Bebe Rexha me mesazh politik pas vizitës në Kosovë e Dibër: Shqiptarët përballen me kufij të imponuar, jemi njerëz me gjak të njejtë në shtete të ndryshme

Këngëtarja shqiptare e njohur në botë, Bebe Rexha, pas vizitës së saj në Kosovë dhe në Dibër ka thënë se shqiptarët janë një popull i cili përballet me kufij shtetërorë të imponuar, të cilët i kanë ndarë njerëzit e të njëjtit komb dhe gjak në shtete të ndryshme.

Këngëtarja Rexha pas çasteve të paharrueshme në Festivalin “Sunny Hill” dhe pas vizitës së saj në familjen e gjerë në Dibër ka shprehur dashurinë e thellë për atdheun e saj duke thënë se kufijtë shtetërorë kanë pak rëndësi për të, pasi elementet siç janë gjuha, tradita, muzika e vallet shqipe nuk kufizohen me kufij.

“Shqiptarët janë përballur me kufij shtetërorë të imponuar, duke ndarë njerëz të të njëjtit komb dhe gjak në shtete të ndryshme. Megjithatë, kur mendoj për shqiptarët, kufijtë shtetërorë kanë pak rëndësi për mua.

Mendoj për gjuhën tonë të bukur, traditat tona, muzikën dhe vallet tona, dhe shumë elementë që nuk kufizohen me kufij.

Jam thellësisht e dashuruar me rrënjët e mia, krenare që jam shqiptare dhe krenare për çdo shqiptar që jeton ende në këto troje, si dhe për mijëra në komunitetin jashtë vendit që jetojnë në Amerikë, Evropë dhe në mbarë botën.

Ju dua të gjithëve”, ka shkruar këngëtarja Rexha në InstaStory./ KultPlus.com