atë që i dhanë historisë. / KultPlus.com

‘1001 dritaret e Beratit’, ekspozita me peizazhe nga Shqipëria dhe Berati

“1001 dritaret e Beratit” quhet ekspozita që është çelur për publikun dhe artdashësit e qytetit të Beratit.

Janë rreth 23 piktura nga artistë shqiptar të artit pamor të cilat sjellin peizazhe nga Shqipëria por edhe nga qyteti i Beratit.

Emrat e njohur të artit pamor që marrin pjesë në këtë ekspozitë janë: Agim Kadillari, Agron Polovina, Bujar Lika, Buron Kaceli, Çaush Vathi, Elton Stasa, Emiona Stasi, Fatmir Carkanji, Jordan Findiku, Kastriot Dervishi, Kudret Durollari, Kujtim Buza, Luan Boriçi, Maria Julia Tagliero, Nasuf Myftari, Nikolin Ivanaj, Pashk Përvathi, Rikarda Nova, Sadik Kasa, Skënder Strica, Spiro Panariti, Vangjo Vasili dhe Xheneta Kadillari.

Kuratori Agron Polovina tha se “vlerat e Beratit vijnë në tablo pikture, ku janë monumentet e kulturës, por dhe peizazhet e larmishëm. Në këtë ekspozitë marrin pjesë artistë nga grupimi “Plein Air”, si dhe artistë të tjerë që e kanë të rëndësishëm peizazhin në krijimtarinë e tyre, dhe veçanërisht peizazhin e qytetit të Beratit”.

Në mënyrë metaforike kjo ekspozitë titullohet “1001 dritaret e Beratit”, dhe vjen si e tillë duke nxjerr në pah qoftë vlerat e artistëve që kanë sjell këto krijime, por edhe vlerat e qytetit të veçantë dhe antik të Beratit.

Kjo ekspozitë është hapur ditën e enjte në ambientet e galerisë “Edward Lear” në Berat. /atsh/ KultPlus.com

Shqipëria e Turqia me marrëveshje bashkëpunimi në kulturë e trashëgimi kulturore

Ajo që kishte nisur në fillim të këtij viti me marrëveshje për restaurim të Xhamisë së Plumbit në Shkodër, është pasuar së fundmi edhe me një marrëveshje tjetër mes ministrive të Kulturës së Shqipërisë dhe asaj të Turqisë.

Krejt kjo ka ndodhur jo pak kohë pas rastit kundërthënës të investimit të TIKA-s në Hamamin e Madh të Prishtinës, i cili, sipas projektit turk, planifikohej të tjetërsohej edhe në emër, duke u quajtur si “Muzeu i Hamamit të Pushtuesit”. Por për ministren e Kulturës të Republikës së Shqipërisë, marrëveshja e firmosur në Gjirokastër nuk është vetëm “për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por edhe në fusha të tjera të artit si kinematografi, botime, përkthime e shkëmbime kulturore”

Përvoja jo fort e mirë me autoritetet turke rreth investimeve në objektet e trashëgimisë kulturore nuk është parë si pengesë nga institucionet e shtetit shqiptar. Rreth dy javë më parë, Komuna e Prishtinës dhe Agjencia qeveritare Turke për Zhvillim dhe Rindërtim (TICA) nënshkruan memorandum bashkëpunimi për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës. Me projektin në vlerë prej 1 milion eurosh synohej “rikthimi i origjinalitetit” të objektit gati pesëshekullor. Por videot e projektit kishin bërë me dije se ai qe emëruar si “Fatih Hamami Müzesi” (në shqip “Muzeu i Hamamit të Pushtuesit”).

Fill pas raportimit të KOHËS për projektin që po tjetërsonte monumentin edhe në emër, në opinionin publik ishin ngritur shqetësime të shumta për emërtimin e ri që lidhej me emrin e sulltanit të gjysmës së dytë të shekullit 15, Mehmeti II, me emrin e të cilit lidhet pushtimi i Kostandinopojës dhe një pjese e konsiderueshme e Ballkanit Jugor.

Me këtë sulltan lidhen po ashtu edhe fushatat e egra perandorake ndaj tokave arbërore, sikundër edhe pushtimi i Krujës dhe Shkodrës që shënoi pushtimin e Arbërisë pas rezistencës gjysmëshekullore të Gjergj Kastriotit – Skënderbeu.

E me një marrëveshje të përbashkët, Shqipëria dhe Turqia synojnë që të bashkëpunojnë në fushën e artit, arkeologjisë, muzeologjisë, luftës kundër trafikut të paligjshëm të objekteve të trashëgimisë kulturore, si dhe mbrojtjes së të drejtave të autorit.

Nënshkrimi është bërë të enjten pasdite në shtëpinë e Zekatëve, njërit prej objekteve më karakteristike në qytetin historik të Gjirokastrës, mes ministres së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, Elva Margariti, dhe homologut të saj turk, Mehmet Ersoy.

“Një firmë e rëndësishme për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë”, e ka cilësuar këtë marrëveshje ministrja Margariti.

“Pas bashkëpunimeve të suksesshme në fushën e restaurimit, të tjera projekte të mëdha na presin përpara”, ka bërë me dije Margariti në njoftimin e afishuar në “Facebook” pas nënshkrimit të marrëveshjes në fjalë.

Gjatë qëndrimit në Gjirokastër, ministri turk Ersoy ka vizituar edhe godinën e restauruar të konvikteve studentore në Gjirokastër.

“TIKA ka zbatuar 532 projekte që prej krijimit të Zyrës së Koordinimit”, ka bërë të ditur ministri turk Ersoy në faqen e tij në “Facebook”.

Edhe investimi tjetër në Xhaminë e Plumbit, në Shkodër, nuk kishte kaluar pa kritika në opinion.

Gjatë vizitës në Ankara në fillim të këtij viti, ministrja Margariti kishte nënshkruar një marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Fondacioneve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për, siç ishte thënë, “restaurimin dhe konstruksionin e sistemit të mbrojtjes nga përmbytjet në Xhaminë e Shkodrës”. /atsh/ KultPlus.com

Sot, 82 vjet më parë, Shqipëria u sulmua pabesisht nga Italia fashiste

Tetëdhjetë e dy vjet më parë, në të premten e zezë të 7 Prillit 1939, Shqipëria u sulmua në mënyrën më të pabesë nga Italia fashiste.

Trupat italiane komandoheshin nga gjenerali Alfredo Guzzoni, i cili kishte të gatshme një ushtri prej 40 mijë vetash dhe armatime të shumta.

Mëngjesi i 7 Prillit të vitit 1939, shënoi aktin e sulmit ushtarak të Italisë kundër Shqipërisë. Luftime të përgjakshme u regjistruan në Durrës, por edhe në Shëngjin, Vlorë e Sarandë. Në Durrës trupat italiane u pritën me zjarr nga Mujo Ulqinaku, kapter i marinës dhe nga major Abaz Kupi. Pas disa orësh rezistence e luftimi, qyteti i Durrësit u pushtua.

Shqipëria, si gjithë vendet e tjera, do kalonte nga kalvari i Luftës Botërore, por kundërshtimi i pushtimit që në ditët e para do ta radhiste në Aleancën e Madhe Antifashiste, dhe kjo gjë mbetet një nga vlerat më të pamohueshme në historinë tonë moderne. / KultPlus.com

Në Serbi u vaksinuan edhe punëtorë shqiptarë, fotografia e stjuardesave bëhet virale

Punëtorë nga Shqipëria kanë shfrytëzuar mundësinë e vaksinimit kundër koronavirusit në Serbi. Të shtunën aty ka nisur vaksinimi i punëtorëve nga të gjitha shtetet e rajonit, mundësuar nga Oda Ekonomike e Serbisë.

Në mesin e të vaksinuarve ishin stjuardesat e kompanisë ajrore shqiptare “Albawings”. Një fotografi e tyre në Serbi është bërë virale në mediat serbe.

“Për ne ishte e rëndësishme sepse ishte e vetmja mundësi, momentalisht për t’u vaksinuar, duke qenë se jemi pjesë e në kompanie ajrore, dëshironim të kishim mundësi që stafi ynë të ishte qind për qind i vaksinuar dhe duke qenë se në Shqipëri aktualisht nuk mundësohet për këtë kategori që ne përfaqësojmë, gjetëm mundësinë që të vinim këtu në Beograd”, ka deklaruar një stjuardesë për REL.

Ndërkohë, një punëtor i Aeroportit të Tiranës ka thënë se organizimi ishte në rregull.

“Mendoj që është një mundësi e mirë për ta bërë, kjo tregon edhe seriozitetin e shtetit të Serbisë, pa diskutim edhe fuqinë e saj si shtet”, ka thënë ai pasi kishte marrë vaksinën e AstraZenecas.

Në Serbi të shtunën ka nisur vaksinimi kundër COVID-19 i punëtorëve të bizneseve të shteteve të Ballkanit. Për vaksinim janë paraqitur mbi 7.500 punëtorë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi. Vaksinimi kundër koronavirusit po bëhet nën organizimin e Odës Ekonomike të Serbisë e cila në bashkëpunim me Qeverinë e Serbisë ka siguruar 10.000 doza të vaksinës AstraZeneca.

Oda Ekonomike e Kosovës më herët kishte njoftuar se ka refuzuar të marrë pjesë për vaksinë në Serbi për “arsye parimore”, megjithatë nga Oda Ekonomike e Serbisë kanë thënë se disa biznesmenë nga Kosova janë paraqitur tek ata për vaksinim. Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit./ KultPlus.com

Dita e Verës, si e presin shqiptarët dhe pse njihet si festë e Elbasanit

Sot festohet ‘Dita e Verës’, edhe pse nën kushtet e pandemisë. Kur përmendin ‘Dita e verës’ mendja direkt na shkon në Elbasan. Sigurisht që kjo festë është një traditë mbarëkombëtare e cila festohet nga jugu në veri, por “shtëpinë” e saj e ka në qytetin e Elbasanit.

Shqiptarët mbahen si popull që jetojnë e gëzojnë në harmoni me njëri – tjetrin. Kjo gjë dëshmohet që në lashtësi, në kohët kur shqipëtarët ishin paganë. Një nga traditat pagane është edhe “Dita e Verës”, e cila kremtohet më 14 mars. Kjo datë simbolizon për rigjenerimin e natyrës, ardhjen e pranveres, ardhjen e kësaj stine e cila sjell përtëritjen e natyrës, por jo vetëm, sjell edhe përtëritjen shpirtërore.

Në rrethinat e Elbasanit, konkretisht në Çermenikë sipas gojëdhënave u ndërtua një faltore me emrin “Zana e Çermenikës” ose e njohur ndryshe në mitologjinë greke Diana, perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe natyrës. Ishte koha kur nuk ishin krijuar ndasitë fetare dhe shqiptarë, grekë e romakë kremtonin së bashku duke iu falur perendive, luleve, natyrës.

Zanafilla ishte në qytetin e Elbasanit dhe ky qytet e ka ruajtur traditën dhe e feston bindshëm këtë festë, ndryshe nga krahinat e tjera. Por cilat janë ato detaje që simbolizojnë këtë festë?

1. Ballokumet, simboli i embëlsisë, sinonimi i Ditës së verës, një nga gatimet tipike të krahinës së Elbasanit. Bëhet vetëm me 14 mars dhe përbëhet nga katër elementë: miell(misri dhe gruri), gjalpë, vezë(mundësisht fshati) dhe sheqer. Aq e thjeshtë në dukje por me një mund të madh për amvisat pasi procedura e gatimit do kohë që të realizohen ballokumet e duhura.

2. Njerëzit në natën e 13 marsit vendosin në duar verore. Verorja përbëhet nga fije të bardha e fije të kuqe. Ngjyra e bardhë simbolizon dritën, paqen, pastërtinë, ndërsa ngjyra e kuqe simbolizon gjakun, ngrohtësinë, dashurinë. Sipas traditës veroret hiqen dhe vendosen në degën e një peme me ardhjen e dallëndyshes së parë, duke shprehur një dëshirë.

3. Thuhet se në datën 14 mars, pa lindur akoma dielli, duhet të hapim dyert e shtëpisë, në mënyrë që të deportojnë rrezet e para të diellit pranveror që largojnë të keqen dhe mirëpresin të mirën, begatinë. Të moshuarit, sidomos në qytetin e Elbasanit, ende i aplikojnë këto zakone.

4. Ndezja e zjarrit që simbolizon largimin e së keqes dhe pjellorinë e tokës.

Në dy vitet e fundit, ndryshe nga çdo vit tjetër, festohet nën kushte të rrepta pandemie për shkak të masave anti-COVID. / KultPlus.com

Çifti i famshëm shëtiti botën, u ngelë në mendje Shqipëria

Një çift i veçantë ai i Lourdes Perez nga Cadiz i Spanjës dhe francezit Vincent Lachaize të cilët kanë thyer mitin duke shëtitur botën me vajzën e tyre foshnjë, Avril.

Ata kanë shëtitur mjaft vende dhe i kanë pasqyruar këto eksperienca të bukura në blogun profesional Viajandodo.com ku japin dhe rekomandime dhe këshilla të dobishme dhe një udhëzues mbi mjetet themelore që duhen për fëmijët në secilin vend.

Ajo që bie në sy është dhe shkrimi i veçantë për Shqipërinë, një nga vendet që ata kanë vizituar, transmeton KultPlus.

Gjate pushimeve te tyre ne Shqiperi

Lourdes e kujton Shqipëri si “një vend me të cilin ne e kishim shumë të lehtë për të udhëtuar dhe në të cilin gjithashtu patëm një mirëseardhje të madhe”, thotë ajo pa harruar shëtitjet që Avril bënte nëpër tryezat e restorantit duke i dhënë bisedë të gjithëve. Sipas saj, “foshnjat dhe fëmijët janë armë e socializimit masiv, dhe aq më tepër në udhëtime, kjo gjithnjë na ka befasuar”.

Ata nisën të eksploronin pas përfundimit të studimeve duke organizuar udhëtime të shumta me dëshirën për të zbuluar destinacione dhe kultura të reja. Falë këtyre eksperiencave lindi dhe dëshira për të krijuar një blog e për të ndarë aventurat e saj. / KultPlus.com

Raporti shqetësues i UNESCO-s: 44 mijë shqiptarë analfabetë, nuk dinë shkrim as lexim

Është e paimagjinueshme, por në vitin 2021 në Shqipëri ka ende persona që nuk dinë të shkruajnë dhe të lexojnë shqip.

Një raport i UNESCO përcjell të dhëna të trishta sa i përket analfabetizmit.

Statistikat i përkasin vitit 2018 dhe në bazë të tyre 44 mijë persona në Shqipëri janë analfabetë. Nga këta mbi 3000 i përkasin moshës 15-23 vjeç.

Sipas këtij raporti, ky fenomen më së shumti është i përhapur në komunitetin rom dhe te personat me aftësi të kufizuara.

Edhe pse arsimi është i detyrueshëm deri në moshën 16-vjeçare, vetëm 92% e nxënësve mbarojnë arsimin bazë.https://zeri.info/inarticle.html

Në raport thuhet se varfëria, migrimi dhe largësia nga shkolla, janë ndër arsyet pse fëmijët e lënë shkollën para klasës së nëntë.

Kjo problematikë është evidentuar edhe nga Edi Rama në opozitë. Madje në zgjedhjet e vitit 2013 ai kërkonte votën për të larguar qeverinë që kishte lënë 57% të popullsisë analfabetë funksionalë por 8 vite më pas situata duket se është e njëjtë./oranews/ KultPlus.com

Familja nga Kukësi që strehoi gjatë luftës rreth 50 persona nga Kosova

Këtë vit mbushen 22 vjet nga eksodi i shqiptarëve të Kosovës ku rreth një milion ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre gjatë luftës 1998-1999.

Forcat serbe, kishin dëbuar popullin e Kosovës me forcë nga shtëpitë e tyre, ndërsa vala më e madhe e refugjatëve ishte në Shqipëri.

E shqiptarët atje, ishin mjaft mikpritës me kosovarët që po iknin nga lufta, duke i hapur edhe shtëpitë e tyre e duke ndarë gjithçka bashkë. /express/ KultPlus.com

https://video.gjirafa.com/familja-nga-kukesi-qe-strehoj-gjate-luftes-rreth-50-kosovare

UNICEF fillon në Fier fushatën kombëtare kundër abuzimit ndaj fëmijëve

Fushata kombëtare “Të Besoj” e UNICEF-it në Shqipëri ka nisur sot edhe në qytetin e Fierit.

Instalacioni prej rreth 50 silueta fëmijësh, secila me një histori reale të abuzimit seksual është vendosur pranë parkut të qytetit dhe do të qëndrojë aty për dy javët në vazhdim.

Aktiviteti u përshëndet nga nënkryetarja e bashkisë, Enkelejda Peshkëpia, e cila ritheksoi angazhimin e Bashkisë Fier në lidhje me adresimin ndaj këtij fenomeni.

“Të gjithë bashkë duhet të bëhemi një zë dhe krah njëri-tjetrit për t’i thënë stop këtij krimi të shëmtuar që lë gjurmë në mbarë shoqërinë globale. Interesi më i lartë i fëmijës është parimi që na udhëheq në punën tonë të përditshme, me qëllim fuqizimin dhe ngritjen e strukturave të reja në ndihmë të identifikimit, referimit dhe parandalimit të rasteve të fëmijëve jo vetëm viktima të dhunës seksuale, por të të gjitha formave të tjera të dhunës”, u shpreh ajo.

Ndërkohë zv.përfaqësuesja e UNICEF në Shqipëri, Edina Kozma, u shpreh mbi rëndësinë e kësaj nisme. “Nëpërmjet kësaj fushatë ne duam t’i japim fund heshtjes rreth abuzimit seksual dhe shfrytëzimit të fëmijëve të cilët presin përgjigje nga ne. Të gjitha historitë janë reale dhe i kanë ndodhur fëmijëve në Shqipëri, ndaj dhe ne kemi vetëm një mesazh të qartë për të gjithë – Na besoni, dhe na ndihmoni t’i japim fund dhunës”, tha ajo.

“Të Besoj” është një instalacion publik nga UNICEF Shqipëri, i cili pasqyron siluetat e disa fëmijëve të abuzuar seksualisht, ku secila prej tyre tregon një histori të vërtetë të ndodhur në Shqipëri.

Pas çdo siluete fshihet historia e një fëmije të vërtetë, një personi të vërtetë, i cili ende vuan pasojat e abuzimeve që ka përjetuar. Historitë nuk përmbajnë emra të fëmijëve apo ndonjë informacion tjetër që mund të çojë në identifikimin e tyre. /ata/ KultPlus.com

Presidenca e Shqipërisë organizon aktivitetin ‘101 vjetori i Tiranës kryeqytet’

Presidenti i Republikës, Ilir Meta festoi së bashku me drejtues dhe anëtarë të shoqatave “Tirana”, “Tirona Intelectum”, “Bashkësia Dibrane” si dhe përfaqësues të familjeve autoktone tiranase 101-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet.

Në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës, u mbajt edhe një veprimtari kulturore-historike “101-vjetori i Tiranës kryeqytet” ku pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe përshëndetjeve të personaliteteve dhe historianëve, u promovuan librat “Shqipëria politike” e “Atdhetarët Shtaku”, si dhe u zhvillua ekspozita me piktura të dy mjeshtreve tiranas të penelit, Sadik dhe Buron Kaceli.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës u shpreh se, “11 Shkurti i vitit 1920 është një ditë e veçantë për të gjithë ne, është një ditë e shënuar për qytetarët e Tiranës, të Shqipërisë dhe mbarë kombit tonë!

Ndaj në këtë atmosferë feste, pavarësisht nga situata e pazakontë për shkak të pandemisë, dua t’i uroj të gjithë qytetarët e Tiranës dhe të mbarë vendit: Gëzuar 101-vjetorin e shpalljes së Tiranës, kryeqendra e shqiptarëve! Ta ruajmë dhe ta mbrojmë Tiranën, që të mbetet jo vetëm kryeqyteti ynë, por edhe krenaria jonë dhe për këtë dua të falënderoj shoqatat tuaj dhe gjithë komunitetin, për përpjekjet që ka bërë deri tani, por sidomos për ato që do të bëjmë të gjithë së bashku në të ardhmen”, tha Meta.

Meta vlerëson arkeologun dhe politikanin e shquar, Neritan Ceka me Dekoratën “Nderi i Kombit”

Me rastin e 80-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi arkeologun, politikanin dhe diplomatin e shquar Neritan Ceka me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në vlerësim të veprës së çmuar dhe punës së palodhur si shkencëtar dhe arkeolog i përkushtuar në ndriçimin, vënien në dukje, ruajtjen dhe promovimin e thesareve të rralla të trojeve tona, të historisë së lashtë, gërmimeve intensive e afatgjata të qytetërimit ilir.

Me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributet e vyera e të pamohueshme, si politikan aktiv dhe diplomat, qysh në shembjen e diktaturës, vendosjen e sistemit pluripartiak si dhe më pas, në konsolidimin e institucioneve të reja demokratike në vendin tonë”.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të pranishëm në ceremoni, Presidenti Meta u shpreh se, “është kënaqësi e madhe, që në ditën e 80-vjetorit të lindjes së tij, të vlerësoj një nga personalitetet më të rëndësishme të vendit tonë, arkeologun, politikanin dhe shkencëtarin e shquar, Neritan Ceka”.

“Duke vlerësuar profesor Cekën synoj t’i transmetoj atij detyrimin e respektin, që ne kemi dhe duhet të kemi për të gjithë ata, që ia kushtuan jetën e tyre konsolidimit dhe përparimit të institucioneve kulturore të vendit tonë por edhe atyre politike”, tha Meta.

“Profesor Neritani është një nga përfaqësuesit më emblematikë të atij brezi, që u quajt i Pasçlirimit, brez që i mbijetoi mungesave dhe padrejtësive të periudhës së diktaturës komuniste”, u shpreh Meta.

“Pavarësisht nga kushtet e vështira, ky brez diti të formohet me trashëgiminë e albanologëve më të mëdhenj të kombit, si Aleks Buda, Hasan Ceka, Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Selim Islami, Gani Strazimiri, e shumë të tjerë, ku do të jepte kontributin e tij të shquar në formimin e arkeologjisë shqiptare”, theksoi Meta. /ata/ KultPlus.com

Shqipëria dhe Kosova pjesë e konkursit për dokumentimin e kulturës

Wikimedia ka organizuar një konkurs ndërkombëtar fotografik të quajtur “Wiki Lovers Foklore”. Synimi i saj është dokumentimi i kulturave të ndryshme anëembanë botës.

Shqiptarëve, si në Shqipëri dhe në Kosovë u bëhet thirrje të futen në arkivat e tyre të fotove ose të vizitojnë muze, vende me përmbajtje folklorike ose historike dhe t’i ngarkojnë ato në “Wiki Loves Folklore in Albania and Kosovo” (kliko këtu).

Qëllimi themelor i konkursit është të mbledhë fotografi të larmishme kulturore e njerëzore për të ilustruar artikujt në enciklopedinë e lirë botërore “Wikipedia” dhe projektet e tjera të organizatës së Wikimedia-s.

Wiki Lovers Foklore

Fotografitë duhet të përputhen me tematikën e folklorit: të paraqesin pamje nga festivale folklorike, valle, kuzhinë, veshje tradicionale ose rutinë e jetës së përditshme duke theksuar kulturën popullore shqiptare.

Afati kohor për dorëzime është 1 shkurt 2021 deri më 28 shkurt 2021. Do të jepen çmime dhe certifikata për tre fotografitë më të mira ku vendi i parë fiton 50 euro, i dyti, 30 dhe i treti 20 euro.

Të gjithë mund të marrin pjesë, pavarësisht moshës, kombësisë dhe vendit ku jeton. Mjafton që të pranoni t’i publikoni fotot tuaja nën licencën Attribution-ShareAlike 4.0 International (ç BY-SA 4.0).

Që të merrni pjesë në këtë konkurs, duhet të keni një llogari në Wikimedia Commons, të bëni fotografi të kulturës popullore shqiptare ose të Shqipërisë dhe Kosovës dhe t’i ngarkoni fotografitë në Commons. Mos harroni të shtoni Kategorinë:Imazhe nga Wiki Loves Folklore 2021 në Shqipëri. /dp/ KultPlus.com