Shqipëria i jep Nobelin Kadaresë/ Akademia e Shkencave: Këtë vit është propozim i vetëm

Mjeshtri i letërsise shqipe, Ismail Kadare është kandidatura e Shqipërisë për çmimin Nobel 2024.

Asambleja e Akademisë së Shkencave i propozon Akademise suedeze të Nobelit për herë të 24 shkrimtarin shqiptar i përkthyer në mbi 30 gjuhë të botës.

Sekretari shkencor në Akademinë e Shkencave Shaban Sinani e ka konfirmuar lajmin ne nje interviste per emisionin “ Pas mesnate”.

Per 123 vjet me radhe, çmimi Nobel në letërsi është përpjekur të nderojë shkrimtarin më të mirë të botës.

Shkrimtari i parë shqiptar që është propozuar për këtë çmim ishte poeti kombetar Gjergj Fishta.

Që prej vitit 90-te Akademia e Shkencave ka propozuar gjithnjë Kadaren, krahas tij për këtë cmim është propozuar Luan Starova dhe në vitin 2022 Fatos Kongoli./abcnews.al/KultPlus.com

‘iNews’: Shqipëria mes gjashtë destinacioneve të lira për pushime dimërore

Ditët e gjata dhe të errëta të janarit janë koha e përkryer për të filluar planifikimin për të udhëtuar në vendet me klimë më të ngrohtë, shkruan Joanna Whitehead në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “iNews”.

Ndërsa ky muaj shpesh duket i pafund, gjysma e shkurtit është më pak se katër javë larg.

Disa destinacione në Evropën kontinentale gëzojnë temperatura më të larta gjatë dimrit, me një mesatare ditore prej 16°C deri në 17°C dhe reshje të ulëta shiu.

Ju mund të zgjidhni një nga destinaionet e ngrohta dhe me një buxhet të përballueshëm si opsionin më interesant për pushime dimërore në 2024.

Sipas Skyscanner, gjashtë destinacionet në trend për pushime të lira përshijnë; Shqipërinë, Maltën, Qipron, Marokun, Toskanën në Itali, Costa Blanca në Spanjë.

Shqipëria

Shumë vizitorë në Shqipëri preferojnë malet për sporte dimërore, pasi zonat e ulëta kanë një klimë shumë më të butë.

Adhuruesit e arkitekturës mund të eksplorojnë ndërthurjen e ndërtesave të epokës osmane dhe sovjetike në Tiranë, kryeqytetin e vendit, ku mund të vizitojnë gjithashtu Piramidën  (ish-muze dhe ish-bazë e NATO-s), xhaminë e bukur të Et’hem Beut dhe Bunk’Artin, një galeri në një bunker nëntokësor.

Durrësi, një vendpushim veror, është 22 milje larg. Ai është shtëpia e rrënojave arkeologjike, duke përfshirë një amfiteatër romak, i cili përfshin afreske dhe mozaikë.

Fluturimet nga Londra në Tiranë kushtojnë 47 paund me Ryanair, dhe një dhomë dyshe në një hotel me tre yje me pamje nga mali për katër netë ka një kosto prej 133 paund. / atsh/KultPlus.com

‘Travel Weekly’: Shqipëria mes destinacioneve më të vlerësuara nga ekspertët e ‘Cyplon Holidays’

Ekspertët e kompanisë britanike të udhëtimeve “Cyplon Holidays” kanë shtuar në portofolin e destinacioneve europiano-lindor edhe Shqipërinë, shkruan Samantha Mayling në të përditshmen britanike “Travel Weekly”.

Operatori tashmë ofron një gamë të gjerë pushimesh në të gjithë Mesdheun, Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme.

Pushimet në destinacionin më të ri, Shqipëri përfshijnë turne privatë me shoqërues, në vende si Tirana, Golemi, Qerreti dhe Saranda.

“Plazhet e pacenuara që zbukurojnë resortet e Shëngjinit dhe Durrësit, së bashku me rrugët me kalldrëm dhe peizazhin dinamik të qytetit të Tiranës, ilustrojnë mrekullitë që Shqipëria ka për të ofruar”, tha Jerome Downer, menaxheri i “Cyplon Holidays”.

“Padyshim, Shqipëria qëndron si një perlë e fshehur e gatshme të shkëlqejë në vitin 2024”, shtoi ai.

“Kërkesa për Shqipërinë është rritur gjatë vitit të kaluar. Shqipëria është përmendur shumë herë si një vend që duhet vizituar në vitin 2024”, tha Stephanie Robins, drejtoreshë e shitjeve të paketave turistike në “Cyplon Holidays”.

“Peizazhet e saj mahnitëse malore dhe plazhet e bukura nuk duhen humbur”, theksoi ajo.

“Pasi zgjodhëm me kujdes të gjitha hotelet dhe turnetë tona, tani jemi shumë të emocionuar t’u tregojmë qytetarëve britanikë pikërisht atë që Shqipëria ka për të ofruar”, tha ajo./atsh/KultPlus.com

Euronews Travel: Shqipëria vendi me peizazhe të virgjëra dhe mikpritje plot shpirt

Qafa e Valbonës është një rrugë e aksesueshme, megjithëse jo e lehtë që kompanitë vendase turistike e kanë përfshirë në aventurën e turneut treditorë, shkruan Rebecca Ann Hughes në një artikull të publikuar në “Euronews Travel”.

Pas një ngjitjeje prej katër orësh, ne mbërritëm në majën marramendëse të një rrëpire shkëmbore në Qafën e Valbonës.

Ne rrethoheshim nga “Bjeshkët e Nemuna”, në veri të Shqipërisë. Re ogurzezë stuhie nisën të mblidheshin midis majave dhe kreshtave të thepisura në drejtim të zbritjes sonë në anën tjetër të rrugës.

Për gati gjysmën e shekullit të XX, ky peizazh i mrekullueshëm ishte i mbyllur për botën nën sundimin komunist.

Që nga hapja e vendit, rajoni ka magjepsur alpinistët dhe aventurierët me bukurinë dhe qetësinë e tij.

Por përtej kësaj, zona mbeti një destinacion i jashtëzakonshëm në një vend shumë shpesh të njollosur nga stereotipet, deri pak vite më parë.

Vargu malor verior i Shqipërisë është tashmë një destinacion nën radarët e udhëtarëve.

Vendi u përfshi në listën e “52 Destinacioneve për 2024”, sipas “The New York Times”.

Për momentin, është ende një vend i qetë. Por, është në një pikë kyçe ku fluksi i turistëve që kërkojnë natyrën e thyer dhe mikpritjen jokomerciale mund të jetë shkaku i zhdukjes së tyre.

Për një udhëtim të qëndrueshëm dhe të ngadaltë në këto zona, provoni itinerarin treditor në Qafën e Valbonës për të shijuar natyrën në Parkun Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë prej 800,000 km katrorë.

Çfarë duhet të bëni në Shqipëri: Si të ecni në Qafën e Valbonës

Qafa e Valbonës është një rrugë e aksesueshme megjithëse jo e lehtë për të ecur që kompanitë vendase turistike e kanë përfshirë në një aventurë të përshtatshme treditore.

Turistët fillimisht duhet të marrin rrugën për në qytetin më të afërt, Shkodër, dhe të rezervojnë akomodimin për një natë.

Në liqenin e Komanit, trageti lundroni përmes një gryke të gjatë me ujë smerald të rrethuar nga faqe shkëmbi të egër

Pjesa e parë e udhëtimit është me një furgon për rreth një orë e gjysmë deri në Liqenin e Komanit. Aty do të hipni në një traget të mbushur me njerëz, dhe lundroni për rreth dy orë e gjysmë përmes një gryke të gjatë me ujë smerald të rrethuar nga faqe shkëmbi të egër.

Pas zbarkimit në stacionin e tragetit të Fierzës, do t’ju presë një furgon tjetër që ju çon në pjesën e mbetur të rrugës për në fshatin e Valbonës.

Gjithashtu, do të gjeni bujtina të shpërndara përgjatë rrugës gjarpëruese të fshatit, por përpiquni të rezervoni më afër shtegut. Synoni të qëndroni në një nga ndërtimet e vjetra prej guri me çati të pjerrëta me rrasa dhe ambiente të brendshme të thjeshta prej druri si shtëpi.

Do të zgjoheni me një në mëngjes me djathë të bërë vetë, domate dhe tranguj të freskët dhe bukë të ngrohtë që mund t’i shijoni jashtë me një pamje të majave të mprehta malore me borë.

Si të ecni nga Valbona në Theth

Kohëzgjatja e ditës së ecjes ndryshon në varësi të vendndodhjes së akomodimit tuaj në Valbonë dhe Theth, por shtegu është 12 kilometra i gjatë dhe zgjat nga shtatë deri në 10 orë.

Ngjitja e pjerrët të çon në një luginë të gjelbëruar me pisha dhe midis faqeve shkëmbore monolitike dhe kullave gëlqerore. Gjatë rrugës ka stacione të papritura në gropa në strehëza prej druri të prishur, ku të gjitha furnizimet mbërrijnë me mushkë ose me pronarin e guximshëm.

Nga maja spektakolare, ju mund të shikoni disa nga peizazhet më të pacënuara të mbetura në Evropë.

Zbritja në fshatin e thellë të Thethit kalon nëpër livadhe me lule të egra dhe shpate me bar.

Jeta në Theth sillet rreth traditave baritore dhe mikpritjes shpirtërore

Komuniteti malor është një shpërndarje ndërtesash dhe hambarësh prej guri në një pllajë të gjerë të gjelbër të rrethuar nga malet. Aty kalojnë fusha dhe kullota të kufizuara me gardhe druri me pirgje konike bari për bagëtitë.

Jeta sillet rreth traditave baritore dhe mikpritjes shpirtërore, të cilat të dyja i gjejnë rrënjët në kodin e lashtë të Kanunit të vendosur nga këto komunitete malësore.

Ligjet që lidhen me gjakmarrjen dhe vrasjet për hakmarrje janë braktisur kryesisht, (megjithëse në Theth mund të vizitoni ende një kullë të lashtë guri me dritare të dëmtuara ku fshiheshin objektivat e synuara), por theksi për të pritur udhëtarët dhe mysafirët vazhdon.

Në Theth, gjeni bujtina dhe akomodime në ferma ku pronarët përgatisin ushqime të bollshme nga prodhimet e arave, bagëtive dhe koshereve të tyre.

Nëse turizmi i udhëtimit ditor fillon të lulëzojë, a do të mbijetojë peizazhi i paprekur dhe mikpritja e ngrohtë e pa nxitim?

Ju mund të shëtisni në një lokal ngjitur pas një faqeje shkëmbi mbi një grykë ku ofrohet raki shtëpie bashkë me kafenë e mëngjesit.

Deri pak vite më parë, alpinistët bënin udhëtimin e kthimit poshtë malit përgjatë një shtegu me gropa me një Jeep, sot sipërfaqja e kësaj rruge është e asfaltuar duke shfaqur një shenjë të një ndryshimi më të gjerë në vend. /atsh/ KultPlus.com

MSN: Shqipëria mes vendeve më spektakolare në botë

Një botë larg… Megjithëse mund të jetë e vështirë të bësh pushime këto ditë pa turma bashkudhëtarësh që lëvizin rreth teje, ka ende disa vende jashtëzakonisht të largëta dhe të pacenuara për të eksploruar, sipas një artikulli të botuar në `MSN Travel`.

Nga luginat mahnitëse të Shqipërisë deri në gjiret e pasura me kafshë të egra të Antarktidës.

Shqipëria është renditur mes 28 vendeve të pacenuara dhe spektakolare të Tokës, të cilat premtojnë një udhëtim të paharrueshëm për çdo vizitorë.

Shqipëria

Shqipëria është një vend jashtëzakonisht i bukur në Evropën Juglindore.

Ajo ka një vijë bregdetare verbuese dhe reliev të thyer.

Dhe për momentin, pikat më të bukura turistike janë, liqeni marramendës i Komanit, lugina piktoreske e largët e Valbonës dhe qyteti i Beratit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Një qytet i mrekullueshëm i përjetshëm në Shqipërinë qendrore ku shtëpitë osmane të rreshtuara në shpatin e kodrës nën kështjellën e shekullit të XIV, kanë mbetur të paprekura./atsh/KultPlus.com

Mbi 9.5 milionë të huaj vizituan Shqipërinë deri në fund të nëntorit

Mbi 9.5 milionë të huaj vizituan Shqipërinë deri në fund të muajit nëntor.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur se fakti që vendi u vizitua nga 547 mijë turistë të huaj në nëntor tregon se Shqipëria po shihet si superdestinacion i turizmit gjithëvjetor e të qëndrueshëm.

“Shifrat e nëntorit na çojnë në rekorde dhe pritshmëri të reja të mikpritje me 9.538 milionë vizitorë të huaj që kemi pritur gjatë këtij viti. 547 mijë turistë të huaj që erdhën në Shqipëri gjatë nëntorit janë prova se vendi po vizitohet në çdo stinë të vitit e në çdo cep të territorit, duke u konfirmuar si një superdestinacion i turizmit gjithëvjetor e të qëndrueshëm”, u shpreh Kumbaro.

/atsh/KultPlus.com

Shqipëria nis aventurën ndaj Italisë në “EURO 2024”

Shqipëria ka mësuar kundërshtarët për Euro 2024, shkruan KultPlus.

Ky konsiderohet edhe si grupi i ‘vdekjes’, derisa është mësuar edhe orari i ndeshjeve.

Orari i ndeshjeve të Shqipërisë në kuadër të grupit B të “Euro 2024”.

15 qershor: Italia – Shqiperia, Dortmund;

19 qershor: Kroacia – Shqiperia, Hamburg;

24 qershor: Shqiperia – Spanja, Düsseldorf. /KultPlus.com

Rita Ora uron 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë (FOTO)

Këngëtarja shqiptare e njohur në botë, Rita Ora, ka uruar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, me fotografi nga vizita e saj në Kosovë.

”Gëzuar Ditën e Pavarësisë Shqipëri nga familja jonë tek e juaja!”, ka shkruar Ora në Instagram,  përderisa shkrimin e shoqëron me disa fotografi nga mbrëmja e organizuarnga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me figurat vendore të artit dhe kulturës/ KultPlus.com

Mediumi britanik: Plazhet e Rivierës Shqiptare rivalizojnë edhe Maldivet

Shumë nga destinacionet e preferuara të turistëve, si Greqia dhe Italia kanë rritur çmimet vitet e fundit, kështu që është koha për të zbuluar disa rajone më pak të njohura, shkruan Sophie Foster në të përditshmen angleze “Daily Star”.

Riviera e Shqipërisë, që përfshin vijën bregdetare të Adriatikut, është një vend i mrekullueshëm për pushime me plazhe mahnitëse me ujëra blu të kristaltë, hotele dhe fluturime të lira.

Shqipëria, e kufizuar në jug nga Greqia, ka rrëmbyer vëmendjen e britanikëve dhe nuk është për t’u habitur duke marrë parasysh rivierën e saj të mahnitshme.

Shumë turistë britanikë ndoshta nuk e kishin menduar kurrë të vizitonin Shqipërinë, por vendi ofron oferta të lira dhe plazhe mahnitëse që rivalizojnë Maldivet.

Ju mund të shijoni rrezet e diellit dhe temperaturat e ngrohta gjatë verës.

Riviera Shqiptare, e cila shtrihet në Adriatik, mund të rivalizojë Bregun e Amalfit në Itali ose ishujt grekë falë detit të saj të kristaltë bruz dhe rërës së bardhë.

Pra, ia vlen të vizitoni disa nga pikat më të bukura turistike nëse dëshironi të kaloni pushimet në një destinacion me kosto të ulët, por në të njejtën kohë edhe mahnitës.

Një nga zonat më magjepsëse të Rivierës Shqiptare është Ksamili, i cili është krahasuar me Karaibet nga vizitorët.

Fshati ndodhet në jug të Shqipërisë brenda Parkut Kombëtar të Butrintit dhe ofron gjithçka që mund të dëshironi për pushime.

Zonat me bukuri të jashtëzakonshme përfshijnë ishujt e Ksamilit, të cilët mund t’i vizitoni duke udhëtuar me varkë dhe të endeni mes porteve për të parë detin Jon të pastër kristal.

Ata që dëshirojnë të akomodohen në një vilë do të duhet të paguajnë rreth 100 paund për një qëndrim pesë netësh.

Një dhomë në një hotel në Ksamil, midis majit dhe qershorit, kushton 131 paund për pesë netë.

Ksamili nuk është i vetmi qytet i mrekullueshëm për të shijuar Rivierën Shqiptare.

Saranda është kryeqyteti jozyrtar i rajonit i cili ndodhet pikërisht pranë kufirit grek.

Qyteti është plot me shëtitore, ballkone me pamje nga deti dhe klube nate buzë detit. Plazhi kryesor ofron ujëra të pastër kristal.

Palasa në Rivierën Shqiptare ka plazhin më të mirë në vend, i cili është krahasuar me Maldivet nga pushuesit e huaj.

Qyteti i vogël turistik njihet për rërën e bardhë, motin e nxehtë, restorantet dhe baret relaksuese buzë plazhit.

Palasa, është parajsa mbi tokë, të gjithë në botë duhet ta vizitojnë këtë gji me ujërat blu kristal te ngjashme me Maldivet. /KultPlus.com

Shqiptarët nga të katër anët të bashkuar në paradën “Kuq e Zi”

111-vjetori i Pavarësisë do të festohet më 28 Nëntor, shkruan KultPlus.

Këtë vit, do të organizohet edhe një paradë, e quajtur “Parada Kuq e Zi 2023”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se shqiptarët do të mbledhën nga të katër anët në një paradë të vetme.

“Një ide e ardhur nga një grup të rinjsh në diasporë, do të mbledhë shqiptarët nga të katër anët në një paradë të vetme më 28 nëntor. Nëse moti do të ndihmojë pak, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nis në mesditë”, u shpreh Rama.

Kjo ngjarje do të zhvillohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. /KultPlus.com

‘El Pais’: Shqipëria shndërrohet në një destinacion ekskluziv turistik

Vetëm pak vite më parë, Shqipëria do të shndërrohej në një destinacion ekskluziv turistik, shkruan Pablo Bejerano në një artikull të botuar në të përditshmen spanjolle “El Pais”.

Por, këtë verë kërkimi i përhershëm i destinacionit të fshehur dhe të lirë solli një numër rekord vizitorësh në plazhet e tij me ujëra të kristalta.

Një studim i fundit tregoi sesi platformat si TikTok mund të shkaktojnë një rritje të papritur të numrit të vizitorëve në një vend të caktuar.

Ndryshe nga rrjetet e tjera sociale, sipas hulumtimeve, TikTok promovon videot që gjenerojnë disa ndërveprime në të njëjtën kohë.

Ndër aspektet që e dallojnë TikTok nga rrjetet e tjera sociale janë viraliteti i tij dhe lloji i audiencës.

“Destinacionet që mund të klasifikohen si më të lira dhe më të lehta për t’u aksesuar për popullatën, përshtaten më shumë me publikun e këtij rrjeti social”, tha Jennifer Mourenza, specialiste e marketingut dixhital në “AccuraCast”.

“Është e vështirë të dihet se sa vizitorë mbërrijnë në destinacione që janë në modë në TikTok, si Shqipëria, rritja e së cilës në sektorin e turizmit është e padiskutueshme”, shtoi ajo.

Vendi pati një rritje prej 26% të vizitorëve të huaj gjatë korrikut, krahasuar me shifrat e një viti më parë.

“Në shtator, numri i turistëve ndërkombëtarë u rrit me 45%, gjithsej 1,1 milionë (më shumë se një e treta e popullsisë vendase), ndërsa numri i vizitorëve në janar të vitit të kaluar u rrit me 94%”, sipas Institutit Shqiptar të Statistikave.

Në nëntë muajt e parë të vitit, vendi kishte 29% më shumë vizitorë se në të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Por, studimi i publikuar nga “Journal of Outdoor Recreation and Tourism” ka gjetur korrelacione midis shifrave në TikTok dhe të dhënave në terren.

Algoritmi i TikTok është i ndryshëm dhe më i përshtatshëm për përhapjen e videove te shumë përdorues.

“TikTok gjeneron valë popullariteti që nuk janë në Instagram”, tha Jerome Bergerou, drejtor ndërkombëtar në agjencinë “AccuraCast”.

Megjithëse turizmi zakonisht mirëpritet si një motor i prosperitetit ekonomik, këto rritje të papritura kanë homologë.

Studimi mbi efektin e TikTok-ut në promovimin e destinacioneve turistike nxjerr në pah se prurjet masive dhe të papritura të vizitorëve shkaktojnë probleme të mbipopullimit.

“Vende si plazhet e Shqipërisë tashmë po tregojnë shenja mbipopullimi.Fluksi i turistëve në shkallë kombëtare kërkon një plan paraprak dhe përfshirje të shtetit”, tha gazetari Pedro Bravo.

“Normalisht përpara se të vijë një valë turizmi, është krijuar infrastruktura turistike për ta realizuar atë”, tha Bravo.

“Hotelet janë të nevojshme. Gjithashtu duhet të ketë negociata me linjat ajrore për të ofruar fluturime të lira. Agjencitë turistike duhet ta vendosin në katalogun e tyre dhe të bëjnë oferta”, shpjegoi ai.

Më pas vjen promovimi i destinacionit, i cili, pse jo, mund të bëhet në TikTok.

Në vitin 2022, portali i udhëtimeve “Breaking Travel News” theksoi popullaritetin shpërthyes të Shqipërisë në TikTok gjatë asaj vere.

Sipas “AccuraCast” ka dy mënyra për të reklamuar një destinacion.

E para është e drejtpërdrejtë, me reklama. Tjetra është më efektive. Ajo konsiston në përdorimin e influencuesve për të gjeneruar përmbajtje rreth destinacionit turistik.

Në Shqipëri, ajo që është e qartë është se më parë ka pasur një plan për ndërtimin e një aeroporti.

Në vitin 2021, në Kukës u hap aeroporti i dytë ndërkombëtar, përveç atij që tashmë ishte  në kryeqytetin e Tiranës.

Gjithashtu, qeveria shqiptare ka planifikuar të ndërtojë edhe dy aeroporte të tjera në zonat turistike të Sarandës dhe Vlorës./atsh/KultPlus.com

Shqipëria siguron kualifikimin në ‘Euro 2024’

Kombëtarja shqiptare e futbollit e ka siguruar edhe matematikisht pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian, që mbahet në Gjermani vitin e ardhshëm.

Shqipëria barazoi 1:1 në udhëtim te Moldavia, pikë e cila mjaftoi të sigurojnë biletën për kualifikimin në “Euro 2024”, shkruan lajmi.net.

Heroi i Shqipërisë në këtë përballje ishte sulmuesi, Sokol Cikalleshi që shënoi golin e vetëm për kuqezinjtë.

Cikalleshi realizoi nga pika e bardhë e penalltisë, në pjesën e parë, gjegjësisht në minutën e 25-të.

Kjo është hera e dytë që Kombëtarja e Shqipërisë kualifikohet në Kampionatin Evropian të futbollit. Hera e parë ishte në vitin 2016.

Shqipëria me barazim ndaj Moldavisë ka 14 pikë në pozitën e parë, tri më shumë se Çekia dhe katër më tepër se Polonia. Moldavia është e katërta me 10 pikë.

Tri ditë më vonë, Shqipëria e luan ndeshjen e fundit të kualifikimeve, atë kundër Ishujve Faroe, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë./Lajmi.net/KultPlus.com

Presidenti Begaj: Komuniteti arbëresh duhet t`i përkasë vendit tonë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përfunduar vizitën disaditore në rajonin arbëresh të Kalabrisë.

Në një intervistë për RTSH, Begaj shprehu falenderime për mikpritjen ndërsa vlerësoi përpjekjet e arbëreshëve në ruajtjen e identitetit kombëtar.

Për Begajn komuniteti arbëresh duhet ti përkasë vendit  tonë dhe anasjelltas, pasi sipas tij kjo do të cojë në zhillim ekonomik në fusha me interes të ndërsjelltë.

“Për çdo individë kur bën këto takime dhe ndjen emocione të forta nga njerëz që kanë ikur prej shekujsh nga vendet e tyre por trashëgojnë gjuhën, kulturën, vallen e këndojnë shqip, patjetër të jep shumë emocion. Një komunitet arbëresh që i përket rrënjës tonë është mirë t’i përkasë vendit tonë, po ashtu edhe shqiptarët të jenë pjesë e rajonit arbëresh. Kjo do të çojë në zhvillim ekonomik në fusha në interes të ndërsjelltë, fusha që ne do të kemi interes t’i zhvillojmë”, u shpreh Begaj./rtk/KultPlus.com

Shqipëria, 65 vjet në UNESCO

65 vjet më parë, Shqipëria u bë pjesë e UNESCO-s.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në cilësinë e institucionit të administrimit, të mirëmbajtjes dhe të vënies në shfrytëzim të trashëgimisë dokumentare të kombit, zotëron dy dorëshkrimet e mirënjohura, Beratinus 1 dhe 2, të cilët u bënë pjesë e Regjistrit të Kujtesës së Botës në vitin 2005.

Kodiku i Purpurt i Beratit, daton në shekullin e VI-të dhe është i shkruajtur në pergamenë të purpurt. Ndërsa, Kodiku i Artë (Codex Aureus) i përket shekullit të IX-të dhe është i shkruajtur në pergamenë me shkronja ari. Gjashtë pasuritë e tjera shqiptare që janë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s janë: Liqeni i Ohrit, Lumi i Gashit, Rrajca, Berati, Butrinti dhe Gjirokastra.

UNESCO-ja mbledh rreth vetes 193 vende anëtare. Procesi i anëtarësimit rregullohet prej Artikujve 2 dhe 15 të Kushtetutës së organizatës dhe nga artikujt 98-101 të Rregullores së Brendshme të Konferencës së Përgjithshme, e cila përcakton politikat e saj drejtuese./atsh/KultPlus.com

Rama: Mund të ndodhë një takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk përjashtoi mundësinë e një takimi mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në samitin e 16 tetorit në Tiranë, në një kohë kur tensionet mes palëve janë të larta.

“Nuk kemi planifikuar diçka të tillë, nuk e parashikoj. Çdo gjë mund të ndodhë sepse në situata të tilla ku të gjithë flasin me njëri-tjetrin, nëse ka një hapësirë ose nëse liderët e Gjermanisë dhe Francës që do të jenë këtu, do të duan të flasin me ta si bashkautorë të planit franko-gjerman që është në tryezë, ndoshta mund të ndodhë”, deklaroi Rama në intervistën e tij në podkastin Inside Albania.

I vënë përballë kritikave të shumta nga klasa politike në Prishtinën zyrtare, përfshi kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Jashtme Donika Gërvalla për idetë e tij për të ngritur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në një nivel konference si dhe propozimin e tij për Asociaicionin e komunave me shumucë serbe, Rama kishte një përgjigje të gjatë por të qartë.

“Nuk po përpiqem të bëj të zgjuarin. Jam i sigurt që shumë prej tyre, përfshi vetë ata, mund të jenë më të zgjuar dhe ashtu janë. Por e kam problem t’i bëj njerëzit ose veten për budallenj. Nuk mund të gënjejmë veten. Ajo që ne kemi bërë deri më tani si komunitet shqiptar qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, na ka mësuar shumë qartë se kemi bërë gjithë këto arritje duke u qartësuar se në cilin krah jemi, me kë bashkëpunojmë ngushtësisht dhe cila është mënyra jonë për t’u përmirësuar si faktor shqiptar brenda vendeve tona dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Rruga është e shumë qartë: puna e palodhur drejt paqes, prirja drejt së ardhmes dhe të mos mbeturit peng i të shkuarës. Ne nuk i japim leksione miqve dhe aleatëve tanë të mëdhenj si ata duhet ta shohin botën, por kemi një bashkëpunim konstruktiv me ta dhe i qëndrojmë gjithnjë pranë. Kështu ja kemi dalë deri më sot. Çfarë ka këtu për t’u çuditur? Më e rëndësishmja, Serbia e ka humbur luftën. Kosova e ka fituar luftën. Historia ka treguar se kush ka humbur luftën nuk është i interesuar për paqen, ndryshe nga ai që e ka fituar luftën”, u shpreh Rama.

Për Ramën, Kosova duhet të këmbëngulte për zbatimin e planit franko-gjerman, për të arritur atë që synon: njohjen përfundimtare.

“Plani franko-gjerman është ujdia më e mirë që Kosova mund të marrë, sepse është njohje de facto. Është propozim tolerant dhe i hap rrugën njohjes nga të tjerët. Përse nuk e nxisin ata? Përse nuk këmbëngulin? Përse Kosova nuk është pala që t’ju kërkojë të gjithëve që ky propozim të bëhet? Në politikë dhe në zgjidhjen e diçkaje që është në interesin tënd, nuk është asnjëherë ide e mirë të fillosh të gërmosh në mendjen e tjetrit. A është tjetri vërtet i interesuar? A e do ai vërtet diçka? Ndoshta jo dhe nëse do të hiqnim fuqitë e mëdha që janë me ne dhe do ta imagjinonim dialogun vetëm mes Serbisë dhe Kosovës, atëherë Serbia ndoshta nuk do të ishte ulur farë në tryezë, por do të kishte bërë diçka krejt të çmendur. Por, realiteti është se kemi mbështetje të fortë që të bëjmë një hap madhor drejt njohjes përfundimtare. Dhe ne nuk po e pranojmë këtë? Përse? Për çfarë arsye? Pyetja nuk është nëse kanë ata interes. Pyetja është a kemi ne interes apo jo? Mendoj se ata e kuptojnë se janë shumë të interesuar që kjo çështje të mbyllet njëherë e mirë. Si bëhet kjo? Duke humbur vëmendjen dhe duke krijuar situata apo duke bërë që të krijohen situata që më pas të bllokojnë, apo duke u përpjekur të qetësosh gjithçka, të japësh një gjë të vogël në këmbim të diçkaje më të madhe? Mendoj se zgjidhja është kjo e dyta. Nuk është shkencë, është logjikë e thjeshtë”, sqaroi Kryeministri.

Sipas Kryeministrit të Shqipërisë, nuk ka asgjë të keqe nëse Serbia do të mbështeste financiarisht Bashkësinë e Komunave Serbe.

“Serbia e ka humbur luftën dhe nuk ka vend të imagjinojë një hakmarrje ushtarake. Ka marrë fund kjo gjë! Kosova është njohur nga një komunitet vendesh që nuk do lejonin kurrë kthimin pas. Kurrë! Çfarëdo që të ndodhë! Kjo e para. E dyta, nëse Bashkësia krijohet sipas kuadrit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe është rezultat i një marrëveshjeje që bazohet aty, atëherë nuk do të jetë një hapësirë që të vijnë njerëz të armatosur dhe të thonë se janë anëtarë të asaj Bashkësie. Do të jetë një hapësirë që komunat të kenë vetë-menaxhim, të kenë mbështetje nga Beogradi. Pse jo? Kemi komunat në jug dhe lindje të pakicave greke. Ata do të ishin shumë të lumtur nëse Greqia do t’i mbështeste financiarisht. Pse jo? Është e rëndësishme të shohim nga e ardhmja dhe të bëjmë çdo gjë për ta afruar, sesa të mendojmë gjithnjë vetëm për të shkuarën. E shkuara ka kaluar”, deklaroi Rama.

I pyetur nëse Bashkimi Europian nuk është treguar i drejtë në qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë, Rama, tha “Ne patëm një debat të zjarrtë kur BE-ja doli me deklaratë pas sulmit kriminal në veri”.

“Ishte e gjitha për Kosovën. Ata na shpjeguan se e tillë është procedura e BE-së, Këshillit dhe deklarata ishte miratuar nga 27 vendet anëtare para se të ndodhnin ngjarjet, ndaj edhe e publikuan. I thamë se mund ta publikonin bashkë me një tjetër deklaratë që do të dënonte atë që kishte ndodhur, do të dënonte Beogradin për aktin e pajustifikueshëm të shpalljes së ditës së zisë. E pajustifikueshme! Kërkuam masa konkrete edhe ndaj Serbisë, jo thjesht dënim të aktit. Ata thanë se nuk mund të bëhej për shkak të kohës, sepse duhet shumë kohë për të bërë këto deklarata. Atëherë ne i thamë se nuk do të linjëzoheshim. Për herë të parë në 10 vite, ne nuk u linjëzuam me një deklaratë të BE-së. Nuk do thoja se BE-ja është treguar e padrejtë. Do të thoja se fatkeqësisht Kosova i ka dhënë BE-së shumë arsye që të tregohet më e ashpër me ta. Ndërsa Serbia e ka luajtur lojën me më shumë inteligjencë, një lojë e cila vetëm vijon, nuk ka mbaruar”, përfundoi Rama. /EuronewsAlbania/

Shqipëria sonte evakuoi edhe kosovarë nga zona e luftës në Izrael

Avioni i parë që solli sonte në Rinas shqiptarë nga zona e luftës në Izrael, përfshinë edhe disa nga Kosova.

Këtë e ka bërë të ditur sonte, Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme në Republikën e Shqipërisë, në një njoftim të saj, ndërsa jep detaje për gjithë pasagjerët që arritën të fluturojnë nga Izraeli për në Tiranë, transmeton klankosova.tv.

”Avioni “Air Albania” me 40 pasagjerë, mes të cilëve edhe shtetas nga vendet e rajonit si Kosovë, Maqedonia e Veriut, të ndihmuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Ambasada Shqiptare në Izrael është ulur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” pak më parë”.

Të njëjtit sipas njoftimit të ministrisë, kanë kërkuar vet që të largohen nga Izraeli pas shpalljes së gjendjes së luftës.

Pasagjerët janë pritur dhe përshëndetur nga ministri, Igli Hasani

”Në ditët në vijim do të ketë sërish të tjera fluturime të posaçme drejt Tel Aviv, ndërkohë që MEPJ është në koordinim edhe ministritë simotra të vendeve të rajonit për tu ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre”./KlanKosova/KultPlus.com

Rama ndan shkrimin e ‘Haber Turk’: Shqipëria, “e preferuara e re” e Ballkanit

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimin e medias së njohur turke “Haber Turk” për turizmin e Shqipërisë.

“Shqipëria “e preferuara e re” e Ballkanit është kthyer tashmë një pol tërheqës edhe për vizitorët turq duke thyer një rekord turistik, siç thotë në këtë artikull promovues media e njohur “Haber Turk””, shkruan Rama.

“132% më shumë vizitorë nga Turqia frekuentuan vendin tonë deri në muajin gusht, krahasuar me një vit më parë, një surprizë, por edhe një garanci që Shqipëria ka afirmuar vendin e saj mes vendeve fqinje, prej dekadash të konsoliduara në industrinë e turizmit”, theksoi kryeministri Rama./atsh/KultPlus.com

Shqipëria, e treta në botë për performancën turistike, Rama: Rritje spektakolare prej 56%

Shqipëria renditet e treta në Barometrin Botëror të Turizmit për periudhën janar-korrik 2023, me një rritje spektakolare prej 56 % në ardhjet e turistëve.

Lajmin e bëri të ditur sot kryeministri Edi Rama, i cili ndau në rrjetet sociale statistikat e Barometrit Botëror të Turizmit, ku Shqipëria renditet e treta pas Katarit dhe Arabisë Saudite.

“Kemi arritur diçka të pabesueshme: vendi i tretë në Barometrin Botëror të Turizmit për periudhën janar-korrik 2023, me një rritje spektakolare prej 56 % në ardhjet e turistëve”, theksoi ai.

Kryeministri u shpreh se “kjo arritje nuk do të ishte e mundur pa përkushtimin dhe punën e palodhur të gjithë këtyre viteve dhe veçanërisht të profesionistëve të industrisë sonë të turizmit”.

“Së bashku e kemi vendosur Shqipërinë në hartë si një destinacion që duhet vizituar dhe do ta bëjmë atë çdo vit gjithnjë e më të mirë. Nga brigjet plot diell të Rivierës shqiptare, deri te bukuria historike e Gjirokastrës, ne kemi diçka për të gjithë”, theksoi Rama.

Po ashtu kryeministri përcolli edhe një mesazh për udhëtarët në mbarë botën: “Ejani të zbuloni perlën që quhet Shqipëri, e pasuruar nga përpjekjet e sektorit tonë të jashtëzakonshëm të turizmit. Mos e humbisni – rezervoni sot aventurën tuaj shqiptare”.

‘Travel Weekly’: Shqipëria mes destinacioneve mesdhetare nën radar

Disa njerëz thjesht duan të udhëtojnë. Kjo nuk nënkupton të pish limoncello në një kafene italiane ose të shijosh diellin në Mauritius, por aktin e udhëtimit, të ulesh në trena, autobusë ose varka dhe të shikosh peizazhin që të kalon pranë, shkruan në një artikull e përditshmja angleze “travelweekly.uk”.

Unë udhëtova nga Londra në Tiranë për një ekspeditë të re në Shqipëri, muajin e kaluar, duke kaluar përmes Francës dhe Italisë, me ndalesa gjatë natës në Chambéry, Torino dhe Bari, përpara se të hipja në anije për në bregdetin shqiptar, në Durrës.

Udhëtimi përfshiu ndalesa në vende më pak të njohura dhe jo në qendrat kryesore të transportit apo destinacionet turistike të mbipopulluara, si Parisi ose Milano.

Kështu përfundova në Chambéry, me baret e tij magjepsëse dhe pastiçeritë me aromë hyjnore.

Në Torino, rezervova një turne dyorësh në këmbë, nga Cattedrale di San Giovanni Battista dhe Porta Palatino nëpër rrugët e pasme në Mercato Centrale ku tregohen fakte magjepsëse për historinë e qytetit.

U përgatita për udhëtimin tetëorësh hekurudhor midis Torinos dhe Barit të nesërmen.

Ka diçka emocionuese ndërsa i hipën një anije të madhe drejt një vendi tjetër, si Shqipëria.

Pavarësisht portit industrial në plan të parë, Durrësi dhe sfondi i tij i maleve të palosshme dukeshim të mahnitshëm në dritën e mëngjesit.

Mbërritja në Shqipëri

Pasi mbërrita në Tiranë nisa të eksploroj sheshin monumental Skënderbej, të njihem me historinë shqiptare në Muzeun Kombëtar dhe të kap perëndimin e diellit nga Piramida e Tiranës.

Mund të më jenë dashur pesë ditë për të arritur në kryeqytet, por pasi pashë peizazhet që ndryshonin dhe provuar shumëllojshmëritë e kuzhinës dhe kulturës gjatë rrugës, u ndjeva i relaksuar në modalitetin e pushimeve dhe mendja ime ishte e hapur ndaj qetësisë së aventurës.

Shqipëria e qëndrueshme

Vitin e kaluar, Shqipëria ka kaluar nga një destinacion nën radar në një zgjedhje të pushimeve të nxehta.

Itinerari 12-ditor përfshinte Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta. Kjo lagunë natyrore detare është shtëpia e pelikanit dalmat, një specie nën kërcënim, si dhe flamingove më të mëdhenj dhe mijëra llojeve të tjera të shpendëve.

Ne kaluam midis rrugëve ujore me një motobarkë të vogël herët në mëngjes, dhe më pas ecëm me biçikletë 12 milje përgjatë brezit të tokës midis lagunës dhe detit, për të qenë në kohë për një drekë të gatuar në shtëpi në banesën e familjes Adriatik.

Në Tragjas u ngjitëm në mal ndërsa dielli perëndonte dhe mbërritëm në kasollen e barinjve, që i përket Sofos dhe Dhuratës, të cilët na mirëpritën me raki të përgatitur me kanellë, mjaltë dhe ëmbëlsira.

Ndërsa muzgu largohej, Sofo dhe Dhurata na shërbeu dhi të pjekur në skarë, patëllxhanë, speca dhe djathëra të sapobërë për darkë, dhe raki të bërë vetë.

Ditën e fundit e kaluam duke eksploruar ‘qytetin e një mijë dritareve’, Beratin, i njohur për shtëpitë e tij të larta otomane.

Pse duhet të vizitoni Shqipërinë?

❂ Shqipëria është një destinacion i përballueshëm. Darka për dy persona përfshirë pijet, kushton 20-25 paund.

❂ Ofron shumë aktivitete për udhëtarët aktivë, nga mundësitë për ecje në malet spektakolare deri tek sporti Kayaking në lumenjtë dhe liqenet e pastër kristal.

❂ Adhuruesit e historisë do të kënaqen duke mësuar për të kaluarën e vendit, e cila përfshin ilirët e lashtë, romakët, bizantinët dhe, së fundmi, komunistët./atsh/KultPlus.com

‘The Travel off Path’: Shqipëria mes pesë destinacioneve evropiane me tarifat më të lira

Për të gjithë ata që planifikojnë të bëjnë një udhëtim këtë vjeshtë, është e rëndësishme të kuptojnë se cilat destinacione ofrojnë opsione akomodimi që përshtaten brenda një plani shpenzimesh të përballueshme, shkruan në një artikull gazetarja Megi Canco, të botuar në “The Travel off Path”.

Udhëtarët që presin me padurim të vizitojnë atraksionet evropiane do të jenë të lumtur të marrin në konsideratë renditjen më të re të destinacioneve me tarifat më të lira për momentin!

Shqipëria është renditur mes pesë destinacioneve kryesore evropiane, që ofrojnë shërbime për turistët me çmimet më të lira.

Shqipëria

Si një nga destinacionet më të preferuara të Evropës, Shqipëria kohët e fundit ka fituar një interes të madh në skenën e turizmit ndërkombëtar falë kulturës së saj të pasur, rivierës mahnitëse dhe çmimeve të arsyeshme.

Në përgjithësi, në hotele kostoja për një natë arrin mesatarisht 60 euro (~ 64 dollarë).

Pra, nëse udhëtoni në Shqipëri, qiratë afatshkurtra janë mënyra e duhur për të ndjekur.

Vlen të përmendet se në zonat më turistike dhe të mbiçmuara çmimet mund të ndryshojnë pak mbi mesataren.

Arsyeja pse kaq shumë udhëtarë diskutojnë nëse Shqipëria është një destinacion buxhetor apo jo, është se çmimet mund të ndryshojnë shumë midis qyteteve dhe rajoneve./atsh/KultPlus.com

Kur Shqipëria shkëlqente në skenat botërore (FOTO)

Agim Krajka dhe Vaçe Zela me Ansamblin e Shtetit, në vitet ’80-të, kohë kur turnetë artistike nga Ansambli, zinin një pjesë të rëndësishme të programit të tyre.

Mes pjesëmarrësve bien lehtësisht në sy, e madhja Vaçe Zela dhe kompozitori i shquar i muzikës së lehtë, Agim Krajka. Fotot janë realizuar në vitin 1988, para dhe gjatë shfaqjes së Ansamblit të këngëve dhe valleve të Shqipërisë, në një qytet të Austrisë.

Në këto imazhe bie në sy prania e këngëtares legjendare Vaçe Zela, Agrim Krajkës, mjeshtrit të ndjerë Rexhep Çeliku, partneres së tij Lili Cingu, si dhe vallëtarë, instrumentistë dhe anëtarë të delegacionit shqiptar. Fotografitë u publikuan për herë të parë, nga gazetari dhe studiuesi, Armand Plaka. / KultPlus.com

Media polake, ‘Tychy.pl’: Shqipëria një nga perlat e pazbuluara të Ballkanit

Shqipëria është një vend, e cila deri vonë ishte anashkaluar në hartën e destinacioneve evropiane të pushimeve. Megjithatë, vitet e fundit, Shqipëria ka fituar popullaritet si një nga perlat e pazbuluara të Ballkanit, duke tërhequr turistët me historinë e sa të pasur dhe njerëzit mikpritës, shkruan në një artikull e përditshmja polake “Tychy.pl”.

Bukuria e natyrës së pazbuluar

Shqipëria ofron një peizazh jashtëzakonisht të larmishëm, duke filluar nga malet madhështore në pjesën veriore të vendit deri te plazhet e bukura dhe të paeksploruara në bregun perëndimor.

Deti Jon, me ujin e tij të pastër kristal, është një vend ideal për adhuruesit e diellit dhe detit.

Parku Kombëtar i Llogarasë është një parajsë për adhuruesit e trekking.

Historia dhe kultura e pasur

Historia e Shqipërisë është po aq e larmishme sa edhe peizazhi i saj.

Nga rrënojat e lashta si ato në Butrint e deri te kështjellat mesjetare të shpërndara në të gjithë vendin.

Qytete si Gjirokastra dhe Berati do t’ju befasojnë me arkitekturën e tyre osmane dhe zonat historike të listuara në UNESCO.

Banorë mikprites

Shqiptarët shquhen për mikpritjen dhe ngrohtësinë e tyre. Mos kini frikë të kërkoni ndihmë ose të kërkoni udhëzime, vendasit do të jenë të lumtur t’ju ndihmojnë, shpesh me një buzëqeshje në fytyrën e tyre.

Ekonomia dhe çmimet

Shqipëria është një nga destinacionet më ekonomike të pushimeve në Evropë.

Akomodimi, ushqimi dhe transporti janë shumë më të lira këtu sesa në destinacionet e tjera të njohura evropiane për pushime.

Përmbledhje

Shqipëria, një vend i kontrasteve, befason në çdo hap. A ia vlen ta duash këtë vend apo jo?

Kjo varet nga preferencat tuaja individuale. Nëse jeni në kërkim të autenticitetit, natyrës së paprekur dhe historisë së pasur, atëherë Shqipëria mund të jetë destinacioni i përsosur për pushimet tuaja të radhës.

Pavarësisht preferencave tuaja, një gjë është e sigurt; Shqipëria është një destinacion i jashtëzakonshëm në Ballkan, që ia vlen të zbulohet! /atsh/KultPlus.com

Aktorja Angelina Jolie shkruan në shqip njoftimin për publikimin e librit të saj në Kosovë dhe Shqipëri

Aktorja e famshme Angelia Jolie, ka bërë një postim në gjuhën shqipe, duke njoftuar se libri i saj “Njihni të drejtat tuaja dhe kërkojini ato”, i shkruar nga ajo, Amnesty International dhe Geraldine Vab Bueren, tanimë është publikuar edhe në Kosovë dhe në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Përmes një publikimi në instagram, Jolie u është drejtuar ndjekësve të saj edhe në gjuhën shqipe.

“Për t’i kërkuar të drejtat tuaja, duhet t’i njihni ato. Neni 42 i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve i detyron qeveritë të sigurohen që fëmijët dhe prindërit të jenë të vetëdijshëm për parimet dhe të drejtat e mbrojtura me konventë. Jam e lumtur që libri ynë për të drejtat e të rinjve tani është publikuar në Shqipëri, Kosovë, Poloni, Rumani dhe Moldavi, dhe ua dërgoj respektin tim të gjithë aktivistëve/eve që mbrojnë të drejtat e fëmijëve në rajon dhe që përdorin të drejtën e tyre të jenë të zëshëm.”, thuhet në shkrim./KultPlus.com

81 vjet nga Konferenca e Pezës

​Konferenca e Pezës është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, ku u bënë përpjekje për bashkimin e shqiptarëve kundër pushtuesve nazifashistë.

Konferenca e Pezës u mbajt në Pezë më 16 shtator 1942, një fshat afër Tiranës. Protagonistë të këtij Kuvendi ishin 20 delegatë përfaqësues të krahinave dhe besimeve të ndryshme fetare, klasa dhe shtresa me bindje politike nga më të ndryshmet.

Pjesëmarrësit vinin nga rryma të ndryshme politike. Ndërmjet tyre ishin Abaz Kupi, Aziz Çami, Halim Begeja, Haxhi Lleshi, Ismail Petrela, Mustafa Xhani, Myslim Peza, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Skënder Jegeni dhe Skënder Muço. Nga PKSH morën pjesë Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Nexhmije Xhuglini.

Kryetar i konferencës u zgjodh Ndoc Çoba dhe sekretar, Mustafa Gjinishi.

Në konferencë u diskutua organizimi i forcave në një luftë të përbashkët kundër okupatorit, organizim ky që mori emrin më vonë, Fronti Nacional-Çlirimtar.

Delegatët e ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, përfaqësuesit e gjithë tendencave të nacionalizmit shqiptar për bashkim të plotë të tyre me luftën NÇ, arritën në këto përfundime:

Gjendemi në një botë të përgjakur anekënd prej forcave të errëta prej skllavëronjësve të fashizmit. Popuj e kombe u shkelën pa mëshirë prej barbarisë fashiste.

Në këtë luftë gjiganteske që i ka kushtuar njerëzimit miliona e miliona të vrarë e të plagosur, që ka shkretuar e ka shembur fshatra e qytete të tëra, dy principe, në kundërshtim si dita me natën, në njërën anë tirania barbare dhe me skllavëronjësja që ka parë bota deri më sot, tirania fashiste, nga ana tjetër, blloku anglo-sovjeto-amerikan, bashkë me popujt e robëruar që bëjnë luftë të drejtë për zhdukjen nga faqja e dheut të murtajës fashiste, luftën për lirinë, për independencën dhe për lumturinë e popujve mbarë.

Është për t’u theksuar se konferenca u dekonspirua shumë shpejt, gjë që linte të mendohej se ky dekonspirim kishte qenë shumë i shpejtë falë informatave të siguruara brenda pjesëmarrësve.

Pasi fashistët kapën dokumente në lidhje me këtë konferencë, ata goditën Pezën. Pas pak javësh u ndërrua edhe drejtuesi i policisë.

Më 26 nëntor 1942, Shyqyri Borshi u emërua drejtor i përgjithshëm i policisë, në vend të Teodor Stamatit (“Fletorja Zyrtare”, 9 dhjetor 1942).

Parulla e bashkimit apo e përçarjes?

Parulla e konferencës u bë ajo, sipas së cilës, do të kryhej një bashkim pa dallim feje, krahine e ideje./ KultPlus.com