Sipas një tradite shqiptare pretendohet se emri “Shqiptar” (Bij të Shqipes) e ka origjinën nga një thënie e Pirros. Kur dikush lavdonte zhdërvjelltësinë e lëvizjes së trupave të tij, ai i përgjigjet me krenari se një gjë të tillë ishte normale, pasi ushtarët e tij ishin “Bijtë e Shqipes”, kështu qenë lëvizjet e tyre. Natyrisht u shembëllënin fluturimeve të madhërishme të mbretit të shpendëve.
Pirroja ishte, ndoshta, sundimtari më i shquar i Epirit. Ai, si pasardhës i largët i Akilit, ishte biri i Akidit. Kushëriri i Aleksandrit të Molosisë që sundoi Molosët e Janinës. Fatkeqësisht Akidi u ngatërrua në grindje politike familjare e krahinore dhe, si rrjedhoje, në fillim humbi mbretërinë e pastaj edhe jetën në vitin 313 para Kr. I biri tij Pirroja, në atë kohë vetëm 6 vjeç, u shpëtua nga Glauku, Princi i fisit Ilir të Taulantëve. Në moshë të re ai hipi në fron për një kohë të shkurtër, por u rrëzua shpejt dhe filloi karrierën ushtarake me Antigonin e Maqedonisë, Komandantin veteran që kishte shërbyer me Aleksandrin e Madh. Në njërën nga betejat ai u kap rob dhe u dërgua si peng në Aleksandri. Aty fitoi admirimin e Ptolemit, i cili i dha për grua të bijën dhe në vitin 296 para Kr.e vuri përsëri në fronin e mbretërisë së tij. Pirro gëzonte nam për fisnikërinë dhe trimërinë e tij në betejë. Epirotët e quanin “Shqiponjë”.
Sipas një versioni tjetër, disi të ndryshëm, kur ushtarët e tij u thurnin lëvdata sulmeve të tija të guximshme e të shpejta ata e quanin “Shqiponjë” ai iu përgjigjej se ata ishin krahwt e tija , që benin të mundur fluturimin e shpejtë të shqiponjës . Thuhet se kjo çoi në adoptimin e këtij emri , të cilin populli shqiptar e përdor edhe sot e kësaj dite. Pra jo “ALBANE” por “Shqiptare” ose “Bij të Shqipes”. /BotaSot/ KultPlus.com
Nga një bazë ushtarake e paarritshme në një atraksion turistik, ja përse ky ishull i vogël po shndërrohet në një destinacion që nuk duhet humbur, shkruan portali italian që i kushtohet udhëtimeve dhe turizmit, “siviaggia.it”.
Për grekët dhe romakët antikë ishte “Sason”, ndërsa për shqiptarët quhet “Sazan”.
Sazani është një ishull i vogël prej rreth gjashtë kilometrash katrorë, që ndodhet përballë gjirit të Vlorës, në Kanalin e Otrantos. Një shkëmb gjigant që prej dekadash ka qenë një bazë ushtarake e paarritshme, dhe që sot po shndërrohet në një prej atraksioneve turistike kryesore të Shqipërisë.
Në fakt, ishulli është një parajsë e vogël me natyrë të egër dhe të padëmtuar, ku mund të eksplorosh shtigje jo shumë të rehatshëm por jashtëzakonisht tërheqës dhe misterioz, dëshmi e të kaluarës së tij të trazuar ushtarake. Këtu ujërat e kristalta dhe plazhet mbresëlënëse shërbejnë si kundërpeshë ndaj relikteve të Luftës së Ftohtë, një pjesë e të cilave është mbledhur nga arkeologët dhe ekspozuar në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.
E kaluara e trazuar e Sazanit shfaqet në çdo cep të këtij shkëmbi gjigant me një kulm prej gati 340 metrash mbi nivelin e detit, mes 3600 bunkereve të shpërndarë në sipërfaqen e tij dhe galerive nëntokësore të gjata disa kilometra, të ndërtuara për ushtarët e Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës.
Gjatë fashizmit, këtu u shfaqën veprat e para të fortifikimit, por edhe rrugë, shtëpi, shkolla dhe teatro. Nga pak, kudo mund të admirohen disa prej godinave të ndërtuara gjatë dominimit italian dhe më pas ato të periudhës së Luftës së Ftohtë, ndonëse një pjesë e mirë e strukturav u shkatërruan gjatë manovrave të fundit të përbashkëta mes forcave ushtarake të NATO-s dhe atyre shqiptare. Mes këtyre u shkatërrua edhe vila që Musolini ngriti në ishull në vitin 1930.
Sazani ndodhet gjysmë ore larg me traget nga Vlora, porti që pret turistët ndodhet në pjesën lindore. Nga këtu, mund të shkohet në këmbë në bregun perëndimor, ku ndodhet Gryka e Xhehenemit dhe Gjiri i Djallit, që përbëjnë një peizazh spektakolar.
Duke vazhduar në drejtim të jugut, do të shihni një prej vendeve më të jashtëzakonshme të ishullit, të mrekullueshmin Plazhi i Admiralit, mes shkëmbinjve që lagen nga ujëra transparenca e të cilëve është një dëshmi e qartë e izolimit që ka mbrojtur Sazanin, duke i mundësuar që të mos ndotet.
Nga viti 2010, ishulli bën pjesë, bashkë me gadishullin e Karaburunit, në Parkun Kombëtar Karaburun-Sazan, që mund të arrihet nëpërmjet një prej shumë anijeve që nisen nga porti i Vlorës. Këtu mund të admirohet Shpella e Mrekullueshme e Haxhi Aliut, e konsideruar si më e madhja dhe e thella në gjithë Shqipërinë. Një spektakël unik dhe emocionues si pakë në botë. /atsh / KultPlus.com
Në tre shtete në Evropë, punëdhënësit vuajnë më shumë për të gjetur fuqi punëtore me arsim të mesëm apo të lartë. Në vend të parë është Portugalia, ku 50 për qind e forcës së aftë për punë, nga mosha 15 deri në 64 vjeç, është me arsim të ulët 8-9 vjeçar në vitin 2018.
Sipas të dhënave të Eurostat, në vend të dytë renditet Malta me 47.4 për qind.
Shteti i tretë është Shqipëria. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2018, rreth 42 për qind e forcës aktive për punë ishte me arsim 8-9 vjeçar. Ndonëse kjo peshë ka rënë në raport me një dekadë më parë, jemi sërish ndër vendet me më pak të shkolluar në dispozicion në forcën aktive për punë. Me arsim të lartë është rreth 21 për qind e forcës së punës dhe me arsim të mesëm rreth 38 për qind.
Vendet me forcën e punës më të arsimuar në Evropë, sipas Eurostat janë Qipro, Irlanda, Mbretëria e Bashkuar, Finlanda, Zvicra, Norvegjia, Estonia, Suedia, Islanda, Belgjika, Lituania, me 35-40 për qind të forcës së punës që ka mbaruar universitetin, ose sa gati dyfishin e peshës së Shqipërisë.
Lituania, Çekia, Zvicra, Polonia, Sllovakia janë shtetet me nivelin më të ulët të forcës së punës me arsim të ulët, me 11.7 deri 14.4 për qind.
Nga vendet e rajonit, është karakteristikë pesha e lartë e forcës së punës me arsim të mesëm, në Malin e Zi ku ky tregues është 61.3 për qind, ndër më të lartat në Evropë, Serbia me 57.1 për qind dhe Maqedonia me 51 për qind.
Të ndara sipas gjinisë, të dhënat e INSTAT tregojnë se niveli më i lartë i të pashkolluarve është mes femrave. Gati 45 për qind e grave të moshës 15-64 vjeç që janë aktive në tregun e punës ishin me arsim fillor, përkundrejt 39.3 për qind tek burrat.
Gratë kanë edhe kontrastin më të madh. Ndonëse pjesa më e madhe janë më të pashkolluara se burrat, ato kalojnë në revansh kur bëhet fjala për arsimin e lartë. 26.3 për qind e forcës së punës te gratë është me arsim të lartë, ndërsa vetëm 20.6 për qind e meshkujve kanë mbaruar universitetin. Këta të fundit duket se mjaftohen me përfundimin e shkollës së mesme, rreth 45 për qind e meshkujve të aftë për punë, përkundrejt 29 për qind që është pesha e grave me shkollë të mesme.
Një studim i fundit tregon se femrat në Shqipëri, jo vetëm që përfundojnë studimet e larta universitare më shumë se meshkujt, por edhe zgjedhin të studiojnë shkencat. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, ku diplomohen më shumë femra se meshkuj në shkencat ekzakte. Përqindja e femrave të diplomuara në shkencë, matematikë, teknologji apo inxhinieri, ishte 53.1 për qind. /Monitor/ KultPlus.com
Për një kohë të gjatë e shkëputur nga bota, Shqipëria pret tashmë gjithmonë e më tepër turistë, veçanërisht francezë, që joshen nga vendet magjepsëse dhe çmimet e ulëta, thuhet në një dokumentar të posaçëm të televizionit më të shikuar francez, TF1, kushtuar turizmit në Shqipëri.
”Ujëra të kristalta dhe plazhe të virgjëra rrëzë maleve. Nuk jemi në Korsikë, por në Shqipëri, një parajsë e panjohur, në veri të Greqisë. Ecim buzë Adriatikut për të shkuar drejt Qeparoit. Pikërisht këtu familja De Vorge vendosi të kalonte pushimet.
Ai laget nga plazhe ende të kursyera nga turizmi masiv. Ishte pikërisht kjo që i shtyu të vinin në Shqipëri.
Është pikërisht pjesa e plazheve të paprekura, autentike, plazhe të mëdha me guralecë dhe më në fund, me pak njerëz, që na pëlqen veçanërisht. Nëse familja ka zgjedhur Shqipërinë është gjithashtu edhe për shkak të çmimeve të ulëta”, thuhet në dokumentar.
”Çdo vakt, pjata kryesore, pijet dhe ëmbëlsirat kushtojnë 50 euro për të gjashtë pjesëtarët e familjes. Më pak se nëntë euro për person. Për sa i përket hotelit, familja zgjodhi këtë hotel me katër yje, me pishinë dhe me pamje nga deti për 80 euro nata.
“Këtu, ne mund të kemi shërbime cilësore, që sigurisht nuk mund t’i kishim në vende të tjera dhe që fëmijët tanë të mund t’i shijojnë”.
Ashtu si ata, numri i francezëve që zgjedhin Shqipërinë për të kaluar pushimet është gjithmonë e më i madh. 50 000 vetëm këtë vit.
Uji me temperaturë 27 gradë Celsius dhe guralecë. Duket sikur jemi në plazhet më të bukura të Rivierës Franceze. Me ndryshimin se në Shqipëri, turistët nuk vijnë vetëm për banja dielli ose deti, por edhe për ta vizituar atë”, shtohet në të.
”Ndër rajonet e Shqipërisë, Berati është bërë një etapë e pashmangshme për francezët. Pikërisht në këtë qytet të klasifikuar në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s ky çift nga Lioni ka vendosur të kalojë mbrëmjen.
Bashkë më guidën ata njihen me qytetin e vjetër. Unë jam joshur nga ky peizazh dhe nga arkitektura. Çdo mur, çdo ndërtese flet për një histori popujsh të ndryshëm. Në hotelin e tyre ata takojnë këtë çift nga Bretanja, kanë rastin të pijnë lëng thane, një frut vendas, i shërbyer në gjuhën e Molierit.
Stafit i është dashur të mësojë bazat, sepse këtu, më tepër se një në katër turistë është francez. Ky vit është mbresëlënës. Kemi pritur më tepër se 500 turistë kundrejt vetëm 100 vitin e kaluar. Beranger Thibeault ishte francezi i parë qe krijoi agjencinë e tij të udhëtimit në Shqipëri.
Sot ai po viziton këtë hotel të ri në bregdet. Si gjithmonë ai do të inspektojë gjithçka, pishinën, banjën, dritaret përpara se t’ua ofrojë klientëve të tij. Ndërsa turizmi po zhvillohet, kur i bëjmë gjërat shumë shpejt, ndonjëherë nuk i bëjmë doemos shumë mirë.
Shqipëria mund të bëhet së shpejti Kroacia e re. Në mes të zhvillimit, vendi duhet t’i rezistojë betonizimit, për të mos iu errësuar qielli”, përfundon dokumentari i televizionit më të shikuar francez, TF1./ /i.pu/ a.jor.
Kryeqyteti i Shqipërisë është një perlë e Ballkanit, e pazbuluar nga shumica e njerëzve. Duke u nisur nga Piramida e Tiranës, sheshi “Skënderbej”, deri te xhamitë e zbukuruara dhe muzetë të ndërtuar brenda bunkerëve atomikë, ka ende shumë për të zbuluar, shkruan Sam Baker i faqes së njohur turistike britanike wanderlust.co.uk.
Nëse ndaloni në Ballkan për një aventurë në natyrë, mos e përjashtoni mundësinë për të vizituar kryeqytetin e pazakontë të Shqipërisë me kuriozitete si bunkerë dhe piramida që mund t’i eksploroni.
Ja gjërat më të mira për të bërë në Tiranë
Ngjituni me teleferik në Dajt
Bukuria natyrore e Tiranës shtrihet në malet që rrethojnë qytetin. Përfitoni nga një ditë me qiell të pastër për t’u ngjitur në malin e Dajtit. Një udhëtim 20 apo 30-minutash me autobus nga qendra e qytetit dhe gjatë ngjitjes do të ngeleni pa frymë nga pamjet e tij të jashtëzakonshme dhe lartësitë marramendëse. Ia vlen të kryesh një udhëtim që të ofron të shohësh pamjen e qytetit nga mali. Pas zbritjes nga Dajti Ekspres, ju mund të zgjidhni aventurën tuaj – mbase një lojë mini golfi, ose të vendosni të bëni një udhëtim qetësues më këmbë.
Bëni një fotografi me Piramidën e Tiranës dhe bunkerët e qytetit
Në shikim të parë, Tirana u ngjan qyteteve të tjera ish-sovjetike me ndërtesa të vjetruara që kufizojnë ndërtimet e reja dhe një mozaik gjigant, të stilit të realizmit socialist, të vendosur në qendër, në sheshin “Skënderbej”.
Duke ecur, ju mund të vëreni shtresa betoni. Këto janë bunkerë nga ditët e ish-diktatorit të Shqipërisë, Enver Hoxha, i cili i ndërtoi ato në një moment paranojë si një shprehje e politikës së izoluar pas shkëputjes së kombit nga Bashkimi Sovjetik. Po aq i çuditshëm dhe me një stil të rreptë të arkitekturës Piramida e Tiranës shërbeu për një kohë të shkurtër si Muzeu i Enver Hoxhës, pas vdekjes së tij. Duke marrë shumë qëllime që nga ajo kohë, piramida e tanishme e mbuluar me mbishkrime tërheq më shumë vëmendje pikërisht për shkak se tani nënkuptonte një armiqësi ndaj Hoxhës.
Shëtitje rreth liqenit në Parkun e Madh
Për ajër të pastër, shkoni në Parkun e Madh të liqenit në pjesën jugore të qytetit. E ndërtuar për të ofruar më shumë gjelbërim në këtë qytet urban, Parku i Madh është zonë e njohur për vendasit dhe vizitorët.
Në park gjendet një liqen artificial, i rrethuar nga kodra piktoreske. Shëtisni rrugët rreth liqenit, shikoni njerëzit që qëndrojnë në stola ose pini diçka në një kafene buzë liqenit.
Njihuni me historinë komuniste të Shqipërisë
Për të kuptuar historinë e të kaluarës komuniste të këtij kombi ballkanik dhe sesi i ka formuar shqiptarët, vizitoni një nga muzetë e Bunk’Art. Nëse jeni një adhurues i historisë, duhet t’i vizitoni të dy. Bunk’Art iu njeh me një pasqyrë më të gjerë të jetës së përditshme gjatë epokës komuniste. Ky muze ndodhet në bunkerin atomik të ish-diktatorit të Shqipërisë, Enver Hoxha, në periferi të Tiranës.
Bunk’Art 2 është lehtësisht i arritshëm në qendër të qytetit. Një eksperiencë e frikshme nëntokësore, ky bunker përqendrohet në historinë e policisë politike dhe viktimat e tyre nën regjimin komunist.
Shijojeni si një vendali kulturën e kafesë në Tiranë
Kultura e kafesë është një pjesë thelbësore e jetës në Tiranë dhe mëngjesi nuk bën përjashtim. Por, kini kujdes: shumë kafene nuk shesin asgjë për të ngrënë.
Para se të uleni në një bar, ndaloni në një furrë lokale dhe merrni një byrek, një trekëndësh prej petësh, i mbushur me djathë të freskët ose me spinaq.
Pasi të blini byrekun dhe të gjeni një kafene me verandë, mos ngurroni të porositni lëng frutash të freskëta, përveç pijes tuaj të preferuar të ekspresit. Lëngjet shpesh janë të bëra në shtëpi.
Prandaj uluni dhe shijoni rrjedhën e këndshme të udhëtarëve të mëngjesit.
Vizitoni xhaminë dhe selinë bektashiane
Prirja shqiptare ndaj tolerancës fetare është një parim i identitetit të saj kombëtar. Filloni një bisedë me një shqiptar dhe është e zakonshme të dëgjoni se babai është mysliman dhe nëna ortodokse katolike.
Sekti bektashi i Islamit është i vendosur në Tiranë. Një vizitë në xhaminë e tyre të bukur është një domosdoshmëri. Muzeu poshtë xhamisë përshkruan në detaje historinë e bektashinjve dhe besimin e tyre tolerant islamik.
Xhami më të zbukuruar ju nuk mund të gjeni në të gjithë botën.
Zbuloni traditat shqiptare (dhe alkoolin)
Në gjysmën e rrugës midis një dyqani antik dhe një bari të modës, bar-muzeu “Komiteti” ekspozon objekte kulturore të tilla si rrobat shqiptare, pajisjet bujqësore të fermës, që varen nga muret dhe tavani.
Ky është edhe vendi më i mirë për të provuar pijen alkoolike kombëtare shqiptare, e njohur si raki. Ajo shërbehet atje në një larmi shijesh.
Nga sherbela deri tek boronica, këto aroma e bëjnë shijen e rakisë të tolerueshme dhe, në disa raste, madje, edhe mjaft të shijshme.
Kënaqësia e tetë pjatave të preferuara të Shqipërisë
Darka në restorant “Mullixhiu” nuk mund të anashkalohet në Tiranë. E vendosur në afërsi të Parkut të Madh dhe liqenit artificial, ky restorant tradicional ofron një vakt me gjashtë ose tetë gjërash të ndryshme për 13-15 euro.
Një përvojë e këndshme, me varietete nga djathërat vendas dhe supa e pasur me kunguj deri te mish i kecit dhe buka e shtëpisë dhe makaronat.
Të paraqitura artistikisht, tek pjatat e “Mullixhiut” ndërthuren përbërësit tradicionalë shqiptarë me elegancën moderne. Në dyqane ju gjithashtu mund të blini disa dhurata të këndshme për t’i marrë me vete në shtëpi. / atsh / KultPlus.com
Ku të shkoni për pushime në shtator – atëherë kur
ditët e lodhura e të nxehta të stinës së verës të kenë përfunduar?
Siç edhe thonë,
shtatori është janari i ri e kjo nënkupton se është koha për fillime e aventura
të reja, transmeton Telegrafi.
Nëse veç
planifikoni që t’i bëni pushimet gjatë muajit shtator, atëherë revista e njohur
për udhëtime Conde Nast Traveler ka përpiluar një listë me
25 vendet më të mira që ia vlen t’i vizitoni.
Përderisa lista
është e gjatë dhe e mbushur me vende të ndryshme të botës, kjo revistë nuk ka
harruar ta fus në listë edhe Shqipërinë e bukur, duke e renditur atë në vendin
e 10’të.
Ndonëse nuk
është ende “Kroacia e re”, kjo gjë e bën Shqipërinë tërheqëse sepse perla e
Ballkanit ka arritur që ende të qëndroj jashtë radarit.
Në Shqipëri keni
mundësi të bëni shumë gjëra, duke filluar nga shëtitja nëpër alpet shqiptare e
deri te ikja në rivierën e Shqipërisë për t’u takuar me rërën e artë dhe ujin e
kristaltë.
Përndryshe, për Shqipërinë vazhdimisht po shkruajnë mediat e njohura botërore duke e rekomanduar si vend që vërtet ia vlen të vizitohet dhe eksplorohet. / KultPlus.com
Ideolog, poliglot e mbi të gjitha, një atdhetar i shquar i mendimit të thellë, Sejfulla Malëshova (Lame Kodra) ishte poet i patriotizmit dhe i luftës për liri. Por, më shumë, ai shkëlqente në përkthimet e shumë prej poetëve të mëdhenj.
Sejfulla Malëshova zotëronte 14 gjuhë, dy më pak se Fan Noli, teksa shkruante me shumë merak dhe kritikonte cilindo që mund të deformonte fjalët dhe ligjëratat e gjuhës së bukur shqipe…
Në periudhën time universitare në Francë, një koleg student, nga që e dinte se jam shqiptar, më tha se dispononte një revistë të vjetër franceze, e botuar para viteve 90, në të cilën flitej për Shqipërinë. Menjëherë u bëra kurioz dhe i thashë se jam i interesuar të lexoj se çfarë i tregohej asokohe lexuesit frankofon për Shqipërinë, e cila gjendej plotësisht e izoluar ndaj botës së jashtme.
Revista prestigjoze franceze « GEO Magazine », në numrin e saj të 118-të, të muajit dhjetor 1988, në kopertinën e saj shkruan : « Shqipëria, shteti më i çuditshëm i Evropës – Albanie, le plus étrange pays d’Europe ». Reporteri Eduar Bajbi (Edouard Bailby) dhe fotografi Mishel Setbun (Michel Setboun) kanë patur mundësinë të vizitojnë Shqipërinë nga veriu në jug.
Artikulli trajton tema të ndryshme të realitetit shqiptar, si kontrollet në kufi, demagogjia dhe parrullat politike enveriste, bunkerët, feja, ritmi i një jetë të qetë si refuzim ndaj agjitacioneve të kohëve moderne, pamundësia e të huajve për të dialoguar me shoqërinë civile shqiptare, përdorimi i gjuhëve të huaja, uniformizimi i shoqërisë, mënyrat e transportit, Ilirët, Skënderbeu, etj.
Në vazhdim, rrëfimi i reporterit Bajbi [1] në 1988, i cili e fillon shkrimin me titullin « Immobile Albanie – Shqipëria e palëvizshme (e shtangur) » :
Papritur, pas një kthese, autobuzi ndalet pranë një ndërtese ku valvitet flamuri jugosllav. Na duhet të zbresim valixhet tona dhe t’i hapim të shtrira përtokë. Dy doganierët na shikonin me vëmendje. Që prej tensionit mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë i rritur për arsye të provincës së Kosovës, turistët e rrallë që kalojnë kufirin shikohen me mosbesim. Zyrtarët jugosllavë paralajmërojnë grupin tonë : « Kur të ktheheni, në qoftë se kaloni këtu, ne do të ju konfiskojmë çdo shkrim të botuar në Shqipëri ». Bëhej fjalë edhe për broshurat turistike dhe librat e artit.
Nuk është e thjeshtë të arrish në malësinë e Republikës popullore socialiste të Shqipërisë, e ndodhur mes Jugosllavisë dhe Greqisë. Vendet në avion janë pothuajse të rezervuara për diplomatët, biznesmenët, dhe të ftuarëve të qeverisë së Tiranës. Një linjë e vetme ajrore siguron fluturime nga Evropa perëndimore, dy herë në javë, mes Zyrikut dhe kryeqytetit shqiptar. Përsa i përket hekurudhës së vetme që lidh Shqipërinë me botën e jashtme, të inaguruar në 1986, as që bëhej fjalë t’a përdorje : ajo shërben për transportin e mineraleve dhe mallrave. Mundësia e vetme për të udhëtuar ngelet rruga. Dy poste kufijsh, në jug, për grekët ; dy të tjera, në veri dhe lindje, për evropianët e tjerë.
Pasi kaluam kontrollin doganor jugosllav, grupi ynë, i formuar prej 12 turistësh, drejtohet për në postin kufitar shqiptar, Hani i Hotit. Secili duhet të marrë valixhet e veta dhe të ecë 100 metra në këmbë, një sipërfaqe e cila nuk i përket askujt – no man’s land. Ushtarë me pushkë – mitraloz, ngrejnë barrierën. Na fusin në një ndërtesë të vogël. Gjatë kohës që guida jonë franceze jep dokumentat e vizës kollektive, neve na kërkojnë të hapim valixhet tona. Para se të nisesha nga Franca, pata marrë një dokument të agjensisë së udhëtimëve ku shkruhej : « Materialet e shtypura jashtë Shqipërisë nuk janë të autorizuara të hyjnë në vend. Veçanërisht, prospektet (traktet) mbi Jugosllavinë dhe revistat pornografike ». Një pensionist nga Metz-i (qytet në veri-lindje të Francës) i konfiskojnë një gazetë të përjavshme sportive. Një tjetër turist detyrohet të dorëzojë disa revista mode.
Udhëtari inkurajohet të relaksohet
« Ne do të ju kthejmë të gjitha këto pas kthimit tuaj », shpjegon doganieri që na bën shenjë të kalojmë dhe të presim në një sallon. Pas një vitrine, disa vepra të Enver Hoxhës – drejtuesi i madh shqiptar vdekur në 1985 pas 40 vitesh pushteti absolut – dhe disa paketa cigaresh. Një gjysëm ore më vonë, ne hyjmë në një autobuz me ajër të kondicionuar d’Alb-turist, agjensisë zyrtare të turizmit. Fjalët e para të guidës (shoqëruesit) tonë, në frengjisht : « Mirësevini në vendin tonë. Mbi të gjitha, relaksohuni… ». Disa herë, gjatë ditëve të para, ai përsëriti : « Ju lutem, relaksohuni. »
Pothuajse para 20 vitesh, reporter për një gazetë të përjavshme franceze e botuar në masë, kisha arritur, pas disa negociatash të rëndësishme, të merrja një vizë individuale. Asokohe, pothuajse vetëm 12 gazetarë perëndimorë kishin arritur të hynin në Republikën popullore socialiste të Shqipërisë, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Dhe turistët e rrallë ishin për pjesën më të madhe militantë partishë politike. Kohët kanë ndryshuar : në qoftë se kuotat e turistëve fancezë (pothuajse 600 në vitin 1988) janë shumë pak në rritje, shoqata e Miqësisë franko-shqiptare nuk e mban më monopolin e udhëtimëve në regjimin më enigmatik socialist të Evropës.
« Shteti i shqiponjave » : ky është emri, në shqip, i këtij vendi pothuajse prej 29 000 km², ku dy të tretat janë zona malore, dhe një e treta fushë bregdetare. Gjatë rrugës buzë liqenit të Shkodrës (45 km i gjatë dhe 10 km i gjërë) është rrëmujë në hyrje dhe në dalje të fshatrave. Nuk ka automjete individuale (të ndaluara nga që përfaqësojnë « egoizmin borgjez »), por karroca të tërhequra nga demat, tufa me dele, lopë duke u shëtitur, fshatarë duke ecur apo punëtorë me biçikleta, dhe ndonjëherë disa autovetura. As traktorë nuk ka, por disa kamionë dhe Jeep-a që u përkasin organizmave zyrtarë. Këto automjete zigzagojnë përmes kafshëve dhe këmbësorëve që ecin në mes të rrugës ose anash saj.
Në fusha, gratë kosisin, presin, punojnë me bel, prashisin fermat e mëdha shtetërore sikur të punonin në një shumëllojshmëri kopshtesh (pronash) individuale. Të krijohet ndjenja e kthimit 50 viteve mbrapa, kur plugimet dhe korrjet bëheshin me dorë. « Më kujton fëmijërinë time » – shprehet një burrë i moshuar nga Burgonja (Bourgogne) i ulur afër meje. Në sytë e tij dallohej një nostalgji e papërcaktueshme…Gjatë rrugës, në hyrje të uzinave, në fasadat e ndërtesave, disa prej tyre të rrënuara, kishte parrulla : « Lavdi RPSSH (glorifikim për Republikën socialiste shqiptare) » ; « Përjetë me Enverin ». Ndonjëherë, një shkrim urdhëron qytetarët : « Merr librin, kazmën dhe pushkën tënde. » Shqipëria i përket një bote, e cila nuk është më ajo e evropianëve të fund-shekullit XX. I përket të shkuarës apo të ardhmes ? « Japonezët nuk kanë përse të vijnë tek ne. » – thotë shoqëruesi ynë. « Ata vendosin teknologjinë mbi njeriun. » Ky mendimi ka lidhje me nacionalizmin të futur në mendje nga Enver Hoxha dhe vullneti i rezistencës ndaj përparim-zhvillimit të përjetuar nga e gjithë shoqëria perëndimore…
Të ndërtuara me mijëra, bunkerët individualë i gjen në të gjithë territorin shqiptar. I shohim buzë rrugëve, përrreth uzinave, në fushat e duhanit, grurit dhe misrit, në vreshta, në plazhe, në male, ku më i larti është Korabi (2 764 m). Ndonjëherë, bunkerët janë të rreshtuar njëri pranë tjetrit, ose të shpërndarë nëpër fshatra pas asnjë lloj logjike. Rojet që ndodhen brenda, a janë në gjendje t’u rezistojnë trupave ajrore ? Këta bunkerë betoni, në formë të rrumbullakët, janë diçka e pazakontë dhe mbresëlënës. Mos vallë janë rrënojat e një të kaluare të afërt ? Pashë në oborrin e një uzine disa bunkerë të rinj gati për t’u dërguar porositësve të tyre. Që prej ndërhyrjes së trupave sovietike në Ceko-Sllovaki, para 20 vitesh, shqiptarët qëndrojnë në gatishmëri lufte. Ata nuk kanë harruar. Ata e dinë, se në çdo moment, duke mos pasur asnjë lloj mundësie aleance, as me Jugosllavët, as me Sovietikët, as me kinezët e largët, mund të jenë viktimë e një konflikti në Europë. Ata i njohin fare thjeshtë virtytet e guximit. Në shkollë, vazhdojnë të mësojnë që vendin e çliruan vetëm në fundin e Luftës së Dytë Botërore…
Shkodra, qyteti më në veri të Shqipërisë, është vendi i parë që vizitojnë turistët perëndimorë. Eshtë një zonë e banuar me shumicë katolike, që mund të përbëjë 15 % të popullsisë totale. Mos pyesni ku ndodhet katedralja, një nga më të mëdhajat në Ballkan. Do ju përgjigjen : Ju pyesni për pallatin e sportit ? Ai është i hapur për vizitorët – publikun. Një parrullë vë në dukje virtytet e marksizëm-leninizmit. E pajisur me karrige – shkallë stadiumi, aty ftohen të luajnë ekipet e basketbollit dhe volejbollit. Vendi i peshkopit pret të ftuar prestigjozë, dhe sakristi (aneksi i katedrales) është transformuar në tualet.
Ekspozita ateiste irritonte vizitorët e huaj
Gjatë udhëtimit tim të parë në Shqipëri (1971), pata vizituar në Shkodër një « ekspozitë ateiste ». Pata parë një koleksion imazhesh fetare, krahun e një shenjtorje, dhe disa fotografi priftërinjsh të akuzuar për tradhëti dhe të dënuar me vdekje si arsye bashkëpunimi me pushtuesin nazist. U bë disa vite, që kjo ekspozitë është në ri-amenaxhim. « Në fakt, më treguan disa zyrtarë, ajo irritonte vizitorët e huaj ».
Kur qeveria e Enver Hoxhës mori iniciativën të zhdukë kultin e Zotit në 1967, ajo mbylli 156 kisha katolike, 608 kisha ortodokse dhe 740 xhami. Pati disa rezistentë më këmbëngulës nga ana e katolikëve dhe myslimanëve. Për disa muaj, vendet e kultit (fesë) u transformuan në salla teatri, kafene, shtëpi kulture, ose u braktisën. Deri më sot, çdo praktikë fetare është e ndëshkuar me dënim me burg. Biblën nuk e gjen askund, përveç se në Bibliotekën kombëtare. Megjithatë, autoritetet vazhdojnë restaurimin e monumenteve më prestigjoze : në Berat, qytet historik, disa punëtorë rinovojnë kishën ortodokse të Fjetjes së Hyjlindëses, e ndodhur brenda kështjellës. Ikonat e piktorit Onufri, ku ngjyra e kuqe e tyre është legjendare, ekspozohen aty. Në hyrje, disa rreshta të Enver Hoxhës kujtojnë që « këta vepra i përkasin trashëgimisë kombëtare shqiptare », pavarësisht arsyeve të frymëzimit të tyre…Në Korçë, në juglindje të vendit, ku liceu francez kishte dikur mësues Enver Hoxhën, 6 000 ikona destinuar artit mesjetar janë duke u restauruar.
Xhamia e pushtuar nga dy dyqane
Shqipëria mundohet të rikonstituojë të shkuarën e saj. Katolikë, myslimanë, ortodoksë dhe hebrenj kanë bashkëjetuar, mirë dhe keq, gjatë kohërave të ndryshme. Më shumë se pesë shekuj pushtim turk i kanë siguruar fesë islame një vend të rëndësishëm. Sa ishin që lexonin Kuranin çdo ditë para regjimit aktual ? Mes 50 e 70 % e popullsisë. Xhamia kryesore e Tiranës, në sheshin qëndror, është e mbyllur ; ajo e Beratit, pranë hotelit të madh, është pushtuar nga dy dyqane.
Përgjegjësit (drejtuesit) shqiptarë janë shumë të mbyllur për praktikat e tyre fetare familjare. Sidoqoftë, moda e sotme është t’u vësh fëmijëve emra ilirë, edhe në familjet tradicionale myslimane. Për cilën arsye ? Para ardhjes së grekëve, në shekullin e VII para erës sonë, Iliria ishte një perandori e madhe ku kufijtë e saj shtriheshin deri në brigjet e Danubit. Shqipëria, në kufijtë e sotëm të saj, ishte zemra e kësaj perandorie. Flitej që atëherë një gjuhë indo-evropiane. Tre shekuj më vonë, kur romakët filluan të zgjeronin territoret e tyre, duke krijuar rrugën kryesore të komunikimit mes Romës dhe Bizantit, via Egnatia, tre perandorë me origjinë iliriane – Aurel-i, Diokleciani, dhe Konstandini – drejtuan vendin që shtrihej atëherë deri në mesdheun lindor.
Sot, në gjuhën shqipe, kanë mbetur vetëm 8 % e fjalëve me origjinë latine, por shqiptarët konfirmojnë që kjo periudhë e historisë u ka trashëguar atyre me shumë elementë se pushtimi osman. Zyrtarët shqiptarë, gjatë bisedave me vizitorët, nuk reshtin të përsërisin këtë fakt, ndoshta për të dëshmuar vullnetin e tyre për t’u integruar në Evropë. Në të gjithë Shqipërinë, janë rrënojat (gërmadhat) greko – iliriane që turistët ftohen të vizitojnë. Më të shquarat, janë ato të Butrintit, të cilat gjenden disa kilometra afër kufirit grek. Qyteza, e ndërtuar gjatë shekullit të VI-të para erës sonë, ngrihet buzë një lagune. Eshtë për tu admiruar tempulli i Asklepit, teatri, dhe fortesa turke…Më lart, në rrethanat e Fierit, rrënojat e Apollonisë, themeluar në fillim të shekullit të VI-të para erës sonë nga kolonët grekë, u krijojnë mundësinë vizitorëve të shohin një stom të mrekullueshëm, një teatër dhe një kullë mbështetëse, tempullin e Apollonit dhe disa shtëpi të dekoruare në mozaik…
Eshtë ora një e natës. Në Tiranë, në dhomën e hotelit, ndërtesë 15 katëshe e ndërtuar në vitet 80 dhe « grataçela » e vetme e kryeqytetit, dalloj një burrë që fshin sheshin qendror (Sheshin Skënderbe), me metodë, pa u ndalur. Ndonjëherë, një kalimtar i vonë kalon xhaden me hapa të ngadaltë. Asnjë veturë, asnjë zhurmë. Pastruesi fshin edhe një herë gjurmat e këpucëve. Po ashtu, në brigjet e detit Adriatik, në Durrës, kam patur gjithashtu ndjenjën e përjetimit të një filmi të viteve 30. Në mbrëmje, kur dielli fillon të zhduket në horizont, qindra shëtitës ecin mbi rërë me një ritëm të qetë. Në qytete, në fshatra, nuk kam parë njeri të ngutë hapat. Bota duket sikur rrotullohet me ngadalësi. « Relaksohuni », përsëriste guida jonë. Në fakt, ne kishim ndjenjën sikur të ishim katapultuar në orbitën e një kohe të harruar. Në vitin 1971, në zemër të Tiranës, dëgjoja vetëm zhurmën e gjinkallave. S’kishte semaforë, disa Jeep-a zyrtarësh, dhe busti i Stalinit përballë atij të Leninit në bulevardin e Heronjve.
Që nga ajo kohë, sheshi qëndror i Tiranës është zbukuruar me një shatrivan të ndriçuar dhe disa ndërtesa moderne. Dhe dy semaforë janë instaluar në kryeqytet. Muzetë, të amenaxhuar shumë mirë, tregojnë historinë kombëtare…Në lulishtet e shumta publike, stolat presin qetësisht familjet dhe të dashuruarit. Kudo është e njëjta qetësi, sikur Shqipëria refuzon agjitacionin e kohëve moderne. Në një kodër mbi Tiranë, dy ushtarë ruajnë gjatë gjithë kohës varrin e Enver Hoxhës. Asgjë madhështore, përveç bukurisë së peisazhit…
Gjatë gjithë qëndrimit tim në Shqipëri, u mundova me të gjitha mënyrat të flas me qytetarët në lulishtet publike apo kafenetë e Tiranës, Durrësit, Beratit, Krujës, Sarandës apo Gjirokastrës (qyteti i lindjes së shkrimtarit Ismaïl Kadaré, i bërë i famshëm për librin e tij « Gjenerali i ushtrisë së vdekur »). Nuk arrita, ishte e pamundur.
Të rinjtë duan të mësojnë italishten
Shqiptarët komunikojnë shumë pak dhe me vështirësi me të huajt. Frika, indiferenca apo mosnjohja e gjuhëve ? Viktima të pushtimit italian gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, brezi i vjetër flet akoma italishten. Por edhe të rinjtë po fillojnë të studiojnë këtë gjuhë. A mos vallë është radioja italiane, të cilën e kapin lehtë në radiot e tyre, që i tërheq drejt botës së jashtme ? Gjithsesi, gjuha frënge është një gjuhë e privilegjuar, sidomos tek klasa drejtuese, dhe anglishtja po fillon të zë një vend sa më shumë të rëndësishëm në arsim…
Ka pasur 12 000 turista gjatë këtij viti në Shqipëri. Të gjithë kanë ardhur me grupe, nga 12 apo 15 persona minimumi. Asnjeri nuk lejohet të lëvizë lirshëm dhe vetëm…Guidat e Alb-turist preferojnë të flasin për shoqërinë shqiptare, origjinën dhe gjeografinë e saj, influencën bujqësore, minierat apo luftërat heroike për pavarësinë, në vend se të angazhohen në çështje që e kanë të vështirë t’u përgjigjen.
Cmimet nuk janë rritur që prej 1944
Disa fakte mjaftojnë për të treguar që Republika popullore socialiste e Shqipërisë është e veçantë në llojin e saj. Kështu, çmimet nuk janë rritur që prej 1944 ! Madje, kohët e fundit, çmimi i një kilogrami sheqer ka kaluar nga 10 në 8 lek. Përsa i përket rrogave, egzistojnë dy lloje : minimumi 500 lek në muaj, dhe maksimumi 1 000 lek. S’ka lluks, s’ka të privilegjuar dhe as nomenklaturë si në Bashkimin Sovjetik.Toka (prona) i përket shtetit, dhe pothuajse të gjitha banesat. Pajisjet shtëpiake kushtojnë shtrenjt dhe janë të ralla : 3 000 lek për një lavatriçe, 4 500 për një televizor. Ndërsa biçikletat, i vetmi mjet udhëtimi individual i pranuar zyrtarisht, kushtojnë rreth 750 lek secila. Nuk ka shumë kohë që edhe disa motoçikleta të huaja janë në treg. « Nuk është një shkelje e regjimit marksist-leninist sipas të cilit prona private duhet dëbuar nga shoqëria ? » Para kësaj pyetje, bashkëbiseduesi im është i paqartë : « Blerësit janë diplomatë ose inxhinierë që kanë punuar jashtë shtetit. Kanë bëre disa kursime para se të ktheheshin ».
Eshtë e vështirë të dallosh në rrugë një punëtor nga një funksionar, një katundar nga një ministër, një fshatar nga një qytetar, madje edhe një ushtar nga një oficer. Tek të gjithë thjeshtësia është rigorozitet…
Biçikletat, mbretëreshat e vogla të Shqipërisë
Biçikletat ishin ende të rralla para 20 viteve, madje edhe në Tiranë. Ato importoheshin nga Kina popullore, shtet me të cilin Shqipëria kishte asokohe marrdhënie të mira. Sot, shohim mijëra të tilla që përbëjnë mjetin kryesor për të lëvizur. Atobuzat nuk janë të shumtë…Përsa i përket rrjetit hekurudhor, para vitit 1945 nuk egzistonte. Linja prej 37 km që lidh Tiranën me portin e Durrësit është e mbingarkuar gjatë stinës verore.
Durrësi ka një plazh me rërë të hollë, gjashtë hotele, ndër të cilët Hotel Adriatikun, i ndodhur buzë detit dhe i hapur për të huajt. Dushet funksionojnë vetëm dy a tri herë në ditë, gjatë një gjysëm ore dhe gatimet nuk janë më të mirat e vendit. Kamarierët shërbejnë birrë dhe ujë mineral, ndonjëherë edhe raki, pija tradicionale. Në katin e parë të hotelit ka një dyqan të thjeshtë që ofron prodhime artizanale, si për shembull disa qilima me ngjyrë të kuqe, qeramikë dhe cigare.
Në Berat, ku gjendet plantacioni më i madh i fiqve në të gjithë Europën, turistët kërkojnë me entuziazëm kavanozët me reçel që shiten me një çmim të vogël. Kudo gjenden cigare dhe verë e kuqe, dy prodhime kombëtarë me një cilësi të mirë. Në përgjithësi, dyqanet nuk furnizohen dhe aq sa nevojitet. Shqiptarët thonë : « Ne jetojmë thjeshtësisht – por, shtojnë – Tek ne, asnjeri nuk jeton mjerisht. Ne kemi të hamë dhe të vishemi ». Nuk pashë asnjë lodër fëmijësh, qoftë plastike apo druri. Në shëtitoren e Sarandës, bregut detit, djem dhe vajza lozin me disa rrathë të vegjël të fabrikuar në mënyrë artizanale. : një tel hekuri në forme rrote et dhe një tjetër që shërben si shkop. Ecën (rrotullohet), dhe nuk bën zhurmë…
Ruajtja e kulturës dhe rezistenca ndaj pushtuesit
Të nënshtruar gjatë shekujve ndaj pushtimeve të njëpasnjëshme të grekëve, romakëve, sllavëve, osmanëve, italianëve dhe gjermanëve, shqiptarët janë strehuar në zonat e tyre malore për të ruajtur kulturën e tyre dhe për t’i rezistuar pushtuesit. Heroi më i madh kombëtar mbetet Gjergj Kastrioti Skënderbeu. I lindur në fillim të shekullit të XV-të në një fshat të pushtuar nga ushtria osmane, ai u dërgua në Stamboll ku realizoj studimet. Më vonë, si pjesë e ushtrisë turke në Nish, në vitin 1443 dezertoj turqit për t’u larguar drejt Shqipërisë me një batalion prej 300 ushtarësh me origjinë shqiptare dhe orgazinoj sa më shpejt rezistencën. Pasi mori Krujën, një vend i mrekullueshëm në veri të Tiranës, ai mblodhi rreth tij me mijëra luftëtarë dhe formoj një ushtri e cila i shkaktoj gjatë 25 viteve disfatë pas disfate Osmanëve, duke i mundësuar Shqipërisë, për herën e parë në histori, të jetë totalisht e pavarur. Një muze i mrekullueshëm në kështjellën e Krujës kujton jetën e tij…Skënderbeu vdiq i pamposhtur në 1468. Pas vdekjes, pasardhësit e tij humbën lirinë ndaj turqve. Shqiptarëve pritën deri me 28 nëntor 1912 që të valvitet përsëri flamuri i tyre kombëtar…
Shqipëria nuk është ende anëtare e Bashkimit Europian dhe jo të gjitha thesaret e saj janë zbuluar. Por, vizitorët e huaj në Shqipëri po rriten nga viti në vit, shkruajnë Sascha Aumüller dhe Beate Schümann për gazetën e njohur gjermane ”Der Standard”:
Elbasani – Një qytet si aset kulturor
Mikpritja, në kuptimin e saj të plotë, gjendet në mes të Shqipërisë, në Elbasan. Ky është qyteti i njohur në buzë të Shkumbinit.
“Një çështje nderi”, shpjegojnë Ermioni dhe Dashamir Qorri.
Shtëpia e tyre ndodhet brenda mureve historike të kështjellës, është e restauruar shumë këndshëm dhe kopshti gjallëron nga lulet. E veshur lehtë, 65-vjeçarja Ermioni na shërben kafe turke dhe raki të fortë në kopsht. Fqinjët e saj kanë emigruar, përfshirë dy nga fëmijët e saj.
Por, familja Qorri qëndroi.
“Nuk është gjithmonë e thjeshtë”, thotë 74-vjeçari Dashamir, i cili na shpjegon se përse ky çift fton turistë për të plotësuar pensionin e tyre.
“Jemi një shtëpi e lumtur sepse rrethohemi nga dy shtëpi të shenjta”, thekson Ermioni.
Njëra prej tyre është kisha ortodokse e shën Mërisë, ndërsa tjetra kisha katolike e Krishtit, të cilat arritën t’i shpëtonin epokës së shkatërrimit nga Enver Hoxhë.
Rrënojat e Elbasanit të vjetër janë pëshpërima të së kaluarën nën sundimin e grekëve, romakëve, bizantit dhe otomanëve.
Porta në jug të kalasë hap unazën prej muri drejt së tashmes. Përgjatë bulevardit ”Qemal Stafa”, të mbushur me palma dhe me blloqe pallatesh të epokës së komunizmit, elbasanllinjtë e nxirë nga dielli shëtisin me smartfonë. Gra të mbuluara me shami janë të rralla. Pjesa më e madhe e shqiptarëve vishen si perëndimorët. Megjithatë, zëri i muezinit duhet të dëgjohet sërish. Elbasani do të ketë një xhami të re të financuar nga turqit. Xhamia Mbret, më e vjetra në vend, po restaurohet.
Në periferi të qytetit, një herë e një kohë i famshmi Kombinati Metalurgjik ”Çeliku i Partisë”, e kishte shndërruar Elbasanin në qendrën më të madhe industriale të Shqipërisë. Ndërsa tani, ai është një rrënojë gjigante industriale.
Rreth nëntë kilometra në juglindje të Elbasanit, Pal Qosja është i lumtur sot me lirinë e besimit. Në fshatin Shelcan një prift po kërkon prej 26 vitesh një ikonë të shekullit XIV. Në kishën ortodokse të shën Nikollës, një bazilikë modeste, ai drejton sytë te një pikturë me ngjyra të gjalla, që i atribuohet piktorit më të madh shqiptar të afreskeve, Onufrit nga Berati.
“Falë Zotit, ato ekzistojnë ende”, thotë ai.
Ato i mbijetuan diktaturës si monumente kulture.
Gjiri i Gjipesë, një plazh si “Plazhi” i Di Kaprios
Pas një jave në Rivierën Shqiptare, ne kemi mundur të kuptojmë sjelljen dhe gjestet tipike të vendasve: natyrisht, në një kryqëzim në Shqipëri nuk është gjithmonë e nevojshme t’i bindesh sinjalistikës rrugore, por t’i biesh borisë së makinës. Rrugët janë të dukshme në këtë vend, pasi shpesh janë shumë të gjera. Veçanërisht ato që të çojnë askund.
I tillë është një rrip asfalti mes fshatit Ilias dhe Vunoit, një financim i Bankës Botërore i vitit 2009, ku teorikisht mund të ulet edhe një avion ”Airbus”, por ndërkohë është pa ndriçim. Një udhërrëfyese na pret aty dhe na kërkon ta parkojmë makinën në pemët e ullirit, që të kursejmë hapësirën. Edhe ajo i druhej një fluksi të madh pushuesish atë ditë në plazhin e Gjipesë, por frika e saj doli të ishte e kotë.
Vetëm disa këmbësorë dhe dy makina “Jeep Defender” kabriolet me targa të qytetit bavarez të Tegernsit kaluan nëpër atë shteg mushkash nga parkingu i improvizuar deri në bregun e mrekullueshëm jonian. Në gjirin me ujëra të kaltra kristal mirëpritemi nga zhurma shurdhuese e një gjeneratori me naftë, që shërben vetëm për të furnizuar ekspresin e vjetër të kafesë të markës “Cimbali”, si dhe ne që kishim marrë dy kafe në lokalin e plazhit.
Përshtypja e parë e qetësisë relative këtë mëngjesi korriku nuk duhej të na kishte mashtruar: Me varka, këtejpari po vijnë nga Himara edhe një numër i vogël pushuesish të tjerë. Ata zënë thuajse gjysmën e shezlonëve, ndërkohë që shkrepin foto selfie para hyrjeve të shpellave përgjatë shkëmbinjve. Por, vonë rreth pasdites na duhet që kampin e ngritur nën hije në dalje të Gjirit të Gjipesë ta ndajmë me disa dhjetëra aventurierë, ndërsa në muzg skarat mbushen me peshk.
Në Gjirin e Gjipesë koha duket sikur ka mbetur në vend. Pavarësisht rrugës së gjerë të ndërtuar në vitin 2009, plazhi ngjan ende me “Plazhin” në filmin e Leo Di Kaprios. Por filmi tashmë i ka mbushur 19 vjet, kurse Shqipëria ka pesë vjet që ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë: Një vargmal pa alpinistë
“Shtresat e fundit të borës shkrijnë nga majat e vargmalit të Shebenikut kur çelin lulet e verës”, u thotë Laurenc Tupi alpinistëve të grmbulluar pas fshatit Fushë-Studën, ku lëndinat alpine shtrihen si tapetë të kuq dhe 31-vjeçari e njeh lulen e gushëkuqit blu vetëm sipas emërtiimit vendas.
Si shumë të tjerë në Luginën e Shkumbinit, shqiptarët dyshojnë nëse turizmi do të sjellë vërtet ato që shpresojnë. Në zemër, ai është i lumtur që Parku Kombëtar, i shpallur i tillë në vitin 2008, është aq i panjohur bashkë me pyjet e tij të ahut të mbrojtura nga UNESCO, luginat, 14 liqenet malorë dhe larminë e jashtëzakonshme të specieve, siç janë lule vjollca, apo rrëqebulli i rrezikuar i Ballkanit.
Atij nuk i pëlqejnë njerëzit që përdorin fuoristrada të zhurmshme, që trazojnë qetësinë e pyjeve dhe lënë pas mbeturina nga ekskursionet e tyre në male. Ai ende ëndërron për kohën kur në luginë jetonin së paku 3000 banorë, ndërsa në fshatin e tij kishte një thertore dhe një furrë buke. Xhamia ka mbetur, ndërsa banorët kanë migruar dhe në fshat kanë mbetur vetëm 30 familje. Madje edhe investimet në hotele nuk sjellin shpresë, për shkak të mungesës së përvojës në shërbime, stafit shumë të kufizuar dhe numrit shumë të vogël të turistëve.
”Kjo do të ndryshojë”, shprehet Juli Balla.
“Pa iniciativë, asgjë s’mund të arrihet”, shprehet kreu i shërbimit pyjor për mbrojtjen e parkut më të madh natyror në Shqipëri. Për të, e ardhmja mbështetet vetëm te zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm. Ndryshe nga Alpet shumë të vizituara shqiptare në veri të vendit, vargmali Shebenik-Jabllanicë nuk ka qenë kurrë në vëmendjen e turistëve. Kjo është gjë e mirë, thotë 33-vjeçari. Ai nuk pret asgjë nga qeveria shqiptare. Grantet e akorduara për rrugën gjysmë të përfunduar mes Librazhdit dhe Fushë-Studnës përfundojnë nuk dihet se ku.
Ndërkohë, fshati ka një qendër vizitorësh me qendër informacioni dhe ambiente akomodimi. Restoranti “Bej Fatis” shërben vaktin e mëngjesit dhe ushqime të ngrohta. Në tre vitet e fundit, rojtarët e pyjeve kanë shenjuar 13 shtigje turistike. Më e shkurtra zgjat 30 minuta, ndërsa më e gjata plot katër orë. Nëse do të ishte në dorë të Laurens Tupit, ai do të lejonte në Parkin Kombëtar Shebenik-Jabllanicë vetëm turistët që e duan dhe kujdesen për natyrën. ATSH/ KultPlus.com
Vendet e Ballkanit, edhe pse kanë nivele të larta emigracioni, nuk janë treguar të gatshme të pranojnë emigrantë të huaj në qytetet ku jetojnë, përveç Shqipërisë.
Një anketë e zhvilluar vitin e kaluar nga Barometri i
Ballkanit njëkohësisht në Shqipëri, Bosnjë, Maqedoni, Serbi, Malin e Zi dhe
Kosovë tregoi se shqiptarët kishin gatishmërinë më të lartë për të pritur
emigrantë të huaj.
Pyetjes nëse prania e emigrantëve të huaj është e mirëpritur
në qytetin tuaj iu përgjigjën pozitivisht 43% e shqiptarëve.
Pas Shqipërisë, emigrantët ishin më të mirëpritur në Kosovë,
ku 28% e popullatës e kanë vlerësuar pozitivisht praninë e emigrantëve.
Në Shqipëri, popullsia që mirëpret emigrantët është 4 herë
më e lartë se e vendeve fqinjë.
Më pak miqësorë për pritjen e emigrantëve të huaj
shihen të jenë Bosnja dhe Maqedonia, ku vetëm 10% e popullsisë i mirëpret
emigrantët.
Sipas “Our World in Data” janë rreth 57,616 mijë të huaj që
jetojnë në Shqipëri, ku prej tyre 13 mijë janë të pajisur me leje pune.
Prej vitit 2010, numri i të huajve në Shqipëri është rritur.
Në vitin 2010, sipas të dhënave të Bankës Botërore kishte rreth 52,784 mijë të
huaj, ndërsa në 2015-n (viti i fundit me të dhëna të përditësuara) numri i të
huajve është rritur me 10%.
Në rajon, Shqipëria renditet ndër vendet me numër të ulët
emigrantësh. Numrin më të madh e ka Serbia, me rreth 807 mijë të huaj që
jetojnë atje. Në Maqedoni janë rreth 130 mijë dhe në Malin e Zi rreth 82 mijë
të huaj. Bosnjë-Hercegovina ka numrin më të ulët të huajve në rajon, ku sipas
Bankës Botërore në 2015-n ishin rreth 32 mijë.
Marka “Anjunadeep” e grupit “Above & Beyond” organizoi një festival prej gjashtë ditësh dhe pesë netësh të quajtur “Explorations” në Dhërmi, Shqipëri për të përzier kulturën e festivaleve muzikore me luksin e jetës bregdetare, shkruan revista prestigjioze amerikane “Forbes” në një artikull që i kushtohet një prej festivaleve ndërkombëtare më të njohur të zhvilluar në Shqipëri.
“Festat tona kanë marrë shumë famë vitet e fundit, me evente ku janë shitur të gjitha biletat në të gjithë botën”, thotë menaxheri i “Anjunadee”, Dom Donnelly.
“Ne besojmë se tingujt tanë shijohen më mirë jashtë nën rrezet e diellit, pra ne jemi larguar nga klubet e natës dhe jemi afruar me festat ditën. Pra një festë që zgjat gjithë fundjavën në plazh duket si një evoluim i natyrshëm”, thekson ai.
Sipas James Grant, menaxheri i grupit “Above & Beyond” që prej vitit 2001 dhe bashkëthemelues i markës “Anjunadeep”, “Explorations” janë festivalet e para që zgjasin gjithë ditën për “Anjunadeep” dhe ato u zhvilluan nga data 20-25 qershor në Dhërmi.
Eventi solli 45 artistë, duke u kthyer në spektaklin më të madh të organizuar nga grupi për mbledhjen në një vend të vetëm të talenteve si “Lane 8”, “Dusky” dhe “Yotto”.
Festivali kishte katër skena, ku skenat kryesore në mbrëmje ishin “Empire” dhe “Splendor” ndërsa skenat e gjatë ditës ishin “The Cove” dhe “Yacht Club”. Kishte edhe një vend të pestë të quajtur Gjipe për pjesëmarrësit që të shijonin muzikën.
Donnelly thotë se “Riviera Shqiptare është vërtetë një prej sekreteve të fundit të mbetura në Mesdhe”.
Ai tha se “turistë ndërkombëtarë kanë udhëtuar deri në këtë vend të vogël të mbushur plot plazhe magjepsëse që janë të gjitha të mrekullueshme për t’i kthyer në pista intime vallëzimi”.
“Ne shpresojmë të ndërtojmë një marrëdhënie të fuqishme me komunitetin lokal në vitet në vijim dhe po punojmë në një numër iniciativash në këtë drejtim, përfshirë punën me artizanë dhe tregtarë të zonës, duke kërkuar DJ shqiptarë të talentuar për të performuar dhe për të mbledhur fonde për fëmijët e fshatit SOS. Një bamirësi për t’u kujdesur për fëmijët në nevojë”, shtoi Donnelly.
Pjesëmarrësit e këtij festivali mundën të marrin pjesë në shumë aktivitete si meditime, seanca për fleksibilitet, joga dhe “gong baths” (qetësim nëpërmjet tingujve të një daulleje të madhe).
“Ajo që i bën Explorations unike janë qasja jonë gjithëpërfshirëse ndaj eventit dhe komuniteti i jashtëzakonshëm i fansave të Anjunadeep”, thekson Donnelly . /G.S/ KultPlus.com
Pjesë të turizmit që shqiptarët i anashkalojnë, të huajt kanë gjithmonë e më shumë interes dhe e shijojnë më së shumti gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha gjatë një interviste televizive se janë të huajt ata të cilët na mësojnë akoma edhe më shumë Shqipërinë tonë. Sipas saj, ata janë të parët që kanë vizituar Thethin apo Valbonën si dhe shprehin interes të lartë për turizmin natyror e sportiv.
“Janë të huajt ata të cilët na mësojnë akoma edhe më shumë Shqipërinë tonë. Po të takosh të huajt, ata janë të parët që kanë qenë ne Theth, në Valbonë, Zogaj, Shirokë, e vende të tjera. Ka shumë të huaj që shkojnë në Nivicë dhe vizitojnë kanionet e Nivicës. Ka pjesë të turizmit që ne Shqiptarët disi i kemi anashkaluar apo mënjanuar që kanë të bëjnë më turizmin sportiv, më turizmin natyror të cilët të huaj e shijojnë gjithmonë e më shumë. Ata patjetër që janë larguar bregdetit, ata e shijojnë për dy apo tre ditë dhe më pas vazhdojnë drejt pjesëve më të brendshme të Shqipërisë. Edhe pjesa e Rilindjes Urbane ka bërë të mundur që të shtohen edhe disa funksione të tjera”, -theksoi Margariti.
Ministrja tha po ashtu se është thelluar bashkëpunimi me bashkitë dhe kjo vihet re në organizimin e festave lokale tanimë jo vetëm në qytete por edhe fshatra.
“Ka ndryshuar sidomos kam vënë re bashkëpunim me bashkitë për festat lokale. E lidh ketë edhe me atë qe u tha më parë, me pjesën e folklorit, e traditës, është një nismë që vazhdon edhe tani. Në këtë sezon turistik kemi bashkëpunim shumë të mira me bashkitë. Ne kemi një Task forcë të ngritur, një grup punë në ministri, një kalendar aktivitetesh. Me ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit ka gjithashtu një bashkëpunim shumë të mirë për të gjithë këtë kalendar. E rishikoj me interes atë që thashë edhe në fillim. Pra, është një zinxhir nismash dhe nuk ngelemi më vetëm në qytetet por vazhdojmë edhe me aktivitete të tilla i kryejmë në kala ose vende të tjera në zonat rurale”, -shpjegoi ajo.
Më tej, Margariti tha se është rritur numri i turistëve që promovojnë traditat shqiptare.
“Jo më larg se dje isha në Krujë dhe aty takuam një grup që ishin turistë dhe artistë bashkë, holandezë të cilët bashkë me një grup folkloristik po ndërmerrnin një nismë që kishte të bënte me promovimin e kësaj pjese të folklorit tonë në Holandë. Të gjitha këto janë të mbështetura nga ne, nga fakti që i lejojmë të bëjnë xhirimet e tyre”, -tha Margariti. Ajo nënvizoi se interes të lartë për Shqipërinë kanë shfaqur edhe gazetarë të huaj në gazeta e revista prestigjioze.
“Kemi shumë interes nga gazetarë të huaj, të cilët gjithnjë e më shumë kanë interes më të madh për sitet arkeologjike, i bëjmë të vizitueshme dhe të frekuentueshme gjatë periudhave të caktuara sidomos për grupet e gazetarëve të mëdhenj. Kemi në dorë monumente shumë të rëndësishme që në këtë moment është në dorën tonë dhe është e rëndësishme që të fillojmë ti promovojmë dhe t’i promovojmë mirë. Ne i kemi, duhet t’i dokumentojmë dhe të dimë t’i tregojmë bukur. z.tosku/ /atsh / KultPlus.com
Shqipëria turistike e cila ofron një itinerar gjithëvjetor dhe ka një natyrë të mrekullueshme në katër stinë, vijon të mbetet destinacioni i preferuar i turistëve nga Europa.
Për turistët Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë vijon të jetë një nga destinacionet më të preferuara. Në këto ditë ku ka nisur dhe sezoni turistik rrugët e kryeqytetit janë të mbushura me turistë të huaj.
Gjatë një vëzhgimi nga Agjencia Telegrafike Shqiptare grupet e turistëve i gjen kryesisht përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tek “Piramida”, por edhe në muzeumet e Tiranës, të cilat mbeten një nga pikat e preferuara të tyre, pasi turistët nga Europa kanë interes të mësojnë shumë për kulturën dhe traditën shqiptare.
Turistët e huaj përveç Tiranës, kanë vizituar edhe qytetin muze të Beratit, Gjirokastrën, Sarande Durrësin, Shkodrën, Tropojën, etj.
Ata shprehen të mrekulluar nga bukuria natyrore, historia, kultura dhe mikpritja e shqiptarëve.
Turistët e huaj që gjenden në Tiranën gjatë këtyre ditëve, janë nga vende si Holanda, Gjermania, Franca dhe Anglia gjë kjo e cila vërteton se tashmë Shqipëria është një pikë kyçe e itinerareve turistike për këta turistë.
Një turiste nga Holanda shprehet se, “kjo është vizita jonë e parë në Shqipëri. Është vend i mahnitshëm. Na pëlqen vërtet ky vend. Për ne është magjepse që ju keni një përzierje ndikimi otoman, italian, por dhe komunist gjë që përbën një përzierje interesante”.
Turistja holandeze vijon se “njerëzit janë shumë miqësorë, ishte një eksperiencë e mrekullueshme. Ne qëndruam këtu për tre javë duke i rënë përreth Shqipërisë. Filluam në Tiranë, shkuam në jug, në Butrint. Pamë Beratin, Gjirokastrën dhe Vlorën. Më pas vijuam udhëtimin tonë në veri, në Theth, pamë liqenin e Komanit dhe ishte shumë i bukur. Mikpritja na bëri përshtypje, e ndjemë se njerëzit e bëjnë me dashuri, dhe kjo të bën përshtypje. Do rikthehemi përsëri, pasi duam të shohim shumë gjëra në Veri. Nuk patëm kohë të mjaftueshme për të bërë ecje të gjata në Veri. Duam vërtet të vijmë përsëri”.
Një i ri nga nga Gjermania shprehet se, “kjo është hera e parë që vij në Shqipëri. Arkitektura në Tiranë është vërtetë e mahnitshme, të lë pa frymë. Mendoj se këtu është vërtet këndshëm. Në Tiranë do qëndrojmë dy ditë dhe në të gjithë Shqipërinë tri javë. Do shkojmë në Alpet e Shqipërisë dhe Rivierën në Jug. Njerëzit këtu janë shumë miqësorë dhe mikpritës. Janë njerëz të mirë”.
“Në Tiranë do të qëndrojmë vetëm dy ditë. Këtu është shumë bukur. Ka shumë pemë dhe gjelbërim. Njerëzit janë shumë të mirë. Ushqimin ende nuk e kam provuar, por mëngjesi ishte shumë i mirë”, – shprehet një tjetër turiste nga Gjermania.
Një çift turistësh gjermanë u shprehën se, “kjo është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Do udhëtojmë rreth gjithë Shqipërisë nga veriu, në lindje dhe jugu në perëndim. Këtu çdo gjë është e bukur. Veriu është shumë i mirë për të bërë ecje. Jugu është interesant për kulturë si Butrinti dhe lindja për liqenin e Ohrit. Në Tiranë gjithçka është shumë ndryshe. Njerëzit janë shumë miqësorë dhe të sjellshëm. Ia kaluam shumë mirë këtu. Çdo gjë është e mirë në Shqipëri”.
Një tjetër turist nga Anglia tha se “vij për herë të tretë në Shqipëri. Më pëlqen shumë është një vend interesant me një histori të mahnitshme. Kemi ardhur në Shqipëri me një grup studentësh për të mësuar për Shqipërinë dhe historinë e saj. Ky udhëtim do jetë një përvojë e mrekullueshme. Do qëndrojmë pesë ditë në Shqipëri. Do shkojmë në Elbasan, Librazhd, Durrës dhe natyrisht në Tiranë. Këtu më pëlqejnë shumë njerëzit pasi janë miqësorë dhe interesantë. Këtu dëgjon shumë histori mahnitëse”.
“Jam nga Franca dhe është vizita ime e parë në Shqipëri. Tirana është qyteti i parë që kemi vizituar. Do shkojmë në Jug. Gjithashtu do vizitojmë Beratin dhe më pas në det”, – u shpreh një tjetër turiste nga Franca. /atsh/ KultPlus.com
Gazeta më e madhe e Pakistanit në gjuhën angleze ”The Express Tribune” rendit pesë vendet me shumicë myslimane, që nuk duhen humbur së vizituari.
Sipas kësaj gazete, Shqipëria ndodhet në pesë vendet kryesore që përbëjnë trend në në destinacionet turistike për këtë vit.
”Një sekret i jashtëzakonshëm ballkanik i ruajtur më së miri, Shqipëria ka një pafundësi atraksionesh natyrore që duket se duhet të jetë në listën e çdo blogeri udhëtimesh. Çdo gjë, që nga malet me kurora dëbore te plazhet e kristalta dhe një trashëgimi të fortë islame në zemër të kryeqytetit të saj kozmopolit”, shkruan ”The Express Tribune”.
”Por, jo vetëm kjo, pasi Shqipëria ka një histori të shquar mikpritjeje. Le të mos harrojmë faktin shqiptarët mbrojtën hebrenjtë gjatë Holokaustit nazist dhe të gjithë ata arritën të mbijetonin në Shqipëri”, shton gazeta.”Riviera Shqiptare. Mendoni plazhe me rërë me ujëra blu në jeshile, rrugë të gurta dhe lule kudo. Plazhet më të mira për t’u vizituar janë Dhërmiu, Drimadhe, Vuno, Qeparo dhe qyteti bregdetar i Himarës”, përfundon gazeta më e madhe e Pakistanit në gjuhën angleze ”The Express Tribune”./ atsh / KultPlus.com
Shqipëria është një vend i vogël, por me ambicie të mëdha! E liruar nga tutela e komunizmit në vitin 1991, e ndodhur mes Malit të Zi, Greqisë dhe Italisë, Shqipëria ëndërron të hyjë në Bashkimin Europian dhe të bëhet një destinacion i vërtetë turistik, shkruan portali i televizionit publik francez, Franceinfo, në një reportazh që ia kushton turizmit në Shqipëri.
“Aktualisht nuk ka shumë turistë francezë, ishin rreth 45 000 në vitin 2018, po ky numër është në rritje me 30% nga viti 2017 dhe mbi të gjitha, ata kthehen në vendin e tyre të magjepsur nga udhëtimi në Shqipëri.
Julien Roche jeton këtu që prej fillimit të viteve ’80. Shumë i domosdoshëm, ky francez me origjinë nga rajoni Ën, ka krijuar rreth 40 kompani në këtë vend.
“Në veri ka liqene dhe male, atje përfundon vargmali i Alpeve. Në jug, ndodhen plazhet e detit Adriatik dhe ato të detit Jon që janë përballë Korfuzit. Vijnë shumë të rinj me çanta shpine ose persona të moshës së tretë. Këta janë ambasadorët tanë më të mirë dhe priten nga banorë të zonës që i strehojnë në banesat e tyre, është diçka shumë vëllazërore”, shpjegon ai në këtë reportazh të Franceinfo.
Autoritetet shqiptare duan të tregojnë mbi të gjitha se realiteti i vendit është larg imazhit të keq që ekziston në Francë, vendi i të gjitha trafiqeve, korrupsionit dhe mafies, transmeton ATSH.
“Megjithatë, udhëtarët e huaj kanë filluar të tregojnë interes për këtë destinacion të ri në zemër të Ballkanit”, sikurse shpjegon Helmut Gschwentner, president i operatorit turistik “Visit Europe”, përcjell albinfo.ch.
“Nuk jam i sigurt nëse kjo do të jetë Kroacia e re, por në çdo rast është një destinacion bregdetar dhe kulturor. Ne i besojmë shumë. Prej pesë vitesh zhvillojmë ture në Shqipëri, por duke i kombinuar me vizita në Malin e Zi dhe Maqedoni. Duam të rrisim produktet dhe mundësitë për klientët tanë, për këtë arsye kemi hapur një zyrë në Tiranë”, thotë Gschwentner.
“Visit Europe” synon të arrijë 3 000 klientë këtë vjeshtë të interesuar për Shqipërinë dhe 4 000-5 000 vitin e ardhshëm.
Hotele të vogla familjare
Përveç më shumë se 500 kilometrave vijë bregdetare, pavarësisht disa zonave te betonizuara tashmë si Golemi, ky vend i vogël prej tre milionë banorësh, i madh sa Belgjika, ka gjithashtu një trashëgimi kulturore të jashtëzakonshme si Berati “qyteti i një mbi një dritareve”, që është klasifikuar trashëgimi e UNESCO-s apo qyteti i mrekullueshëm mesjetar i Krujës, që ende nuk është asfiksuar nga turmat e turistëve.
“Ka katër misione arkeologjike franko-shqiptare, në një vend të vetëm ky është një fat i madh. Kjo tërheq vizitorët dhe jo vetëm ata francezë. Ka gjithashtu muze shumë të mirë që japin një imazh të njerëzve dhe të historisë shqiptare, tragjike në disa çaste”, deklaron Christina Vasak, ambasadorja e Francës në Shqipëri.
Grupet e hotelerisë kanë filluar gjithashtu të drejtohen nga Shqipëria, që ende nuk e ka mjaftueshëm të zhvilluar këtë infrastrukturë, si kompania franceze “Accor” që parashikon të hapë në muajt në vijim një “Sofitel” në Tiranë.
“Turizmi këtu bazohet kryesisht tek hotelet e vogla familjare me pesë deri në 10 dhoma. Nuk ka hotele me kapacitet të mjaftueshëm për të pritur për shembull grupe të mëdha me 2 500 apo 3 000 persona. Potenciali i kërkesës është, por nuk është ende produkti”, shpjegon Elisabeth Gjoni, drejtoreshë e grupit energjetik dhe ndërtimor “Amadeus”.
Shqipëria bën pjesë në pesë vendet kandidate për të hyrë në Bashkimin Europian. Negociatat mund të fillojnë në muajt që vijojnë, por procedura është e gjatë. Ajo mund të zgjasë të paktën 10 vite.
Franceinfo e mbyll këtë reportazh duke i bërë një thirrje gjithë turistëve se “gjatë udhëtimit në Shqipëri do të zbulojnë fakte mbi këtë vend të panjohur”.
“Kryeqyteti, Tirana, do t’ju habisë me influencat e tij. Do të josheni nga pasuria historike e zonës më të madhe arkeologjike në Shqipëri, qyteti antik i Apolonisë. Ky është një udhëtim i mrekullueshëm në të kaluarën që do e shijoni gjatë gjithë udhëtimit në Shqipëri”, përfundon Franceinfo.
E izoluar nga pjesa tjetër e botës për një periudhë të gjatë të shekullit të XX, nuk është e habitshme që njerëzit e njohin kaq pak Shqipërinë, fillon reportazhin për vendin tonë portali i njohur londinez ”City Matters”.
Vetëm pas vitit 1991, kur regjimi brutal komunist u rrëzua, të huajt filluan të zbulojnë malet epike, fshatrat e thellë dhe plazhet e kristalta mesdhetare të përhapura në të gjithë vendin.
Shqipëria konsiderohet si Kroacia e re dhe një xhevahir i fshehur i Mesdheut për shkak të peizazhit të saj shumë të larmishëm.
Fshatrat e vogla janë ende të mbushura me banorë të zonës që drejtojnë sipërmarrjet tyre dhe plazhet janë të pastra dhe pa shumë njerëz, edhe në muajt më të nxehtë. Por kjo nuk do të zgjasë shumë. Ajo, pa dyshim që do të përballet me të njëjtin fat si vendet fqinje Greqia dhe Kroacia. Pra nëse keni ndërmend ta vizitoni, bëjeni sa më shpejt.
Bjeshkët e Namuna
Kjo zonë malore që njihet si Alpet Shqiptare, por që preferohet më shumë emërtimi që duket sikur ka dalë nga filmi “Lord of the Rings”, Bjeshkët e Namuna.
Dhe me siguri i përshtatet më së miri këtij emir. Atu mund të gjeni disa nga pamjet më mbresëlënëse, si dhe duhet të lodhesh shumë për t’i arritur ato. Sepse industria e turizmit është ende në hapat e para dhe aty mund të shkohet falas për ata që janë të gatshëm të bëjnë një ecje të gjatë mes maleve. Megjithatë, vështirësia e bën qëllimin përfundimtar shumë më shumë shpërblyes.
Izolimi e bënë gjithë këtë zonë të duket sikur është imagjinare dhe shumë larg Europës së shekullit XXI. Mes shkëmbinjve të thepisur që qëndrojnë sipër luginave të gjelbra ndodhen shtëpi të vogla prej guri shumë të vjetar dhe komunitete tradicionale të cilët ecin hap pas hapi me ujqërit.
Parku Kombëtar i Thethit është një prej pjesëve më të famshme dhe të arritshme të Bjeshkëve të Namuna dhe ofron pak nga çdo gjë. Është njësoj si Lugina e Madhe në filmin “Land Before Time”, një oazë biodiversiteti, rrethuar nga maja të thepisura. Poshtë luginës gjenden sisteme të gjata lumenjsh, lagunash, ujëvarash dhe çdo gjë tjetër që lidhet më florën dhe faunën e egër. Duket kaq shumë origjinale.
Riviera shqiptare
Ndërsa vargmalet janë pjesa më pak e vizituar e Shqipërisë, plazhet sigurisht që janë më popullorët. Rekomandohet të marrësh me qira një makinë kur shëtit vijën bregdetare që të mund të ndalosh në çdo plazh të fshehur që të del përpara, nga të cilët ka shumë për t’u numëruar.
Për ata që kanë një buxhet të limituar, ka ende shumë autobusë që përshkruajnë zonën dhe autostopi vazhdon të jetë shumë popullor. Shqiptarët i marrin të huajt me kënaqësi dhe duke i dërguar nga një qytet bregdetar në tjetrin. Saranda është një prej qendrave më të mëdha për të pasionuarit pas detit. Aty mund të gjesh jetën e natës më të mirë dhe shumëllojshmëri restorantesh.
Në opinionin tonë, në Shqipëri shkohet për pak paqe dhe qetësi, të paktën për momentin. Duke ecur në drejtim të veriut përgjatë bregut, ndaloni në Palas që ka një plazh shumë të gjatë ku Jul Çezari dhe trupat e tij mbërritën gjatë Luftës Civile në Romake në vitin 48 pas e.s. Vizitorët ende mund të gjejnë relikte të këtij zbarkimi, si dhe disa mure mbrojtëse të braktisur të historisë së gjatë shqiptare.
Dhërmiu është gjithashtu një destinacion që duhet të vizitohet, me plazhet e tij mahnitëse, limane dhe gjire të fshehur. Një prej vendeve më piktoresk është Drimadha, që është aq i gjatë sa që kurrë nuk duket i mbushur. Këtu mund të gjeni resorte të lira dhe hotele luksoze.
Tirana
Para se kapitalizmi t’i zinte vendin komunizmit, kryeqyteti i Shqipërisë ishte i njohur si një qytet gri dhe i ngadaltë. Por Tirana ka ndryshuar me hapa të shpejtë në dekadat e fundit, duke u bërë një kaleidoskop ngjyrash dhe kulture. Sigurohuni të mos humbisni kutitë elektrike që janë mbuluar me lloj-lloj veprash arti.
Sheshi Skënderbe është gjithashtu një pikë ku do të kaloni shumë herë ndërkohë që shkoni tek Muzeu Kombëtar i Historisë, Pallati i Operas, Xhamia e Et’hem Beut dhe Monumenti i Skënderbeut që i dedikohet liderit shqiptar që i rezistoi osmanëve.
Bunk’Art ndodhet pak më larg, por ia vlen rruga. Bunkeri që ishte ndërtuar nga regjimi i Hoxhës, është transformuar në një vend ekzibicioni dhe hapësirë eventesh ku arti dhe objektet historike përzihen. Ky është vendi perfekt ku tregohet se si Tirana përqafon të kaluarën e saj, duke e kthyer disa të errët dhe tronditëse në shkëlqim dhe plot pozitivistet. / atsh / KultPlus.com
Shqipëria sërish rekomandohet si një destinacion i preferuar turistik për vitin 2019.
“Travel Awaits”, portal i specializuar për udhëtimet, e ka renditur të dytën Shqipërinë mes 11 destinacioneve më të mahnitshme në të gjithë botën për turizëm.
“Ne jemi përpjekur të zgjedhim 11 nga destinacionet më të mira për vitin 2019, që ofrojnë pasuri kulturore, traditën, klimën dhe vendet e virgjëra, dhe produkte vendase të freskëta e me cilësi. Nëse dëshironi të bëni një udhëtim që të mbetet në kujtesën tuaj për një kohë të gjatë, ndoshta ju duhet t’i jepni Shqipërisë një shans për ta vizituar në vitin 2019”, shkruan “Travel Awaits”
“Shqipëria meriton më shumë interes”, shprehen Ellen dhe Ted Kortan të blogut amerikan të udhëtimeve “Earth Vagabonds”.
“Ne qëndruam disa javë në Shqipëri dhe na ka bërë shumë përshtypje bukuria e vendit, njerëzit ishin shumë të sjellshëm dhe i pëlqenin me të vërtetë amerikanët. Shqiptarët ishin shumë optimistë për të ardhmen e tyre dhe përcillnin një forcë dhe energji të re. Madje edhe çmimet ishin shumë të arsyeshme”, shtojnë ata.
“Shqipëria është një vend me një nga plazhet më tërheqëse të bregdetit Adriatik dhe një numër të madh vendesh të përfshira në Konventën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Nëse ende jeni duke kërkuar një plazh, një pamje alpine, ose një grimcë arkitekturore osmane, Shqipëria do të ishte destinacioni i duhur!” – shkruan “Travel Awaits”, duke ftuar turistët që ta vizitojnë.
“O Zeus, mbret dodonas e pellazgjik që banon larg që kujdesesh për Dodnën dimërkeqe… I biri i shkëlqyshëm i Lethos të Pellazgut, Hipotheu e tërhiqte prej këmbe përmes përleshjes së tmerrshme (kufomën e Patroklit të vrarë) lidhur me tërkuzë nga kyçi i këmbës, për t’i bërë qejfin Hektorit dhe trojanëve.
I pari foli Akili hyjnor këmbëshpejti: “Kush je ti prej
burrave që kundër meje guxon të vish? Është fatkeq ai djalë që mërinë time
kundërshton.”
Atij menjëherë iu përgjigj i biri i shkëlqyer i Pelegronit:
“O Pelid zemërgjerë, për fisin tim pse pyet? Jam nga Paionia pjellore dhe e
largët, burrave paionë heshtëgjatë u prij, kam njëmbëdhjetë ditë që kam ardhur
në Ilion…””
Homeri (Iliada)
“Përveç trimërisë, që është e natyrshme te shqiptarët, ata
janë krejt të çiltër, gjë që s’është karakteristike për orientalët.”
Fransua Pukëvil
“Nuk dimë nëse këta kavalierë shqiptarë të shpejtë dhe me
mjekra janë njerëz apo demonë.”
Napoleon Bonaparti
“Të rrept bijt e shqipes! Po vetitë nuk u mungojnë veç
t’ishin më të arrira.”
Xhorxh Bajron
Tokë shkëmbinjsh, djep trimash dhe njerëz të fortë.
Aleksandër Duma
“Epiri, kjo Zvicër e antikitetit, kishte një monument lavdie
nënprijësin e tyre Pirro, një komandant i përkryer.”
Alfred Gilleron
“Sado të varfër të jenë malësorët, janë krenarë të presin
miq. Sipas tyre, shtëpia është e Zotit dhe e mikut.”
Aleksander Degrand Jules
“Ky është një komb luftëtarësh, të cilët, ndoshta, për nga
trimëria, krenaria dhe shpërfillja e frikës mund të maten me çdo tjetër në
botë.”
Fred Xhorxh Uilliams
“Shqiptarët kanë një frymë perëndimore, ata janë të gjallë e
kuriozë, të gëzueshëm e të hapët në miqësi.”
Franc Babuger
“Njeri i jugut, gjithmonë njeri i jugut, ai për të mos qenë i ngrirë, sjell me vete kudo diellin e vendit të vet. Ai ka nevojë për përzemërsi, përzemërsi njerëzore, për ngrohtësi ndjenjash, për shokë e miq. Ai është gjithnjë flakë, nuk mund të rrije i ftohtë, ftohtësia do ta mbyste…” Stefan Cvajg
Gazeta e përditshme gjermane “Die Welt”, i ka kushtuar një reportazh të detajuar Shqipërisë duke përshkruar bukuritë natyrore dhe mundësitë që ajo ka.
Për këtë ka reaguar edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili tha se se reportazhi vë në dukje bukuritë natyrore të vendit si atraksione turistike dhe burim zhvillimi ekonomik.
Duke perifrazuar shkrimin e medias gjermane, numri dy i Partisë Socialiste u shpreh se falë reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, vendi ynë është kthyer në një destinacion të besueshëm për sipërmarrjet gjermane.
“Një ndër gazetat më të mëdha gjermane, e përditshmja “Die Welt” i kushtoi dje një reportazh të veçantë Shqipërisë, bukurive të saj natyrore si atraksione turistike dhe burim zhvillimi ekonomik, performancës ekonomike të Shqipërisë me rritjen më të madhe ekonomike ndër vendet e tjera të BP, reformave të ndërmara të cilat e kanë shndërruar Shqipërinë në një destinacion të besueshëm për sipërmarrjen gjermane. Në më shumë se 25 faqe mund të shikosh Shqipërinë reale me sfidat dhe pritshmëritë. #përShqipërinëqëDuam🇦🇱🇪🇺”- shkruan Balla. / KultPlus.com
Tetë plazhe ideale për ata që duan një përzierje mes diellit dhe kulturës, vetëm dy hapa larg Italisë, shkruan gazeta italiane online Tgcom24, pjesë e grupit mediatik italian Mediaset.
”Shqipëria është destinacioni në zhvillim i Mesdheut për
shkak të bukurisë së detit të saj dhe marrëdhënieve të shkëlqyera midis
cilësisë së shërbimeve të ofruara dhe çmimit. Një vend që ofron peizazhe me
bukuri madhështore dhe shumë mikpritje.
Për italianët, ndër të tjera, Shqipëria është afër dhe mund
të arrihet lehtë aty me traget nga Bari, Ankona ose Trieste me anije që ofrojnë
të gjitha komoditetet. Këtu janë disa nga treguesit për plazhet e saj më të
bukura për transparencën e ujit, për shërbimin dhe për natyrën që i rrethon
ato.
Saranda dhe dëshira për jetën e natës – Pjesa më joshëse e
bregdetit shqiptar, Saranda, është e famshme për jetën e natës. E vendosur në
mes të Jonit dhe kodrave të ullinjve përballë ishullit të Korfuzit dhe pak
kilometra nga Greqia, ofron mundësinë e qëndrimit në hotele luksoze me çmime të
arsyeshme, ngrënien në Kështjellën e Lëkurësit, eksplorimin e vendit
arkeologjik të Butrintit, trashëgimi e UNESCO-s me mbetjet e qytetërimit të
lashtë grek, një teatër që nga shekulli III para Krishtit dhe një bazilikë të
hershme të krishterë.
Riviera e Ksamilit – në jug të Sarandës është një tjetër
dhuratë e natyrës. Riviera e Ksamilit e konsideruar si perla e Jonit për shkak
të bukurisë së saj, me pamje nga katër ishuj të vegjël, dy prej të cilëve mund
të arrihen me anije dhe madje edhe duke notuar. Nuk është një vend për jetën e
natës, por një zgjedhje perfekte për ata që duan të relaksohen duke parë
shkëmbinjtë e pjerrët dhe shtratin e detit.
Stili i Karaibeve në plazhin e Jalës – Është një nga vendet
më të bukura në bregun e Jonit, me rërë të bardhë dhe ujëra të pastra të
rrethuara me shkëmbinj dhe bimësi të dendur me të gjitha aromat e Mesdheut.
Ngjyrat ndryshojnë vazhdimisht dhe përzien me tonalitetet e detit, më të ftohta
në agim dhe të ngjyrosura në portokalli në perëndim të diellit.
Pishat e Himarës – Të ecësh nëpër shëtitoren e Himarës është
me të vërtetë interesante, me aromën e pishave dhe pamjen nga deti Jon. Plazhet
janë me rërë dhe ujërat janë shumë të qarta. Është e mrekullueshme të zhytesh
në detin kristal të Potamit ose Livadhit, Spillesë ose Llamanit.
Mes natyrës dhe historisë në Porto Palermo – Uji duket si
mëndafsh blu para plazhit të Porto Palermos dhe ka një pamje të mahnitshme nga
kështjella e ndërtuar në 1818 nga Ali Pashë Tepelena në ”eshtrat” e një
kështjelle antike veneciane. Gjiri është aq i bukur saqë shpesh gjallërohet nga
set-e kinematografike.
Gadishulli i Karaburunit – Një xhevahir i natyrës,
Gadishulli i Karaburunit, i cili ofron pamje të jashtëzakonshme, së bashku me
ishullin Sazan, është pjesë e Parkut Kombëtar Detar. Ndodhet pak kilometra larg
Vlorës dhe është e rrethuar me bimësi, midis gjirit me detin kristal ndodhet
dhe Shpella e Piratëve, duke përfshirë shpellën e Haxhi Aliut e cila i
referohet emrit të udhëtarit që e ka përdorur atë si një strehë.
Vlora dhe rrethinat – Vlora është porti i dytë më i madh në
vend. Jo shumë larg nga Tirana dhe me pamje nga deti Adriatik, ofron plazhe të
pajisura mirë, restorante shumë të veçanta dhe dyqane të modës. E përshtatshme
për ata që kërkojnë një plazh të bukur, por jo shumë të izoluar nga konteksti
social. Zhytjet janë të njohura në Gjirin e Vlorës, por mbi të gjitha, duke u
drejtuar në zonën e bukur të Nartës, 14 kilometra larg, me Zvërnecin e famshëm
që strehon Kishën e Shën Mërisë, një manastir ortodoks i shekullit XIII, i
fshehur në mes të qiparisëve.
Dhërmi, plazhi me guralecë – Në jug të Vlorës gjendet plazhi i shkëlqyer i Dhërmiut, i vendosur në mes të Llogorasë dhe Sarandës. Pesë kilometra gurë të lëmuar dhe një det i ëmbël, i pasur me peshq. Për të lënë prapa zhurmën e turistëve mjafton thjesht të bëni për një çast një shëtitje të bukur në këmbë dhe ju do të gjendeni përballë lagunës blu me pak njerëz dhe pa asnjë ndërtesë të lartë”, përfundon gazeta italiane online Tgcom24, pjesë e grupit mediatik italian Mediaset./KultPlus.com
Ju që hyni në Shqipëri, lini çdo vend tjetër. Kalimi i Adriatikut është mënyra më e mirë për të rishkruar perceptimin italian të kësaj toke dhe të këtij populli, shkruan “lagenziadiviaggi.it”, rrjeti i parë multimedial i informacionit turistik në Itali.
”Jo një komb i vjetër, konservator dhe i varfër, por i ri (më shumë se ai italian), i projektuar drejt së ardhmes dhe me një ekonomi në zhvillim (OKB vlerëson rritjen e PBB-së në rreth 4%).
Plazhe të ngjashme me ato tonat dhe një det që i ngjan atij grek. Një kuzhinë që ka sintetizuar në mënyrën e vet dhe origjinale ndikimet greke, otomane dhe madje italiane dhe një mikpritje që është tipike për një destinacion të ri turistik, pak naive, por që dëshiron të përmirësohet. Shqipëria mund të nënkuptojë në radhë të parë detin. Në jug, nën Ngushticën e Otrantos, janë brigjet që dalin nga Joni: toka shkëmbore dhe ujëra të qarta. Si një lloj Greqie apo Pulia e Ballkanit.
Në Sarandë, një nga vendpushimet kryesore turistike, janë hotelet e mëdha të ndërtuara nga viti 2000 e këtej me pamje nga deti. Resorte të tilla si «Bouganville Bay», që përfshin një SPA, dy pishina të brendshme të mbushura me ujë nga deti Jon dhe një sërë dhomash me pamje nga gjiri, si dhe një pamje të detit të rezervuar për klientët, me shezlongë të vendosur deri në metrin e fundit të platformës.
Një port i vogël shqiptar, por që ka tashmë një shëtitore të rindërtuar në dekadën e fundit.
Fshati i afërt i Ksamilit ofron një peizazh më të gjelbër, me plazhet e tij të krijuara duke hequr gurët dhe duke i zëvendësuar ato me rërë. Në kohën e komunizmit e quajtën “qytet pa varreza” sepse shteti kishte nxitur familjet e reja që të jetonin në këtë zonë, e cila në atë kohë ishte e mbushur vetëm nga disa kazerma dhe që për shumë vite nuk pati asnjë funeral.
Një det disi i ndryshëm është ai i Durrësit (më tej në veri përgjatë bregdetit). Shumë më tepër i ngjashëm me rivierën romanjole apo të Markexhanës, plazhet këtu janë të gjatë dhe plot me rërë natyrore. Hotelet janë ndërtuar direkt pranë plazhit dhe shumë hotele si “Blu Fafa” ofrojnë një pishinë me pamje nga deti dhe një linjë të gjatë çadrash për ata që nuk duan të heqin dorë nga rëra nën këmbët e tyre. Sigurisht që nuk duhet të habitemi nëse ecja pengohet nga disa mbetje të komunizmit, si kullat e vjetra të përforcuara të betonit, të ndërtuara dikur për të parë pushtuesin kapitalist që mund të vinte nga deti.
Por, Shqipëria nuk është vetëm det. Në jug të vendit, UNESCO ka njohur dy vende si Trashëgimi Botërore: Butrintin dhe Gjirokastrën. E para është një nga vendbanimet më të vjetra në zonë, sot një park natyror që mbulon një sipërfaqe prej 94 kilometrash katrore. Këtu u vendosën grekët dhe romakët, dhe sipas Virgjilit, këtu ka qënë dhe Enea dhe shekuj më vonë arritën venecianët.
Gjirokastra është një nga qytetet më të vjetra, një shembull i rrallë i vendbanimeve osmane, shqiptarët e quajnë atë “qytet argjendi”, sepse pas shiut duket se shkëlqenin gurët e bardhë dhe gri të ndërtesave dhe çative. Mos lini pa provuar një nga oshafët më të mirë në vend, një ëmbëlsirë me qumësht të kondensuar të deles, kanellë dhe fiq të thatë.
Por, nëse doni të mësoni për historinë e Shqipërisë, nuk mund të mos shkoni në Krujë, qytetin e Skënderbeut, në veri të vendit. Për heroin shqiptar, i cili mundi osmanët dhjetëra herë, ka një muze-kështjellë, i rindërtuar mbi rrënojat e lashta dhe i ngjitur nëpër shkëmbinj. Kjo është një nga zonat e vendit më të përkushtuara drejt turizmit, restorante si ‘’Panorama’’ ofrojnë dreka me pamje nga kalaja dhe rrugët e qytetit janë ende të shtruara me gurë qindravjeçarë, tanimë të zbutur nga kalimet e shpeshta aty dhe nga moti.
Vetëm për sa i përket historisë, Shqipëria ende duket të jetë “e pandreqshme”. Gjatë periudhës së komunizmit të gjitha gjurmët e kulturave të kaluara janë fshirë për një të ardhme të përjetshme tipike të diktaturave. Kishat dhe xhamitë e mbyllura ose të shkatërruara, feja e vetme e mundshme apo narrativa ishte vetëm ajo e shtetit. Një represion dekadash që shpërtheu në zemërim kur komunizmi u zhduk, deri në atë pikë sa u lëvizën të vdekurit dhe trupi i udhëheqësit shqiptar Enver Hoxha, nga varrezat e dëshmorëve u zhvendos në një varrezë më modeste.
Sidomos në Tiranë, shumë ndërtesa janë rilyer për të hequr zymtësinë e komunizmit. Ndërtesat e mesit të viteve 1900 janë zëvendësuar me ndërtesa të reja. Dhe disa struktura ikonike të regjimit kanë mbetur në këmbë pas muajsh debati mbi mundësinë për t’i shembur ato. Kjo ka ndodhur me Muzeun Historik Kombëtar, një ndërtesë që nga viti 1981, dhe me fasadën e mozaikut që portretizon historinë e vendit që nga themelimi i tij.
Shqipëria duket se dëshiron të tregojë veten si një fletë bosh gati për t’u rishkruar. Po ndërtohet kudo dhe po rindërtohen rrugët. Pas ’91, ata që kishin pak para i përdorën ato për të rindërtuar, duke filluar që nga shtëpia. Duke përshkuar vendin mund të vihet re se fshatrat janë të mbushura me shtëpi dykatëshe, aq të reja sa kanë ende erë të suvasë së freskët. Në shumë nga to janë vendosur disa armatura prej hekuri, gati për një kat të ri, sapo të sigurohen para të tjera. Shqipëria është e vendosur të projektojë veten në të ardhmen duke lënë pas të kaluarën. Dhe shqiptarët janë të vendosur të gjejnë tek turizmi një pjesë të pasurisë për këtë hap përpara.
Thirrja e ministrit Klosi për italianët
“Të nderuar italianë, pse nuk vini me pushime në Shqipëri?”
Kjo është pyetja që ministri shqiptar i Turizmit, Blendi Klosi, u kërkon turistëve italianë gjatë një takimi me Sara Calabrese, CEO i operatorit turistik “Dirotta da Noi”, shoqëruar nga 20 agjentë udhëtimi.
“Dy vendet tona kanë shumë gjëra të përbashkëta si dhe marrëdhënie të mira që kanë zgjatur për shekuj me radhë”, thotë ministri.
“Vitin e kaluar shumë kompani italiane turizmi kanë krijuar marrëdhënie me Shqipërinë: sot kemi fluturime të drejtpërdrejta, që ndalen në Sarandë apo Durrës si dhe shumë paketa turistike. Ne ofrojmë jo vetëm detin, por edhe natyrën, kulturën dhe sportet e aventurës. Kështu që ne presim që italianët të jenë mes vizitorëve tanë të parë”, thekson ai.
Në Shqipëri, në kohën e komunizmit, këngët e Sanremos ishin si mallra kontrabandë që këndoheshin dhe dëgjoheshin fshehurazi regjimit dhe sot në Shqipëri, shumë flasin italisht dhe pothuajse të gjithë e kuptojnë atë.
“Vitin e fundit, ne mirëpritëm gjashtë milionë turistë, vitin e kaluar pesë milionë dhe në katër muajt e parë të vitit 2019 tashmë kemi regjistruar + 10%. Prandaj do të donim që numri i vizitorëve italianë të rritet dhe ne tashmë po punojmë për këtë gjë’’, thekson Klosi. / KultPlus.com
Shumica e njerëzve kur mendojnë për Shqipërinë, atyre ndoshta u vjen në mendje filmi nga Liam Neeson “Taken”.
Hollivudi dhe mediat kanë bërë “një punë të mirë” për të
pasqyruar këtë vend të Ballkanit Perëndimor si një vatër e kriminalitetit dhe
dhunës, por a është kështu me të vërtetë? Përgjigjja është “jo”. Një artikull
është botuar nga “Emerging Europe” për Shqipërinë, ku tregon se si është të
jetosh në këtë vend të vogël.
Gazetarja Alice Taylor e cila është edhe themeluese e “The
Balkanista” citon në artikull:
Ndërsa vendi lufton brenda vendit me krimin e organizuar dhe
politikën, për ata që zgjedhin të vizitojnë vendin, ose siç na pëlqen ta quajmë
“kufiri i fundit i egër i Evropës”, është një perlë e sigurt, magjepsëse dhe kulturore
e pasur që po vdes për t’u eksploruar.”
Toka e shqiponjave ose Shqipëria është shtëpia e pak a shumë
tre milionë njerëzve. Në qendër të saj është Tirana e ndërsa qytetet e tjera
sillen rrotull saj duke u shtrirë drejt kufijve të Malit të Zi, Kosovës,
Maqedonisë dhe Greqisë. Në perëndim shtrihet Deti Adriatik dhe bregu i Italisë,
dhe në jug, ishulli grek i Korfuzit ulet vetëm disa kilometra në të gjithë
ujin.
Sa i përket terrenit të saj, prej pak javësh ky vend nuk ka
vargjet e gjera malore të mbuluara me borë por më tej kanione dhe lumenj, të
cilat janë perfekte për rafting, pyje, kodra rrotulluese të tokave bujqësore
pjellore dhe sigurisht, milje plazhesh të pandërtuar dhe ujëra kristalore.
Për të përshëndetur skenën e saj të larmishme dhe që me të vërtetë
të lë pa frymë, ju mund të shijoni qindra kështjella dhe kalatë, fshatrat
mesjetare, gërmadhat romake, parqet natyrore, shtigjet hiking dhe fshatrat
malore ku mund të ndaloni kohën dhe të kaloni nga streset e jetës së
përditshme. Shqipëria i ka të gjitha në vetëm 29,000 kilometra katrorë.
Kur bëhet fjalë për njerëzit, s’do të mundeni të gjeni më
mikpritës se aty. Ky vend i bazon traditat e mikpritjes në mësimet e kanunit të
lashtë të Lekë Dukgjinit (një grup rregullash dhe ligjesh feudale, disa prej të
cilave mbizotërojnë deri më sot, sipas të cilave vendasit janë të detyruar t’i
trajtojnë të gjithë mysafirët me respekt dhe mirësi të madhe.
Edhe pse anglishtja nuk flitet gjerësisht jashtë zonave turistike ose
turistike, njerëzit do të bëjnë më të mirën për të komunikuar, t’ju blejnë një
kafe ose birrë dhe të siguroheni që jeni duke shijuar me të vërtetë qëndrimin
tuaj në vend, për të cilin janë kaq shumë krenarë.
Nëse jeni me fat që të jeni të ftuar në një shtëpi
shqiptare, mund të prisni që të largoheni vetëm pasi të jeni ushqyer
mjaftueshëm, duke ju dhënë raki, pija lokale e bërë nga fruta që vendi i
prodhon me shumicë.
Qyteti i Tiranës është ndryshe nga asnjë qytet tjetër
evropian. Arkitektura e saj është një ngjyrosje e shumë ndërtesave fashistëve italianë,
moderne bashkëkohore dhe zhvillimeve komuniste që tani janë pikturuar në një
shumëllojshmëri të ngjyrave të gjalla ose të stolisura me murale të bukur
pikturuar me dorë. Ju mund të vizitoni bunkerët e vjetër komunistë që janë
shndërruar në muze, pini kafe në një nga kafenetë e saj të shumta (Tirana ka
numrin më të madh të kafeneve për frymë banori në kontinentin evropian),
vizitoni pazaret e saj të shumta ose të merrni një teleferik në malin e Dajtit
dhe të shijoni disa ushqime tradicionale duke parë drejt fushës së Tiranës.
Por çdo qytet dhe lokalitet në vend ka sharmin e vet të
veçantë. Njerëzit e Shkodrës në veri janë të njohur për të qenë artistë dhe
muzikantë dhe kanë një ndjenjë të madhe humori, njerëzit e Beratit janë të
njohur për mikpritjen e tyre dhe të jugut janë të njohur për qëndrimin e tyre
të ngadaltë ndaj jetës dhe dëshirën e tyre për frappe.
Të gjitha këto zona janë më së shumti vlerë për t’u vizituar Shkodra për liqenin dhe kështjellën e saj, Berati për verën dhe jugu për perlën arkeologjike të Butrintit dhe ishujt e Ksamilit./KultPlus.com
Vera po vjen dhe mediet ndërkombëtare i kanë kthyer sytë nga destinacionet përrallore, që duhet t’ua propozojnë lexuesve të tyre.
Ato italiane, edhe këtë vit ndalen te Shqipëria, destinacioni më i ri i Mesdheut, për shkak të bukurisë së detit dhe raportit të shkëlqyer mes cilësisë së shërbimeve të ofruara dhe çmimeve.
Një vend që ofron peizazhe sugjestionuese dhe shumë mikpritje. Veç të tjerash, për italianët Shqipëria është afër dhe arrihet lehtësisht me traget. Por, cilat janë plazhet më të bukura sa i takon pastërtisë së ujit, shërbimit dhe natyrës që i rrethon? Ja çfarë propozon “TGCOM”:
Saranda është pjesa më speciale e brigjeve shqiptare. Ajo është e famshme edhe për atmosferën e natës. E ndodhur mes Jonit dhe kodrinave me ullinj para ishullit të Korfuzit, pak kilometra larg Greqisë, ajo ofron mundësinë e qëndrimit në hotele luksoze me çmime të përballueshme, një vakt në Kalanë e Lëkurësit, eksplorimin e Butrintit pasuri të UNESCO-s, etj..
Riviera e Ksamilit, më në jug, është një tjetër dhuratë e natyrës. Ksamili – thotë “TGCOM”, – konsiderohet si perla e Jonit sa i takon bukurisë. Plazhi i Jalës vjen në stil karaibesh. Është një nga vendet më të bukura të bregut të Jonit, që mbledh të gjitha aromat e Mesdheut.
Pas tij vjen Himara, vërtet joshëse, me aromën e pishave dhe shikimin drejt Jonit. Porto Palermo është plazhi me ngjyrë blu të mëndafshtë, që ka edhe një kështjellë veneciane. Nuk mbetet pas as gadishulli i Karaburunit, një margaritar i natyrës që ofron skenare të jashtëzakonshme, bashkë me ishullin e Sazanit.
Vlora është po ashtu porti i dytë më i madh i vendit, qyteti ku Adriatiku dhe Joni bashkohen. E më në jug të tij vjen Dhërmiu, plazhi i gurëve dhe detit të ëndrrave./ atsh / KultPlus.com