Shtegu i Goricës, atraksioni më i ri turistik në Berat

Një atraksion i ri turistik i është shtuar Beratit për aventurierët dhe të dashuruarit pas natyrës.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, ndau pamje nga shtegu i Goricës, një destinacion me vlera kulturore dhe natyrore.

Në këtë shteg është vendosur edhe një pikë vrojtimi me konstruksion druri për vizitorët.

“Një shëtitje eksploruese, me shtegun e pastruar dhe sistemuar duke ruajtur habitatin natyror të zonës, në ajrin e pastër të qytetit tonë, me një bukuri panoramike të rrallë, çfarë duhet më shumë? Foto të bukura? Kemi menduar edhe për këtë! Mund t’i bëni edhe ato në sheshin mbi rrënojat e kalasë së Goricës. Aty do të gjeni pikën e vrojtimin me konstruksion druri. 180 gradë mbi qytetin, kur ke në pëllëmbë të dorës Kalanë, luginën e lumit Osum, gjithë qytetin 2500-vjeçar”, tha Demo.

Shtegu ndodhet mbi kodrën e lagjes “Goricë” dhe pamja që shfaqet në ngjitje të tij është e mrekullueshme. Në këtë shteg ndodhen edhe rrënojat e kalasë së Goricës, të cilat datojnë që në gjysmën e parë të shekullit III.

Shtimi i kërkesave të vizitorëve për itinerare natyrore të reja ka bërë që të hapet edhe ky shteg dhe të vendoset në udhërrëfyesit që u ofrohen vizitorëve./atsh/KultPlus.com

Dëmtohet shtegu i papërfunduar i ecjes në Taukbahqe

Ende pa përfunduar punimet në realizimin e shtegut të ri të ecjes dhe vrapit në Taukbahqe, mbrëmë janë evidentuar nëntë mbetje të djegjes së shiritëve të punimeve, shkruan KultPlus.

Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu përmes një postimi në facebook u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse të shqyrtojnë rastin deri në fund.

“Me Granit Rugova dhe zyrtarë të sportit e të inspektoriatit të Kryeqytetit pamë dëmtimet dhe lajmëruam policinë.

I dënojmë veprimet e tilla huligane që pengojnë punën dhe rrezikojnë qytetarët prandaj i ftojmë institucionet përgjegjëse që të ndjekin rastin deri në fund.

Faleminderit banorëve të lagjes që edhe gjatë inspektimeve sot treguan se si ruhet puna e përbashkët. Puna do të vazhdojë dhe qytetarët do të shfrytëzojnë shtegun e përfunduar që ju takon shumë shpejtë”, thuhet në positim./KultPlus.com

Markohet shtegu ‘Gjelaj-Ujëvara e Valbonës’

Specialistët e Administratës së Zonave të Mbrojtura Kukës bënë të mundur markimin e shtegut “Gjelaj-Ujëvara e Valbonës” pjesë e parkut kombëtar “Alpet e Shqipërisë”.

Në një postim në rrjetet sociale ADZM Kukës ndau momente nga puna për markimin e shtegut.

“Një shteg mjaft i vizituar nga turistët me një vështirësi mesatare dhe gjatësi rreth 3 km”, theksoi ADZM Kukës.

Një nga atraksionet më kryesore të Valbonës ngelet lidhja e saj me luginën e Thethit përmes qafës me të njëjtin emër, Qafa e Valbonës. Një shteg epik për krejt Alpet Shqiptare i kërkuar dhe përshkuar nga shumë udhëtarë shqiptarë e të huaj çdo sezon.

Qafa malore që lidh Thethin me Valbonën e merr emrin nga kjo e fundit, Qafa e Valbonës e vendosur në një lartësi 1759 metra mbi nivelin e detit, e rrethuar nga maja të tjera me të larta si maja e Alisë, maja e Hekurave etj.

Shtegu i kalimit këmbësor fillon ekzaktësisht në lagjen Gjelaj, në fshatin Rragam i Shalës, në pjesën e sipërme të luginës së Valbonës dhe konsiston në 9.5 km shteg nga kjo pikë e deri në Gjelaj të Thethit.

Kalimi i Qafës mund të bëhet nga të dyja krahët, Valbonë – Theth apo Theth – Valbonë. Ajo që duhet thënë ështe se nëse e filloni ecjen nga Valbona ky itinerar është më i lehtë për t’u përshkruar. Kjo pasi ka një disnivel më të vogël për të përshkuar (rreth 630 metra) ndërkohë që disniveli nëse fillohet nga Thethi është rreth 850 metra nga Thethi në qafë./atsh/KultPlus.com