‘Shqipëria ime’ në Athinë, Kumbaro: Gjirokastra e UNESCO-s në qendër të këtij rrugëtimi kulturor

Ambasada e Shqipërisë në Greqi, nis këtë fundjavë ciklin e ri të aktiviteteve kulturore “Shqipëria Ime”, një iniciativë që synon të forcojë lidhjet mes komunitetit shqiptar në Greqi dhe të promovojë pasurinë tonë kulturore e historike.

Ky projekt vjen pas suksesit të aktiviteteve të mëparshme me komunitetin dhe shënon një tjetër hap për të mbajtur gjallë trashëgiminë shqiptare. Në qendër të këtij rrugëtimi kulturor do të jetë Gjirokastra, qyteti i UNESCO-s dhe një thesar i kulturës sonë kombëtare.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se “kjo nismë nis nga Gjirokastra e UNESCO-s, thesareve të mëdha të trashëgimisë e historisë së jashtëzakonshme, por tanimë edhe e turizmit të qëndrueshëm duke u kthyer në destinacion gjithëvjetor”.

“Si gjirokastrite e vjetër, do t’i bashkohem komunitetit të bashkëkombësve që jetojnë në Greqi, për të festuar së bashku kulturën, historinë e për t’iu përgjigjur një thirrjeje të fortë për këdo, kudo që jeton: thirrjes së rrënjëve”, tha Kumbaro.

Ky event është një mundësi unike për të bashkuar komunitetin dhe për të festuar trashëgiminë tonë kulturore, me aktivitete që do të na rikthejnë në rrënjët tona dhe do të forcojnë ndjenjën e përkatësisë./atsh/ KultPlus.com