7 në 10 suedezë tejet kureshtarë për të vizituar Shqipërinë

7 në 10 suedeze janë tejet kureshtarë për Shqipërinë dhe janë të gatshëm dhe të interesuar që të vijnë këtu për pushime.

Këto janë rezultatet e një studimi të kryer në fillim të këtij viti dhe që u bënë publike sot nga Ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Johan Ndisi.

Në kuadër të programit “100 fshatrat”, ambasadori i Suedisë ishte sot në Nivicë, ku deklaroi se, “ka një numër në rritje të turistëve suedezë që vijnë për zbuluar Shqipërinë nga majat e Valbonës tek plazhet e Sarandës”.

“Gjatë 3 viteve këtu në Shqipëri, unë kam pasur kënaqësinë të zbuloj bukuritë e vendit tuaj dhe shumë zona që unë nuk i prisja t’i gjeja. Nivica për mua është një zbulim i kënaqshëm”, tha Ndisi.

Llojet e turizmit në Shqipëri janë të ndryshme, tha ambasadori Ndisi, duke shtuar se “e përbashkëta e turistëve, si të atyre që vijnë për turizmin malor edhe të atyre që vijnë për turizmin detar, është interesi për kulturën fantastike që ju keni”.

“Unë gjithashtu flas nga përvoja ime kur them se turistët suedezë vijnë jo vetëm për vendin e bukur dhe diellin, por edhe për mikpritjen e shqiptarëve”, tha ai.

Programi “100 fshatrat”, vlerësoi ambasadori suedez, “është një potencial dhe mundësi shumë e madhe dhe një mënyrë e rëndësishme për të përgatitur shumë zona të ndryshme të Shqipërisë që të plotësojnë këtë potencial”.

“Unë si ambasador suedez punoj mbi marrëdhëniet ndërqeveritare më shumë, por ajo që ne dëshmojmë sot këtu është pak ndryshe, dhe më lejoni të them që është më e rëndësishme. Qeveria ime mund të kishte një politikë për promovimin e turizmit në Shqipëri, por për një qytetar suedez më e rëndësishme është fjala e njerëzve dhe lajmet fantastike që ata dëgjojnë për mikpritjen shqiptare, kulturën dhe pamjet e mrekullueshme të vendit”, tha Ndisi./ ata

Sa turistë vizituan Shqipërinë për 8 muaj?

Sipas INSTAT, numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj të hyrë në territorin shqiptar, në muajin gusht 2018, është 2 120 822, krahasuar me gushtin 2017, ky tregues rezulton me rritje 21.1%.

Turizmi shqiptar po njeh një ngritje të stabilizuar dhe cilësore. Fluksi i lartë i turistëve, veçanërisht atyre të huaj në Shqipëri, shoqëroi edhe muajin gusht të këtij viti.

Instituti i Statistikave publikoi të dhënat zyrtare, ku evidenton se në total për 8-mujorin 2018, në Shqipëri kanë hyrë 4.4 milionë të huaj, me rritje 17% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas INSTAT, numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj të hyrë në territorin shqiptar, në muajin gusht 2018, është 2 120 822, krahasuar me gushtin 2017, ky tregues rezulton me rritje 21.1%, transmeton “ATSH”.

Si tremujor, bën të ditur INSTAT, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri në tetëmujorin e 2018 është 4 397 638 duke u rritur me 16.8 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Shifrat e INSTAT konfirmojnë edhe parashikimet e Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimeve (WTTC), i cili njoftoi për një rritje të gjithanshme për turizmin shqiptar gjatë vitit 2018.

Në një analizë të përgjithshme, WTTC-ja përmend ndikimin e turizmit shqiptar në Produktin e Brendshëm Bruto, në punësim, në numrin e vizitorëve si edhe në totalin e investimeve. WTTC-ja i parashikon në rritje të gjithë këta faktorë. Sipas saj, kontributet direkte të turizmit në PBB gjatë vitit 2017 ishin 134.1 miliardë lekë (USD 1124.1 mln), ose 8.5% të PBB-së totale, ndërkohë që për vitin 2018 parashikohet një rritje prej 3.9% in 2018 dhe një rritje prej 4.7% në vit përgjatë viteve 2018-2028. Kjo rritje do të arrijë në 220.4 miliardë lekë (USD 1847.2 mln) ose në 9.3% të PBB-së totale në vitin 2028.

Sipas WTTC kontributi total për vitin 2017 ishte 414.2 miliardë lekë (USD 3471.9 mln), ose 26.2% e PBB dhe parashikimi është një rritje prej 4.4% në vitin 2018 dhe një rritje prej 4.7% në vit, në 684.2 miliardë lekë (USD 5,735.0 mln), ose 28.9% e PBB në vitin 2028.

Ndërkohë, kontributi direkt për punësimin nga turizmi gjatë vitit 2017 ishte 93,500 vende pune (7.7% e punësimit total). Kjo pritet të rritet 3.3% në vitin 2018 si edhe një rritje prej 1.4% çdo vit në 111,000 vende pune (8.8% e punësimit total) në vitin 2028. Në 2017, kontributi total i turizmit në punësim, përfshi punët e mbështetura në mënyrë indirekte nga industria ishte 24.1% e punësimit total (291,500 vende pune).

“DELO.si”: Shqipëria vendi që nuk harrohet lehtë

Shumica e europianëve mendojnë gabimisht se oferta turistike është e dobët, ky është një paragjykim që e kanë edhe sllovenët.Por, shërbimet nuk janë të bezdisshme dhe as të ekzagjeruara shkruan “delo.si” në një reportazh që ia dedikon Shqipërisë.

Megjithatë, fluturimi nga Lubjana për në Tiranë zgjat rreth një orë dhe çmimet e biletave të avionëve janë të pranueshme edhe në mes të sezonit.

Rrugët nuk janë të këqija. Në disa zona më pak të zhvilluara, normalisht që rrugët nuk janë aq të mira, por nuk janë edhe aq keq sa mendohej. Nëse udhëton me makinë, duhet patur parasysh se shumica e qyteteve nuk kanë rrugë bypass, kështu që kur udhëton nëpër vend duhet të kalosh brenda qyteteve. Kjo e zgjat kohën e udhëtimit.

Gorica

Kostoja për një darkë të mirë për dy persona, me një pije, në një prej restoranteve më të mirë në Berat është 40 euro.

Në bregun e majtë të Osumit ndodhet një kodër, Gorica, ndërsa emri i qytetit të Beratit rrjedh nga sllavishtja e vjetër, nga fjala Beli Grad. Në të djathtë ndodhet Kalaja me një fortesë bizantine dhe një muze të jashtëzakonshëm në manastirin e Onufrit. Nga maja e kodrës është një pamje e jashtëzakonshme e qytetit dhe lumi që kalon mes dy kodrave. Në çdo gur të fortesës ndihet një atmosferë e veçantë. Një vend i tillë harrohet me vështirësi.

Gjirokastra

Në qytetin e dytë të UNESCO-s, Gjirokastra, rreth katër orë me makinë në drejtim të jugut, ndodhet një fortesë 336 metra e lartë që mban një muze me armë të vjetra. Në mur, ekspozohet me krenari një avion ushtarak amerikan, që në vitin 1957, për shkak të një defekti teknik, duhej të ulej pranë Tiranës.

Versioni i kësaj historie në gazetën shqiptare është shumë ndryshe, bëhej fjalë për një avion spiun të forcave imperialiste nga Perëndimi, që ushtria shqiptare e rrëzoi. Piloti ishte gjallë dhe më pas u la i lirë. Avioni ishte lënë si një trofe në anë të fortesës historike.

Çmime të ulëta dhe njerëz miqësor

Llogaraja është krejtësisht ndryshe nga Saranda dhe është vetëm 50 kilometra në veri të Dhërmiut. Dhomat këtu nuk janë të nxehta dhe shkohet nëpërmjet një rruge spektakolare që ngrihet rreth 1 000 metra mbi nivelin e detit. Guidat thonë se është mes më të rrezikshmeve në vend. Por, hija në hotelet në majë të kalimit dhe pemët në Parkun Kombëtar të Llogarasë, të paktën gjatë muajve të verës, shpërblejnë 20 minuta ankth.

Një pikë e mirë për të qëndruar është resorti turistik Llogara, që në kopshtin e tij të madh ka drerë që hanë nga duart e turistëve. Nga këtu mund të zgjidhni të bëni ecje të shkurtëra ose të gjata. Jeni me fat nëse takoni ndonjë. Shqiptarët nuk para bëjnë ecje në mal.

Ushqimi është i mirë në Shqipëri. Jo vetëm sepse ata dinë si të gatuajnë, por edhe sepse ushqimet e tyre nuk janë shumë të globalizuar kështu që për herë të parë mund të provohen vetëm këtu. /ata

Shqipëria, midis peizazheve të përrallave dhe mikpritjes së jashtëzakonshme

Shqipëria është një pjesë e paprekur dhe e paeksploruar në enigmën komplekse të Europës, shkruan gazeta italiane online “Tizinonline -20 minuti” në një artikull kushtuar Shqipërisë.

E mbushur me peizazhe përrallash, pamje që të lënë pa frymë, kulturë të pasur dhe banorë jashtëzakonisht mikpritës, Shqipëria duhet të jetë në krye të listës së destinacioneve për ta vizituar për një eksperiencë autentike udhëtimi. Peizazhi i Shqipërisë është 70% e territorit malor, kështu që nëse e doni natyrën dhe ajrin e pastër, ajo duhet patjetër të jetë një nga destinacionet tuaja më të dëshiruara.

Një tipar tjetër dallues i këtij vendi është karakteri. Shqiptarët kanë një ndjenjë të madhe humori dhe një qëndrim të relaksuar: ndonjëherë, ky i fundit mund të bëjë një tendosje mbi durimin e udhëtarëve më entuziastë. Shqiptarët kujdesen shumë për traditat e tyre dhe është pak sikur vendi të ishte ndalur në kohë, duke frymëzuar për të jetuar dhe udhëtuar në një mënyrë të thjeshtë. Teknologjia shkon në sfond dhe udhëtimi këtu është një mundësi e shkëlqyer për të trajnuar për të jetuar në momentin e tanishëm. Shqipëria mund të arrihet me avion në aeroportin e vetëm të vendit, që ndodhet në kryeqytet, Tiranë.

Tirana, kryeqyteti aktiv e Shqipërisë, është një shkrirje e kulturave dhe zemra që rreth e këtij vendi interesant. Pas rënies së komunizmit në vitin 1992, Tirana ka ndryshuar pamje, duke transformuar atë që dikur ishte një qytet i fikur dhe i kufizuar, në një kryeqytet në ngjyra të ndritshme, me rrugët plot me bare dhe restorante dhe sheshe të reja publike të vendosura në çdo pjesë të qytetit .

Në qytetin bregdetar të Sarandës do të gjeni restorante të shkëlqyera të peshkut, një natë energjike dhe një atmosferë gëzimi. Në verë, Saranda gumëzhin nga të rinjtë dhe ofron një natë plot argëtim, me një natë që zgjat deri në dritën e parë të agimit.

Saranda është gjithashtu një bazë ideale për eksplorimin e qyteteve dhe plazheve të tjera përgjatë Rivierës. Nga këtu, ju gjithashtu mund të merrni tragetin në Korfuz, një nga ishujt më të gjelbër dhe të dashur të Greqisë. Shpesh, vizitorët që qëndrojnë në Korfuz vijnë këtu gjatë ditës për të zbuluar fqinjën shumë më të qetë dhe ekonomike se Greqinë, Shqipërinë.

Gjatë qëndrimit në Sarandë, sigurohuni që të vizitoni “Syrin e Kaltër”,i vendosur vetëm 20 km larg. Është një burim me thellësi prej më shumë se 50 metra, por nuk ka matje të saktë, pasi zhytësit kanë arritur të zhyten deri në 50 metra thellë./ ata

Shqipëria me shpenzimet më të ulëta në Evropë për kulturën

Sipas të dhënave të EUROSTAT-it, në vitin 2016 vendet e BE-së shpenzuan mesatarisht një për qind të PBB-së për argëtimin dhe kulturën, ndërsa sipas të dhënave kombëtare të INSTAT-it, Shqipëria shpenzoi vetëm 0.4 për qind të PBB-së për sektorin në fjalë.

Shpenzimet e qeverisë së përgjithshme për rekreacion, kulturë dhe religjion në Bashkimin Evropian (BE) në vitin 2016, ishin të pandryshuara nga viti 2015. Në eurozonë kjo shifër ishte pak më e lartë (1.1 për qind).

Sipas EUROSTAT-it shpenzimet totale për çështjet e argëtimit dhe kulturës në BE shkojnë për objektet kulturore dhe lehtësirat për shërbimet fetare dhe të tjera të komunitetit, si bibliotekat, muzetë, teatrot, shërbimet e transmetimit.

Në vitin 2016, shtetet anëtare me shpenzimet më të larta në të argëtimit dhe kulturës në raport me PBB-në ishin Hungaria (3.3 për qind), Estonia (2.1 për qind), Kroacia dhe Danimarka (1.8 për qind).

Në krahun tjetër Shqipëria me 0.4 për qind, Mbretëria e Bashkuar (0.6 për qind), pasuar nga Greqia, Italia dhe Portugalia (të gjitha 0.8 për qind), ishin vendet me shpenzimet më të ulëta në këtë aspekt.

Struktura e shpenzimeve të kulturës dhe argëtimit u dominua nga shpenzimet për shërbimet kulturore që ishin 0.3 për qind e PBB-së të ndjekura nga shërbimet e transmetimit dhe botimit me 0.2 për qind dhe ato për shërbimet fetare me 0.1 për qind të PBB-së. /Monitor/ KultPlus.com

Turistët i japin Shqipërisë 15 % të GDP-së, lë pas Serbinë

Turizmi në Shqipëri është një nga sektorët, i cili gjeneron të ardhura të shumta për ekonominë dhe buxhetin e shtetit. Sipas përllogaritjeve të fundit, shuma e parave të shpenzuara nga turistët e huaj përbën 14.8 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Kjo është një shifra e konfirmuar kohët e fundit nga Organizata Botërore e Turizmit e OKB-së, sipas së cilës në Ballkan, Mali i Zi kryeson me 21.8% të PBB-së, e ndjekur më pas nga vendi ynë”, shkruan “IBANA”

Ndërkohë, në vende të tjera si Serbia dhe Maqedonia, kjo përqindje është shumë e ulët, sepse këto vende nuk kanë bregdet siç ka Shqipëria dhe vendi fqinj, Mali i Zi.
Shqipëria ka fatin e madh, pas territori i saj laget nga dy dete. Deti Jon dhe Adriatik, janë dy burime të pashterueshme, të cilët kontribuojnë vazhdimisht për ekonominë shqiptare dhe thithjen e turistëve./KultPlus.com

Faqja më e njohur koreano-jugore: Shqipëria pika kulmore

Pikë kulmore e konsideron Shqipërinë koreano-jugorja travie.com, një nga faqet më të njohura aziatike në botë për udhëtimet turistike.

”Njohuritë për Shqipërinë ishin më të holla se një copë letre me lagështirë… Për fat të mirë, përshtypjet e para për Shqipërinë ishin mjaft mbresëlënëse”, thekson travie.com.

Koha më e mirë për të udhëtuar në Shqipëri është nga muaji prill deri në maj dhe nga muaji shtator deri në tetor. Moti i përgjithshëm është me dëborë dhe i lagësht në dimër, por verat janë të nxehta dhe të thata. Tirana është aq e lagësht në verë për shkak të efektit të saj gjeografik dhe është shumë e rrallë që temperatura të bien nën zero madje edhe në dimër.

Shqipëria ndodhet në bregun perëndimor të Adriatikut. Në veri janë Alpet e Shqipërisë së Veriut mbi 2 500 metra mbi nivelin e detit.

TIRANA

Ka tre pika që bien në sy. Njëra është Kulla e Orës, e ndërtuar në vitin 1822, e cila ishte ndërtesa më e gjatë në Tiranë (deri në 35 metra) deri në vitin 1971, ndërsa tjetra është xhamia e Et’hem Beut, pranë kullës së orës. Ndonëse nuk është madhështore, konsiderohet si një nga xhamitë më të bukura. Një gjë e fundit që nuk duhet të të humbasë është statuja e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ai është një monark shqiptar dhe një hero kombëtar që luftoi kundër Perandorisë Osmane në shekullin e 15-të. Emri i sheshit gjithashtu erdhi prej tij.

DURRËSI

Durrësi, rreth 40 kilometra në perëndim të Tiranës, është një kryeqytet i lashtë me rreth 3 000 vjet histori dhe qyteti më i madh portual në Shqipëri. Qyteti ka amfiteatrin e dytë më të madh romak në Ballkan.

BERATI

Berati është një qytet i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Origjina e qytetit fillon nga kështjella e Beratit (e quajtur ‘Carla’), e cila u ndërtua 2 400 vjet më parë. Ka ende më shumë se 1 000 banorë në kështjellë dhe shumica e ndërtesave duke përfshirë zonën e banimit janë ndërtuar në shekullin e 13-të.

Berati ishte gjithashtu i sunduar nga Perandoria Osmane, por pa sakrifikuar traditat e Kishës Ortodokse, ruhen stilet e jetës dhe traditat e para të paspushtimit. Pikë kryesore është stili bizantin te Katedralja e Shën Mërisë, e cila është një mbetje e një relikeje katolike. Emri i muzeut të katedrales erdhi nga piktori i famshëm i Shqipërisë Onufri i shekullit të 16-të./ ata

“Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”

Faik Konica njihet jo vetëm si një nga publicistët më të mirë, po edhe si njeriu që në të gjitha mënyrat e mundshme tregoi realitetin në të cilin ndodhej Shqipëria, shkruan KultPlus.

Shumica e vështrimeve të tij, akoma vazhdojnë të jenë të qëndrueshme, dhe vlerësohet të jetë një ndër figurat që ka njohur më së miri kombin e tij.

KultPlus sot ju sjellë një nga thëniet e tij.

“Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”.

Expressen.se: Të kalosh pushime të mrekullueshme në bregdetin shqiptar

Durrësi, zona bregdetare më e madhe në Shqipëri është duke u rritur paralelisht me Tiranën dhe këtu gati çdo centimetër i plazhit kilometrik është i mbushur me çadra shumëngjyrëshe.

Dy shezlone bashkë me një çadër kushtojnë vetëm 22 krona suedeze (2 euro) bashkë me të ngrohtin, detin pak të thellë dhe të bukur. Këtu përballesh më shumë me kulturën shqiptare të të pushuarit se sa me natyrën e vendit.

Turma miqësore, familje të mëdha, shitës ambulantë dhe kështu me radhë, shkruan gazeta suedeze “expressen.se” në një reportazh që ia dedikon pjesës turistike të Shqipërisë.

Në qendër të qytetit gjenden disa lagja të vjetra të rinovuara shumë këndshëm si dhe një amfiteatër i madh romak i ndërtuar për lojërat me gladiatorë, ndërsa në anë të detit pranë qendrës ka shumë klube të modës, restorante të mirë dhe plazhe të vogla ose hapësira luksoze për t’u larë me çmime të ulëta.

Vazhduam rrugën drejt jugut përgjatë bregdetit pas disa ditësh pushimesh me ndalesa për të notuar. Përveç Vlorës dhe Sarandës, të gjitha zonat e tjera bregdetare janë ende të vogla dhe të këndshme si dhe është shumë e lehtë të gjesh dhoma çift në hotele luksoze për 300-450 krona suedeze (28-45 euro).

Shqipëria është një vend malor dhe i gjelbër dhe shpeshherë malet bien mbi det, që i bën disa zona bregdetare të ashpra ku mund të shijosh një pamje të jashtëzakonshme.

Në jug të malit të Llogorasë fillon ajo që quhet Riviera Shqiptare. Dhërmiu që është zona bregdetare më e madhe e fshatit me të njëjtin emër dhe që ndodhet edhe në hartat turistike suedeze, bashkë me të gjitha zonat e tjera bregdetare në veri të Sarandës ofrojnë akomodim të mirë dhe gatim të shkëlqyer.

Saranda është vizituar nga turistët e huaj shumë herët dhe vazhdon të ketë një rritje të numrit të tyre. Ujërat e këndshme në jug të qytetit tani janë të mbushura me turistë. Megjithatë, kushdo ka qenë më parë mund të dallojë se cilësia e ujit është përmirësuar bashkë me turistët, pasi 15 vite më parë viheshin re më shumë mbeturina nëpër plazhet e Shqipërisë.

Përveç plazheve të Sarandës dhe Durrësit, që ndodhen në hartat turistike suedeze, gjendet edhe një zonë tjetër shumë e gjerë në bregun shqiptar, që ia vlen të vizitohet. Këto plazhe fillojnë në qytetin modern dhe në zhvillim të Vlorës, si dhe më pas vazhdojnë disa kilometra në jug përgjatë një gjiri të bukur ku mund të zgjedhësh mes hoteleve të vogla që kanë plazhin e tyre ose plazheve të mëdha që ofrojnë një variacion më të lartë akomodimi dhe restorantesh.

Këto plazhe përfundojnë përreth qytetit të vogël të Orikumit në jug të Vlorës, ku atmosfera në bregdet është më e qetë dhe hotelet së bashku me restorantet shërbejnë produkte deti shumë të shijshme me çmime të lira që prej 30 vitesh nuk i gjendeshin në Mesdhe.

Sigurisht, shumica e shqiptarëve janë të varfër, por risitë, restaurimet dhe godinat e reja po shtohen gjithnjë e më shumë. Vendi i duhur për të kaluar pushime të mrekullueshme me çmime të ulëta, por nxitoni sepse Shqipëria po konsiderohet gjithnjë e më shumë si një destinacion bregdetar po aq popullor sa Kroacia./ KultPlus.com

37 400 shtetas të huaj kanë hyrë në Shqipëri më 31 gusht

Sezonit turistik në Shqipëri vijon të tërheq çdo ditë pushues, pasi në datën 31 gusht në Shqipëri hynë 37 400 shtetas të huaj.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në analizën e mbajtur për sezonin turistik në qytetin e Vlorës, u shpreh në lidhje me numrin e turistëve që hynë çdo ditë në Shqipëri, i cili sipas tij krahasuar një vit më parë ka një rritje me 26,8%.

“Në total, në muajin gusht numërohen 1 400 064 vizitorë, që krahasuar me gushtin e kaluar pra atë të vitit 2017 , i cili ka qene 1 100 000, ka një rritje me 26,8% më shume shtetas te huaj të hyrë në një muaj në Shqipëri,”, -theksoi Klosi.

Klosi tha se këto shifra janë tregues shumë të rëndësishme dhe kjo është një arritje shumë e madhe mbas një pune të detajuar brenda një viti.

Numri i Turistëve te huaj ka arritur në 5.7- 5.8 milion në të gjithë Shqipërinë për vitin 2018 Ai tha se që duke vazhduar me të këtë rritem , viti 2019 e më pas do të përmbushi objektivat tona 10 milion Turist të huaj”- theksoi Klosi./ KultPlus.com

Nga Shkodra te riviera e jugut, italianët rekomandojnë pesë pika turistike

Është e qartë për të gjithë se Shqipëria tani ka hyrë në radarët e destinacioneve turistike që nuk duhen humbur. Është afër, lirë dhe plot me thesare për t’u vizituar.

Le të zbulojmë së bashku pesë vendet që nuk duhet të humbasin gjatë një udhëtimi në vendin e shqiponjave.

Tirana: qyteti që nuk fle kurrë

Kryeqyteti shqiptar po merret gjithnjë më shumë në konsideratë nga turistët (kryesisht italiane), të cilët janë kuriozë për të zbuluar qytete të ndryshme. I lidhur me shumicën e aeroporteve më të mëdha italiane, Tirana është një variant i mirë për t’u vizituar gjatë një fundjave apo edhe gjatë një qëndrimi më të gjatë.

Riviera Shqiptare, një mijë hije blu

Ju nuk mund të thoni se keni qenë në Shqipëri pa kaluar pak kohë në Rivierën e bukur shqiptare, shtrirjen e bregdetit që del nga kalimi malor i Llogarasë dhe përfundon në kufirin me Greqinë. Bregdeti jugor i Shqipërisë është vendi i plazheve idilike, gjiret e fshehura, fshatrat ortodokse me kisha me kupola blu dhe manastire të fshehura në pyje që shpëtojnë nga syri më i hutuar.

Gjirokastra, qyteti muze i Shqipërisë

Vend i Trashëgimisë Botërore që nga viti 2005, shembulli unik i arkitekturës otomane dhe qytet-muze i vendit, Gjirokastra është destinacioni më interesant i Shqipërisë. Jo vetëm për bukurinë e saj të padiskutueshme, por edhe për vendndodhjen e saj piktoreske, të rrethuar me male dhe të vendosura pak kilometra nga kufiri grek.

19th-century traditional Ottoman houses, mosque, from Castle hill in Gjirokastra (Gjirokaster), UNESCO World Heritage Site, Albania

Berat, qyteti me dritare të mbivendosura

Pak më shumë se një orë larg nga kryeqyteti, këtu është Berati, një xhevahir i vogël i vendosur mes maleve të larta dhe karakterizohet nga disa nga ndërtesat më të bukura në vend. Berati i detyrohet nofkën e tij shtëpive të mrekullueshme të tij të bardha të shpuara nga pikat e shumta të dritës që e kanë fituar pseudonimin e qytetit me dritare të mbivendosura.

Shkodër, dera në veri

Më pak i famshëm nga jugu, por po aq interesante, Shqipëria e veriut është një nga destinacionet e domosdoshme për këdo që kërkon të eksplorojë anën e egër dhe autentike të vendit. Pika fillestare për veriun e madh është Scutari, qyteti historik i Shqipërisë, vendi i vetëm i muzeut fotografik në Shqipëri, Muzeu Marubi dhe Kalaja Rozafa, një nga më të mëdhatë në Ballkan.(TravelNews.it, monitor)./ KultPlus.com

“Rana e Hedhur”, perla e Shëngjinit me plazhe të pastra dhe shëruese

Turizmi mbetet prioritet për Bashkinë e Lezhës dhe këtë verë bregdeti është çdo ditë e më i pastër.

Drejtoria e shërbimeve publike të Lezhës po vijon çdo ditë punën për pastrimin e plazhit publik te Rana e Hedhur.

Rana e Hedhur ndodhet fare pranë qytetit të Shëngjinit në veriperëndim të portit detar.

Vendasit e quajnë kështu sepse rrymat detare dhe era e kanë grumbulluar rërën në këtë gji të vogël detar në formë xhepi.

E veçanta është se ky grumbull rëre është i pastër dhe i veçuar nga plazhi i madh dhe është një plazh shkëmbor.

Ky plazh i vogël ka një shtrirje rreth 500 m i gjatë dhe rreth 100 m i gjerë.

Është një plazh me vlera kurative për shkak të pastërtisë së rërës dhe ambientit. Pushues të shumtë vendas dhe të huaj preferojnë të pushojnë aty.

Rruga që të çon drejt rërës së hedhur është një rrugë e kalueshme fal edhe bizneseve që kanë aktivitetin e tyre në këtë zonë./ata

Magazine: Turizmi, ari i Shqipërisë

“Toka e Shqiponjave” duket se ka zgjedhur rrugën e duhur për rimëkëmbjen e saj ekonomike: atë të një territori të ndodhur në një pamje të bukur të Mesdheut, në kufirin midis Jonit dhe Adriatikut, që më në fund ka arritur të përmirësojë gjendjen e saj detare dhe turistike pas dekadave të gjata të diktaturës komuniste.

Turizmi në Shqipëri është bërë tashmë një temë debati midis institucioneve politike dhe komerciale të “Tokës së Shqiponjave”.

Kështu e nis artikullin e botuar në përditshmen italiane “Magazine”, presidenti i Institutit të kërkimit të Ekonomisë dhe Politikës Ndërkombëtare, Domenico Letizia.

Fluksi i vazhdueshëm turistik që shikon Shqipërinë protagoniste absolute ka krijuar një rrjedhë të vazhdueshëm të kapitalit për investime të shumta në sektorët e mikpritjes dhe hotelerisë.

Flukset turistike, vazhdimisht në rritje në Shqipëri, kanë çuar gjithashtu në një rritje të kërkesës për ndërtimin e hoteleve në vend. Vetëm në vitin 2017 janë dhënë leje për ndërtimin e 53 hoteleve, në një sipërfaqe totale prej 89 mijë metra katrorë.

Kjo, 6 herë më e lartë se ajo e ndarë në objektet e akomodimit në vitin 2016. Vetëm në Tiranë po punohet për ndërtimin e një hoteli të madh me 5 yje, një investim prej rreth 30 milionë euro. Edhe “Hilton Garden Inn” gjithashtu po punon për një hotel të ri në kryeqytetin shqiptar. Shumica e lejeve të ndërtimit kanë të bëjnë me ndërtimin e strukturave hoteliere në bregdet. Qeveria shqiptare ka miratuar kohët e fundit lehtësira fiskale për ata që ndërtojnë hotele me 5 yje, duke i përjashtuar ato nga një sërë taksash.

Kryeministri Edi Rama në fillim të sezonit të verës theksoi se “masat e marra kohët e fundit nga qeveria në mbështetje të turizmit do të ndihmojnë zhvillimin në këtë drejtim të Shqipërisë”. Në mënyrë të veçantë, reformat e thella janë të lidhura me taksën e turizmit, e cila është reduktuar në 6% nga 20%. Pa harruar përjashtimin e pagesës së TVSH për hotele luksoze me 4 ose 5 yje. “Këto janë nisma konkrete, të cilat qeveria i sjell në mbështetje të zhvillimit të këtij sektori”, thotë Kryeministri shqiptar. Qëllimi i qeverisë është ta transformojë Shqipërinë në një destinacion kryesor turistik në Mesdhe.

Ndër projektet në zhvillim për promovimin e turizmit, Kryeministri ka nënvizuar ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe aeroportin e Vlorës. “Tuneli është një domosdoshmëri strategjike për të përmirësuar dhe shkurtuar distancën me bregdetin jugor”, ka përsëritur Rama, “ndërsa aeroporti i Vlorës do të jetë një hyrje dhe dalje për Shqipërinë, duke lehtësuar udhëtarët dhe turistët që duan të ndalojnë në jug të vendit tonë “.

Për më tepër, katër muze të rinj janë ndërtuar vitet e fundit. Në Tiranë, bunkerët e famshëm të kohës komuniste janë shndërruar në muze të vërtetë, si “Shtëpia e Gjetheve”, ku diktatura komuniste ka kryer aktet më të neveritshme. Është një ndërtesë jo shumë larg sheshit qendror të Tiranës, Sheshit Skënderbej, ku midis viteve 1944 dhe 1990 mijëra shqiptarë u morën në pyetje dhe torturuan nga shërbimet sekrete të regjimit komunist. I fshehur plotësisht nga pemët të gjithë e njihnin, por askush nuk e dinte saktësisht se çfarë ndodhte brenda.

I braktisur pas rënies së regjimit, “Shtëpia e Gjetheve” u rindërtua nga arkitektja italiane Elisabetta Terragni dhe dokumentet e gjetura brenda saj u bënë publike, siç janë procesverbalet e gjykimit të famshëm politik dhe përgjimet telefonike të kryera me pajisje të sofistikuara elektronike. Nga këtu, ministritë, ambasadat dhe hotelet kryesore kontrolloheshin me lidhje direkte në çdo dhomë të vetme. Pas Tiranës, kryeqytetit, Durrësi është qyteti i dytë shqiptar në aspektin e historisë dhe numrit të banorëve. Këtu gjenden amfiteatri romak, një forum bizantin dhe muzeu arkeologjik.

Bashkia shpenzon 8 milionë euro në vit për të rikualifikuar ndërtesat dhe strukturat. Burime të mëdha janë të destinuara për modernizimin e rrjeteve elektrike dhe të kanalizimeve: pastruesi i Durrësit, një impiant i gjeneratës së fundit, u realizua nga një kompani nga Puglia.

Megjithatë, shumica e përpjekjeve janë të përqendruara në port. Ashtu siç thekson kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, “ai duhet të jetë i qytetarëve”, sepse nuk është më vetëm industrial, por një impiant i destinuar për publikun, që përfshin edhe kroçerat.
Flukset kryesore turistike në Shqipëri mbeten të përqendruara përgjatë më shumë se 450 kilometrave të bregdetit Adriatik dhe Jon, ku është në zhvillim e sipër oferta e shërbimeve për turizmin e verës, i cili këtë vit shënoi një rekord të ri të pranisë së të huajve në vend.

Duke ofruar kushte të mira dhe mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit detar, edhe pse aktualisht infrastruktura është pak e zhvilluar.

Në periudhën janar-qershor të këtij viti, vizitorët që mbërritën në Shqipëri nga jashtë kanë tejkaluar pragun e 1 milion e 900 mijë njerëzve që kanë qëndruar në “Tokën e shqiponjave”, në shumë raste kthehen nga një vit në tjetrin ose gjatë periudhës së njëjtë gjashtëmujore. Hyrja në sezonin e verës ka rritur intensitetin e ardhjeve, të cilat në muajin qershor të këtij viti kanë prekur gjysmë milioni vizitorë, duke u rritur me 13.3% krahasuar me të njëjtin muaj të 2017 dhe kundrejt një mesatare prej + 9.1% në krahasim me tërë gjysmën e parë të vitit 2018.

Midis vizitorëve, në vend të parë janë qytetarët e Kosovës me 566.263 vizitorë në periudhën janar-qershor të këtij viti.
Bumi i vërtetë është ai që vjen nga vendi tjetër fqinj, Maqedonia, me 285,758 vizitorë në 6 muajt e parë: më shumë se 15,5% në gjashtë muaj dhe madje më shumë se 58,3% vetëm në qershor .

Në vendin e tretë, fqinji i jugut të Shqipërisë: Greqia. Nga gadishulli i Peloponezit, 221.144 turistë arritën në gjashtë muajt e parë, në rritje prej 10.5%. Ndërsa përsa i përket Italisë, renditja jonë duket e dyfishtë: e pesta pas Malit të Zi, duke iu referuar totalit të 6 muajve të parë të vitit; e katërta pas Greqisë, në lidhje me muajin qershor, në të cilin filloi sezoni turistik bregdetar dhe detar.

Nga janari deri në qershor, në Shqipëri erdhën 139,702 vizitorë italianë më shumë se 6.6%), nga të cilët 34,838 nga të cilët vetëm në muajin qershor më shumë se 5,6%).
Një gjë është e sigurt: institucionet shqiptare e shohin fenomenin turistik me interes ekstrem, si për potencialin ekonomik të turistëve, ashtu edhe për promovimin e investimeve të shumta në mikpritje dhe rikrijues.

Elementë thelbësore për ekonominë dhe rritjen infrastrukturore të vendit ballkani./ KultPlus.com

Shqipëria, destinacioni i anijeve të luksit

Shqipëria vazhdon të jetë një destinacion i anijeve të luksit, shkruan revista italiane “ItalianNetwor” e specializuar në informacione ekonomike dhe të natyrave të ndryshme për sipërmarrjet italiane që duan të investojnë në Shqipëri.

Kompania luksoze e udhëtimeve në det, “Oceania Cruises”, kohët e fundit ka blerë një anije të re, “Sirena”, për të cilën zhvilloi një ceremoni në portin e Barcelonës.

Pas bekimit, ashtu siç e meritonte, kumbarja Claudine Pepin, vajza e kuzhinierit të famshëm francez Jacques Pepin, preu, siç e kërkon tradita, shiritin që lëshoi një shishe me shampanjë “Moet & Chandon” në drejtim të anijes. Pas thyerjes së shampanjës vijoi një mori copëzash letrash me ngjyrë që binin nga qielli.

Përveç Claudine, në këtë ceremoni speciale morën pjesë edhe Frank Del Rio, drejtor i përgjithshëm i “Norwegian Cruise Line Holdings”; Jason Montague, president i “Oceania Cruises”; Jacques Pepin, babai i Claudine dhe drejtori ekzekutiv i kuzhinës në bord të anijes. Me një kapacitet prej 684 pasagjerë, “Sirena” është një anije që i përket projektit ku bëjnë pjesë tragetet “Regatta”, “Insignia” dhe “Nautica” dhe ofron shërbime me pesë yje, si për shembull ka katër restorante të klasit të parë, gjashtë sallone dhe bare elegante dhe shumë të pëlqyer.

Para se të hynte në shërbim, anija zhvillon një rindryshim radikal prej 35 ditësh me vlerën e rreth 50 milionë dollarëve, duke ndryshuar të gjitha hapësirat publike dhe kabinat duke përshtatur ambientet dhe shërbimet me nivelin që ofron “Oceania Cruises”.

Në bordin e “Sirena” u shtuan dy restorante të reja të specializuar, “Tuscan Steak” dhe “Red Ginger”. Për më tepër, me qëllimin që të ofrojë eksperiencën më të mirë në kulinari, restoranti kryesor, “Jacques Bistro” ofron një meny ekskluzive me disa prej pjatave më të famshme të gatuara nga dora e shefit Jacques Pepin.

Përse “Sirena” është e rëndësishme për Shqipërinë?

Durrësi, Kruja, Berati dhe Tirana janë destinacionet turistike të anijes “Sirena”. Pasi mbërritën në portin e Durrësit, 659 pasagjerët e parë u nisën me autobusë drejt këtyre destinacioneve që janë vende historike dhe muze.

Anija, që ka në bord turistë nga 24 vende të botës, nga SHBA-ja, Zelanda e Re, Britania e Madhe, Belgjika, Kanadaja, Tajlanda, Australia etj., ishte nisur nga porti grek “Argostoli”.

Itinerari i “Sirena” përfshin 12 porte, Maltën, Greqinë, Shqipërinë, Malin e Zi, Kroacinë, Italinë. Turi i parë përfundoi më 9 gusht në Venecia. Kjo anije, që mban flamurin e ishujve Marshall, e gjatë 181 metra, viziton brigjet shqiptare për herë të dytë./ KultPlus.com

Apollo: Pesë arsye përse duhet të vizitosh Shqipërinë

Kompania me e madhe skandinave e udhëtimeve turistike, “Apollo” rendit pesë arsye përse duhet të vizitohet Shqipëria.

Histori emocionuese dhe zhvillim interesant

Historia unike e Shqipërisë dhe fakti se vendi ka qenë i mbyllur për kaq shumë kohë e ka bërë atë një destinacion përtej të zakonshmes. Aty ka pafund thesare arkeologjike, kështjella, trashëgimi të UNESCOS-s dhe histori romake. Të udhëtosh këtu, tani, është një eksperiencë emocionuese, ndërkohë që zhvillimi është në aktivitet të plotë, por ende duhet shumë që të përfundojë. Pjesa më e madhe e asaj që është e vjetër është ruajtur, ndonëse shumë hotele janë krejtësisht të rinj.

Natyra përrallore dhe plazhet e bukura

A ka ndonjë gjë më të bukur se sa një destinacion me male të mrekullueshme dhe plazhe të bukur? Shqipëria i ka të dyja. Këtu pamja është gjithnjë e bukur, nuk ka rëndësi se ku je dhe nëse të pëlqejnë shëtitjet, ky është me të vërtetë një destinacion ëndërrash. Destinacionet turistike si Durrësi dhe Saranda kanë plazhe të gjatë dhe të pastër me yjëra të kristalta dhe të qarta.

Eksperienca gastronomike

Suedezët e kanë dashuruar prej një kohe të gjatë ushqimin italian dhe grek. Në Shqipëri do të gjeni një kombinim perfekt të këtyre aromave, të ndërthurur me specialitetet lokale. Ushqim deti i freskët dhe mish i shërbyer direkt nga zgara shoqërohen me perime të shijshme dhe fruta të ëmbla.

Miqësore me portofolin

Shqipëria është ende duke u zhvilluar dhe një destinacion turistik relativisht i ri, që do të thotë se çmimet janë disa prej më të ultave në Mesdhe!

Banorët

Shqiptarët janë njerëz të dashur, të ngrohtë dhe mikpritës. Gati çdo person me të cilin bisedon dëshiron që të flasë dhe të të tregojë për vendin e tij. Me sa duket shqiptarët janë të lumtur të presin turistë. Shumica e tyre flasin shumë mirë anglisht dhe si turist ndihmohesh me gjithçka që ekziston midis qiellit dhe tokës./ata

Televizioni më i madh në Kinë, reportazh për Shqipërinë: Heqja e vizave, shumëfishoi numrin e turistëve

Rritja e numrit të turistëve kinezë në Shqipëri ka tërhequr edhe vëmendjen e televizionit më të madh në Kinë, CGTN, i cili përgatiti një reportazh për Shqipërinë.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka dhënë një intervistë për këtë televizion, nga ku ka theksuar se Shqipëria po punon për krijimin e një paketë të re me një ofertë të trashëgimisë kulturore dhe kulinarisë.

“Ne jemi duke punuar shumë fort që të krijojmë një paketë të re me një ofertë të trashëgimisë kulturore dhe kulinarisë dhe po promovojmë agroturizmin më shumë se çdo gjë tjetër në vendin tonë”- tha ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në intervistën dhënë për televizionin CGTN.

Më tej, ai vuri në dukje se “Shqipëria po përpiqet të përfitojë nëpërmjet trashëgimisë së saj kulturore dhe kuzhinës për të tërhequr turistë. Nën rrugët e Tiranës, në qendër të qytetit është një labirint i bunkerëve nëntokësorë që tani është e hapur për turistët”- thekson televizioni kinez.

Televizioni kinez rendit gjithashtu atraksionet më të mëdha turistike në vendin tonë. Vendi i parë më i vizituar nga turistët kineze është Bunk’art, muzeu i komunizmit në Shqipëri kjo për shkak edhe të lidhjeve historike.

Qeveria shqiptare vendosi heqjen e vizave turistët nga Kina për periudhën 1 prill deri në 31 tetor 2018. Heqja e vizave me Kinën për 8 muaj në vit nga qeveria shqiptare ka dhënë rezultatet e para. Numri i turistëve nga Kina drejt Shqipërisë është shumëfishuar krahasuar me një vit më parë. Falë heqjes së vizave, Kina u rendit me shpejtësi në 5 vendet me më shumë vizitorë në Shqipëri./ata

“Corriere della Sera”: Plazhet e Shqipërisë, destinacioni i ri i turizmit europian

Ujëra të kaltër, rërë e imët dhe plazhe shkëmbore. Vend mesdhetar, kështjellat me pamje nga deti dhe panorama që të lënë pa frymë. Janë plazhet më të bukura të Shqipërisë, një destinacion i ri për turizmin europian, shkruan Francesca Masotti në një artikull të publikuar në rubrikën “Dove”, në gazetën italiane “Corriere della Sera”.

Vende ideale për një pushim në diell, det dhe qetësi. Nga plazhet e gjata ranore të bregut të Adriatikut deri në gjiret e gurëve të fshehur përgjatë bregdetit Jon.

Qoshe të vërteta parajse dy hapa larg Italisë. Është Kepi i Rodonit, një orë larg nga kryeqyteti, Tirana. Plazhi i Drimadhës, i ndarë në dysh nga një formacion shkëmbor.

Dhe përsëri: Ksamili, i quajtur “perla e Jonit”. Arritja e tyre nuk është gjithmonë e lehtë. Ndonjëherë është një aventurë. Shumë prej tyre janë pothuajse të padukshme.

Më poshtë kemi një galeri me plazhet e mrekullueshme të Shqipërisë nga veriu në jug, për t’u mbajtur mend dhe për të organizuar pushimet e verës gjatë këtij viti./atsh

National Geographic zgjedh Shqipërinë si finaliste për çmimet e 2018: Peizazhe interesante

Edicioni rus i revistës prestigjioze të udhëtimit “National Geographic” ka shpallur konkursin për çmimin “Traveler” 2018. Ndër finalistet për kategoritë e ndryshme të listuara, renditet edhe Shqipëria, e cila kryeson ndër destinacionet që duhen vizituar në fillim të vitit.

“Shqipëria shumë rrallë na del përpara, saqë shumë njerëz harrojnë për ekzistencën e këtij shteti në Ballkan. Por në Shqipëri ka shumë peizazhe interesante. Për shembull, ia vlen të vizitosh Beratin me kishat dhe xhamit e tij të lashta, kështjellën e Rozafës pranë Shkodrës, manastirin në Ardenicë dhe liqenet në Parkun Kombëtar të Lurës”, shkruan National Geographic.

Bashkë me Shqipërinë, finalistet në këtë kategori përfshijnë edhe Bahrainin, Islandën, Japoninë dhe Katarin.

Ndërkohë në kategorinë për pushimet më të mira në plazh përfshihen Mali i Zi, Spanja, Vietnami, Sri Lanka dhe Republika Domenikane. Në kategorinë pushime me familjen finalistet janë: Emiratet e Bashkuara Arabe, Kroacia, Greqia, Turqia dhe Tailanda.

Vitin e kaluar, “National Geographic” listoi vendin tonë mes 21 destinacioneve më të mira që duhen ndjekur në vitin 2018. (scan)

Shqipëria mes detit, historisë dhe gastronomisë

“Është madhështore që nga emri i saj, Shqipëria, vendi i shqiponjave”, shkruan Gloria Ciabbatoni e quotidiano.it.

Ndër legjendat më të njohura është ajo e një luftëtari të ri, i cili shpëtoi shqiponjën e vogël nga një gjarpër, nëna e zogut te vogël e mbrojti duke e bërë djaloshin një gjuetar aq trim sa njerëzit e kurorëzuan mbret duke e thirrur shqiptar, që do të thotë biri i shqiponjës dhe mbretëria e tij ishte e njohur si Shqipëri ose Toka e Shqiponjave.

Shumë afër Italisë, Shqipëria kufizohet me Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën dhe Greqinë në njërën anë dhe në detet Adriatik dhe Jon nga ana tjetër.

Tirana, kryeqyteti, përshkohet nga lumi Lana, është një qytet modern, me bare, pabe, restorante, disko alternative me ndërtesat e së kaluarës, me kështjellë bizantino-mesjetare, me sheshin e madh ‘’Skënderbej’’ me monumentin e heroit me të njëjtin emër kombëtar, me Kullën e Orës dhe mauzoleumin piramidal.

Një oaz i bukur i relaksimit është edhe liqeni artificial brenda parkut të Tiranës. Duke ecur nëpër qendrën historike ju mund të shihni ndërtesat e vjetra të stilit sovjetik, të gjallëruara nga ngjyrat që u japin atyre një kënaqësi origjinale, siç ishte dëshira e Edi Ramës, kryeministrit, i cili ka qenë edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, artist dhe profesor i pikturës në Akademinë e Arteve të Bukura.

Me teleferik ju mund të arrijnë malin e Dajtit, që ofron një pamje spektakolare të qytetit.

Nga Tirana ju mund të zgjidhni… të gjithë Shqipërinë!

Nëse zgjidhni detin, ndër vendet më të famshme të bregdetit janë Durrësi, Golemi i famshëm për plazhin si edhe Vlora. Janë të pajisur mirë, me hotele dhe restorante, por këshilla jonë është të shkojmë më tej në jug, në Sarandë, me një ndalesë në Dhërmi, 6-7 orë me makinë nga Tirana. Rruga vazhdon përgjatë bregut, pastaj ngjitet në mal për të zbritur me kthesa zig-zag që ofrojnë një pamje të mrekullueshme të gjelbërimit të maleve dhe të blu të detit. Dhërmiu është një fshat i bukur në rrethin e Vlorës, pranë maleve ku gjendet Manastiri i famshëm i Shën Mërisë. Fshati është i gjithi prej guri, dhe bregdeti prej pesë kilometrash me rërë të artë ose me zhavor të bardhë dhe të lëmuar, me gjiret e vogla ku arrihet më këmbë ose nga deti, kanoe ose anije me pedale. Ndër plazhet më të bukura, janë ato të Jalit dhe Palasës.

Mos humbisni një vizitë në Manastirin e Shën Theodhorit dhe të vizitoni shpellën e famshme të Piratëve.

Në Jale, ”Soleil Village & Villas” është një hotel shumë i këndshëm, afër bregdetit ku ka restorante aq të mira sa edhe të lira. Rekomandohet udhëtimi me anije përgjatë bregut ku gjenden shkëmbinjt të mëdhenj dhe shpella të lashta misterioze. Gjatë udhëtimit drejt Sarandës ne mund të shohim Porto Palermon, një gji të bukur ku ka pasur një bazë ushtarake nëndetësesh me një bunker të gërmuar në shkëmb.

Edhe dy orë me makinë dhe ti je në Sarandë, por mund të marrësh më shumë pasi pamjet të lënë pa frymë dhe është e pamundur të mos ndalesh për t’i fotografuar.

Perla e bregdetit Jon, pothuajse para Korfuzit (ajo është e lidhur me tragete), është e njohur për klimën e saj të bukur dhe detin e kristaltë të pastër. Deti, limane, plazhe me rërë, por edhe, për të parë, Kalaja e Lëkuresit, manastiri i 40 shenjtorëve dhe burimi i këndshëm i ujit të Syrit të Kaltër.

Qyteti, me 50 mijë banorë, i dyfishuar në verë, dhe ku nuk ka mungesë të jetës së natës, përfshirë bare dhe restorante përgjatë bregdetit.

Restorantet?

“Ne e dimë se italianët janë shumë të kërkuar në këtë drejtim, por në Shqipëri ushqimi është me të vërtetë shumë i shijshëm, kryesisht mesdhetar me peshk të freskët, mish të pjekur në zgarë, sallatë greke, perime, fruta me bollëk, dhe … pica! Ju do të takoni shumë shqiptarë që kanë punuar në Itali dhe flasin italisht, njohin zakonet e vendit tonë kështu që gjithmonë ndiheni pak si në shtëpi.

Një shembull i mikpritjes së re shqiptare është hotel ”Bouganville Bay”, me katër yje, dy kilometra larg nga qëndra e Sarandës, i inauguruar në 2016, një ndërtesë me dhoma të ndryshme, që ofron shtëpi dhe apartamente të ndryshme. Ai është e vendosur buzë plazhit me tarraca të mëdha dielli, 5 pishina me ujë deti, tre restorante dhe tre bare. Një shembull modern se si mund të kombinosh komfortin modern me një traditë të lashtë të mikpritjes. Menaxheri flet një italishte të shkëlqyer dhe është i pazëvendësueshëm me informacionet për vendin.

Jo shumë larg Sarandës ndodhet një plazh i famshëm, në Ksamil, i pajisur shumë mirë me çadra dhe shazllonë, ku restorantet shërbejnë sallatra të freskëta, fritura dhe koce. Nga këtu ju duhet (nëse nuk shkoni do të jetë një ”krim!”) në një vend afër arkeologjik të Butrintit (www.butrint.al), një pasurie e trashëgimisë botërore( UNESCO), në një gadishull të gjelbër në lagunë.

Në hyrje, nën një ndërtesë prej druri, gjendet një fole, ku një dallandyshe sjell ushqim për të vegjlit. Një ambient paqeje që do të na ndjekë gjatë rrugës dhe ku mund të marrësh një atmosferë pozitive dhe të mirë, sikur të kishte perëndi të lashta për të na mbrojtur. Nëse ju nuk keni një udhërrëfyes ekzistojnë fletëpalosje edhe në italisht ku flitet për histori të shekullit VII para Krishtit, periudhën romake, bizantine, helenike, veneciane dhe otomane.

Fillon kthimi për në Tiranë përgjatë rrugës malore për të ndaluar në Gjirokastër, një qytet i vogël me rrugica të ngushta që të çojnë në kështjellë. E themeluar në shekullin XII, me kalimin e kohës ishte një përzierje e kulturave greke, romake, bizantine, turke dhe shqiptare. Kalaja që daton në shekullin V pas Krishtit dhe përmban një koleksion të bukur të armëve të lashta. Një kuriozitet: një aeroplan amerikan është vendosur në kështjellë.

Berati

Ndodhet në një rrugë të tërthortë përgjatë rrugës për në Tiranë, që njihet si “qyteti i një mbi një dritareve” për arkitekturën e tij të ruajtur në mënyrë të përkryer që daton që në periudhën osmane. Ai shtrihet përgjatë lumit Osum, në mes të fushës dhe kodrës ku duken edhe rrënojat e kalasë . Më poshtë është qyteti i vjetër, në anën myslimane, Mangalem, në veri të lumit dhe në jug të lumit (ka dy ura për ta kaluar atë) të krishterët, Gorica. Por, ndarjet mes dy feve janë të papërfillshme, aq shumë saqë në Mangalem Xhamia e Plumbit dhe Katedralja Ortodokse Shën Dhimitri janë shumë afër.

Nga këtu për në Tiranë rreth 100 kilometra dhe natën e fundit mund të kaloni në ”Plaza Hotel”, një hotel luksi me pesë yje në zemër të qytetit.

Turizmi

Kryeministri Edi Rama: “Me Italinë një marrëdhënie miqësie dhe besimi”

Turizmi shqiptar po rritet dhe po arrin në shtatë për qind të PBB-së. Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, vendi ka 3 390 atraksione turistike, duke përfshirë vende historike, kulturore dhe natyrore, këto të fundit janë zgjeruar, si edhe 15 parqe kombëtare, ku e dallon atë nga vendet fqinje, por edhe nga Europa Veriore (p.sh. nga Norvegjia). Vizitorët italianë po rriten në mënyrë të vazhdueshme dhe turizmi italian po vë bast me Shqipërinë.

Eliana Bertozzi, sipërmarrëse e re nga Romagna, u largua nga Rimini dhe u zhvendos në Tiranë për t’u bërë CEO i AlbaniaTravel (www.albaniatravel.com), shoqëri e lindur në vitin 2017 (2018 është sezoni i parë operativ), me 100% në pronësi të Alpitour Spa, ku mund numërohen në të 350 struktura me 3, 4, 5 yje. Ajo ofron pushime detare, kulturore dhe sportive, gjithashtu organizon ngjarje të korporatave dhe merret me fluturimet dhe linjat e trageteve.

Fjalët e saj gjejnë konfirmim në ato të Edi Ramës, kryeministrit të Shqipërisë, ish-kryebashkiakut të Tiranës, artistit dhe njohësit dhe admiruesit të Italisë. Edi Rama, duke pritur gazetarët italianë, me mirësi, saktësi dhe disa formalitete, tregon planet për të rinovuar fshatrat dhe fermat, por edhe për të inkurajuar investimet në objektet turistike me 4-5 yje dhe për të krijuar aeroportet në Vlorë, në verilindje dhe në qytetin e Sarandës.

Me aeroplan nga Italia

Duke pritur për aeroporte të reja ndërkombëtare, nga ajri nga Italia ne arrijmë vetëm në Tiranë (nga këtu është e këshillueshme të marrësh me qira një makinë, kostot janë të ulëta dhe rrugët shumë të mira).

Linja më e fundit ajrore është Ernest, me kosto të ulët, e themeluar në 2015 në Milano, me dy fluturime nga Malpensa në Tiranë dhe gjashtë fluturime gjatë javës nga Piza në Tiranë.

Dhe lidhjet me Orio al Serio, Bologna, Verona dhe Venecias për në kryeqytetin shqiptar. Ka një raport të mirë për çmim-kualitet me vende të rehatshme dhe me staf të disponueshëm dhe miqësor./ata

“Nuk ka Shqipëri dhe Kosovë”

Dritëro Agolli ishte një poet e shkrimtar i madh që shpesh në veprimtarinë e tij artistike e politike ka prekur edhe çështjen e Kosovës, shkruan KultPlus.

“Nuk ka Shqipëri dhe Kosovë, por ka Shqipëri këtej Drinit dhe Shqipëri përtej Drinit”, thoshte Agolli.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në datëlindjen e 85-të të shkrimtarit Agolli, i ka dorëzuar atij dekoratën e Pavarësisë së Kosovës, për kontributin e çmuar që ka dhënë, në ditët më të vështira të Shqipërisë së andej Drinit, siç e quante Agolli Kosovën./ KultPlus.com

Komediani britanik viziton Shqipërinë dhe e sjellë përmes një dokumentari

“E zymtë është fjala me të cilën e asocioja unë Shqipërinë. Kam dëgjuar natyrisht për bandat e kriminelëve shqiptarë në Londër. Por kur them Shqipëria, mendoj komunizmin dhe komunizmin e lidh me pamjet që kam parë nga ish Bashkimi Sovjetik”.

Me këtë paragjykim e ka nisur udhëtimin e tij në Shqipëri, komediani i famshëm britanik Romesh Ranganathan i cili shfaqi mbrëmë në BBC 2 episodin e tij të tretë të serialit të tij të përjavshëm ku kësaj herë eksploronte vendin tonë. Vetë komediani thotë se për arsye të panjohura, britanikët mesatarë e konceptojnë Shqipërinë nga klipet e bardh e zi të epokës së komunizmit, pjesa më e madhe e të cilave gabimisht janë xhiruar në Moskë.

Ishte detyra ime që të zbuloja pse Xhejms Belushi është përpjekur të bindë botën se Shqipëria është një alternativë e mundshme.

Me të mbërritur në Shqipëri, Romesh Ranganathan zbulon në fakt se ky nuk është aspak një vend i zymtë dhe i mjerë, megjithëse bie shi dhe moti është gri. I drejtuar përgjatë gjithë udhëtimit të tij nga gazetarja e Erjona Rusi, Romesh nis eksplorimin e tij nëpër Shqipëri por pasi është ftuar në studion e emisionit “Rreze Dielli” ku madje provon jo vetëm rakinë por edhe të gatuajë me Zonjën Tefta.

Udhëtimi i komedianit britanik vijon më pas në fshatin Shën Gjergj ku mikpritet nga banorët e zonës e madje kalon natën në shtëpinë e Fatmirit, një bari i fshatit.

Zbulimi i Shqipërisë vijon me bregdetin, pamjen spektakolare në Kepin e Rodonit ku pavarësisht temperaturave të ulëta Romesh dhe Erjona zhytën në ujin e ftohtë të detit Adriatik. Dokumentari vijon më pas në një prej pikave më të bukura në veri të Shqipërisë, në Theth ku aventura bëhet edhe më e rrezikshme dhe argëtuese pas një udhëtimi rraskapitës prej 7 orësh.
Pavarësisht paragjykimeve të tij përpara se të mbërrinte në Shqipëri, komediani britanik Romesh Ranganathan zbulon në fakt përgjatë këtij udhëtimi se Shqipëria është një destinacion i veçantë pushimesh.

Erdha në Shqipëri me një mendim të caktuar, e lidhja Shqipërinë me komunizmin, dhe me krimin, një vend krejtësisht të zymtë. Kur sheh për mundësinë e vendeve që do të udhëtosh, natyrisht që zymtësia komuniste por edhe kriminaliteti e heqin Shqipërinë nga lista por Shqipëria ka ecur përtej kësaj. Do të jepja të gjithë argumentat që duke ecur këtu ndjehesh i sigurt njësoj si në Londër. ky vend ka gjithçka mund të kërkosh nga një udhëtim në varësi të llojit të pushimeve që dëshiron të bësh. Do të bësh një pushim në qytet, ke Tiranën, do plazhin, Shqipëria e ka. do të shkosh në mal, Shqipëria e ka. I ka pra të gjitha këto. Po, është paksa pas për shkak të komunizmit. Po, është paksa e ashpër around the edges, por nëse nuk e ke problem dhe do të vish në një vend që vuan nga paragjykimet historike, atëherë ky është një vend i mrekullueshëm për ta vizituar.

Romesh e mbyll udhëtimin e tij në Shqipëri me një kujtim tepër të veçantë, në një bunker në Shkodër ai përjetëson Shqiponjën dy krenare me anë të një tatuazhi në krahun e tij./ KultPlus.com

France 3: Shqipëria, një destinacion i panjohur

“Shqipëria, një prej vendeve më pak të njohur në periferi të Mesdheut, hapet ndaj turizmit. Avantazhet e saj: plazhe ende të virgjra, një vend i mbushur plot histori dhe çmime të lira”, kështu e prezanton vendin tonë televizioni francez “France 3” në një dokumentar të shkurtër ku i bën thirrje turistëve francezë që të vijnë të vizitojnë Shqipërinë.

Rreth 2 orë e 30 minuta larg nga Parisi, një vend pak i njohur, i madh sa Belgjika, Shqipëria, prej shumë kohësh e mbyllur me misteret e saj, prej disa vitesh i është hapur për turizmin. Fqinjët italianë apo grekë e njohin shumë mirë, ndërsa francezët ende shumë pak.

Denise, 85 vjeç dhe shoqja e saj Jeanne, e zgjodhën si destinacion për një javë, pasi kishin eksploruar gjithë Mesdheun për shumë vite.

“Kishim përshtypjen se ky ishte çasti, që çmimet do të rriteshin ndërkohë që njerëzit do të njihnin më shumë Shqipërinë”, thotë Denise Million. Por një prej surprizave për dy pensionistet ishte që mund të diskutonin me shqiptarët, sepse vendi është shumë frankofil.

Peizazhe të mrekullueshme

Berenger e ka pëlqyer aq shumë Shqipërinë sa që ka vendosur të qëndrojë dhe po bën gati 10 vite. Në fillim ai erdhi të hapur një uzinë. Më pas, ai ngriti një agjenci udhëtimesh për të sjellë francezë që e imagjinojnë si një vend të mbytur nga mafja.

“Shqipëria ka një reputacion. Shqipëria është ajo që është. Në të kundërt, Shqipërinë e do kur jeton këtu”, garanton ai.

Një vend ende i virgjër, peizazhe të mrekullueshme dhe qytete që ndodhen në trashëgiminë botërore të UNESCO-s.

Shqipëria, me pamjen e saj si të Greqisë në vitet 1950, tërheq vetëm 45 000 francezë, por frekuentimi është duke u rritur ndjeshëm. Vetëm këtë vit është rritur me 30%./ KultPlus.com

Revista e njohur australiane: Shqipëria, diamanti i pazbuluar i Europës

Revista australiane që i dedikohet udhëtimeve “The Journal” i ka dedikuar një shkrim kulturës dhe natyrës së Shqipërisë.

E vendosur mes veriut të Greqisë dhe ujërave të kaltër të Italisë, Shqipëria duhet të jetë një Mekë turistike.

Me një histori të mrekullueshme, bukuri natyrore dhe kuzhinë mesdhetare Shqipëria është diamanti i pazbuluar i Europës.

Kultura
Shqipëria nuk ngjan me asnjë vend tjetër në Tokë. Pasi u sundua për 500 vite nga Perandoria Osmane, në shekullin e XX u bë një prej vendeve më të izoluar në botë, pasi diktatori komunist Enver Hoxha theu lidhjet me BRSS-në, Kinën dhe Jugosllavinë.

Historia gjeografike dhe politike e vendit, bashkë me gjuhën e saj unike, i ka mundësuar shqiptarëve të ruajnë disa veçanti të mrekullueshme kulturore. Gjëja e parë që mund të vërejë një i huaj është se shqiptarët lëvizin kokën larët e poshtë kur duan të thonë “jo” dhe e tundin kur duan të thonë “po”, duke krijuar disa çaste të këndshme deri sa arrin të thyesh barrierën e gjuhës.

Mikrobuzët, mjetet kryesore të transportit, nuk kanë tabelë oraresh, kryesisht largohen kur mbushen plotë. Por vonesat kalohen lehtësisht nga mikpritja, me kulturën shqiptare për të respektuar miqtë. Banorët përpiqen në maksimum që një vizitor në vendin e tyre të mos mërzitet. Disa qytete bllokohen krejtësisht në fillim të darkës, pasi të gjithë dalin për një “xhiro”. Një ecje tradicionale, ku do të gjeni grupe personash të veshur mirë që shëtisin deri sa të mbarojë dita në shoqërinë e miqve duke biseduar për ditën. Nëse futeni në zakonin e xhiros, jini të vëmendshëm të shihni dordolecë të vendosur nëpër shtëpi, për shkak të një supersticioni antik, kjo përdoret për të larguar zilinë.

Ushqimi
Pa dyshim që gjithë kjo ecje do ju lërë të uritur, por për fat të mirë jeni në pjesën e duhur të botës për të ngrënë. Kuzhina këtu është një përzierje e gjeografisë. Tavë kosi, mish qengji i pjekur në enë balte, vezë, kos, byrek i shijshëm i stilit ballkanik, si dhe fërgesë, një gatim me perime, gjizë dhe erëza që përkon me periudhën osmane. Por ka edhe një theks të fortë italian, kështu që një picë e mirë nuk është e vështirë që të gjendet, si dhe shumë karkaleca dhe produkte deti përgjatë brigjeve.
Zakonisht vetëm pak sekonda pasi të ulni pirunin do të njihni rakinë, një goditje e fortë për shpirtin që thuhet se ndihmon tretjen. Por nëse dëshironi diçka më të butë, terreni i larmishëm i vendit ofron një shumëllojshmëri të jashtëzakonshme verash lokale që do ju duhet t’i mbani shënim, por mund të provoni edhe birrat lokale si “Korça” apo “Tirana”.

Qytetet

Tirana
Birra e shijshme quhet njësoj si kryeqyteti Tirana, një qytet i mbushur me ngjyra, hapësira të gjelbërta dhe një personalitet të fuqishëm. Mund të filloni duke eksploruar bunkeret e saj, Hoxha ishte paranojak për luftën dhe mendimet e tij janë përkthyer në 750 000 bunkeret në gjithë vendin. Mund të filloni me “Bunk’Art”, një bunker gjigant sapo del nga qyteti që është transformuar në një muze të artit bashkëkohor. Bunkere të tjerë më të vegjël janë transformuar në klube nate, muze, kafene madje edhe shtëpi!
Piramida e rrënuar dhe plotë piktura në qendër të qytetit u dizenjua nga vajza e Hoxhës si një muze në kujtimin e tij. Ajo u ndërtua në vitin 1988, por vendasit e panë të arsyeshme ta lënë atë të rrënohet për të kujtuar Hoxhën. Ndërsa të rinjtë e Tiranës kanë vajtur më larg, duke e përdorur piramidën si një rrëshqitëse gjigante. Pasi dielli perëndon, merr një xhaketë ose një karton për ta mbajtur poshtë që të rrëshqisni për të kaluar disa çaste të thjeshta argëtimi.

Kruja
Në veri të Tiranës është Kruja, vendlindja e heroit kombëtar Skënderbej. Qyteti mesjetar në buzë të Malit Kruja ka qenë dikur kryeqyteti, por sot është një qytezë e vogël e ngulitur në historinë e Shqipërisë. Merrni një dozë historie në muzeun etnografik, eksploroni fortesën, hyni në xhaminë disa shekullore të vjetër, shihni artizanë vendas që punojnë në anë të rrugës dhe kërkoni për orendi shtëpie dhe objekte antike në tregun e vjetër osman, një vend perfekt për të kaluar një ditë larg kryeqytetit.

Berati
Berati, që ndodhet në listën e UNESCO-s, që quhet “qyteti i një mbi një dritareve”, është i famshëm për shtëpitë e tij të bardha osmane dhe shtigjet e pjerrëta me kalldrëm që të dërgojnë në kështjellën e shekullit të 13-të. Ndërsa në lumin Osum që rrjedh poshtë mund të zhvillohen aventura me rafting nëpërmjet kanioneve të tij, ose shëtitje të këndshme pasdite për më pak të guximshmit.

Shkodra
Kryeqyteti i veriut, Shkodra, mendohet të jetë një prej qyteteve më të vjetra në Europë dhe shpesh konsiderohet si zemra kulturore e vendit. Shihni statujën e heroinës Nënë Tereza, shëtisni në rrugët e ngushta dhe shihni urën e vjetër osmane sipër lumit Kir. Shkodra është gjithashtu porta hyrëse për disa prej zonave me bukuri natyrale të paprekur ku mund të kryhen ecje malore të mrekullueshme.

Natyra
Shqipëria ka rreth 30% të jetës bimore të Europës, ku shumica gjenden në 15 parqet kombëtare të vendit. Në veri të Shkodrës ndodhen Bjeshkët e Namuna, që nuk janë tjetër përveç se maja të mbuluara me dëborë dhe të përshtatshme për ecje malore, ose thjesht mund t’i admirosh. Në të njëjtën frymë është Liqeni i Ohrit që ndan Shqipërinë me Maqedoninë dhe me ekosistemin e tij me uji të ftohtë mendohet se është një prej liqeneve më të vjetër në botë. I mbushur me pushues vendas mund të kryeni shumë aktivitete si sportet ujore apo noti.
Bregu jugor është një prej zonave më të mrekullueshme për zhytje në Europë, ku mund të eksploroni anije të fundosura të epokës romake dhe shpella të paprekura. Madje do të keni shumë hapësirë për të kryer këtë sport, sepse zhytja ishte e ndaluar në kohën e Hoxhës për të mos lejuar njerëzit që të arratiseshin, pra ky është një aktivitet ende i ri për shqiptarët.
Ndërkohë që jeni duke udhëtuar në rrugët e fjetura pranë Liqenit të Ohrit apo rrugët plot gjallëri të Tiranës, hidhini një sy deleve, dhive apo kafshëve të tjera sepse nuk është e zakonshme të shkëmbehesh rrugës me një bari dhe bagëtinë e tij, shkruan ata./ KultPlus.com

The Guardian shkruan për Shqipërinë: Festivali Kala të bën të ndjehesh si në parajsë

“Shqipëria po tërheq turistë të moshave të reja, për të kërcyer në plazhet e saj dhe për të eksploruar përtej brigjeve të panjohura për vizitorët”, shkruan The Guardian në artikullin kushtuar Kala Festival por edhe turizmit në vendin tonë.

Se sa seriozisht ministria shqiptare e Turizmit po e merrte festivalin Kala- ngjarjen e parë ndërkombëtare të këtij lloji në vend– kjo gjë u duk që në momentin kur zbritëm nga varka në Sarandë ku u pritëm nga një grup policësh të cilët shoqëruan konsulentët tanë gjatë rrugës që dredhonte nëpër male.

Kjo dhe ardhja e kryeministrit Edi Rama të nesërmen, për një konferencë shtypi të papritur buzë pishinës me organizatorët në hotelin tonë.

“Shqipëria ka qenë gjithmonë e bukur”, tha ai, ndërsa një kamardare flamingo ngjyrë rozë kalonte përmes pishinës prapa tij. “Por njerëzit e perceptojnë atë si një vend ku të grabisin ose të vrasin … Por stigma na ka ndihmuar. Kur dikush vjen për vizitë dhe kthehet shëndoshë e mirë, ata e kuptojnë se është një parajsë! Është si molla e ndaluar: mos e kafshoni ose do e dëshironi atë gjatë gjithë kohës“.

Sa për opinionin e tij për Kalanë? “Duhet të pranoj, nuk di asgjë për festivalin, por, në parim, është diçka fantastike”, tha ai, duke ofruar një natë me birrë shqiptare falas para se të largohej.
Humor i hollë ballkanik dhe birrë falas për më tepër, Shqipëria nuk është në krye të listës së vendeve më të vizituara të Europës.

Ajo vizitohet nga rreth 80,000 turistë nga Mbretëria e Bashkuar në vit – një numër i vogël krahasuar me 3 milion që udhëtojnë çdo vit në Greqinë fqinje, ose 765,000 që vizitojnë Kroacinë aty afër saj. Por ky trend ka gjasa të ndryshojë. Në vitin 2014, Neë York Times e përfshiu bregdetin shqiptar mes destinacioneve më të mira të saj (“Kjo është Europa në kohën kur çdo gjë ishte e freskët dhe e lirë”, shkruan ajo), ndërsa Lonely Planet e renditi kryeqytetin e saj, Tiranën, mes vendeve më të mira për t’u vizituar në Europë këtë vit.

Kala – një festival një-javor i cili zhvillohet në qershor në resortin turistik të Dhërmiut – mund të konsolidojë reputacionin e Shqipërisë si destinacion i ri me plazhe dhe i përshtatshëm për festa, në të njëjtën mënyrë që Outlook dhe Dimensions e vendosën Kroacinë në hartë për britanikët e rinj. Për momentin, Dhërmiu është pak i vështirë për të shkuar: një fluturim në Korfuz, pastaj katër orë me traget dhe autobus. Megjithatë, me aeroportin e ri që pritet të hapet në Vlorë (vetëm 50 km larg nga Dhërmiu) në vitin 2020, aksesi do të përmirësohet në mënyrë dramatike.

Festivali Kala gjithashtu ka një program dedikuar jetës së shëndetshme.

Kalaja (Kala) u zhvillua muajin e shkuar në pesë vende në Dhërmi, kryesisht me hotele me bare buzë detit. Vetëm 2,000 bileta u vunë në dispozicion, kështu që kishte mjaftueshëm hapësirë në plazh, ujë të pastër si kristal, si dhe restorante të qeta (linguinet me fruta deti tek restorant Luciano ishin më të preferuarat).

Biletat e festivalit përfshinin paketat e akomodimit, nga shtëpizat e plazhit, B & B tek hotelet luksoze, të gjitha brenda rrezes së festivalit. Me një program Wellness (yoga dhe banja me gong përballë detit Jonian) i cili ofrohet paralelisht me eventet muzikore, festivali siguron hapësirë edhe ata që janë të interesuar për pushime të qeta (i ngjashëm me festivalin veror të Kroacisë Obonjan) ndërsa për ata që dëshirojnë të festojnë gjatë gjithë natës (ka muzikë deri në orën 6 të mëngjesit çdo ditë).

Repertori ishte kryesisht muzikë elektronike, përfshirë grupet underground të Londrës – Feelings, Secretsundaze, Phonica dhe Stamp the Ëax – për të formuar një turmë (shumë ndjekës të festivalit ishin nga Mbretëria e Bashkuar), si dhe të preferuarat e Moodymann, Maurice Fulton dhe Tama Sumo dhe Lakuti . Performuesit kryesorë ishin Tom Misch dhe Todd Terje, ndërsa shpirti dembel dhe i rrahur nga dielli i Roy Ayers e bëri turmën të gjithën për vete.

Ekipi që themeloi Kala – Mainstage Travel – është iniciatori i një prej festivaleve më të mëdha të dimrit në Europë, Snoëboxx. Përgatitjet për të lançuar një festival vere, kishin nisur prej tri vitesh. “Ne bëmë kërkime në Portugali, Kroaci, Itali, Spanjë, Maltë, Marok, por nuk gjetëm asnjë vend të paeksploruar”, shprehet Alan Crofton, drejtori i festivalit. “Në tetor të vitit të kaluar, ne vizituam Dhërmiun për herë të parë dhe menjëherë na tërhoqi potenciali i tij. Ideja është se je me pushime, ndaj vjen dhe çlodhesh në plazh … “

Shumica e njerëzve më të cilët fola, e konfirmuan një gjë të tillë. “Gjëja më e mirë do të ishte të shkonim diku ku nuk kemi qenë kurrë më parë”, tha Rebecca, 27 vjeç, nga Londra.

“Doja të shkoja në një festival jashtë vendit. E zbulova në Resident Advisor dhe fotot dukeshin të mahnitshme. “
Teksa shumë prej nesh qëndruan për një javë të plotë, ministria e Turizmit i inkurajonte të ftuarit që të eksploronin vende të tjera të rivierës shqiptare.

Këto ishin Gjiri i Gramës, i quajtur ndryshe simotra shqiptare e plazhit të Aleks Garlandit – një gji i veçuar i aksesueshëm vetëm me anije, me ujin blu që të lë pa frymë dhe me qindra mbishkrime nëpër shkëmbinj që datojnë qysh në shekullin e 3 para Krishtit; Burimi i Syrit të Kaltër, një pishinë 45 metra e thellë e rrethuar me pemë lajthie; dhe plazhi i Ksamilit, një fshat bregdetar nga i cili mund të eksplorohen me barkë katër ishuj të pabanuar.

Për mua, pjesa më mbresëlënëse nga Kalaja ishte pikëtakimi në Gjipe, plazhi dhe vendkampingu ekologjik në gjirin më tutje, një udhëtim me gomone që zgjati gjashtë minuta nga Dhërmiu. Vetëm përtej plazhit, i rrethuar nga bimësi e harlisur dhe shkëmbinj të thepisur në ngjyrë të kuqe, ndodhej një skenë e vogël dhe sistem audio, ku mundëm të kërcenim deri në perëndim të diellit dhe erdhi koha për t’u kthyer me barkë.

DJ-të duke përfshirë Bjørn Torske, Nick The Record dhe Jenifa Mayanja, luajtën me radhë për një turmë me fytyra të buzëqeshura dhe të përkëdhelura nga dielli … muzika që përplasej me grykën, ndryshonte ngjyrë çdo orë nën sfondin e një drite që zbehej. Një shëtitje në kanion, na çoi tek një ujëvarë e fshehtë – një gjurmë sekretesh të tjera që kjo pjesë e bregdetit mund të nxjerrë.

Kryeministri nuk po bënte shaka kur thoshte se ky vend është një parajsë.

Doli se nuk po bënte shaka edhe për birrën falas. Vetëm dy ditë përpara përfundimit të festivalit, unë u ndesha me Crofton, i cili qeshte vesh më vesh. “Sapo mora një mesazh nga kryeministri,” tha ai. “Na ka nisur një paletë me birra … Mendoj se të gjithë në festival, do të kenë një birrë falas.”/KultPlus.com