Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri – brigje sekrete dhe vendpushime idilike

Krahas vargmaleve të ndryshme malore që shtrihen përgjatë pjesës lindore të Shqipërisë, bregdeti i saj jugperëndimor është shtëpia e plazheve parajsore ku dielli shkëlqen dhe çadrat ofrojnë hijen e nevojshme për plazhistët, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen amerikane CN Traveler (Condé Nast Traveler).

Ndërsa vija bregdetare e saj me rërë ishte një sekret për një kohë të gjatë – në krahasim me fqinjët e saj më të njohura – Kroacinë dhe Greqinë – Shqipëria po bëhet gjithnjë e më popullore në mesin e turistëve ndërkombëtarë.

Plazhet e Shqipërisë mund të kthehen në një romancë verore që nuk do ta harroni kurrë!

Qiej të mahnitshëm blu, një bregdet i egër dhe dramatik dhe ujëra të ngrohta mesdhetare që përplasen në këmbët tuaja – Mirësevini në Shqipëri!

Gjiri i Gramës

I vogël dhe tërheqës, me rërë të imët e të bardhë, Gjiri i Gramës është i fshehur mes shkëmbinjve të thepisur dhe i rrethuar nga një bimësi e harlisur.

Mënyra më e lehtë për ta vizituar është nga deti duke pasur parasysh vendndodhjen e tij të largët dhe të izoluar.

Ai ofron pikërisht atë që dëshironi të gjeni në pushimet tuaja në plazhin shqiptar, duke përfshirë ujërat mahnitëse bruz të detit Jon.

Mos humbisni mbishkrimet e lashta në shkëmbinjtë e afërt që datojnë që nga koha romake dhe greke.

Plazhi i Ri dhe Uji i Ftohtë, pranë Vlorës

Këto dy plazhe janë porta hyrëse për në Rivierën Shqiptare – ku ndodhen plazhet më të mira në Shqipëri.

Vlora, e vendosur pak më shumë se 90 milje nga kryeqyteti shqiptar, Tirana, është një qytet port – ku detet Jon dhe Adriatik takohen dhe shkëmbinjtë shtrihen përgjatë bregdetit.

Qyteti tërheq një sërë turistësh të cilët gjejnë plazhe dhe atmosfera të ndryshme për çdo shije.

Nëse jeni duke kërkuar për një ambient të gjallë feste, ju presin baret e Plazhit të Ri. Nëse preferoni diçka më pak të populluar me njerëz, atëherë drejtohuni në Ujin e Ftohtë – i cili është më i izoluar.

Llamani, në Himarë

Himara, një fshat magjepsës bregdetar ndodhet në Rivierën Shqiptare.

Përveç të qenit një vendpushim popullor plazhi, ka një fshat të qetë ku jeta vazhdon prej kohësh, me peshkatarë që mblidhen në taverna tradicionale pas një dite të gjatë në det.

Është pasqyrimi i vërtetë i një prej plazheve më të mira të Shqipërisë – i hapur për udhëtarët ndërkombëtarë, por duke mos harruar rrënjët e saj.

Vendi më i mirë për të shijuar diellin dhe detin pranë Himarës është në Llaman, një plazh i preferuar nga vendasit.

I vendosur midis dy kodrave, ky liman me guralecë është vendi ideal për të vendosur peshqirin tuaj dhe për tu mrekulluar me Mesdheun.

Buneci

Buneci rreth 30 kilometra nga qyteti i Sarandës – dhe shumë vizitorë tërhiqen nga dritat e ndezura dhe atmosfera festive.

Në Bunec, do të gjeni një plazh të qetë me guralecë të bardhë – po aq të bukur sa Saranda.

Ka disa kafene tradicionale dhe një hotel – nga ku mund të dëgjoni zhurmët e valëve – dhe kush dëshiron më shumë se kaq?

Dhërmiu

Në Dhërmi do të gjeni rërë të imët, guralecë të bardhë dhe pemë ulliri shekullore, por edhe shezllone dhe çadra shumëngjyrëshe, bare plazhi në modë –  dhe një sërë akomodimesh, nga ato më modeste deri te hotelet me pesë yje.

Ai konsiderohet si plazhi më “cool” në Shqipëri.

Saranda

Sarandë, është gjithashtu një nga destinacionet më të njohura në Ballkan me një atmosferë që shpesh ndihet e ngjashme me atë që gjendet në shumë nga resortet mesdhetare të Spanjës.

Qyteti po përjeton një bum ndërtimi dhe kodrat pas detit janë të mbushura me hotele dhe ndërtesa apartamentesh në proces ndërtimi.

Borshi

Pikërisht në jug të Qeparoit, rruga për në Borsh është verbuese, e ndërprerë nga shkëmbinjtë dhe limanet në një nga rrugët më dramatike bregdetare të vendit.

Plazhi, çuditërisht pak i vizituar në Shqipëri, është i rrethuar nga ullinj dhe kodra.

Peizazhi të përcjell imazhin e Mesdheut të dikurshëm, i cili ka arritur të mbijetojë në gjendjen e tij të pastër, të paprekur.

Ishujt e Ksamilit

Nëse do të na duhej të hartonim një listë me destinacionet më të mira të plazheve të Shqipërisë, Ishujt e Ksamilit do të ishin të paktën ndër tre të parët, nëse jo në vendin e parë.

Ky arkipelag, 12 milje larg Sarandës, është më shumë se thjesht një foto kartoline.

Në vend të kësaj, ndihet si një ëndërr: katër ishuj të pyllëzuar në mes të një deti të pabesueshëm me ujëra bruz.

Plazhet janë me rërë të bardhë – një gjë e rrallë në një zonë ku guralecat janë më të zakonshëm.

Ndërsa shikoni në horizont, do të shihni një numër ishujsh të tjerë që duken aq afër, saqë do të dëshironit t’i shtrinit dorën dhe t’i preknit!

Qeparo

Qeparoi është një nga plazhet më nën radar dhe më pak të vizituar në Rivierën Shqiptare.

Ky fshat fotogjenik ka dy shkëmbinj me pamje nga Mesdheu – një pamje që do të dukej mahnitëse në kanavacë – ose në Instagram, natyrisht, pa asnjë filtër.

Ndërkohë që flitet për plazhet e Shqipërisë, plazhi i Qeparoit arrin të mbetet ende sekret.

Durrës

Mos u trembni nga madhësia e Durrësit, qyteti i dytë më i populluar në Shqipëri.

Përveç disa vendeve të njohura – si Amfiteatri dhe Banjat Romake – ai është i bekuar me një shtrirje bregdetare rreth 6 milje të gjatë – me siguri do të gjeni një shezlong ku mund të vendosni peshqirin tuaj.

Gjilekë

Në bregdetin jugor të Shqipërisë, pranë fshatit Dukat, do të gjeni një plazh më pak të njohur të quajtur – Gjilekë.

Fakti që është kaq e vështirë për t’u aksesuar ka ndihmuar në ruajtjen e natyrës së saj të pacenuar dhe të paprekur.

Mund të arrihet vetëm me varkë ose në këmbë për gati gjysmë ore përgjatë një shtegu që fillon në fshatin Gjilekë dhe përshkon një kanion të mrekullueshëm.

Sapo të mbërrini, shkëmbinjtë e saj të lartë me ujëra të pastër kristal do të shfaqen para jush./atsh/KultPlus.com

Kalaja e Gjirokastrës tjetër rekord vizitorësh

Vazhdon rritja e numrit të vizitorëve në Kalanë e Gjirokastrës, e cila arrin sërish një rekord për periudhën 1 korrik-31 korrik 2024.

Vizitat turistike në Kalanë e Gjirokastrës  kanë ardhur duke u rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të dy viteve më parë. Rritja e muajit që lamë pas llogaritet në 13.78%, krahasuar me vitin 2023, ndërsa shifrat arrijnë në 116,35% nëse krahasohen me dy vjet më parë.

35,996 vizitorë gjatë kësaj periudhe ose 4,359 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2023 ose 19,358 vizitorë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022.

Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë” është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Simboli kryesor i qytetit është kalaja, e lidhur ngushtë me vetë qytetin. Ajo është e vendosur mbi një kodër, rreth 370 m mbi nivelin e detit.

Krahasuar me kalatë mjesjetare të tjera të vendit, kjo kala është më e vogël nga sipërfaqja por ruhet në gjendje më të mirë. Gjerësia e saj është 75 m dhe gjatësia 500 m. Për t’u shtuar rezistencën mureve të kalasë janë ngritur pesë kulla të fuqishme.

Që në hyrje të kështjellës gjendet galeria e topave dhe një koleksion i armëve që janë mbledhur që nga lashtësia e deri në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. Me vlerat që posedon, ajo është tejet atraktive për turistë nga mbarë bota./atsh/KultPlus.com

Media spanjolle “Actualidad Viajes”: Bregdeti shqiptar – vendet më të mira për t’u vizituar

Shqipëria është një vend i bukur, me një histori të gjatë dhe plot ngjyra dhe ka shumë për të zbuluar dhe shijuar, shkruan Mariela Carril në një artikull të botuar në të përditshmen spanjolle “Actualidad Viajes”.

Vendi mesdhetar mund të vizitohet në çdo stinë dhe ofron plazhe mahnitëse që shtrihen në brigjet e deteve Adriatik dhe Jon.

Saranda dhe plazhet e Ksamilit 

E vërteta është se – Shqipëria nuk ofron vetëm kisha, xhami, vende arkeologjike dhe qytete historike, por gjithashtu plazhe magjepsëse dhe resorte ideale për pushime dhe argëtim.

Saranda është një prej tyre, e famshme për jetën e saj të natës, restorantet e shkëlqyera dhe plazhet mahnitëse në detin Mesdhe.

Gjithashtu, vizitoni Plazhin e Pulëbardhës apo Ksamilin e bukur.

Ksamili është emri i një fshati të vogël, vija bregdetare e të cilit përmban limane, ishuj të vegjël, pyje dhe laguna që shkëlqejnë kur dielli fillon të perëndojë.

Kjo zonë ofron shumë plazhe përreth. Ksamil ndodhet në jug të vendit, vetëm 15 minuta larg nga Saranda dhe ndryshe është quajtur si “Perla e detit Jon”.

Gjithashtu – shumë vizitorë e konsiderojnë si “Kryeqytetin” e diellit, rërës dhe detit.

Plazhet me pamje nga perëndimi ndodhen pranë pjesës veriore të ishullit grek të Korfuzit dhe kanë të njëjtën atmosferë.

Katër ishujt jashtë bregut të Ksamilit mund të eksplorohen me kajak dhe varkë, por plazhi kryesor ndodhet pranë shkëmbinjve të vegjël me ujëra të pastra blu.

Zona ofron resorte bregdetare dhe për këtë arsye është miqësore me familjen.

Nëse dëshironi të kaloni një ditë ndryshe – vizitoni rrënojat e Butrintit.

Plazhi i Pasqyrave ndodhet afër dhe quhet kështu pasi ujërat e tij reflektojnë diellin me shkëlqim – duke i dhënë atij një efekt magjik, njësoj si të ishte një pasqyrë.

Ai ka një peizazh të mrekullueshëm – me ujëra blu të thellë, rërë të butë dhe të bardhë – e cila kthehet në guralecë duke iu afruar bregut.

Plazhi i Pasqyrave ka disa formacione shkëmbore që lejojnë njëfarë intimiteti dhe mund të bëni zhytje pasi zona ka një jetë detare dhe shpella.

Sigurisht, ky plazh është shumë i vizituar gjatë verës dhe ofron perëndime të bukura, ndaj është mirë të shkoni atje kur perëndon dielli. Plazhi është vetëm 15 minuta larg nga Saranda.

Plazhi i Palasës

Ky plazh ndodhet në qarkun e Vlorës, përgjatë Qafës së Llogorasë.

Është një plazh i bukur me ujëra të kristalta dhe me një peizazh të bukur të rrethuar nga pyje dhe shkëmbinj.

Ujërat e këtij bregdetit janë bruz, ndërsa sa më shumë i afrohemi bregut, krijohen pellgje të qeta dhe të ulëta, perfekte për fëmijët.

Duket si një plazh i izoluar, por në të vërtetë ka bare dhe restorante – kështu që është mjaft i përgatitur për vizitorët.

Plazhi i Potamit

Ky plazh ndodhet në skajin verior të Rivierës Shqiptare, pranë Dhërmiut dhe Himarës.

Është afër Plazhit të Llamanit, kështu që udhëtarët zakonisht i vizitojnë të dyja bashkë.

Potami ka një peizazh malor dhe është i rrethuar nga gjelbërimi.

Ky plazh ofron bare dhe restorante, gjithashtu.

Plazhi i Dhërmiut

Ky plazh ndodhet në jug të Palasës, afër fshatit Dhërmi, dhe është vërtet madhështor- me rërë të bardhë, ujëra bruz dhe çadra shumëngjyrëshe.

Përveç kësaj, ai ka një formacion të madh shkëmbor që ndan plazhin në dy pjesë; plazhi me rërë dhe plazhi me guralecë.

Dhërmiu njihet si plazhi më perëndimet më të mrekullueshme te diellit.

Plazhi i Jalës

Plazhi i Jalës thuhet se është një nga plazhet më të mira shqiptare për not.

Nëse e krahasojmë me plazhet fqinje, ai dallohet për transparencën e ujërave dhe ngjyrën blu të theksuar.

Ky plazh është popullor – pasi është shtëpia e bareve dhe diskotave më të mira, ose një nga më të mirat në Shqipëri.

Plazhi i Bunecit

Më në jug të Sarandës, ndodhet Plazhi i Benecit, një brez i gjerë bregdetar me rërë i cili është ideal banjo dielli.

Nuk është kurrë i mbushur me njerëz dhe bregdeti është i zbukuruar nga një sfond malor.

Buneci ka ujëra të pastra bruz, rërë të bardhë dhe pamje mahnitëse të bregdetit të Jonit. Gjithashtu ofron shumë restorante dhe kafene.

Plazhi i Borshit

Ky plazh ndodhet në qendër të Rivierës Shqiptare, pranë fshatit Qeparo, vetëm 7 kilometra larg.

Është plazhi më i madh në Shqipëri, me guralecë të bardhë, ujëra blu dhe pamje mahnitëse të maleve bregdetare.

Eshte i veshur me ullinj dhe aksesohet lehtesisht me makine, madje ka dhe parkim.

Ky plazh është rreth 1 orë larg nga Saranda.

Plazhi i Filikurit

Ky plazh është ideal për turistët që kërkojnë një vendpushim më të izoluar.

Ai ndodhet midis Plazheve të Potamit dhe Llamanit dhe është një thesar i Rivierës Shqiptare pasi ndodhet vetëm pak kilometra larg Himarës së famshme.

Shkëmbinjtë e lartë mbrojnë gjirin dhe ujërat e tij të qeta dhe bruz janë ideale për not.

Ky plazh është gjysmë privat, kështu që ju mund ta eksploroni atë vetëm me kajak ose varkë.

Riviera Shqiptare është magjepsëse dhe ofron disa nga plazhet më të mira në Ballkan dhe Evropë.

Edhe nëse nuk e besoni – plazhet shqiptare kanë ujëra blu dhe rërë të bardhë dhe zakonisht rrethohen nga malet – duke shfaqur një peizazh të mrekullueshëm.

Shumica e plazheve në veri janë me guralecë, por plazhet me rërë gjenden më shumë në dhe rreth Ksamilit.

Dhërmiu dhe Buneci për shembull kanë rërë të bardhë.

Kur duhet të vizitoni bregdetin shqiptar?

Muajt ​​e verës dhe piku sezonit veror janë qershori, korriku dhe gushti.

Pranvera dhe vjeshta janë stinët më të mira dhe temperaturat janë ende të ngrohta për të notuar.

Por, gjithashtu ju mund të vizitoni Parqet Kombëtare dhe të ngjiteni në Alpet Shqiptare.

Nëse planifikoni të vizitoni bregdetin shqiptar, duhet të dini se qytetet e mëdha si Vlora apo Saranda ofrojnë akomodimin, baret dhe restorantet më të mira.

Nëse kërkoni një alternativë më të qetë, Dhërmiu apo Himara janë opsionet e duhura./atsh/KultPlus.com

Media italiane “Tag24”: Cilat vende të vizitoni në Shqipëri për pushimet verore 2024?

Shqipëria, me plazhet e saj të pacenuara, malet madhështore dhe historinë e pasur kulturore, është një perlë e fshehur në zemër të Ballkanit, shkruan Marilyn Aghemo në një artikull të botuar në të përditshmen italiane Tag.24.

Ende pak e njohur nga publiku i gjerë turistik, ajo ofron një përvojë autentike dhe magjepsëse për turistët që kërkojnë një alternativë ndryshe kundrejt destinacioneve më të njohura.

Cilat janë vendet e rekomanduara në Shqipëri për pushimet verore 2024? Një vend pak i njohur, djep i bukurisë.

Tirana: zemra e gjallë e Shqipërisë

Niseni udhëtimin tuaj nga kryeqyteti, Tirana. Qyteti, i karakterizuar nga një atmosferë e gjallë dhe kozmopolite, është një ndërthurje magjepsëse e modernitetit dhe traditës.

Duke ecur nëpër rrugët e saj, mund të zbuloni ndërtesa shumëngjyrëshe, kafene në modë dhe monumente historike.

Sheshi Skënderbej është qendra e qytetit, i rrethuar nga ndërtesa të rëndësishme si Muzeu Historik Kombëtar, Xhamia e Et’hem Beut dhe Teatri i Operas dhe Baletit.

Mos e humbisni rastin të ngjiteni në Kullën e Sahatit për një pamje panoramike të qytetit.

Për një eksperiencë më të thellë kulturore, vizitoni Bunk’Art, një muze i vendosur në një bunker rrëshqitës, i cili ofron një pasqyrë të historisë shqiptare gjatë regjimit komunist.

Plazhet e jugut: Riviera Shqiptare

Pasi të eksploroni Tiranën, shkoni në jug për të zbuluar Rivierën mahnitëse Shqiptare. Ky rajon, shpesh i krahasuar me Côte d’Azur – riviera franceze, krenohet me disa nga plazhet më të bukura në Mesdhe, me ujëra të kristalta dhe peizazhe mahnitëse.

Saranda është porta hyrëse e Rivierës. Ky qytet i gjallë bregdetar ofron një ndërthurje plazhesh me rërë të bardhë dhe guralecë, ujëra bruz dhe një jetë nate të gjallë.

Nga këtu, është e lehtë të arrish në sitin arkeologjik të Butrintit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i cili strehon rrënojat që datojnë që nga koha greke, romake dhe bizantine.

Duke vazhduar përgjatë bregdetit, do të mbërrini në Ksamil, një fshat i vogël – i famshëm për ishujt dhe plazhet magjepsëse.

Ishujt e Ksamilit, të arritshëm me varkë, ofrojnë një vendstrehim perfekt për turistët që kërkojnë qetësi dhe bukuri natyrore.

Duke vazhduar udhëtimin, ndaloni në Himarë, një qytet piktoresk që ruan ende hijeshinë e një vendi të lashtë peshkimi.

Plazhet e Livadhit dhe Gjipesë janë të paharrueshme: i pari ndodhet në një vijë bregdetare të gjerë me rërë, ndërsa i dyti është një liman i fshehur, i aksesueshëm nëpërmjet një shtegu ecjeje ose me varkë.

Mrekullitë natyrore

Shqipëria nuk ofron vetëm plazhe; vendi ofron peizazhe spektakolare malore dhe fshatra historikë magjepsës.

Një nga vendet që nuk duhet humbur është Parku Kombëtar i Malit të Tomorrit, një zonë e mbrojtur që ofron mundësi për shëtitje, ngjitje dhe zbulimin e manastireve të lashta.

Një tjetër destinacion i padiskutueshëm është Parku Kombëtar i Thethit, i vendosur në Alpet Shqiptare.

Ky park është një parajsë për adhuruesit e natyrës dhe sporteve në natyrë.

Këtu mund të ecni përgjatë shtigjeve të shënuara, të vizitoni Ujëvarën e Grunasit dhe të admironi kullat tradicionale të vrojtimit.

Jo shumë larg Thethit, shtrihet fshati Valbonë, një tjetër xhevahir i fshehur në male.

Valbona është baza ideale për të eksploruar Parkun Kombëtar të Valbonës, me peizazhet e saj mahnitëse dhe shtëpitë tradicionale prej guri.

Qyteti i Beratit: “qyteti i një mbi një dritareve”

Berati, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”, është një vend i UNESCO-s që ofron një përvojë magjepsëse në historinë dhe arkitekturën shqiptare.

Shtëpitë e saj osmane të ruajtura mirë dhe kështjella mesjetare me pamje nga qyteti janë dëshmi e një të kaluare të pasur dhe të larmishme.

Ecja nëpër rrugët e ngushta të shtruara me gurë do t’ju kthejë pas në kohë.

Vizitoni Kalanë e Beratit, e cila ende strehon shtëpi dhe kisha të lashta, si dhe Muzeun Onufri, kushtuar piktorit të famshëm shqiptar të ikonave.

Pamja panoramike nga maja e Kalasë mbetet e paharrueshme.

Gjirokastra: “qyteti i gurtë”

Një tjetër qytet i trashëgimisë së UNESCO-s që ia vlen të vizitohet është Gjirokastra, e njohur si “qyteti i gurtë”.

Me shtëpi historike prej guri dhe një Kala mbresëlënëse, Gjirokastra ofron një përvojë unike dhe autentike.

Kalaja e Gjirokastrës, e cila dominon qytetin, strehon një muze ushtarak dhe ofron pamje spektakolare të luginës përreth.

Shtëpia-muze e Ismail Kadaresë, një prej shkrimtarëve më të mëdhenj shqiptarë, është një tjetër pikë interesi që nuk duhet humbur.

Kuzhina dhe mikpritja shqiptare

Kuzhina shqiptare është një tjetër aspekt që do ta bëjë udhëtimin tuaj të paharrueshëm.

E ndikuar nga traditat mesdhetare dhe ballkanike, vendi ofron pjata të pasura me shije dhe përbërës të freskët.

Shqiptarët shquhen për mikpritjen e tyre. Kudo që të shkoni, do të përshëndeteni me ngrohtësi dhe mirësi.

Mos u habitni nëse ju ofrohet një gotë raki, një pije e fortë vendase, si shenjë Mirëseardhjeje!/atsh/KultPlus.com

“111-vjetori i Konferencës së Londrës”, njohja ndërkombëtare e Shqipërisë dhe lindja e çështjes së Kosovës

Konferenca e Ambasadorëve në Londër, u hap më 17 dhjetor të vitit 1912, pak ditë pasi që në Vlorë të jetë shpallur pavarësia e Shqipërisë. Aty duhej të vendosej për fatin e saj, pa marrë parasysh se vendi qe pushtuar nga të gjitha anët: në Veri nga ushtritë malaziase, në Verilindje nga ato serbe dhe në Jug nga Grekët. Përjashtim këtu bënin dy qytete shqiptare: Shkodra në Veri dhe Janina në Jug ku forcat osmane dhe ato shqiptare të rrethuara bënin rezistencë.

Jusuf Buxhovi

Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ndonëse pa ndonjë përgatitje paraprake e natyrshme në raste të tilla, filloi me dy qëndrime të ndërtuara që më parë, të imponuara nga diplomacia austro-hungareze dhe politika e saj, të cilat po ashtu ishin në përputhje me interesat e Lidhjes Trepalëshe. Dhe ato ishin:

a) njohja e ekzistencës së Shqipërisë, pa marrë parasysh statusi që duhej t’i caktohej, dhe

b) vendet ballkanike fituese të luftës me Perandorinë Osmane, duhej të shpërbleheshin me territore, por jo në përmasa me kërkesat e tyre të plota, meqë kjo ngatërronte dhe madje rrënonte interesat e fuqive të mëdha europiane, ato të Lidhjes Trepalëshe, sidomos të Vjenës dhe Romës, të cilat nuk ishin të interesuara që ngopja e shteteve sllave të Ballkanit të shkonte në dëm të interesave të tyre, meqë ashtu forcohej edhe ndikimi rus në këtë pjesë të rëndësishme. Po ashtu, bërjen e Shqipërisë shtet e shihnin në (mos) përmbushjen e apetiteve të ndërsjella për shtrirje sa më të thellë në Ballkan, të cilat Shqipëria i pengonte.

Kundër forcimit të ndikimit rus në Ballkan ishte edhe Britania e Madhe po edhe Franca, që ndonëse luftonin çfarëdo përfitimi të Austro-Hungarisë në këto zhvillime, nuk mund të lejonin që ajo të përfitonte nga gjendja e re. Nga ky pozicionim, Britania e Madhe, e cila mori përsipër rolin e “shpëtimtarit të paqes” që duhej të arrihej nëpërmes balancimit të interesave të Fuqive të Mëdha, u vu në mbrojtje të një Shqipërie, e cila ishte e vetmja në gjendje që t’i ndihmonte këtij qëllimi, që për politikën e Londrës kishte rëndësi të madhe. Këtu në të vërtetë ndodheshin edhe gjasat e mbijetesës së saj.

Për Shqipërinë, megjithatë, kishte rëndësi njohja e ekzistencës së saj qysh në fillim, pa marrë parasysh si do të bëhej kjo, meqë aty ndodhej edhe çelësi i zgjidhjeve të shumë çështjeve të tjera, që lidheshin drejtpërdrejt me fillimet e normalitetit, i cili nuk mund të rikthehej pa largimin e ushtrive të vendeve pushtuese, të cilat mbanin peng pjesën më të madhe të vendit nën rrethanat e gjendjes ushtarake. E rëndësishme, po ashtu ishte, që të shkëputeshin që të gjitha lidhjet me Perandorinë Osmane, në mënyrë që hipoteka e saj të mos e ngarkonte të gjente vendin midis shteteve europiane. Si u pa në fillim, kjo jo vetëm që nuk ndodhi, po nisi edhe t’ia rëndojë kapërcimin nga Lindja në Perëndim. Rusia, madje, kishte deklaruar se “ishte edhe në interes të vendeve europiane e edhe të vetë Shqiptarëve që të ruanin lidhjet me Perandorinë Osmane nga shkaku i pranimit të tyre në masë të islamit, i cili kishte ndikuar dhe ndryshuar edhe mentalitetin e tyre si popull”!

Edhe Franca, nuk ishte gjithaq larg këtij mendimi, sado që arsyetimet e saj nuk ishin të natyrës “së civilizimeve”, por thjeshtë praktike, meqë sipas disa vlerësimeve që kishte nga diplomatët e saj në Stamboll “organizimi shtetëror i Shqipërisë dhe administrata e saj gjithsesi duhej ruajtur diçka të traditës së gjatë shtetërore osmane, meqë ata në të kishin luajtur një rol të rëndësishëm”.

Në seancën e parë, Konferenca e Ambasadorëve, më 17 dhjetor 1912, nën kryesinë e Sër Eduard Grej (Edward Grey), vendosi që Shqipëria të ishte autonome nën sovranitetin ose suzerenitetin e Sulltanit dhe nën garancinë e kontrollin ekskluziv të gjashtë fuqive të mëdha. Konferenca ngarkoi Austro-Hungarinë dhe Italinë të studionin dhe t’u propozonin fuqive të mëdha projektin mbi organizimin e shtetit autonom shqiptar.

Në lidhje me kufijtë Konferenca vendosi në parim që Shqipëria autonome të kufizohej në Veri me Malin e Zi e në Jug me Greqinë. Me këtë vendim, duke caktuar si fqinj të veriut Malin e Zi, Fuqitë e Mëdha ia mbyllnin rrugën Serbisë për të dalë në Adriatik me anën e aneksimit të territoreve në Veri të Shqipërisë. Roli i Austro-Hungarisë këtu do të jetë vendimtar, meqë kështu përjashtohej mundësia që Serbia të dilte në det, dhe kjo mund të bëhej me anën e aneksimit të pjesës veriore, siç kishte ndodhur në të vërtetë, kur ushtritë e saj kishin depërtuar nga Shëngjini e deri në Durrës që ushtarakisht të paraprinin këtë pretendim. Nga ana tjetër, Serbisë iu njoh e drejta të kishte një dalje tregtare në det nëpër një skele shqiptare të lirë dhe asnjanëse. Ajo do të përdorej me anën e një hekurudhe ndërkombëtare, nën kontrollin europian dhe nën mbikëqyrjen e një force të posaçme ndërkombëtare, me liri transiti për gjithë mallrat, duke përfshirë këtu edhe municionet e luftës. Të nesërmen, më 18 dhjetor, këtij vendimi iu nënshtrua edhe qeveria serbe.

Kur jemi te formulimi nismëtar i Konferencës së Ambasadorëve në Londër i 18 dhjetorit 1912, pra kur Shqipëria do të shpallej autonomi nën sovranitetin ose suzerenitetin e Sulltanit, me interes për atë fazë për Shqipërinë ishte theksimi i garancive dhe i kontrollit ekskluziv të gjashtë Fuqive të Mëdha ndaj saj, gjë që kishte rëndësi dhe Qeverisë së Vlorës do t’i shkojë përshtati. Sepse, Fuqitë e Mëdha i ngarkonte me përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të mbikëqyrjes së gjendjes në gjithë vendin, të cilën qeveria e Vlorës nuk mund ta bënte edhe po t’i jepej mandati i qeverisjes, siç do t’i ngarkojë edhe me përgjegjësinë e largimit të ushtrive pushtuese jashtë vijave që Konferenca do t’i caktojë si kufi të Shqipërisë pa marrë parasysh sa dhe si ata ishin të natyrshëm.

Me këtë, do të fillojë koha e mbajtjes së Shqipërisë nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, me disa faza, e cila vendin nuk do ta nxjerrë nga terapia e krizës në të cilën do të gjendet, por njëherësh do t’ia heqë rrezikun e zhbërjes si shtet, siç dëshironin dhe vepronin fqinjët e saj.

Edhe duke u anashkaluar çështja e sovranitetit ose suzerenitetit të Sulltanit, përderisa do të hiqet fare me vendimin e 29 korrikut 1913 kur Konferenca e Londrës, më në fund, do të pranojë projektin për organizimin e shtetit shqiptar, sipas të cilit Shqipëria shpallej principatë autonome, sovrane e trashëgimore, me ç’rast i hiqej çdo lidhje suzereniteti me Perandorinë Osmane, megjithatë ky vendim la jashtë shtetit shqiptar dy qendra të rëndësishme të saj: Kosovën dhe pjesët e Maqedonisë nën Serbi dhe Janinën me rrethinë nën Greqi. Humbja e këtyre pjesëve, nga diplomacia evropiane, veçmas ajo austro-hungareze që mbronte interesat shqiptare, u pa e zhdëmtuar nga mbrojtja e Shkodrës, pasi që ajo të jetë pushtuar nga Mali i Zi, të cilën ia dorëzoi Esad Pashë Toptani, në kohën kur Konferenca e Londrës ndodhej në një fazë delikate të caktimit të kufijve të shtetit të ri shqiptar.

Vendimet e Konferencës së Londrës legjitimuan ndërkombëtarisht shtetin shqiptar, ndonëse të përgjysmuar, por njëherësh promovuan edhe “Çështjen e Kosovës”, që si e tillë do të mbetet problem i hapur ndërkombëtar për afër një shekulli.

(Shkëputur nga libri “Kosova – histori e shkurtër”, Prishtinë, 2021)./KultPlus.com

“Lonely Planet Italia”: Vizitoni Rivierën Shqiptare – një nga destinacionet magjike të Evropës

Vera në Evropë është një stinë e bukur, por gushti është një nga muajt më të ngarkuar për turizmin, që do të thotë se do t’ju duhet të ndani mrekullitë me shumë njerëz, sipas një artikulli të botuar në revistën italiane të udhëtimeve “Lonely Planet Italia”.

Për fat, ne kemi zbuluar disa nga vendet e shumta magjike të kontinentit – ku ju mund të qëndroni larg turmave të mëdha.

“Lonely Planet Italia” ka renditur gjashtë vendet më magjepsëse për të udhëtuar në verën e vitit 2024 – mes të cilave përfshihet edhe bregdeti i Shqipërisë.

Riviera Shqiptare – Rërë, diell dhe mrekulli në bregdetin e Jonit

Edhe pse nuk është më një perlë e fshehur – siç ishte 20 vjet më parë, kur plazhet ishin gjysmë të zbrazëta dhe çmimet vërtet të ulëta, bregdeti mahnitës i Shqipërisë së Jugut mbetet një kënaqësi për turistët që janë në kërkim të diellit, rërës dhe ushqimeve të detit.

Saranda është një qytet festash më vete, me bare dhe restorante nga më të mirat.

Nëse preferoni vende më të qeta, drejtohuni në bregdetin e Himarës, të rrethuar nga një numër plazhesh të bukura – (vizitoni Plazhin e Potamit, pak më në jug).

Gushti ju garanton diell, ujëra të ngrohta dhe të këndshme dhe temperatura jo shumë të nxehta.

Shezlonget dhe çadrat janë të disponueshme në një numër të kufizuar, por gjithmonë mund të kërkoni plazhe të qeta me rërë në vende si Palasa, Borshi, Buneci dhe në ishujt jashtë Ksamilit.

Nëse niseni drejt qafës epike të Llogorasë në gjirin e Vlorës, në fund të gadishullit të Karaburunit do të gjeni disa resorte dhe plazhe të izoluara, të arritshme me varkë.

Për një pasdite ndryshe, drejtohuni në sitin arkeologjik të Butrintit, ku do të eksploroni rrënojat greke, romake dhe bizantine – të cilat datojnë 2500 vjet më parë.

Gjashtë vendet më të mira në Evropë për të vizituar në gusht 2024:

1- Riviera Shqiptare
2- Gadishulli i Pelionit, Greqi
3- Minho, Portugali
4- Austria Qendrore
5- Bregdeti i Belgjikës
6- Arkipelagu i Stokholmit, Suedi./atsh/KultPlus.com

INSTAT: 1.9 milionë turistë kanë hyrë vetëm në muajin qershor në Shqipëri

Në territorin e Shqipërisë gjatë muajit qershor 2024, kanë hyrë  1.921.208 shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Sipas shifrave të publikuara nga INSTAT, ky tregues ka pësuar një rritje me 21,5 %, krahasuar me Qershor 2023.

INSTAT bën të ditur se 1.788.916 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 20,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sa i përket hyrjeve të shtetasve në qershor 2024, INSTAT bën me dije se “numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 676.241, duke pësuar një rritje me 17,7 %, krahasuar me qershor 2023. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.244.967. Ky numër është rritur me 23,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023”.

Lidhur me daljet e shtetasve, INSTAT informon se në muajin qershor 2024, 642.471 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 11,5 %, krahasuar me Qershor 2023.

“Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit qershor 2024 janë 1.146.445. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 25,4 %”, shtoi INSTAT.

Në qershor 2024 rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 1.174.197 shtetas, pasuar nga Amerika, Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 41.921 dhe 11.103 shtetas.

Në qershor 2024, krahasuar me qershor 2023, hyrjet e shtetasve të huaj shënojnë rritje, për qëllime personale me 23,2 %; rritje, për qëllime pushime,vizitë tek të afërm, etj., me 25,1 %; rritje, për biznes dhe qëllime profesionale me 57,2 %.

Sipas INSTAT gjatë periudhës janar-qershor në vendin tonë kanë hyrë 4.547.89 shtetas të huaj./atsh/KultPlus.com

Media gjermane “Blick”: Vizitoni Shqipërinë – vendin mesdhetar me pasuri historike dhe kulturore

Shqipëria po lulëzon dhe numri i turistëve në vend po rritet me shpejtësi. Ne vizituam vendin ballkanik dhe zbuluam fshatra të vegjël magjepsës dhe një ndjenjë autentike për jetën, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen gjermane “Blick”.

Vizita në Shqipëri kërkon një ndjenjë aventure – dhe pikërisht kjo është arsyeja pse një udhëtim rrugor është e vetmja mënyrë për të depërtuar në vendin ballkanik.

Na u desh pak më shumë se një javë për të eksploruar pikat turistike në jug të vendit: Liqenin mistik të Ohrit, Parkun Kombëtar të pyllëzuar të Llogorasë, zonën arkeologjike të Butrintit dhe vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të Gjirokastrës dhe Beratit.

Vendet kryesore të Tiranës

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana është plot ngjyra. Kaloni disa ditë në qytetin me 400 000 banorë.

Kushdo që viziton kryeqytetin shqiptar duhet të shijojë edhe kulturën e kafenesë dhe pub-it, e cila ka një traditë të gjatë në Shqipëri.

Tirana karakterizohet nga jeta e gjallë e natës në zonën e Bllokut, ku dikur jetonin politikanët komunistë.

Gjithashtu, në qytet po krijohen gjithnjë e më shumë restorante kreative.

Shumë sundimtarë gjatë shekujve

Shqipëria ofron një ndërthurje të kulturës dhe historisë.

Falë vendndodhjes së saj në qendër të Ballkanit, rajoni pati shumë sundues gjatë shekujve: grekët e lashtë, romakët, bizantinët dhe, për rreth 500 vjet, osmanët turq.

Të gjithë ndihmuan në formësimin e vendit dhe këta të fundit lanë gjurmë jo vetëm në arkitekturë dhe kuzhinë, por edhe në besim.

Veçanërisht Berati, me shtëpitë e tij osmane dhe rrugët e ngushta të shtruara me guralecë të Lumit Osum – është një Perlë.

Infrastruktura turistike

Berati, si i gjithë vendi, është në një udhëkryq. Shumë njerëz po lëvizin nga shtëpitë shekullore në qytetin e ri, i cili ka formuar një unazë rreth bërthamës së vjetër.

Biznesmenët po investojnë në ndërtesat historike dhe po i shndërrojnë ato në hotele, restorante dhe dyqane.

Pas pak vitesh, qytetet e vjetra do të bëhen parqe historike – siç ka ndodhur tashmë në shumicën e vendeve turistike rreth Mesdheut.

Koha më e mirë për të vizituar Shqipërinë është – tani!

Butrinti

Butrinti ndodhet në jug të vendit – dhe u shpall një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1992.

Ju mund të shihni tempuj, rrugë, teatro dhe kisha – që nga periudha e grekëve të lashtë, romakëve, të krishterëve të hershëm dhe osmanëve.

Mos e humbisni një vizitë në muzeun arkeologjik, ku mund të eksploroni gjetjet më të mira në gadishull.

Gjirokastra

Gjirokastra ndryshe quhet edhe “Qyteti i Gurtë”.

Shtëpitë në qytetin malor – me rreth 20 000 banorë – janë ndërtuar nga guri gri vendas, me të cilin janë mbuluar edhe çatitë.

Në qytetin e vjetër ndodhen rreth 600 ndërtesa të periudhës osmane (shek. XV- XIX), kjo është arsyeja pse Gjirokastra u bë gjithashtu një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005.

Gjithashtu, mund të vizitoni disa nga shtëpitë e dekoruara në mënyrë madhështore, siç është “Shtëpia e Zekatëve”, e cila ngrihet mbi qytetin e vjetër apo xhamitë.

Alpet Shqiptare

Malet në veri të vendit njihen edhe si Alpet Shqiptare.

Majat e tyre arrijnë më pak se 3000 metra, malet me luginat e tyre të gjelbërta dhe pyjet e dendura janë një Perlë e vërtetë.

Rrëqebullët, ujqërit dhe arinjtë kalojnë fshehurazi nëpër shkurre dhe shqiponjat qarkullojnë rreth majave. Përveç ecjes, mund të bëni edhe rafting.

Bukuri origjinale

Ne u kthyem në qytetin e Himarës pas perëndimit të diellit, kur njerëzit ishin duke shëtitur përgjatë mini-shëtitores.

Himara ka një bukuri origjinale që nuk do ta gjeni në shumë destinacione pushimesh.

Nga qyteti i Himarës, afërsisht në mes të detit Jon, një shteg i zhvilluar ecjeje përshkon rrugën në veri drejt gjireve të ndryshëm shkëmbor.

Riviera Shqiptare

Shqipëria krenohet me plazhet fantastike, ushqimin e thjeshtë por shumë të shijshëm dhe natyrën ende të pacënuar.

Plazhet në jug në detin Jon, e ashtuquajtura Riviera Shqiptare, janë më të bukura se ato në veri.

Një nga plazhet më të bukura është Plazhi i Gjipesë, i cili mund të arrihet vetëm në këmbë ose me automjet fuoristradë.

Ia vlen të ecësh gjysmë ore për në plazh. Folie Marine – Hotel & Beach Club ndodhet në plazhin e Jalës.

Ky është bari ideal për turistët që duan të kërcejnë rreth pishinës deri herët në mëngjes në korrik/gusht.

Gjithashtu, vizitoni Syrin e Kaltër. Ky burim ujor është më i pasuri në vend – me ngjyra mbresëlënëse./atsh/KultPlus.com

Krijimi i argjendarit shqiptar hyn në garën prestigjoze ndërkombëtare të Çmimit të Orëve 2024 në Zvicër

Shqipëria është pranuar në garën e Çmimit të Madh të Orëve 2024 në Gjenevë, Zvicër, ose ndryshe “Oskari” botëror i orëkrijuesve, me një punim të Argjendari “Pirros”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale këtë kryevepër të mahnitshme të Argjendari “Pirros”, me motive shqiptare.

“Një orë me një fushë prej 1500 pllakëzash mikroskopike në gur të kuq nga Murano, mbi të cilën janë vendosur 12 valltarë shqiptarë nga 0.9 mm, punuar me dorë në ar të verdhë 18 karatësh, e cila është pranuar në garën e Çmimit të Madh të Orëve 2024 në Gjenevë, Zvicër, ose ndryshe “Oskari” botëror i orëkrijuesve, ku falë argjendarit tonë gjenial hyn për herë të parë edhe Shqipëria”, tha Rama.

Media italiane “Gaeta.it”: Zbuloni Sarandën – një nga perlat e Rivierës Shqiptare

Saranda, një nga perlat e bregdetit jugor të Shqipërisë, është destinacioni perfekt për pushime verore, shkruan Francesco Giuliani në të përditshmen italiane “Gaeta.it”.

Me klimën e saj mesdhetare, ujërat e kristalta të detit Jon dhe pasurinë e vendeve historike, Saranda ofron një eksperiencë të paharrueshme për vizitorët në gusht.

Më poshtë vijon një udhëzues se çfarë duhet të vizitoni dhe të bëni në këtë qytet magjepsës shqiptar.

Plazhet dhe deti

1. Plazhi i Ksamilit: Pak kilometra larg Sarandës, Ksamili është i famshëm për ujërat e tij bruz dhe ishujt piktoreskë.

Plazhet me rërë dhe limanet e fshehura ofrojnë një mjedis ideal për relaks dhe not.

Në gusht, temperaturat e larta e bëjnë atë vendin ideal për të shijuar detin.

2. Plazhi i Pasqyrave: Ky plazh njihet për ujërat e tij të pastra dhe qetësinë.

I njohur për pastërtinë e ujit, ai është plazhi perfekt për ata që kërkojnë një “cep parajse” që nuk është i mbushur me njerëz.

Vendet historike dhe kulturore

3. Butrinti: Ky sit arkeologjik, një vend i trashëgimisë së UNESCO-s, është i domosdoshëm për këdo që viziton Sarandën.

Butrinti ofron një dritare në historinë e lashtë – me rrënojat e tij të ruajtura mirë – që datojnë në periudhat greke, romake, bizantine dhe veneciane.

4. Kalaja e Lëkurësit: E vendosur në një kodër me pamje nga Saranda, Kalaja e Lëkurësit ofron pamje spektakolare panoramike të qytetit dhe detit.

E ndërtuar në shekullin e XVI nga turqit osmanë, është një vend i mrekullueshëm për të parë perëndimin e diellit.

Natyra dhe aventurat

5. Syri i Kaltër: Ky burim natyror, që ndodhet rreth 30 minuta me makinë nga Saranda, është një fenomen natyror mbresëlënës.

Ujërat blu intensive burojnë nga një thellësi e panjohur, duke krijuar një efekt vizual magjepsës.

Është një vend i mrekullueshëm për një shëtitje ditore dhe një zhytje freskuese në ujërat e ftohtë.

6. Parku Kombëtar i Llogorasë: Rreth një orë me makinë në veri, Parku Kombëtar i Llogorasë ofron shtigje ecjeje të rrethuara nga natyra dhe pamje që të lënë pa frymë.

Në gusht, temperaturat e ftohta në zonat malore ofrojnë një arratisje nga nxehtësia e bregdetit.

Jeta e natës dhe gastronomia

7. Bregdeti i Sarandës: Shëtitorja buzë detit të Sarandës është zemra e jetës së natës së qytetit.

Në gusht, restorantet, baret dhe kafenetë përgjatë bregdetit janë plot me turistë të huaj dhe vendas që shijojnë mbrëmjet e verës.

Shijoni kuzhinën lokale, e cila përfshin pjata me peshk të freskët dhe specialitete mesdhetare.

8. Taverna Limani: Ky restorant është i famshëm për kuzhinën e tij tradicionale shqiptare dhe pamjet spektakolare nga deti.

Është vendi i përsosur për një darkë romantike ose një mbrëmje me miqtë.

Saranda në muajin gusht ofron një ndërthurje perfekte të bukurisë natyrore, historisë dhe argëtimit.

Pavarësisht nëse jeni adhurues i plazhit, i historisë apo një aventurier, ky qytet ka diçka për të ofruar për të gjithë. Udhëtim të mbarë!/atsh/KultPlus.com

Shqipëria 86% rritje të numrit të turistëve sipas klasifikimit të Komisionit Evropian të Udhëtimeve

Kryeministri Edi Rama ndau sot klasifikimin e Komisionit Evropian të Udhëtimeve, ku Shqipëria renditet e para me 86% rritje të hyrjeve të turistëve.

Rama u shpreh se, Shqipëria turistike konfirmohet përsëri si një histori e bukur suksesi.

“Klasifikimi i Komisionit Europian të Udhëtimeve tregon mbi bazën e fluksit të hyrjeve në vendet e Evropës, rritjen ose rënien e prurjeve të turistëve në secilin nga vendet, ku Shqipëria turistike konfirmohet përsëri si një histori e bukur suksesi”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Moment pozitiv për turizmin evropian që shkon në sezonin e lartë të verës

Në raportin e Komisionit Evropian të Udhëtimeve thuhet se, aktiviteti turistik në Evropë ka ndjekur kryesisht një prirje të ngjashme gjatë dy tremujorëve të parë të vitit 2024.

Udhëtimet ndërkombëtare kanë ardhur në rritje në të gjithë kontinentin krahasuar me vitin e kaluar, me ardhjet e huaja me 12% dhe netët me 10% bazuar në të dhënat nga raportimi i destinacioneve evropiane.

Krahasuar me nivelet para pandemisë, rritjet janë përkatësisht 6% dhe 7%. Destinacionet e Evropës Jugore kanë nxitur rritjen e turizmit evropian dhe mbeten vazhdimisht të njohura për kushtet e tyre të favorshme klimatike në prag të sezonit të verës, si dhe për vlerën e tyre për para, e cila mbetet një shtytës kryesor edhe për udhëtarët.

Të dhënat nga viti deri në datën nga vendet raportuese tregojnë se në tre metrikat kryesore të udhëtimeve hyrëse (ardhjet, fjetjet dhe shpenzimet) shumica e destinacioneve evropiane tani po raportojnë rritje mbi nivelet e 2019-ës. Ngjashëm me tremujorin e kaluar, Serbia (+40%), Malta (+37%), Bullgaria (+29%), Portugalia (+26%) dhe Turqia (+22%) shënuan rritjen më të lartë në ardhjet e huaja, ndërsa tre vende baltike, Lituania (-15%), Estonia (-16%) dhe Letonia (-24%) mbeten në skajin tjetër të shkallës. Për netët e huaja, vlen të përmendet se Danimarka (+38%), Norvegjia (+18%) dhe Suedia (+9%) kanë parë të gjitha rritje të mëdha. Ndërsa këto vende nuk raportojnë të dhënat e mbërritjeve, rritja e popullaritetit të tyre është e dukshme.

Së fundi, rritja më e fortë në shpenzimet hyrëse mund të gjendet në Spanjë (+25%), Greqi (+25%), Itali (+20%) dhe Francë (+16%), megjithëse kjo bazohet në një mostër të vogël të vendet për të cilat disponohen të dhëna./atsh/KultPlus.com

UNESCO: Shqipëria të shmangë me çdo kusht menaxhimin e fragmentuar të Butrintit

UNESCO nuk pritet ta listojë këtë vit Butrintin në Trashëgiminë Kulturore në Rrezik por u kërkon autoriteteve shqiptare të shmangin me çdo kusht menaxhimin e fragmentuar dhe të sqarojnë me urgjencë kufijtë e pronës.

Projektvendimi që do të shqyrtohet në asamblenë e UNESCO-s që mbahet në Indi u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë një hartë të kufijve të pronës së Butrintit, të cilët janë ndryshuar dy vjet më parë nga qeveria shqiptare pa miratimin e UNESCO-s.

Një analizë e thelluar e Qendrës së Trashëgimisë Botërore dhe një projktvendim i Komitetit të UNESCOS që do të mblidhet në Indi këtë muaj nuk parashikojnë që të listojnë këtë vit Butrintin në Trashëgiminë në Rrezik, por u kërkohet autoriteteve shqiptare” të shmangin me çdo kusht menaxhimin e fragmentuar dhe të sqarojnë me urgjencë kufijtë e pronës”.

UNESCO thotë në analizën e zhvillimeve të fundit lidhur me Butrintin se Plani i Menaxhimit përfshin themelimin e Fondacionit për menaxhimin e ardhshëm të zonës A3, që njihet si qyteti antik për një periudhë kalimtare.

“Është për të ardhur keq thuhet në analizën e UNESCOS , që ky proces mund të rezultojë në një mjedis menaxhimi të fragmentuar, pasi seksionet A3 nuk mbulojnë të gjithë pronën. Kjo duhet të shmanget me çdo kusht”, vlerëson UNESCO.

UNESCO thotë se duke marrë parasysh që Plani i Menaxhimit të Butrintit është miratuar nga qeveria shqiptare në vitin 2020 dhe se periudha e tranzicionit ka përfunduar, Komiteti mund të ftojë Shqipërinë të ndërmarrë një rishikim afatmesëm të zbatimit të tij bazuar në kuadrin monitorues”.

Një tjetër qëndrim në analizën e fundit të UNESCO-s shprehet ndaj kufijve të Butrintit ku kërkohen sqarime urgjente.

“Kërkohen sqarime urgjente sesi do të menaxhohen seksionet e pronës që nuk mbulohen nga përcaktimi A3 dhe administrohen nga Fondacioni Menaxhimit të Butrintit dhe se si do të sigurohet ruajta në këto zona”, thuhet në analizën e UNESCO-s.

“Kjo është veçanërisht urgjente në kontekstin aktual, duke qenë se misioni UNESCO-s konfirmoi se në janar 2022, rreth 600 ha u tërhoqën nga Parku Kombëtar pranë Ksamilit, ku në atë kohë ishte në ndërtim e sipër një kompleks rezidencial turistik.Kjo sipërfaqe shtrihet brenda zonës tampon të pronës siç është miratuar në 2007 nga UNESCO dhe një pjesë e vogël e pronës gjithashtu mund të jetë shkelur nga ndryshimi kufijve , thotë UNESCO.

“Është për të ardhur keq që është ende në pritje sqarimi i kufijve të pronës dhe zonës së saj tampon, që pritet që prej datës 15 shkurt 2023″, thotë UNESCO në analizën për Butrintin.

Edhe projekt- vendimi që do ti paraqitet Komitetit të Trashëgimisë Botërore në sesionin e 46 që mbahet në Indi këtë muaj bazohet mbi analizën e Qendrës Botërore të Trashëgimisë.

Në projekt vendim thuhet se “po punohet për të siguruar që Ministria e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës të ketë mbikëqyrjen e të gjithë pronës së Trashëgimisë Botërore pasi menaxhimi i Zonës A3, t’i transferohet Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit deri në tetor 2024”.

Në projekt vendim UNESCO thotë se “ mirëpret punën e vazhdueshme për të siguruar që Ministria e sapo krijuar e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të mbajë mbikëqyrjen e të gjithë Pronës së Trashëgimisë Botërore”.

Projekt vendimi thekson “se për të arritur një menaxhim dhe llogaridhënie efektive, prona e Trashëgimisë Botërore dhe zona e saj tampon duhet të menaxhohen në mënyrë të koordinuar dhe në tërësi.”

UNESCO në projekt vendimin e saj thotë se “kërkon për më tepër që Shqipëria të japë sqarime për Qendrën e Trashëgimisë Botërore mbi rregulloret aktuale mbrojtëse dhe përdorimet e përcaktuara për të gjitha zonat e Parkut Kombëtar në lidhje me mbrojtjen e pronës së Trashëgimisë Botërore dhe funksionin e zonës tampon, dhe mbi mënyrën se si regjimet e ndryshme të menaxhimit do të harmonizohen për të shmangur fragmentimin”.

Në projekt vendim Komiteti i Trashëgimisë Botërore “shpreh keqardhje që qartësimi i kufijve të pronës dhe zonës së saj tampon është ende në pritje dhe i kërkon Shqipërisë që të paraqesë, si çështje prioritare, një hartë të qartë dhe të saktë që tregon kufirin e pronës së Trashëgimisë Botërore dhe kufirin e zonës tampon që Qendra e Trashëgimisë Botërore ta marrë në shqyrtim”.

Lidhur me dokumentet e UNESCO-s, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit tha përmes një deklarate se e gjen projekt-vendimin dhe raportin analitik si shumë objektiv dhe tërësisht korrekt.

Por MEK nuk dha sqarime përse autoritete shqiptare nuk po e dorëzojnë hartën e kufijve të rinj të Butrintit në UNESCO dhe si do të arrihet ligjërisht autoriteti i kësaj Ministrie në gjithë Parkun Kombëtar të Butritnit, kur një pjesë e tij që njihet si qyteti antik do të jetë nën administrim të një organizate joftimprurëse për dhjetë vite.

Autoritetet qeveritare shqiptare ndërmorën kohët e fundit takime intensive me drejtues të Unescos të cilat shihen nga analistët e pavarur si një përpjekje për të zbutur qëndrimet e ashpra të UNESCO-s që u refletuan në një raport të një misioni monitorimi tetorin e vitit të shkuar lidhur me Butrintin.

Raporti u bë publik nga Zëri i Amerikës pasi autoritetet shqiptare nuk dhanë miratimin që UNESCO ta publikonte raportin në faqen zyrtare.

Gjykata Kushtetuese vendosi në prill me një rezultat të ngushtë 5 me 4 të anëtarëve të saj për rrëzimin e kërkesës së një grupi deputetësh të opozitës që kërkonin shfuqizimin e marrëveshjes për administrimin në Parkun Kombëtar të Butrintit.

Sipas marrëveshjes zona A3 e Parkut Kombëtar të Butrintit që njihet si qyteti antik do të administrohet për dhjetë vite nga një organizatë jofitimprurëse në formë Fondacioni krijuar nga ministria shqiptare e Kulturës dhe Fondacioni shqiptaro-amerikan për Zhvillimin (AADF)./voa/KultPlus.com

Vizitorët jorezidentë në strukturat akomoduese, rritje me 63.2 % në maj

Fluksin e lartë të turistëve që po vizitojnë vendin po e konfirmojnë edhe statistikat rreth shfrytëzimit të strukturave akomoduese.

Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), vizitorët jorezidentë në strukturat akomoduese në vend u rritën me 63.2 % në muajin maj të këtij viti, krahasuar me majin e një viti më parë.

Numri i vizitorëve gjithsej, thotë INSTAT, është rritur me 45.8%, në krahasim me majin 2023, ndërsa numri i netëqëndrimeve gjithsej është rritur me 30.9%.

Numri i vizitorëve jorezident të cilët janë akomoduar në rajonin qendër, thuhet në raport, ka shënuar rritje me 84 %.

Në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 42.2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve jorezident në “hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 62.2 %.

Vizitorët nga Kosova kryesuan gjatë kësaj periudhe me 11.4 %, të ndjekur nga vizitorët italianë me 10.3 %. 6.8 % e vizitorëve ishin gjermanë, 6.2 % ishin polakë dhe 3.8 % ishin nga Mbretëria e Bashkuar.

Norma neto e shfrytëzimit, të dhomave tregues i cili mat përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese të disponueshne për vizitorë, gjatë këtij muaji, është 25.1 %, kundrejt 18.7 % që ishte në muajin maj 2023.

Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 25.9 %, kundrejt 21.1 % që ishte në muajin maj 2023./atsh/KultPlus.com

Media amerikane “CN Traveler”: Zbuloni Shqipërinë, perlën e fshehur të Evropës

Vit pas viti, Evropa është në mendjen e turistëve të panumërt. Shqipëria, destinacioni mesdhetar mbetet nën radar për t’u vizituar në 2024, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen amerikane CN Traveler (Condé Nast Traveler).

I vendosur në veri të Greqisë dhe në jug të Malit të Zi, ky vend ballkanik krenohet me traditat e vjetra, vijën bregdetare mahnitëse dhe kuzhinën vendase.

Shqipëria nuk është prekur ende nga turizmi masiv, kështu që vizitorët mund të shijojnë peizazhin e pacënuar në të gjithë vendin – të eksplorojnë natyrën, shtigjet e njohura të ecjes në Alpet Shqiptare në veri, dhe të relaksohen në Rivierën piktoreske Shqiptare në jug.

Po çfarë e bën atë veçanërisht tërheqëse? Një e kaluar shumë e pazakontë. Nëse po planifikoni një udhëtim, këto janë vendet më të mira për të vizituar në Shqipëri.

Tirana

Të vlerësosh vërtetë Shqipërinë do të thotë të kuptosh historinë e saj, dhe kryeqyteti i gjallë i Tiranës krijon një bazë të shkëlqyer për të mësuar se pse është vendi i bunkerëve.

Një shifër e saktë është e pamundur të përcaktohet (disa janë ricikluar, të tjerë janë shkatërruar), por të dhënat thonë se ekzistojnë diku midis 175,000 dhe 750,000 nga këto “kërpudha betoni” të braktisura në Tiranë.

Duke personifikuar paranojën që përcaktoi udhëheqjen komuniste të Enver Hoxhës nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në 1985, ato u ndërtuan pas Luftës së Dytë Botërore në vende strategjike si në majat e shkëmbinjve – por edhe në fusha, në qoshet e rrugëve dhe përgjatë vijës bregdetare në rast të një bastisjeje nga armiqtë.

Dhe pasi Hoxha e tërhoqi plotësisht Shqipërinë nga politika ndërkombëtare dhe nga marrëveshjet e tregtisë ekonomike, vendi mesdhetar rihapi dyert e saj për turistët vetëm pas rënies së komunizmit në 1991.

Sot, shumë nga bunkerët e mbijetuar kanë evoluar në hapësira sociale dhe kulturore si sallone, bare, piceri, sallone tatuazhesh dhe studio artistësh, duke shfaqur zgjuarsinë e shqiptarëve të ditëve tona.

Në Tiranë, për shembull, një nga bunkerët më të mëdhenj tani qëndron si Bunk’Art 2, një muze me 24 dhoma që rindërton historinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme nga viti 1912 deri në 1991, duke rikrijuar qelitë e saj të marrjes në pyetje, imazhet e gjalla dhe  instalimet e artit.

Ekspozitat dhe detajet përbëjnë një hapësirë ​​vërtet tërheqëse.

Në qytet ndodhet gjithashtu “Shtëpia me Gjethe”, një muze intrigues që pushton ndërtesën që dikur përdorej nga Gestapo gjatë Luftës së Dytë Botërore, përpara se të shërbente si pjesë e taktikave të pamëshirshme të vëzhgimit të policisë politike të shtetit komunist, “Sigurimi” – një tjetër mjet mizor persekutimi i përdorur nga Hoxha.

Më i vogël në përmasa, por po aq i vlefshëm për t’u vizituar është Muzeu i hapur i Postbllok Memorial – i cili përmban një pjesë të Murit të Berlinit dhuruar për Bashkinë e Tiranës nga Bashkia e Berlinit, një bunker dhe disa shtylla nga një prej burgjeve dhe kampeve në Shqipëri.

Është interesante se lagjia e modës e Bllokut ndodhet afër, duke shfaqur anën e qetë të Tiranës – simbolet e progresit shoqëror dhe zhvillimit ekonomik ndërthuren me kujtimet e një të shkuare të trazuar.

Ju gjithashtu mund të vizitoni “Komiteti Bar” – vendi i përsosur për t’u shoqëruar me të rinjtë vendas, shumë prej të cilëve kanë mendime të forta se çfarë do të thotë të jetosh në një Shqipëri më liberale dhe gjithnjë e më ambicioze.

Midis bollëkut të prodhimeve mesdhetare dhe ngrohtësisë së gastronomisë ballkanike – e shoqëruar nga ndikimet osmane – kuzhina shqiptare është sa shumëplanëshe aq edhe qendrore për identitetin e vendit.

Restorant “Mullixhiu” është në një mision për të hulumtuar dhe riinterpretuar trashëgiminë e kuzhinës shqiptare.

Meqë ra fjala, nuk është vetëm ruajtja e kuzhinës së tyre ajo që shqiptarët e kanë për zemër.

Bëni një shëtitje të qetë në perëndim të diellit në Sheshin Skënderbej – ku zhvillohet një aktivitet i dashur shoqëror – dhe zbuloni një pjesë të atraksioneve kryesore në këtë shesh të konsiderueshëm publik.

E rihapur si një shtëpi kulti në 1991 – Xhamia e Et’hem Beut konsiderohet unike për shkak të motiveve që zbukurojnë afresket e saj – përshkrimet e pyjeve dhe ujëvarave janë një pamje e rrallë në xhamitë në mbarë botën.

Kulla e Sahatit – rreth 115 metra e lartë u ndërtua në 1822. Bëni paqe me lartësitë dhe shkallët e mbyllura, pasi ngjitja në majë të këtij monumenti të epokës osmane shpërblehet me pamje nga sheshi Skënderbej dhe më gjerë.

Berat apo Gjirokastër?

Të dy qytetet historike janë pretendentë të shkëlqyer kur bëhet fjalë për eksplorimin e periudhës së Shqipërisë osmane, një ndikim që vazhdon të ndihet edhe sot e kësaj dite.

Dhe ndërsa udhëtimet ditore nga Tirana në Berat dhe Gjirokastër janë të realizueshme, ia vlen të bëni një vizitë në këto qytete historike.

Por – nëse keni kohë vetëm për një – rekomandimi ynë është të shkoni në Gjirokastër.

I njohur si “Qyteti i Gurtë”, rrugët e e tij të pjerrëta me kalldrëm i çojnë vizitorët deri në Kalanë e mrekullueshme të Gjirokastrës, një nga më të mëdhatë në Ballkan – me  pamje të pakrahasueshme të Malit të Gjerë dhe luginës së Drinit

Ngjitja, edhe pse disi e mundimshme, është pjesë e përvojës në një peizazh gjelbërimi e ndërthurur me arkitekturën osmane të ruajtur në mënyrë perfekte.

Në shtëpinë e Polifonisë, një iniciativë synon të mbrojë dhe promovojë muzikën tradicionale popullore shqiptare. Në vitin 2022, një muze iso-polifonie u hap poshtë Xhamisë së Pazarit të Gjirokastrës të shekullit të XVIII.

Sarandë apo Himarë?

Duke u shtrirë rreth 296 milje përgjatë deteve Adriatik dhe Jon, vija bregdetare e Shqipërisë ofron diçka për çdo lloj vizitori falë gamës së saj të madhe të mrekullive natyrore, fshatrave piktoreskë dhe plazheve sekrete.

Qendra turistike e Sarandës është shtëpia e vendpushimeve të shumta dhe restoranteve luksoze.

Fshati bregdetar i Himarës është shumë më autentik në ndjesi. Për shkak se mbetet relativisht i paprekur nga zhvillimi urban, është më i përshtatshëm për këdo që ka nevojë për qetësi.

Për adhuruesit e natyrës, niseni turneun nga Syri i Kaltër, një burim i rrethuar me gjelbërim dhe i mbuluar me mister- asnjë zhytës nuk ka mundur të zbresë më thellë se 50 metra për shkak të presionit të fortë të burimit nëntokësor, kështu që thellësia e vërtetë e këtij monumenti natyror mbetet e panjohur.

Butrinti është thesari arkeologjik më mbresëlënës i Shqipërisë dhe vizitorët mund të zbulojnë rrënojat që i bëjnë jehonë gjurmëve historike të këtij vendi të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s-

Ky vend historik përfshin harqe romake dhe mozaikë bizantinë. Gjithashtu ju mund te vizitoni “Dean” në Butrint, një statujë e perëndeshës që shfaqet me krenari në kartolina, si dhe teatrin antik që vazhdon të organizojë festivale çdo verë.

Aventurat ujore ju garantohen në Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, ku mbizotërojnë kanionet, shkëmbinjtë e thepisur dhe malet.

Bëni një zhytje në Shpellën e Haxhi Aliut, një shpellë karstike që mban emrin e një dervishi dhe shenjtori bektashi të nderuar në Shqipëri.

Riviera Shqiptare është e mbushur me plazhe magjepsëse.

Për të shmangur plazhet e mbushura me njerëz të Sarandës vizitoni plazhin e Gjipesë, i vlerësuar së fundmi si një nga plazhet më të mira në botë.

I vendosur midis Himarës dhe Dhërmiut, kjo shtrirje e largët me rërë të bardhë është e rrethuar nga shkëmbinj të lartë e të thyer – që flasin për bukurinë magjepsëse që krijohet nga kontrasti.

Gjithashtu, bëni një ndalesë në qytetin e bukur bregdetar të Ksamilit. Një udhëtim i shkurtër me varkë do ju çoj në një grup prej katër ishujsh – që përbëjnë pjesën më aktraktive të kësaj zone bregdetare./atsh/KultPlus.com

“La Nacion”: Shqipëria – destinacioni evropian me plazhe spektakolare dhe përvojë autentike kulturore

Me brigjet e lagura nga detet Adriatik dhe Jon, ky vend i vogël ofron plazhe që rivalizojnë për nga bukuria ato të Karaibeve, shkruan Alejandro Rapetti në një artikull të botuar në revistën argjentinase “La Nacion”.

Rëra e bardhë dhe ujërat e pastra kristal, të rrethuara nga malet dhe vendet historike, po tërheqin një numër në rritje turistësh që kërkojnë diellin dhe detin dhe një histori të pasur kulturore.

Agjencitë turistike kanë filluar ta përfshijnë Shqipërinë si një nga destinacionet e preferuara në ofertat e tyre.

Arsyeja është e thjeshtë: ky vend ofron plazhe spektakolare dhe një përvojë autentike kulturore – me një kosto relativisht të ulët në krahasim me destinacionet e tjera evropiane.

Bumi i verës

Koha më e mirë për të vizituar Shqipërinë është midis majit dhe shtatorit, kur moti është i përsosur për të eksploruar plazhet dhe vendet historike.

Sipas të dhënave të kiwi.com, rezervimet për Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, janë rritur ndjeshëm për verën e vitit 2024 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Kjo rritje nuk është e re; Që nga pandemia, Shqipëria ka përjetuar një rritje vjetore të turizmit me 20-30%.

Në vitin 2023, Shqipëria ishte vendi i katërt me rritjen më të lartë të ardhjeve të turistëve ndërkombëtarë – me një rritje prej 56% krahasuar me vitin 2019.

Atraksioni kryesor turistik i Shqipërisë janë plazhet e saj, të krahasueshme me ato të Karaibeve.

Në jug të vendit, bregdeti i detit Jon ofron peizazhe ëndrrash.

Ksamili, një qytet i vogël bregdetar, është i famshëm për ishujt e tij të aksesueshëm me not ose varkë, ujërat bruz dhe rërën e bardhë.

Një tjetër destinacion i njohur është Plazhi i Dhërmiut, i njohur për ujërat e tij blu dhe rrethinat malore, ideal si për relaks ashtu edhe për aktivitete ujore.

Një vend plot histori dhe natyrë të pacënuar

Përtej plazheve të saj, Shqipëria ka vende të shumta historike dhe natyrore që ia vlen të eksplorohen.

Tirana, kryeqyteti, ofron një larmi atraksionesh turistike, nga sheshi Skënderbej deri në zonën e Bllokut, i njohur për jetën e gjallë të natës.

Berati, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”, është një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri dhe njihet nga UNESCO për arkitekturën e tij unike.

Këtu mund të vizitoni Kalanë e Beratit, Muzeun e Onufrit dhe disa xhami historike.

Parku Kombëtar i Llogorasë është destinacioni ideal për adhuruesit e ecjes dhe natyrës, duke ofruar pamje panoramike të detit Jon dhe Rivierës Shqiptare.

Në qytetin e Butrintit, adhuruesit e historisë mund të eksplorojnë rrënoja nga epokat greke, romake dhe bizantine.

Histori

Pas rënies së Perandorisë Osmane në Evropë, Shqipëria shpalli pavarësinë e saj në 1912 dhe u njoh në 1913.

Vendi iu nënshtrua disa ndryshimeve të qeverisë përpara se të pushtohej nga Italia në 1939 dhe më vonë nga Gjermania në 1943.

Në vitin 1944 u krijua një republikë socialiste nën udhëheqjen e Enver Hoxhës, e cila zgjati deri në krijimin e Republikës së Shqipërisë aktuale në 1991.

Sot Shqipëria është një demokraci parlamentare me një ekonomi në tranzicion. Tirana, kryeqyteti i saj, është qendra ekonomike, politike dhe kulturore e vendit.

Reformat për krijimin e një tregu të lirë kanë tërhequr investime të huaja në sektorë si energjia dhe infrastruktura e transportit dhe vitet e fundit edhe në turizëm./atsh/KultPlus.com

“Breaking Travel News”: Shqipëria – ‘Evropa e fshehur’ ku mund të kaloni pushime perfekte

Ekziston një vend i vogël në Gadishullin Ballkanik që quhet Shqipëri. Nuk është shumë i njohur në mesin e turistëve evropianë, por mund t’i ofrojë çdo vizitori gjithçka të ngjashme si Kroacia, Italia apo Spanja, sipas një artikulli të botuar në “Breaking Travel News”.

Shqipëria konsiderohet si një nga destinacionet më të lira në Evropë, ndaj edhe turistët me burime të kufizuara financiare mund të kalojnë pushime perfekte në territorin e saj.

Le ta njohim më mirë këtë vend të mrekullueshëm dhe të zbulojmë se si mund të na befasojë.

Duke zbuluar Evropën, shumë vizitorë shkojnë në vende të njohura, ku gjithçka është krijuar për të zbrazur kuletat e tyre.

Megjithatë, nëse zgjeroni pak gjeografinë e udhëtimeve tuaja dhe shkoni në Shqipëri, mund të përjetoni të njëjtën gjë, por me më pak para.

Vendet që duhet të vizitoni

Shqipëria mund të jetë një vend i vogël, por ajo ofron shumë vende unike në territorin e saj.

Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit

Një nga krenaritë kryesore të Shqipërisë është Butrinti. Ky park kombëtar arkeologjik është i mbushur me një sërë vendesh të krijuara nga njeriu.

Shumë prej tyre janë ruajtur që nga kohërat e lashta kur territori modern i vendit ishte nën sundimin e Perandorisë Romake.

Në Butrint, të gjithë mund të shohin një ngjashmëri të Koloseut të famshëm dhe pjesë të ndërtesave të tjera të mbijetuara, të ndërtuara në të njëjtën mënyrë si monumentet arkitekturore të kryeqytetit modern italian.

Butrinti ka gjithashtu shumë vende unike natyrore. Shumica ndodhen përgjatë ngushticës së Vivarit dhe në ishullin e pazakontë të Ksamilit.

Kalaja e Beratit

Ky objekt unik arkitekturor ndodhet në qytetin e Beratit. Është ndërtuar mbi 700 vjet më parë në një kodër të lartë shkëmbore, ku shihet zona përreth.

Kalaja e Beratit është një simbol i Shqipërisë për shumë qytetarë të vendit. Ajo përmban një histori dhe tregon se sa i fortë ishte ndikimi i pushtuesve në arkitekturë.

Për të arritur në Kala, duhet të bëni një shëtitje relativisht të gjatë, e cila do t’ju çojë në një lartësi prej 214 metrash.

Sapo të mbërrini në destinacionin tuaj, mund të admironi peizazhin fantastik dhe të shikoni qytetin e Beratit nga një kënd i lartë.

Riviera Shqiptare

Jugperëndimi i vendit ka një tokë unike të quajtur Riviera Shqiptare. Përgjatë një siperfaqeje prej 130 kilometrash, do të gjeni dhjetëra plazhe ideale me rërë të bardhë të pastër ku mund të relaksoheni, të notoni dhe të shijoni diellin.

Përgjatë bregdetit, ka shumë kafene dhe restorante të vogla ku mund të provoni gatimet kombëtare shqiptare dhe ushqimet e freskëta të detit me çmime te lira.

Vizitorët nuk do të kenë probleme as me argëtimin. Riviera Shqiptare ofron një sërë sportesh ujore, zhytje, ecje dhe shumë të tjera.

Syri i Kaltër, Theth

Shumë njerëz e quajnë Syrin e Kaltër – perlën natyrale të Shqipërisë. Është një burim përrallor i rrethuar nga të gjitha anët me shkëmbinj.

Uji i tij ka një ngjyrë smeraldi, në kontrast me sfondin e gurëve gri dhe krijon një pamje perfekte.

Për shkak të popullaritetit masiv të Syrit të Kaltër, është e lehtë për ta aksesuar.

Është më mirë të shkoni me makinë në vendbanimin e vogël, Ndërlysaj – dhe më pas të shkoni në atraksionet e famshme të vendit në këmbë.

Një shëtitje e tillë do të marrë vetëm disa dhjetëra minuta në mënyrë që të mos ju lodhë.

Teleferiku Dajti Ekspres

Të gjithë turistët duhet të vizitojnë Tiranën. Kryeqyteti i Shqipërisë është një qytet i çuditshëm me gjithmonë diçka për të parë dhe bërë.

Megjithatë, gjëja e parë që duhet të bëni është të vraponi për të blerë një biletë për te Dajti Ekspres.

Ky teleferik do t’ju ofrojë një udhëtim 15-minutësh që nuk do ta harroni kurrë në jetën tuaj.

Në një kohë të shkurtër do të shihni Tiranën dhe bukurinë e saj dhe formacionet e shumta shkëmbore, vendbanimet malore, fermat e vogla dhe natyrën lokale./atsh/KultPlus.com

72 vjet nga themelimi i Kinostudios, shtëpisë së filmit shqiptar

Më 10 korrik 1952, filloi punën industria e filmit shqiptar me inaugurimin e ndërtesës “Shqipëria e Re” dhe me kompleksin e studiove filmike Kinostudio, në periferi të Tiranës.

Filmi i parë i prodhuar ishte “Skënderbeu”, bashkëpunim ky me sovjetikët në vitin 1953, ndërsa filmi “Tana” i vitit 1958 mban vulën e prodhimit shqiptar duke u ndjekur nga 270 filma me metrazh të gjatë, 700 dokumentarë dhe 150 filma të animuar.

Në vitet ’80 Kinostudio “Shqipëria e Re” arriti një prodhim prej 14 filmash në vit. Pas ndryshimit të sistemit, ajo u transformua në “Albafilm”, ekzistenca e së cilës zgjati deri në vitin 1996.  Në vitin 1996 kjo qendër u quajt Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Nga janari i vitit 2015 në këtë godinë të stilit neoklasik, e cila është konsideruar si unikale nga arkitektët, ndodhet Ministria e Kulturës, Qendra Kombëtare Shqiptare e Kinematografisë, Instituti i Monumenteve të Kulturës, etj.

“Shqipëria e Re” lë në trashëgim mbi 200 filma, një pjesë e të cilëve ishin prodhim i propagandës shtetërore, filma të realizuar me mungesa jo të vogla teknike, por me gjithë kornizat ideologjike dhe autocensurën e kineastëve, trashëgimia e Kinostudios “Shqipëria e Re”, mbetet në kujtesën e shumë brezave.

Media italiane: Gjithnjë e më shumë italianë zgjedhin Shqipërinë: cilat janë plazhet më të bukura

Gjithnjë e më shumë turistë italianë kanë zgjedhur t’i kalojnë pushimet në Shqipëri – një vend i jashtëzakonshëm me plot surpriza, shkruan Alessandro Fabiani në një artikull të botuar në revistën italiane newsicily.it .

Plazhet më të bukura në Shqipëri

Plazhi i Ksamilit

Ksamili, i njohur si një nga perlat e Shqipërisë, ofron plazhe ëndrrash me rërë të imët. I vendosur pranë Parkut Kombëtar të Butrintit, ky destinacion tërheq turistët falë ujërave të tij të kristalta dhe mundësisë për të eksploruar ishujt e vegjël aty pranë. Me çmime të përballueshme, Ksamili është një parajsë edhe për pushime familjare.

Plazhi “Uji i Ftohtë”, Vlorë

Uji i Ftohtë shquhet për rrymat e freskëta dhe peizazhin unik me zhavorr dhe guralecë të bardhë. I arritshëm lehtësisht nga Vlora, ky plazh ofron shërbime me çmime të ulëta duke e bërë atë vendpushimin ideal për ata që kërkojnë relaksin.

Plazhi i Pasqyrave, Sarandë

I fshehur mes shkëmbinjve të thepisur të Sarandës ndodhet Plazhi i Pasqyrave – një cep qiellor i njohur për zhavorrin e bardhë dhe ujin transparent. Edhe pse aksesi është sfidues, panorama që hapet para syve të vizitorëve ‘ia kthen mundin’.

Plazhi i Gjipesë

Plazhi i Gjipesë është një oaz i vërtetë natyror i vendosur midis kanioneve dhe shkëmbinjve që të çojnë në një plazh mahnitës me rërë. Ky destinacion mbetet relativisht i qetë edhe në pikun e sezonit – falë aksesit të tij kompleks, duke ofruar një vendstrehim perfekt për adhuruesit e natyrës.

Plazhi i Lukovës

Plazhi i Lukovës i mahnit vizitorët e tij me kontrastin mes gjelbërimit të maleve përreth dhe kaltërsisë së detit. Duke ofruar zona të lira dhe të pajisura, ky destinacion është i përsosur si për ata që kërkojnë qetësi ashtu edhe për të rinjtë që arratisen nga jeta e natës në qytet.

Plazhi i Dhërmiut

Dhërmiu ndërthur kaltërsinë e detit me gjallërinë e jetës së natës lokale. Plazhi i tij i gjatë prej zhavorri është i pajisur me të gjitha komoditetet e nevojshme për të kaluar ditë të paharrueshme të rrethuar nga dielli, muzika dhe argëtimi.

Gjiri i Gramës

Për adhuruesit e eksplorimit dhe natyrës së egër ekziston Gjiri i Gramës – i arritshëm kryesisht nga deti. Ky vend magjepsës premton peizazhe mahnitëse larg turmave turistike.

Plazhi i Himarës

Në zemër të kalasë së Himarës ka plazhe të aksesueshme të karakterizuara nga guralecë të vegjël dhe ujëra të pastër kristal. Këto janë plazhe ideale për familjet dhe fëmijët.

Plazhi i Porto Palermos

Së fundi, Porto Palermo ju fton të zbuloni Kalanë e tij historike të zhytur në natyrën e pacënuar. Një vend ku historia dhe bukuria natyrore bashkëjetojnë, duke krijuar një skenar pothuajse përrallor të përshtatshëm për adhuruesit e traditave kulturore shqiptare./atsh/KultPlus.com

4.5 milionë turistë të huaj në 6 muaj, Kumbaro: Jemi në periudhën e pikut

4.5 milionë turistë të huaj hynë në Shqipëri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 ose 34% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023. Muaji qershor solli 1.2 milionë flukse hyrëse në vendin tonë ose 19,1% më shumë se qershori i vitit që shkoi.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro u shpreh se kemi hyrë në periudhën e pikut të flukseve dhe të gjitha strukturat e shtetit që marrin pjesë në mbarëvajtjen e sezonit turistik veror vazhdojnë koordinim, së bashku me operatorët turistikë për prezantimin sa më dinjitoz të ofertës shqiptare.

“Kemi hyrë në pikun e flukseve turistike ku së bashku me operatorët privatë që çdo ditë prezantojnë ofertën shqiptare por edhe me përgjegjësinë e jashtëzakonshme të ofrimit të cilësisë së shërbimit, si edhe me bashkitë bashkë me gjithë institucionet publike jemi në koordinim për mbarëvajtjen e sezonit veror”, shkruan ministrja e Turizmit dhe Mjeidsit, Mirela Kumbaro në rrjetet sociale.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit mbështet 7 bashki bregdetare me operatorë shtesë pastrimi për menaxhimin e mbetjeve urbane gjatë muajve të pikut të sezonit, operacion që ka nisur që prej 15 qershorit, ndërkohë që 34 qendra shëndetësore në të gjithë vendin janë në shërbim të pushuesve.

Policia Kufitare përmes një flote të dedikuar do të ushtrojë kontrolle mbi të gjithë operatorët detarë që kryejnë aktivitete turizmi, ndërkohë aksi i ri Thumanë-Kashar i hapur që prej 30 qershorit dhe tuneli i Llogarasë i askesueshëm që prej 5 korrikut, do të lehtësojnë aksesin drejt destinacioneve turistike të vendit.

Media italiane “Turisti per Caso”: Vizitoni Shqipërinë dhe zbuloni vendet më autentike në Evropë

Ne u nisëm nga Gjenova drejt Shqipërisë për një udhëtim shtatëditor. Turneu ynë u fokusua në qytetet dytësore, vendet më autentike dhe të bukura të destinacionit evropian që pret të zbulohet, sipas një artikulli të botuar në revistën italiane “Turisti per Caso”.

Mbërritja në Tiranë

Së bashku me bashkëshorten time fluturuam drejt Tiranës me “Wizzair” për të vizituar vendin e bukur dhe ekonomik, Shqipërinë – të banuar nga njerëz të sjellshëm dhe mikpritës.

Fluturimi drejt Tiranës kushtoi 15 euro për person.

Saranda

Ne mbërritëm në Sarandë pas rreth 4 orësh me makinë, dhe u akomoduam në “Hotel Keos” me 3 yje, i cili kushtonte 29 euro – dhomë dyshe me mengjesin e përfshirë.

Gjirokastra dhe Saranda

Rreth një orë larg me makinë, vizituam qytetin e Gjirokastrës, një vend i UNESCO-s, i famshëm për çatitë e gurta të qytetit të vjetër, xhaminë dhe pazaret dhe kalanë që dominon mbi të.

Gjatë kthimit në Sarandë ndaluam për të vizituar “Syrin e Kaltër”, një burim karstik që ndodhet në shpatet e Malit të Gjerë, një nga destinacionet turistike-natyrale më të njohura në jug të Shqipërisë.

Për të ngrënë darkë ndaluam në “Restorantin Tradicional Drilona”- ku shijuam speca të mbushura me oriz, mish qengji të pjekur dhe birrë të shkëlqyer shqiptare, të gjitha për më pak se 30 euro për dy persona.

Ksamili

Ditën e parë në plazh, shkuam në Ksamil, pak kilometra nga Saranda dhe pushuam gjithë ditën në një plazh me detin e kristaltë.

Në mbrëmje darkuam në Sarandë, në “Taverna Rrapo”, i cili na shërbeu peshk të pjekur në skarë – dhe padiskutim speca të mbushura me oriz dhe gjithmonë më pak se 30 euro për dy persona.

Butrinti

Në mëngjes vizituam parkun arkeologjik të Butrintit, pak kilometra larg Sarandës.

Parku arkeologjik i mbrojtur nga UNESCO është i ruajtur shumë mirë, i cili daton në qytetërimin ilir dhe më vonë në atë romak.

Pasdite u kthyem në një plazh të bardhë të bukur të Ksamilit.

Berati

Në Berat u akomoduam një natë në “Hotel Omer” – 28 euro një dhomë dyshe me një mëngjes të shkëlqyer.

Berati ka një qendër historike të mbrojtur nga UNESCO, një shembull i rrallë i një qyteti osman të ruajtur mirë, që demonstron bashkëjetesën paqësore të feve të ndryshme në shekujt e kaluar – është një qytet plot me xhami dhe kisha ortodokse të mesjetës së vonë.

Dominimi i gjatë turk është qartësisht i dukshëm në ndërtimin civil vendas, i cili pasqyron shijet orientale të epokës osmane.

Qendra historike është e ndarë në dy zona lehtësisht të dallueshme – Mangalemi (zona myslimane) poshtë Kalasë dhe Gorica (zona e krishterë), kjo e fundit në bregun e majtë të Lumit Osum, të dy zonat lidhen me një urë antike.

Ne darkuam në një restorant karakteristik “Homemade Food Lili”, në rrugicat e lagjes myslimane – ku ndamë tavolinën me një çift të këndshëm anglez.

Aty shijuam byrekun, tavën e kosit me mish qengj, djathë dhie dhe dele, verë të kuqe vendase të shkëlqyer.

Durrësi

Nga Berati u nisëm për në Durrës – hoteli këtu kushtonte 36 euro për dy persona me mëngjesin e përfshirë.

Në Durrës kaluam një ditë të qetë përgjatë plazhit të tij të madh me rërë.

Kruja

Dita e fundit e turneut tonë përfundoi me vizitën në Krujë.

Në Krujë, në një pozicion të lartë strategjik, ndodhet kalaja ku heroi kombëtar shqiptar Skënderbeu u qëndroi turqve deri në vdekje, në një ndërtesë më të re ndodhet edhe muzeu kushtuar Skënderbeut.

Rreth kështjellës ka rrugica të shumta karakteristike të pazarit që janë të këndshme për të ecur mes turmave./atsh/KultPlus.com

“The National”: Eksploroni zonat rurale të Shqipërisë, një shije e traditave dhe kulturës vendase

Shqipëria është shndërruar në një destinacion popullor këtë vit, me pushuesit që dynden në vendin ballkanik – falë Rivierës së saj mahnitëse bregdetare, shkruan Zinara Rathnayake në një artikull të botuar në “The National”.

Vitin e kaluar, vendi mesdhetar priti mbi 10 milionë vizitorë dhe unë pata fatin të jem njëri prej tyre.

Me të mbërritur natën vonë në Shkodër – një orë e gjysmë në veri të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës – mikpritësi im më mirëpriti me një pjatë me petulla – të shërbyera me reçel të bërë në shtëpi. U ndjeva menjëherë i mirëpritur dhe ishte një ndjesi që më shoqëroi gjatë gjithë vizitës sime në Shqipëri.

Me një popullsi prej rreth 200 000 banorësh, Shkodra shpesh është vendpushimi kryesor për vizitorët midis Malit të Zi dhe Alpeve shqiptare të mbuluara me borë.

Por, qyteti ia vlen të eksplorohet për shtigjet e tij që të çojnë në Kalanë 400-vjeçare të Rozafës – ku dy lumenj formojnë shirita përgjatë peizazhit përreth.

Gjithashtu, Shkodra është e përkryer për t’u eksploruar me biçikletë – ecni nëpër rrugët e saj me kalldrëm përpara se të niseni për në fshat.

Një shëtitje me varkë 70-minutëshe nëpër kanionet e larta të rezervuarit të Liqenit të Komanit më çoi në “Neomalsore Agrotourism”, një bujtinë në malet veriore.

Shtëpia në fermë kishte qenë në pronësi të familjes Koçeku për disa breza – dhe ofronte një pamje nga një liqen blu smerald i rrethuar nga shkëmbinjtë e thyer.

Një tufë pulash, një dhi dhe një mace dembele më bënin shoqëri gjatë qëndrimit tim.

Bujtina është vetëm një nga shumë akomodime të reja në fermë – të drejtuara nga familjet që përqafonin mënyrën rurale të jetesës në Shqipëri, zakonet e kuzhinës dhe mikpritjen tradicionale.

Agroturizmi po ndihmon për të vendosur Shqipërinë rurale në hartën e turizmit duke krijuar njëkohësisht mundësi të reja ekonomike.

“Neomalsore Agrotourism” drejtohet nga një familje fisnore Molla që i përket një prej klaneve të Malësisë së Shqipërisë.

Marjana Koçeku ishte vajza më e vogël – e cila më priti me një gotë raki të bërë vetë.

Ajo më tregoi se shumë turistë vizitonin zonën për një udhëtim ditor, por që kalimi i disa netëve u lejonte njerëzve të shijonin vërtet stilin e jetesës së ngadaltë dhe të qëndrueshëm lokal.

Në mbrëmje, u ulëm jashtë për një darkë me qirinj së bashku me vizitorë të tjerë. Familja Koçeku organizoi një festë ku na ofroi – bukë misri të bërë në shtëpi, djathë dhie, peshk të pjekur në zjarr dhe pulë të rritur në fermë – të shërbyer me perime të kopshtit dhe mjaltë.

Më pas, qyteti i rradhës ishte Berati, një vend 2400-vjeçar i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Këtu, Lumi Osum kalon pranë qytetit dhe lagjja e vjetër e qytetit strehon rezidenca të epokës osmane me çati të kuqe qeramike, mure të bardhë dhe dritare prej druri.

Ato ishin të vendosura aq ngushtë së bashku, sa që dukej sikur dritaret e gjera ishin grumbulluar mbi njëra-tjetrën, duke i dhënë qytetit pseudonimin e tij, “qyteti i një mbi një dritareve”.

Në majë të një kodre të pjerrët – aty pranë ndodhej Kalaja e Beratit, një kështjellë e shekullit të XIII me mure të lashta të ruajtura, kisha, banesa lokale të kthyera në shtëpi dhe restorante.

Berati mund të jetë i mbushur plot me vizitorë, veçanërisht gjatë sezonit veror.

Kështu që unë zgjodha të qëndroj në “Alpeta Agrotourism”, një punishte vere dhe bujtinë që ofron ecje me guidë dhe turne me kajak në fshatin Roshnik – rreth 15 kilometra larg Beratit.

Restoranti ishte i rrethuar nga vreshtat e rrushit dhe stafi më shërbeu një drekë tradicionale me mish deleje të pjekur në skarë dhe perime të stinës.

“Koncepti i agroturizmit i ndihmon vendasit të promovojnë zonat rurale si destinacione tërheqëse udhëtimi”, tha pronari Petrit Fiska.

“Ai gjithashtu ndihmon fermerët të përqafojnë praktikat e vjetra bujqësore duke fituar të ardhura shtesë”, shtoi ai.

Një kënaqësi e madhe i priste të gjithe ata – që ishin në kërkim të aktiviteteve në natyrë dhe vendstrehimeve të qeta në të gjithë fshatin shqiptar.

Në Rubik, një qytet i vogël në jug të Shkodrës, qëndrova për gati një javë në një kasolle komode prej druri në “Baven-Toven Naturae”.

Pronari Bajron Nikolli, i cili emigroi në Itali në moshën 14-vjeçare, ishte kthyer në atdheun e tij gati dy dekada më vonë – për të investuar në rrugën e izoluar malore.

Nikolli tani drejtonte bujtinën me ndihmën e prindërve dhe gjyshes.

“Kam punuar për shumë vite në Itali dhe kam investuar kursimet e mia për të ndërtuar këtë vend. Ishte një sakrificë”, tha ai.

“Por, unë jam i lumtur që gjithçka funksionoi. Është bukur të shohësh njerëz që mbërrijnë këtu çdo ditë nga e gjithë bota. Dhe tani kemi punësuar dy persona. Ne kemi krijuar vende pune”, shtoi ai.

Gjyshja e Nikollit më përshëndeste çdo mëngjes me një buzëqeshje dhe një ekspres.

Mëngjesi ishte vendas dhe sezonal me byrek, pispili dhe petulla të servirura me reçel fiku.

Ditët i kalova duke eksploruar fshatin- duke vizituar kishën, një burim të izoluar natyrore përgjatë lumit dhe duke shijuar një drekë të qetë në “Bar Restorant Aleksi” aty pranë.

I mbushur me vendas, ky restorant shërbente qofte tradicionale, speca të mbushura dhe pilaf./atsh/KultPlus.com

“Birmingham Live”: Turistët britanikë zgjedhin Shqipërinë, pas braktisjes së Spanjës dhe Greqisë

Turistët britanikë mund të braktisin Spanjën dhe Greqinë mes tensioneve në rritje – dhe të shkojnë në Shqipëri, tha TUI, sipas një artikulli të botuar në “Birmingham Live”.

Kompania TUI – e cila rivalizohet nga “Jet2”, “Ryanair”, “Easyjet” dhe të tjerë –  tha se Shqipëria mund të jetë destinacioni i radhës për britanikët.

Shefi ekzekutiv i TUI, Sebastian Ebel tha për “The Independent” se pas protestave kundër turizmit në Spanjë dhe Greqi, me të dy vendet ku shihen grafite anti-turistike të skalitura javët e fundit, Shqipëria pritet të jetë destinacioni i pushimeve verore për turistët britanikë dhe jo vetëm.

“Unë mendoj se perspektiva është e madhe dhe nuk do të habitesha nëse fillojmë një program të rëndësishëm atje”, tha ai.

“Aktualisht, mënyra më e mirë për të vizituar Shqipërinë është të rezervoni fluturimet dhe hotelet. Shqipëria ka regjistruar një rritje të popullaritetit gjatë muajve të fundit, veçanërisht bregdeti shqiptar”, shtoi Ebel.

“Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Unë jam një adhurues i madh i Shqipërisë dhe mendoj se duhet dhe mund të bëjmë më shumë”, tha ai.

Ebel zbuloi se 10 vjet më parë – kur ai i ishte bashkuar bordit ekzekutiv të TUI – kishte sugjeruar mundësinë për të përfshirë Shqipërinë në listën e destinacioneve për pushime.

“Fillimisht, unë nuk mund t’i bindja njerëzit të investonin atje. Por, me pas dy nga pushuesit tanë shkruajtën vlerësimet e tyre në faqen e internetit: “Hoteli ynë, “Vila One Beach” – ndodhet në plazhin më të bukur dhe të pastër. Kuzhinieri i shkëlqyer i hotelit na ofronte çdo natë kuzhinë tradicionale shqiptare – jo nga menyja, ai thjesht pyeste se çfarë na pëlqente. Ne do të kthehemi sërish në Shqipëri”, citoi Ebel.

“Ne synojmë një turizëm të nivelit të lartë në Shqipëri. Gjithashtu, në vend po nxiten investime për hotele me katër dhe pesë yje me emra ndërkombëtarë”, tha Bordi Turistik i Shqipërisë vitin e kaluar./atsh/KultPlus.com

Rama publikon pamje nga plazhi i Velipojës që pret çdo vit mijëra pushues

Plazhi i Velipojës i cili shtrihet në një gjatësi prej rreth 14 kilometrash nga grykëderdhjes së Bunës dhe arrin deri tek “Rana e Hedhun”, në afërsi të Shëngjinit, është një ndër destinacionet me tërheqëse në veriperëndim të vendit.

Vetëm rreth 30 minuta nga qyteti i Shkodrës, Velipoja është kthyer vitet e fundit një qendër turistike të frekuentuar kryesisht nga familjarë.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga ky plazh me rërën kurative dhe i rrethuar nga gjelbërimi i pishave.

Plazhi i Velipojës karakterizohet nga një peizazh i pasur dhe i larmishëm, deti i pastër, rëra e imët e errët dhe e pasur me jod si një nga përbërësit me veti kurative, me laguna dhe fusha.

Qindra dhe mijëra pushues nga Kosova dhe vendet e tjera e zgjedhin fshatin turistik të Velipojës për pushimet e tyre verore.

Velipoja është e përfshirë në zonën që quhet Peizazhi Ujor-Tokësor i Mbrojtur dhe Bashkia e Shkodrës po harton një projekt për zhvillimin ekonomik të kësja zone.

E cilësuar “Porta e Alpeve”, nëpërmjet këtij projekti Bashkia synon të krijojë një infrastrukturë të përshtatshme që do të mundësojë një turizëm dhe shfrytëzim të territorit të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit./atsh/KultPlus.com

“Lonely Planet”: Për herë të parë – një udhëzues për Shqipërinë

Shqipëria nuk ka qenë kurrë më e njohur nga turistët se sa tani. Joel Balsam, autor i kapitullit “Shqipëria” në librin udhërrëfyes “Ballkani Perëndimor”, ka ndarë sugjerimet e ekspertëve për të eksploruar këtë vend të veçantë, sipas “Lonely Planet”.

Jam vetëm unë apo të gjithë po flasin për të udhëtuar në Shqipëri? Kështu ka qenë prej disa vitesh, dhe është e lehtë ta kuptohet pse!

Plazhet e Adriatikut të adhuruara nga TikTok-u – me vijën ujore ngjyrë bruz në bregdetin jugperëndimor – Alpet Shqiptare të cilat ofrojnë një terren të përsosur për ecje – dhe arkitektura antike është mahnitëse. Shqipëria është shumë më e lirë se Kroacia, Greqia dhe Italia.

Ja çfarë duhet të dini kur vizitoni për herë të parë Shqipërinë

Kur duhet të shkoni në Shqipëri?

Obsesioni i Evropës me pushimet në bregdet dhe fluturimet e lira i bëjnë plazhet më të aksesueshme të Shqipërisë, Ksamilin dhe Sarandën, të mbushen me turistë nga qershori deri në shtator.

Nëse dëshironi pak më shumë paqe dhe qetësi, planifikoni një vizitë në maj, megjithëse deti do të jetë i ftohtë. Më mirë akoma, shkoni midis shtatorit dhe dhjetorit, të cilët janë ndoshta muajt më të mirë për të vizituar Shqipërinë në përgjithësi, pasi moti është ende i ngrohtë dhe ka më pak vizitorë.

Nëse e vizitoni Shqipërinë në dimër, qëndroni në Tiranë, kryeqyteti, ku mund të ngroheni në restorantet dhe baret e saj të shumta atmosferike si “Komiteti” – e cila shërben shije të ndryshme rakie (raki të bërë nga frutat). Aktivitetet në pjesën më të madhe të vendit mbyllen gjatë dimrit.

Sa kohë duhet të kaloni në Shqipëri?

Nëse keni vetëm një fundjavë, fluturoni drejt Korfuzit, në Greqi dhe merrni tragetin për në Sarandë për të shijuar Rivierën Shqiptare – ose shkoni në Tiranë për të shijuar ushqimin e mrekullueshëm të kryeqytetit dhe pamjet historike.

Nëse keni kohë për një udhëtim rrugor, mund të eksploroni pikat kryesore të Shqipërisë si Tirana, një plazh në bregdet dhe një nga qytetet historike, Beratin apo Gjirokastrën për një javë.

Ju nevojitet më shumë kohë nëse doni të ecni në “Bjeshkët e Nemuna” – apo nëse planifikoni të përdorni transportin publik – autobusët shqiptarë janë jashtëzakonisht të pabesueshëm.

A është e lehtë të udhëtosh brenda dhe përreth Shqipërisë?

Ka vetëm një qendër transporti ndërkombëtar në Shqipëri në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Por, nëse doni të vizitoni plazhet jugperëndimore, është më mirë të fluturoni për në Korfuz dhe të bëni udhëtimin e shkurtër me traget drejt Sarandës.

Kompanitë lokale të makinave me qira janë më të lira dhe mund të gjenden jashtë aeroportit.

Gjërat më të mira për të bërë në Shqipëri

Shijoni bregdetin e bukur të Shqipërisë

Ju mund ta keni parë atë në Instagram – tani është shansi juaj për të notuar në plazhet e bukura të Shqipërisë.

Ksamili, plazhi më popullor i vendit, është me të vërtetë i mrekullueshëm, por më i shtrenjtë se kudo në vend dhe i mbushur me turistë në verë.

Udhëtoni deri në vijën bregdetare për të zbuluar plazhe më të qeta në dhe rreth Himarës dhe Dhërmiut dhe bëni një xhiro me varkë në plazhet “e fshehta” të paarritshme me makinë.

Nëse shkoni në Ksamil, mos humbisni Butrintin, një qytet grek dhe romak mahnitës.

Zona e Bllokut në Tiranë

Gjatë periudhës komuniste të Shqipërisë nga 1946-1991, lagjia e Bllokut u ndalua për publikun si një rezidencë private për zyrtarët e partisë.

Kur revolucioni demokratik i Shqipërisë rrëzoi më në fund regjimin, portat e Bllokut u hapën dhe lagjja që atëherë është bërë një vend argëtimi për të rinjtë.

Kafenetë dhe baret moderne me tarraca të mbushura me bimë rreshtohen nëpër rrugë dhe ka edhe shumë restorante të këndshme. I preferuari im është “Radio Bar”.

Vizitoni “qytetet muze” të Beratit dhe Gjirokastrës

Për të zbuluar arkitekturën e mahnitshme, udhëtoni në “qytetet muze” të Shqipërisë të njohura nga UNESCO.

Në Berat, eksploroni Kalanë e përmasave të qytetit në majë të kodrës dhe ecni nëpër rrugicat e vogla prej guri. Mos humbisni dritaret e çmuara të qytetit, të cilat shihen më së miri nga përtej lumit Osum.

Në Gjirokastër, spikat gjithashtu arkitektura. Ngjituni lart në kodër për të parë shtëpitë e lashta me çatitë e rënda prej guri dhe Kalanë e saj mbresëlënëse. Nën qytet, do të shihni  bunkerë të epokës komuniste – dhe një të madh pranë bashkisë.

Gjëja ime e preferuar për të bërë në Shqipëri

Ajo që më pëlqeu vërtet në Shqipëri ishte veriu malor i vendit, duke filluar nga Shkodra.

Qyteti artistik i studentëve është vendi më miqësor me biçikletat që kam parë në Evropën Lindore dhe një bazë e shkëlqyer për të eksploruar majat aty pranë.

Për tre ditë, ju mund të merrni një traget për në Valbonë, të ecni në një pjesë të shtegut të Majave të Ballkanit që lidh Shqipërinë me Kosovën dhe Malin e Zi dhe të zhyteni në burimet e “Syrit të Kaltër” në Theth./atsh/KultPlus.com