Media australiane “The New Daily”:  Si po kthehet Shqipëria në destinacionin e madh të turizmit evropian?

Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vitet e fundit, falë kaluarës së saj historike dhe zhvillimit të turizmit dentar, shkruan Sezen Bakan në një artikull të botuar në të përditshmen australiane “The New Daily”.

Vitin e kaluar, Shqipëria u rendit e katërta në nivel global për rritjen më të madhe të numrit të turistëve ndërkombëtarë, pasi shënoi një rritje prej 56 për qind krahasuar me vitin 2019, sipas Organizates Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara.

Kompania e udhëtimit “Intrepid Travel” raportoi një rritje prej më shumë se 30 për qind në rezervimet për udhëtimet në Shqipëri – midis viteve 2023 dhe 2024.

“Duke qenë se Shqipëria hapi dyert për vizitorët vetëm 30 vjet më parë, ajo mbetet kryesisht e paprekur, me shumë më pak turistë se Greqia ose Kroacia fqinje”, tha drejtuesja e projektit të “Intrepid Travel”, Dyan Mckie.

“Me peizazhe të gjera që variojnë nga qytetet buzë plazhit deri te qytetet plot gjallëri, produktet e freskëta vendase, bujqësia e qëndrueshme dhe ushqimet e gatuara në shtëpi – Shqipëria ofron shumëllojshmërinë dhe përvojat që u pëlqejne vizitorëve”, tha ajo.

“Është një vend që ende ndihet si një zbulim”, tha Mckie.

“Udhëtimet tona në Shqipëri ofrojnë një alternativë më buxhetore se shumë destinacione të tjera evropiane – me një kosto mesatare ditore prej rreth 288 dollarë krahasuar me mbi 400 dollarë në vende si Spanja, Italia apo Greqia”, tha ajo.

“Është një atraksion i madh për turistët që kërkojnë përballueshmërinë pa kompromentuar përvojën”, theksoi ajo.

Rritja e fundit e turizmit është shumë larg “personalitetit” të mëparshëm të Shqipërisë – si një diktaturë komuniste e mbyllur.

Gjatë kulmit të sundimit komunist, diktatori Enver Hoxha mbylli kufijtë e vendit dhe ndërtoi qindra mijëra bunkerë.

Mbikëqyrja shtetërore dhe brutaliteti i dha Shqipërisë pseudonimin “Koreja e Veriut të Evropës”.

Pas tre dekadash, që kur Shqipëria u bë demokraci, turistët janë të lirë të eksplorojnë të kaluarën magjepsëse të një vendi që ka parë ngritjen dhe rënien e qytetërimeve që datojnë mijëra vjet më parë.

Megjithëse vendi është i prirur të largohet nga plagët – që ende shërohen – të diktaturës së fundit, përqafimi i historisë ka rezultuar i frytshëm për turizmin.

“Shqipëria e re”

Nga “Bunk’Art 2”, një muze interaktiv i vendosur në një bunker të shkallës bërthamore, te “Mrizi i Zanave” – një burg i kohës së komunizmit që tani përdoret për të paraqitur gastronominë historike të Shqipërisë – kujtimet e dhimbshme mbeten të paharruara ndërsa ndërtohet një e ardhme e re.

Kuzhinieri shqiptar i trajnuar në Britaninë e Madhe, Ismet Shehu, është një nga njerëzit që e vendos të kaluarën komuniste të vendit të tij në krye dhe në qendër të sipërmarrjeve të tij të biznesit.

Restoranti dhe hoteli i tij “Kazerma e Cerenit” ndodhet në ish-kazermat dhe kompleksin ushtarak pranë kryeqytetit të vendit, Tiranës.

Vizitorët përshëndeten nga kamarierë me veshje ushtarake, herë pas here të pajisur me armë false.

“Kazerma ka të bëjë me ushqimin e freskët të rritur dhe prodhuar në vend”, tha Shehu për CNN.

“Ka të bëjë me ndihmën ndaj shqiptarëve dhe fqinjëve tanë. Kur njerëzit vijnë këtu, thonë: “Uau!”, ky vend ka qenë për ushtarët, dikur ka qenë për tanke, tritolet dhe granatat. Tani është një vend paqeje – me njerëz që shërbejnë me një buzëqeshje; ushqim të mirë dhe ëmbëlsira shumë të këndshme. Dhe ky është një ndryshim i madh, apo jo?”, tha Shehu.

Në dhoma, Shehu vendosi blloqe të mëdha cilindrike prej betoni për të kujtuar dushet e kazermave – duke shtuar radiot e vjetra ushtarake, kondakët e pushkëve prej druri dhe tenxheret e luleve të kthyera në mensa.

Ai tha se megjithëse vitet e komunizmit ishin të dhimbshme, qëllimi i tij ishte që njerëzit të ecnin përpara – në vend që të vazhdonin t’i frikësoheshin asaj.

“Në kohën e komunizmit isha shumë i ri”, tha 35-vjeçari.

“Por, e di që babai im ka luftuar shumë. Nuk dua të harroj kurrë atë që ishte më parë, por tani historia ka ndryshuar. Ne po bëjmë gjëra të reja, kjo është Shqipëria e re”, shtoi ai.

Pjesë të tjera të historisë së pasur të Shqipërisë (nën sundimin e perandorive romake dhe osmane) janë gjithashtu atraksionet kryesore, së bashku me fshatrat idilike të vendit.

Për shembull, qyteti i Beratit është i njohur për shtëpitë e tij të stilit osman dhe kishat bizantine, ndërsa fshati i Thethit tërheq adhuruesit e natyrës falë pyjeve dhe Alpeve Shqiptare.

Buzëqeshje të reja – dhe pjesë të tjera të trupit – me ofertë

Historia, kultura, natyra dhe ushqimi i Shqipërisë nuk janë atraksionet e vetme turistike të Shqipërisë – turizmi mjekësor ka dëshmuar gjithashtu të jetë një ndihmë për një vend të vogël.

Shqipëria po mirëpret vizitorë që kërkojnë të bëjnë operacione estetike cilësore – më lirë se në vendet e tyre.

Kjo mund të variojë nga trajtimet dentare deri te përmirësimi i gjoksit.

Botox-i i popullarizuar globalisht mungon dukshëm në oferta, pasi importi i tij për trajtime me injeksion është i ndaluar në Shqipëri.

Francezi, Stephane Pealat është një nga shumë persona që kanë vizituar Shqipërinë për një buzëqeshje të re dhe të përballueshme.

Në një intervistë për AFP, Pealat tha se operacioni i implantit dentar që ai zgjodhi kushtoi rreth 50,000 euro në Francë, krahasuar me vetëm 13,500 euro në Shqipëri.

“Është e rëndësishme të kesh një buzëqeshje të bukur”, tha ai.

Shefja italiane, Vera Panaitov tha për AFP, se fillimisht kishte shkuar në Shqipëri për të bërë dhëmbët, por pasi kishte mbërritur në Tiranë, kishte zgjedhur të rimodelonte gjoksin dhe hollonte belin.

Dermatologia dhe pedagogja e universitetit me qendër në Tiranë, Monika Fida tha se 750 deri në 1000 pacientë të huaj vizitonin klinikën e saj çdo vit, – për trajtime me injeksione me acid hialuronik kryesisht në buzë.

Kreu i Shoqatës Kombëtare të Mjekëve të Shqipërisë, Fatmir Ibrahimaj u tha gazetarëve, si pacientët e huaj ashtu edhe ata vendas nuk duhet të mbështeten vetëm në reklamat në internet për procedurat estetike dhe duhet të bëjnë kujdesin e duhur përpara se t’i nënshtrohen trajtimeve./atsh/KultPlus.com

Një rekord i ri për Shqipërinë Turistike, 10,4 milionë të huaj deri në tetor

Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale bëri të ditur që Shqipëria ka thyer rekordin e vitit 2023 për numrin e turistëve të huaj që kanë ardhur në vendin tonë.

Sipas Ramës, ky është një rekord i ri për Shqipërinë, teksa shtoi se përtej shifrave synohet modeli.

“Vizitorët e huaj thyen rekordin e gjithë vitit 2023 duke shënuar shifrën e 10,4 milionë turistëve ose 16,2% më shumë se periudha janar-tetor e vitit të shkuar, edhe pse qëllimi ynë i vetëm nuk janë numrat, por ky model i mirë që po krijojmë e që sërish na jep medaljen si destinacioni më i dëshiruar turistik”, shkruan Rama në postimin e tij.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro më herët ka bërë publike shifrat e vizitorëve të huaj, ku përgjatë periudhës janar-tetor 2024, Shqipëria është vizituar nga 10,4 milionë vizitorë të huaj.

“Vizitorët e huaj thyen rekordin e gjithë vitit 2023 duke shënuar shifrën e 10,4 milionë turistëve ose 16,2% më shumë se periudha janar-tetor e vitit të shkuar, edhe pse qëllimi ynë i vetëm nuk janë numrat, por ky model i mirë që po krijojmë e që sërish na jep medaljen si destinacioni më i dëshiruar turistik” është shprehur ministrja Kumbaro përmes një reagimi.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, gjatë muajit tetor vendin e vizituan 761 mijë vizitorë të huaj, ose 9,3% më shumë se tetori i vitit 2023.

Pak ditë më parë, ishte Organizata Botërore e Turizmit që në Barometrin Global e renditi Shqipërinë të parën në Europë dhe të dytën në botë sa i takon normës së rritjes së vizitorëve ndërkombëtarë. Po ky barometër e klasifikoi Shqipërinë të parën përsa i përket rritjes së të ardhurave nga sektori i turizmit krahasuar me periudhën e para-pandemisë.

Në fund të muajit tetor, revista e njohur e udhëtimeve “Wanderlust” i akordoi Shqipërisë medaljen e argjendit si vendi më i dëshirueshëm për t’u vizituar nga turistët, përmes një votimi nga lexuesit britanikë./atsh/KultPlus.com

Rama: Nga maja e Çipinit të Vlorës, prezantim në një tjetër formë të perlave të Shqipërisë

Nga maja e Çipinit, mali përmbi fshatin Bolenë, eksploruesit e vjeshtës mund të shohin Çikën përballë, Bogonicën, Valin e Bufit, majën e Qorres, Paliskën, malin e Bratit, qafën e Shën Gjergjit, Kuçin e Tartarin.

Turizmi i ngjyrave të arta po tërheq njëlloj turistë, sepse Vlora është e gjitha, në çdo stinë, për t’u zbuluar.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Maja e Çipinit në Bolenë të Vlorës.

“Nga maja e Çipinit në Bolenë të Vlorës, me emocionet e atyre që natyrën e kanë lajtmotiv të sfidave të bukura ekoturistike duke na prezantuar në një tjetër formë perlat e Shqipërisë”, shkruan Rama.

Qeveria po vijon investimet në të gjthë vendin me synim zhvillimin e një turizmi gjithëvjetor./atsh/KultPlus.com

Rama ndan pamje nga Zvërneci: Eksploruesit shijojnë natyrën befasuese të natyrës që ka Shqipëria ngado

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga natyra e mrekullueshme e Zvërnecit, duke ftuar qytetarët dhe turistët që të eksplorojnë bukuritë e fshehura të Shqipërisë.

Në postimin e tij, Rama shprehet: “Eksploruesit gjejnë çdo ditë shtigje të reja për të parë kartolinat befasuese të natyrës që ka Shqipëria ngado.”

Zvërneci është një nga destinacionet natyrore që tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë me bukuritë e tij unike, dhe kryeministri Rama vlerëson angazhimin për të promovuar këtë trashëgimi natyrore të rrallë që ofron Shqipëria.

Zvërneci, 14 km larg qytetit të Vlorës, është kthyer vitet e fundit në një ndër pikat turistike më të vizituara. Pas investimeve të fundit dhe ndërtimit të urës, turistë të shumtë zgjedhin të kalojnë në çdo stinë ditët me diell në ishullin e bukur, brenda Lagunës së Nartës.

Përveç bukurisë natyrore që Zvërneci ka, interes të veçantë paraqet për vizitorët Manastiri i Shën Mërisë, i cili ndodhet në ishullin e Zvërnecit dhe ku mund të shkohet me një urë të ngushtë këmbësorësh prej druri. Manastiri është një ndërtim tipik bizantin i ndërtuar në shek. X pas Krishtit.

Ndërtimi i tij, historia, gojëdhënat e bëjnë këtë resurs tërheqës në çdo stinë të vitit./ KultPlus.com

“Bussines Day”: Shqipëria mes pesë destinacioneve më të bukura për t’u vizituar

Udhëtimi në destinacione më pak të njohura ofron përvoja unike dhe njohuri për kultura të ndryshme.

Ndërsa pikat e njohura turistike shpesh marrin vëmendjen më të madhe, eksplorimi i këtyre vendeve alternative ofron përfitime përtej kursimeve të kostos.

Udhëtimi në vende më pak të njohura ju mundëson një përvojë më gjithëpërfshirëse, duke ju ofruar një shans për të zbuluar aspekte të botës që mund të mos i kishit parashikuar.

“Bussines Day” e ka renditur Shqipërinë mes pesë destinacioneve më të bukura për t’u vizituar në 2024 (Shqipëria, Uzbekistani, Butani, Finlanda, Laosi).

Shqipëria

Shqipëria është shfaqur si një destinacion tërheqës për vizitorët që kërkojnë një ndërthurje të bukurisë natyrore dhe pasurisë kulturore.

Ky vend ballkanik ka një vijë bregdetare përgjatë detit Jon që ofron plazhe piktoreske dhe mundësi për aktivitete në natyrë.

Shqipëria karakterizohet nga male dhe lugina mahnitëse, ku vizitorët mund të eksplorojnë qytete të epokës osmane, rrënojat romake dhe liqene piktoreske.

Tirana, kryeqyteti, paraqet një atmosferë të gjallë urbane me kafene, restorante dhe muze.

Kuzhina lokale ofron një ndërthurje të ndikimeve mesdhetare, me pjata që nxjerrin në pah përbërësit e freskët.

Ndërsa turizmi rritet, gjuha dhe traditat unike të Shqipërisë ofrojnë një përvojë të veçantë për vizitorët./atsh/KultPlus.com

“Travel+Leisure”: Vizitoni mrekullitë e Rivierës Shqiptare dhe natyrës alpine

Në fillim të qershorit vizitova Shqipërinë së bashku me bashkëshortin tim për pushime verore.

Përpara se të vizitonim plazhet e saj të njohura, ne u siguruam të përshkonim dhe shihnim Tiranën, kryeqytetin e saj, për të krijuar një ide të plotë se si ishte në të vërtetë ky vend, shkruan Stacey Leasca në revistën amerikane të udhëtimeve “Travel+Leisure”.

Shqipëria është një perlë e fshehur në Evropë, e njohur për bukurinë e saj mahnitëse natyrore, historinë e pasur dhe mikpritjen e ngrohtë.

Nga plazhet e pacenuara të Rivierës Shqiptare e deri te majat e thepisura të Bjeshkëve të Nemuna, vendi mesdhetar ka diçka për çdo vizitor.

Në verën e vitit 2024, Shqipëria përjetoi një bum vizitorësh – pasi një numër në rritje turistësh kishin zbuluar natyrën e saj të paprekur – dhe gjithashtu çmimet e saj relativisht të përballueshme.

E njohur për ujërat e saj të kristalta, bukurinë natyrore të pacënuar dhe vendet historike, nuk është çudi që Shqipëria po fiton popullaritet në mesin e vizitorëve.

Ndër të tjera, Shqipëria është një vend ku turistët priten ngrohtësisht. Vendi është tepër mikpritës dhe vendasit janë të njohur për mikpritjen e tyre.

Kostoja relativisht e ulët e jetesës dhe e udhëtimit ju vjen në ndihmë të gjithë vizitorëve me buxhet të limituar. Është një zgjedhje e shkëlqyer për udhëtime solo.

Më poshtë ne kemi renditur gjithçka që ju nevojitet për të planifikuar një udhëtim perfekt në Shqipëri:

Qytetet që duhen eksploruar:

Tirana

Tirana, kryeqyteti i gjallë i Shqipërisë, është një vend që vizitorët duhet të eksplorojnë.

Turistët mund të vizitojnë muzetë e tij mbresëlënës, të darkojnë në kafenetë e tij plot gjallëri – dhe madje të vizitojnë një nga 50 baret më të mira në botë për të shijuar një pije.

Dhe ndërsa ndodheni këtu, sigurohuni që të kaloni pak kohë duke eksploruar skenën e tij të artit, duke përfshirë një pasdite në muzeun unik Bunk’Art.

Berati

I njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve”, Berati është një tjetër vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i vendosur në Shqipëri, i cili ia vlen të bëni një udhëtim ditor.

Në Berat, turistët mund të eksplorojnë arkitekturën e tij të ruajtur mirë osmane dhe të vizitojnë shtëpitë në kodër me dritaret e tyre të veçanta.

Vendet që nuk duhet të humbisni përfshijnë Kalanë e Beratit, ku mund të shijoni gjithashtu pamjen e mrekullueshme panoramike të qytetit.

Shkodra

Vizitoni Shkodrën në veri të Shqipërisë, një nga qytetet më të vjetra të vendit.

Qendra kulturore është gjithashtu shtëpia e shumë vendeve të njohura, si Kalaja e Rozafës.

Turistët mund të vizitojnë gjithashtu qendrën e saj historike, e cila është e mbushur me kafene, së bashku me muzetë si Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi – i cili paraqet një koleksion mbresëlënës fotografish historike të së kaluarës së Shqipërisë.

Aktivitetet që mund të bëni:

Shëtitje në Parkun Kombëtar të Thethit

Zhytuni në Nënën Natyrë në Parkun Kombëtar të Thethit, i vendosur në Alpet Shqiptare.

Është një destinacion i dashur me majat e tij masive, të thepisura, ujëvarat e mrekullueshme dhe luginat e harlisura.

Parku është i vogël në krahasim me parqet e tjera kombëtare në mbarë globin, me një sipërfaqe prej pak më shumë se 10 milje katrorë – por është shtëpia e një grupi fantastik bimësh dhe kafshësh, duke përfshirë 50 lloje zogjsh.

Vizitoni Syrin e Kaltër

Shkoni në anën e kundërt të vendit, në qytetin jugor të Muzinës, për të vizituar Syrin e Kaltër, një burim natyror që krenohet me ujërat më të kaltër në botë.

Syri i Kaltër, është një shpellë rreth 50 metra e thellë, e rrethuar nga ujërat blu elektrikë – që ngjan si një iris.

Ecni nëpër Qytetin e Gurtë

Gjirokastra, e njohur si “Qyteti i Gurtë”, është vendi ideal për adhuruesit e historisë. Vendi i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në rajonin jugor filloi si një kështjellë e vetme e ndërtuar në shekullin e IV dhe evoluoi në një qytet të vogël në shekullin e XIX.

Sot, vizitorët mund ta vizitojnë ende kështjellën dhe Muzeun e saj të Armëve, të shëtisin rrugët e saj me kalldrëm dhe të futen në restorantet e saj të shijshme që shërbejnë ushqime tradicionale.

Vizitoni Muzeun Arkeologjik Kombëtar

Njihuni më shumë me historinë e Shqipërisë në Muzeun Arkeologjik Kombëtar, në Tiranë.

Ishte muzeu i parë që u hap pas Luftës së Dytë Botërore dhe është shtëpia e një koleksioni artefaktesh historike – që nga epoka e gurit deri në pushtimin osman – duke u ofruar vizitorëve një vështrim të shkurtër në çdo fazë të së kaluarës së vendit mesdhetar.

Plazhet më të mira:

Plazhet e Ksamilit

Ksamili është destinacioni më i njohur i plazhit në Shqipëri për një arsye: Është thjesht mahnitës!

Këtu, turistët do të gjejnë plazhe me rërë të bardhë të mbuluara nga ujërat bruz.

Në zonën e hotelit, vizitorët mund të qëndrojnë në plazh përpara akomodimit të tyre ose të paguajnë tarifa të vogla për të rrëmbyer një ombrellë në plazhet fqinje.

Por, gjithashtu mund të gjeni plazhe publike jashtë zonës së hotelit, duke përfshirë pika të fshehura poshtë shpateve të pjerrëta të maleve.

Plazhi i Dhërmiut

Rreth dy orë në veri të Ksamilit, turistët do të gjejnë një tjetër ambient të bujshëm buzë plazhit në Dhërmi.

Në fakt, këtu ka shumë vend për të gjithë – pasi plazhi i Dhërmiut është një nga më të gjatët në Rivierën Shqiptare.

Plazhi ofron një ndërthurje të guralecave dhe rërës së imët, kështu që të gjithë mund të gjejnë stilin e vijës bregdetare që u pëlqen.

Plazhi i Jalës

Po kërkoni pak paqe dhe qetësi? E gjeni në plazhin e Jalës.

I zhytur mes dy shkëmbinjve, plazhi i Jalës, i vendosur në veri të Himarës, njihet për atmosferën e tij intime.

Ujërat e tij të qeta e bëjnë atë një vend ideal për not dhe zhytje.

Megjithëse është edhe më i qetë dhe më i vogël se plazhet e zonave të tjera, pranë tij ndodhet një bar plazhi, ku mund të porosisni një meze të lehtë.

Koha më e mirë për ta vizituar:

Koha më e mirë për të vizituar Shqipërinë, është gjatë pranverës, nga prilli në qershor dhe nga fillimi i vjeshtës, nga shtatori në tetor.

Këto periudha ofrojnë mot të këndshëm, ideal për të eksploruar si plazhet ashtu edhe malet pa turma turistësh.

Gjatë kësaj kohe, vizitorët mund të shijojnë gjithçka që Shqipëria ka për të ofruar, duke përfshirë plazhet dhe malet e saj mahnitëse – ndërkohë që ato janë ende të ngrohta – por jo aq të nxehta sa ditët në mesin e verës.

Ka edhe shumë arsye të tjera për ta vizituar Shqipërinë gjatë gjithë vitit, duke përfshirë pjesëmarrjen në një nga festivalet e famshme të vendit si “Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë” i mbajtur në vjeshtë – dhe “South Outdoor Festival”, një festival masiv muzikor, i cili organizohet në maj.

Gjithashtu, mund të merrni pjesë në “Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës”, që mbahet çdo pesë vjet në qytetin historik të Gjirokastrës./atsh/KultPlus.com

“Islands”: Plazhi Pasqyrave sfidon destinacionet ikonë tropikale

Kur planifikoni pushime në plazh, shumica prej jush mendojnë për destinacionet tropikale si Karaibet dhe Greqinë, ndërsa disa nga plazhet më të mira në botë shpesh anashkalohen, shkruan Angelica Tobit në revistën amerikane të udhëtimeve “Islands”.

Sipas një studimi, vendi evropian, Shqipëria, po cilësohet tani si shtëpia e plazhit më të kaltër në botë.

Agjencia britanike e udhëtimeve “CV Villas” kreu një studim, duke mbledhur qindra pamje të pandryshuara të Google Maps dhe duke krahasuar nuancat e blusë në imazhe me “YInMn Blue”, një nuancë e njohur nga shkencëtarët si bluja më e pastër dhe më e shndritshme.

Plazhi Pasqyrave – ky plazh evropian në Rivierën Shqiptare sfidoi destinacionet ikonë tropikale – duke u shpallur si më i kaltërti në botë.

Riviera Shqiptare shtrihet në 215 milje të vijës bregdetare të thyer, përballë deteve Adriatik dhe Jon.

Ky i fundit është veçanërisht i famshëm për ngjyrën dhe bukurinë e spikatur blu.

Në fakt, Plazhi Pasqyrave ka marrë emrin e tij nga mënyra se si uji shkëlqen dhe i verbon shikuesit në rrezet e diellit.

Bregdeti i Adriatikut është i mbushur me plazhe të shumta si Plazhi Pasqyrave që presin për t’u eksploruar – dhe duke e bërë atë një vizitë të domosdoshme për të apasionuarit pas plazhit në Evropë.

“Travel Off Path” ndau një koment rreth Plazhit të Pasqyrave:

“Unë e kam dashur Plazhin e Pasqyrave që nga dita e parë që kam vendosur këmbët atje.

Ishte viti 2013 – kur vizitova Shqipërinë dhe Plazhi i Pasqyrave ishte plazhi i parë që vizitova – kishte shtretër dielli prej druri dhe çadra kashte.

Deti ishte i pastër si kristal me guralecë – dhe unë pagova vetëm rreth 7 dollarë për një shezllon – ky është një çmim i shkëlqyer për të paguar në një plazh që ndihet si parajsa juaj tropikale.

Vërtetë, ai çmim ka shkuar deri në 20 dollarë tani, por nuk kanë ndryshuar shumë gjëra”.

Cilat janë pritshmëritë në plazhin më blu në botë?

Vendndodhja e largët e Plazhit të Pasqyrave e bën atë një opsion ideal udhëtimi ditor – për ata që kërkojnë të përjetojnë disa nga plazhet më të mira dhe më të bukura në Rivierën Shqiptare.

Ujërat blu dhe vija bregdetare mahnitëse janë atraksionet kryesore në Plazhin e Pasqyrave, duke e bërë atë një vend të qetë për t’u çlodhur.

Ka pak komoditete në Plazhin e Pasqyrave, përveç një restoranti të vogël të quajtur “Bar Restaurant Pasqyra” – i cili qëndron hapur çdo ditë nga ora 08:00 deri në 21:00, duke shërbyer pije dhe kuzhinë shqiptare.

Restoranti është një minutë larg dhe ka pamje nga plazhi. Nuk kërkon rezervime.

Duke qenë se nuk ka restorante alternative në zonën e afërt, çmimet nuk janë konkurruese.

Sigurohuni që të merrni para – nëse doni të merrni me qira shezlongë dhe çadra plazhi — të cilat kushtojnë rreth 22 dollarë për dy persona.

Monedha zyrtare në Shqipëri është leku, por pranohen edhe euro.

Shezlongët dhe çadrat janë të disponueshme sipas parimit të shërbimit të parë, ose mund të vendosni peshqirë në plazhin falas.

Ata që duan të eksplorojnë më tej përgjatë vijës bregdetare piktoreske – mund të ndjekin rrugën për rreth 1 milje deri te Plazhi i Pulëbardhës, një tjetër plazh i mrekullueshëm që ka ujëra të ngjashme bruz.

“Restoranti Pulebardha” afër plazhit dhe i vlerësuar si një opsion i shkëlqyer ngrënieje, me pamje të pabesueshme të perëndimit të diellit nga tarraca e tij.

Këshilla gjatë vizitës në Plazhin e Pasqyrave

Bregdeti shqiptar është i popullarizuar për pushuesit për shkak të klimës mesdhetare – verës së nxehtë, të thatë dhe dimrit të butë.

Piku i sezonit përfshin muajt nga qershori deri në shtator – ku moti është ideal për plazhistët.

Saranda ose Ksamili janë të dyja lehtësisht të arritshme nga plazhi. Ju mund të merrni një autobus nga Saranda për në Butrint – që niset çdo orë dhe kushton rreth 1,11 dollarë – ose të bëni një udhëtim me taksi 25 minuta nga Saranda ose 15 minuta me taksi nga Ksamili.

Shqipëria – jo vetëm që zë vendin e parë në betejën për ujërat më të kaltra duke mposhtur vendet si Maldivet – por konsiderohet gjithashtu si një nga destinacionet më të përballueshme të udhëtimit në Evropë.

Kjo do të thotë që ju mund të shijoni disa nga plazhet më piktoreske të kontinentit, të gjitha me një buxhet të vogël.

Të vetëdijshëm për buxhetin do të jeni të kënaqur të zbuloni se një spektër i opsioneve të akomodimit është i disponueshëm – me bujtina që kushtojnë mesatarisht 10 deri në 20 dollarë për person, hotele të nivelit të mesëm që kushtojnë midis 30 dhe 60 dollarë dhe hotele më luksoze duke filluar nga 80 dollarë./atsh/KultPlus.com

Kartolina nga Shqipëria 1940

Historia gjithmonë e ka anën e saj të bukur e të pastër.

E kur kjo dokumentohet me fotografi e video, atëherë ne kthehemi e jetojmë në realitete të ndryshme.

Me anë të këtyre kartolinave të vitit 1940 mund të kthehemi në nostalgjinë e kohës së shkuar, e cila herë ishte e mirë e herë jo për shqiptarët e shpërndarë nëpër botë.

https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Falbaniahistory%2Fposts%2F2378197422287890&width=500

Rama me ambasadorët: Sot, shumë më e lehtë të ftosh njerëzit të vijnë në Shqipërinë turistike

Kryeministri Edi Rama u ndal sot te nevoja e nxitjes së diplomacisë ekonomike, ndërsa u shpreh se këtë vit shifrat në turizëm pritet të jenë më të larta se vitin e kaluar, ku Shqipëria priti 10 milionë turistë.

Gjatë Konferencës Vjetore të Ambasadorëve të Shqipërisë, Rama theksoi se sot Shqipëria është magnet që tërheq vizitorë nga gjithë bota.

“Vitin e shkuar arritëm të kemi 10 milionë turistë, shifra e këtij viti do jetë konsiderueshëm më e lartë dhe kjo nuk është një e dhënë në vetvete, por është një e dhënë, e cila reflektohet si të dhëna të tjera në zhvillimin e vendit, në rritjen e ekonomisë dhe të ardhurave, në rritjen e pagave”, shtoi ai.

Kryeministri nënvizoi se sot kemi një pagë mesatare në sektorin publik që është 900 euro dhe një pagë mesatare në sektorin privat që është ende më e lartë sesa ajo që thuhet.

“Është detyra jonë ta nxjerrim të tërën në dritën e një ekonomie të formalizuar. Kemi 10 mijë subjekte të reja që bëjnë biznes në Shqipëri duke u bazuar tek shifrat e gjysmës së parë të këtij viti krahasimisht me gjysmën e parë të vitit të shkuar. Gati 15 mijë të punësuar më shumë në 6-mujorin e parë të këtij viti”, shtoi ai.

Po ashtu, Rama theksoi se ka një rritje të investimeve të huaja me 15 % vetëm në 3-mujorin e parë të vitit dhe ka një interesim të madh për Shqipërinë, jo vetëm në aspektin e turizmit, por dhe në sektorët strategjikë të ekonomisë nga energjia tek telekomunikacionet, tek transporti, ndërtimi, e kështu me radhë.

“Të gjitha këto duhet të na thonë që stadi në të cilin gjendemi është plotësisht i favorshëm për të synuar hopin e madh përfundimtar dhe për ta vendosur më në fund flamurin tonë kombëtar në oborrin e BE në Bruksel”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, Rama nënvizoi rëndësinë e rritjes së përmasës ekonomike të diplomacisë shqiptare.

“Sot është shumë më e lehtë të flasësh për Shqipërinë, sot është shumë më e lehtë të trokasësh dhe të ftosh njerëzit të vijnë në Shqipëri, sot është shumë më e lehtë t’iu thuash që Shqipëria është e gatshme t’i presë, jo vetëm me bukuritë e saj, por edhe me mundësitë që iu ofron për të investuar këtu”, theksoi kryeministri./atsh/KultPlus.com

Numri i vizitorëve të huaj, rritje me 50% në qershor

Shqipëria turistike po vazhdon të rritet me shpejtësi. Në muajin qershor, numri i vizitorëve jorezidentë shënoi rritje me 49,9%, në krahasim me qershorin 2023.

Instituti i Statistikave publikoi sot raportin për strukturat akomoduese, sipas të cilit, numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 40%.

Të dhënat tregojnë se numri i netqëndrimeve gjithsej është rritur me 27,1 %, ku rritjen më të madhe e patën vizitorët jorezidentë me 35,5%.

Në zonat bregdetare treguesi i numrit të vizitorëve jorezidentë është rritur me 51,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Numri i vizitorëve jorezidentë në “hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 53,1 %.

Krahasuar me qershorin e 2023-shit, numri i vizitorëve jorezidentë nga Kosova shënoi rritje me 11,9 %, atyre nga Italia shënoi rritje me 8,7 %, nga Polonia me 7,6 %, ndërsa nga Gjermania rrija ishte rritje me 5,9 % Rritje me 3,8 % shënoi edhe numri i vizitorëve britanik.

Raporti i INSTAT jep detaje edhe rreth normave neto të shfrytëzimit të dhomave dhe të shtretërve, dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë.

Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 35,9 %, kundrejt 28,5 % që ishte në muajin qershor 2023.

Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 38,6 %, kundrejt 30,5 % që ishte në muajin qershor 2023.

Të dhënat e publikuara nga autoritetet treguan se gjatë periudhës janar-korrik vendi u vizitua nga 6,3 milionë vizitorë të huaj nga 5,1 milionë që e vizituan në 7-mujorin e 2023-shit./atsh/KultPlus.com

L’Alsace: Shqipëria, aty ku ndjenja e mirëseardhjes ndriçon buzëqeshjen

Shqipëria po zë vend përherë e më tepër në median ndërkombëtare sa i takon bukurive të saj natyrore, mikpritjes dhe potencialit të pazbuluar që ofron për pushime për turistët e huaj.

Kryeministri Edi Rama përcolli pasditen e sotme artikullin e francezes “L’Alsace”, e cila u paraqet lexuesve të vet bukuritë e natyrës, traditave dhe trashëgimisë sonë.

“Shqipëria, aty ku ndjenja e mirëseardhjes ndriçon buzëqeshjen. Francezja “L’Alsace” zbulon për lexuesit Shqipërinë turistike ku pranë e pranë qëndrojnë malet e deti, thesaret historike, arkitektura e fshatrave si Thethi dhe pazaret piktoreske si ai i Gjirokastrës, por edhe shumë destinacione të tjera që dita-ditës joshin vizitorë nga e gjithë bota për të njohur “perlën e panjohur të Ballkanit””, shkruan Rama në rrjetet sociale, ku sjell edhe linkun e botimit.

Shqipëria ka shënuar një fluks të lartë vizitorësh të huaj gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, me një rritje prej 33 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Vendi ynë ka kushte për turizëm gjithëvjetor, për shkak të relievit, që ofron mundësi për turizëm nga jugu, në veri. Fshatrat turistikë të veriut të vendit njohin së fundmi numër të lartë turistësh, ndërsa po zhvillohet edhe infrastruktura për turizmin e aventurës./atsh/KultPlus.com