Kryeministri Edi Rama ka uruar sot shkrimtarin me famë botërore, Ismail Kadare, me rastin e 86-vjetorit të lindjes.
“Edhe 100”, u shpreh Rama.
Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Vokacioni i tij për letërsinë zuri fill që në moshë të hershme. Në vjeshtën e vitit 1990, Kadare u largua drejt Francës dhe u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike.
Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar është anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ai është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës. / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në Elbasan platformën e Bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”, duke nisur kështu fushatën sensibilizuese.
Në një takim publik me qytetarë, ndër të tjera Rama nuk hezitoi të shkëmbente edhe batuta. Teksa argumentonte se si do të hiqen sportelet nga viti 2022 për të shmangur korrupsionin në administratë, Rama përmendi sërish faktin se nuk ka patentë.
“Nuk kam për të marrë patentën se nuk jam i zoti që të ngasë makinë, plus kam dhe këmbët shumë të gjata”, tha Rama. / KultPlus.com
Dje, kryeministri Edi Rama përcolli pamje nga kalaja e rilindur e Tepelenës dhe rrethinave.
“Mirëmëngjes dhe dhe me kalanë e rilindur të Tepelenës dhe hapësirave përreth saj, ju uroj një fundjavë të mbarë”, u shpreh Rama.
Kalaja e Tepelenës doli nga rrethimi absurd i ngrehinave pa leje, ferrave e plehrave përreth murit, si edhe u çlirua nga brenda prej gardheve e mureve, sustave për t’u kthyer në një destinacion turistik, ku godinat që nuk u prishën do të integrohen në një projekt banesash karakteristike, të cilat do t’u sjellin banorëve të kalasë të ardhura, si bujtina apo dyqane të vogla artizanati e produktesh të zonës.
Kalaja ndodhet në veri të qytetit në një pozicion gjeografik që ndihmonte në mbrojtjen e kalasë. Kalaja aktuale u rindërtua më 1819 me një sipėrfaqe 4-5 ha me tre hyrje dhe 3 kulla./ KultPlus.com
Në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” sot ka arritur kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Ai është pritur nga ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Kryeministri këtë vizitë në Kosovë po e zhvillon pas qëndrimit të tij në ShBA në kuadër të punimeve të Asamblesë së OKB-së. Ndërsa, në orën 08:50 ai u prit me ceremoni shtetërore nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në sheshin “Skënderbeu”.
Rama e ka zhvilluar këtë vizitë në Kosovës pas ftesës që i bëri kryeministri i Kosovës me rastin e urimit të tij pasi kryeministri i Shqipërisë, mori edhe mandatin e tretë si kryeministër i Shqipërisë.
Pas takimit me Ramën, Kurti ka thënë se mandatet i kanë marrë në kohën me plotë sfida duke përmendur pandeminë.
Sipas tij përtej sfidave dy qeveritë kanë potencial për të realizuar projekte të përbashkëta.
Kurti ka deklaruar se dy vendet duhet të angazhohen që tregu të jetë sa më unik, dhe që qytetarët, kapitali e malli të lëvizin lirshëm.
“Nëse ka vende që kjo të bëhet sa më shpejt, janë Kosova dhe Shqipëria. Biseduam për të gjitha fushat për qeverisjen tonë të mirë, e shohim si të rëndësishme koordinimin gjithandej. Biseduam për zbatim të marrëveshjeve të arritura deri më tani”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës bëri me dije se janë dakorduar për themelimin e një sekretariati koordinues për marrëdhëniet bilaterale, të cilën do ta udhëheqë Gentian Sala. E po ashtu se janë dakorduar që mbledhja mes dy qeverive të mbahet në mes të nëntorit.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Kosova ka të drejtë plotësisht në çështjen e reciprocitetit të targave me Serbinë, duke i dhënë mbështetje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Megjithatë, Rama theksoi se zgjidhja e vetme e kësaj çështje është dialogu.
Rama tutje tregoi se edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së kërkoi dhe do të vazhdojë të kërkojë njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet.
“Më vjen mirë të vizitoj Prishtinën menjëherë pas sesionit të 76-të të OKB-së, ku çështja e njohjes së Kosovës ishte një nga përparësitë tona atje. Një nga përparësitë e Shqipërisë, si anëtare e plotë e OKB-së, do të jetë nxitja e njohjes nga të gjithë, si përpjekje që edhe formalisht të njihet Kosova. Në radhë të parë, Serbia duhet ta njohë këtë realitet të pakthyeshëm dhe është për të ardhur keq për manovrat teatrale ushtarake të Serbisë në kufirin sovran të Kosovës. Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serbë, veriun e Kosovës, sikur pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar apo nga fantazmat e ushtrisë së luftës së mundur 20 vite më parë, sikur kanë dalë nga varri me pretendimin se po mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serbë në Kosovë. Qytetarët serbë në Kosovë jetojnë të pakërcënuar askush, iu paguhen faturat e energjisë elektrike dhe fatkeqësisht këto manovra risjellin në skenë vandalizmin e tyre, si djegia e qendrave zyrtare që dëmton vetëm serbët e Kosovës. Aplikimi i reciprocitetit është jo vetëm një normë legjitime e Kosovës, por edhe një marrëveshje e arritur me kohë mes dyja Qeverive respektive. Qëndrimi i Shqipërisë mbetet i pandryshuar, qysh nga çasti i parë që është shfaqur ky konflikt. Kosova është e drejtë dhe pikë. Duhet bërë kujdes me njësinë speciale që të mos kthehet një problem mes Kosovës dhe miqve ndërkombëtar. Shqipëria e ka bindjen se zgjidhja e vetme është dialogu. Forca e ushtarakëve duhet të ia lëmë forcën e arsyes dhe dijes. I takon kryeministrit dhe Qeverisë se si ta trajtojnë stratetigjikisht këtë situatë delikate, por është një mundësi për të treguar se duhet dialog i barabartë”, theksoi Rama.
Kryeministri i Shqipërisë shtoi se kanë arritur dakordësim që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura mes dy shteteve më herët.
“Marrëdhëniet tona duhet të shkojnë në një nivel tjetër”, përfundoi ai.
Po ashtu, Rama ka deklaruar se nuk ka pasur bisedë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, lidhur me situatën e krijuar në veri të vendit, duke shtuar se është krah Kosovës.
I pyetur për çështjen e Ballkanit të Hapur, Rama ka thënë se ka pasur shumë mesazhe për shkak të situatës së krijuar që kanë thënë se ‘po tani a je i bindur se nuk bëhet Open Balkan me Serbinë’, por Rama ka thënë se tani është më i bindur edhe më shumë se duhet bërë.
Kurti: Nuk jam i informuar që do të ketë ndërhyrje të KFOR-it në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk është i informuar që sot do të ketë ndërhyrje të KFOR-it në veri, pas raportimeve në disa media.
“Ne biseduam me zyrtarin e KFOR-it për gjendjen dhe situatën në veri. Vendimet që i marrim s’janë të pastra politike. Unë si kryeminstër dhe ministri i Brendshëm nuk marrim vendime politike, por nga informatat që na vijnë nga atje, pasi KFOR-i qëndron për të kontrolluar situatën. Jemi të hapur për bisedime, kam biseduar edhe me sekretarin e NATO-s, Stoltenberg. Unë nuk jam i informuar që do të ketë ndërhyrje të KFOR-it në veri. Jemi për t’iu kthyer bisedimeve. I ftoj qytetarët për qetësi, sepse institucionet po e kryejnë punën e tyre”, u shpreh Kurti.
Rama insiston se Ballkani i Hapur është rruga e duhur për Kosovën.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nisma e Ballkanit të Hapur është proces që duhet realizuar, për faktin se sipas tij, kjo do e përshpejtojë procesin e Berlinit. Ai ka theksuar se me veprimet e fundit të serbëve në veri, është vërtetuar se Ballkani i Hapur duhet të ndodhë.
“Unë jam i bindur edhe më tepër sot që Ballkani i Hapur është i vetmi drejtim strategjik që ne të mos ngecim në të shkuarën, dhe t’i marrim vetes maksimumin, si shqiptarë dhe si rajon. Liria e lëvizjes së njerëzve, të mallrave dhe të kapitaleve. Është më e mundur që të ketë sukses edhe dialogu nga klima që krijohet nga Ballkani i Hapur. Kjo nuk është asgjë pos marrja në zotërim të procesit të Berlinit dhe përshpejtimi i tij. Duke mos pritur që të mbahet një herë në vjet. Padiskutim që Kosova e ka të nxehtë plagën dhe se historia është shumë e afërt, por forca duhet të jetë shumë e madhe për të parë më tutje. Kosova e ka fituar luftën”, ka thënë ai para mediave.
“Vëllain dhe fqinjin nuk i zgjedh. Me vëllain të lidh familja dhe gjaku, me fqinjin që lidhë pasi e ke aty”.
Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi kanë nënshkruar një nismë të quajtur “Ballkani i Hapur”, në të cilën refuzuan të ishin pjesë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja.
Rama është pyetur nga gazetarët a ka biseduar me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas bllokadave të serbëve në Veri të Kosovës.
Ai tha se për këtë çështje nuk ka asgjë për të ndërmjetësuar, pasi e drejta është në anën e Kosovës.
“Nuk kam pasur një bisedë me Presidentin Vuçiq, apo siç shpesh herë miqtë e mi kosovarë në rrjete sociale thonë ‘me vllaun tim Vuçiq’, sepse këtu nuk ka asgjë për të ndërmjetësuar, këtu jemi në kushtet kur e drejta është me Kosovën, dhe kaq. Dhe kjo është shumë e qartë, kështuqë ne jemi apsolutisht në krah të Kosovës, siç është I gjithë komuniteti ndërkombëtar, dhe siç thashë, leximi I çuarjes së Njësisë Speciale si një arsye për të bërë teatër me helikopterë e aeroplanë në Serbi, është leximi më i gabuar”.
“Parafytyrojeni për një moment, le ta parafytyrojë edhe vllau jem atje, sikur të kishte larg qoftë, ndodhur diçka, në kushtet kur po sprovohej qëndrueshmëria e Shtetit, natyrisht se i takon Kryeministrit këtu në krah, Qeverisë së Kosovës, të marrë qëndrimet e duhura që kjo të shërbejë për ta çuar përpara dialogun dhe të mos ngrijë konfliktin”, ka deklaruar Rama.
Në kuadër të kësaj vizitë një ditore në Kosovës kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka takuar edhe liderët e opozitës në vend. / KultPlus.com
Kryeminitri Edi Rama ka postuar një video nga festa e hapjes së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
“Një video me emocionet e një mbrëmjeje krejt të veçantë; Festa e Hapjes së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operas dhe Baletit”, shprehet ai.
Rama thotë se teatri është shpresë për vendin dhe artistët duhet të ndihen të respektuar në vendin ku performojnë.
“Prej shumë vitesh, TKOB priste të dilte nga një periudhë e stërgjatë degradimi si rezultat i një kohe të pambarimtë mosndërhyrjeje për mirëmbajtjen apo lërë pastaj rikonstruksionin e vet. Më në fund dita erdhi dhe me një projekt që flet vetë, s’ka nevojë për koment ia dolëm të krijojmë kushte tërësisht të reja, ndryshe, dinjitoze për të qenë në lartësinë e të gjithë atyre zërave të njohur nëpër botë, por gjithë atyre zërave të rinj që ky vend fatmirësisht i nxjerr me shumicë dhe që u ngjitën shumë shpesh në këtë skenë pa pasur mundësinë të ndihen asnjëherë të respektuar dhe në shtëpinë e tyre për shkak të kushteve”, thekson Rama.
Kryeministri u shpreh se “sot ne kemi një Teatër të ri Kombëtar Operas, Baleti, Këngëve dhe Valleve Popullore i cili ofron një skenë ku zërat magjikë të operas shqiptare, por edhe kërcimtarët, valltarët, edhe këngëtarët popullorë jo vetëm të mund të ndihen të respektuar, por të kenë përballë tyre dashamirës, njerëz të pasionuar pas prodhimit të kësaj skene që ulen dhe shijojnë art pa qenë të sulmuar nga i ftohti, lagështira, vapa, zhurmat prej kërcitjeve të të gjitha dërrasave të shtruara prej më shumë se 60 vitesh”.
“E pra, është një krenari dhe kënaqësi që pasi u kapërcye dhe ajo periudhë mallkimi e cila e pamundësoi hapjen e këtij teatri në kohë si rezultat i një tjetër agresioni mbi shëndetin e njerëzve, aktivitetin social, kulturor, ekonomik të COVID-19 të mund të ngremë perden e kësaj skene. Një skene ku kanë kënduar gjithë ata që kanë bërë historinë e këtij teatri, ku kanë luajtur në instrumente të ndryshëm në një orkestër gjithë ata që kanë bërë historinë e muzikës lirike apo muzikës koncertale apo të lehtë”, vijon Rama.
“Brenda kësaj skene nga ku dashamirësit, të apasionuarit pas gjithë aktivitetit dhe krijimtarisë së kësaj godine të mund të shijojnë duke u ndjerë pjesë e të njëjtit komunitet, komunitetit përtej kufijve, të gjithë atyre që ndjekin muzikën koncertale, operistike, të lehtë në teatrot më prestigjioze të botës, në ato teatro ku yjet e Shqipërisë shkëlqejnë fort. Nga momenti i ngritjes së perdes, ne nuk do kemi arsye t’i shohim me zili apo duke bërë vazhdimisht pyetjen kur do të vijë dita që në Shqipëri të kemi një teatër më të njëjtin dinjitet e respekt për ata që japin jetë, qofshin krijues, protagonistë, spirator”, tha Rama. / KultPlus.com
Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit do të mbahet një mbrëmje gala më 15 shtator, në kuadër të rikonstruktimit të godinës së teatrit.
Në inaugurimin e teatrit do të ngjiten në skenë të famshmit Placido Domingo dhe Ermonela Jaho. Ndërsa orkestra do të drejtohet nga dirigjenti anglez Martin Andre.
Kryeministri Edi Rama përmes një postimi bën me dije se shfaqja do të mbahet në orën 19:00, teksa thekson se mezi po pret që të ngrihet perdja e skenës.
“Mirëmëngjesi dhe me padurimin e ngritjes së perdes së skenës së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operas e Baletit, ku në mbrëmjen e 15 shtatorit do të ngjiten artistë që u rritën aty për të kapur majat e botës, por edhe artistë të huaj të atyre majave të botës, ju uroj të diel të mbarë”, shkruan Rama. / KultPlus.com
Shqipëria ka mikpritur 324 mijë vizitorë më shumë se një vit më parë vetëm gjatë muajve janar-korrik.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama i cili ka uruar një ditë të mbarë përmes një videoje ku shfaqen bukuritë kulturore dhe natyrore të Shqipërisë.
“Mirëmëngjes dhe me këto pamje mahnitëse të Shqipërisë turistike, që vetëm gjatë muajve janar-korrik ka mikpritur 324 mijë vizitorë më shumë se një vit më parë, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan kryeministri Rama në Facebook./ KultPlus.com