Kris Atovksa është gazetarja e vetme e Maqedonisë së Veriut që ka qëndruar për tre muaj në Ukrainë, e cila edhe ka realizuar shumë fotografi të luftës, fotografi që po prezantohen nëpërmjet ekspozitës #StandWithUkraine, ekspozitë që është prezantuar në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, e që e njëjta do të prezantohet sonte edhe në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Atovksa do të prezantojë një numër të madh të fotografive që shpërfaqin krimin mbi civilët ukrainas, por në të njëjtë kohë do të shfaqet edhe dokumentari i filmit “Siren Lullabies” që është realizuar po nga Atovksa.
Ekspozita dhe prezantimit i filmit dokumentar do të bëhet sonte, më 5 prill, në KultPlus Caffe Gallery, në ora 19:00.
Kjo është ekspozita e tretë e autores me këto fotografi, pas Shkupit dhe Tiranës, dhe pas prezantimit në Prishtinë, fotoreporterja Atovska synon që këtë ekspozitë ta dërgojë edhe në vende të tjera. Ekspozita organizohet nga KultPlus Caffe Gallery dhe Flori Zaevi./ KultPlus.com
Në një shkrim të hershëm të profesor Eqrem Çabejt në gjeografinë e përhapjes së shqiptarëve në botë, përmenden edhe shqiptarët në Ukrainë. Çabej e dinte këtë referencë shkëlqyeshëm. Në një bisedë të Enver Hoxhës me Stalinin, Stalini e pyet Enver Hoxhën nëse Albania e Kaukazit është e njëjta gjë me Albaninë e shqiptarëve. Këtë pyetje do ta bënte edhe papa Piu II i shekullit XV, i cili ka shkruar një Komentar ku thotë se shqiptarët kanë ardhur ndoshta nga Albania e Kaukazit. Pak a shumë të njëjtin mendim ka dhe dijetari francez Pukëvil në shekullin XIX, i cili mendon se shqiptarët mund të kenë ardhur nga Kaukazi ose nga viset pontike ose nga Kolkida. Enver Hoxha i thotë Stalinit se shqiptarët nuk kanë asgjë të përbashkët me Albaninë e Kaukazit, por rrjedhin nga ilirët. Atëherë, Stalini merr në telefon një dijetar rus dhe e pyet për këtë çështje.
Dijetari rus i thotë që shqiptarët kanë disa fshatra pranë Ukrainës, ku jetojnë si një komunitet etnik. E përmenda bisedën midis dy politikanëve të shekullit XX, përtej konotacioneve politike që ngjallin emrat e tyre. Nuk është thjesht një trill kurioziteti. Shumë më përpara tyre Çabej dinte diçka më të saktë. Në vitin 2003 bëra një udhëtim në Rusi së bashku me Dritëro Agollin. Shkuam dhe në Sant Petërburg ku ishte një universitet dhe katedra e gjuhës shqipe, ku studionin rreth 30 vajza dhe djem rusë që mësonin gjuhën shqipe.
Aty takova disa albanologë rusë që kanë shkruar libra për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe. Takova dhe albanologen akademike Julia Ivanovna, akademike etnografe, që kishte botuar tre libra për Shqipërinë, për etnografinë e Shqipërisë së veriut, për kanunin e Lek Dukagjinit dhe të drejtën zakonore shqiptare si dhe për kalendarin origjinal popullor të shqiptarëve, nga Antikiteti në Mesjetë, duke u bazuar në kërkimet etnografike të dijetarit shqiptar, Rrok Zojsi. Në korrik të vitit 2004, akademikja Julia Ivanonvna erdhi në Tiranë. Ajo solli me vete një ekspozitë e fotografi origjinale që pasqyronin jetën e katër fshatrave shqiptarë, që ekzistojnë edhe sot në Ukrainë. Shqiptarët kanë shtegtuar në Rusi të paktën që në shekullin XV.
Në këtë shekull një shqiptar i quajtur Maksim Artioti ka studiuar në Padova të Italisë, ku ka qenë dhe Leonik Tomeo nga Durrësi, i cili ka qenë pedagog i Nikolla Kopernikut. Maksim Artioti më vonë ka shtegtuar në Rusi, ku u njoh si një dijetar i madh dhe specialist i shkëlqyer i latinishtes dhe greqishtes së vjetër. Në kohën e careshës ruse Katerina II, me urdhër në saj u botua një fjalor shumëgjuhësh, ku qe futur edhe gjuha shqipe. Në shekullin XIX, gjatë kohës së Luftës Ruso-Turke, shumë shqiptarë kanë luftuar në ushtrinë turke dhe për arsye të ndryshme kanë mbetur në rrethinat e Odesës.
Poeti më i madh rus i të gjitha kohërave, Pushkini, flet në një letër të tij si dhe në një tregim për trimërinë e kalorësve shqiptarë. Në vitin 1937, në një revistë, ku flitet për 100-vjetorin e vdekjes së Pushkinit, poeti ynë i madh, Migjeni, ka bërë me laps dy portrete të Pushkinit. Por, le të rikthehemi te tema i fshatrave shqiptarë në Ukrainë. Këto fshatra janë katër dhe janë formuar në fund të shekullit XVIII. Fillimisht u vendosën në fshatin Karakurt, në veri të Odesës, së bashku me bullgarët dhe gagauzët.
Në fillim të viteve 1860, një pjesë e banorëve të fshatit Karakurt u shpërngul në rajonin brigjeve të detit Azov rreth 10 kilometra larg bregdetit ku u themeluan tri fshatra: Devnenskoje (Taz), Gjeorgjevka (Tyshki) dhe Gamovra (Xhandran). Këto katër fshatra shqiptare mbijetojnë ende dhe sot. Ato kanë një urbanistikë të thjeshtë, shtëpitë fillimisht qenë ndërtuar prej balte të pjekur, më pas u përdor guri i gdhendur dhe u bënë më monumentale. Hyrja në shtëpi bëhej nëpërmjet dhomës së zjarrit, në njërën anë qe dhoma e vogël e ndenjjes dhe në anën tjetër qe dhoma e madhe e miqve. Në këto shtëpi gatuhej në oxhak, aty ishte furra (kymbet) dhe pranë saj minderi prej balte. Interieri zbukurohej me qilima dekorativë, dhomat kishin mobile druri. Kishte dhe një furrë në oborr të shtëpisë.
Pranë katër fshatrave kishte dhe kisha të ritit lindor. Popullsia shqiptare e këtyre fshatrave i ruante traditat e veta, kishin folklor gojor dhe koreografik. Gratë thurnin qilima me motive shqiptare dhe përdornin zbukurimet prej argjendi me motive të vjetra.
Vathët ishin në formë unaze, ruheshin në vite kostumet e hershme kombëtare si dhe paftat e brezit prej argjendi. Fshati kryesor qe fshati Karakurt (sot Zhovtnjovoje), është qendra kryesore. Këtu mbijeton dasma shqiptare akoma dhe sot. Zakonet ceremoniale i ka studiuar jo vetëm Julia Ivanovna, por dhe etnografja tjetër ruse, Oksana Budina, gruaja e parë ruse e arkeologut shqiptar Dhimosten Budina.
Vladislav Ilchenko drejtues i organizatës “Bashkimi i Shqiptarëve të Ukrainës” në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, tregon sesi ruhet identiteti kombëtar i shqiptarëve të Ukrainës nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe në qytetet ku ka vendbanime shqiptare, transmeton KultPlus.
Mësimi i gjuhës shqipe në Ukrainë
Gjuha shqipe mësohet si një opsion me zgjedhje në rajonin Zaporozhye në fshatin Devnenskoye në një shkollë publike, sipas një marrëveshje me Ministrinë e Arsimit në Ukrainë.Ka katër vendbanime në territorin e Ukrainës, 3 në rajonin e Zaporizhzhya, Priazovskoe rrethit Georgievka, Devnenskoe dhe Gamovka. Georgieka është emëruar pas stërgjyshit tim, ai ishte organizatori i zhvendosjes nga rajoni i Odesës në fshatin Karakurt. Ky është vendbanimi i katërt shqiptar në Ukrainë. Në rajonin e Odessa, në Karakurt, gjuha shqipe mësohet gjithashtu në klasat fillore, si në rajonin Zaporozhye. Tekstet shkollore ofrohen nga Shqipëria si pasojë e marrëveshjes mes dy shteteve.
Qytetet ku jetojnë shqiptarët në Ukrainë
Të parët që mësuan për shqiptarët-arnautët në Rusi pas përfundimit të luftës së parë ruso-turke në 1768-1769, pas nënshkrimit të traktatit botëror Kuchuk-Kainardzhinsky, midis Rusisë dhe Turqisë, ku shqiptarët morën pjesë aktive, si në tokë ashtu edhe në det. Po shkruaj një libër për këtë, tani po e shtyp në formë elektronike, më janë dashur më shumë se dhjetë vjet për ta shkruar, për të studiuar materialet ekzistuese. Për momentin ne jemi duke pritur për klasa dhe tekste të reja. Me kërkesën time, u hartua një fjalor Ukrainas-Shqip. Në rajonin e Zaporozhye, në fshatin Devnenskoe, kemi 12 fëmijë, mësuese është Oksana Shilo e cila ka studiuar në Shqipëri në Universitetin e Tiranës. Në Karakurt, rajoni i Odessa, mësuese është Natalya Kircheva. Për numrin real të studentëve duhet të flas në një moment tjetër pasi në kushtet e karatinës dhe pandemisë numri ndryshoi.
Mësimi i gjuhës shqipe si formë e ruajtjes së identitetit kombëtar
Unë kam vajzën e madhe Vlada Ilchenko, ajo gjithashtu studioi në Universitetin e Tiranës, flet rrjedhshëm anglisht, gjermanisht, frëngjisht. Ne i kemi ruajtur të gjalla gjithmonë lidhjet me atdheun e origjinës. Fakti është se në territorin e Ukrainës shqiptarët ishin nga rajone të ndryshme të Shqipërisë, nga Peloponezi, Mani, Suliots. Tre fshatra: Georgievka, Devnenskoe dhe Gamovka kanë dialekte të ndryshme në shqiptim. Shqipëria dikur ndahej në Shqipërinë e Epërme dhe Shqipërinë e Poshtme, popullsia këtu është nga të gjitha viset shqiptare. Shqiptarët jetojnë në mënyrë kompakte në territorin e Ukrainës, shumë familje u dëbuan nën Bashkimin Sovjetik si armiq të popullit, nën sundimin e Stalinit sipas Nenit 58 paragrafi 10. Pas luftës civile në 1991, disa u kthyen në shtëpi në rajonin Azov të rajonit Zaporozhye, shumica e të cilëve jetojnë në Rusi. Banorët e parë të qytetit të Odesës ishin Arnautët, ku tani ka rrugë, Bolshaya Arnautskaya dhe Malaya Arnautskaya. Pjesëmarrësit e parë që studiuan në Tiranë, Oksana Shilo dhe vajza ime Vlada Ilchenko dhe Neli Supyur, tre studentë të tjerë që studiuan, u përballën me një numër vështirësish të mëdha por që më pas u ofruan kushte shumë të mira si pasojë e marrëveshjes ndërshtetërore.
Mesazhi juaj patriotik për diasporën shqiptare në USA
Unë komunikoj me shumë shqiptarë nga Amerika dhe dy kushërinjtë e mi të dytë, Vleriy dhe Vladislav Gagunsky, jetojnë në Amerikë, Boston. Dëshiroj të gjithë shqiptarëve shëndet e lumturi. Kudo që të jemi të përpiqemi ta ruajmë traditën dhe gjuhën tonë të bukur shqipe. Të mësosh shqip është një krenari dhe nder edhe për brezat që vijnë pas nesh. Le të kujtojnë se gjaku nuk është ujë, nuk mund të hollohet. Përshëndetje të gjithëve nga Ukraina. Të gjithë jemi në të njëjtin gjak, ti dhe unë. / KultPlus.com