Asnjë shtatore Ilire në Kosovë, t’i ndërtojmë dhe t’i vendosim në sheshe publike

Shkruan: ilir Muharremi

Shumica e skulpturave të vendosura nëpër hapësirat e Kosovës janë me shije të ulëta, cilësi të cekët dhe qesharake. Këto unë i quaj antiskulptura që vlerësohen si antiart ose Kitsch. Deri para disa vitesh ishte mungesa e kritikës së sinqertë andaj vazhdoj të shumohej kjo tragjikomedi. Disa nga këta skulptorë mundohen t’i thyjenë kanunet dhe rregullat akademike e skulpturat e tyre po dalin shumë qesharake, të pamenduara.

Nën çfarë ombrelle janë skulpturat nëpër sheshet tona? Në Shqipëri i kemi të realizmit socialist të veshura në thonjëza me “plastikën” e të madhit Roden, ndërsa në Kosovë të një niveli amatoresk e qesharak ose fyerje ndaj figurave të heronjëve. Skulptorët nuk do t’i fajësoja, por komisionet të cilat janë nën autoritetin e pushtetit e andaj, kritikët, artistët dhe qytetarët e thjeshtë këto i shumëzojnë me jo vlera dhe kanë të drejtë.

Shtrohet pyetja pse mungojnë te ne shtatoret e figurave ilire? Kemi mjaftë mbretër ilirë dhe ata nuk duhet t’i kopjojmë si skulpturat e Rodenit, soc realizmit, por me përmasa bashkëkohore duke ruajtur origjinalitetin e karakterit dhe madhështisë. Pasi ne pohojmë se në histori e arkeologji njohim thellësisht paraardhësit tanë, përse të mos i krijojmë edhe në Kosovë? Frika vjen nga ajo se cilët skulptorë do t’i realizonin ose nëse do të fillonin mund të përshkohen me kitsch, jo vlera dhe tallje me figura ilire. Nuk po kërkoj t’i mbushim sheshet me mbretër ilirë, por duhet të tregojmë respekt për mbretërit tonë.

I bindur jam se do të përcjellin emocione te qytetarët sepse prekin historinë përmes veprës së artit. E para duhet t’i krijohet një fizionomi, unikalitet i formës, pastaj pjesa origjinale e identitetit dhe sidomos pjesa e formës duhet që skulptorët të hyjnë në thellësi të analizës së saj sepse kjo është filozofi në vete. Meritojnë respekt këto skulptura.

Shtrohet pyetja pse deri tani asnjë shtatore ilire nuk e kemi në shesh, por kemi heronj që duhet respektuar të punuar dobët, madje shumë dobët? Ndoshta edhe skulptorët kanë frikë t’i punojnë shtatoret ilire sepse ato janë të theksuara mbi qëndrimin dhe stilizmin artistik krahas me ato që i kanë mbushur sheshet tona me estetikë të dobët duke vënë hi syve popullit sepse thirren në atë se janë skulptura të vërteta e harrojnë se thelbi i veprës tredimensionale është plastika e formës, hija, raporti me arkitekturën (hapësirën).

Ja një shembull i disa skulpturave që janë ngatërruar me eksterier. Shtatorja e Fehmi Aganit, shumë e vogël krahas hapësirës dhe ajo më shumë duket si enterier ose për një ambient të ngushtë. Kështu figura e tij zvogëlohet dhe duket si xhuxhë. New Borni tejet i madh për hapësirën ku është vendosur. Puna dhe vendosja është në formë amatoreske. Nuk e di a janë të planifikuara vetëm për vështrim nga ana ballore, ndërsa skulptura shikohet nga të gjitha anët. Këto skulptura qëndrojnë në këmbë të cilat ju dridhen, o skulptorë.

Shikojeni skulpturën e Bill Clintonit, Ismail Qemalit, Fehmi Aganit, Skënderbeut (më i madh se kali, i planifikuar për një teren malor), të vjen të qash nga satira dhe grotesku i tyre. Mosni më, rrëzojini ndërtojini ashtu siç i ka hije këtyre figurave.

Si duhen të jenë shtatoret ilire në Kosovë? E para kompozicioni, pastaj vije ritmi formal, dimensionet, proporcionet, marrëdhëniet me hapësirën, detajet e ngjyrës të jenë në nivel shumë artistik. Këto skulptura i kanë disa rregulla dhe ligje të cilave duhet t’i përmbahen skulptorët, ajo është estetika e trupit, nxjerrja e muskujve, detajet, hijet dhe kostumet. Mos t’i harrojmë edhe referencat historike të cilat janë shumë të nevojshëm. Atëherë, këto shtatore duhet ta kenë jetën e gjatë mbi bazamentin në të cilin do të frymojnë. Fizionomia e tyre duhet të jetë shumë e qartë, fatkeqësisht Kosova pushtohet nga skulpturat kitsch dhe të dobëta. Ky do të ishte një hap i mirë për ta njohur kulturën tonë iliro-pellazge sepse kështu e ndërtojmë vetveten, e rilindim, rishfaqim, aterojmë në ato ujëra të së vërtetës, te ajo jehonë e dikurshme e cila veç po lexohet në letër, e nuk mjafton.

Secili duhet ta di se nga vjen e nuk e kam fjalën për nacionalizmin, por për kulturën tonë të vërtetë. Duhet ta punojnë mirë karakterin e figurës e jo ta ngatërrojmë me atë të skulpturës se dallojnë. Ose të dyja të jenë të qëndrueshme. / KultPlus.com