Reperi i njohur shqiptar, Gashi, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ndarë një histori me të gjithë adhuruesit e tij, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi të bërë në rrjetet sociale, Gashi tregon jetën e tij dhe sfidat që ka kaluar, për të arritur majat e botës.
“Unë linda në Afrikë. E di se çfarë do të thotë? Jam emigrant. Jam shqiptar dhe pjesën më të madhe të jetës kam qenë i pastrehë. Fakti që ti më njeh tani tregon se nëse unë vijoj rrugën time, ti kurrë nuk do ta dish se ku mund të shkoi. Muzika më shpëtoi jetën”, ka thënë Gashi në video.
Ndërkaq, ai ka pasur edhe një përshkrim mbi këtë video, duke thënë se me muzikë merret nga viti 2009, derisa do të bëjë edhe publikimin e dy albumeve të tjera në 2022-tën.
“Unë akoma zgjohem duke besuar se një ditë do të bëhem një nga artistët më të mëdhenj ndonjëherë, dhe do ta arrij këtë gjë”, shkroi tutje Gashi.
Një nga këngët më të njohura të artistit është “Creep on Me”, në bashkëpunim me French Montana dhe DJ Snake. /KultPlus.com
Afrim Krasniqi: “Kriza e ambasadave – Shqipëria në vitin 1990”, monografi. Botoi: Institui i Historisë i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2020. Eksodet e mëdha shqiptare, nga ato që njohim (pas vdekjes së Skënderbeut dhe rrënimit të diktaturës komuniste në Shqipëri), kryesisht lidhen me disfatat e mëdha historike të shqiptarëve, siç ishte ajo e para pas ripushtimit osman të Shqipërisë nga fundi i shekullit XIV dhe, kjo e fundit, nga jeta gjysmëshekullore nën diktaturën më të egër komuniste që njohu bota. Nëse mund të thuhet se eksodi i parë përfshiu fisnikërinë shqiptare nga radhët e feudalëve dhe ushtarakëve që ishin pjesë e luftës çlirimtare të Skënderbeut kundër osmanëve gjatë një çerek shekulli dhe u strehuan në Itali si pjesë e një shtrese që kishte formim të caktuar shoqëror dhe kulturor, gjë që këtë e vazhdoi edhe në rrethanat e reja, eksodi i dytë, ai nga viti 1990 e këndej, përfshiu shtresën proletare dhe qytetarinë e shpronësuar nga dinjiteti elementar, atë që rëndom kishte jetuar në rrethanat e një Gullagu komunist të krijuar nga diktatura e regjimit komunist të Enver Hoxhës, shtresë kjo të shumtën me tru të shpërlarë, që ikjen nga diktatura e konsideronte çështje ekzistenciale.Edhe pse kanë kaluar mbi tridhjetë vjet nga eksodi shqiptar, përmasat tektonike të të cilit edhe më tutje vazhdojnë saqë etninë shqiptare e kanë sjellë deri te gjendja e “murtajës së bardhë”, përkundër asaj se shkaktari i saj kryesor shfaqet faktori ideologjik që si bartës kryesor pati diktaturën komuniste të Enver Hoxhës që Shqipërinë në emër të “idealeve komuniste” duhej ngrënë edhe bar gjë që vendin e ktheu në një kamp përqendrimi me njeriun e varfër dhe të zhvlerësuar, pra kësaj së keqe nuk i ishte dhënë anamneza e plotë në përputhje me shkaktarin e vetëm – atë ideologjik ngaqë shumë studiues i takojnë asaj mendësie. Megjithatë monografia e Afrim Krasniqit “Kriza e ambasadave – Shqipëria në vitin 1990”, e botuar së voni nga Instituti i Historisë i Studimeve Albanologjike në Tiranë, paraqet një kronikë të aktit të fundit të shthurjes së kësaj diktature në rrethanat kur tranzicioni tashmë kishte përfshirë shumë nga vendet e ish bllokut komunist (nga Polonia, Gjermania Demokratike, Çekosllovakia, Rumania e të tjera), ndërkohë që garda e fundit komuniste në Tiranë po përpiqej që tranzicionin e pandalshëm pra kur diktaturat ktheheshin në sisteme shumëpartiake, përpiqej që pluralizmin partiak ta maskonte me “pluralizmin e mendimeve”, siç doli nga takimi i gushtit i vitit 1990 i R. Alisë me disa intelektualë të Tiranës, të cilët, nuk patën guxim që kësaj formule t’ia jepnin përgjigjen siç ia dhanë vendet tjera ish komuniste, por lejuan që edhe atë që do të shfaqet “tranzicion shqiptar”, në zgjedhjet e para “të lira”, të vitit 1991, të fitojë Partia e Punës e Shqipërisë, e transformuar në Partinë Socialiste. Natyrisht se kronika e kësaj ngecjeje, apo sabotimi shqiptar të pluralizmit drejt tranzicionit, pasqyrohet mirë në monografinë e Afrim Krasniqit. Duke ndjekur rrugën e dokumenteve, autori në katër kapitur jep kronologjinë e këtij zhvillimi që hapi kthesën historike. Kështu, në kreun e parë paraqiten zhvillimet politike dhe gjendja në Shqipëri në gjysmën e parë të vitit 1990, nga protestat e para sociale të janarit 1990, pastaj të ndikimit të rastit “Popaj” në ambasadën e Italisë në eksodin e atij viti e deri te hyrjet në ambasada në atë të RDGJ-së. Në kreun e dytë pasqyrohen ngjarjet e korrikut dhe kriza e “Pushtimit të ambasadave” me gjithë ato që përcollën këtë zhvillim nga hyrja në ambasadat perëndimore e deri te largimi i refugjatëve nga Shqipëria, me çka përfundimisht u thye “miti i mashtrimit komunist për Shqipërinë lule në Adriatik”, e të ngjashme, siç propagonte Enver Hoxha nëpërmes grupeve marksiste-leniniste nëpër botë, që kryesisht i shërbenin Beogradit dhe Moskës për të mbajtur nën anatemë edhe kërkesat e drejta të shqiptarëve të Kosovës për Republikën e tyre në kuadër të federatës jugosllave. Në kapitullin e tretë bëhet fjalë gjerësisht për rrolin dhe pozicionin e ambasadave dhe shteteve në krizën e korrikut 1990, ku pasqyrohen edhe pozicionet e këtyre vendeve rreth zgjidhjes së krizës së refugjateve, me ç’rast edhe pjesës më të madhe të tyre iu lejua largimi i organizuar nga Shqipëria, largim ky që pastaj, mori përmasat e një eksodi të pambikëqyrur që vazhdoi për vite dhe ende vazhdon në forma të ndryshe. Monografia përmbyllet me kapitullin rreth përpjekjeve të regjimit për rivendosjen e kontrollit në vend, ku pasqyrohen gjithë ato zhvillime që udhëheqja e lartë partiake e vendit (nomenklatura komuniste e kohës) u mundua që eksodin, nëpërmes fushatave denigruese, ta shfrytëzojë për të fshehur shkaktarin e vërtetë të krizës – sistemin. Me këtë rast, jepen edhe të dhëna rreth burgosjeve dhe masave të tjera, që regjimi i atëhershëm ndërmori ndaj atyre që përpiqeshin që të largoheshin nga vendi, për në liri, nëpërmes rreziqeve të mëdha, ku edhe shumë prej tyre nuk ia dolën… Në tërësi, monografia e A. Krasniqit, paraqet një faktografi të caktuar, atë të krizës së ambasadave, që ia hapi rrugën në njërën anë tranzionit shqiptar me shumë e shumë vështirësi dhe në tjetrën anë, eksodit shqiptar, ndër më të mëdhenjtë e të gjitha kohëve, me pasoja tepër të rënda për vetë Shqipërinë, po edhe për ata që u detyruan të braktisin vendin për një jetë më të mirë dhe liri, paçka se shumë prej tyre humbën atdheun përgjithmonë… /KultPlus.com
Kinematografia ka ecur përkrah literaturës, edhe pse thuhet shpesh se ‘Filmat nuk janë po aq të mirë sa librat’.
KultPlus ju sjellë tre libra shqiptar që u kthyen në filma dhe njohën edhe sukses ndërkombëtar.
Filmi ‘Përse bie kjo daulle’ – E para vepër që u kthye në një film artistik ishte romani ‘Dasma’ e Ismail Kadaresë. Në vitin 1969, rregjizori Pirro Milkani përdori romanin e Kadaresë si subjekt të filmit ‘Përse bie kjo daulle’.
Filmi rrëfen historinë e dashurisë së Kaltrinës dhe Xhavitit. Dy të rinjtë punonin si vullnetarë në ndërtimin e një hekurudhe dhe bien në dashuri. Pas njëfarë kohe vendosin të martohen edhe pse i ati i vajzës e kishte fejuar vajzën pa dëshirën e saj me dikë tjetër. I ati i vajzës, i cili ishte malësor, nuk mund ta pranonte martesën. Ndaj, shkon në ceremoninë e dasmës për të vrarë të bijën…Libri, gjatë asaj kohe mori famë dhe u radiodramatizua nga BBC në Londër me titullin ‘Dasma dhe Fantazma’.
‘Përrallë nga e kaluara’ – Vepra e paharrueshme e shkrimtarit karizmatik Andon Zako Cajupi, ‘14 Vjeç Dhëndër’ u kthye në film fale rregjizurës së Dhimitër Anagnostit. Filmi u titullua ‘Përrallë nga e kaluara’ në vitin 1987. Libra të tillë si të Çajupit janë të rrallë.
Edhe sot mbetet një nga fimat më të dashur të të gjitha kohërave për shqiptarët. Historinë e filmit nuk po jua shtjellojmë pasi jemi të bindur që e dini tashmë. Filmi u nderua me çmimin ‘Aleksandër Moisiu’ në vitin 1988 për skenarin. Ndërsa në vitin 1990 mori çmim të dytë në Festivalin e 8 të Filmit Artistik Shqiptar. Filmi mori edhe një çmim të dytë në Festivalin Ndërkombëtar të filmit të Europës Lindore në Bondy, Francë, 1990.
‘Parrullat’ – Një tjetër libër që u kthye në një nga filmat më të vlerësuar edhe ndërkombëtarisht. ‘Parrullat’ u realizua si film nga rregjizori Gjergj Xhuvani, me ndihmën e shkrimtarit Ylljet Alicka. Filmi u realizua në fakt më herët se sa botimi i librit. Në vitin 2001 filmi ndërsa në 2006-ën libri.
Ngjarja përfshin brënda sigurisht edhe një histori dashurie. Ngjarjet zhvillohen në vitet e diktaturës komuniste, në një shkollë fshati. Të gjithë si nxënës dhe mësues ishin të detyruar t’u bindeshin urdhrave që vinin nga lart për të vendosur parrrulla me gurë nëpër kodra. Filmi mori pjesë në Festivalin e Venecias, të Bratislavës, Festivalin e Kanës, të Cotbus-it e deri në Tokio, ku u vlerësua me disa çmime. /aktoret/ KultPlus.com
Tubim i përmasave epike, konsiderohet si tubimi më i madh shqiptar i të gjitha kohërave, ku rreth 500 mijë shqiptarë bashkohen në fushën e pajtimit.
Vlenë të përmendet se kjo ishte një nga periudhat kur vetëdija kombëtare ishte në nivelin më të lartë. Fushata e pajtimit të gjaqeve ishte një nga nismat më patriotike, që rezultoi me 1800 gjaqe të falura, dhe rreth 30 mijë ngatërresa të pajtuara.
Dhe një kontribut të madh pat dhënë figura e njohur shqiptare Anton Çetta, i cili me kontributin e tij ka arritë të vë paqe në shumë familje shqiptare./ KultPlus.com
Uliks Fehmiu, në një tekst të botuar në ‘Filozofskimagazin.wordpress.com’, rrëfen shkurt dhe bukur historinë e të atit, aktorit të madh, Bekim Fehmiu e të cilin ju sjellim sot në njëmbëdhjetë vjetorin e vdekjes së aktorit.
Nga: Uliks Fehmiu
Për të folur për të atin tim, Bekim Fehmiun, më duhet së pari të flas pak për gjyshin tim Ibrahimin. I lindur në vitin 1982, në Gjakovë, në një familje tregtarësh dhe intelektualësh, ai ka përfunduar shkollën për mësues dhe medresen në Shkup. Biografia e gjyshit tim më shkurt mund të rrëfehet në shembujt e emrave të fëmijëve të tij të cilët i kishte emëruar personalisht, duke u munduar që këta emra të jenë shqiptar (në vend të emrave turqisht dhe arabisht, që ishin të zakonshëm), emra që në mënyrë simbolike flasin për idealet të cilat i kishte ndjekur.
E bija më e vjetër, Besa – fjalë e nderuar, betim dhe një lloj shenje mbrojtëse te shqiptarët; Shpresa – shpresa për ditë më të mira për popullin shqiptar; Bashkim – i biri i parë – bashkimi i popullit shqiptar; Arsim – edukimi i popullit; Fatmir – fati i mirë për popullin; im atë Bekim – bekim për popullin; Afërdita – mëngjesi është afër popullit shqiptar; Luljeta – lulja e jetës.
Me libër dhe me pushkë në dorë, ka qenë dora e djathtë e Bajram Currit, udhëheqësit të kryengritjes se shqiptarëve kundër turkut, në vitin 1912. Si njeri ndër mësuesit e parë shqiptar, i dedikohet edukimit të popullit dhe hapjes se shkollave si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Për këtë pushteti serbo – malazez e dënon me vdekje. Në kohën e Mbretërisë se Jugosllavisë, e ndjekin si mbështetës i Bajram Currit dhe i Fan Stilian Nolit. Gjyshin e ndjek edhe kryetari i Shqipërisë Ahmet Zogu, kërkon peng për kokën e tij mija dukat. Në vitin 1929 është arrestuar dhe izoluar në Valevë. Për këtë kohë, familja e tij jeton në Gjakovë, për t’u depërtuar të gjithë së bashku në Sarajevë, në vitin 1931, ku përveç tre fëmijëve të lindur, vijnë në jetë djemtë Arsimi, Fatmiri dhe, në vitin 1936, i ati im Bekimi.
Në vitin 1939, pas okupimit të Shqipërisë nga italianet, kalojnë në Shkodër ku gjyshi bëhet drejtor didaktik i shkollave fillore, ku edhe i lind e bija Afërdita. Pas rënies se Mbretërisë se Jugosllavisë në vitin 1941 familja kthehet në Kosovë, në Prizren, ku ai vazhdon punën edukative dhe patriotike. E arrestojnë edhe gjermanët. As në kohën e re të Jugosllavisë Socialiste nuk ndalet rrethi i golgotës ndaj familjes Fehmiu. Gjyshin e arrestojnë dhe pas një procesi të montuar dënohet. Pas lirimit nga burgu vdes shpejt në vitin 1951.
Gjyshja ime Hedija, e lindur në Gjakovë në vitin 1908, ka ndjekur rrugën e gjyshit dhe të gjitha problemet. I ati im mendon se nuk ka gjetur mjaft fjalë adekuate për të përshkruar e gjithë atë që ka duruar dhe ka bërë nëna e tij. Gjenerata e babait tim Bekimit është gjenerata e parë në historinë e Prizrenit e cila tërë shkollimin e ka kryer në gjuhën shqipe – nga shkolla fillore deri te gjimnazi. Pas gjimnazit babai bëhet anëtar i dramës shqipe në teatrin kombëtar rajonal – teatri i vetëm profesional në Prishtinë (përkatësisht në Kosovë). Akademinë e teatrit në Beograd e regjistron në vitin 1956, në klasën e profesorit dhe drejtorit të njohur Mate Milosheviq. Kalon provimin dhe pranohet me kushtin që të mësojë gjuhën serbo-kroate. Teatri i Prishtinës i ndan bursë, por mallkimi të cilin e kanë shënuar “zotërat” politik në familjen Fehmiu e ka kapluar edhe babanë tim. Pas dy muajve ia ndërpresin bursën. Fal rektorit të Akademisë Dushan Matiq fiton shkollimin deri në fund të studimeve.
Shpejt e mëson gjuhën serbo-kroate, që në vitin 1960 të bëhet anëtari i rregullt i teatrit më të mirë – i teatrit të dramës jugosllave. Edhe në ditët e sotme profesorët në akademinë e teatrit (Fakulteti i arteve dramatike) e përmendin babanë tim si shembull i talentit të jashtëzakonshëm dhe pas gjithash student i çmuar, dhe unë si student i po të njëjtit fakultet i kam dëgjuar këto. Deri në vitin 1967, kur jep dorëheqje në teatrin e dramës jugosllave për shkak të trajtimit të keq, bëhet artist i lirë, ka luajtur më shumë se 40 episode, role dytësore dhe disa kryesore, duke përfshirë edhe rolet në Atelje 212. Dy herë ka qenë asistent i regjisë te profesori Milosheviq në Rikardin III dhe Otkriću Dobrice Ćosića. Xhiron edhe filmat Roj, Put, Tople godine, Protest, Deps, Pavle Pavloviq etj.
Pas suksesit të madh të filmit ‘Skupljači perja’ (Mbledhësi i puplave) me regji të Aleksander Petroviqit, ku luan rolin kryesor – Beli Bor (filmi është lauruar me dy çmime në festivalin e filmit Cannes në vitin 1967 dhe është nominuar për Oskar në vitin 1968), fillon karriera e tij ndërkombëtare dhe bëhet ylli i parë botëror nga ky rajon dhe nënshkruan marrëveshjen shumëvjeçare me producentin italian Dino de Laurentis. Bëhet krenaria e ish Jugosllavisë. Kryesisht xhiron në Evropë, SHBA, Amerikën Jugore, Afrikë dhe Azi. Ka luajtur në gjuhën shqipe, serbo-kroatisht, maqedonisht, rome, turqisht, spanjisht, anglisht, frëngjisht dhe në gjuhën italiane.
Edhe sot shikohen filmat e njohur dhe serialet televizive në të cilat ka luajtur, siç janë Odiseja e Homerit me Irena Papas, Avanturistët me Candice Bergen dhe Olivia de Havilland, ku ka luajtur rolin kryesor – pleibojin Porfirija Rubiros, Dezerter me John Huston, me Richard Crenn, Chuck Connorsom; Licenca për të vrarë me Avom Gardner, Dirko Bogard, Timothyje Dalton…, Java e zezë e John Frankenheimera me Martheo Keller, Libera, dashuria ime me Claudio Cardinale, Salon Kitty me Ingrid Thulin, Helmut Berger…dhe shumë tjerë.
Për të fituar rolin kryesor në produksionin e filmit multibuxhetor të Paramountoves Avanturistët (The Adventurers, 1969), me regji të Lewis Gilbert i është dashur të mësoj gjuhën angleze për 10 javë. Rolin e ka fituar në vitin 1968, kur kam lindur unë. Në nder të babait tim është organizuar pritje e madhe në hotelin Pierre në New York ku është ai, në shoqërinë e yjeve tjerë të filmit Avanturistët (Me Olivia de Havilland, Candice Bergen, Anna Moffo, Ernest Borgine, Ferndando Reyom, Rossano Brazzije, Charles Aznavouro…), me ftesa të veçanta të zgjedhura është prezantuar si ylli i ri i filmit. Në këtë rast babai im ka mbajtur të stilizuar kostumin kombëtar shqiptar.
Ka xhiruar më shumë se pesëdhjetë filma në shumicën e tyre ka luajtur rolet kryesore. Në shenj proteste për shkak të propagandës antishqiptare dhe përhapjen e urrejtjes ndaj popullit shqiptar, babai im në vitin 1987 demonstrativisht lëshon shfaqjen në Beograd Madam Kollontaj(Agnete Pleijel) ku demonstron rolin e Leninit dhe Stalinit dhe përshëndetët publikisht me aktivitetet artistike në ish Jugosllavi.
Roli i fundit të cilin e ka luajtur për televizionin italian ka qenë Josipi i shenjt në filmin Djali me emrin Isus (Un bambino di nome Gesù, 1987.) me regji të Franc Rossi, i cili është shfaqur edhe në televizionin amerikan. Skenaristi dhe producenti Francesco Saardamagli ka thënë : “Bekim Fehmiu është i vetmi aktor internacional nga vendet komuniste lindore i cili ka xhiruar në perëndim, përreth 20 vite, duke gdhendur perden e hekurt, deri te shfaqja e Gorbaçovit dhe rënia e murit të Berlinit.”
Filmi i fundit të cilin e ka xhiruar është Gjingis Kan(Gengis Khan, 1992.) me regji të Kena Annakin në të cilin ka luajtur edhe Charlton Heston.
Pas Aleksandër Moisiut, aktorit nga gjysma e parë e shekullit XX, babai im aktori i parë internacional shqiptar në gjysmën e dytë të shek XX.
Shpërbërja e Jugosllavisë, luftë e tmerrshme vëllavrasëse, shkatërrimi i Vukovarit, bombardimi i Dubrovnikut, rrethimi disavjeçar i Sarajevës, lufta në Kosovë, bombardimi i Republikës Federale të Jugosllavisë kanë bërë më shumë që babai im të tërhiqet. Është tërhequr nga skena, çka për aktorin është agjenti më i fuqishëm dhe më i bukur. Është tërhequr në heshtje – në protestë, Hamleti kishte thënë “…ka mbetur heshtja”./ Përktheu: Saranda Rugova / KultPlus.com
Aktori Bekim Fehmiu lindi në Sarajevë më 1 Qershor 1936. Rrjedh nga një familje e njohur gjakovare. Babai i tij, Ibrahim Fehmiu, ishte patriot i shquar, njëri ndër mësuesit e gjeneratës së parë në Kosovë dhe propagandues i madh i arsimit në gjuhën shqipe, shkruan KultPlus.
Gjurmët e tij në kinematografinë e huaj dhe atë shqiptare nuk janë të vogla dhe sot në njëmbëdhjetë vjetorin e vdekjes së tij ai vazhdon të kujtohet si një prej aktorëve më të mëdhenjë shqiptarë me famë botërore.
Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.
Është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit që ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ndër rolet më të njohura janë “Prova speciale”, “Odissea”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra.
Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të njohur të kinematografisë botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shou, Dirk Bogart, Irene Papas e të tjerë. Në rolet e tij, Fehmiu ka interpretuar në disa gjuhë.
Në vitin 1972 e ka vizituar Shqipërinë dhe nuk e ka fshehur kurrë mallin që kishte për të.
Nga viti 1987, kur në mënyrë demonstrative braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, në teatrin jugosllav të dramës, ai i dha lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi.
Pas disa kohësh mori dhe vendimin për t’i dhënë fund karrierës edhe në aktivitetet artistike botërore.
Kohë më parë në Jugosllavi është botuar edhe libri me kujtime i Bekim Fehmiut, “Shkëlqim dhe frikë”, në të cilin përshkruhet periudha që nga lindja e tij në Sarajevë, duke përfshirë gjithëçka deri në vitin 1955, kur u pranua në teatrin e dramës së Prishtinës.
“Njeriu nuk duhet të fajësojë për diçka që i ndodhë as babanë as vëllezërit, as fqinjën, as perënditë, por vetëm veten. Njëra nga tragjeditë tona lidhet me atë, që duke jetuar për shekuj së bashku nuk kemi mësuar nga njëri-tjetri, por dhe kur e kemi bërë këtë, kemi mësuar vetëm të keqen” – shprehet ai.
Fehmiu u gjet i vdekur në apartamentin e tij në Beograd më 15 qershor 2010. Sipas deklaratave të para, u njoftua se ai kishte kryer vetëvrasje. Në atë kohë ai ishte 74 vjeçar. / KultPlus.com
Ndonëse është larguar nga atdheu qysh fëmijë, madje dhe ëndrrat e majat e sukseseve po i realizon dita ditës në tokën e ëndrrave, Edon Molla nuk harron të përmend faktin se krenaria më e madhe është prejardhja e tij, shkruan KultPlus.
“Jam jashtëzakonisht krenar që jam shqiptar, mendoj se është aq e bukur sa kemi kapërcyer kaq shumë dhe njerëzit tanë vazhdojnë të frymëzojnë, duan dhe mbështesin njëri-tjetrin”, fillon kështu tregimin për jetën dhe sukseset e tij Molla.
Kompozitor, këngëtar e producent, të gjitha këto të mbërthyera në karakterin e tij, i hapën rrugë duke mundësuar që zëri e kompozimi i tij të jenë muzika e filmit ‘Mmmmm (Sound of Pain)’, që tashmë është nominuar për çmimet Oscar.
Edon Molla nga New Yorku, ka dhënë një intervistë për KultPlus ku ka rrëfyer emocionin e pas marrjes së këtij lajmi, duke potencuar se ende i duket e pabesueshme.
“Unë ende nuk e besoj që kemi arritur të jemi pjesë e nominimeve Oscar. Të jesh pjesë e një filmi të fuqishëm dhe të tregosh një histori të vërtetë rreth problemeve klimatike e bënë atë që të ndikoj më shumë. Regjisori dhe pjesa tjetër e ekipës së filmit kishin qëllim që të tregojnë një histori që duhej të tregohej dhe unë jam shumë i lumtur që kënga ime e interpretuar dhe kënduar nga unë ka gjetur një përdorim pozitiv”, pohoi Molla.
Tutje ai tregon se Jubair Muhammed, producenti i muzikës së filmit, ishte ai i cili kishte dëgjuar albumin e tij ‘For Merita’, ku dhe ishte lidhur aq fort me tekstin dhe mesazhin e këngës dhe më pas i kishin kërkuar Edonit që të krijonte kolonën zanore për filmin e tyre.
Për Mollën, pjesa më e vështirë e kompozimit të kësaj kënge që tashmë është përdorur si kolonë zanore në filmin ‘Mmmmm (Sound of Pain)’, ishte fakti që duhej të përdorte imagjinatën për të vizualizuar atë që supozohej të ndodhte në film.
“Kam kaluar rreth një javë duke shkruar këngën dhe mendoj se pjesa më e vështirë ishte fakti që nuk e kisha filmin përpara meje në mënyrë që ta shkruaja tekstin. Unë duhej të përdorja imagjinatën time, skenarin dhe imazhet nga filmi për të shkruar një këngë që tregonte historinë që regjisori dëshironte të rrëfente”, tha Edon Molla për KultPlus.
Por, rrugëtimi drejt muzikës i Edonit, nuk fillon këtu dhe nuk është nga historitë e zakonshme sepse në vitet e hershme, ishte basketbolli ai që kishte zënë primatin në jetën e tij. Siç e përshkruan dhe vetë për KultPlus, takimi me Roberta Flack, fituesen e çmimeve Grammy i ndryshoi atij jetën.
“Kam punuar si mirëmbajtës në ‘The Dakota’ në verën e vitit 2015 ndërsa isha në kolegj dhe akoma luaja basketboll në atë kohë, pata mundësinë të këndoja një këngë origjinale për Roberta Flack. Kur më dëgjoi teksa këndoja, asaj i pëlqeu zëri im dhe kërkoi që unë të interpretoja e të shkruaja këngë me të. E dija që muzika ishte profesioni im kur një legjendë si zonja Flack shfrytëzoj kohën e saj të çmuar dhe tërë atë verë e kalova duke krijuar muzikë që do ta kujtoj përgjithmonë”, rrëfeu ai.
Disa vite pas këtij takimi, në Janarin e vitit 2019, Edon Molla publikoi këngën e tij të parë solo, të titulluar ‘Tears’. Molla lansoi albumin e tij të parë ‘Alone’ në vitin 2019, kurse albumi i tij i dytë ‘For Merita’, u lansua në tetor të vitit 2020, emri i të cilit përkon me historinë e një gruaje që lufton me kancerin.
“Albumi im ‘For Merita’ ka arritur mbi tre milion dëgjime nëpër platformat digjitale, dhe unë jam përgjithmonë mirënjohës për njerëzit që lidhen me muzikën time”, vazhdon rrëfimin tutje Molla.
Krejt në fund, Edon Molla ka pohuar se ka dëshirë të bashkëpunoj me artistë dhe producent shqiptarë. Madje ai ka bërë të ditur se tashmë ka një bashkëpunim me një artist shqiptar i cili pritet të publikohet së shpejti, por këngëtari nuk ka shpalosur më shumë detaje.
“Nëse ka ndonjë artist që po e lexon këtë, mos u trembni dhe më drejtohuni drejtpërdrejt në Instagram nëse dëshironi të punoni së bashku”, përfundon kështu intervistën Molla. / KultPlus.com
“Isha i ftuar të luaja në Kremlin dhe aty ndodhej Putin, familja presidenciale dhe politikanë. Aty luajta me orkestrën e mrekullueshme. Putin tha se ishte e mrekullueshme dhe më ftuan në Moskë për disa herë të tjera”.
Elvin Hoxha është djali i muzikantit të shquar shqiptar nga Shkodra, Hajredin Hoxha, i cili është larguar nga Shqipëria në vitet ’90. Ai është gjithashtu edhe djali i një artisteje të njohur nga Ajzerbaxhani, Nermin Ganijev.
Elvini është cilësuar si “Paganini shqiptar” dhe në një konkurs ndërkombëtar që është zhvilluar në Shangai të Kinës, me më të mirët e më të mirëve, ai është renditur në 8 muzikantët më të mëdhenj të botës. Ai është vetëm 24 vjeç dhe me performancat e tij ka pushtuar skenat botërore. Madje edhe Putin e pëlqen shumë.
Elvini ishte në një lidhje “Skype” nga Gjermani me emisionin “Shqipëria Live” për të folur rreth suksesit të tij, si dhe për objektivat që ka për të ardhmen. Elvini ka treguar se që kur ka qenë 4 vjeç, gjyshja e tij dëshironte që të bëhej violinist.
Ai u shpreh se më shumë luan në Evropën perëndimore dhe në Turqi. “Por kam qenë edhe në Shqipëri për të takuar familjarët e babait, por edhe për koncerte, në Shkodër dhe në Tiranë”, shtoi violinisti. I pyetur nëse është e vërtetë se Vladimir Putin e pëlqen shumë atë, Evini tregoi se si është njohur. “Isha i ftuar të luaja në Kremlin dhe aty ndodhej Putin, familja presidenciale dhe politikanë. Aty luajta me orkestrën e mrekullueshme. Putin tha se ishte e mrekullueshme dhe më ftuan në Moskë për disa herë të tjera”, vijoi ai. I pyetur se pse jeton në Gjermani, duke qenë se është lindur dhe rritur në Turqi, Elvini tha se ka profesorin e tij në këtë shtet.
“Gjermania është një prej vende më të rëndësishme për muzikën klasike. Erdha për të studiuar me një profesor shumë të mirë të violinës. Dua që edhe emrin tim ta bëj më të njohur në Evropë”, rrëfeu violinisti. Gjithashtu Elvini tregoi se ka objektiva për të ardhmen e tij, ai dëshiron që të bëhet një solist. “Dua të jem një solist, më pëlqen orkestra, por dua të luaj në salla ta mëdha që të luaj vetëm. Dua të jem Elvin Hoxha nga Shkodra, dua të jem vetvetja, dua të krijoj emrin tim”, tha ai, i cili shtroi se për t’u bërë violinist i suksesshëm duhet të punosh të paktën 4-5 orë çdo ditë. Hoxha tregoi në fund se në prill do të vijë në Tiranë, pasi është i ftuar që të jetë pjesë e një koncerti. / KultPlus.com
Bennet Nura 17 vjeçar, është shqiptari i parë që tashmë i ka arritur emri në këtë planet.
Në vitin 2020 para se raketa AtlasV të niset për në planetin Mars, NASA ka hapur konkurs për të gjithë banorët e botës në rast të vërtetimit se aty do të mund të zhvillohet jeta.
Aty ka konkurruar Benneti në mesin e 100 mijë njerëzve, i cili tashmë është përzgjedhur të jetë ndër banorët e parë zyrtarë të këtij planeti, njëherësh shqiptari i parë, nëse në të ardhmen aty do të ketë jetë.
Benneti tha për RTK-Radio se tashmë i ka 2 pasaporta. Një të NASA-s dhe një që mban shtetësi holandeze, pasi ai jeton në Holandë.
“Ideja e këtij konkursi Ishte që të zgjidhen 100.000 banorë virtual të Marsit, nga 7.8 miliardë banorë sa i ka bota. Këta të përzgjedhur, tashmë janë edhe banorë zyrtarë të këtij planeti, ku në mesin e tyre jam edhe unë. Pra nëse planeti mars bëhet i banueshëm, ne si të përzgjedhur jemi të parët që kemi të drejtë jete atje’’, tha Nura.
Benneti studion shkencat kompjuterike, njëkohësisht ndjek edhe kurse të IT-së. Ai për RTK-në tregon edhe mënyrën e aplikimit në NASA për tu bërë banorë potencial në planetin Mars.
“Mua më lindi ideja të vendos emrin tim së bashku me të tjerët në planetin Mars, në marshimin nga vetë faqja e internetit e NASA-s, pasi po e reklamonte në faqen e parë. Aty vetëm duhej të plotësohet një pyetësor me pyetje personale dhe të dërgohet. Më pas më erdhi konfirmimi dhe pasaporta nga NASA’’, tha ai.
Me datën 18.02 2021 ne ora 9:55 raketa Atlas V ka ateruar ne Mars. Qëllimi i këtij udhëtimi ishte që të mblidhen mostra, për të parë nëse më herët aty ka pasur jetë. Sonda me gjashtë rrota, më e madhja dhe më e avancuara e NASA-s, ateroi të enjten, pas një udhëtimi shtatë mujor, prej 470 milionë kilometrash, nga Toka.
NASA i është bashkuar Agjencisë Evropiane të Hapësirës, për të sjellë shkëmbinj nga Marsi, që mund të tregojnë nëse ka ekzistuar ndonjëherë jetë në planetin Mars. / KultPlus.com
Katërnjak kanë lindur në Klinikën e Gjinekologjisë në spitalin e Augsburgut, gjë që ndodh një herë në 100 vjet mesatarisht pa terapi të fertilitetit, transmeton KultPlus.
Së pari erdhi Leoni pastaj Luis, vazhdoi Aroni dhe në fund Beni. Lindja e katërnjakëve të Michaela Seidl dhe partnerit të saj Valmir Bytyqit në spitalin e Augsburgut zgjati tre minuta. Dhe gjëja më e mirë e kësaj është se katër djemtë janë shumë të shëndetshëm, të gjithë kishin peshë 1.300 gramë dhe po merrnin frymë në mënyrë të pavarur që nga fillimi.
Por për shkak se ata duhej të vinin në jetë me prerje cezariane dy muaj më herët, ata janë në kujdesin intensiv për fëmijë të parakohshëm dhe më pas dolën.
Lindja e katërnjakëve pa terapi për fertilitet është jashtëzakonisht e rrallë. Ekspertët vlerësojnë se ka lidhje të katërnjakëve në 1.853 raste.
Për momentin Leon, Luis, Aron dhe Ben janë ende në stacionin e monitorimit të klinikës së fëmijëve. Nëna Michaela dhe babai Valmir vijnë çdo ditë për të përqafuar fëmijët e tyre, për t’i ndjerë ata. Të katërt ushqehen ende përmes një tubi gastrik, por gradualisht ata kalojnë në një formulë speciale të shishes. Prindërit e tyre ndoshta do të jenë në gjendje t’i marrin ata në shtëpi. / KultPlus.com
Doktor Dorjan Bardhi, specializant në fushën e shëndetit publik në Universitetin e l‘Aquila, Romë Itali, ka marrë sot në datën 04.01.2021 dozën e parë te vaksinës anti SARS-CoV-2 të firmës Pfizer-Biontech.
Doktor Bardhi është pjesë e formacionit të Institutit Kombëtar të Sëmundjeve Infektive (INMI) L. Spallanzani./ KultPlus.com
Intelektuali shqiptar që vepron në Paris, Nezir Kraki ka reaguar nëpërmjet një postimi në facebook për unfikimin dhe gjendjen e shqiptarëve që nga 28 Nëntori e deri sot, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet postimit ai ka shprehur mendimet e tij për gjendjen e dy shteteve shqiptare, mungesën e bashkimit të shqiptarëve rreth një vizioni të përbashkët dhe zinë që sipas tij duhet ta mbajmë, për shkak të dështimeve dhe mos vazhdimësinë e qëllimeve të individëve që dhanë kontribut në pavarësimin e Shqipërisë.
KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Nezir Krakit:
28 Nëntori 1912 është data kur shqiptarët vendosën të bënin shtet. Ishte vizion i qartë në ato kohë të turbullta.
Nga ajo datë e deri sot asnjëherë më shqiptarët s’u morrën vesh rreth një vizioni apo projekti të përbashkët.
Sot me zhgënjim na duhet të pranojmë që shtet kurrë s’bëmë sepse jemi veç shtet-prishës të ndarë e të pangopur. Të shitur e të stërshitur si kurrë më parë.
Sot i kemi 2 shtete shqiptare dhe për çudi këto janë 2 shtetet më të vonuara n’Evropë, janë dy vrima të zeza që nxihen e nxihen, pa vizione e pa qellime, të prira nga udhëheqës të paudhë.
Sot Shqipëria e turpëron çdo shqiptar sepse është kthyer në ferr e burg për secilin që dora e partisë-shtet s’e ushqen. Shqipëria sot është vendi që duhet lëshuar jo vendi që të pret.
Për Kosovën as që mund të flitet. Kjo Kosovë që nga autonomia kaloi n’pavarësi e nga pavarësia n’autonomi. Mungesë vizioni pra. Mungesë projekti të përbashkët.
Sot duhet të mbajmë zi për dështimet tona dhe të turpërohemi për dhunimin e vizionit të burrave të asaj dite n’Vlorë.
Urgjentisht na duhet ta rigjejmë njëri-tjetrin rreth një projekti të madh që as vitet as shekujt s’mund ta lëkundin. Se nuk ka vizion as shtet nga bandat shtet-prishëse as nga llavat me ujq të pangopur. / KultPlus.com
Në vitet ’20 në Shqipëri do të vinte një mision amerikan që do të angazhohej për të kapërcyer pasojat e Luftës së Parë Botërore.
Misionarët e Kryqit të Kuq Amerikan do të ofronin strehim, ushqim, vizita mjekësore e arsimim për popullatën shqiptare
Shqiptari i shumëkërkuar nga misionarët amerikanë në vitet ’20:
Ai është një xhevahir, flet 18 gjuhë dhe të gjitha në mënyrë të mençur!
Në misionin e tyre, ata do të asistoheshin nga shqiptarë të ndryshëm të cilët do të ofronin shërbimet e tyre për sigurinë fizike, transportin, përkthimin etj.
Gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, misionarët amerikanë do të dokumentonin me foto punën e tyre e do të jepnin përshtypjet e tyre për vendin.
Aftësitë gjuhësore të shqiptarëve e sjellja e tyre do t’i impresiononte misionarët e huaj e për këtë qëllim ata do të bënin vlerësime pozitive.
Në listën e personazheve që misionarët i kanë cilësuar si të jashtëzakonshëm ishin edhe dy përkthyes.
Në arkivin e Librarisë së Kongresit Amerikan gjendet fotoja e përkthyesit kryesor që quhej Kolë.
Ai konsiderohej nga misionarët amerikanë si një burrë i ndershëm e i besueshëm.
Kola kishte punuar për 30 vite në konsullatën e Francës në Shkodër ndërsa në vitin 1920 i ishte bashkuar misionit të Kryqit të Kuq si përkthyes dhe si mesazher konfidencial.
“Të gjithë punonjësit e misionit amerikanë shprehen se ai është një “xhevahir” dhe ky është një kompliment i madh për një burrë që i vjen doresh” shkruhet në diçiturën që shoqëron foton.
Reputacioni i tij do të dilte edhe jashtë vendit, ku gazeta amerikane do të shkruanin për aftësitë e shqiptarit që fliste 18 gjuhë të ndryshme “në mënyrë të mençur”.
Artikulli i gazetës amerikane do të evidentonte faktin se Kola, me aftësitë e tij komunikative, arrinte të ishte ndërmjetës mes fiseve shqiptare të përfshira në konflikte të ndryshme të armatosura.
“Kola, përkthyesi kryesor i përfaqësuesve të misionit të Kryqit të Kuq Amerikan në Shqipëri ka te vendasit reputacionin e “gjuhës më të mençur” në Shqipëri.
Ai thuhet se flet 18 gjuhë dhe të gjitha në mënyrë të mençur.
Kjo është diçka të pazakontë në Shqipëri.
Kjo nënkupton se ai është i aftë të flasë me secilin prej fiseve të shumta të vendit, pa thënë ndonjë fjalë që mund të lerë mundësinë e keqkuptimin sikur po mban anë në përplasjet që kanë palët mes tyre.
Ai ka qenë një faktor i rëndësishëm për të mbajtur jashtë sherreve e grindjeve, misionin amerikan që shpërndan ndihma.
Kola është një nga ata pak banorë të Tiranës që nuk mban me vete armë zjarri” shkruhet në artikullin e gazetës së Minnesotas së datës 3 maj 1920.
Një personazh tjetër i jashtëzakonshëm për aftësitë komunikative që evidentohet në arkivën e misionit amerikan është edhe një djalë i vogël që fliste 5 gjuhë të ndryshme.
Në diçiturën që shoqëron foton, djali nga Tirana cilësohet si një “talent i ri dhe premtues” në fushën e gjuhësisë.
“Ky djalë shqiptar flet 5 gjuhë të ndryshme.
Ai është punësuar nga misionarët amerikanë si përkthyes dhe mesazher.
Ky djalë nuk ka shkuar kurrë në shkollë por i është dhënë mësim nga babai i tij, prefekti i Tiranës, i cili është diplomuar në Kolegjin Amerikan të Kostandinopojës”, është diçitura që shoqëron foton e djaloshit. / KultPlus.com
Një nga pionierët e Cirkut shqiptar, Kosta Papanikolla është ndarë sot nga jeta. Ai i takon brezit të themeluesve të Cirkut në Shqipëri.
Bashkë me të madhin Telat Agolli ata hodhën themelet e këtij arti duke bërë për vete publikun shqiptar përmes shfaqjeve të shumta me nivel të lartë artistik edhe ndërkombëtar.
Papanikolla është shquar për nivel të lartë interpretimi të numrave akrobatikë, në zhanre të ndryshme të cirkut. Në vitin 1959 me në krye të madhin Telat Agolli u realizua një shfaqje të plotë cirku të titulluar “Shkopi Magjik” duke e kthyer këtë moment edhe me krijimin zyrtarisht të Cirkut Shqiptar, një pjesë e rëndësishme dhe me vlerë e kulturës dhe artit tonë kombëtar.
Kosta Papanikolla lindi në Elbasan më 11.05.1932. Ai u aktivizua dhe debutoi në disa profile të cirkut duke realizuar numra xhonglerimi, numra ekuilibri me trungje, me bambu dhe shkallë, numra në ajër, numra si prestigjator etj. Ka kryer specializimi njëvjeçar në Kinë në vitet 1975-1976. Ka kryer arsimin e lartë profesional në Institutin e Kulturës fizike “Vojo Kushi”.
Me përvojën e tij ai dha një kontribut të madh si mësues në Studion e parë të fëmijëve të ngritur në Cirk në vitet 1976-1980 duke përgatitur një brez të rinj të talentuar në këtë lloj arti. Madje në shfaqjen e parë “Shpërthime rinore” ai ishte udhëheqës artistik. Është dekoruar me urdhërin “Nam Frashëri” i Klasit të parë dhe të dytë. Deri kur doli në pension (1983) ai ishte pjesëmarrës në të gjitha premierat e realizuara nga stafi.
Pas vitit 1990 ai u vendos me familjen në qytetin e Udinës në Itali.
Artisti Papanikolla do të kujtohet nga artdashësit e Cirkut të Shqipërisë dhe nga të gjithë kolegët që patën fatin të punonin me të si një njeri i i dobishëm në shoqëri dhe mjaft i gjindshëm për çdo situatë, ai ishte mjaft i butë si tip dhe plot humor, buzëgaz dhe plot fisnikëri.
Cirku Kombëtar i shpreh ngushëllime familjes. /KultPlus.com
Hoxhë Hasan Tahsini u lind në fshatin e Ninatit, pranë Konispolit. Studimet e para i ndoqi në Stamboll.
Kur ishte ende i ri u caktua si mësues pranë shkollës osmane në Paris, ku gjatë kësaj kohe ndoqi edhe studimet për matematikë dhe shkenca natyrore pranë Universitetit të Parisit.
Më 1870 u emërua rektori i parë i të porsathemeluarit Universitet të Stambollit ku dha leksione fizike, astronomie dhe psikologjie. Tahsini shkruajti të parin traktat psikologjie në osmanisht të titulluar Psikologjia ose Shkenca e Shpirtit, një vepër e frymëzuar nga modernizmi. Shkruajti gjithashtu të parin libër për astronominë moderne, duke qenë edhe libri i parë i shkencës popullore në osmanisht.
Përveç themelimit dhe emërimit në krye të Universitetit të Stambollit, themeloi edhe “Xhemijet-i Ilmijje-i Arnavudijjê” (Shoqëria e Dijetarëve Shqiptarë apo Kuvendi Shkencor Shqiptar). Së bashku me Sami Frashërin, ai hartoi edhe një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe. Tahsini punoi për alfabetin shqip duke shpikur edhe një alfabet të vetin, si dhe punoi në Komitetin qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare. / KultPlus.com
Djaloshi 11-vjeçar Thomas Ormond, me origjinë shqiptare, ka organizuar shfaqje muzikore nga ballkoni i shtëpisë së tij në Highgate të Britanisë së Madhe, në shenjë falenderimi për të gjithë mjekët që po luftojnë në vijën e parë të luftës ndaj COVID-19.
Gazeta britanike “Ham and High” ka shkruar se 11-vjeçari shqiptar përmes shfaqjeve të tij me violinë, ka arritur të grumbullojë 1000 paund, fonde të cilat do t’u dhurohen mjekëve.
Ai shprehet se ndihet shumë i lumtur ndërsa thekson se do të vazhdojë nismën e tij që të mbledhë para për të gjithë personelin mjekësor gjatë periudhës së izolimit.
Për një gjest kaq human nëna e 11-vjeçarit shqiptar shprehet se ndihet krenare që djali i saj po shfrytëzon kohën dhe talentin e tij për t’u ardhur në ndihmë njerëzve gjatë kësaj krize të pandemisë Covid-19.
“Ndihem shumë krenare që ai po përdor kohën dhe aftësitë e tij për të bërë diçka në të mirë të njerëzimin”, është shprehur Kim.
Ndërsa për Thomasin mbledhja e fondeve në mënyrën e vetme që ai ka mundësi është e bukur, sepse do të ndihmojnë vërtet shumë njerëzit dhe mjekët që të jenë të sigurt në këto ditë të vështira, prandaj ai ndihet i lumtur për këtë fakt.
“Mendova se do të ishte një gjë e bukur të mbledhësh para për NHS. Ndihem shumë i lumtur dhe krenar që po e bëj këtë për NHS”, ka thënë ai. / KultPlus.com
Pandemia e Covid-19 ka ndikuar në ekonominë globale, në jetën e miliona njerëzve dhe në sport. Nëse futbolli është ai që ka ngritur më tepër zërin për problemet e shkaktuara nga kriza ekonomike, edhe në botën e motorëve po ndihet shumë kjo krizë. Në garat me makina garon i vetmi shqiptar në kategoritë Formula, pikërisht në Formula 3.
Lirim Zendeli i lindur në Bochum të Gjermanisë nga prindër shqiptarë ëndërron të jetë shqiptari i parë që bën hapin e madh për të garuar në Formula 1
“Kam nënshkruar një kontratë me një ekip të mirë këtë vit, besoj se kam mundësinë që të fitoj gara. Objektivi im është që të fitoj kampionatin e Formula 3 dhe shpresoj që pas 2-3 vitesh të bëhem i pari shqiptar në Formula 1”, tha Zendeli në intervistën për A2.
Kur u pyet nëse do të mund të shikohet ndonjëherë flamuri shqiptar në një podium të Formula 1, Zendeli u shpreh: “Shpresoj që kur të mbërrij në Formula 1 të mund të bëj shqiponjën në podium”. / KultPlus.com
Piktori shqiptar Kristo Dëfrim Hasa, ka vendosur që dy piktura të tij t’ia dhurojë spitalit të qytetit Amaliada të Greqisë, ku jeton prej 30 vitesh.
Hasa e ka cilësuar këtë si një gjest simbolik sipas tij, për të dhënë një kontribut në këto ditë të vështira sidomos për sistemin shëndetësor.
Piktori është shprehur se i ka ngelur në mendje një shprehje e presidentit amerikan John F. Kennedy e cila thotë, “mos shiko çfarë bën atdheu për ty, por çfarë bën ti për atdheun” dhe sipas mundësive të tij modeste ka dhuruar dy punimet që do të vendosen në pavijonin e ri.
Më përpara Hasa ka dhuruar punime të tij në spitalin e Gramshit, qytet ku kishte planifikuar të hapte dhe një ekspozitë me punimet e tij, së shpejti.
Gjatë ceremonisë së mbajtur me këtë rast drejtoresha e spitali të Amaladias, Irini Aggelaku e ka falenderuar piktorin shqiptar për dhuratën e tij.
Gjesti i piktorit shqiptar është pasqyruar edhe në mediet lokale greke./ atsh/ KultPlus.com
Zëvendëskryeministri nga radhët e shqiptarëve Bujar Osmani, është paraqitur vullnetarisht për ta kryer rolin e mjekut, për të i’u dal në ndihmë qytetarëve në përballje me koronavirusin.
“Sot u paraqita si vullnetar për të kryer detyrën e mjekut ku do që Ministria do të vlerëson se ka nevojë për personel shtesë mjeksor në cilin do skaj të vendit. Tani është koha kur veshen uniformat “.
Prindërit e tij kanë lindur në Maqedoni, në një fshat të vogël të quajtur Kërçovë. Më pas janë transferuar në ShBA bashkë me prindërit. Atje shkuan në shkollë dhe u martuan në Ilinois. Më pas ka lindur djali i tyre, Adem Dalipi i cili sot është 17 vjeç e që po mahnitë me talentin e tij në muzikë, shkruan KultPlus.
I
lindur dhe rritur në Amerikë, Ademi ka treguar për KultPlus se jo çdo gjë ishte
e lehtë për familjen e tyre në këtë vend të madh.
“Unë
kam lindur në Amerikë më 2003 (tani jam 17-vjeç) dhe jam rritur aty. Prindërit
më merrnin bashkë me vëllain dhe ktheheshim verës në shtëpi për ta vizituar familjen
dhe për të mësuar më shumë rreth fshatit dhe kulturës sonë. Në Amerikë pata
shumë keqkuptime për shkak të emrit, por sidoqoftë sfondi im kulturor ishte i
ndryshëm sepse ne angazhoheshim në komunitetin shqiptar që na rrethonte.”
Por,
talenti i tij për muzikë ra në sytë e profesorit qysh në klasë të tretë, kështu
ai paralajmëroi nënë e tij që djali
kishte “vesh për muzikë”. Kjo i ndihmi Ademit për të nisur rrugëtimin e tij,
fillimisht duke mësuar kitarë e më pas nis të këndojë dhe të mësojë instrumente
të tjera.
“Kam shkruar muzikën time qysh kur isha 11-vjeç. Prindërit e mi nuk qenë marrë me muzikë, prandaj ishte pak e vështirë për mua. Ata filluan të shohin seriozitetin tim dhe kështu nisën të më mbështesin. Së bashku gjetëm mundësi për të krijuar lidhje me njerëzit në industri.”, ka treguar Ademi i cili aktualisht ka filluar të prodhoj dhe regjistroj muzikë në studio, ku i ka dy këngë që i ka shkruar vet. Ndërsa, këtë verë, do ta lansoj një EP që ka pasur mundësi ta incizoj profesionalisht në Los Anxhelos, Kaliforni.
Një
ndër mundësitë më të mira që i ka ardhur në duar, si një djalë i ri në këtë
fushë, është edhe ftesa për audicion në “American Idol”. Ishte vera e vitit
2018, kur sapo kishte mbaruar disa incizime në Toronto të Kanadasë dhe një
producent nga “American Idol” e ftoi në audicion. Atë kohë ishte vetëm 15-vjeç,
dhe kishte fatin të merrte tiketën e artë nga një juri e përbërë nga këngëtarët
e famshëm si: Lionel Richie, Katy Perry dhe Luke Bryan.
“Pas
kësaj unë kam shkuar edhe në “Javën e Hollivudit”. Kjo shfaqje më dha besim të
madh që unë do të jem artist serioz në të ardhmen, dhe kjo do të më ndihmojë për
lidhje të reja me industritë muzikore”.
Amerika ka një treg të gjerë të muzikës, artistë nga e gjithë bota vërshojnë drejt këtij vendi për të realizuar ëndrrat e tyre, por Ademi beson fuqishëm se do të sigurojë vendin e vet dhe audienca do ta mbështesë.
“Kam
një sfond unik në muzikë, me ndikim të madh nga bluzi. Duke qenë se vet i
shkruaj këngët e mia, besoj se audienca do të më mbështesë në rrugëtimin tim.”
Ndërsa, ka vetëm 3 javë që ka publikuar këngën e re të cilën e ka prodhuar vetë. Kënga titullohet “Wanting for you” dhe është shoqëruar edhe me një videoklip mjaft të këndshëm. Kënga është pritur shumë mirë dhe Ademi pohon që ka marrë mjaft kritika pozitive.
Duke
qenë në fillet e karrierës, padyshim që ai ka shumë ëndrra që pritet t’i
realizojë. Një ndër to është edhe bashkëpunimi me John Mayer.
“Një
nga inspirimet e mia më të mëdha, do të ishte gjë e mrekullueshme të bashkëpunoja
me të. Një tjetër artist që më vjen tani në mendje është Mac Ayres.”
Ndërsa,
i pyetur për sukseset e vajzave shqiptare si: Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha e Ava Max të cilat tashmë
kanë prekur majat e muzikës botërore, Ademi thotë se ky është qëllimi dhe ëndrra
e tij.
“ I respektoj të
gjithë shqiptarët që kanë arritur, pasi është e vështirë të kesh sukses në këtë
industri. Bebe Rexha dallohet sepse ka pasur shumë vështirësi me të cilat është
përballur derisa ka arritur aty ku është.”
Muzikë
shqip pohon që dëgjon pak, megjithatë ka dy artistë aktual që i dëgjon, ai është
Ledri Vula dhe Gashi.
“Dëgjoj
gjithashtu grupin “Elita 5”, babai im e shijon muzikën e tyre”, pohon Dalipi i
cili shprehet i gatshëm për bashkëpunime me artistët shqiptarë.
Përderisa
në Maqedoni ai shkon shpesh për vizitë bashkë me familje, Kosovën ende nuk ka
pasur rast ta vizitojë. Por ai ka plan që këtë verë të vizitojë natyrën dhe
bukuritë shqiptare dhe gjithashtu shpreh dëshirën që të perfomojë në Kosovë apo
Shqipëri.
Rrugën
e nisur e sheh të gjatë dhe të suksesshme, por për këtë ai është duke punuar
shumë. Dalipi po planifikon që ta lëshoj EP-në shumë shpejt, por për shkak të
Covid-19 gjithçka ka mbetur pezull.
Krejt për fund, artisti i ri ka një mesazh për të rinjtë shqiptarë: Gjeni diçka që me të vërtetë doni ta bëni dhe bëni gjithë përpjekjet tuaja që ta arrini atë. Punoni shumë dhe tregohuni të durueshëm! / KultPlus.com
Kandidati i Partisë Socialdemokrate (SPD) me origjinë nga Pozharani i Vitisë në Kosovë, bëhet deputeti i parë me origjinë shqiptare në Parlamentin e Hamburgut. 35-vjeçari është një afaristë i njohur në Hamburg.
Sami Musa ka kandiduar në listën e
Partisë Socialdemokrate, e cila në zgjedhjet e ditës së dielë (23 shkurt) ka
fituar më shumë se 39% të votave dhe ka zënë vendin e parë në këtë qytet/land.
Në këtë mënyrë, SPD do të mbetet në pushtet, ndonëse ka shënuar një rënie te
votave prej më shumë se 6%. Por partneri i deritanishëm i SPD në koalicion,
ekologjistët, kanë dyfishuar numrin e votave (me mbi 24%) dhe në këtë mënyrë,
sipas të gjitha gjasave, jo vetëm që do të vazhdojnë qeverisjen e përbashkët,
por do të forcojnë pushtetin. Pjesë e pushtetit do të jetë pra edhe deputeti i
ri me origjinë nga Kosova, Sami Musa. Babai i tij Xhelil Musa është me origjinë
nga Pozharani i Vitisë, ndërsa nëna me origjinë nga Austria.
Lajmin për fitoren e Sami Musës e ka konfirmuar
qysh ditën e djeshme për Deutsche Wellen babai i tij Xhelil Musa, një afarist i
kahershëm në Hamburg. Më vonë të gjithë zgjedhësit ka falënderuar edhe vet Sami
Musa, i cili premton realizimin e objektivave të premtuara gjatë fushatës elektorale.
“Po i kam fituar 3661 vota dhe besoj se jam brenda në parlamentin e
Hamburgut”, konfirmon Sami Musa. Deputeti i ri i Hamburgut ka falënderuar
të gjithë ndihmësit dhe zgjedhësit, me fjalët se “votuesit janë angazhuar
për demokraci”, ndërsa ai premton se do të angazhohet me të gjitha mjetet
për realizimin e premtimeve dhe vlerave demokratike. “Unë nuk dua të pres
që vetëm të tjerët të punojnë për mua dhe për ne, por dua të jap kontributin
tim që gjërat t’i ndryshojë së bashku”, thotë për DW, Sami Musa.
Lajmin se Sami Musa do të jetë pjesë e parlamentit të Hamburgut e kanë botuar publikuar ndërkohë jo vetëm familja e tij, por edhe mediat gjermane. / KultPlus.com
Gjatë dhjetorit një garë e veçantë është zhvilluar në oqeanin Atlantik, ku njëri prej pjesëmarrësve ishte dhe shoku im shqiptar Lirim Gula.
Fjorda Llukmani
Së bashku me shokët e tij, ai u bë shqiptari i parë që kalon oqeanin duke lundruar me varkë. “Dorabros” përbëhet nga 4 djem të cilët janë stërvitur prej vitesh për të përballuar këtë sfidë të madhe. Kalimi i Oqeanit Atlantik me varkë ishte pika kulminante e garave ku ata morën pjesë.
Arsyeja përse u mor kjo sfidë e rrezikshme është akoma më prekëse. Para disa vitesh Lirimi ka humbur një mikun e tij që ishte i sëmurë me kancer. Kjo ngjarje i ndryshoi jetën dhe e bëri të mendojë se duhet të ndihmojë ata që kanë më shumë nevojë. Të gjitha të ardhurat që janë mbledhur nëpërmjet sponsorëve, kanë shkuar për spitalet që kurojnë adoleshentët dhe fëmijët e sëmurë me kancer.
Lirimin e takova vjet në shkurt në Prishtinë ku dhe u njoha me historinë. Më tregonte se në dhjetor do të fillojë gara në Atlantik, sepse atëherë ujërat janë më të ngrohta. Asokohe më dukej pothuajse e pabesueshme, por ja që ata ia dolën.
36 ditë, 10 orë e 31 minuta u deshën për të lundruar në oqean. Lirimi, Rufus, Charlie dhe James janë nisur nga ishulli La Gomera në Spanjë e deri në Antigua. Për ta bërë sa më të lehtë nisjen nuk kanë pranuar që t’i përcjellin familjarët, por vetëm një grup i vogël miqsh e trajnerësh.
Varka mund të ndiqej live në internet dhe unë pashë momentin e nisjes në Facebook. Më kapi frika, megjithëse kisha besim të plotë që do t’ia arrinin. Ama 1 muaj në oqean si thonë pak.
Në bisedën që pata me Lirimin ai thotë se ditët e para patën stuhi e dallgë. Dorabros së bashku me 34 skuadra të tjera u nisën më 12 dhjetor. Valët e detit prej 30 metrash e lëkundin varkën goxha shpejt dhe kështu djemtë i zuri deti. Disa ditë kaluan me të vjella, por i jepnin forcë vetes me idenë që sëmundja e detit kalon për 3 ditë.
Lirimi në veçanti ka patur plagë të hapura e të infektuara në këmbë që janë shkaktuar nga shiritat që mbanin për t’i dhënë velave.
“As nuk haja e as nuk pija dot. Nuk isha në gjendje të lundroja. Shokët e skuadrës u përqendruan në rregullimin e varkës pasi patëm disa dëmtime prej dallgëve. Pas 10 ditësh, piva disa antibiotikë, mjekova plagët e mia, fjeta 14 orë gjumë dhe hëngra vaktin tim të parë. Fillova të përmirësohesha dhe s’doja të lija shokët në baltë.”- thotë ai.
Shokët e skuadrës e kanë ndihmuar shumë duke bërë punën e tij gjatë kësaj periudhe. Ndërroheshin me njëri-tjetrin vetëm që Lirimi të pushonte e të merrte veten në vazhdim. Tamam punë e shkëlqyer në grup!
Trupat e tyre u përshtatën me lodhjen, nxehtësinë e dhimbjen dhe kështu ndjeheshin më të fortë. Lundronin 3 orë, bënin 1 orë pushim, e pastaj vazhdonin përsëri. Arritën të lundronin 10 milje në ditë duke u radhitur në vendin e 6-të. Kishte dhe momente gëzimi pavarësisht kushteve rraskapitëse, si p.sh tufa të mëdha delfinësh duke bërë shfaqje akrobatike, balena duke notuar qetësisht, 20 yje të rëna nga qielli përfshirë dhe një kometë. Gjatë natës kushtet bëheshin më të vështira pasi nuk shikonin prej errësirës. Djemtë dëgjonin librin e Harry Potter me kufje ose muzikë për të mbajtur trurin zgjuar.
Ndërkohë që ne ktheheshim në punë pas festimeve të Vitit të Ri, skuadra Dorabros përballej me një aksident tjetër në oqean. Një skaj i varkës ishte ngritur mbi një valë 10 metra dhe i kishte hedhur djemtë përmbys me një dhunë të jashtëzakonshme. Charlie dëmton rëndë gjurin e iu desh të thërrisnin ekipet e mjekëve për t’i ndihmuar.
Zhurmat e dallgëve ishin aq të forta sa i krahasuan me ato të bombës, prandaj ishin të detyruar të mbanin kufje në vesh. Të lënduar, të tronditur e të frikësuar nga ky incident, ekipi vazhdoi para duke bërë të pamundurën për të shmangur një peripeci tjetër. Adrenalina e tyre luajti favor të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes, e për pak ditë ekuipazhi qeshte e bënin shaka përsëri.
Arritja më e madhe e tyre ishte që grupi Dorabros do të vazhdojë të jenë miq edhe pas kësaj sfide. “Ndodh shpeshherë që skuadrat e tjera të ndahen me njëri-tjetrin pasi krijojnë mosmarrëveshje gjatë rrugëtimit në oqean. Kurse ne ia dolëm shumë mirë, duke e forcuar miqësinë tonë më tepër. Sigurisht që kishte momente të tensionuara, por nuk u grindëm asnjëherë pasi ishim për një qëllim të përbashkët, të mblidhnim një shumë të madhe parash për Trust Teenage Cancer. Varka u drejtua pa lider, por si në demokraci. Nëse duhej të merrej një vendim votonim të gjithë për më të mirën tonë.”-thotë Lirimi.
Tek afroheshin në Antigua, ditët e fundit të sfidës djemtë kishin humbur rreth 12 kilogramë dhe përtypnin vitamina C shumicën e kohës. Në breg i prisnin miqtë e familjarët dhe qëndruan disa ditë të tjera për të pushuar në Antigua. Në Facebook shikoja momentet e pritjes nga të afërmit, kur çunat arrijnë finishin.
S’besoj se ka patur kënaqësi më të madhe për ta. Imagjino çfarë mbështetjeje kishin nga familja për një sfidë të tillë jetë a vdekje. Shumica e prindërve tanë s’do të na kishin lënë nga frika. Por shpirti aventurier i Dorabros i kaloi të gjitha parashikimet.
Në varkën e tyre ka një stampë të ngjitur me flamurin shqiptar, ndërkohë që nuk mungon dhe flamuri i Kosovës e Anglisë.
Për njerëz patriotë e me zemër të madhe kemi nevojë. Kur ka marrë pjesë në maratonën e shkretëtirës së Saharasë dhe në rrugëtimin me biçikletë nëpër Evropë, Lirimi se ka ndarë kurrë flamurin e Shqipërisë me atë të Kosovës.
Ndonëse të dyja shtetet s’kanë dhuruar apo promovuar suksesin e tij, ai prapë bëri të vetën duke mos harruar nga vjen. Shumë kollaj mund të përfaqësonte vetëm Anglinë, duke qenë shteti që ia dha këtë mundësi dhe e bëri ai që është. Por njerëzit e mëdhenj në shpirt e mendje, se mohojnë kurrë të shkuarën.
Familja Gula ka bërë një punë të shkëlqyer duke i rritur fëmijët më dashurinë ndaj atdheut. Lirimi jo vetëm që na bëri krenar që finalizoi një sfidë të veçantë, por dhe na nderoi duke qenë i pari.
Kështu Lirimi u bë shqiptari i parë dhe i vetmi në Ballkan që ka lundruar në oqeanin Atlantik. Dhe s’ka më mirë se të jesh i pari, sepse do të thotë që do të mbahesh mend gjithmonë./dritare.net / KultPlus.com
Faik Konica mbetet një intelektual i papërsëritshëm edhe në ditët e sotme. Një njeri mendjendritur jo vetëm si politikan por edhe si publicist e shkrimtar që pasuroj mendimin letrar shqiptar.
Ne kemi sjell vetëm disa prej shprehjeve më të bukura të Faik Konicës:
Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej: “Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët.”
“Sa lehtë përdorë njeriu fjalë të mëdha për të fshehur nën ‘to intriga e për të shfrytëzuar zemërime të veçanta.”
“Njerëzit e paditur, në shumicë, rrojnë më tepër se të diturit, se këtyre u punon nat’ e ditë mëndja e ashtu u prishet më shpejt organizmi.”
Instinkti kombëtar është konkluzioni që një popull nxjerr nga shumë shekuj përvojë. Ky instinkt nuk të gabon asnjëherë.
Rinia është e çiltër dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve.
Nuk mund të lexohet nëpër rreshta ajo çka nuk ekziston.
Pa dyshim, çdo parti ka të drejtën, madje dhe detyrën të shtojë radhët e veta në dëm të atyre që i kundërvihen.
Dallimi në kulturë shpjegon dallimin në mendime.
Rinia është në sytë e injorantëve kërcënim për të ardhmen; por është edhe është rrezik për të tashmen, sepse rinia është e çiltër, ndërkohë që dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve.
Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete misionin modest “të ndriçojnë opinionin publik” as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirëinformuar. Në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle.
Nuk ka despotizëm më të keq se sa njëfarë idealizmi dogmatik, që përbuz si përvojën, si faktet dhe gjithçka tjetër që prish simetrinë e thjeshtë të koncepteve a priori.
Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin.
Fisnikëria dhe thjeshtësia mund të jenë cilësi kudo gjetkë, kurse në poezi janë antipasta të dëmshme.
Çka i kërkohet poetit, poetit të vërtetë, është të shkaktojë një dridhmë të re, të flasë një gjuhë që të tjerë nuk e kanë folur, të ngacmojë ndijime që të tjerë nuk i kanë.
Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme.
Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij.
Një shkrimtar duhet gjykuar më shumë nga cilësia se sa nga sasia.
Aq lehtë kujtoni se ëndrrat e kafeneve bëhen punë? Në jini aq besnikë te forca juaj, ngrihuni pra, se shqiptarët ju presin!
Shqiptarët janë një komb që i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga të sjellurit e nga trimëria. Mua më duket se një njeri që i ka trutë në vend nuk duhet të flasë në atë mënyrë. Po të ishte ashtu shqiptarët do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen.
Cilësitë që zakonisht shoqërojnë pafajësinë janë natyrshmëria, shpërfillja dhe butësia.
Ashtu kuptova se në të vërtet kisha arritur në Shqipëri, një vend i bekuar me një mijë bukurira, po i shkelur nga një turmë, e cila ushqen një urrejtje kundër bukurisë.
Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqenjtë. Me fjalë të tjera, trimëria e shqiptarit, sado e madhe në vete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, e shumë herë pa ditur as vetë për se, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten.
Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (gjer në fund të botës); edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë.
Kush jeton me fjalë dhe përkundet me ninulla fjalësh, s’ka pse ankohet e të na lëshojë britmat e veta të zakonta prej palloi.
Historia na mëson se gjithë ndryshimet politike kanë pasur përherë këta dy faktorë: emigrantët dhe një elitë të vogël, e lindur apo intelektuale, brenda vendit.
Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin.
Drejtësia i takon fushës së ëndrrave; vetëm forca mbisundon.
Koha kur rrojmë është koha e reklamës, dhe nuk duhet të çuditemi kur shohim mediokritetet e vëndit
t’onë të hidhen përpara, dhe përpara, dhe përpara, duke mos bërë vënt përveç për shokë në shkallë (të caktuar) mëndore të tyre.
Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete misionin modest “të ndriçojnë opinionin publik” as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirinformuar. Venë e vënë në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle.
Nuk mundena me pushue së foluni kundra loinive (politikave) qi duen me e tretë e me e përpi kët komb të dashtun.
Populli shqiptar ka disa veti shumë të mira… por një bandë maskarenjsh dhe dalaverexhinjsh kanë zënë të gjitha pozitat kyçe në politikën e vendit dhe është fare e pamundur t’i shkulësh. / KultPlus.com
Shkolla gjermane në Berlin ka tri vite që bartë emrin e shqiptarit Refik Veseli. Ky emërtim erdhi si rezultat i gjestit human të shqiptarit Refik Veseli i cili kishte shpëtuar së bashku me familjen e tij dy familje hebreje (Familjen Mandil dhe Familjen Jozef) gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, shkruan KultPlus.
Me moton “Shqipëria në Berlin”, aktivistja e njohur shqiptare nga Berlini, Vjollca Hajdari, ka ndërmarrë një iniciativë për përkujtimin e kësaj shkolle, tri vjet pas marrjes së këtij emri. Përmes një statusi në Facebook ajo ka treguar më shumë rreth kësaj historie e cila e bënë krenarë atë dhe secilin shqiptarë.
“Kur shkolla gjermane në Berlin bëri para tre vjetësh hapin historik dhe vendosi emrin e shqiptarit Refik Veseli, përpos që përçoi mesazhin e paqes nga Berlini dhe Gjermania, ajo nderoi me këtë akt gjithë popullin shqiptar. Refik Veseli tanimë i njohur si hero, kishte shpëtuar – së bashku me familjen e tij – dy familje hebreje (Familjen Mandil dhe Familjen Jozef) gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. 17 vjeçari i atëhershëm është nderuar nga Izraeli si shqiptari i parë me titullin “Të Drejtët ndër Popuj” bashkë me familjen e tij. Ky titull u është ndarë 69 shqiptarëve nga 23.788 “Të Drejtëve” në mbarë botën. Për të rikujtuar veprën e tij monumentale, unë i jam drejtuar shkollës “Refik Veseli” që të festojmë këtë vit bashkërisht. Me këtë rast do të shpalosim edhe njëherë faqet e historisë, duke reflektuar rreth anës së errët të luftës por edhe mbi pjesën e ndritshme që solli një miqësi e paharruar. Populli shqiptar ka dëshmuar historikisht shpirtin bujar dhe mikpritës, ndaj BESA si kod i nderit , mbetet si një ndër atributet më të ndritshme, pa dallim besimi fetar. Ju ftoj pra miq të dashur që të ndjekim së bashku video mesazhet që më kanë dërguar anëtarët e familjes Veseli dhe pjesëtarët e familjes Mandil, ku ata shprehin falënderimet dhe mbresat e tyre. Me pamundësinë për t’i sjellë të gjithë në Berlin, unë i kam kontaktuar të dy familjet që jetojnë në Shqipëri, Amerikë dhe Izrael dhe ju jam mirënjohëse të gjithëve që shprehën gatishmërinë e menjëhershme për të bashkëpunuar”, ka shkruar Vjollca Hajdari në Facebook aty ku edhe ju bënë ftesë për pjesëmarrje në këtë ngjarje.
Në programin kulturor-artistik të organizuar për këtë përkujtim, do të marrë pjesë grupi i valltareve shqiptare të shoqatës “Albunivers”, grupi i teatrit të shkollës “Refik Veseli” dhe nxënësit e arsimtarët e shkollës me ca pika muzikore. Një fjalë rasti do ta mbajë edhe drejtoresha e shkollës, Dr. Ulrike Becker.
Ngjarja do të mbahet sot nga ora 18:00 në Bashkinë e Berlinit (Berliner Rathaus) Salla 338 (Kati i 3-të). / KultPlus.com
Në foto: Refik Veseli dhe Gavra Mandil, biri i familjes së shpëtuar hebreje, Mandil