Prishet murali “Shqiponja dy KRENAre”

Prishja e muralit “Shqiponja dy KRENAre” të artistes Orange Girl, e cila e ka realizuar në kuadër të ‘FemArt 9’ në Prishtinë, është konsideruar e papranueshme dhe një veprim i shëmtuar, përcjell KultPlus.

“Kujtdo që nuk mund të tolerojë mendimin ndryshe, i themi se artin nuk mund ta ndalni, mesazhin e tij aq më pak. Tashmë ai ka shkuar tek publiku është bërë pjesë e tij. Shqiponja do të qëndrojë krenare edhe nëse kjo nuk i pëlqen patriarkatit e mirëmbajtësve të tij”, ka shkruar festivali FemArt.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të tyre:

Veprim i shëmtuar dhe i papranueshëm prishja e muralit “Shqiponja dy KRENAre”
Veprim i shëmtuar dhe i papranueshëm është prishja e muralit “Shqiponja dy KRENAre” të artistes Orange Girl, e cila e ka realizuar në kuadër të FemArt 9 në Prishtinë.
Kujtdo që nuk mund të tolerojë mendimin ndryshe, i themi se artin nuk mund ta ndalni, mesazhin e tij aq më pak. Tashmë ai ka shkuar tek publiku është bërë pjesë e tij. Shqiponja do të qëndrojë krenare edhe nëse kjo nuk i pëlqen patriarkatit e mirëmbajtësve të tij.
Shqiponjat dy krenare janë vajza/gra krenare çdo ditë, çdo javë dhe muaj të çdo viti. Krenare që janë vajza dhe gra!
Ndër vite shqiponja është paraqitur e përdorur duke i inkuadruar burrërinë, jo vetëm konceptuale, por edhe strukturore – shqiponja me muskuj dhe elemente tjera tendencioze dhe patriarkale në qasje, duke i mohuar kështu feminitetin e saj që shpërfaqet pikësëpari nga emri.
Duke çmitizuar mendësinë seksiste, ne e nxjerrim në pah gjenezën matriarkale, fuqinë dhe elegancën e saj, anën femërore dhe rolin e gruas në ndërtimin e kombit shqiptar – të mohuar ndër vite.
Po, shqiponjat dy krenare kanë gjokse dhe vaginë, thonj e qerpikë dhe janë krenare për gjininë, seksualitetin dhe orientimin seksual të tyre.
Ky intervenim vjen si revoltë ndaj mendësisë patriarkale që i mvishet flamurit, jo vlerave kombëtare që i përfaqëson.
Refuzojmë që ngjyra e kuqe të na simbolizojë vlerën tonë në atë “çarçaf” që ngritet dhe valëvitet nga burrat patriarkal që dhunojnë, shtypin e vrasin vajzat dhe gratë.
Ngjyra e flamurit tonë le të mbetet ngjyra portokalli si revoltë që kundërshton dhunën ndaj nesh.
Rreth flamurit të përbashkuar me shumë qëllime dhe shumë dëshira!
Qëndrojmë krenare, me njëra tjetrën të dashuruara, si dy shqiponja krenare në flamur. / KultPlus.com