Shqiptarët që krijuan klubin ‘Përparimi’ në Amerikë në vitin 1909 (FOTO)

Anëtarët e klubit të Dardharëve “Përparimi” në Amerikë në vitin 1909.

Ishte djali nga Dardha, Sotir Peci, i cili nxori në dritë 110 numra të gazetës “Kombi”, nga viti 1906-1909.

Gazeta “Kombi”, themeluar në 1906 në Amerikë, ndryshoi emrin në “Dielli” në vitin 1909.

Dhjetëra patriotë do të vinin në punë potencialet e tyre intelektuale, por edhe financiare për t’i shërbyer çështjes kombëtare. Gazetat edhe pse botoheshin jashtë Shqipërisë, depërtonin në vendin tonë në forma nga më të ndryshmet.

Një ndër këta patriotë që vunë gjithshka të tyren në shërbim të çështjes kombëtare ishte edhe Sotir Peci një rilindës i shquar, një figurë e madhe e arsimit e kulturës shqiptare. I biri i një tregëtari qeresteje me origjinë nga Dardha e Korçës, pasi u arsimua në Athinë e vende të tjera të Europës dhe meqë ra në sy të autoriteteve osmano-greke për veprimtarinë e tij patriotike në interes të çështjes kombëtare shqiptare, në fillim të shtatorit të vitit 1905, u detyrua të migronte në SHBA. Shkuarja e tij në vendin e respektimit të lirive e të të drejtave themelore të njeriut, përkonte me kohën kur shqiptarët e Amerikës ishin shkundur nga përgjumja e rendja vetëm pas fitimeve vetjake dhe ishte zgjuar tek ata vetëdija kombëtare. Kishin filluar të ngriheshin shoqatat e para të shqiptarëve me programe të drejtuara nga interesat kombëtare dhe i kishin kthyer sytë, veshët e zemrën nga atdheu i tyre i robëruar. Kontributet e tyre për të ndihmuar sa më shumë luftën çlirimtare nga zgjedha otomane, kishin filluar të kanalizoheshin në drejtime të orientuara.

Një ndër këto ishte edhe shoqata “Vëllazëria Mirëbërse Dardhare” që në gjirin e saj përmblidhte shqiptarë me origjinë nga Dardha e Korçës, një fshat prej të cilit ishte edhe vetë Sotir Peci. Shoqata përkrahu pa ngurim inisiativën e patriotit të tyre që të botonte një gazetë kombëtare, që në mënyrë domethënëse u quajt “Kombi”. Gazeta dyjavore, me emrin “Kombi” u botua për herë të parë, më 15.06.1906, në Boston, e vijoi deri në vitin 1909, me 110 numra të botuara. Burime të tjera na bëjnë me dije se numri i parë i gazetës u botua më 9 qershor dhe se gazeta ishte javore. Po sipas të dhënave të tjera, numri i pestë i gazetës qarkulloi me 15 korrik 1906. Si njëra ashtu edhe tjetra datë e numrit të parë, nuk na nxjerrin ne, një gazetë dyjavore me periodicitet të rregullt. E dhëna më e saktë do të anonte nga ajo që, gazeta doli në numrin e parë të saj me 15 qershor dhe ishte javore në numrat e saj të parë. Por nga ana tjetër, shifra prej 110 numrash të botuara në tre vjet e gjysëm, mesatarisht përkon me një gazetë dyjavore. / KultPlus.com

Krenari shqiptare në seminarin ndërkombëtar të ‘Vatrës’ në vitin 1969 (FOTO)

Më 28 deri më 30 nëntor të vitit 1969 do të mbahej në SHBA Seminari ndërkombëtar i organizuar nga Shoqëria “VATRA”.

Pjesë e seminarit ishte edhe Zef Schiro Jr, i cili ligjëroi në gjuhën shqipe kumtesën: “Kuptimi historik i Arbërit e përgjigja e tij në vetëdijen e popullit arbëror”.

“…Ku një Shqiptar vë gurin e vatrës, ajo shtëpi bëhet Shqipëri. Është një Shqipëri mistike, një Shqipëri spirituale me plotësimin e të gjitha vlerave morale që çdo shqiptar trashëgon nga autoriteti atëror dhe ja u pason pasardhësvet me besnikëri.

Kështu mund të shpjegojmë si shqiptari duke pranuar plotësisht detyrat kundrejt vendit që e pranon, ai zhvillohet dhe organizohet në kuptimin shqiptar: ka për të qenë italian, amerikan, grek, apo gjerman, apo tjetër shtetësie, ai ndërton gjithmonë me shpirtin shqiptar tempullin e kultit të etërvet, të traditave, të atëdheut nga ku rrjedh: atëdheu i origjinës që gjatë kohës spiritualizohet duke u bërë gati një gjë gjithënjë shenjtërore dhe e përjetëshme”, – do të argumentonte dhe do të nxirrte si përfundim Prof. Zef Schiro në përmbyllje të ligjëratës së vet.

Një ndër personalitetet shqiptare të pranishme në këtë semindar ishte edhe Martin Camaj, i cili mbajti një kumtesë “Mbi funksionin e gjuhës së Nolit dhe të Konicës”.

Martin Camaj

“…Të dy (Noli dhe Konica) ishin koshientë se veproshin në nji kohë kur ende nuk kishte një drejtshkrim të qendrueshëm të gjuhës shqipe, kur gega dhe toska, secili tue fol dialektin e vet gjeshin vështirësi jo të vogël të kuptoheshin në punën e përbashkët, në rrugë dhe në kafe…

…Besoj se problemi gjuhësor për ta, sidomos këtu në Amerikë, ishte i vështirësuem, sepse ata do të shkrueshin për të qënë të kuptuem nga bashkësi shqiptare ardhë nga krahina të ndryshme të Shqipnisë. Dhe asht për t’u habitë se si Noli e Konica, pa qenë gjuhëtarë, domethwnw gjurmues të gjuhës me metoda profesionale, shumë çështje i panë fare qartë. Si parim kryesor ata patën të shprehunit e thjeshtë, tue pas gjithmonë parasysh se për kë shkrueshin. Konica reklamon në syprinën e librit Në hien e hurmave: “Një libër për të shkuar kohën e për të nxënë shkrimin e gjuhës. Një libër për gra e për burra, për të vegjël e të mëdhenj”. Qëllimi është i qartë: ai u sillet të gjithëve, sepse asht i bindun se gjuha e përdorun në këtë libër asht e kuptueshme për të gjithë…” Fragment nga ligjërata e Martin Camajt, asokohe profesor për gjuhët e juglindjes europiane, pranë Universitetit të Muncheni-it në Gjermaninë Perëndimore.

Më 28 Nëntor 1969 do të organizohej parada e parë shqiptare në SHBA, organizuar nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”. Pjesë e paradës ishin jo vetëm shqiptarët e Amerikës, por edhe Arbëreshët e Italisë dhe komunitetin shqiptar të pas Luftës së Dytë Botërore në Itali. Parada nisi nga Hotel “Americana” Rockefeller Center, deri tek Katedralja Saint Patrick.

Fotot kortezi e Muzeu Kokalari. /dsh/ KultPlus.com

Në Michigan organizohet Festivali ‘Mirësevini në Shqiptari’ (VIDEO)

Kisha Katolike shqiptaro- amerikane e Shën Palit në Rochester Hills, Michigan në datat 2-4 korrik 2021 organizon Festivalin ”Mirësevini në Shqiptari”, transmeton KultPlus.

Festivali do të hapet me Paradën Shqiptare dhe do të prezantojë kulturën, identitetin dhe vlerat shqiptare përmes kuzhinës, këngëve dhe valleve tradicionale.

Pasdite do të zhvillohet parada shqiptare me veshje tradicionale shqiptare dhe flamurin kuq e zi.

Të ftuar special do të këndojnë dhe performojnë me muzikë dhe valle shqip. / KultPlus.com

Suzana Shkreli, gruaja e vetme shqiptare në historinë e Amerikës si kandidate e Kongresit amerikan

Suzana Shkreli, nga Shkodra, është e vetmja grua shqiptare në historinë e Amerikës e cila është pjesë e Kongresit amerikan në Shtëpine e Bardhë, shkruan KultPlus.

Ajo është kandidate në shtetin e Michigan-it, ku jetojnë diku rreth 250 mijë shqiptarë.

E rritur në një shtëpi ku është inkurajuar nga prindërit për të studiuar shumë, Suzana përfundoi studimet në Universitetin Perëndimor të Michigan, për drejtësi.

Më pas, arriti të bëhej prokurore në Macomb në Departamentin për Mbrojtjen e Fëmijëve në Shtetet e Bashkuara. / KultPlus.com

Historia e 400 familjeve shqiptare nga Korça në një qytet të SHBA-së

Një prej trashëgimtarëve shqiptaro-amerikanë, Gregori Stefon, tregon se ishin 400 familje shqiptare nga Korça që u vendosen atje në vitin 1900 dhe filluan të organizohen gjatë vitit 1915.

Rreth kësaj periudhe u themelua kisha ortodokse shqiptare, duke u shndërruar në një qendër me rëndësi për komunitetin.

Sot, komuniteti shqiptar i mirintegruar përbën pesë për qind të rreth 180 mijë banorëve të qytetit. Ky komunitet, i cili jep kontribut në fusha të ndryshme për zhvillimin e qytetit, ka luajtur një rol me rëndësi në prezantimin e Shqipërisë përmes ruajtjes së kulturës dhe traditave në pesë breza me radhë.

Pra, emigrantët shqiptarë përbëjnë rreth 5 për qind të rreth 180 mijë banorëve në qytetin e Usterit në Masaçusets. Ndërkohë shqiptarët e parë u vendosën atje në fillim të shekullit të kaluar, një valë e dytë e ardhur pas viteve ’90 ka pasuruar komunitetin dhe tani 5 breza shqiptarësh kontribuojnë në jetën e qytetit, duke ruajtur dhe përhapur gjithashtu traditën e tyre.

Keida Kostreci vizitoi Usterin këtë muaj dhe sjell këtë reportazh. /albinfo/ KultPlus.com