The Sun: Braktiseni Greqinë për Shqipërinë, është më lirë dhe po ashtu e mrekullueshme

Mund të kurseni para duke këmbyer pushimet në buzë të detit në Greqi me bregdetin Shqiptar, shkruan e përditshmja britanike “The Sun”.

“Bregdeti jonian i Shqipërisë është shumë pranë atij të Korfuzit dhe mund të arrihet lehtësisht që nga ishulli grek dhe plazhet e saj janë njësoj të mrekullueshme. Nëse dëshiron të krijosh varietet përse të mos vizitosh Shqipërinë?”, thekson gazeta në një artikull që i dedikohet destinacioneve alternativë, ndaj atyre popullore, për të kaluar pushime të mrekullueshme.

“Një avantazh i madh është fakti se është shumë më e lirë se sa fqinji, shumë i pëlqyer por i mbytur me turistë”, thuhet në këtë artikull.

“Një kriko kushton vetë 0,58 paund në Shqipëri kundrejt 1,8 paund në Korfuz, nuk po bëjmë shaka!”, përfundon “The Sun”./ ata

Sezoni turistik vjen me aktivitete të larmishme në të gjitha qendrat urbane (VIDEO)

Aktivitete të shumta kanë gjallëruar qendrat urbane dhe fshatrat nga veriu në jug me festat e traditës, festat e kulinarisë dhe festat e muzikës, duke i dhënë ngjyra fantastike këtij sezoni.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri Edi Rama shpërndan një video me pamje nga disa prej qyteteve të Shqipërisë gjatë këtij sezoni tursitik.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje të aktiviteteve të shumta që këto dy muaj kanë gjallëruar qendrat urbane dhe fshatrat nga veriu në jug me festat e traditës, festat e kulinarisë, festat e muzikës duke i dhënë ngjyra fantastike këtij sezoni, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Kryeministri Rama.

Shqipëri-Japoni, bashkëpunim në fusha të ndryshme kulturore e humanitare

Shqipëria dhe Japonia po bashkëpunojnë në fusha të ndryshme kulturore dhe humanitare.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Tokio, përveç takimeve institucionale me ministritë dhe ente të rëndësishme të autoriteteve japoneze, ka në fokus të veçantë promovimin e traditave dhe kulturës shqiptare.

Për këtë arsye, ambasadori i Shqipërisë në Japoni, Gjergj Teneqexhiu priti në zyrën e tij Shuji Kogi, Sekretar i Përgjithshëm i EU Japan Fest një organizatë joqeveritare, e cila merret me koordinimin e aktiviteteve kulturore ndërkombëtare.

Gjatë këtij takimi u diskutua për mundësinë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme kulturore dhe humanitare mes dy vendeve.

“10 mijë buzëqeshje” për turistët e huaj në Shqipëri

Turistët e huaj që mbërritën në portin më të madh të vendit u pritën nga instalacioni “10 mijë buzëqeshje” i realizuar në kuadër të projektit “Smile Albania”, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Një pjesë e tyre u njohën me fletë-palosje dhe guida turistike, teksa niseshin për vizita drejt qyteteve historike të vendit tonë. Një projekt që ju la një ndjesi mjaft të këndshme turistëve.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, vizituan kroçerën “Gemini”, me të cilën mbërritën në port 699 turistë nga Turqia.

Klosi dhe Dako u pritën nga Drejtori i përgjithshëm Ekzekutiv i APD, Afrim Bakaj, i cili i njohu me disa nga ndryshimet pozitive në kalatën 5, ku ankorohen anijet e mëdha turistike.

Ministri Klosi vlerësoi përgatitjet në kuadër të projektit “Smile Albania”, një instalacion i të cilit është realizuar edhe në hyrje të Terminalit perëndimor.

Në mjediset e kroçerës “Gemini”, ministri Klosi dhe kryebashkiaku Dako u pritën nga kapiteni dhe drejtues të anijes, që vlerësuan veçanërisht mikpritjen në portin më të madh të vendit tonë, shkruan ata.

Klosi u njoh me itineraret e anijes turistike, duke kërkuar më shumë lundrime drejt porteve të vendit tonë. Ai shtoi se sitet turistike në disa nga qytetet historike po vizitohen nga mijëra turistë të huaj./ KultPlus.com

Vij nga Amerika në Shqipëri, e lahem me orar

Nga Agim Xhafka

Çdo vit unë vij në Shqipëri. E marr parasysh udhëtimin e gjatë nga Amerika, lodhjen e shpenzimet, se dua të gjendem mes njerëzve të mi të gjakut, shokëve dhe miqve.

Shkoj te varrezat, te prindërit, bisedoj gjatë me ta, besoj që më dëgjojnë, rri me gocën, nipin, mbesën, të afërm e plot të njohur e ia mbath ca ditë nga Vlora deri në Sarandë. Ca ditë se më tepër nuk ia vlen. Stresohesh, acarohesh, grindesh, sëmuresh, tërbohesh e mund të shkosh në djall.

Unë nuk jam si ca të fandaksur që duan partinë mbi Shqipërinë. Këtë as e them, as e mendoj. Por, veten e dua, e dua shumë, edhe më tepër se Shqipërinë. Se një jetë kam që do e falja për njerëzit e mi, por për atdheun e sotëm kurrë.
Kjo Shqipëri nuk është e imja, ma kanë vjedhur e më kërkojnë haraç ata që pandehin se janë pronarë të saj. As 800 mijë banorë nuk ka Tirana e unë lahem me orar, se për të pirë ka vite e vite që ujin e blej. Krahasoj ajrin me të vendeve pranë, jo atyre të zhvilluara, e del që është 4 herë mbi normat e lejuara. Shoh grafikët e zhurmave dhe shigjeta në Shqipëri po i drejtohet hënës. Kryeqyteti ynë si një kapanon i madh, ku prodhon sëmundje e tret njerëz.

Plazhet pa drita, ose me voltazh që frigoriferi nuk ngrin gjë e kondicioneri vërtit ajrin e nxehtë. Derdhen në bregdet mutrat e gjysmës së kombit. Ia kanë mbathur edhe peshqit, e shumta gjen në breg ndonjë breshkë të ngordhur. Rrugët copë e gropë, bajpaset u transformuan në qendra fshatrash e qytetesh, ku ka veç qenë se njerëzit kanë marrë arratinë. Shyqyr diellit nuk i kanë menduar ndonjë rreng hë për hë.

Në këto kushte unë, i përmalluar për vendin, por i gjendur në grackën e tij, i thërras mendjes e iki me vrap kudo, veç Shqipëri mos quhet. Shkoj në Itali e pushoj si njeri, vete në Greqi e ndjej që zemra më zbutet, shpirti më qetohet. Shkoj në Mal te Zi e gjej rehati, arrij në Maqedoni e nxehem që as si ky vend nuk u bë Shqipëria ime.

Unë e dua veten, e dua shumë. Nuk më shkon ta them që e dua më shumë se vendin tim. Por kështu më del, se Shqipëria e ca njerëzve nuk i do shqiptarët. Na përbuz e na largon, nuk na ofron gjë. Ndaj unë iki e si Bajroni i këndoj këtij largimi, nxjerr dufin, trishtimin, inatin, por nuk qëndroj. Iki. / KultPlus.com

Një shqiptar dhe një serbe mbajnë flamujt e njëri-tjetrit në duar, “Politika e Ballkanit ta shpif”

Pas ndeshjes mes Serbisë e Zvicrës në kampionatin botëror, ku Zvicra triumfoi me dy gola të shënuara nga dy futbollistë nga Kosova, fotografitë e tyre me simbolin e shqiponjës pushtuan edhe mediet botërore, shkruan KultPlus.

Ervin Kurti dhe Manuela Janićijević janë paraqitur me një fotografi krejt tjetër, duke bashkuar flamujt e dy shteteve dhe duke mbajtur flamurin e shteteve të njëri-tjetrit.

“Mendoj se politika në Ballkan ta shpif. Të rinjtë e rajonit tonë duhet ta duan vendin e tyre, duhet ta kujtojnë të kaluarën por mbi të gjitha duhet të shikojnë kah e ardhmja. E ardhmja e Ballkanit, e ardhmja jonë është Evropa”, ka shkruar Kurti në fotografinë e publikuar. / KultPlus.com

Britanikja: 7 arsye për të shkuar në Shqipëri

Britanikja “Metro” i ka dedikuar Shqipërisë një artikull nën titullin “7 reasons to go to Albania”/ “7 arsye për të shkuar në Shqipëri”.

Në të gjithë artikullin shtjellohen shtatë arsyet që “Metro” e nis me festivalin “Kala” në Dërmi, ku mund të kërceni gjithë natën.

Mund të kërceni gjithë natën
Roy Ayers, Todd Terje dhe Black Madonna do jenë prezent në festivalin një javor të muzikës “Kala”, i cili zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, në Dhërmi prej të mërkurës. Krahas muzikës, disko, jazz dhe techno në fokus janë edhe masazhet, yoga në perëndim të diellit dhe rafting në Kanionet e Osumit.

Ose shijoni plazhin
Ju mund të kaloni një jetë të tërë duke eksploruar 265 kilometra bregdetare të Shqipërisë, por në vend të një jete, drejtohuni në rivierë. Duke u shtrirë nga Saranda në jug të Vlorës në veri, pjesa më e madhe e këtij rajoni ishte një zonë ushtarake gjatë kohës komuniste dhe është kryesisht e pazhvilluar. Aty ku mungojnë vendpushimet luksoze, plazhet janë më të izoluara dhe ofrojnë më shumë privatësi, por edhe vendet janë më të lira dhe do kurseheni goxha.

Zbuloni një botë të lashtë
Një nga arkeologjitë më të rëndësishme në Shqipëri është Butrinti, i cili është pjesë e Trashëgimisë së UNESCO-s dhe rrënojat e tij datojnë që nga shekulli i tetë p.e.s. Qyteti qendror i Beratit, i shënuar edhe në Unesco dhe rreth pesë orë larg, është i mbushur me kisha bizantine dhe xhami otomane të lidhura me rrugë të lashta me kalldrëm. Mos harroni Voskopojën, i njohur si fshati i artistëve për shkak të piktorëve të shumtë që ka nxjerrë.

Shihni nga afër problemet e pasluftës
Peizazhi i rrokullisur është i mbushur me bunkerë nga epoka e pasluftës. Më i madhi – bunkeri atomik që i përket ish-diktatorit Enver Hoxha – u hap në 2014 si Bunk’Art 1, një muze mbi historinë dhe sekretet e regjimit të tij.

Kjo u pasua nga Bunk’Art 2 në vitin 2016. Ju gjithashtu mund të vizitoni Shtëpinë e errët të gjetheve, një vilë të veshur me hardhje në kryeqytetin Tiranë që dikur ishte selia e shërbimit sekret shqiptar dhe tani është i hapur si Muzeu i Mbikëqyrjes. Gjithashtu mos harroni dhe ishullin e Sazanit, një bazë ushtarake e braktisur jashtë brigjeve të Vlorës.

Provoni koktejet në lokalet e shumta të Tiranës dhe për këtë drejtohuni në Bllok, lagje në kryeqytet.
Pjatat e shijshme nga ushqimi mesdhetar do e kthejë vaktin tuja në një festë.
Ose mund të vizitoni malet e larta dhe liqenet e thella
Në veri, Alpet shqiptare posedojnë një bukuri të egër që nuk e gjen askund. Historia e rajonit është e mbyllur në gjakmarrjet e lashta dhe folklorin, dhe jeta bujqësore mbetet e pandryshuar prej shekujsh – mos u habitni kur të shihni fermerët që tokën e lërojnë akoma me kaun dhe zgjedhën. Në lindje të vendit, ujërat kristalizuese të Liqenit të Ohrit janë si diçka nga parajsa. Poshtë në jug, shumica e turistëve shkojnë në anën maqedonase për arkitekturën osmane dhe kishat bizantine, por nuk e humbasin qytetin e Pogradecit për një ‘shije’ ndryshe.

Prestigjiozja britanike: 7 arsye pse duhet ta vizitoni Shqipërinë

E përditshmja britanike “Metro” me tirazhin më të lartë në vend (1.47 milionë), i ka kushtuar në edicionin e mëngjesit të sotëm një artikull promovues Shqipërisë. Gazeta jep “7 arsye për të shkuar në Shqipëri”, të cilat variojnë që nga jeta e natës e deri tek kulinaria dhe natyra, duke e bërë kështu tërheqëse për shumë grupmosha të ndryshme.

“Mund të kërcesh tërë natën” është arsyeja e parë dhe jep si shembull festivalin butik “Kala”, i cili organizoet këtë vit për herë të parë në plazhin e Dhërmiut.

Arsyeja e dytë është “të qetësohesh në plazh”. Metro shkruan se vija bregdetare e Shqipërisë është e mjaftueshme e gjatë për ta eksploruar gjatë gjithë jetës. E përditshmja veçon rivierën e jugut, e cila është në një pjesë të madhe e pazbuluar dhe e pazhvilluar në një sens pozitiv. Edhe pse i mungojnë resortet luksoze, sipas Metro, vendi e kompenson këtë me plazhet e guvat e fshehura, si dhe me kampingjet e shpërndara përgjatë bregdetit.“Të zbuluarit një botë të lashtë” është arsyeja e tretë, e cila risjell në vëmendje pasuritë e shumta arkeologjike të Shqipërisë dhe pikat e mbrojtura nga Unesco.

Në të shkuarën mbështetet edhe arsyeja e katërt: “të rijetuarit trazirat e pasluftës”. Bunkerët e mëdha antiatomike dhe muzetë që tregojnë historinë e komunizmit e bëjnë sipas gazetës britanike Shqipërinë një vend plot sekrete për të zbuluar.

Koktejlet dhe kryeqyteti shumëngjyrësh janë arsyeja e pestë për të vizituar Shqipërinë. Gazeta vlerëson transformimin e Tiranës dhe baret e shumta që kanë lulëzuar në hapësirën e ish-bllokut.

Kulinaria është arsyeja e gjashtë dhe Metro shkruan se turistët mund të kënaqen duke ngrënë pjata të shijshme që variojnë që nga sufllaqet, sallatrat, mishi e deri tek ushqimi i freskët i detit.

Në fund, Metro ka rezervuar si arsye shumë të rëndësishme për të vizituar vendin tonë edhe Alpet e Shqipërisë, si dhe Liqenin e Ohrit. Këto janë vende ideale për të zbuluar më tepër mbi folklorin e vendit, jetën bujqësore të mbetur thuajse të pandryshuar për shekuj me radhë. Në lindje, shkrimi sugjeron të vizitojnë ujërat e kristalta të liqenit, por edhe qytetin e Pogradecit për të zbuluar më tepër mbi jetën e tij buzë liqenit./scan/

Swedish Nomad: 15 fakte interesante që ndodhin vetëm në Shqipëri

Shqipëria konsiderohet por edhe sugjerohet nga shumë media të huaja një ndër destinacionet që duhet vizituar gjatë 2018.

Blogu i famshëm i udhëtimeve Swedish Nomad ka renditur 15 fakte nga Shqipëria, të cilat janë unike dhe vështirë se mund t’i gjesh në vendet e tjera.

Që nga dordoleci për të larguar shpirtrat dhe deri tek shpulla që “ha” pasi qethesh, faqja e njohur tregon 15 faktet interesante të cilat njëkohësisht janë edhe argëtuese.

1.Ka më shumë Shqiptarë që jetojnë jashtë vendit se sa brenda territorit të Shqipërisë. Komunitetet më të mëdha të diasporës shqiptare janë gjetur veçanërisht në Itali, Argjentinë, Greqi, Kroaci, Turqi, Skandinavi, Gjermani, Zvicër dhe Shtetet e Bashkuara. Dhe sigurisht Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia janë plot me shqiptarë.

2.Në Shqipëri nuk ka McDonald. Nëse jeni duke kërkuar për një restorant McDonald në Shqipëri do t’iu marrë shumë kohë pasi nuk ka një të tillë në asnjë cep të vendit. Megjithatë ka një zinxhir të ngjashëm me ushqim të shpejtë të quajtur Kolonat.

3.Gjuha shqiptare është shumë unike. Nuk ka asnjë gjuhë tjetër të ngjashme me shqipen. Është e njohur si gjuhë indo-evropiane, edhe pse ka “një degë të pavarur në pemën e kësaj gjuhe”. Ka shumë dialekte, por dy kryesoret janë Tosk dhe Geg.

4.”Xhiro”- shëtitja e mbrëmjes. Një traditë shqiptare ku njerëzit bëjnë shëtitje në mbrëmje në një rrugë kryesore. Është një mënyrë e mirë për të biseduar.

5. Ka pasur vetëm 3000 automjete në gjithë vendin pas rënies së komunizmit. Në fund të “epokës” komuniste, në vend kishte rreth 3 milion njerëz, por kishte vetëm 3000 vetura. Kjo ndodhi për shkak se makinat private ishin të paligjshme gjatë komunizmit.

6.”Po-ja” nënkupton “Jo” dhe “Jo” nënkupton “Po”. Kjo mund t’ju bëjë disi konfuzë por kur shqiptarët përgjigjen me po nënkuptojnë “jo” dhe kur tundin kokën ata thonë “po”. Mbajeni këtë mendje nëse zakonisht i përgjigjen pyetjeve me kokë.

7.Zyrtarisht 70% e shqiptarëve janë myslimanë por numri i shqiptarëve që e praktikojnë këtë fe është më i ulët. Këto janë numra zyrtarë, por në realitet, ka shumë më pak njerëz që e praktikojnë në mënyrë aktive fenë. Kjo është edhe për faktin se feja u ndalua gjatë epokës komuniste. Shqipëria u bë vendi i parë në botë që përvetësonte ateizmin nën sundimin e Enver Hoxhës.

8.Kultura e kafes është e lartë. Sidomos ekspresi është një pjesë e kulturës dhe jetës së përditshme Ju do të shihni njerëz të ulur në bare dhe kafene gjatë gjithë kohës. Shumë prej tyre gjithashtu e fillojnë ditën me një kafe turke.

9. Pasi keni prerë flokët, berberi mund t’ju japë një shuplakë. Pasi t’ju ketë qëlluar mund t’ju thotë një “me shëndet” që domethënë se po e bën “për shëndetin tuaj”.

10.Shqipëria ka më shumë se 3250 lloje të ndryshme bimësh. Kjo është e barabartë me 30% të të gjithë florës së Evropës. Ka një shumëllojshmëri bimësh dhe lulesh.

11.Supersticionet. Në përgjithësi shqiptarët janë të njohur si supersticiozë, sidomos në brezat e moshuara. Nuk është e pazakontë që të besojnë në fat të mirë ose të keq, si psh: S’duhet të prisni thonjtë gjatë natës, nëse të dridhet syri ndodh diçka e keqe, nuk duhet të hedhësh bukën, nuk mund të hysh në shtëpi me këmbën e majtë, e marta është ditë tersi etj. Të gjitha këto janë shenja se të ndjek fati i keq.Por ka edhe shenja të tjera që mund të jenë fat i mirë si psh kur një zog mund t’ju bëjë glasën sipër ose kur një fëmijë mund të urinojë në prehrin tuaj. Për këto nuk duhet të shqetësoheni pasi ju pret diçka e mirë.

12.Shqipëria ka 70% të sipërfaqes së saj të mbuluar nga malet. Mund t’ju duket si vendi i maleve pasi 70% e territorit mbulohet prej tyre. Mali më i lartë është Korabi me lartësi 2764 metra.

13.National Geographic e përshkruan si një ndër destinacionet më të mira në vitin 2018.Në vitet e fundit, turizmi është rritur shumë në Shqipëri dhe gjithnjë e më shumë njerëz po e zbulojnë këtë vend të bukur.

14. Mbi 700 000 bunkerë u ndërtuan gjatë kohës së komunizmit. Ka shumë bunkerë. Megjithatë, shumë nga ata janë shkatërruar, por ka ende disa që kanë mbetur për të provuar ekzistencën e tyre të mëparshme. Disa prej tyre janë bërë edhe brenda bareve, kafeneve e kështu me radhë.

15. Nënë Tereza është shqiptare dhe ka marrë çmimin NOBEL.Ajo konsiderohet si heroina e vendit dhe është e vetmja shqiptare që ka marrë çmimin Nobel.

Pse Skënderbeu ishte faktor uniteti mes Shqipërisë dhe Greqisë

Aktivitetet shkencore të mbajtura në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, vazhdon të ngjallë interes jo vetëm nga publiku por edhe nga studiues të shquar të huaj dhe shqiptarë që prezantojnë për herë të parë studimet e tyre shkencore, mbi vlerat e paçmueshme që figura e heroit ka tejçuar në shekuj në letërsinë por jo vetëm.

Ndërsa për disa kjo figurë mbetet frymëzuese dhe simbol i lirisë dhe luftës ideale, për të tjerë Skënderbeu mbetet hero jotipik për shkak të karakterit dhe simbolikës që ai mbart përtej kufijve.

Pas ligjëratës së mbajtur sot në nder të figurës së Skenderbeut, albanologu Titos Jochalas tha në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se ndjehet i nderuar që është ftuar zyrtarisht nga kryeministri i vendit, për të folur mbi veprën e tij albanologjike ”Skënderbeu në historiografinë dhe letërsinë greke moderne”.

”Skënderbeu është një figurë e madhe jo vetëm për Shqipërinë por dhe për Europën. Kam konstatuar se shtatorja sot e Skënderbeut ka ende shpatën e tij të diplomacisë ndoshta për të bërë beteja të tjera fitimtare për Shqipërinë dhe popullin e tij shqiptar”, – u shpreh Jochalas.

Ai tha se ”figura e Skënderbeut është simbol uniteti midis grekëve dhe shqiptarëve pikërisht e epiriotëve. Grekët e kanë vënë Skënderbeun si një figurë që bashkoi grekët gjatë revolucionit kombëtar dhe si një figurë me fitoret kundër turqve, ka mbetur një simbol unik. Për këtë gjë heroi kombëtar ka emocionuar grekët dhe janë shumë libra që janë shkruar deri sot të cilat janë një thesar i unitetit ballkanik”.

Në fund albanologu Jochalas u shpreh për simbolin tonë se,”shqiptarët kanë figurën dykrenare ku një kokë duhet të shohë në Europë, ndërsa koka tjetër duhet të shoh brenda vetvetes që shqiptarët të mos humbasin traditat, gjuhën, pra vlerat që kanë sot shqiptarët”.

Konferenca Albanologjike është e ndarë në tre sesione. Sesioni i parë nisi në maj dhe përfundon më 26 qershor. Sesioni i dytë gjatë muajve shtator dhe tetor. Të dy këto sesione i janë dedikuar ligjëratave të gjata të studiuesve të ndryshëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Dhe sesioni i fundit, ai i tretë, në nëntor ku do të publikohen dhe konkluzionet, teksa të gjitha studimet dhe punimet do të publikohen në një moment të dytë gjatë vitit 2019./ KultPlus.com

Les Echos shkruan për lobimin kulturor të Shqipërisë në BE

Gazetarja franceze Martine Robert vizitoi Tiranën disa javë më parë dhe bisedoi me Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro drejtues të institucioneve artistike, publike dhe private, artistë, etj. “Në publik e në privat luhet karta e kulturës europiane”, është shkrimi i botuar në të përditshmen Les Echos nga gazetarja Martine Robert, shkruan KultPlus.

Ndërkohë që Bashkimi Europian do të shprehet në fund të qershorit për hapjen e negociatave me Shqipërinë, vendi përshpejton lobimin e tij kulturor, nis shkrimi i gazetares.

Galeria Kombëtare e Arteve, që i dedikohej Realizmit Socialist, do të zgjerohet së shpejti, ndërkohë që Muzeu Historik Kombëtar ka hapur një tender ndërkombëtar me qëllim rinovimin e tij. Shqipëria dëshiron të afirmojë dimensionin e saj kulturor kozmopolit në prag të një përgjigjeje vendimtare në fund të qershorit mbi hapjen e negociatave që synojnë pranimin në Bashkimin Europian.

“Shqipëria është një vend i ri në moshë, ku 28% e 3 milionë banorëve janë më pak se 18 vjeç, dhe ku demokracia nuk është më shumë se një çerek shekulli. Ne kemi kaluar pesë shekuj nën sundimin otoman, fituam pavarësinë jo më parë se 1912-a, dhe pesëdhjetë vjet në diktaturë, një nga më të egrat e kontinentit europian, e cila e izoloi vendin dhe ndrydhi sektorin privat. Familja jonë është Europa”, – thekson Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.

Muzeu më i ri “Shtëpia me Gjethe” gjendet në selinë qëndrore të Shërbimit Sekret për të denoncuar tmerret e diktaturës komuniste. “Gjithë elita intelektuale e vendit u eleminua gjatë asaj periudhe”, sqaron drejtoresha e këtij muzeu, Etleva Demollari.

Në udhëkryq të ndikimeve të shumta kulturore (romake, helene, sllave etj.) dhe fetare (gjatë historisë së tij vendi njohu me ligj ateizmin, çka shpjegon dhe bashkëjetesën paqësore të katolikëve, ortodoksëve, myslymanëve…), Tirana do të përfitojë nga këto ndërthurje : këtë gjë e dëshmon dhe xhamia e Et’hem Beut, në rinovim e sipër, përballë Operas me një arkitekturë sovjetike.

Ndërkohë që qeveria mendon për vendosjen e ligjit të mecenatit bazuar në modelin francez, shfaqen nisma private si Bazement, një qendër arti e menaxhuar nga disa artistë. “Ka ardhur koha të vendosim një skenë artistike këtu”, – thekson piktori Genti Korini.

Ndërsa Përparim Kalo ka hapur një nga galeritë e rralla në Tiranë.

“Numërohen rreth dhjetë koleksionistë në vend, por tregu është ende embrional. Organizoj ekspozita jashtë vendit në mënyrë që artistët tanë të njihen edhe andej, ashtu siç bëra në Këshillin e Evropës në Strasburg, apo nëpër panaire. Po ashtu, po mendoj të hap një sallon dedikuar artistëve të Ballkanit”, – shpjegon ai.

Themeluesi i qendrës kulturore Tulla, Rubin Beqja organizon ekspozita, konferenca, mbrëmje DJ… “Ne tërheqim një publik të ndryshëm dhe një komunitet krijuesish. Është e rëndësishme të kontribuosh që ta bësh Tiranën sa më të dëshirueshme”, thekson ai.

Bashkëpunimi me Francën

“Ne përpiqemi me të gjitha forcat që të rigjenerojmë ekosistemin, ndërkohë që shumë artistë janë larguar jashtë vendit, si Anri Sala për shembull. Institucionet duhet të luajnë një rol të rëndësishëm nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre në evente si Bienalja e Venecias”, – shton drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Erzen Shkololli. Pas fillimit të punimeve për modernizimin e saj, me mbështetjen e mundshme të diasporës, ai shpreson të arrijë në 300.000-400.000 vizitorë në vit kundrejt 125.000 që vijnë aktualisht.

Vetë Kryeministri Edi Rama, edhe ai artist, e ka dhënë shembullin tashmë. Kati i parë i Kryeministrisë është transformuar në një qendër kulturore.

“Qëllimi kryesor është që arti bashkëkohor të jetë i aksesueshëm për të gjithë, me pesë ekspozita në vit pa pagesë”, – komenton Genti Gjikola.

Po ashtu, vila e ish-diktatorit Enver Hoxha sapo është kthyer në qendrën e një ekspozite për të prezantuar dorëshkrimet bizantine, otomane, persiane, veneciane, të nxjerra nga Arkiva e Shtetit. Për arkivistin Sokol Cunga, “këto thesare janë prova e mozaikut kulturor që është vetë Shqipëria”.

Franca, e cila hapi që në vitin 1912 Liceun e Korçës, shoqëron edhe tani këtë nismë të re.

“Shqipëria ka nevojë të njihet. Bashkëpunimi ynë universitar, gjuhësor, artistik, arkeologjik është i rëndësishëm sepse Shqipëria vuan nga imazhi i keq që lidhet me të kaluarën e saj, me korrupsionin, me numrin e madh të azilkërkuesve”, – thekson Rose-Anne Bisiaux, këshilltare për veprimtarinë kulturore në Ambasadën e Francës./ KultPlus.com

https://www.lesechos.fr/industrie-services/services-conseils/0301725884386-albanie-public-et-prive-jouent-la-carte-de-la-culture-europeenne-2180286.php

“Shqipëria do të ketë më shumë turistë se shtretër”

Lushnja mund të shndërrohet në një pikë të ndërmjetme turistike për sa i përket agroturizmit, agropërpunimit dhe ofertave alternative turistike përveç bregdetit.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi vijoi turin e llogaridhënies me publikun në qytetin e Lushnjes.

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit tha se për herë të parë këtë sezon turistik, Shqipëria do të ketë më shumë turistë sesa shtretër, ndaj duhet shtuar oferta turistike, duhet rritur shërbimi për të përballuar prurjet e turistëve të huaj. “Nëse nuk kuptojmë që duhet t’i shërbejmë turizmit si industri nuk do të ecim përpara”- u shpreh ministri.

Ministri Klosi theksoi se qëllimi i dikasterit të tij është shndërrimi i Shqipërisë në një destinacion europian turistik dhe gjetja e një ekuilibri midis zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe mbrojtjes së qëndrueshme të Mjedisit. Për këtë janë ndërmarrë shumë masa për të ndryshuar situatën mjedisore. “Në asnjë rast nuk jemi kundër biznesit por në çdo rast jemi në raport të drejtë me interesin e qytetarëve”, theksoi kreu i mjedisit duke iu referuar mbylljes së guroreve me malin e Tomorit dhe Urën Vajgurore.

Në bashkëbisedimin me qytetarët, ministri Klosi kërkoi që për çdo shqetësim qytetarët të shkruajnë në platformën e bashkëqeverisjes./ KultPlus.com

Rriten çmimet në hotelet shqiptare

Shqipëria po shndërrohet në atraksion për shumë turistë nga Maqedonia, Greqia, Italia, Gjermania, Polonia, Anglia, Çekia

Qeveria shqiptare ka lehtësuar vitin e kaluar sektorin e hotelerisë nga taksat, por çmimet e akomodimit po vijnë në rritje.

Sipas të dhënave të INSTAT, ndryshimi vjetor i çmimeve në shërbimet e akomodimit nisi të rritej në nëntorin e vitit të kaluar dhe po vjen gjithnjë e në trend rritës.

Turistët nga Evropa Perëndimore po rriten dhe hotelet janë të zëna. Hotelet shqiptare, që në fund të vitit të kaluar raportuan se janë përballur me prenotime jo të zakonshme për pushimet e verës 2017. Turistët çekë, polakë dhe sllovakë duket se janë shtuar dukshëm për verën e 2017, shkruan ‘Monitor’.

Menaxherët e Rafaelo Resort në Shëngjin thanë se gati gjysma e kapaciteteve për 2018, rreth 130 dhoma, janë tashmë të prenotuara nga agjencitë çeke dhe polake, duke pohuar se kërkesa këtë vit është dukshëm më e lartë. Të njëjtën tendencë pohuan edhe menaxherët e hoteleve të mëdha në zonën e Durrësit, Dolce Vita dhe Fafa Resort, përcjell albinfo.ch.

Shqipëria është vizituar nga një numër rekord të huajsh në vitin 2017, sipas statistikave të lëvizjeve të shtetasve të publikuar nga INSTAT.

Në total, në Shqipëri hynë 5.1 milionë të huaj, me një rritje prej 8.1% në krahasim me vitin e mëparshëm. Gati gjysma e tyre erdhën për qëllime turistike.

Shtetasit nga Kosova vijojnë të zënë vendin e parë për sa i përket numrit të të huajve në vend, me 34% të totalit (nga 45% që ishte pesha e tyre vitin në 2016-n).

Shqipëria po shndërrohet në atraksion për shumë turistë nga Maqedonia, Greqia, Italia, Gjermania, Polonia, Anglia, Çekia, teksa Shqipëria vazhdon të jetë në fokusin e mediave të huaja që shkruajnë për bukuritë e tij dhe alternativën e çmimeve të lira.

Eleni Foureira falënderon Shqipërinë për pikët në Eurovizion

Këngëtarja shqiptare Eleni Foureira e cila u pozicionua në vendin e dytë në festivalin Europian, ka falënderuar Shqipërinë për 10 pikët që i dhuroi.

E pyetur nga gazetarët pse Shqipëria nuk i dha asaj 12 pikët maksimale, Foureira u shpreh se është shume e kënaqur me 10 pikëshin, falënderon shumë shqiptarët për votën.

“Në festival merrnim pjese tre shqiptarë. Pikët u ndanë në mënyrë patriotike. Jam shume e kënaqur me 10 piket qe më dhuroi Shqipëria. Falënderoj shqiptaret me gjithë zemër. Kur pashë 10 pikët u gëzova shumë” u shpreh ajo në momentin kur arriti ne Aeroportin e Athinës./ KultPlus.com

Dështimet dhe sukseset e shqiptarëve në Eurovision

Edhe pse Shqipëria kishte të drejt të merrte pjesë shumë më herët në festivalin evropian të këngës “Eurovision”, RTSH kishte aplikuar vetëm në vitin 2003 për pjesëmarrje.

Shqipëria deri tani numëron pjesëmarrjen e 15-të në Eurovision dhe që nga debutimi në vitin 2004 nuk është tërhequr asnjëherë nga ky festival.

Magazina.al ju sjell historikun e pjesëmarrjes së Shqipërisë në garën më të madhe të muzikës evropiane “Eurovision” , që sot grumbullon hiq më pak se rreth 200 milion shikues për çdo vit nga e gjithë bota.


2004

Shqipëria debutoi në “Eurovision” në vitin 2004 ku nikoqir ishte Turqia, kënga shqiptare ishte pritur mjaftë mirë, si përfaqësuese e shtetit debutues, Anjeza Shahini dhe kënga e saj “Image of You”, ishte vlerësuar mirë nga publiku evropian duke u radhitur e 7-ta.

2005

Një vit më vonë Shqipëria u përfaqësua nga Ledina Çelo, e cila falë rregullave të atëhershme të festivalit dhe suksesit të Anjezës,ishte direkt në finale, kënga me ritme shqiptare, si duket nuk u përshtat mirë me gjuhën angleze dhe diçka nuk shkoi…

Kënga e Ledinës “Tomorroë i go”, në finale përfundoi e 16-ta, duke marrë vetëm 53 pikë.

2006

Një vit më vonë, Shqipëria nuk e ndryshoi fare zhanrin,një këngë e stilit folk u ngjitë në skenë bashkë me gjuhen shqipe e me kostume shqiptare.

Kënga e Luiz Ejllit “Zjarrë e Ftohtë”, nuk arriti të ndez fare pblikun evropian, duke dështuar të kualifikohet në finale, shkruan Magazina.al

2007

Shqipëria duke vlerësuar suksesin e këngëtarit Frederik Ndoci, kishte besuar shumë kur e dërgoi në vitin 2007 për ta përfaqësuar kombin në festivalin evropian.

Kënga “Hear My Plea” e pati të njejtin fat, kënga nuk u vlerësua edhe aq për t’u dëgjuar edhe njëherë në finale.

2008

Kur situata ishte mjaftë e tensionuar në Beograd pas shpalljës së pavarësisë së Kosovës dhe Serbia ishte nikoqir i festivalit, Shqipëria kishte vendosur të dërgoi një këngë shqipe.

Këngëtarja Olta Boka në mes të Beogradit të tensionuar këndoi “Zemrën e lamë peng”, pas dy viteve dështimi Shqipëria shkoi në finale, por kënga mbeti e 17-ta me 55 pikë.

2009

Një vajzë e re 17-vjeçare ishte në atë kohë Kejsi Tola, e cila në Moskë përfaqësoi Shqipërinë me këngën “Carry me in your dreams”, edhe kjo këngë arriti të shkoi në finale, por koreografia e këngës ishte një nga më të përfolurat, ndërsa shumë media në atë kohë e kishin përqeshur paraqitjen shqiptare.

Edhe pse në finale për të dytin vit radhazi, Shqipëria u radhit përsëri e 17-ta dhe mori 48 pikë.

2010

Vitet po ecninë mbarë për Shqipërinë në Eurovision, për të tretin vit radhazi Shqipëria siguroi finalen me përfaqësimin e Juliana Pashës dhe këngës “It’s all about You”.

Por as ky vit nuk e ngriti Shqipërinë në pozitë,Juliana përfundoi e 16-ta me 62 pikë.

2011

Përfaqësimi i Shqipërisë nga Aurela Gaçe, kishte ngjallur shpresat tek shqiptarët për një sukses në garën evropiane të këngës,por ndodhi ajo që nuk pritej, kënga “Feel the passion” nuk arriti të kaloj as edhe në finale, e nga kritikët atëherë ishte thënë se kënga ishte mjaftë e ngarkuar për një festival si “Eurvosion-i”

2012

Me fitoren në “Festivalin e Këngës” të Rona Nishliut kishin filluar ‘sulmet” e skeptikëvë për një sukses të mundshëm në Evropë, kënga “Suus” nga shumë u cilësua si aspak e denjë për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision.

Këngëtaja kosovare befasoi ë gjithë në paraqitjen e saj në gjysëm-finalen e parë në “Eurovision”.

Kjo ishte hera e parë që një këngëtar nga Kosova po ngjitej në skenën e Eurovision-it, por Rona bëri historinë duke i dhënë Shqipërisë suksesin më të madh, ku u radhit e 5-ta me 146 pikë, sukses ky i cili vazhdon të jetë më i larti për Shqipërinë edhe pas 4 viteve pjesëmarrje, shkruan Magazina.al

2013

Në vitin 2013 një grup Rock-u përfaqësoi Shqipërinë, kënga “Identitet” nga Adrian Lulgjuraj & Bledar Sejko kishte elemente rock-u me elemnte folk, por kjo nuk ishte e mjaftueshme që publiku evropian ta pëlqente, ata dështuan të kalojnë në finale.

2014

Edhe ky vit për Shqipërinë ishte vetëm edhe një dështim në “Eurovision” këngëtarja me supervokal Hersi Matmuja, si duket nuk kishte zgjedhur këngën e duhur për t’i rrëmbyer zemrat e evropianëve, pasi “One Night’s Anger” këndoi vetëm në gjysëm-finalen e parë.

2015

“I’m alive” mbetët një nga këngët përfaqësuese më të pëlqyera nga shqiptarët, por kjo ndodhi vetëm derisa Elhada Dani i zhgënjeu të gjithë me paraqitjen Live pasi askush nuk e kishte pritur një dështm të tillë nga një këngëtare e cila kishte fituar garën e “The Voice” në Itali.

Kënga e punuar nga producentët kosovar Zzap&Chris është një nga më të klikuarat në Youtube nga përfaqesueset shqiptare në “Eurovision”, “I’m Alive” sot numëron mbi 7milion klikime, por për një sukses të ngjashëm nuk mund të flasim edh në paraqitjen e saj në “Eurovision” pasi këngëtarja edhe pse kaloi në finale u radhit e 17-ta me vëtëm 34 pikë.

2016

Kënga e Eneda Tarifës “Fairytale” nuk është pritur aspak mirë në versionin e saj në gjuhën angleze.

Ndonëse u vlerësua nga kritika dhe profesionistët për vokalin e saj, Eneda nuk arriti ta dërgoj në finale Shqipërinë.

2017

Përfaqesimi i Shqipërisë nga Lindita Halimi, ishte pritur me entuziazëm nga shqiptarët, duke marrë parasysh suksesin e saj ne “American Ido” ishim të bindur se Lindita do të kalonte në finalen e festivalit por kjo nuk ndodhi, pasi kënga “Ëorld” nuk mori votat e mjaftushme, duke performuar vetëm në gjysëm-finale.

2018

Shqipëria  u përfaqësua për të 15 herë në këtë festival nga Eugen Bushpepa, i cili  arriti të kaloj në finalen e kësaj gare dhe zuri vendin e 11-të.

https://www.youtube.com/watch?time_continue=80&v=TZDgupnB2DY

Gazetarja e njohur italiane, e mahnitur me Shqipërinë: “Dua të jetoj këtu, ju i keni të gjitha”

Gloria Aura Bortolini është gazetare italiane. Ajo ka një emision të sajin në kanalin televiziv RAI 3 në Itali ku drejton një program me titull “Kilimanxharo”. Fokusi i këtij programi janë udhëtimet.

Në fillim të këtij viti, Bortolini e klasifikoi Shqipërinë në vendin e parë, si një destinacion që duhet të vizitohet për vitin 2018. Në reportazhin e publikuar në RAi 3, u renditën disa statistika ku tregojnë vendet ku italianët kanë regjistruar më shumë prenotime.

Tre muaj më vonë, pas këtij lajmi që bëri xhiron e portaleve shqiptare, Bortolini ka ardhur në Shqipëri për të parë nga afër këtë vend dhe ka dhënë një intervistë për gazetaren e DITA-s, Entela Resuli.

“Kjo është hera e parë që vij në Shqipëri. Nuk kisha krijuar një perceptim pozitiv për këtë vend, duke patur parasysh se nuk ka një “nam” të mirë dhe kisha nguruar ta vizitoja. Vitin e kaluar ishin prindërit e mi ata që erdhën për disa ditë këtu dhe kur u kthyen në Itali, me thanë: Gloria, ishte super vend. Duhet të shkosh!

Pas reportazhit në programin “Kilimanxharo” në RAI 3, ku Shqipëria u rendit si destinacioni numër NJË që duhet patjetër të vizitohet gjatë vitit 2018, ishte Zamo, Presidenti i Federatës Shqiptare të Rafting i cili gjithashtu më sugjeroi që të vija dhe të shihja nga afër bukurit e këtij vendi. Përfitova nga momenti që kisha katër ditë pushim në këtë periudhë dhe erdha”, tregon Gloria.

“Në Itali është ai perceptimi që Shqipëria është një vend i varfër, i rrezikshëm, me rrugë të vështira, por kur vjen këtu përballesh me një befasi pozitive. Çdo gjë është ndryshe dhe nuk ka asgjë të ngjashme më atë që ke dëgjuar”, shprehet Gloria, e cila ka udhëtuar jo pak në karrierën e saj.

“Jam ndier shumë mirë këtu. Një gjë tjetër që e konsideroi si vlerë në vendin tuaj është mikpritja. Mund të shkosh në vendin më të bukur të botës, por po nuk të trajtuan mirë, po nuk të mikpritën atëherë, nuk ka se si të lërë shije të mirë vizita. Ju të hapni dyert dhe zemrën, ndaj këtu çdo gjë duket e bukur dhe e dashur. Unë do të largohem sot (dje) pasdite dhe mezi pres të kthehem sërish në tetor…”

-Dhe pas disa ditësh qëndrimi në Shqipëri, ke vizituar, Tiranën, Vlorën, Beratin…ke diçka për të na thënë?

“Keni një super vend, më besoni! Ndërsa ne italianët, Shqipërinë e kemi shumë afër shtëpisë dhe duhet ta frekuentojmë më tepër. Më pëlqen bashkëjetesa mes religjioneve dhe ajo mes historisë dhe modernitetit. Është vlerë që në një territor kaq të vogël i keni të gjitha, detin dhe malin, ndryshimet klimaterike dhe shumëllojshmërinë e kulinarisë. Gatuani në mënyrë fantastike prodhimet e detit dhe keni marrëdhënie shumë të mirë me mishin”.

-Gloria, një ndalesë e keni patur edhe në qytetin e Vlorës, çfarë pe në atë qytet?

“Vlora ishte fantastike. Është bukur të shohësh se si ndryshon një vend pasi Vlora është shembulli i një transformimi të shpejt dhe modeli i një qyteti të jetueshëm.

Rikonstruktimi i qendrës historike, krijimi i hapësirave pedonale i japin një vlerë të rëndësishme qytetit, gjë kjo që po humbet në vendet e tjera ku ka një zhvillim të adaptuar nga një model amerikan, ku çdo gjë është e përqendruar të qendrat tregtare dhe qendrat historike janë duke “vdekur”.

Ndërsa në vendin tuaj shoh një model ndryshe në kulturë dhe në stil jete, afërsisht si ai italian. Shqipëria është një vend i veçantë dhe i tillë duhet të mbes, nëse do të tentoni të konkurroni vendet me turizëm luksoz, ndoshta do të gaboni. Përqendrohuni te vlerat tuaja, historike dhe kulturore, te bukurit natyrore dhe keni për të qenë destinacion shumë i lakmuar për turistët në të ardhmen”.

-Për t’u kthyer te Vlora…?

“Po, vizitova qytetin, ishullin e Sazanit, Karaburunit…Në një moment i thashë vetes: dua të jetoj këtu! Kryetari i Bashkisë së Vlorës ishte një njeri i cili ishte i dashuruar me qytetin e tij dhe po bënte diçka që po e ndryshonte atë vend. Faktet e tregonin këtë, Vlora kishte ndryshuar”.

-Megjithatë, na thuaj diçka që nuk të ka pëlqyer, se nuk besoj se jemi kaq perfektë?

“Nuk ka diçka që nuk më pëlqeu. Shpresoj shumë që të përfitoni nga mundësitë që keni si vend. Për shembull, pashë që kalaja e Beratit ishte bosh, pa aktivitete. Aty mund të organizohen projekte të ndryshme të cilat e ndihmojnë këtë qytet në thithjen e turistëve. Që të huajt mos të vijnë të shohin vetëm kalanë, por edhe të vizitojnë një galeri, të shohin një film, të ketë më shumë art, festivale dhe aktivitete. Një event mund të kthehet në një justifikim që të shkosh në një vend dhe ta njohësh më tepër atë”.

-Ke vizituar tre qytete, tani jemi në Tiranë, çfarë të pëlqeu më shumë nga ky qytet?

“Tirana më duket një qytet i pastër, i ri… Më duket sikur jam në Zvicër dhe jo në kryeqytetin shqiptar. Më pëlqen shumë këtu. Ka gjallëri si qytet…”

Po në Vlorë?

“Në Vlorë më pëlqeu shumë Lungomare. Qyteti kishte pësuar një ndryshim shumë të madh me ndërtimin e saj dhe kryebashkiaku Dritan Leli ishte shumë entuziast për këtë fillim sezoni veror. Ndërkohë Sazani dhe Karaburuni ishin fantastikë…”

Në Berat?

“Kanionet. Kur u futa për të bërë rafting m’u duk sikur u largova në një botë tjetër. Kishte një natyrë të pabesueshme dhe përjetova një aventurë të bukur. Më pas Berati vetë është i magjishëm. Rrugicat me kalldrëm, shtëpitë e bardha, historia e atij qyteti…“

-Pjata më e mirë që konsumove?

“Mes mishit dhe peshkut, unë preferoj peshkun dhe në Vlorë konsumova një drekë shumë të mirë. Habitem se sa mirë i gatuani pastat, jeni shumë të mirë në këtë pikë”.

– Kemi mësuar nga ju…

“Dhe e keni bërë në mënyrë të përkryer”.

-Kur vjen si turiste dhe rri pak ditë, çdo gjë e bukur të duket, por nëse vendos të jetosh këtu, atëherë jeta nuk është kaq me ngjyra sa e përshkruani ju..

“E di, por kjo është normale. Edhe Italia kështu mund t’i duket shumë turistëve, por edhe atje ka shumë probleme. Nuk po them që këtu është parajsë, por është një vend me mundësi, sidomos përsa i përket turizmit. Jeni ende në tranzicion dhe nëse ndryshon diçka në këtë vend, bie në sy. Ju duhet të shfrytëzoni mundësitë që ju jep terreni i vendit tuaj, natyra dhe pasuritë e mëdha që keni… Mos shkatërroni, por ndërtoni”./ KultPlus.com

“Partizani n’luftë po shkonte”, disa nga këngët që këndonin partizanët

Këto janë disa nga këngët që kanë frymëzuar ata që kanë luftuar maleve për çlirimin e Shqipërisë. Këto këngë por edhe të tjera janë mbledhur në antologjinë e këngëve patriotike partizane, të përmbledhura nga muzikologu Vasil Tole.

Antologjia është një përmbledhje e 60 këngëve e botuar në kuadër të 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.

ATO MAJA RRIPA-RRIPA
Ato maja rripa-rripa seç gjëmojnë.
Ndizet lufta për liri e derdhet gjak.
Janë trimat partizanë që luftojnë,
janë bijtë e Shqipërisë që marrin hak!
Sot po dridhet tirania anembanë!
Sot po digjet e po bëhet shkrumb e hi,
se u mbushën malet plot me partizanë,
se u ngrit sot gjithë rinia për liri!
Me përpara një flamur të kuq në dorë!
Me një torbë me fishekë e një dyfek!
Të cfilitur prej fashizmit të copëtuar
turren trimat dhe luftojnë shteg më shteg.

HAKMARRJE
Po ngrihet një zë nga fundi i varrit,
si dielli kur shkrep e hapet mbi dhe.
Hakmarrje! Hakmarrje, në grykë të barbarit!
Përpara, o Popull, mbi të si rrufe!
«Hakmarrje, Rini!» – dëshmori thërret,
se ra për liri mbi truallin e vet.
«Hakmarrje!» – thërrasin martirët nga varri,
«se gjaku i derdhur sot gjak po kërkon!»
Është popull i tërë me besë shqiptari,
me armë në dorë fashizmin lufton!

Partizani n’luftë po shkonte
Partizani n’luftë po shkonte
Ka marrë pushkën me një dorë.
Lamtumirë o nënë e babë
Lamtumirë o motr’e re.
Ditë për ditë nëna priste
Ndonjë lajm prej djalit saj.
Kur një ditë letra mbërriti
Drejt prej malit ka ardh fjalë:
Djali yt ka mbarue
Me fashistët ka luftu.
Nëna thoshte: Lumja unë,
M’u vra djali për liri./KultPlus.com

Shqipëria, xhevahiri i fundit në Europë

Shqipëria, xhevahiri i fundit në Europë. Ky është vlerësimi i zoologut sllovak, Daniel Jablonski, i cili studion reptilët dhe speciet e rralla të amfibëve.

Shqipëria është perla natyrore më pak e prekur e Europës, sipas zoologut sllovak, Daniel Jablonski. Në shkrimin e publikuar në median sllovake, ‘Dennikn.sk’, ai deklaron se në Shqipëri gjenden specie nga më të rrallët.

Shkencëtari Jablonski hulumtoi nga afër në Shqipëri disa specie të rralla, si gjarpërinj dhe breshkën e tokës më të madhe në Europë, të cilët janë në rrezik zhdukje. Në përshkrimet e tij për vendin, ai shprehet se mysafiri në Shqipëri pritet si Zot, dhe përshkruan takimet me barinjtë në male.

Zoologu filloi të punojë në Shqipëri në vitin 2007, dhe ndër vite ka ndërmarrë mbi 10 ekspedita me fokus kafshët zvarranike dhe amfibe.

Eksperti i Katedrës së Zoologjisë në Fakultetin e Shkencave Natyrore, Universiteti Komenius në Bratislavë flet me shumë dashuri për vendin e vogël të gadishullit ballkanik.

“Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, ku bashkohet në mënyrë unike Orienti dhe Europa. Shqipëria ka tradita të lashta, një gjuhë dhe komb unik, prejardhja e të cilit ende debatohet. Malet e shumtë dhe biotipet e larmishme në një territor kaq të vogël e bëjnë Shqipërinë një vend unik europian’, vlerëson ai.

Në Shqipëri ekzistojnë dhjetra specie të rralla, të cilat nuk i shihni në asnjë vend tjetër të botës, dhe kjo sepse, sipas zoologut, ky vend ka natyrën më të egër të Europës, ku mund të zhvillohen kërkime shkencore.

Jablonski ka udhëtuar thuajse në gjithë botën, por thotë se malet e Trebeshinës janë ndër vendet më të bukura që ka parë ndonjëherë. “Në pamje të parë peizazhi lokal nuk duket mikpritës, por kur zgjoheni në mëngjes, shihni lindjen e diellit, në sfond dëgjoni zilet e deleve e dhive, dhe mund të shihni larg në ajrin e lagësht, e kuptoni se po përjetoni një moment shumë të bukur. Kështu janë pak a shumë të gjithë vargmalet e jugut të Shqipërisë. Në qoftë se afroheni për të parë, gjeni krijesa të mrekullueshme“, tha zoologu.

Malet e Trebeshinës që janë kullotat e kopeve të deleve dhe dhive, arrijnë një lartësi prej 1800 m mbi nivelin e detit, dhe janë vendbanimi i shumë barinjve lokale. Barinjtë jetojnë në kasolle druri dhe guri, hija e të cilave i shpëton nga dielli tejet i fortë malor, i cili në verë sjell temperatura deri në 40 gradë.

Në malet Trebeshina, si dhe rreth 50 kilometra larg maleve të Tomorrit dhe në vende të tjera të veçanta në Shqipëri, ekziston një gjarpër i rrallë Vipera graeca. “Ky është një nga gjarpërinjtë më të rrezikuar në Europë”, thotë shkencëtari.

Jablonski dhe kolegët e tij botuan një studim vitin e kaluar, duke treguar se Vipera graeca nuk i përket një nëngrupi të Viper ursinii , gjarpër tejet i përhapur, madje e kritikuan këtë teori, dhe e promovuan Vipera graeca si një specie të veçantë, që solli gjarpërin/reptilin më të ri në Europë./ /m.m/ /a.g/

Tirana në Bienalen e Venecias, Veliaj: Prezantojmë një pjesëz të historisë tonë

Një pjesë e mjedisit urban të Tiranës do të shkojë në Bienalen e Venecias. Në edicionin e 16 të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës, në Bienalen e Venecias 2018, Shqipëria do të përfaqësohet me projektin “Hapësira zero”, i cili ka zgjedhur portat e vjetra të marra nga banesa në kryeqytet, si element për të shpjeguar Tiranën ku bashkëjetojnë e vjetra me modernen.

I pranishëm në prezantimin e këtij projekti, që mbështetet nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi idetë e prezantuara dhe pritshmërinë e lartë për pavionin shqiptar.

Ai u shpreh i entuziazmuar për përfaqësimin e vendit tonë në Bienalen e Venecias, si një mundësi për të prezantuar një pjesëz të Shqipërisë në botë.

“Me çelësin e dyerve do të takohemi në Venecia. Është një fabul fantastike. Historia jonë duhet treguar. Jemi të lumtur që do shkojmë ta tregojmë historinë tonë falë këtij grupi historik dhe që jam i sigurt se do të na bëjnë shumë krenarë”, nënvizoi ai, përcjell GSH.

Veliaj shtoi se Tirana është një nga qytetet më me jetë, i mbushur me plot sfida dhe ku ia vlen që të jetosh.

“Në punën time qëllon që takoj shpesh shumë kryetarë bashkie të qyteteve më të zhvilluara, të cilët kanë infrastrukturën, pra tramin, metrotë, ndërtesat luksoze, rrugët me infrastrukturë shumë moderne, por s’kanë njerëz, s’kanë jetë. Nëse do të kisha një zgjedhje midis kësaj Tirane me shumë sfida në infrastrukturë dhe një qyteti me infrastrukturë perfekte, por pa jetë, ku çdo gjë mbyllet në orën 17, do të zgjidhja Tiranën. Kam përshtypjen se, për të gjithë ne që kemi zgjedhur Tiranën, si vendin ku të jetojmë e ku kemi familjet tona, kjo vepër është konfirmimi i kësaj zgjedhjeje që kemi bërë. Kemi zgjedhur të jetojmë me shumë sfida në infrastrukturë, por me jetë kudo”, tha kreu i Bashkisë.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro nënvizoi se projekti që do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë bienale sjell jo vetëm një ide, por mbi të gjitha qytetari.

“Erioni e ndërton dhe e zhvillon bashkë me ekipin e tij në Bashki, ndërsa Ministria e Kulturës ka marrë përsipër përgjegjësinë ta transformojë në një projekt, që përmes arkitekturës ta përcjellë artistikisht në një publik ndërkombëtar, me një kalendar shumë të ngjeshur 6-mujor, duke synuar që të shkojmë jo vetëm në Venecia, por përtej Venecias, përtej Italisë, të bëjmë një ekspozitë shëtitëse. ‘Kati zero’, që ne në shqip i themi kati përdhes, atje ku ndodh gjithçka, ku është Tirana jonë me zhurmë, me ndryshim, pa zhurmë, me imazhe, me zërin e njerëzve që çdo ditë të jetojnë, çdo ditë të gëlojnë nëpër rrugët e Tiranës dhe të gjithë bashkë duam ta çojmë si një pasaportë në këtë ekspozitë botërore të arkitekturës”, deklaroi Kumbaro.

Seria e dyerve, e instaluar në “Hapësirën zero” linjëzon kalimin mes të brendshmes dhe të jashtmes në urbanistikën bashkëkohore të Tiranës, karakterizuar nga prania e shumë dyqaneve, punishteve, kafeneve, të pranishmë kudo nëpër qytet dhe pothuaj 24 orë në shërbim të qytetit.

Pasuri e një kulture antike, e adaptuar në mënyre kreative me nevojat e përditësuara të qytetarëve për një hapësirë totalisht në dispozicion, një hapësirë të lirë për publikun. Për këto arsye, “Hapësira zero” e Tiranës ridimensionon qytetin në shkallë njerëzore, duke u kthyer tashmë në këtë hapësirë ku gjeneratat e ardhshme njohin vetveten./ KultPlus.com

Shqipëria, destinacion turistik për spanjollët

Trashëgimia kulturore dhe traditat shqiptare tërhoqën vëmendjen e vizitorëve në Panairin Diplomatik Solidar 2018 të organizuar në Madrid, Spanjë, të cilët shfaqën interes për bukuritë natyrore të Shqipërisë.

Panairi u zhvillua në Pallatin e Kongreseve në Madrid nga Shoqata Ndërkombëtare e Diplomatëve në Spanjë (AIDE), në bashkëpunim me Fondacionin “Mbretëresha Sofi”, ndërsa ai u përurua dhe u përshëndet nga mbretëresha Sofi.

Ambasadori i Shqipërisë në Spanjë, Ridi Kurtezi në një prononcim për ATSH-në tha se “në këtë panair morën pjesë rreth 50 përfaqësi diplomatike, 3000 vizitorë, 15 grupe artistike të vendeve pjesëmarrëse, të cilët transmetuan mesazhin e solidaritetit, paqes dhe bashkëpunimit. Stenda shqiptare ishte nga më të vizituarat për vetë llojshmërinë e produkteve tradicionale të ekspozuara dhe paraqitjes së disa kostumeve popullore të Shqipërisë së Mesme”.

“Stenda shqiptare u përfaqësua denjësisht me produkte të gastronomisë, artikuj artizanati, prospekte turistike, letërsi shqiptare dhe kostume popullore”, tha Kurtezi.

Ambasadori Kurtezi u shpreh se “gastronomia shqiptare ishte nga më të preferuarat nga të pranishmit dhe bashkëpunimi i ambasadës me shqiptarët në Madrid, kontribuoi në suksesin e përfaqësimit dinjitoz të vendit në këtë aktivitet të rëndësishëm”.

“Stendën e Shqipërisë e vizitoi mbreterësha Sofi, e cila përgëzoi angazhimin e përfaqësisë shqiptare dhe tregoi interes të veçantë duke u përshëndetur edhe me të pranishmit. Nëpërmjet stendave të tyre, çdo vend ekspozoi artikuj artizanati dhe produkte gastronomie tradicionale. Fondet e grumbulluara u destinuan për projektet në ndihmë të njerëzve të sëmurë dhe në nevojë. Po ashtu, me këtë rast nga pjesëmarrësit u promovua edhe turizmi, arti dhe në përgjithësi imazhi i secilit vend”, theksoi ambasadori Kurtezi.

Lidhur me ndikimin e organizimit të këtij panairi në tërheqjen e turistëve të huaj drejt Shqipërisë, Kurtezi shprehet se “përfaqësimi i vendit në këtë panair dhe vizitorët e shumtë në stendën tonë treguan një interesim për traditat dhe kulturën që ne përfaqësojmë. Unë besoj se përfaqësimi në këtë aktivitet do të jetë një vlerë e shtuar në përpjekjet tona të përbashkëta në promovimin e imazhit pozitiv të vendit dhe në ekspozimin e potencialit dhe kapacitetit turistik të vendit”.

“Vlen të theksoj se tashmë prej disa vitesh Shqipëria shfaqet si një destinacion turistik për spanjollët dhe kjo edhe si rezultat i disa vizitave turistike dhe disa dokumentarëve në të cilat janë promovuar bukuritë natyrore të vendit dhe janë inkurajuar operatorët turistikë vendas për të përfshirë Shqipërinë në paketat turistike”, tha Kurtezi.


Stendën e Shqipërisë e vizitoi Mbretëresha Sofi, e cila përgezoi angazhimin e përfaqësisë shqiptare dhe tregoi interes të veçantë duke u përshëndetur me të pranishmit. Mbretëresha Sofi përmendi vizitën e saj në Tiranë në vitin e kaluar duke përcjellë përshtypjet dhe vlerësimet më të mira.

Ambasadori i Shqipërisë, Kurtezi i dhuroi Mbretëreshës Sofi, librin “Pallati i Ëndrrave” të shkrimtarit Ismail Kadare dhe e ftoi që të rivizitojë vendin në një kohë të favorshme për të./ATSH/ KultPlus.com

Vizitorë nga Bjellorusia në Malin e Tomorrit (FOTO)

Vizitorët e sotëm që janë bërë kureshtarë të shohin nga afër Malin e Tomorrit, apo siç njihet ‘mali enigmatik’, kanë ardhur nga Bjellorusia.

“Informacionin për turizmin shqiptar e kemi marrë nëpërmjet internetit, faqes zyrtare të Ministrisë së Turizmit dhe postimeve periodike të bërë nga ATSH”, shprehen vizitorët.

Ata vijnë nga një vend ku malet pothuajse nuk ekzistojnë. Një vend i ftohtë, në një sipërfaqe pothuajse të sheshtë, ata janë kureshtarë të shikojnë dhe të ngjisin male të thepisur.

Të shoqëruar nga miq të tyre shqiptarë dhe nga udhërrëfyes të Administratës së Parkut Kombëtar të Tomorrit, ata panë nga afër magjinë dhe emocionin që të shkakton prania e një masivi të tillë shkëmbor.

Në Shtëpinë e Pritjes së Vizitorëve që ndodhet në fshatin Dardhë, ata u njohën nga specialistët me florën dhe faunën vendase, me traditat dhe zakonet si dhe me rrëfenjat enigmatike rreth malit.

Të shoqëruar nga udhërrëfyes ata u drejtuan drejt shpateve të thepisura të Tomorrit./ATA/ KultPlus.com

The Guardian: Shqipëria, vendi i kulturës dhe traditës

E përditshmja prestigjioze britanike “The Guardian” e rendit Shqipërinë bashkë me vende si Franca, Italia, Zvicra, Austria apo Norvegjia mes destinacioneve turistike për këtë verë për të apasionuarit pas klimës dhe peizazheve malore.

“Me disa prej peizazheve më origjinale në Europë, tradita antike baritore që kanë ndryshuar shumë pak me jetën moderne dhe një emërtim që tërheq imagjinatën, Bjeshkët e Namuna të Shqipërisë shndërrojnë pushimet në një udhëtim në kohë”, e përshkruan “The Guardian” vendin tonë.

Këto maja, që ndajnë kufijtë mes Kosovës, Shqipërisëdhe Malit të Zi, janë më të lehta për t’u eksploruar që prej vitit 2012, ku rruga, Majat e Ballkanit, u hap për të tërhequr më shumë kalimtarë.

Njohja me folklorin e maleve për të mësuar më shumë për kulturën e tyre të ruajtur mirë në fshatëra të izlouar është një prej elementëve më tërheqëse, ndërsa strehimi bëhet në shtëpi të vjetra prej guri ku mund të shijoni gatime tradicionale si gjellë me fasule, byrek me spinaq, mish qengji i pjekur, çaj me rigon, qumësht deleje, kafe turke apo raki kumbulle, sipas dëshirës. /G.S/ KultPlus.com

Shqipëria, 10 plazhet më të bukura në bregdetin e Adriatikut

Për një kohë të gjatë, Shqipëria ka mbetur një destinacion i panjohur nga të tjerët.

Me pamje nga Mesdheu dhe që laget nga dy dete, Jon dhe Adriatik në një vijë bregdetare të vetme, ofron vende të pakonceptuara dhe plazhe të mrekullueshme.

Me këto fjalë e nisi shkrimin për Shqipërinë revista italiane ”greenMe”.

Plazhet e Shqipërisë së veriut, të cilat lagen nga deti Adriatik, janë ranore dhe me ujëra të cekëta prandaj janë edhe të preferuarit për familjet me fëmijë.

Ekzistojnë laguna dhe ekosisteme natyrore, prandaj ky bregdet është shumë i popullarizuar edhe mbetet i preferuar dhe nga turistët.

Le të shohim se cilat janë 10 plazhet më të bukura në Shqipërinë e Veriut.

1. Velipoja

Plazhi i Velipojës është plazhi më verior i vendit që ndodhet 22 km nga qyteti i Shkodrës dhe është një nga destinacionet më të preferuara për atë që duan detin. Katërmbëdhjetë kilometra vijë bregdetare karakterizohen nga një plazh i pasur me jod. Një vend i dashur nga ata që duan të praktikojnë sportet ujore.

2. Shëngjini

Plazhi i Shëngjinit është një tjetër plazh ranor pranë rrethit të Lezhës, i vendosur 8 km nga qyteti historik i Lezhës. I njohur për rërën e tij dhe faktin që këtu do të gjeni diellin 300 ditë në vit. Një zonë shumë e populluar, veçanërisht në verë, zona e Shëngjinit është e njohur në të gjithë Shqipërinë si për detin, gjithashtu dhe për kuzhinën e saj të famshme.

3. Rana e Hedhun

Në veri të Shëngjinit, gjendet plazhi i mrekullueshëm i quajtur Rana e Hedhun, i cili është i mbrojtur mirë nga erërat e asaj zone. Ky plazh është quajtur kështu, për shkak të peizazhit të tij me kodra të larta me pamje nga deti dhe të mbuluara me rërë. Sporti më i praktikuar? Rrëshqitni në dunat e rërës!

4. Gjiri i Lalzit

Një nga plazhet më tërheqëse të bregdetit shqiptar të Adriatikut është padyshim dhe Gjiri i Lalzit në veri të Durrësit. Uji kristal i pastër, rërë e hollë dhe një pyll i dendur me pisha, e bëjnë këtë vend të përshtatshëm për ata që duan të relaksohen me detin. Plazhi është vetëm 25 kilometra nga kryeqyteti i Tiranës dhe është lehtësisht i vizitueshëm.

5. Kepi i Rodonit

Kepi i Rodonit është një kryevepër natyrore e mrekullueshme prej 7.5 km dhe është një tërheqje e madhe për ata që e duan zhytjen. Në vitet e fundit ai është bërë shumë turistik dhe po vazhdon të ruajë bukurinë e tij.

6. Durrësi

Plazhi i Durrësit, i vendosur vetëm 39 km larg Tiranës, është plazhi më i madh dhe më i vizituar në vend. Nuk është rastësi që vija bregdetare është gjithmonë e mbushur me njerëz, pasi ofron një kuzhinë të shkëlqyer dhe shumë argëtim. Thellësia e detit gradualisht rritet, gjë që e bën plazhin të sigurt për familjet dhe fëmijët. Durrësi është qyteti i dytë më i madh në Shqipëri dhe porti kryesor i vendit.

7. Currilat

Në veri të Durrësit, plazhi i Currilave është më i thellë dhe mbrohet nga era e nxehtë. Duke qenë shumë afër plazhit kryesor, ofron shumë atraksione turistike. Është një vend i përshtatshëm për familjet, sepse është shumë i mbrojtur.

8. Golemi dhe Mali i Robit

Në jug të Durrësit gjenden Golemi dhe Mali Robit, të cilët ndodhen pranë njëri-tjetrit. Këtu ka rërë të bardhë dhe det të kristaltë. Ka edhe disa monumente natyrore, mundësi për shëtitje, ose argëtim me sporte ujore.

9. Vlora

Vlora është porti i dytë më i madh në vend dhe është një nga qendrat e turizmit shqiptar, por plazhi ka shumë vende turistike, veçanërisht sepse është një qendër për ata që duan të zhyten në plazhet e vogla dhe shkëmbore të gjirit të Vlorës, ose të vizitojnë portin e Orikumit.

10. Spille

Plazhi i Spillesë është një parajsë e vërtetë e Shqipërisë. E mbyllur në mes të natyrës dhe pishave, ky plazh që është pranë Durrësit është një nga më të pastrit dhe më pranë natyrës.

Revista prestigjioze Boat International, shkruan për Shqipërinë

Kryeministri shqiptar Edi Rama, mëngjesin e së dielës e ka uruar me një shkrim nga revista prestigjioze e jahteve Boat International.

“MIRËMËNGJES
dhe me këtë shkrim për Shqipërinë në revistën më prestigjioze të jahteve, Boat International, ju uroj një të diel të qetë”, ka shkruar Rama.

Në vijim sjellim të plotë shkrimin e kësaj prestigjioze:

Riviera e fundit

Një vijë bregdetare e mbushur plot me plazhe me rërë të bardhë, zona antike, limane të fshehur, por nuk duket asnjë superjaht.

‘’Shqipëria ka qenë e fshehur nën hundën tonë gjithë këtë kohë’’, thotë Tristan Rutherford, shkruan revista ‘’Boat International’’ .

Në një park të mbuluar nga gjethet në Ëestminster në Londër, ambasadori shqiptar, Qirjako Qirko mburr aftësinë për jahte të Malit të Zi, një komb që pak persona mund të arrinin ta dallonin në hartë një dekadë më parë. Në të kundërt, zhvillimi detar i Shqipërisë është ende në hapat e parë.

Qirko dhe unë biseduam për brigjet e virgjëra, rihapjen e ishullit të Sazanit, një bazë ushtarake e izoluar për një shekull si dhe për mundësitë që mund të ofrohen nga vendi për jahtet.

“Ne jemi krejtësisht të hapur për këtë biznes. Por, në fillim duhet të shkoni ta shihni vetë”, përfundoi Qirko.

Për shkak të kësaj mora avionin që kalonte sipër Venecias dhe më pas vazhdonte drejt Istrias dhe ishujve Koranti në Kroaci. Aty shfaqen qindra jahte, që nga qyteti i Dubrovnikut, dukeshin si yje që këputen. Më pas vijon peizazhi perfekt i Gjirit të Kotorrit në Malin e Zi.

Në vitin 2006 e njëjta pamje magjepsi investitorin kanadez, Peter Munk kur fluturoi sipër bazës së braktisur të nëndetëseve në Tivat dhe vendosi të ndërtojë aty “Porto Montenegro”.

Ndërkohë që hyj në hapësirën ajrore shqiptare, shkëmbijtë gëlqerorë bien mbi plazh. Në zbritjen e fundit, sytë e mi tërhiqen në të djathtë ku, rreth 350 kilometra vijë bregdetare shumë pak e zhvilluar, kalon Sazanin dhe shkon drejt Korfuzit.

Kur mbërrin në ekstremin jugor të Shqipërisë, Korfuzi duket aq pranë sa që mund të arrihet duke notuar. Qiparisët e tij të lartë dallohen edhe një milje larg, në bregun shqptar, ku rrënojat e Butrintit, të mbrojtura nga UNESCO-ja, rrethohen nga deti i kaltër.

Emri Rothschild, sinonim i një prej vilave më luksoze në Korfuz, peshon në të dyja krahët e bregut. Fondacioni ‘’Butrint’’ i lordit Rothschild ndihmon në mirëmbajtjen e këtij muzeut të hapur.

Qyteti i rrënuar ka pritur më të mirën dhe të madhërishmen e Adriatikut për mijëra vite nga agoratë greke, te vilat romake dhe banjot bizantine. Kjo është Shqipëria, ku një pjesë e madhe është e pazbuluar dhe mbuluar nga bimësia, një zonë arkeologjike për Indiana Jones.

Hedh një gur në një pus që ende funksionon, ku kanë mbetur shenjat e litarëve në gurë pas mijëvjeçarësh përdorimi të vazhdueshëm.
I paduruar që të vizitoj bregun e Butrintit që rrihet nga dielli, marr një motoskaf.

Çmimi ishte 140 euro, duket shumë i lartë për këtë zonë, por e kuptova që kisha shtuar një zero. Ishte vetëm 14 euro, gjysma e çmimit të një koktejli në “Hôtel de Paris” në Monako, për të marrë anijen bashkë me kapitenin. Shqipëria është vërtetë një vend sa ekonomik aq edhe i paeksploruar.

Laguna që rrethon Butrintin me të drejtë është një park kombëtar. Poshtë varkës tonë lundrojnë qindra lloje peshqish. Kjo zonë pret gjithashtu më shumë se 250 lloje zogjsh, përfshirë çafka dhe bilbila uji që shoqërojnë varkën tonë drejt Korfuzit.

Gjatë regjimit të ashpër komunist të Shqipërisë, studentë të talentuar dolën vullnetarë për të zhvilluar gërmime arkeologjike në këtë rajon.

Ata mund të bëjnë banjo dielli në qetësi të plotë, të pinë duhan në kështjellën me pamje nga deti që është vizituar nga Lordi Bajron, dhe madje edhe të nxjerrin ndonjë amforë nga shtrati i detit kur të vijë momenti për të dorëzuar trofetë e gjetura.

Në kthim drejt skelës së Butrintit, vëzhgoj të vetmit autobuza turistikë që ndesh përgjatë gjithë udhëtimit. Shifrat e vizitorëve flasin për një rritje me 20% në të dyja vitet 2016 dhe 2017, siç dëshmojnë statistikat në Kroacinë e viteve 1990.

Statistikat e rritjeve vjetore reflektojne edhe mbërritje të superjahteve. Agjencia e jahteve dhe udhëtimeve, e cila gjendet në portin historik të Sarandës, së fundmi ka kaluar nëpër duar dokumentat për ‘’SS Delphine’’, një ish-anije 100-vjecare e Flotës Detare Amerikane, 79 metra e gjatë, dhe ‘’Barbara’’, me një gjatësi prej 88,5 metrash.

“Jahtet, që sa vijnë e shtohen, hyjnë nga Korfuzi,” shpjegon Serani. “Nisja nuk është e vështirë por nevojitet një ndërmjetësuës për të udhëzuar ku të ankorojnë apo të marrim me qera një makinë për të vizituar qendrat tona nën mbrojten e UNESCO-s që janë në Gjirokastër”.

Serani përmend një aeroport të ri afër Sarandës i cili pritet të vihet në punë në 2019. Ai do të tërheq jahtet ashtu si pista modeste e Tivatit rriti numrin e vizitorëve vetëm 160 milje detare larg nesh, në Malin e Zi.

Jahtet mund të ankorohen përgjatë bregdetit tonë përrallor, dhe në Orikum Marina 100 kilometra në veri, por një kompleks detar luksoz do t’i shtonte këtij vendi sa Toskana një magji të prekshme. Serani nxjerr iPhonin dhe më tregon një plan detar për portin e mallrave në Limion, vetëm dy kilometra në veri të qytetit, ku toka sapo ka nisur të gërryhet.

Kur të mbarojë, sipas parashikimeve, ai pritet të akomodojë jahte deri 120 metra të gjatë dhe perceptohet si çelësi që hap rrugën drejt kësaj vije bregdetare. Duke ndjekur këshillat për superjahte të ofruara prej Seranit si udhërrefyese, nisem drejt vijes bregdetare sipër Sarandës. Ankoroj në Qefal, i cili më ngjason me bregdetin e Amalfit 100 vite më parë.

Shkëmbinj të shkëputur nga njëri-tjetri rrethojnë plazhe të veçuar të cilat lagen nga deti i pastër Jon. Do justifikohesha nëse nuk do largohesha nga plazhi i Kakomesë, një plazh në formën e një gjysmë hëne më rërë të argjendtë, ku nuk mungon edhe një skelë e vjetër prej nga ku mund të kërcesh për në parajsë.

“Por, ne kemi nevojë për një port elitar’’, shprehet ajo.

Megjithatë, unë zgjodha të ndjek rrugën e pelegrinazhit duke lënë pas dy manastiret e zbukuruar me afreske për të shkuar në plazhin e Krorëzës – dy harkore perfekte me rërë që do të përbënin kryelajm në Kroaci, Turqi apo Greqi. Këtu jam i vetëm në plazh. Isha në dijeni se sa qetësi ishte në këtë parajsë me rërë, kështu që i dhashë nën dorë një pronari të një plazhi atje rreth 10 euro për të më marrë në barkën e tij dhe për të më lënë në shtëpi pas një banjo dielli. Varka e tij e vjetër me motor 20 kuaj fuqi ndizet duke tërhequr një litar.
Mikrobuzi im i kampimit që zhurmon në perëndim të diellit, duke kaluar silurat sovjetike të gdhendura në shkëmbinj, do t’i bëjë miqtë e mi të jahtit që duan të shikojnë gjithçka, të mbyten në pije.

Më tutje drejt veriut qëndron një çudi akoma dhe më e madhe: gadishulli i fortifikuar i Porto Romanos – një Kep Ferrat francez në miniaturë që ka në majë një kështjellë veneciane që daton nga koha e luftës dhëmb për dhëmb në Adriatik mes anijeve veneciane dhe flotës osmane.

Vendqëndrimi është aq strategjik saqë kur udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov e vizitoi në 1959-ën, ai foli edhe për një bazë nëndetësesh.

I armatosur vetëm më një kajak, të marrë me qera dhe maskë, unë ndërmarr një sulm mëngjesi kundër bazës pa roje. Duhet t’i afrohesh me shpejtësi dokut të madh dhe më pas të përkulesh dhe lëvizësh në det pa qëllim. Brenda gjendet një katedrale betoni që mund të shërbejë si sfond për një film me Xhejms Bond. Jam shumë i druajtur për të bërë një zhytje të lirë, prandaj vozis për plot 100 metra derisa shikoj dritë vezulluese në anën tjetër të tunelit.

Ditë tjetër, tjetër pushtim i një ish-pike të fortë ushtarake. Ka qenë e ndaluar të shkoje në ishullin e Sazanit, një instalim ushtarak shumë sekret që nga koha e Luftës së Parë Botërore, por në 2017 u hap për turistët kureshtarë. Më një gjatësi prej pesë kilometrash është ishulli më i madh i pabanuar në të gjithë Mesdheun. Është i mbuluar nga pyje të dendura, ashtu si ‘’Lufta e humbur’’ nga Jurassic Park.

Forcat special sovjetike dhe kineze lanë 2 800 bunkerë dhe kazerma, një hapësirë që tashmë është plotësuar nga shqiponjat që ngjiten lart si shigjetë dhe delfinët që kërcejnë. Meqë leja ime në Sazan më lejon të bëj vetëm një vizitë të shpejtë, udhëtimin tim e përfundoj me një ecje në këmbë drejt shtëpisë së shkatërruar të governatorit italian. Panorama detare ku Joni i kripur dhe i kaltër takon Adriatikun blu të bën të pyesësh veten se përse nuk ka jahte të tjerë që vijnë nga Italia, Kroacia, Mali i Zi apo Greqia?

‘’Ata vijnë’’, thotë Nicolas Fry, menaxher i udhëtimeve me çarter në Camper & Nicholsons: “Në 2017, ne vumë re një rritje të popullaritetit. Fry pronotoi disa udhëtime çarter për në Shqipëri me Eclipse,” një anije 43 metra e pajisur me lodra eksploruese për një aventurë të pazakontë shqiptare.

“Klientët ia kaluan mirë’’, tregon Fry, por ajo që mungon “është një port i klasit të parë i ndërtuar dhe i menaxhuar për superjahte”. Nuk është nevoja të pritet shumë për këtë. Fry thotë: “Kur pyet për Shqipërinë, më parë shiko se çfarë ndërtoi Mali i Zi në 10 vjet.

Shkurtimisht, ‘‘Porto Montenegro’’ duhet të jetë model për zhvillimin e sektorit të jahteve në Shqipëri.

“Të huajt mund të ndërtojnë porte jahtesh në Shqipëri, një subjekt i legjislacionit vendas dhe duket se ka lëvizje në këtë drejtim. Në Kavajë, ka një propozim për një port jahtesh me 650 vende për jahte deri në 75 metra. I quajtur ‘’Porto Albania’’, projekti duket se ka marrë mbështetjen e kompanise zvicerane të zhvillimit ‘’Finsec’’. Ndërsa lidhur më zhvillimin në Limioni afër Sarandës, nuk ka një datë. Nëse merresh me këtë punë për zhvillimin e porteve të jahteve apo vetëm nëse mendon gëzueshëm për një plazh sekret të harruar nga turizmi botëror, atëherë e di ku të kërkosh.

Nuk do të jetë e largët dita, kur Shqipëria do të marrë vendin e duhur në qendër të skenës të xhiros verore të superjahteve./ KultPlus.com