“Voice of Freedom”, shqiptarët e Norvegjisë mbështesin Ukrainën

Koncerti “Voice of Freedom” ishte një dëshmi e vërtetë sesi muzika mund të bashkojë njerëzit edhe për kauza shumë të vështira.

Një sipërmarrje vullnetare e kompozitorit shqiptar Elvis Duro dhe sopranos shqiptare Hata Koca, anëtarë të organizatës “Kristiansand Multi Ethnic Voice” organizuar në kuadër të javës së Demokracisë në qytetin norvegjez Kristiansand.

Gjatë kësaj mbrëmje të magjishme publiku pati mundësinë të njihej me veprat më të njohura muzikore të krijuara në Shqipërinë e viteve 1945-1990.

“Qëllimi i këtij koncerti ishte të promovonim vlerat artistike, kulturore dhe historike të Shqipërisë dhe për të treguar forcën që ka arti për të shprehur zërin e brendshëm të një populli të ndrydhur. Se dyti, për të ndërtuar paralele dhe sensibilizuar njëkohësisht me aktualitetin e popujve të tjerë në botë të cilëve u mungon liria e shprehjes prej politikave autokrate apo diktatoriale si në rastin e Shqipërisë gjatë kohës së diktaturës.

https://youtube.com/watch?v=U2_nQYqJaC8%3Ffeature%3Doembed

Koncerti shërbeu edhe si një formë mireseardhjeje për delegacionin shqiptar të përbërë prej përfaqësuesve të 8 bashkive në Shqipëri ku 4 prej tyre ishin kryetarët e Bashkisë së Elbasanit, Lushnjes, Beratit dhe Tropojës si dhe kryetarë të organizatave jo qeveritare, MOTIV dhe Kongresi Rinor Kombëtar” shpjegon për “Diaspora Shqiptare” organizatori Elvis Duro.

Në koncert u performuan disa nga romancat dhe ariet më të bukura të repertorit të muzikës klasike shqiptare. Performues të tjerë në këtë koncert ishin mësuesit e klarinetës Fatjon Dakaj dhe Flavio Sefa si dhe studentja Megi Gjura.

“Vlen për tu përmendur pjesëmarrja e fëmijëve norvegjez në koncert të cilët interpretuan, në një kuartet klarinetash, pjesën shqiptare “Dielli ka prenue” të shkëputur nga opera “Mrika” e Prenk Jakovës.

– Donacione për Ukrainën

Në koncert u interpretua edhe një pjese e shkëputur nga repertori i operës ukrainase, si homazh ndaj popullit të Ukrainës të cilët po përjetojnë tmerret e një lufte dhe politike të padrejtë.

https://youtube.com/watch?v=jHHeTLJbLZQ%3Ffeature%3Doembed

“Përgjatë koncertit u kërkuan që të dhuroheshin fonde përmes afishimit të një numri llogarie të shoqatës së Ukrainës, fonde të cilat do të shkojnë për ndihma mjekësore në Ukrainën” shpjegon Duro.

Organizata

“Kristiansand Multi Ethnic Voice Organisation” është një organizatë e themeluar në vitin 2018 nga Elvis Duro. Misioni i saj është promovimi kulturor i komuniteteve te ndryshme që bashkëjetojnë në qytetin e Kristiansandit.

Organizata është mjaft aktive dhe ka organizuar disa evente për promovimin e kulturës shqiptare gjatë këtyre viteve. /diasporashiqptare/ KultPlus.com