Qyteti i lashtë i Shkodrës jo rastësisht e gëzon emrin e madh që ka. Jehona vjen nga shekujt, që nga koha e Agronit e Teutës e deri te Rrethimi i famshëm i Shkodrës, kur qyteti u bëri ballë osmanëve edhe për 15 vjet mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit – qëndresë që i dha edhe më shumë emër e lavdi kësaj qendre të lashtë.
Shkodra njihet më shumë me emrin italian Scutari, dhe janë së paku tetë qytete në botë që kanë rrugë me emrin e qyteit të njohur shqiptar:
Një nga rrugët kryesore në Venecia dikur e njohur si Venedik – quhet Via Scutari. Emri i kësaj udhe të vjetër e mjaft të vizituar nga turistët domethënë “Rruga e Shkodrës.” Është dëshmi e lidhjeve të hershme që qyteti shqiptar ka pasur me Republikën e Venedikut.
Në Stamboll, një lagje e tërë mban emrin Uskudar, që është variant osman i emrit Scutari. Edhe ky vend është emërtuar për nder të famës së Shkodrës, siç shënojnë kronikanët e kohës. Një tjetër provë që përforcon këtë lidhje me shqiptarët është fakti që përballë Uskudarit ndodhet lagjja Arnavutköy, që domethënë “Fshati Shqiptar.” Këto dy lagje i ndan vetëm ngushtica e Bosforit.
Londra ka gjithashtu një rrugë me emrin e Shkodrës: Scutari Road. Gjendet në një anë të vjetër dhe mjaft të pasur të qytetit. Në hartën e një qyteti të vogël në jug të Francës një tjetër rrugë shkodrane. Në Aïcirits-Camou-Suhast ndodhet Rue Escutary. Është interesante pse ka zënë vend emri i Shkodrës në një zonë baske përgjatë kufirit me Spanjën.
Në Hualpen (shq. Walpen) të Kilit të largët ka po ashtu një rrugë me emrin e Shkodrës, Escutari. Vendbanimi latinoamerikan ka edhe rrugë tjera me emra të qyteteve shqiptare, për të cilat kam shkruar më parë. Por nga të gjitha vendet, Italia ka më së shumti shtigje që nderojnë Shkodrën. Po i rendis me radhë disa qytete që i gjeta: Katania, Kozenca, Milano, Massa dhe Viareggio.
Në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, lagjja më e vjetër dhe zona më e vizituar sot nga turistët quhet Skadarlija. Emrin ia kanë vënë banorët e dikurshëm që shpresonin që lagjja e tyre t’i ngjante sadopak Shkodrës. Janë disa kronika që shpjegojnë se përse serbët kërkonin të imitonin qendrën më të njohur të Ballkanit të kohës, Shkodrën.
Një rrugë në Zagreb është pagëzuar Skadarske Ulice. Shqip i bie “Rruga e Shkodrës.” /diasporashqiptare/ KultPlus.com
Si mësuese letërsie prej më shumë se tri dekada,kam pasur fatin qe ta studioj dhe ta komentoj veprën e Bajronit me nxënësit e shkollës së mesme. E shoh me vend për situatën e tanishme të bëjmë një udhëtim imagjinar me Bajronin nepër trojet shqiptare, në ato vende,ku i ka lënë të shkruara në kujtimet e tij .
Nuk di deri më sot të jetë bërë një promovim kaqë i detajuar i Bukurive natyrore dhe njerëzore të Shqipërisë siç e ka bërë Bajroni për ne. Nuk ka dokument më autentik se letrat e Bajronit drejtuar nënës dhe miqëve të tij ,200 vjet më parë,që vertetojnë vendbanimet shqiptare deri në Prevezë,ku ai i përshkoi me këmbë. Brezi i ri duhet ta njohi këte poet, si njeri me temperament të lirë,me aftësi dhe mprehtësi konceptimi,me pjekuri dhe prirje drejt virtytit.Edhe pse mbarte titullin Lord, dëshironte të ishte pranë njerëzive të thjeshtë dhe të eksploronte në vende të pashkelura, të cilat i gjeti, kur erdhi në Shqipëri. Eshtë krenari për ne shqiptarët, që një i huaj,si Lordi Bajron t’i drejtohet Shqipërisë me këto vargje:”Shqipëri,lejomë të kthej sytë e mi // Mbi ty,o nënë e rreptë burrash t’egër. Shqipëria për Bajronin qe një botë sa e fshehur aq dhe interesante ku shkruan “Me të vërtetë që unë e kam parë Shqipërinë më shumë se kushdo anglez tjetër, sepse është vend i vizituar rrallë,ndonëse i bollshëm në stoli natyrore .
“Në vendet e Ilirisë dhe të Epirit ka vende pa emër dhe lumenj të pahedhur në hartë,mundet që një ditë, kur të njihen më shumë, të jenë temat më të çmuara e të dorës së parë për penën”…. Ai nga leximet e veta dinte, se Shekspiri i kishte vendosur disa ngjarje në Iliri.Kjo e la me kuptue se këto vise nuk ishin të zbrazta,por kishin vlera historike, kulturore dhe pasuri shpirtërore. Qëndrimi i tij në Patra ,në Prevezë,në gjirin e Artës drejtë Tepelenës,….në majat e Papingjit ……. mrekullohesh duke thënë “Kudo që shohim : rrotull,sipër,poshtë,na lë pa mend magjia ngjyrë ylberi..të gjithë njerëzit që takuam me fustanellat e bardha përshëndetnin shqiptarçe,ushtarët nuk dallohen nga fshatarët nga veshja, të gjithë mbajnë armë të stolisura…..Kur arritëm në Epirin e qëmotshëm,afër malit të Tomorrit,u mirëpritëm nga i pari i vendit Ali Pasha.”
Duke qëndruar në ato vende,kishte mësuar se deri ku shtriheshin krahinat shqipfolëse,si provincë e Turqisë Evropiane ………”Në perëndim ka gjirin e Venecias,në lindje Maqedoninë,Thesalinë dhe Greqinë.Ndërsa në jug mbërrinë deri në gjiun e Lepantos ose , gjiri i Artës” Tablonë e Shqipërisë së jugut,sidomos pjesën e Çamërisë,poeti anglez e paraqiti me admirim.Ashtu siç bëri më vonë anglezja Meri Edith Durham për Shqipërinë e veriut. Të dy bashkë e plotësojnë tablonë e Shqipërisë dhe shqiptarët i përshkruajnë trima, të ndershëm dhe bujarë,edhe në varfërinë e tyre. Kur Bajroni mbërriti në Qefaloni,suliotët të përqëndruar në lartësitë në lindje te Paramithisë, dëgjoheshin së tepërmi me kapedanin e tyre, Marko Boçari.Ata ishin thjeshtë shqiptarë. Ja disa vargje nga “Çajld Harold” ,-Kush ia shkon në trimëri suliotit brun//Me të bardhë fustanellë e me gunë” Ishin suliotët ata që kërkonin ta kishin si prijës Bajronin në periudhën e Revolucionit Grek.Ishin ata që Bajroni i vlerësonte si luftëtarët më të mirë dhe më besnikë.Edhe pse për Bajronin ishte një detyrë përtej mundësive të poetit, Ai e mori përsipër sepse i printe Ideali i Lirisë,para të cilit nuk tërhiqej kurrë.
Historianët kanë faktuar se Gjon Boçari (paraardhësi i Marko Boçarit) ka qenë një nga luftëtarët më besnikë të Skenderbeut,prandaj Bajroni i drejtohet Shqipërisë: “O Shqipëri,ku lindi Iskanderi,këngë e trimërisë,fanar i të urtëve.//Dhe Iskanderi tjetër që i tmerroi armiqtë me kordhen e tij kreshnike.(Thuhet se Aleksandri i Maqedonisë e kishte nënen epirote P.L.) Në letrat dërguar miqëve shkruante : “I dua shumë shqiptarët….nuk janë të gjithë myslimanë,disa nga fiset janë të krishterë, porse feja nuk i bën të ndryshojnë zakonet dhe sjelljet e tyre dhe se janë kaq tolerantë dhe kaq të lirë në paragjykimet fetare..Me sa kam parë vetë….Ata shëmbëllejnë me malësorët e Skocisë,në veshje,në fytyrë dhe në mënyrën e jetesës,trupi i tyre i hollë dhe i gjatë,dialekti keltik dhe zakonet e tyre te rrepta më shpien në Morven .” Duke u nisur nga këto vlerësime që Bajroni u bënte shqiptarëve,Marko Boçari i përgjigjet letrës së Bajronit “Ju falenderoj për mendimin e mirë që keni për bashkatdhetarët e mi.
Ju falenderoj akoma më shumë për kujdesin,që me kaq zemërgjerësi keni treguar për ta, Me besnikëri, Marko Boçari” Bajroni duke qenë për një kohë në mes të shqiptarëve,kishte mësuar edhe shumë fjalë shqip ,që i duheshin për të komunikuar. Interes kishte për këngët popullore siç janë vargjet e këngës,Tamburxhi, në veprën e tij “Çajd Harold” “Tamburxhi,Tamburxhi,//Kushtrimi yt u jep shpresë trimave në luftë i cyt // Ngrihen bijt e maleve si ndonjë sqotë//Himariotë,Ilirë,ezmerët suliotë” Polifoninë e kishte për zemër, Ai mundi të regjistronte fjalët e disa kengeve popullore: Në sevda tënde u lavosa//Vetëm u përvëlofsha,//Ah,vajzë më përvëlofshe,//Zemërën më lavose,//Unë të thashë rroba s’dua//Po sytë e vetullat e tua.
Këte këngë Byron edhe e përktheu:”I am wounded thy love,and have loved,//but to scorch muself .// Thou hast consumed me! //Ah maid !Thou has struck me to the heart// I have said I wish no downy,//But thine eyes and eyelashes//” Keto këngë Byron i këndonte në shtëpi dhe në rrethe të ngushta. Kishin kaluar 5 vjet që Bajroni ishte larguar nga Shqipëria,por kënga i zgjoi kujtimin e atij vendi të mrekullueshëm duke u thënë miqëve së bashku me poetin Shellin, me të cilët po bënte një shetitje në Liqenin e Gjenevës:”Tani bëhuni sentimentalë e dëgjomëni me tërë vëmendjen tuaj “Dhe melodia e këngës labe tingëlloi fuqishëm dhe mori udhë bashkë me valet e liqenit. Shumë pëlqente meloditë baritore, i kishte mbetur në mendje,një djalë 15 vjeçar që kishte bërë një fyell prej krahut të shqiponjës nga ku nxirrte melodi rrenqethëse.
Bajroni kur ishte në Shqipëri, argëtohej duke parë vallet e bukura,sidomos ato me karakter luftarak,që shoqëroheshin me këngë trimërie dhe kërceheshin rreth zjarrit para ose pas përpjekjeve e luftimeve.Sidomos vallja Çame,vallja e vjetër e Konispolit me ate çastin kulminant kur valltari përkulet pas në “urë” me kokën mbështetur përdhe,të tjerët kalojnë mbi gjoksin e tij,duke shprehur kështu guximin e sakrificën sepse: armiqtë do ta shkelin këte truall ,vetëm kur të shkelin mbi gjokset e tyre. Bajroni pëlqente akoma më shumë veshjen shqiptare,të cilën e quante,petkun më të bukur në botë.”Shih të egrin shqiptar me fustanellë // e rrobat të qëndisura me arë,// Armët të lara me flori,sa bukur!” I mahnitur nga kjo bukuri,Bajroni kishte marrë disa veshje popullore .Me kostumin shqiptar Ai pozoi për piktorin Tomas Filips. Ky portret ndodhet në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Londër (National Portrait Gallery) dhe paraqitet në çdo botim të denjë për Bajronin. Duke qenë Bajroni përhapës i tematikës shqiptare,me përmbledhjen e këngëve popullore shqiptare u bë objekt studimi nga albanologët si Gustav Myer,apo baronesha Xhuzepina Knorr,albanologe e njohur austriake, cila për misionin e Bajronit u shpreh: “T’i bësh mirë njerëzimit është dëshira më bujare” Ndërsa për letrën e Bajronit dërguar nënës së tij ajo thekson se Bajroni e ka marre frymëzimin për Liri nga shqiptarët. Për burrat shqiptarë ,- shkruan Bajroni – kanë trupa shumë të mirë,nuk shquhen si kalorës,por në këmbë janë të palodhur dhe shumë të duruar.Armën kur e hedhin supit të djathtë e mbajnë pa asnjë sforcim,ndërsa vrapojnë përpjetë maleve të tyre me lehtësi e zhdërvjelltësi.Ndoshta jane raca më e bukur në botë.
Nga tiparet edhe gratë janë të hijëshme,vajzat arnaute janë shumë të bukura dhe kostumi i tyre është shumë piktoresk.Ata edhe hijeshine e trupit e ruajnë më gjatë pasi rrojnë përjashta në ajër të lirë.Ata bëjnë jetë patriarkale,por kjo ndrydhje e përkohshme e personalitetit të tyre u duket e natyrshme,madje u jep krahë për të gjetur kuptimin e jetës në dashurinë dhe detyrën amtare.Janë po ata gra që në raste rreziku e nevoje shkojnë në luftë përkrah burrave dhe kurrë nuk dorëzohen për të mbrojtur nderin e tyre…..Ishin gratë e fshatit Dhoksat që ndërtuan urën e prishur nga përroi i rrëmbyer,kur morën vesh se do të kalonim ne në udhën e bllokuar nga gurët” Edhe një numër piktorësh u frymëzuan nga vepra e Bajronit si Eugene Delacroix(1798-1863). Nuk është rastësi që Delakrua,i cili nuk erdhi kurrë në Shqipëri, por u frymëzua nga vepra e Bajronit duke dhënë kryevepra me temën Suliotët si “Burrë me veshje suliote”, “Etyd për Boçarin”.etj. Apo kështu Arry Scheffer me pikturën “Gratë e Sulit” frymëzohet nga Bajron për aktin heroik të suliotëve. Mbi të gjitha, vepra e Bajronit frymëzoi luftëtarët e Lirisë dhe pati jehonë në të gjithë botën,në Spanjë lufta kundër pushtuesit Francez e përjetësuar me vargjet “Vajza e Saragosës “në veprën “Çajld Harold”.Në Itali në luftën kundër pushtimit austriak, ku Bajroni mori pjesë në lëvizjen e Karbunarëve. Më vonë projektuesi i bashkimit të Italisë, Giuzeppe Mazzini.,i çoi më tutje idetë për liri,pavarësi dhe unitet për mbarë Evropën.Vlen për t’u përmendur ndikimi tek arbëreshët,të cilët e treguan veten si luftëtarë të Garibaldit.Pa përmendur,De Raden,Dora D’Istria,Kulluriotin ,Rilindësit tanë, të cilët e kishin në qendër të vëmendjes,Lirinë ,Pavarësinë dhe bashkimin e shqiptarëve . Jehona e poetit të lirisë arriti deri në Amerikë:Ishte koha e ashpërsimit të kontradiktave ndërmjet pushtuesve anglezë dhe kolonive në Amerikën e Veriut që arriti në luftë të armatosur, deri në fitoren e pavarësise.Ai e gjeti veten të përshkruar në gazetat e kohës si poeti më i preferuar i amerikanëve “The favourite poet of the Americans” Në Shqipëri,Bajroni njohu një popull kryengritës,të lirë e të pavarur në shpirt,trim, besnik,të paepur,krenar,të ndershëm e mikpritës,me të cilët luftoi në “Betejën e Mesolongjit “. Jehona e tematikës shqiptare në botë në sajë të veprave të Bajronit ishte shumë e gjerë dhe me shtrirje të madhe në kohë.Të gjitha këto shtojnë nderimin dhe mirënjohjen e popullit shqiptar për Bajronin,të cilin askush s’e detyroi të pohonte kaq hapur në favor të shqiptarëve.Bajroni të gjitha këto i gjeti të mbjellura në tokën e Ilirëve, në Sul,Paramithi, në Çamëri.Edhe sot vepra e e Bajronit është nxitje për brezat,për të njohur trojet e shqiptarëve dhe trimëritë e tyre ,që luftuan me Bajronin,prijësin e tyre ,së bashku me luftëtarët grek kundër pushtuesve turq deri në pavarësi,për të cilin vend Bajroni dha edhe jetën. Vdekja e Bajronit në Greqi është simboli më i bukur i misionit të artit. Bajroni kishte bërë një betim,pa kushte, me kauzën e popullit kur thotë: “Për ty Greqi dhashë gjithçka …..tani po jap edhe jetën.” I gjithë ky angazhim i mendimit dhe veprimit të Bajronit në luftën për liri të popujve kishte të vetmin ideal, emancipimin e shoqërisë njerëzore.Kështu poezia e tij e realizoi misionin e vet, për atëhere edhe për sot, për të zgjidhur kontradiktat mes popujve,si në rastin e shqiptarëve me fqinjët.Në rastin në fjalë,luftëtarët e Sulit dhanë jetën, kundër pushtuesit otoman për lirinë dhe pavarësinë e Greqisë dhe sot shtetet përkatëse duhet t’i venë në ballancë veprimet e tyre në aleanca të ndershme për t’i bërë ballë sfidave të kohës,me urtësi,paqë e drejtësi. Pertefe Leka / KultPlus.com
Fragment nga ”Gjenerali i ushtrisë së vdekur” nga Ismail Kadare.
Shqiptarët janë një popull i ashpër e i prapambetur. Atyre që kur janë foshnja, u vënë në djep pushkën, kështu që pushka bëhet pjesë e pandashme e jetës së tyre. Duke u bërë që në vogëli një pjesë e qenies së tyre, si një element bazë i jetës së tyre, pushka ndikon drejtpërdrejtë në krijimin e psikikës së shqiptarit.
-Por një gjë që njeriu e do dhe e adhuron me gjithë shpirt, natyrisht që ka qef edhe ta përdorë. Po përse mund të përdoret më mirë pushka? -Për të vrarë njerëz. -tha gjenerali.
-Ashtu është. Shqiptarët gjithmonë kanë pasur dëshirë të vrasin ose të vriten. Ata janë vrarë me njëri-tjetrin kur nuk kanë pasur me kë të luftojnë. Ata në luftë i shtynë instikti i vjetër. Keni dëgjuar për gjakmarrjen? Kjo është një nevojë e diktuar nga natyra e tyre.
Në paqe ata trullosen si gjarpëri në stinën e dimrit. Vetëm në luftë e tregojnë plotësisht vitalitetin e tyre. Lufta është gjendja normale e këtij vendi. Prandaj ata në luftë janë të egër, të rrezikshëm dhe të bëjnë dëm më shumë seç duhet./ KultPlus.com
Shqiptarët kanë pasur simbolika të shumta në ritualin e pirjes së kafes. Ato shënjonin mesazhe pozitive dhe negative kur miqtë kishin marrëdhënie, takime apo situata të ndryshme. Po cilët janë këto mesazhe që shprehte rituali i shërbesës së kafes?
Nëse një malësor shkonte për shembull me kostumin e mikut në shtëpinë e një bashkëfshatari tjetër, qoftë ky i afërm ose thjeshtë i njohur, për të vazhduar një bisedë të nisur më parë, si të thuash, në një seancë të rastësishme ndërrim duhani që kishte të bënte me ndonjë fejesë, zbutjen ose tejkalimin e ndonjë konflikti me pajtim gjaku ose me çështje të tjera të rëndësishme, i zoti i shtëpisë nuk e pyeste mikun se si e dëshironte kafenë. Nëpërmjet shkallës së ëmbëlsisë ose të idhëtisë së kafesë simbolikisht miku merrte mesazhin e duhur për ecurinë e çështjes që qëndronte në sfondin e një vizite të tillë.
Nëse i servirej kafja fare e ëmbël, miku merrte mesazhin se çështja ishte zgjidhur ose ishte në rrugë të mbarë dhe pa kthim prapa.
Për të përforcuar kuptimin e një mesazhi të tillë pozitiv miku, si rregull, në një formë tjetër vinte në dukje ëmbëlsinë tej mase të kafesë, duke përdorur përgjithësisht shprehje të tipizuara në motërzime të tilla: “E paskeni ngatërruar kafenë me mjaltin”, “kafesë i paskeni hedhur mjaltë, jo sheqer”, “një qyp me mjaltë i paskeni hedhur kafesë” etj.
I zoti i shtëpisë përgjithësisht i miratonte pohime të tilla, domethënë, në thelb tundjes së kokës lart-poshtë ose buzëqeshjes. Pas një miratimi të tillë, miku fliste me frymë optimiste dhe më shpenguar për zgjidhjen e çështjes në shqyrtim.
Nëse i servirej kafe e mesme, merrte mesazhe se çështja për të cilën ishte i interesuar kishte mbetur pezull, pra nuk mund të parashikohej ecuria e zgjidhjes së saj. Për të konfirmuar se kafeja e mesme, që nënkuptonte ngrirje të çështjes, miku gati me tone diplomatike shprehej: “Nuk di nëse ka pasur ose jo sheqer në anët tuaja”, “bora ka zënë rrugët e nuk ka ardhur sheqer nga shehri qysh kur nuk mbahet mend” etj. Në situata të tilla burrat e palës mikpritëse heshtnin.
Miku që kishte një mision në bisedë merrte mesazhin se duhej të ishte shumë i kujdesshëm në arsyetime, se duhej të përdorte me mençuri gjithë arsenalin e argumenteve, për ta lëvizur çështjen në kahun e zgjidhjes më të mirë.
Mikpritësit mund t’i servirnin mikut kafe pa sheqer. Në situata të tilla miku sillej në dy mënyra. Më rrallë e përforconte këtë fakt me shprehje disi diplomatike, si: “Ka qenë mot i keq dhe nuk kanë ardhur mallrat nga qyteti”, “bota ia ka zënë vendin sheqerit” etj.
Si rregull, mikpritësit heshtnin. Në shumicën e rasteve idhësia e kafesë nuk kishte nevojë për konfirmim. Heshtjes së mikpritësve miku i përgjigjej me heshtje, çka nënkuptonte se përgjigja negative për çështjen ishte e padiskutueshme.
Në rrethana të tilla shfaqej më qartë profili prej fermani ose dekreti mbretëror i mesazhit ngjizur nga idhtësia e kafesë. Prandaj miku nuk çelte fare bisedën, për të cilën ishte në rolin e ”nënpunësit” mik.
Përgjithësisht, miku ruante qetësinë shpirtërore ose, të paktën, paraqitej i tillë dhe niste biseda për çështje të tjera që kishin të bënin me ndikimet e motit në ecurinë e punëve të stinës në bujqësi, me mbarështrimin e blegtorisë e deri me problemet e luftës ruso-japoneze etj.
Në të shumtën e rasteve miku bënte kujdes që në biseda të tilla t’i largohej me zgjuarsi dhe sa më shumë çështjes për të cilën ishte i interesuar drejtpërdrejt.
Vlen të theksohet se përdorimi i idhtësisë së kafesë dhe i mjeteve të tjera simbolike për të përcjellë përgjigje negative, sidomos për çështje jetike që kishin të bënin me fatet e individëve, të familjeve ose të anëtarëve të bashkësive më të zgjuara, kishte rëndësi të veçantë në shumë”segmente” të shoqërisë tradicionale shqiptare, ndërkohë që fjala mohuese kishte peshë mjaft të rëndë, deri në nivelin e shpërfilljes ose të fyerjes për palën tjetër, pra jo vetëm për familjen e individin që prekte drejtpërdrejt hija e fjalës së keqe, por edhe për gjithë fisin e tij.
Gjithashtu, edhe shkalla e ëmbëlsisë ose e hidhësisë së kafesë që servirej në ceremoninë mortore në shumë krahina të Shqipërisë, shprehte simbolikisht shkallën e hidhërimit për të ndjerin, shprehte moshën e të ndjerit dhe mprehtësinë e shqetësimeve familjare, fisnore ose më gjerë që shkaktonte largimi i tij nga kjo jetë.
Nëse personi i vdekur ishte i moshuar dhe me fëmijë të rritur, të martuar dhe në gjendje ekonomike të stabilizuar, servirej kafe e ëmbël; nëse i ndjeri ishte në moshë mesatare dhe me fëmijë pjesërisht të martuar dhe të pamartuar, servirej kafe e mesme; dhe, nëse personi i vdekur ishte i ri ose e re, me fëmijë të vegjël ose i pamartuar servirej kafe fare e hidhur, pa sheqer.
Sipas paragjykimeve të përhapura gjerësisht në shoqërinë shqiptare paramoderne, në filxhanin e kafesë pasqyronin edhe mjaft element të personalitetit, të mënyrës së jetesës dhe të gjendjes shpirtërore të personave që pinin kafenë.
Për shembull, nëse burri e pinte kafenë e nxehtë, mendohej se ai sipas bestytnive ishte aq frikacak saqë kishte frikë edhe gruan. Gjithashtu, sipas bestytnive, nëse personi e pinte kafen e ëmbël, kishte jetë të hidhur dhe e kundërta, nëse pinte kafen e hidhur, kishte jetë të lumtur.
Si rregull, servirja e kafesë shënonte simbolikisht përfundimin pothuajse të çdo lloj ceremonie gëzimi dhe rrezatonte mesazhe simbolike kompleke dhe mjaft të nuancuara në ceremonitë mortore.
Përveçse në mjedise të tilla dhe në bar-kafe e restorante, kafeja ishte ndoshta e vetmja pije, e cila në një pjesë të konsiderueshme të trojeve shqiptare servirej edhe në varreza.
Por, çfarë mesazhi përcillte kafeja e servirur në vareza, fill pas varrosjes së të ndjerit?
Një kafe e tillë, sidomos në krahinat veriore të Shqipërisë, dëshmonte simbolikisht se i ndjeri kishte kryer funksione shoqërore të rëndësishme për anëtarët e fisit, banorët e fshatit, kraniës etj., pra ishte burrë i shquar.
Servirja e kafesë me dorën e majtë dhe sidomos nën gju konsiderohej një fyerje shumë e rëndë, veçanërisht për burrat që kishin vonuar marrjen e gjakut në emër të ndonjë anëtari të familjes ose të afërmi të vrarë. /Marrë nga “Lente të ndërveprimit simbolik” /Zyhdi Dervishi/ KultPlus.com
Më 11 korrik të vitit 1811, lindi Johan Georg von Han. Ishte albanolog gjerman dhe diplomat në shërbim të Austrisë. Më 1847- 1850 ishte nënkonsull i Austrisë në Janinë për Shqipërinë e Poshtme, ku punoi për zotërimin dhe studimin e gjuhës shqipe.
Ndërmori një udhëtim të gjatë në krahinat perëndimore të Shqipërisë deri në Shkodër.
Botoi veprën: “Albanische Studien”, Vjenë 1854 (Studime shqiptare), në 3 vëllime që njihet një nga veprat kryesore. Në këtë vepër ai thekson se mjaft emra vendesh të viseve shqiptare ishin vazhdim i emërtimeve të dikurshme ilire.
Ai zbuloi fjalëformuese ilire që janë emrat e sotëm të shqipes. Arriti në përfundimin se shqipja është vazhduese e dretëpërdrejtë e ilirishtes.
Hani konstaton: “ Kufiri i sotëm i dy dialekteve të shqipes ndërmjet gegërishtes e toskërishtes kalon përgjatë përgjatë lumit të Shkumbinit, ashtu si ndahej në lashtësi Iliria me Epirin gjatë rrugës Egnatia.”
Vepra e dytë: “Reise durch die Gibite des Drin und Vardar”, 1867 (Udhëtime nëpër viset e Drinit e të Vardarit), si dhe “Studime për gojëdhënat, Përrallat greke e shqiptare” në 2 volume.
Konkluzionet e Hanit në fushën e gjuhësisë u mbështetën nga Demetrio Kamarda, filolog italian me origjinë shqiptare, nëpërmjet një gramatike që botoi në Livorno më 1864.
Në fushën e etnografisë konstatoi “Kanunin e Lekë Dukagjinit” në viset veriore dhe “Kanunin e Skënderbeut” në Mat e Dibër. Vëll. II e III i “Studimeve shqiptare” u kushton kryesisht çështjeve të gjuhës.
Shkroi më gjerë për prejardhjen e shqipes; për këtë ai shfrytëzoi edhe burimet antike greke që bënin fjalë për karakterin jo grek të ilirëve, epirotëve dhe maqedonasve.
Ai shfrytëzoi toponiminë dhe vërtetoi se mjaft emra vendesh shqiptare ishin emërtime të dikurshme ilire. Hani arriti në përfundimin se shqipja është vazhduese e njërit prej dialekteve të vjetra të ilirishtes dhe ishte i mendimit se ilirishtja është gjuhë pellazgjike.
Sipas tij ilirët ishin një nga degët themelore të popllsisë paleoballkanike që qëndronte më vete përballë grekëve të vjetër.
Ai ishte i vendosur për autoktoninë e shqiptarëve.
Gjatë studmeve të tij rreth Shqipërisë, ai shtronte pyetjen:
“Nëse populli i fuqishëm shqiptar që sot mbush tërë Epirin e Vjetër e të Ri, që nuk dinë sllavisht, si dhe një pjesë të Ilirisë në kuptimin e ngushtë, është pasardhës i ardhësve sllavë apo është pasardhës që u rrit natyrshëm dhe shpërtheu me forcë nga një bërthamë jetësore, e pashkatërrushme, e asaj popullsie të lashtë epiriote, që u robërua nga falangat dhe legjionet, që u spërkat nga elemente sllave, por që nuk u nënshtrua plotësisht.”
Rreth kësaj çështjeje mund të hedhë dritë të mjaftueshme vetëm historia e kontinentit ilirik dhe analiza filologjike e gjuhës shqipe, çështje të cilat qaseshin në veprën e tij.
Ai i dha një sfond gjuhësor shqipes nëpërmjet veprës së tij, “Albanische Studien”, ku në atë punim ka rreth 6000 fjalë dhe vetë fragmentet historike janë renditur dhe plotësuar me aq art, saqë, më në fund u zbuluan konturet e paqarta të historisë kombëtare të shqiptarëve, të cilat kishin munduar bashkohësit e tij albanologë.
Studime shqiptare
A janë autoktonë shqiptarët?
Shqipëria nuk ka një histori të pandërprerë. Si në botën e re dhe të vjetrën emri i këtij vendi del vetëm atëherë kur rrjedha e ngjarjeve në të lidhet ngushtë me të fqinjëve të saj; sapo pushon ose sapo vihet në dukje kjo lidhje, vendi futet prapë në errësirën e tij të lashtë e kështu ndosh që një histori e tërë e brendshme kufizohet vetëm në disa fragmente, që sillen rreth disa përsonaliteteve të shquara ose rreth një peme gjenealogjike (të prejardhjes) të disa dinastive të vogla.
Po kështu, historia na tregon se pas kohës në të cilën marrim rishtas njoftime për këtë vend, ai banohej nga një popull që nuk fliste sllavisht, por një gjuhë që quhet shqipe dhe shpejt ky popull u bë aq i fortë, saqë shpërtheu përtej kufijve të tij e gjatë shumë shekujve ndërmori shtegtime masive në të gjitha drejtimet.
Madje ka shumë të ngjarë që, po të mos ishte pushtimi që u vuri një pritë të fuqishme, këto shtegtime do të kishin vazhduar një kohë edhe më të gjatë.
Në kohën tonë ky popull kufizohet mprehtësisht me fqinjët e tij sllavë si në lindje dhe në veri dhe në mesin e vendit elementi sllav është zhdukur tërësisht; por, nga ana tjetër, në pjesën e mesme të këtij vendi u dynd një element tjetër i huaj, ardhësit sllavë.
Nga sa u tha këtu del se Shqipëria dikur, duhet të jetë ndodhur në të njëjtat rrethana lidhur me elementin sllav, si Greqia, dhe se për këtë arsye historianët e saj janë të detyruar të pranojnë një periudhë sllave.
Por, në qoftë se banorët e hershëm sllavë të Shqipërisë i kanë bërë vend aty një populli tjetër, të ndryshëm prej tyre, dhe tani ky popull është zotërues i vetëm e i padiskuueshëm i bërthamës së këtij vendi, atëherë lind një pyetje tjetër lidhur me kombësinë e këtij vendi.
Ç’ janë shqiptarët?
A rrjedhin ata nga banorët e lashtë të këtij vendi dhe koha sllave është vetëm një ndodhi në historinë e Shqipërisë, apo edhe ata si sllavë kanë ardhur në këtë vend në kohën historike dhe formojnë shtresën e tretë të popujve, e cila gjendet sot në truallin shqiptar dhe nuk lidhet me ndonjërën nga shtresat e mëposhtme.
Këta qeveriseshin nga prijës vendas, kurse linkestët gjendeshin nën sundimin e Arrabeut, që ishte nga fisi i bakiadeve.
Nga epiriotët, më në fund, ishin molosët, nën Pirron, birin e Akilit, që siç del, ishin thesaliotë. Të tjerët qeveriseshin nga prijës vendas. Herë njëri e herë tjetri, nga këto qytete të vogla arrinin të sundonin mbi të tjerët, derisa, më në fund, të gjithë ranë nën sundimin e maqedonasve, me përjashtim të një rripi të vogël tokë në bregdetin jonian.
Tani Linkestia, Pelagonia, Orestia dhe Elemia quheshin Maqedoni e Sipërme. Disa e quajnë Maqedoni edhe tërë vendin deri në Kërkyrë (Korfuz), duke u bazuar në faktin që prerja e flokëve, dialekti, veshja e të tjera ishin të ngjashme.
Të afërmit veriorë të këtyre pellazgëve, që banonin në Epir, Maqedoni dhe Iliri ruajtën gjuhën e tyre derisa erdhën bullgarët në Maqedoni dhe serbët në Iliri, dhe ajo që mbijetoi nga mbeturinat pellazge në ato vende kaloi edhe gjuhësisht tek adhësit. Shqipëria gjithashtu u mbishtresua nga serbët e bullgarët, por këtu elementi i popullit të lashtë ngadhënjeu mbi ardhësit dhe i asimiloi edhe gjuhësisht. Nga kjo pikëpamje shqiptarët e meritojnë emrin pellazgë të rinj, të paktën po aq sa edhe grekët e rinj emrin e tyre dhe kjo nuk është e vogël si dëshmi për drejtësinë e asaj që emri i lashtë i shqiptarëve u ruajt në gjuhën e ndonjë populli të huaj.
Çifutët grekë, vllahë, turq dhe arabë që jetojnë në Levant i quajnë shqiptarët peleshtim domethënë pellazgoi dhe gjermanisht Filister. (Johaness Georg von Hahn)
Shumë vjet pasi kishte botuar Albanische Studien, Hani bëri një udhëtim nëpër Shqipëri të Veriut, të cilën e përshkroi në një vepër të veçantë.
Në faqen 13 të kësaj vepre thotë:
“…edhe sot e gjithë ditën, krejt fushën që shtrihet në breg të detit, midis grykës së Matit e të Erzenit bashkë me luginën e Tiranës që shtrihet në lindje të saj vendasit e quajnë, Arbën; në këtë krahinë jo vetëm ka një katund që mban këtë emër, po këtu gjenden edhe tri qytete të vjetra: Ishtmi, Preza dhe Ndërrenja dhe Tirana, e cila është ndërtuar pas vdekjes së Skënderbeut dhe konsiderohet si kryevendi i sotëm i Arbënit.
Në këtë fushë ka, përveç këtyre, 22 katundeve me popullsi të përzier, dhe nja aq me popullsi muhamedane, dhe me to shkon dhe Kep Rodoni bashkë me gërmadhat e kullës së Skënderbeut.”
Në faqen 15 ai shton: “Gjithë fusha e arqipeshkvisë së Durrësit quhet Arbëni.”
Më 1854 Johan Georg fon Hani, dijetari që shikohet me të drejtë si babai i albanistikës, tezën e tij rreth burimit ilir të shqiptarëve e të shqipes e zgjeroi me anën e një vështrimi edhe të situatës etnografike të Ballkanit të vjetër.
Në lidhje me atë ai në kryeveprën e tij shkruan Albanesische Studie formuloi këto teza:
1. Epiriotët e maqedonasit edhe në kohën e Strabonitt ishin jogrekë, ose barbarë. 2. Epiriotët, maqedonasit e ilirët janë farefis në mes tyre. 3. Ka shumë shenja që epiriotët e maqedonasit përbënin thelbin e fisit tireni-pellazgjik, skajet më të tutjeme të të cilit në Itali e në Traki hyjnë brenda në histori. 4. Ilirishja e vjetër është gjuhë pellazgjike në një kuptim më të gjerë.
Me këto teza Hani, tek ilirët si të parët e shqiptarëve, përfshsin dhe epiriotët e maqedonët, e të gjithë këta popuj i bën të ardhur prej pellazgëve.
Teoria e tij si tërësi, me gjendjen e sotme të kërkimeve arkeologjike e gjuhësore, në disa anë del e drejtë, në disa përgjithësime që bën nuk mund të qëndrojë, po në analizë të fundit përmban një thelb pjellor e të vërtetë.
Vlerësimi i Eqerem Çabejt për Babain e Albanologjisë:
“Hani vlerësohet si themeluesi i albanologjisë në kuptimin e vërtetë shkencor të kësaj fjale. Ai është i pari që u mor tërësisht me studime shqiptare, që nuk i trajtoi studimet për shqipen dhe për Shqipërinë në mënyrë anënsore, duke u nisur nga fusha të tjera studimore. Por ai iu kushtua drejtëpërdrejtë ghuhës shqipe dhe Shqipërisë, historisë së saj dhe lashtësisë së saj në një mënyrë të përqëndruar në këto objekte. Askush më përpara nuk e kishte bërë në këtë mënyrë.” / KultPlus.com
Faik Konica, studiues dhe kontribuues i çështjes e historisë kombëtare, i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar kishte lindur më 15 mars të vitit 1875 në Konicë, ndërsa vdiq më 14 dhjetor të vitit 1942 në Uashington të SHBA-së.
Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.
Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.
Duke qenë i tillë, fjala e tij është e pavdekshme dhe thëniet e tij duket sikur janë shkruar sot.
KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të Konicës:
-Sot kanë dalë ca zuzarë, që u lindën shqiptarë, e punojnë natë e ditë që të mbetemi pa dritë. Është turp që prej kësi krimbash të mundohet një komb trimash”.
-Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej: ‘Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët.’
-Sa lehtë përdorë njeriu fjalë të mëdha për të fshehur nën ‘to intriga e për të shfrytëzuar zemërime të veçanta.
-Njerëzit e paditur, në shumicë, rrojnë më tepër se të diturit, se këtyre u punon nat’ e ditë mëndja e ashtu u prishet më shpejt organizmi.
-Instinkti kombëtar është konkluzioni që një popull nxjerr nga shumë shekuj përvojë. Ky instinkt nuk të gabon asnjëherë.
-Rinia është e çiltër dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve.
– Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin (Albania 4, 1906).
– Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (gjer në fund të botës); edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë. (Albania 1, 1897)
– Grekët kanë një armë të frikshme: pabesinë (Albania 2, 1897).
– E vërteta nuk ka nevojë për stil gjarpërues e të yndyrshëm të shkrimeve akademike. (Albania 2, 1897).
– Ka qenie tek të cilat ndjenja e humorit nuk e ka forcën e duhur (Albania 2, 1897).
– Fisnikëria dhe thjeshtësia mund të jenë cilësi kudo gjetkë, kurse në poezi janë antipasta të dëmshme. Çka i kërkohet poetit, poetit të vërtetë, është të shkaktojë një dridhmë të re, të flasë një gjuhë që të tjerë nuk e kanë folur, të ngacmojë ndijime që të tjerë nuk i kanë. (Albania 2, 1897).
– Bijtë e shqipes nuk merren vesh me bijtë e gjarprit (Albania 2, 1897).
– Gazetarët janë njerëz spiritualë dhe të dashur (Albania 5, 1897).
– Xhelat je se të pëlqen të jesh (Albania 8, 1897).
– Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme (Albania 9, 1898).
– Nga lartësia e piedestalit ku zuzarët kapardisen me poza gjysmë-perëndish, ne do t’i asgjësojmë me një të goditur. A bon entendeur, salut! (Kush të dojë, le ta kuptojë) (Albania 9, 1898).
– Drejtësia i takon fushës së ëndrrave; vetëm forca mbisundon (Albania 11, 1898).
– Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij (Albania 11, 1898).
– Një shkrimtar duhet gjykuar më shumë nga cilësia se sa nga sasia (Albania 11, 1898).
– Popujt që ushqehen me perime e produkte qumështi kanë përgjithësisht zakone shumë të buta. (Albania 11, 1898).
– Një popull që është i paaftë të afirmojë vitalitetin e vet, është në rrugë të pashmangshme tatëpjete (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
– Ka mënyra të ndryshme për t’i shërbyer një vendi dhe gjithkush i shërben në mënyrën që i përshtatet më mirë karakterit të tij. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
– Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
– Sharjet e kundërshtarit të nderojnë (Albania 16,15-31 korrik 1889).
– Ka njerëz që shiten tek një qeveri për të pështyrë gënjeshtra. (Albania 16,15-31 korrik 1898).
– Ai që i bën vërejtje dikujt si i edukuar keq, tregon nga ana e tij një edukim të paktën po aq të keq. (Albania 16,15-31 korrik 1898).
– Mund të jesh njeri vulgar e të thuash do gjëra të arsyeshme (Albania 16,15-31 korrik 1898).
– Më mirë të jesh një i egër i ndershëm, se sa një i qytetëruar i poshtër (Albania 16,15-31 korrik 1898).
– Të gjitha vendet kanë tradhtarët e tyre të ndyrë (Albania 24, 15-28 shkurt 1898).
– Lëvdata shpesh e ka brenda prapamendimin. (Albania 26, suplement 4, 5-30 prill 1899).
– Pakorrigjueshmëria e një alkooliku është simptoma më e njohur e një çrregullimi mendor (Albania, 15-30 qershor 1899).
– Ka shpesh personazhe vlera e të cilëve, zmadhuar nga larg, shfaqet më e vogël tek shihet nga afër. (Albania, 10 shtator 1900).
– Nuk mund të gjykohet për tokën para se të mbjellësh ( domethënë: toka e mirë njihet kur hedh farën (Albania, 31 maj 1901).
– Shumë broçkulla edhe u falen politikanëve, por pa kaluar kufijtë (Albania 20 qershor 1901).
– Sa më shumë të mbahen fjalime parlamentare aq më i paktë është zotimi (Albania 20 qershor 1901).
– Historia nuk është veçse një rifillim i përjetshëm (Albania, 10 korrik 1901). / KultPlus.com
Nga kujtimet e shqiptarëve të larguar prej më shumë se një shekulli thuhet se Naum Konzha nga Gjirokastra ka qenë i pari, ose ndër të parët shqiptarë që ka mbërritur në Australi në vitin 1870.
Më pas mbërritën edhe emigrantë të tjera, sepse siç zakonisht ndodhte emigrantët ndihmonin njëri-tjetrin dhe tërhiqnin edhe familjet e tyre. Komuniteti u shtua dhe u shumua. Sot shqiptarët janë të integruar në jetën e vendit dhe gëzojnë të njëjtin status juridik si të gjitha pakicat e tjera etnike që jetojnë dhe punojnë atje.
Në Viktoria janë hapur katër shkolla të gjuhës shqipe në disa zona. Shteti australian financon mësimin e gjuhës plotësuese me kurse të zhvilluara një herë në javë, por kjo mundësi nuk është shfrytëzuar sa duhet nga shtetasit shqiptarë. Kjo ka ndodhur, sepse nuk është arritur numri i mjaftueshëm i nxënësve, pavarësisht se mundësitë dhe kushtet për zhvillimin e mësimit janë krijuar.
Para pak vitesh tri shkolla të gjuhës shqipe janë mbyllur. Prindërit shqiptarë nuk tregojnë një interes të lartë për tí mësuar fëmijëve gjuhën amtare. Për shembull në Greqi jetojnë shumë shqiptarë dhe gjuha shqipe sipas shifrave duhet të ishte gjuhë e dytë, por pavarësisht se ekzistojnë shumë shkolla mungon interesi. Gjithashtu edhe në Turqi, ku pjesa më e madhe e shqiptarëve të emigruar shekuj më parë pothuajse janë asimiluar.
Vala tjetër e emigrimit në Australi ishte në vitin 1960 kryesisht shqiptarë nga Maqedonia, Kosova dhe Mali I zi. Vala tjetër e emigrimit ishte sërish nga Kosova në vitin 1990. Më pas edhe shqiptarë të tjerë emigruan në vitin 1990.
Sipas regjistrimit të popullsisë të bërë nga shteti Australian rezultojnë se në këtë vend jetojnë 13.141 shqiptarë. 2396 prej tyre janë shqiptarë të lindur në Shqipëri. Sipas rezultateve zyrtare janë afërsisht 8000 shqiptarë që flasin shqip, por këto të dhëna nuk janë shumë të sakta.
Sipas të dhënave të mbledhura nga komunitetet shqiptare llogaritet se në Australi janë rreth 20 mijë shqiptarë.
Babai i profesorit të njohur në Australi në shkencat e mjekësisë, Avni Sali emigroi nga Voskopoja e Korçës. Profesor Avni Sali ka lindur në Sheparton, por ndihet shqiptar. Karriera e tij është shumë e larmishme dhe ai është një ndër shqiptarët më të suksesshëm në Australi.
Avni Sali u emërua si profesor dhe u bë Dekan Themelues i Shkollës së Lartë të Mjekësisë Integruese në Universitetin e Teknologjisë Swinburne (Melburn) nga viti 1996 deri në mbylljen e tij në 2005.
Në 2005, Sali themeloi Institutin Kombëtar të Mjekësisë Integruese (NIIM), një “organizatë jo fitimprurëse që kryen kërkime dhe mësimdhënie në Mjekësinë Integruese”.
Gjithashtu më parë nga viti 1983, Sali ka qenë në bordin e drejtorëve të “Gawler Cancer Foundation”, themeluar nga Ian Gawler. Ai shërbeu si president midis 1999 dhe 2002. Ai është gjithashtu president i Këshillit Ndërkombëtar të Mjekësisë Integruese.
Në 1992, Sali bashkë-themeloi Shoqatën Australasian Integrative Medicine (AIMA), ku shërbeu dy vjet si president dhe kaloi vitet e mbetura si anëtar bordi.
Në vitin 2009, Sali u emërua profesor nderi në Universitetin e Queensland. Që nga viti 2013 ai është profesor në Institutin Cairnmillar në Melburn./ Marre nga “Thesari”./ KultPlus.com
Kjo tendencë e shqiptarëve për të kyçur paratë e tyre në banka nisi që prej vitit të kaluar me përhapjen e Covid n19 si rrjedhojë e pasigurive të shtuara.
Depozitat bankare janë zgjeruar ndjeshëm gjatë majit, duke mos ndalur rritjen.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në maj totali i depozitave bankare arriti në 1.13 trilionë lekë apo rreth 9.1 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 7 miliardë lekë më shumë se kundrejt prillit të këtij viti.
Ndërsa me bazë vjetore, pra kundrejt majit të vitit të shkuar kur ishte edhe kulmi i pandemisë, kursimet janë rritur me rreth 84 miliardë lekë apo rreth 690 milionë euro më shumë, raporto TCH.
Kjo tendencë e shqiptarëve për të kyçur paratë e tyre në banka nisi që prej vitit të kaluar me përhapjen e Covid n19 si rrjedhojë e pasigurive të shtuara, teksa ndikim dha edhe zbatimi i masave kufizuese pasi vendet e huaja kufizuan lëvizjet dhe si pasojë u ul edhe mundësia e shqiptarëve për të shpenzuar.
Nga ana tjetër, kjo rritje e fortë e kursimeve është ndikuar edhe nga mungesa e investimeve, pasi shumë biznese i kanë ngrirë ato dhe nuk po kryejnë investime të reja si pasojë e goditjes që shumë sektorë morën nga pandemia.
Gjatë muajit majit depozitat bankare janë udhëhequr nga depozitat në valutë, ndryshe nga viti i kaluar kur që u dominuan nga monedha vendase, ku shtimi i tyre u ndikua si ng segmenti i individëve ashtu edhe nga korporatat e tjera jo financiare.
Ndërsa në lekë, rritja erdhi kryesisht nga kursimet e individëve kryesisht përmes depozitave pa afat, duke i bërë ato lehtësisht të tërheqshme në çdo moment./KultPlus.com
At Donat Kurti, një ndër folkloristët më të njohur shqiptarë, që aktivitetin e tij e zhvilloi në malet shqiptare, kryesisht në Dukagjin, në veprën “Doke e Zakone Shqiptare”, botuar pas vdekjes së tij nga françeskanët shqiptarë, në fund të çdo kapitulli vendos besëtytnitë që lidhen me të.
Kështu, në fund të kapitullit “Miqsija në Dukagjin”, në pikën e katërt, ai shkruan:
Besëtytni në lidhni me mik.
– Kur gatojca (gruaja që po gatuan), tuj ngjeshë brumin e bukës, len pa dashtë në gisht nji quk (pak) brumë, thohet se vjen nji mik (Dukagjin).
– Kur, tuj u ndezë krandet (drunj të hollë e të thatë që përdoren për të ndezur zjarrin) në zjarm, çohet nji krande piripuq përpjetë e jep flakë të shpejtë, thohet se vjen nji mik (Dukagjin e Malsi e Madhe).
– Kur grueja bjen në sofër nji lugë ma tepër, thohet se vjen nji mik (Malsi e Madhe).
– Kur, tuj u çue enët prej sofret, bjen gabimisht nji lugë për tokë, thohet se miku asht çue pa u ngi (ngopë). (Malsi e Madhe).
– Kur, tuj hanger në sofër, harron ndonjeni nji kafshatë bukë në njenen anë, thohet se do të vijë nji mik në atë mbramje, në kjoftë mjesditë, do të vijë nesër (Shkodër).
– Kur grizhla gërzhatë (bërtet) n’oborr të shpisë, sidomos nade, thohet se me siguri do të vijë ose nji mik, ose nji lajm (Shkodër e Malsi e Madhe).
– Kur në darkë, ndërsa gjindja e shpisë janë tuj hangër bukë, këndon gjeli nji herë, thohet se mrenda pak ditëve des nji mik; në kjoftë se këndon dy herë, thohet se desin dy (Mirditë e Dibër).
– Po u rrxue pula prej vendit ku asht tuj pushue, thohet se humbet nji mik (Malsi e Madhe).
– Me këndue pula thohet se ka me pas dëm shpija, asht mirë me e mbyt pulen për mik (Malsi e Madhe).
– Me hungrue qeni thohet se des nji rob ose nji mik (Shkodër).
Kështu, në fund të kapitullit “Fëmijët në familje”, në pikën e tretë, ai shkruan:
Besëtytni në lidhni me të lem të fëmijve
Fëmijës, një ditë mbasi ta ketë falë Zoti, i jepet me pi ujë me pak hi brenda, që mos me e marr më sysh (Mirditë).
Në rast se një mik harron në at’ shpi ku nji grue asht me barrë, nji fyshek, që, pa dashtë, i ka ra prej rrethit a qemerit, ose harron kutinë e duhanit, ose pipin, thohet se me siguri ka me lind nji djalë (Mirditë).
Kur shkojnë gratë me vizitu gruen që ka lind e fëmijën, lyejn përpara majen e gishtit me pështymë e, tuj thanë “Marshallah” i prekin buzën fëmijës (Dibër).
Për mos me marrë më sysh fëmija, e zhigasin (e ngjyejnë) në fytyrë më dy – tri danga (njolla) të zeza e i varin nji pare ndër flokë (Dibër).
Kur lahet fëmija për herë të parë, thehet në ujë nji kokërr vë (vezë) dhe e përziejn me ujë (Dibër).
Ndërsa në pikën e katërt Atë Donati shkruan:
Fjalë t’urta
Ku asht fmija, gëzohet shpija.
Kur len (lind) vajza, kjajnë hatllat e shpisë (Malsi e Madhe).
Kollomoqi i vonë i lopve, djali i vonë i shokve (Dukagjin).
Djali i plakut, vaji i sokakut (Has).
Djali pa nanë si nata pa hanë.
Gjysë asht pak, nji asht tepër (për vajzat, Shkodër). / KultPlus.com
Temperaturat e larta dhe Festa e 1 Majit, ka shkaktuar nisjen e shqiptarëve të Kosovës në bregdetin shqiptar.
Fundjava ka sjelur një fluks kosovarë në pikën kufitare të Morinës.
Dalja nga pika kufitare në Morinë(Vërmicë) sipas Qendrës për Menaxhimin e Kufirit zgjat 15-20 minuta, teksa kolona të veturave ka në një gjatësi deri në 70 metra.
Temperaturat e larta dhe Festa e 1 Majit, ka shkaktuar nisjen e shqiptarëve të Kosovës në bregdetin shqiptar.
Vetëm deri në mesditën e së premtes mbi 5600 qytetarë kanë kaluar pikën kufitare në drejtim të Shqipërisë.
Ndër të tjera mësohet se përveç qytetarëve që kanë zgjedhur Shqipërinë për pushime, ka dhe shumë të tjerë të cilët vijnë për arsye pune. /gazetaexpress/ KultPlus.com
Andrew Testa është një fotograf anglez që ka kapur momentet më të vështira të shqiptarëve të Kosovës, gjatë kohës së luftës në fund të viteve të 90-ta, shkruan KultPlus.
Historia dhe përjetimet e këtij vendi, e kanë përcjellur për shumë vite këtë fotograf, i cili që nga ajo kohë është kthyer shpesh herë për ta vizituar Kosovën.
Thuhet se “Një fotografi vlen sa një mijë fjalë” dhe ky fotograf ka përdorur imazhet e fotografive për të treguar historinë e njerëzve të këtij vendi, në përudhen më të vështirë. Ai ka kapur disa momente të refugjatëve kosovar që në fund të muajit mars ishin nisur për në Maqedoni. KultPlus ju sjellë një fotografi të asaj kohe.
Kjo fotografi më shumë se gjithçka tjetër tregon fatin e fëmijëve në luftë, që mbi vete marrin përgjegjësitë dhe dhimbjen që në rrethana normale do duhej të mbahej larg syve të tyre. Në rrethanat e asaj kohë, ata bëhen personazh i fatit të dhimbshëm. Kjo fotografi paraqet një vajzë të vogël e cila shihet e ulur shumë pranë nenës së saj dhe përpiqet që ta ngushëlloj atë. Lidhur me këtë fotografi, autori Testa kishte shkruar se fotoja është shkrepur atëherë kur refugjatët janë ndalur për të pushuar pas kalimit në Maqedoni përmes rrugës hekurudhore. Fotografia është shkrepur më 31 mars të vitit 1999.
“Ushtarët serbë i kishin detyruar ata të largoheshin nga treni dhe kishin konfiskuar pasaportat e burrave dhe kartat e identitetit. Një vajzë e re përpiqet të ngushëllojë nënën e saj”, shkruhet në përshkrimin e fotografit./ KultPlus.com
Dhe askush nuk mund ta parashikojë dot fundin e kësaj mbretërie të terrorizmit absolut, sepse Shqipëria është një vend i humbur, sepse shqiptarët janë një popull i humbur, pa një shtresë të vërtetë udhëheqëse, të dënuar të enden përjetësisht në një rreth të mbyllur…
Tashti, para lamtumirës, dua t’ju kujtoj se e gjithë kjo që na duket se e shikojmë është sa e madhërishme, aq edhe e tmerrshme!… Ju mos e bëni më të padurueshme, gjer në shkatërrim!… Dhe mos harroni!… Diktaturat nuk i kemi lënë pas!…
Diktaturat më të tmerrshme, të ngarkuara edhe me shkencë, do t’i keni përpara!… Mendohuni mirë… Për të mirën tuaj dhe të atyre që do të vijnë!…
Populli shqiptar i ka përshkuar shekujt duke punuar si trim dhe i talentuar; ai kapi lartësitë e Republikës Greke, ato të Mbretit të Persisë dhe të Babilonit.
Me ndihmën e Princeshës së Maqedonisë, ata i dhanë fund pushtetit të Romës, hoqën qafe mizoritë e Tarantinit, frenuan për një farë kohe në emër të krishtërimit përparimin e shpejtë të islamit.
Ata mbrojtën fronin e Mbretit të Siçilisë, ngritën atë të Greqisë, dhe përsëri atyre kurrë nuk iu dha mirënjohje për atë që i dhanë historisë. / KultPlus.com
Johan Georg von Han (1811-1869) lindi me 11 korrik 1811 në Frankfurt am Main. Ishte albanolog gjerman dhe diplomat në shërbim të Austrisë. Më 1847- 1850 ishte nënkonsull i Austrisë në Janinë për Shqipërinë e Poshtme, ku punoi për zotërimin dhe studimin e gjuhës shqipe.
Ndërmori një udhëtim të gjatë në krahinat perëndimore të Shqipërisë deri në Shkodër.
Botoi veprën: “Albanische Studien”, Vjenë 1854 (Studime shqiptare), në 3 vëllime që njihet një nga veprat kryesore. Në këtë vepër ai thekson se mjaft emra vendesh të viseve shqiptare ishin vazhdim i emërtimeve të dikurshme ilire.
Ai zbuloi fjalëformuese ilire që janë emrat e sotëm të shqipes. Arriti në përfundimin se shqipja është vazhduese e dretëpërdrejtë e ilirishtes.
Hani konstaton: “ Kufiri i sotëm i dy dialekteve të shqipes ndërmjet gegërishtes e toskërishtes kalon përgjatë përgjatë lumit të Shkumbinit, ashtu si ndahej në lashtësi Iliria me Epirin gjatë rrugës Egnatia.”
Vepra e dytë: “Reise durch die Gibite des Drin und Vardar”, 1867 (Udhëtime nëpër viset e Drinit e të Vardarit), si dhe “Studime për gojëdhënat, Përrallat greke e shqiptare” në 2 volume.
Konkluzionet e Hanit në fushën e gjuhësisë u mbështetën nga Demetrio Kamarda, filolog italian me origjinë shqiptare, nëpërmjet një gramatike që botoi në Livorno më 1864.
Në fushën e etnografisë konstatoi “Kanunin e Lekë Dukagjinit” në viset veriore dhe “Kanunin e Skënderbeut” në Mat e Dibër. Vëll. II e III i “Studimeve shqiptare” u kushton kryesisht çështjeve të gjuhës.
Shkroi më gjerë për prejardhjen e shqipes; për këtë ai shfrytëzoi edhe burimet antike greke që bënin fjalë për karakterin jo grek të ilirëve, epirotëve dhe maqedonasve.
Ai shfrytëzoi toponiminë dhe vërtetoi se mjaft emra vendesh shqiptare ishin emërtime të dikurshme ilire. Hani arriti në përfundimin se shqipja është vazhduese e njërit prej dialekteve të vjetra të ilirishtes dhe ishte i mendimit se ilirishtja është gjuhë pellazgjike.
Sipas tij ilirët ishin një nga degët themelore të popllsisë paleoballkanike që qëndronte më vete përballë grekëve të vjetër.
Ai ishte i vendosur për autoktoninë e shqiptarëve.
Gjatë studmeve të tij rreth Shqipërisë, ai shtronte pyetjen:
“Nëse populli i fuqishëm shqiptar që sot mbush tërë Epirin e Vjetër e të Ri, që nuk dinë sllavisht, si dhe një pjesë të Ilirisë në kuptimin e ngushtë, është pasardhës i ardhësve sllavë apo është pasardhës që u rrit natyrshëm dhe shpërtheu me forcë nga një bërthamë jetësore, e pashkatërrushme, e asaj popullsie të lashtë epiriote, që u robërua nga falangat dhe legjionet, që u spërkat nga elemente sllave, por që nuk u nënshtrua plotësisht.”
Rreth kësaj çështjeje mund të hedhë dritë të mjaftueshme vetëm historia e kontinentit ilirik dhe analiza filologjike e gjuhës shqipe, çështje të cilat qaseshin në veprën e tij.
Ai i dha një sfond gjuhësor shqipes nëpërmjet veprës së tij, “Albanische Studien”, ku në atë punim ka rreth 6000 fjalë dhe vetë fragmentet historike janë renditur dhe plotësuar me aq art, saqë, më në fund u zbuluan konturet e paqarta të historisë kombëtare të shqiptarëve, të cilat kishin munduar bashkohësit e tij albanologë.
Studime shqiptare
A janë autoktonë shqiptarët?
Shqipëria nuk ka një histori të pandërprerë. Si në botën e re dhe të vjetrën emri i këtij vendi del vetëm atëherë kur rrjedha e ngjarjeve në të lidhet ngushtë me të fqinjëve të saj; sapo pushon ose sapo vihet në dukje kjo lidhje, vendi futet prapë në errësirën e tij të lashtë e kështu ndosh që një histori e tërë e brendshme kufizohet vetëm në disa fragmente, që sillen rreth disa përsonaliteteve të shquara ose rreth një peme gjenealogjike (të prejardhjes) të disa dinastive të vogla.
Po kështu, historia na tregon se pas kohës në të cilën marrim rishtas njoftime për këtë vend, ai banohej nga një popull që nuk fliste sllavisht, por një gjuhë që quhet shqipe dhe shpejt ky popull u bë aq i fortë, saqë shpërtheu përtej kufijve të tij e gjatë shumë shekujve ndërmori shtegtime masive në të gjitha drejtimet.
Madje ka shumë të ngjarë që, po të mos ishte pushtimi që u vuri një pritë të fuqishme, këto shtegtime do të kishin vazhduar një kohë edhe më të gjatë.
Në kohën tonë ky popull kufizohet mprehtësisht me fqinjët e tij sllavë si në lindje dhe në veri dhe në mesin e vendit elementi sllav është zhdukur tërësisht; por, nga ana tjetër, në pjesën e mesme të këtij vendi u dynd një element tjetër i huaj, ardhësit sllavë.
Nga sa u tha këtu del se Shqipëria dikur, duhet të jetë ndodhur në të njëjtat rrethana lidhur me elementin sllav, si Greqia, dhe se për këtë arsye historianët e saj janë të detyruar të pranojnë një periudhë sllave.
Por, në qoftë se banorët e hershëm sllavë të Shqipërisë i kanë bërë vend aty një populli tjetër, të ndryshëm prej tyre, dhe tani ky popull është zotërues i vetëm e i padiskuueshëm i bërthamës së këtij vendi, atëherë lind një pyetje tjetër lidhur me kombësinë e këtij vendi.
Ç’ janë shqiptarët?
A rrjedhin ata nga banorët e lashtë të këtij vendi dhe koha sllave është vetëm një ndodhi në historinë e Shqipërisë, apo edhe ata si sllavë kanë ardhur në këtë vend në kohën historike dhe formojnë shtresën e tretë të popujve, e cila gjendet sot në truallin shqiptar dhe nuk lidhet me ndonjërën nga shtresat e mëposhtme.
Këta qeveriseshin nga prijës vendas, kurse linkestët gjendeshin nën sundimin e Arrabeut, që ishte nga fisi i bakiadeve.
Nga epiriotët, më në fund, ishin molosët, nën Pirron, birin e Akilit, që siç del, ishin thesaliotë. Të tjerët qeveriseshin nga prijës vendas. Herë njëri e herë tjetri, nga këto qytete të vogla arrinin të sundonin mbi të tjerët, derisa, më në fund, të gjithë ranë nën sundimin e maqedonasve, me përjashtim të një rripi të vogël tokë në bregdetin jonian.
Tani Linkestia, Pelagonia, Orestia dhe Elemia quheshin Maqedoni e Sipërme. Disa e quajnë Maqedoni edhe tërë vendin deri në Kërkyrë (Korfuz), duke u bazuar në faktin që prerja e flokëve, dialekti, veshja e të tjera ishin të ngjashme.
Të afërmit veriorë të këtyre pellazgëve, që banonin në Epir, Maqedoni dhe Iliri ruajtën gjuhën e tyre derisa erdhën bullgarët në Maqedoni dhe serbët në Iliri, dhe ajo që mbijetoi nga mbeturinat pellazge në ato vende kaloi edhe gjuhësisht tek adhësit. Shqipëria gjithashtu u mbishtresua nga serbët e bullgarët, por këtu elementi i popullit të lashtë ngadhënjeu mbi ardhësit dhe i asimiloi edhe gjuhësisht. Nga kjo pikëpamje shqiptarët e meritojnë emrin pellazgë të rinj, të paktën po aq sa edhe grekët e rinj emrin e tyre dhe kjo nuk është e vogël si dëshmi për drejtësinë e asaj që emri i lashtë i shqiptarëve u ruajt në gjuhën e ndonjë populli të huaj.
Çifutët grekë, vllahë, turq dhe arabë që jetojnë në Levant i quajnë shqiptarët peleshtim domethënë pellazgoi dhe gjermanisht Filister. (Johaness Georg von Hahn)
Shumë vjet pasi kishte botuar Albanische Studien, Hani bëri një udhëtim nëpër Shqipëri të Veriut, të cilën e përshkroi në një vepër të veçantë.
Në faqen 13 të kësaj vepre thotë:
“…edhe sot e gjithë ditën, krejt fushën që shtrihet në breg të detit, midis grykës së Matit e të Erzenit bashkë me luginën e Tiranës që shtrihet në lindje të saj vendasit e quajnë, Arbën; në këtë krahinë jo vetëm ka një katund që mban këtë emër, po këtu gjenden edhe tri qytete të vjetra: Ishtmi, Preza dhe Ndërrenja dhe Tirana, e cila është ndërtuar pas vdekjes së Skënderbeut dhe konsiderohet si kryevendi i sotëm i Arbënit.
Në këtë fushë ka, përveç këtyre, 22 katundeve me popullsi të përzier, dhe nja aq me popullsi muhamedane, dhe me to shkon dhe Kep Rodoni bashkë me gërmadhat e kullës së Skënderbeut.”
Në faqen 15 ai shton: “Gjithë fusha e arqipeshkvisë së Durrësit quhet Arbëni.”
Më 1854 Johan Georg fon Hani, dijetari që shikohet me të drejtë si babai i albanistikës, tezën e tij rreth burimit ilir të shqiptarëve e të shqipes e zgjeroi me anën e një vështrimi edhe të situatës etnografike të Ballkanit të vjetër.
Në lidhje me atë ai në kryeveprën e tij shkruan Albanesische Studie formuloi këto teza:
1. Epiriotët e maqedonasit edhe në kohën e Strabonitt ishin jogrekë, ose barbarë. 2. Epiriotët, maqedonasit e ilirët janë farefis në mes tyre. 3. Ka shumë shenja që epiriotët e maqedonasit përbënin thelbin e fisit tireni-pellazgjik, skajet më të tutjeme të të cilit në Itali e në Traki hyjnë brenda në histori. 4. Ilirishja e vjetër është gjuhë pellazgjike në një kuptim më të gjerë.
Me këto teza Hani, tek ilirët si të parët e shqiptarëve, përfshsin dhe epiriotët e maqedonët, e të gjithë këta popuj i bën të ardhur prej pellazgëve.
Teoria e tij si tërësi, me gjendjen e sotme të kërkimeve arkeologjike e gjuhësore, në disa anë del e drejtë, në disa përgjithësime që bën nuk mund të qëndrojë, po në analizë të fundit përmban një thelb pjellor e të vërtetë.
Vlerësimi i Eqerem Çabejt për Babain e Albanologjisë:
“Hani vlerësohet si themeluesi i albanologjisë në kuptimin e vërtetë shkencor të kësaj fjale. Ai është i pari që u mor tërësisht me studime shqiptare, që nuk i trajtoi studimet për shqipen dhe për Shqipërinë në mënyrë anënsore, duke u nisur nga fusha të tjera studimore. Por ai iu kushtua drejtëpërdrejtë ghuhës shqipe dhe Shqipërisë, historisë së saj dhe lashtësisë së saj në një mënyrë të përqëndruar në këto objekte. Askush më përpara nuk e kishte bërë në këtë mënyrë.” / KultPlus.com
Si historian dhe albanolog, francezi Dumont ndërmori një udhëtim nëpër Shqipëri dhe Greqi, nga viti 1870 deri më 1871, për të studiuar ngjashmërinë e antikitetit grek me shqiptarët e malësisë së veriut. Botoi librin “Balkani dhe Adriatiku” më 1875.
Libri pasqyron origjinë e shqiptarëve, tiparet, karakterin, zakonet, gjendjen ekonomike dhe shoqërore etj.
Në këtë vepër, Dumont vë në dukje racën e pastër shqiptare; i bëjnë përshtypje malësorët e Mirditës, Kelmendit e Kastriotit, ndalet në traditat luftarake të tyre dhe thekson, se shumë shqiptarë u rreshtuan në ushtritë e mbretërisë franceze, angleze dhe gjermane.
Gjithashtu, ai shkruan edhe për kontributin e shqiptarëve në revulucionin grek.
Ky popull kaq i panjohur, – shkruan ai, për shqiptarët, – ruan imazhin më të plotë, se çfarë ishin të parët e racës greke dhe latine, gjë që e meriton vëmendjen e historianit…
Nuk ka në Evropë, racë më të lashtë se shqiptarët
Nuk e dimë në mënyrë të saktë, se në sa frymë përbëhet raca shqiptare.
Përpjekjet e rralla për regjistrim që kanë nisur të bëjnë turqit, i ndajnë përherë shtetasit sipas kriterit fetar.
Kështu, almanaku zyrtar i Janinës, botuar më 1871, që përmban – risi vërtet të çuditshme – një statistikë të pjesshme të pashallëkut të Epirit, me sa duket, nuk do që të pranojnë se krahina është e populluar nga grekë dhe nga shqiptarë.
Duke qenë se, kjo racë, shpesh është e përzier me popullsi sllave dhe helebe dhe pëson me shpejtësi ndikimin e tyre, shpesh udhëtari e ka të pamundur të dallojë i sigurt, doke dhe karaktere të ndryshuara brenda disa viteve.
Askush më mirë se Georg fon Han, nuk i ka kuptuar këto vështirësi.
Ky dijetar që sapo humbëm, ia kishte kushtuar jetën studimit të shqiptarëve.
Banoi për një kohë të gjatë në vendin e tyre, sidomos në Janinë dhe Skutari, më pas bëri udhëtime të shumta te gegët dhe toskët.
Nga tërë kërkimet e tij, rezulton se raca shqiptare duhet të përllogarisë rreth një milion e tetëqind mijë frymë gjithsej.
Dhe prapë, kjo përllogaritje bëhet mbi bazën e asaj popullsie që ndodhet brenda për brenda Shqipërisë së Epërme dhe të Poshtme, por në lindje, ajo arrin gjer në kufijtë e Maqedonisë, në Dalmaci, pranë Zarës, mjaft fshatra banohen prej saj; statistika e sllavëvë të jugut, i vlerëson në 46.000 shqiptarë që jetojnë në zonat serbe dhe boshnjake.
Mbretëria helenike përllogarit 173.000, Italia jugore 85.000, që lanë vendin e tyre në shek. XVI.
Nuk ka në Evropë, racë më të lashtë se shqiptarët.
Asnjë dëshmi klasike, nuk flet për epokën kur ata kanë ardhur në gadishullin e Ballkanit; kanë qënë të vendosur aty qëkur, shumë më përpara se pushtuesit sllavë të zbrisnin nga Danubi, pa dyshim që kanë qënë aty, shumë shekuj më parë…
Shqiptari ka një dallushmëri të përkryer: kokë e vogël, hundën fine, sytë e gjallë, të çelur si bajame, qafën të gjatë, trupin të dobët, këmët e gjata dhe të shkathëta, që të kujton tipin e parë të grekut, ashtu siç paraqet skulptura arkaike në mermerët e Eginesë…
Deri edhe te veshja, që të kujton lashtësinë.
Fustanella e bardhë, sjell ndër mend si duhej të ishte pala, që nga brezi, dollakët e gjatë që mbështillnin këmbët deri në gjunjë janë knemide të kohëve heroike.
Veshja nuk është e fryrë dhe valëvitëse, si në kohën e bukur greke, por shihet fare mirë në vazot e stilit të lashtë, se helenët e dikurshëm nuk kishin në këtë pikë zakonet e bashkohësëve të Perikliut…
Pikërisht në Shqipëri, duhet kërkuar sot shpjegimi i kostumeve më të lashta helenike.
Midis fiseve të ndryshme të Shqipërisë, nuk ka lidhje. Ato flasin dialekte pak të ndryshme, kanë emër të përbashët, bashkohen kundër armikut të huaj.
Në kohë paqeje, secili prej tyre rri i mëvetësuarnë mallin e vet. Vendi është i ndarë në klane që administrohen sipas dëshirës ose më mirë, që jetojnë sipas dëshirës, ngaqë fjala “administrohen” nuk shkon në këtë rast.
Asnjë organizim nuk është më i thjeshtë, pleqtë apo plakat merren me çështjet e rralla që mund të paraqiten, për shembull, për kohën kur çohen bagëtitë në kullotë, për ndarjen e këtyre kullotave, për mosmarrveshjet me klanin fqinj, zënkat midis dy banorëve etj.
Nuk ka ligj të shkruar, apo rregull të vendosur…
Kështu ka ndodhur edhe në Greqinë primitive, ku qeverisësit e çdo fisi quheshin pleq… Kur krerët shqiptarë mblidhen në këtë mënyrë, për të marrë një vendim, krijojnë atë çka quhet “rrethi i gjakut”.
Në të shumtën e rasteve, nuk është e nevojshme të zgjidhen krerë të rinj; por kur përmbahen armët dhe vendoset për një ekspeditë të largët, duhet zgjedhur një prijës me shumë autoritet.
Në jetën e një klani të vogël, ideja e principatës s’ka pse ekziston; ajo lind vetiu, sa herë që shqiptarët kanë dashur të ndërmarrin një veprim të përbashkët. Veçse këto veprime kanë qenë gjithnjë afatshkurtra, pa bërë të mundur që mbretërimi të institucionalizohet. / KultPlus.com
Nga zgjedhjet e zhvilluara në Zvicër më datë 7 mars, ishin të shumtë shqiptarët që kandiduan dhe fituan.
Rasti i fundit ka të bëjë me zgjedhjen e dy deputetëve të cilët kandiduan në zgjedhjet e së dielës për Kuvendin e Belmont-Broye, komunë e madhe në Kantonin Fribourg, transmeton KultPlus.
Pas numërimit të votave në mesin e më të votuarve ishin edhe dy kandidat me prejardhje nga Tërrnoci, Ismail Ismaili dhe Valentinë Xheladini.
Ismail Ismaili dhe Valentinë (Ismaili) Xheladini, janë babë e bijë. Ata garuan së bashku dhe tashmë të dy do të jenë përfaqësues në Kuvend dhe do të angazhohen për përfshirjen e bashkëkombasve në politikbërjen e shtetit helvetik si dhe në vendimmarrje.
Ismaili u rizgjodh nga zvicerianët dhe të tjerët me drejt vote edhe për 4 vitet e ardhshme si kandidat i Listës së Partisë Socialiste Zviceriane për këtë regjion. Valentinë (Ismaili) Xheladinini njëkohësisht ishte dhe udhëheqëse e fushatës zgjedhore për PSS në këto zgjedhje.
Valentina për herë të parë garoi në zgjedhje dhe falë shkollimit të saj dhe përkushtimit arriti të zgjidhet deputete në Kuvend dhe të bëhet pjesë aktive në jetën politike të Kantonit Fribourg. / KultPlus.com
Vëllezërit nga Shkodra, Elis dhe Anxhelo Shkoza, jetojnë prej vitesh në Romë, aty ku karrierën dhe veprimtarinë e tyre ia kanë dedikuar muzikës, prej vitesh merren me muzikë ndërkohë që së fundi kanë një shtëpi diskografike të tyren.
Ata drejtojnë një label muzikor (Techpro SRL) dhe qëllimi i tyre është tregu ndërkombëtar italian, por pa harruar edhe atë shqipfolës
Së fundi për ta është folur shumë në media, pasi kanë arritur të bashkëpunojnë me vajzën e artistit Albano Carrisi, Jasminën. Dy djemtë zbulojnë më shumë për këtë projekt në “Shiqpëria live”. “Na u duk bashkëpunim shumë i vlefshëm, Jasmine është një talent në ngjitje. Ne kemi qenë në shtëpinë e tyre, na pritën shumë mirë. Kënga është e gjitha e prodhuar nga ne. Jemi në realizimet e fundit, do të jetë këngë verore, e stilit regatton”.
Madje zbulojnë, se me prodhimet e tyre do të konkurojnë në festivalin e Sanremos, vitin e ardhshëm, pa dhënë më shumë detaje se me cilin këngëtarë do të bashkëpunojnë. Po ashtu, shtojnë se janë në kontakt me “SonyPictures” për disa projekte, që mund të ndikojë që të njihen më shumë ndërkombëtarisht.
Megjithatë, përveç emrave të njohur të artistëve të huaj Elisi dhe Anxhelo nuk kanë lënë pas muzikën shqiptare dhe numërojnë disa bashkëpunime me këngëtarë të muzikës popullore shqiptare.
“Që në fillim kemi pasur bashkëpunime me artistë shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës.” / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
Rumania zë një vend të rëndësishëm në historinë shqiptare. Kjo falë një komuniteti të lulëzuar shqiptar, i cili e bëri Bukureshtin një strehë dhe djep të nacionalizmit shqiptar.
Rumunë dhe shqiptarë, gjuhë binjake
Studimet filologjike për lidhjen gjuhësore ballkanike gjurmojnë kontaktet e para gjuhësore mes proto-rumunëve dhe proto-shqiptarëve në shekujt e parë pas Krishtit, në zonën në qendër të Ballkanit mes Sofjes së sotme, Shkupit, Nishit dhe Prishtinës. Marrëdhënia mes gjuhës shqipe dhe rumune mbetet një temë intersante për gjuhëtarët, e lidhur me çështjen historike të etnogjenezës së popujve.
Dinastia Ghica, princërit e Vllahisë
Familja më e famshme me origjinë shqiptare dhe e paur në Rumaninë e Sotme është ajo e Ghica. Me origjinë nga Velesi, Maqedoni, Ghica ishin tregtarë në Stamboll. Georghe Ghica (1598), i cili u transferua në Moldavi u bë ambasador i Portës së Lartë dhe më pas për pak kohë princi i Moldavisë në 1658-1660. Djali i tij, Grigori Ghica I e pasoi atë në fron ndërsa nipi tij Matei Ghica u bë dragoman (shenim i redaksisë: Në të shkuarën, në Lindjen e Mesme, dragomani ishte një përkthyer i punësuar në marrëdhënie politike dhe tregtare apo dhe si një udhërrëfyes) i Portës së Lartë dhe djali i tij Grigori Ghica II rifilloi Fronin e Moldavisë në 1726, për të kaluar në atë të Vllahisë në 1733. Grigori III dhe Grigori IV e mbajtën fronin deri në pushtimin rus të 1828–34, atëherë Alekandri Ghica II ishte princ dhe më vonë regjent i Vllahisë deri në 1858.
Rumania, djepi i nacionalizmit shqiptar në shekullin e 19-të
Një raport i Habsburgut dëshmon se, në 1595, 15 mijë shqiptarë u lejuan të vendoseshin në veri të Danubit. Në 1628 komuniteti shqiptar u krijua në Bukuresht, dhe shqiptari Vasile Lupu u bë princ i Moldavisë që nga viti 1634. Shqiptarët atëherë njiheshin në rumanisht si Arbănasi / Arbănași, ose si Arnăuți (nga Arnavut Turk).
Komuniteti u forcua në epokën fanariote, kur shumë shqiptarë hapën aktivitete tregtare, posaçërisht dyqane ëmbëlsirash (në 1820 kishte 90 tregtarë nga Arnavutköy në Bukuresht) dhe ishin punësuar si truproje për princat dhe bojaret e Vllahisë.
Në vitet 1800, Bukureshti shërbeu si një pol tërheqës për komunitete të ndryshme Ortodokse nga Ballkani Osman, para së gjithash grekëve dhe bullgarëve, por edhe shqiptarëve. Në Bukuresht, shkollat u hapën dhe librat dhe revistat botuan në shqip shumë më parë se kjo të ishte e mundur në territoret e Perandorisë Osmane.
Lëvizja e Rilindjes Kombëtare e nacionalizmit shqiptar brenda Perandorisë Osmane ishte prodhimtare në Vllahi, falë nismave kulturore të ndërmarra nga Dora D’Istria, Naim Frashëri, Jani Vreto dhe Naum Veqilharxhi, të cilët botuan fjalorin e parë shqip absolut në Bukuresht, në 1844.
Në periudhën e vonë osmane, disa intelektualë shqiptarë zhvilluan një teori historiko-politike sipas së cilës shqiptarët dhe rumunët, “vëllezër gjaku”, duhet të kishin luftuar për çlirimin e ndërsjellë në territoret e administruara ende nga osmanët. Kjo teori u shfrytëzua politikisht nga Austro-Hungaria pas vitit 1897. Në të njëjtin vit Visar Dodani hapi një gazetë në gjuhën shqipe, “Sqipetari”, në Bukuresht në mbështetje të origjinës së përbashkët ilire të shqiptarëve dhe rumunëve dhe luftën e tyre të përbashkët politike.
Komuniteti shqiptar në Rumani numëronte 30,000 në 1893. Në një situatë të tillë, lëvizja për pavarësinë e Shqipërisë mori vrull, e udhëhequr nga Albert Gjika, pretendent i fronit të Shqipërisë. Në vitin 1912, në një kongres pan-shqiptar në Bukuresht të kryesuar nga Ismail Qemali, u miratua rezoluta e parë për pavarësinë e Shqipërisë. Në të njëjtin vit Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), një shqiptar emigrant nga Korça në Bukuresht, kompozoi tekstin e himnit kombëtar shqiptar, Hymni i Flamurit, kënduar në notat e “Steag Pe-al nostru dhe scris Unire” nga rumuni Ciprian Porumbescu.
Rumania ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e Shqipërisë dhe marrëdhëniet diplomatike midis dy kombeve u vendosën në 16 dhjetor 1913. Që nga ajo kohë, të dy vendet kanë zhvilluar lidhje të forta kulturore dhe gjuhësore. Familjet e poetëve Viktor Eftimiu dhe Lasgush Poradeci gjetën gjithashtu strehë në Rumani.
Shqiptarët e Rumanisë në vitet 1900 dhe sot
Pas Luftës së Parë Botërore, një valë e re migratore e shqiptarëve myslimanë nga Jugosllavia iu shtua 20,000 shqiptarëve në Bukuresht (të dhënat 1920). Në vitin 1921, në Ploieşti, Ilo Mitkë Qafëzezi botoi përkthimin e parë të Kuranit në gjuhën shqipe. Shumë shqiptarë u vendosën në Transilvani, duke punuar veçanërisht në industrinë e ëmbëlsirave.
Komuniteti pësoi presionin komuniste duke filluar në 1953 kur shoqata kulturore shqiptare u mbyll; në regjistrimet rumune që atëherë shqiptarët janë kategorizuar në mesin e “të tjerëve”. Të drejtat e humbura u rifituan pas revolucionit rumun në 1989, por numri i njerëzve që deklarojnë veten shqiptarë ra në mënyrë dramatike. Në regjistrimin e vitit 2002 kishte vetëm 520 shtetas rumunë që deklaronin se ishin shqiptarë etnikë dhe vetëm 484 ata të gjuhës amtare shqipe – por numri aktual i komunitetit vlerësohet të paktën 10,000 njerëz, kryesisht ortodoksë dhe banues në Bukuresht dhe të tjerë. Qytete të mëdha si Timişoara, Iasi, Constanța dhe Cluj-Napoca. Që nga viti 1996, komuniteti shqiptar ka pasur gjithashtu një vend të rezervuar në Parlament, sot është përfaqësues i Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë. /eastjournal/ KultPlus.com
Libri “Gjeografia e Republikës së Maqedonisë” e cila përdoret nga nxënësit e vitit të dytë të gjimnazit të reformuar ka përmbajtje skandaloze për shqiptarët dhe prejardhjen e tyre.
Brenda këtij libri shkollor i cili përçon dezinformata të thella për nxënësit e shkollave të mesme, kontestohet prejardhja e shqiptarëve, teksa aty portretizohen si popull që kanë rrjedhur nga vendet e tjera.
“Shqiptarët kanë qenë maqedonas por në kohën e pushtetit osman janë bërë shqiptar. Shqiptarët e Maqedonisë e kanë prejardhjen nga çerkezët, romë dhe turqit”, thuhet në faqen 99 të këtij libri.
Në anën tjetër, aty thuhet që shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur në periudha të ndryshme kohore, duke nisur nga viti 1780, teksa ardhja e tyre konsiderohet se është bërë nëpërmjet formave ç’njerëzore.
Në faqen 104 : “Shqiptarët kanë migruar në Maqedoni, duke i malltretuar fizikisht, duke i vjedhur, duke i kidnapuar dhe duke i vrarë maqedonasit vendas. Shkruan se për këtë shqiptarët i ka ndihmuar qeveria turke”, thuhet në faqen 104 të librit “Gjeografia e Republikës së Maqedonisë”.
Tutje, shqiptarët thuhet se janë okupatorë të Maqedonisë Perëndimore.
“Shqipëria okupatore e Maqedonisë Perëndimore”, thuhet në faqen 103.
Përmbajtjet e tilla dhe servimi i tyre te nxënësit përbën shtrembërim të dijes historike. / KultPlus.com
Fotografi të vitit 1903, nga fshati Zemeno të Korinthisë në Athinë (Ζεμενό Κορινθίας), që banohet nga arvanitasit, që i sjell Arben Lalla, përcjell KultPlus.
Në vitin 1907, banorët e këtij fshati u deklaruan shqiptarë, numri i tyre ishte 526.
Fotografitë: Nga Fred Boissonnas (prill, 1903). / KultPlus.com
Sot, kujtojmë 233-vjetorin e lindjes së Xhorxh Gordon Bajron.
Poeti romantik anglez, Bajroni lindi në Londër më 22 janar 1788 në një familje aristokrate të varfëruar. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait, Bajroni trashëgoi titullin Lord dhe pallatin e çifligun Newstead Abbey. Më 1801 Bajronin e dërguan në Harrow, në shkollë, ku studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Në moshën 18 vjeçare, Bajroni hyri në Universitetin Kembrixhit (Trinity College). Më 1809 zuri vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u shqua për idetë përparimtare. Po këtë vit ndërmori një udhëtim nëpër Evropë.
Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë Jugore, më saktësisht në Janinë, Lord Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Thomas Philips që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar, me titull “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare). Portreti u vendos në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë.
Midis veprave letrare të tij, një vend të rëndësishëm zë poema “Çajld Harold’s” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet të poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj. Poemën e përshkron patosi i luftës për liri të popujve të shtypur e të robëruar. Në të, Xhorxh Bajroni u këndoi traditave dhe zakoneve burrërore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë.
Në letrën dërguar nënës së tij në datën 12 nëntor 1809, midis të tjerash Bajroni shkruan:“…I dua shqiptarët shumë. Të gjithë shqiptaret janë të lindur të ndershëm dhe besnik, janë të ashpër… por janë ndoshta raca më e bukur në botë për nga paraqitja. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh, dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aqe të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frengj, sicilianë dhe anglezë. Nuk më rodhën gjësende, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”
Në vitin 1823 Bajroni u nis për në Greqi ku u bë frymëzues i luftës për pavarësi kombëtare të Greqisë kundër turqve. Nuk arriti të shihte çlirimin e saj sepse u sëmur nga ethet dhe vdiq në Mesolongj, më 19 prill 1824, në moshën 36-vjeçare. / KultPlus.com
Në Kalabrinë e brigjeve të Tirrenit qyteza më e njohur dhe më e rëndësishme e “gjegëve” të zonës është Falconara Albanese.
Në autostradën Salerno-Rexho Kalabria, menjëherë sapo kalon Paola-n (qytezë kalabreze), tabelat rrugore të japin drejtimin për në Falconara e në udhëkryqin e parë drejt saj gjen të shkruar në shqip Fallkunarë.
Mali përballë është guida drejt “gjegëve” të Tirrenit. Kthesat janë aq të shumta, rruga e ngushtë e shtruar mirë, tek-tuk ndonjë makinë, e sy brenda tyre që të shikojnë kuriozisht deri sa humbet pas anës së malit. Herë majtas, herë djathtas, gjithnjë e në ngjitje duke shpresuar që përballë të shfaqet Fallkonara.
Asnjë shtëpi nuk ndesh buzë rrugës, veç nga një anë pyje e nga ana tjetër një masë e pafundme deti e qielli, lidhur në një ngjyrë unike që të lë pa frymë nga bukuria.
Gjendesh gjithnjë e më lart duke iu larguar detit e duke përshkruar malin rreth e qark. Kur mbërrin pothuajse në majë të tij, 700 metra mbi nivelin e detit e krejtësisht në anën e kundërt të asaj pjese që më parë shihte në horizont Tirrenin, shfaqet Fallkunara.
Banorët e parë të Falkunarës ishin shtatë familje shqiptare të ardhur nga Kruja e Shkodra. Quheshin: Musacchio, (pa dyshin Muzaka në shqip), Candreva, Manes, Staffa, Fionda, Scuragreco e Ioschi. Familjet Musacchio, Scuragreco e Ioschi janë zhdukur e veç nga kjo e fundit ka mbetur toponimi i një përroi në rrethinat e Fallkonarës i quajtur “Përroi Josh”.
Legjenda popullore që arbëreshët kanë ruajtur e që i tregojnë çdokujt që i pyet se s’dinë mbi historinë e vendndodhjes së banorëve të parë në këtë tokë, thotë se brigjet e deti Jon qenë destinacioni i këtyre shtatë familjeve të larguara nga Shqipëria për t’i shpëtuar pushtuesve turk. Bregdeti jonik për afërsinë territoriale e lidhjet miqësore midis dy popujve duhej të ishte vendqëndrimi i kërkuar nga ata. Të gjendur në det, stuhia e fortë e një nate i shtyn në ngushticën e Messinës duke i detyruar të ndërrojnë drejtim. Vazhduan udhëtimin duke mos iu larguar bregdetit në kërkim të një toke të sigurt për ti mirëpritur. Ndaluan në afërsitë e Fiumefreddo Bruzzio-s, pronë e princit Girolamo Sanseverino, i cili i priti mjaft mirë duke i caktuar një territor banimi të quajtur “Campo”.
Në këtë pikë legjenda merr disa versione: ai më popullori thotë se një ditë prej ditësh shtatë familjet shikojnë së largmi në det anije turke që i afroheshin brigjeve. Braktisin gjithçka duke iu ngjitur malit gjithnjë e më larg detit. Versioni tjetër thotë se shtatë familjet u përzunë nga banorët e Fiumefreddo-s, të frikësuar nga sulmet e piratëve turk, e nga diferencat gjuhësore, fetare e zakonore. Një tjetër akoma tregon se qenë vetë arbëreshët e ardhur që u larguan nga mikpritja e princit Sanseverino, në kërkim të tokave më pjellore për t’u kultivuar.
“Gjeg” e ujqër takon lehtësisht në atë pjesë të Kalabrisë ku horizonti të ofron çdo ditë panoramën e detit me qiellin në një ngjyrë të vetme, që veçse shikimi i vendaliut arrin t’i japë kufirin ujit e ajrit.
“Gjeg” e ujqër janë banorët shekullorë të maleve në këtë pjesë të Kalabrisë që shtrihet mbi brigjet e detit Tirren. Pyjet e shkurret mesdhetare mbulojnë çdo pëllëmbë toke duke krijuar vendbanimin normal për një kafshë të egër e të shpejtë si ujku, por dhe territorin jetësor dikur perfekt për “gjegët” e zonës. Ky reliev malor, shumë kohë më parë krijoi për ta banesën e domosdoshme e të sigurt nga sulmet e turqve, në një terren që aq shumë i kujtonte vendlindjen.
“Gjegët” janë arbëreshët e Kalabrisë Tirrenike, prej shekujsh popullojnë territore në këtë zonë, duke shënuar fatkeqësisht humbjen e rëndësisë së tyre si minorancë etnike. Disa prej qytezave janë asimiluar me popullsinë autoktone, disa të tjera kanë pasur fatin e shumë fshatrave kalabrezë me një popullsi gjithnjë në pakësim, për shkak të emigrimit të kushtëzuara nga një ekonomi e orientuar veç në blegtori. Po të gjendesh në anën tjetër të Kalabrisë, në atë që laget nga brigjet e detit Jon, realiteti është krejt ndryshe, qytezat arbëreshë janë të shumta, të lidhura mes tyre e më një rol të respektueshëm në jetën sociale-ekonomike të territorit.
Fallkunara ka shumë rrugica të ngushta, që lidhin mes tyre shtëpi e ndërtesa publike. Duke i përshkruar ato habitesh kur ndeshesh me makina që xhirojnë lirshëm në këto hapësira e që më shumë qetësi presin sa ti të spostohesh në ndonjë kthinë porte për t’i lejuar kalimin. Nga rrugët e qytezës, më kryesoret janë: rruga “Jeronim De Rada”, rruga “Felice Staffa”, shkrimtar e poet falkonar, rruga “Nënë Tereza” e sheshi “Skanderbeg”.
I ndodhur në sheshin “Skanderbeg” me kokën e ngritur lart mund të admirosh në distancë një nga pamjet më të bukura të Fallkunarës. Quhet “Castellucio”, vendi piktoresk që çdo banor në shesh të fton ta vizitosh. Është një masë gjigande shkëmbi i lartë 50 metra, pak i përkulur para, që i ngjan një kulle shkëmbi të mbirë nga toka. Nuk është një ndërtim i epokës mesjetare, siç mund të mendosh në vështrim të parë, nuk ka as urë e as kullë brenda tij, është një krijim i natyrës veshur nga të gjitha anët me gjelbërimin e bimëve të zonës. Për t’u ngjitur deri aty mjaftojnë 127 shkallë guri e në pikën e tij më të lartë është vendosur një kryq i madh çimentoje. Pak shkallë poshtë kryqit ndodhet një kishë e vogël “Madona dell’ Assunta” e ndërtuar më 1544, e pranë saj një hark me formën e një kulle ofron përballë dy kambana, që në një anë të tyre shënojnë datën 1757.
Zona ku ngrihet “Castellucio”, quhet nga banorët “Kurtina” emër që i ka nominativ të tillë gjithë lagjes përreth. Çdo vit në ditën e Pashkëve, mblidheshin aty gjithkush që ka marrë pjesë në ceremoninë e quajtur “Motrat” duke konsumuar drekën me bazë vezë të gatuara në furrë, salsiçe e pije vendase. “Motrëmat” është një ceremoni e rizbuluar pak kohë më parë në Fallkonarë, e rinovuar në thjeshtësinë e saj e në respekt të kuptimit të saj autentik. Ashtu siç ndodhte në kohët antike një grup vajzash e djemsh, pasi kanë marrë pjesë në meshën e Pashkës, kanë rrethuar altarin më të lartë të kishës ku është vendosur një kryq.
Mbi të vendosin dorën e tyre të djathtë duke krijuar një grumbullim duarsh. Ceremonia kërkon që lartësia e duarve të arrij atë të kryqit e veç atëherë një djalosh e puthte atë e më pas të gjitha vajzat, që quheshin mes tyre motrëmat, e djaloshi i ri thërritej vëlla. Ky rit që veç një betim ku çdo i ri i premtonte tjetrit e bashkërisht impenjoheshin dikur për ta mbrojtur Shqipërinë përherë nga pushtimi turk. Sot është një thirrje e arbëreshëve ndaj atdheut të tyre, për të vazhduar e për te jetuar në traditat, zakonet, gjuhën e historinë e tyre.
Fallkonara është përbërë si çdo qendër urbane nga lagje, secila e quajtur me emra që kujton shtatë familjet e para që e themeluan si qytezë, por dhe njerëz të rëndësishëm të jetës sociale, fetare e politike të saj, si dhe kushtëzuar nga prezenca e një çezme apo të një kishe.
Por gjitonia është një prezencë e fortë e ende e pranishme jetën e arbëreshëve, një përbërje më intime e më thjeshtë e jetesës urbane të qytezës. Çdo gjitoni ka sheshin e saj ne formë rrethi, me shtëpitë përreth me shkallë jashtë e plot lulemëllage, karafila e lulebore që i zbukurojnë. Mbajnë emra të ndryshëm si “Dera e Baut”, “Mbrunkunxhilli”, “Kasteli”, “Kurtina”, “Kroi i vjetër” etj. Rregulli kryesor i gjitonisë kërkonte e impononte që në raste vdekjesh, fatkeqësisht natyrore, apo nevojëshmëri të rëndësishme të liheshin mënjanë mëritë e grindjet e të jepnin secili kontributin e tyre duke shprehur një solidaritet të sinqertë.
Në sheshin e gjitonisë kujton Mikele ka dëgjuar për herë të parë historinë e princit Skanderbeg, përralla e legjenda të treguara me zërin e pleqve.
Udhëza e bukur, Mbikatundi, Kaprikatundi, Kroj i Bardhë, Shoshi i Djallit, Kaiëndulla, Prroi Markes, Hjimaza, Kori Moll, Fikthi, Shola Belës etj janë disa toponime vendesh rreth e qark Fallkunarës, lidhur secila me një histori antike. /Ora News/ KultPlus.com
Regjistri i sanxhakut të Arvanidit i vitit 1431 është një regjistër kadastral osman i cili i përket gjysmës së parë të shek. XV dhe mbart të dhëna shumë të rëndësishme për toponiminë, demografinë, ekonominë dhe elementin shoqëror të një pjese të rëndësishme të hapësirës shqiptare gjatë kësaj periudhe.
Por, rëndësia e tij e tejkalon historinë e shqiptarëve duke u cilësuar si regjistri më i hershëm i të gjithë hapësirës osmane i zbuluar deri më sot dhe për shumë dekada ka qenë një burim i dorës së parë për të gjithë historianët dhe osmanologët në mbarë botën. Regjistri në fjalë është gjetur nën titullin “Arvanya Sancağının hâs defteri” në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Kryeministrisë në Stamboll për tu përgatitur për botim me titullin “Sûret-i defter-i sancak-i Arvanid” nga osmanologu Halil Inalcik në vitin 1954.
Në aspektin fizik, versioni origjinal i këtij defteri ka përmasat 11:29 cm dhe përbëhet nga 151 fletë, prej të cilave 9 janë boshe. Data e përpilimit të këtij defteri i përket vitit 835 të kalendarit Hixhri i cili përkon me vitet 1431-32. Shënimet që gjenden në cepat e fletëve deri në atë të 45-tën janë dëmtuar e kanë humbur. Përveç këtyre, pjesa tjetër është e lexueshme. Pjesët e dëmtuara në përgatitjen që kemi bërë për botim i kemi treguar si (…). Në anën e mesit të fletës ku fillonte çdo njësi administrative ishin vendosur penj të ngjyrave të ndryshme të cilat mundësonin përdorimin me lehtësi të defterit. (në fletën 23 vërehet pjesa e perit që mbetet brenda fletës). Letra e përdorur është letër filigrani europiane që mbart shenjën e gërshërës dhe kurorës. Për shkrim është përdorur bojë e zezë. Është shkruar me llojin e shkrimit kaligrafik tevki, shkrim me të cilin sipas Inalcik janë përpiluar thuajse të gjithë defterët e shek. XV.
Cilat ishin shkaqet që e bënin të nevojshëm një regjistrim të përgjithshëm të Shqipërisë në vitin 1431?
E dimë se një pushtim i ri bënte të nevojshëm edhe një regjistrim, gjithashtu. Nga ana tjetër, regjistrimet e kryera herë pas here janë të formës së një inspektimi i të ardhurave të shtetit dhe të gjendjes së atyre që i posedonin këto timare. Nisur nga shënimet dhe hyrjet e defterëve, shkaqet e përpilimit të një defteri të ri mund të përmblidhen në këto pika: ardhja në fron e një Sulltani të ri, ndryshimet e përgjithshme që ndodhnin me kalimin e kohës, evidentimi i shtimit ose pakësimit të taksave, rregullime apo ndryshime, dhe më e rëndësishmja, regjistrimi i atyre të ardhurave që kishin mbetur jashtë defterit. Regjistrimet mund të ishin të pjesshme dhe për një zonë të caktuar, ashtu siç mund të ishin edhe të përgjithshme e të përfshinin të gjithë vendin.
Si kryhej regjistrimi? Regjistrimi bëhej nga një inspektor i dërguar prej qendrës me kompetenca të plota për të cilin përdorej termi Emin. Emini së bashku me funksionarët e tjerë të zonës ku do të kryente regjistrimin shëtiste në terren duke i inspektuar dhe regjistruar në vend të gjitha të ardhurat e njerëzit e zonës apo timarit në fjalë. Në përfundim të inspektimit ai i jepte çdo timarliu një vërtetim që i njihte pronën dhe rajatë që kishte në timarin e tij. Çdo posedues timari merrte nga Emini një shkresë e cila tregonte timarin e ri dhe me këtë shkresë të Eminit ai shkonte në qendër për të marrë një Berât të ri nga Sulltani.
Defteri i përmbledhur hidhet në letër të pastër dhe kështu i paraqitet Sulltanit i cili e aprovon atë me hatt-i humayun dhe pasi vuloset paraqitet në defterhane për t’u ruajtur. Kështu, kjo shkresë mbetej në fuqi deri në një regjistrim të ri. Sipas këtij defteri themeltar, kopjet që i jepen bejlerbeut ose kryellogarisë përmenden si suret-i defter. Në këtë kontekst, defteri i Arvanidit që kemi në dorë është një suret ose kopje i defterit të përmbledhur. Në hyrjen e defterit është shënuar se defteri është një “suret”. Nga shënimet anësore dallohet se ky defter ishte ajo që gjendej pranë bejlerbeut të Rumelisë.
Hapësira gjeografike që përfshihet në këtë regjistin e Arvanidit nis nga Kruja për të vijuar në Jug deri në Thesproti dhe në qendër ka Gjirokastrën ku ndodhej edhe selia e sanxhakbeut. Në defter, për Gjirokastrën vërejmë se është përdorur edhe emri vilâyet-i Zenebiş, emërtim që lidhej me praktikën osmane sipas të cilës ato e emërtonin një vend me emrin e zotëruesve të asaj zone. Pra, të Zenebishëve. Njësitë administrative të marra në regjistrim përfshijnë Gjirokastrën, Sopotin, Këlcyrën, Kaninën, Beratin, Tomorricën, Skraparin, Pavlo Kurtikun, Çartallosin dhe Krujën. Parë nga ky aspekt, regjistri na jep të dhëna interesante lidhur me këto vendbanime, emrat e fshatrave dhe popullsinë e tyre gjatë kësaj periudhe. Po ashtu, në regjistër vërehen fshatrat e zbrazura apo të shkatërruara, zona të reja që popullohen rishtas apo edhe zona që kanë qenë të rrënuara por që me kalimin e kohës janë gjallëruar. Madje, nga numri i shtëpive që janë regjistruar është e mundur të jepet edhe një numër i përafërt i popullsisë së këtyre zonave ku duhet thënë se edhe në këtë drejtim ka patur studime të vyera nga studiues të ndryshëm ku mund të veçohet bizantinologu austriak Johanes Koder i cili duke u nisur nga të dhënat që jep regjistri është munduar të paraqesë një numër të përafërt të popullsisë së këtij sanxhaku të kësaj kohe.
Duhet theksuar fakti se thelbi i regjistrimit në fjalë mbetet karakteri ekonomik, pra ishte formuluar për të ndarë në formë timaresh zonat e pushtuara dhe përllogariste shumën e taksave që vilej nga secili timar. Në këtë kontekst, e gjithë hapësira e këtij sanxhaku të marrë në regjistrim rezulton të jetë e ndarë në një numër të përgjithshëm prej 335 timaresh. Sigurisht që timaret më të mëdha u përkisnin shtresave drejtuese. Për shembull subashi i Beratit, Adllu Beu vërejmë se zotëronte një timar të madh me të ardhura që i kalonin 50 mijë akçe. Për këtë arsye edhe radhitja e timarëve të shënuara në regjistër fillonte nga ai që kishte timarin me të ardhura më të mëdha, pra sanxhakbeu. Më pas vijnë subashi e seraskeri. Këto ndiqen nga timarlinjtë ku në krye janë shënuar ata me timaret më të mëdha. Më poshtë vijnë myselemët dhe vojnukët. Nga të dhënat e pasqyruara në timaret e regjistrit, studiuesi e ka të lehtë të përfytyrojë gjendjen ekonomike të viseve shqiptare në fillim të shek. XV, fill pas pushtimit osman, mënyrën nga vinin të ardhurat e timareve si dhe taksat që vileshin në këtë periudhë.
Në aspektin ekonomik, nga regjistri vërejmë se të ardhurat kryesore të timareve të këtij sanxhakut kryesisht vinin nga bujqësia. Kjo vërtetohet edhe nga taksat e shumta që vileshin siç ishin ato të baxhit, (otlak) kullotave, dimërimit, e derrave dhe shumë të tjera që lidheshin në mënyrë të drejpërdrejtë me bujqësinë. Po ashtu, çmimet e bagëtive por edhe të prodhimeve bujqësore pasqyrohen bashkë me çmimet e tyre në këtë regjistër. Këto të dhëna i japin studiuesit mundësinë e krahasimit me indekset e çmimeve të po të njëjtave produkte në vende të tjera prej të cilave mund të përftohen të rezultate të rëndësishme sa i përket historisë ekonomike të kësaj hapësire gjatë gjysmës së parë të shek. XV.
Përveç të dhënave teknike që na paraqet regjistri i Arvanidit, ato çka tërheqin vëmendjen janë të dhënat historike, gjeografike e etnografike. Përmes faqeve të tij, studiuesi mund të konsultojë toponiminë dhe vazhdimësinë e shumë vendbanimeve gjeografike, shtrirjen e territoriale që zinte sanxhaku shqiptar por edhe ngjarje të rëndësishme historike të gjysmës së parë të shek. XV. Për shembull, historiani Inalcik aludon se pikërisht ky regjistrim ishte prej shkaqeve kryesore të kryengritjes së Gjergj Aranitit gjatë viteve 30 të këtij shekulli. Duke u mbështetur edhe Chalkokondyles i cili thotë se Araniti qe varfëruar shumë nga mësymjet turke, Inalcik mendon se Araniti u hodh në kryengritje vetëm pas regjistrimit i cili ia pakësonte pronat që ai kishte patur më herët.
Regjistri në fjalë mbart të dhëna të rëndësishme edhe për vetë heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeun. Siç mësojmë nga shënimet e timareve nr. 314 dhe nr. 335 konstatojmë se shkresat apo ndarja e tokës të fshatrave e zonave të përmendura është kryer me urdhër të tij. Parë nga ky aspekt, të dhënat e këtij regjistri janë një burim i dorës së parë për studimin më në gjerësi të jetës dhe aktivitetit së Skënderbeut po të kemi parasysh faktin se pjesa më e madhe e jetës së tij para vitit 1443 mbetet ende me shumë të panjohura.
Regjistri në fjalë mbart rëndësi të veçantë edhe për aspekte të popullsisë dhe kulturës së zonave të përmendura në të ku veç të tjerash dëshmojmë edhe vazhdimësinë e shumë emrave njerëzish prej periudhës arbërore deri në ditët tona. Parë nga ky aspekt, kjo vepër e botuar tërheq edhe vëmendjen e gjuhëtarëve. Për shembull timari nr. 211 flet për timarin e Bardhit, i cili ishte i biri i Fatmirit. Në këtë kontekst, ekzistenca e një emri të përbërë siç është emri Fatmir tërheq vëmendje dhe kërkon studim si për vazhdimësinë e emrave të tillë por nxjerr në pah edhe zhvillimin e gjuhës shqipe në shek. XV.
Regjistri i sanxhakut të Arvanidit i vitit 1431 është një burim i rëndësishëm edhe për historinë e qyteteve shqiptare të shek. XV. Duhet thënë se historiografia shqiptare paraqet mungesë studimesh për qytetin shqiptar si gjatë periudhës së Mesjetës ashtu edhe në kohët e mëvonshme. Defteri na jep të dhëna të sakta për këto qytete ku vërejmë se në vitin 1431 popullsia e këtyre qyteteve e kasabave bashkë me gjendjen e tyre ekonomike ishte shumë e kufizuar. Në qytetin e Gjirokastrës ku ndodhej edhe selia e sanxhakbeut vërejmë kishte 121 shtëpi, Himara 117, Sopoti 60, Klisura 100, Berati 175 shtëpi dhe secili thuajse kishte pamjen e një fshati të madh (fshati Labovë është 400 shtëpi).
Lidhur me përgatitjen për botim të këtij vëllimi lind nevoja të sqarohen disa elementë. Së pari, përkthimi i defterit nuk është bërë nga origjinali që është osmanisht por nga botimi që ka përgatitur studiuesi H. Inalcik. Teksti i regjistrit është përkthyer prej orientalistit të ndjerë Mykerem Janina në fund të viteve 60’./Shqiptarja.com/ KultPlus.com
Konsumatorët shqiptarë shpenzojnë pothuajse gjysmën e parave që kanë në dispozicion për t’u ushqyer.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2019, rreth 41.1% e shpenzimeve shkuan për ushqime. Kjo peshë është më e larta në rajon dhe në Europë dhe është një tregues direkt i të ardhurave të ulëta dhe i çmimeve relativisht të larta. Kosova shpenzon 34% për ushqime, Maqedonia e Veriut 33%, Bosnja 29%, Mali i Zi 23.5, Serbia 23.6%, sipas Eurostat.
Eurostat ka publikuar së fundmi edhe të dhënat e reja për strukturën e shpenzimeve për familjarët për vitin 2019.
Ndryshe nga rajoni, familjet europiane shpenzojnë më pak për t’u ushqyer. Për vitin 2019, kjo peshë është 13%, ndonëse në rritje me 1 pikë përqindje në krahasim me vitin e mëparshëm. Shteti europian që shpenzon më shumë për ushqime është Rumania (26%) dhe më pak Mbretëria e Bashkuar (vetëm 8%).
Buxhetin më të madh familjet europiane e kanë për “Shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike, qira të paguar”, me 23.5% të totalit, përkundrejt 10.1% në Shqipëri.
Duke shpenzuar më pak për ushqime, familjeve në Europë u mbeten më shumë të ardhura për t’u argëtuar dhe për të udhëtuar. Europianët shpenzojnë më shumë për t’u argëtuar dhe kulturë, me 8.7% të totalit, përkundrejt 3.8% në Shqipëri, edhe për transport Europa shpenzon 13% të buxhetit, ndërsa Shqipëria më pak sesa 6%. Edhe për restorante raporti është 8.7% për Europën dhe 4.9% për Shqipërinë.
Por, nëse ka një shpenzim për të cilin shqiptarët nuk kursehen ato janë veshjet, me 5.2% të totalit, përkundrejt 4.6% të mesatares europiane. Shteti që shpenzon më shumë për veshje në Europë është Rumania (6.8%) e totalit, i ndjekur nga Estonia (6.3%), Italia (5.9%) dhe më pak Islanda (3.3%).
Për shëndet, shpenzimet janë pothuajse të ngjashme (4.3% dhe 4.4%), ndërkohë që një vit më parë ishin shqiptarët ata që shpenzonin më shumë për shëndet, por në 2019-n, kjo kategori është rritur dhe për europianët.
Arsimi u kushton shumë më shtrenjtë shqiptarëve se europianëve. Një familjeje i duhet të shpenzojë 3.1% të totalit për të arsimuar fëmijët, ndërsa për një familje europiane, kjo peshë është më pak se 1% (0.9%).
Edhe për komunikim, shqiptarët shpenzojnë më shumë (3.7%, kundrejt 2.4%)./Monitor/ KultPlus.com