Shtegu ”High Scardus Trail”, fitues i projektit më të mirë evropian të turizmit

Shtegu ndërkombëtar i turizmit malor në rajonin ndërkufitar midis Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës është shpallur fitues i “Projektit më të mirë evropian të turizmit” për vitin 2022 nga “British Guild of Travel Writers”.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Kumbaro tha se ky shteg përbëhet nga 6 parqe kombëtare dhe një total prej 495 km shtigjesh.

“High Scardus Trail shtrihet përmes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ku përveç panoramës fantastike, e tillë është edhe mikpritja e banorëve vendas për miqtë dhe këdo që përshkon këtë shteg”, tha Kumbaro.

Ky shteg tashmë është kthyer në destinacion turistik, pasi aty ndërthuren bukuritë natyrore me natyrën e egër malore e ku turistët kanë mundësi eksplorimi.

High Scardus Trail është shtegu më i gjatë në të gjithë Ballkanin, i cili kalon nëpër tre shtete dhe rajoni i Dibrës është një nga polet më të rëndësishme të tij. Ky shteg është një shtrirje e Via Dinarica që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut përgjatë kufirit të tyre të përbashkët. / atsh / KultPlus.com