Shtëpia e Dritëro Agollit hapet si muze, Veliaj: Familja e tij sot janë të gjithë shqiptarët

Në 93-vjetorin e lindjes së tij, Bashkia e Tiranës çeli mjediset e “Shtëpisë Studio Agolli”, pjesë e strukturës muzeu vendor “Shtëpia Studio Kadare-Agolli”.

Muzeu kushtuar shkrimtarit Dritëro Agolli do të prezantojë një pjesë të historisë dhe kulturës materiale e shpirtërore, duke pasqyruar jetesën e shkrimtarit shumë të njohur për publikun, si brenda edhe jashtë vendit.

Në fjalën e tij, Veliaj u shpreh se sot familja e Dritëroit janë të gjithë shqiptarët kudo ku janë.

“Jam vërtet i emocionuar sepse është një rikthim në një hapësirë për qytetin. Më shumë se shtëpia e tij, kjo ka qenë një zyrë pritje e popullit, aspak tradicionale. Njerëzit te Dritëroi shihnin një institucion. Ne të gjithë kemi ecur mbi supet e gjigantëve, prandaj jemi këtu sot. Pa supet e tyre, ne do kishim ngelur akoma një vend i shtypur, i izoluar. Ndaj, do të doja shumë që ky vend të ishte një oaz refektimi. Sot familja e Dritëroit është gjithë Tirana, të gjithë shqiptarët kudo ku janë, edhe të huajt që kanë një tërheqje për të njohur vendin tonë, nga ky turizëm i jashtëzakonshëm”, deklaroi Veliaj.

Elona Agolli, vajza e Dritëro Agollit, vlerësoi nismën dhe këmbënguljen e kryebashkiakut Veliaj për ta realizuar këtë projekt.

“Do të doja shumë që im atë të ishte në jetë dhe ai të ishte udhërrëfyesi i këtij muzeu, të na lexonte librin e hapur të jetës së tij. Gjithsesi, unë kam shumë besim se secili vizitor i këtij muzeu do të ketë eksperienca të paharrueshme dhe të pazëvendësueshme me asgjë tjetër, pasi ky nuk është një muze i thjeshtë. Aty nuk kuptohet vetëm historia dhe biografia, epoka e jetuar nga shkrimtari, por aty ndjehet dhe fryma e tij. Sot uroj dhe përgëzoj Erionin, Kryetarin e Bashkisë, i cili ishte nismëtari i këtij projekti të bukur. Ai në asnjë çast nuk ndali së besuari në misionin e lartë të nismës, edukues për brezat në radhë të parë, por dhe pasurues të shpirtit dhe nxitës të përparimit dhe të civilizimit”, deklaroi Elona Agolli.

Vera Ibrahimi, bashkëshortja e Feim Ibrahimit, tha se hapja e kësaj shtëpie sot tingëllon si një zile që i thërret të gjithë për të vizituar trashëgiminë që la pas Dritëro Agolli.

“Për mua është emocion shumë i madh sot. Më vjen shumë mirë që sot kjo derë u hap. Sa herë që ngjisja shkallët vetvetiu doja të pyesja Sadijen si është Dritëroi sot. Tani që u hap, më tingëllon në zemrën time sikur një zile na thërret të gjithëve për të ardhur këtu dhe për ta shijuar edhe më shumë këtë që Dritëroi i madh la trashëgimi. Një homazh dhe për Sadijen se ishte një grua shumë e rrallë, që nuk u mërzit kurrë së pritur njerëz në shtëpi. Gjithmonë dera ka qenë hapur”, tha ajo.

Dritëro Agolli ka qenë poet, prozator, gazetar dhe publicist i njohur. Ai la pas një krijimitari mjaft të gjerë me poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës./atsh/ KultPlus.com

Restaurohet shtëpia e familjes Vetimi në Prizren, ministri Çeku: Vazhdojmë ta mbrojmë në mënyrë efektive trashëgiminë kulturore të vendit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se ka përfunduar procesi restaurues në shtëpinë e familjes Vetimi, e cila gjendet në Qendrën Historike të Prizrenit.

Ministri Çeku me anë të një shkrimi në “Facebook” ka bërë të ditur se pas restaurimit ky objekt është i gatshëm për banim.

“Edhe një projekt i përfunduar. Shtëpia e familjes Vetimi që gjendet në Qendrën Historike të Prizrenit tashmë është restauruar dhe e gatshme për banim.

Vazhdojmë ta mbrojmë në mënyrë efektive trashëgiminë kulturore të vendit tonë”, ka shkruar Ministri Çeku./ KultPlus.com

Restaurimi i shtëpisë së familjes Kirajtani në fazën përfundimtare, Çeku: Qyteti i Prizrenit po mbrohet me restaurimin e objekteve me vlera arkitektonike

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se restaurimi i shtëpisë së familjes Kirajtani në Prizren është në fazën përfundimtare.

Ministri Çeku më tej ka thënë se MKRS po e mbron qytetin e Prizrenit duke restauruar asetet me vlera të larta arkitektonike, përmes një kujdesi të veçantë dhe të vazhdueshëm.

“Me kujdes të veçantë, sigurt dhe në vazhdimësi Prizreni po mbrohet dhe asetet po restaurohen.

Drejt përfundimit është edhe shtëpia e familjes Kirajtani, një objekt banimi me vlerë të lartë arkitektonike dhe artistike.

Asete të tilla e bëjnë qytetin një vend atraktiv për vizitorë dhe me restaurim e funksionalizim të tyre do vazhdojnë të ruhen, të prezantohen dhe të barten për brezat e ardhshëm”, ka thënë Ministri Çeku./ KultPlus.com

Studentë nga 41 shtete të ndryshme vizitojnë Muzeun e Masakrës së Krushës së Madhe dhe Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit

Muzeu i Masakrës së Krushës së Madhe dhe Shtëpia Muze e Ukshin Hotit sot janë vizituar nga Rektori i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Mentor Alishani, si dhe profesorë e studentë të programit të Shkollës Verore Ndërkombëtare 2024.

Sipas një njoftimi thuhet se pjesë e kësaj vizite ishin studentë nga 41 vende të ndryshme të botës, ku nga afër kanë parë dëshmi origjinale dhe janë njoftuar mbi nga masakrën e 25- 27 marsit 1999, nga e cila në Krushë të Madhe mbetën të vrarë 243 persona.

“Kënaqësi e jona të kemi vizitë nga Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren me programin e Shkollës Verore Ndërkombëtare 2024. Të pranishëm ishin Rektori Mentor Alishani, profesorë dhe studentë nga 4 kontinente prej 41 shteteve të ndryshme. Ju faleminderit!”, thuhet në njoftim.

Muzeu i krimeve të luftës në Krushë të Madhe është inauguruar me rastin e 25 vjetorit të masakrës. Ky muze ka përjetësuar dëshmi mbi atë që ka ndodhur në luftën e vitit 1999, duke shënuar një hap të rëndësishëm në aspektin e memorizimit në kujtesën kolektive./ KultPlus.com

MKRS del me sqarim për objektin e Xhafer Devës: Punimet po zhvillohen në përputhje me projektin e miratuar

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pas disa diskutimeve publike lidhur me punimet restauruese të cilat po realizohen në “Ish-Ambullantën e vjetër – Shtëpinë e Xhafer Devës”, ka dalur me një sqarim publik për punimet në këtë aset të trashëgimisë kulturore, i cili bën pjesë në listën e monumenteve në mbrojtje të përhershme.

Një fotografi e cila paraqet anën e pasme të objektit, ende pa përfunduar procesi i restaurimit, duke e krahasuar me gjendjen paraprake të këtij munumenti, këto ditë ka bërë bujë. Ky krahasim i pamjes aktuale të fasadës me pamjen e dikurshme të objektit me tulla është cilësuar si tjetërsim nga pamja origjinale e këtij monumenti të arkitekturës, të ndërtuar gjatë viteve 1930.

“Jemi siguruar që punimet të zhvillohen në përputhje me projektin e miratuar, duke siguruar kështu edhe cilësi, e në veçanti trajtimi i elementeve dekorative të fasadave, është punuar në mënyrë tradicionale, duke ruajtur origjinalitetin e tyre”, thuhet në njoftimin e MKRS.

MKRS gjithashtu ka bërë të ditur se përzgjedhja e ngjyrës së fasadës, është bërë në bashkëpunim me hartuesit e projektit nga OJQ CHwB dhe përgjëgjësit e QRTK Mitrovicë në cilësinë e organit mbikëqyrës, duke u bazuar në fotografitë e vjetra dhe analogjinë me ngjyrën e cila është përdorur në ndërtesat me po atë stil të ndërtimit gjatë përiudhës së njëjtë të viteve 1930.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të MKRS në facebook:

“Ish-Ambullanta e vjetër – Shtëpia e Xhafer Devës” është aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, si monument i arkitekturës së ndërtuar gjatë viteve 1930. Nga zjarrvënia e parë në vitin 2015, e dyta në vitin 2018, ky monument është lënë në gjendje shumë të keqe fizike, në mëshirë të kohës.

Ministria e Kulturës ka përfshirë këtë monument në programin e investimeve restauruese, me qëllim të mënjanimit të rrezikut të mëtejmë për shkatërrim, restaurimin e ndërtesës dhe rifunksionalizimin e saj në shërbim publik për komunitetin.

Projekti i restaurimit të ndërtesës është hartuar nga ekipi i profesionistëve të organizatës jo-qeveritare, Trashëgimia Kulturore pa Kufij, dhe është pajisur me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve (Nr. 41/2021, data 07.10.2021)

Projekti i restaurimit është hartuar në përputhje me standardet dhe parimet ndërkombëtare të trashëgimisë kulturore, ku krahas rehabilitimit të strukturës së ndërtesës, është marrë parasysh trajtimi i vlerave estetike, me qëllim të rikthimit të pamjes fillestare të saj. Hartimi i projektit gjithashtu ka marrë parasysh transformimet e shumta që janë bërë në ndërtesë gjatë kohës, sikurse hapja dhe mbyllja e dritareve, të cilat nuk kanë ekzistuar në gjendjen fillestare të ndërtesës.

Bazuar në shtresat e ngjyrave në përdhesë, në fotografitë e vjetra të ndërtesës, dhe në analogjinë me ndërtesa të stilit të ngjashëm të ndërtuar gjatë periudhës së njëjtë në Kosovë, kjo ndërtesë është ndërtuar me tulla të argjilës së pjekur, të mbuluar me suva, si material që mbron strukturën e murit të ndërtuar me tulla.

Gjendja e ndërtesës para fillimit të restaurimit, ka qenë si rezultat i zjarreve të shkaktuara, dhe i ndërhyrjeve restauruese të filluara në vitin 2018, e të papërfunduara, ku janë shfaqur muret e zhveshur nga suvaja, të ekspozuar ndaj ndikimeve atmosferike.

Ministria e Kulturës ka ndarë buxhet në vlerë rreth 500,000 euro për restaurim të plotë të monumentit. Ndërhyrjet restauruese po zhvillohen nga kompania e licencuar për fushën e trashëgimisë kulturore, në përputhje me rregullativën ligjore, duke siguruar kështu që punimet të zhvillohen nga mjeshtër e profesionistë të licencuar, nën mbikëqyrjen e stafit profesional të institucioneve tona.

Përzgjedhja e ngjyrës së fasadës, është bërë në bashkëpunim me hartuesit e projektit nga OJQ CHwB dhe përgjëgjësit e QRTK Mitrovicë në cilësinë e organit mbikëqyrës, duke u bazuar në fotografitë e vjetra dhe analogjinë me ngjyrën e cila është përdorur në ndërtesat me po atë stil të ndërtimit gjatë përiudhës së njëjtë të viteve 1930.

Jemi siguruar që punimet të zhvillohen në përputhje me projektin e miratuar, duke siguruar kështu edhe cilësi, e në veçanti trajtimi i elementeve dekorative të fasadave, është punuar në mënyrë tradicionale, duke ruajtur origjinalitetin e tyre./ KultPlus.com

Shtëpia e Kongresit në Lushnjë, Gonxhja: Do të zbatojmë vendimin e gjykatës

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se, “për Shtëpinë e Kongresit në Lushnjë do të ndjekim zbatimin e plotë të vendimit të gjykatës dhe respektimin e së drejtës së pronarit, sa i përket qirasë dhe çdo detyrimi që buron nga ky vendim”.

Duke marrë fjalën në Kuvend, në interes të deputetit të opozitës Saimir Koreshi, për Shtëpinë e Kongresit dhe restaurimin e Kishës së Shën Mërisë, në Lushnjë, Gonxhja theksoi se, “për Shtëpinë e Kongresit në Lushnjë, do të ndiqen të gjitha procedurat e vendimit të gjykatës”.

“Sa i takon Kishës së fjetjes së Shën Mërisë, që është në Bisht Qethëm në Lushnjë, ka dështuar vjet 4 herë procedura, pasi ka qenë procedurë me një vlerë të vogël dhe nuk ka pasur interes. Do të mundohemi me hapjen e buxhetit të këtij viti, për shkak të riorganizimit dhe krijimit të MEKIT të bëjmë një procedurë më të plotë me disa objekte bashkë dhe ta realizojmë”, sqaroi Gonxhja.

“Megjithatë vuri në dukje Gonxhja, është e lejueshme dhe zbatimi i një projekti nga vetë priftërinjtë e kishës me kusht që projekti të kalohet në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë së Mbrojtjes së Kulturës”./atsh/KultPlus.com

Shtëpia e shkrimtarit Ymer Elshani kthehet në muze

Shtëpia e shkrimtarit Ymer Elshani do të shndërrohet në muze për të dokumentuar jetën dhe krijimtarinë e tij.

Lajmin për RTK-në e ka konfirmuar vajza e shkrimtarit, Teuta Elshani.

“Do të bëhet muze shtëpia familjare e Ymer Elshanit, ku ka jetuar, ku janë dorëshkrimet, fotografitë, rrobat, ashtu siç ka shpëtuar nga lufta. Mendohet edhe disa muaj të fillojë renovimi”, ka thënë ajo për transmetuesin publik.

Ajo ka treguar se këtë ide e ka pasur qe disa vite.

“Kjo ka qenë ide e imja, unë e kam iniciuar. Jam duke u munduar që nga viti 2018, por deri tash s’ka pasur asgjë konkrete”, ka thënë Elshani.

Ymer Elshani u vra në masakrën e Poklekut në Drenas më 17 prill të vitit 1999 bashkë me familjen e bashkëfshatarët e tij. Ai la pas vetes dhjetëra libra për fëmijë me poezi, tregime dhe romane./rtk/KultPlus.com

Shtëpia-muze ‘Qako’, muzeu më i ri i Beratit

Qytetit të Beratit i është shtuar edhe një muze i ri: Shtëpia-muze “Qako”.

Lajmi bëhet me dije nga kryebashkiaku i Beratit Ervin Demo.

Vetë shtëpia e familjes Qako, e ndërtuar në shekullin XVIII është muze. Pozicionimi në lagjen karakteristike të Goricës, tavanet me gdhendje druri, arkitektura mbresëlënëse e bëjnë të tillë.

Afresket që mban brenda shtëpia janë vlera e shtuar e saj.

Vizitorët vendas dhe të huaj e kanë të hapur derën çdo ditë, me mikpritjen karakteristike beratase dhe likonë e famshme për qerasje.

“Se Shtëpia Muze “Qako” e konsideron mik këdo që kalon pragun e portës shekullore”, shkruan Demo në rrjetet sociale./atsh/KultPlus.com

Shtëpia e Kadaresë në Gjirokastër kthehet në një pikë reference për dashamirësit e kulturës shqiptare

E rrethuar nga pllakat e gurta dhe rrëfimet e lashta, Shtëpia Kadare, është një pikë reference për lexuesit dhe dashamirësit e kulturës shqiptare.

Statistikat e fundit tregojnë një rritje të vazhdueshme të numrit të vizitorëve në Muzeun Kadare në Gjirokastër. Për turistët që vijnë në Gjirokastër, Muzeu Kadare ofron një eksperiencë të thellë kulturore dhe historike.

Ata mund të eksplorojnë ambientin ku shkrimtari i madh kaloi fëmijërinë dhe të zbulojnë kontekstin historik dhe kulturor të Gjirokastrës.

Me elemente nga “Kronike në Gur”, ky muze ofron një udhëtim emocionues dhe frymëzues në botën e një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të shekullit të kaluar.

Në këtë 88-vjetor të ditëlindjes së shkrimtarit ne ju ftojmë të ndiqni një speciale mbi shtëpinë Kadare në Gjirokastër.”/balkanweb/KultPlus.com

Restaurohet shtëpia tradicionale e familjes Sokoli në Prizren

Ministri i Kulturës, Hajrualla Çeku ka bërë të ditur se është bërë restaurimi i shtëpisë tradicionale të familjes Sokoli në Prizren.

Shtëpia e familjes Sokoli që ndodhet në rrugën “Adem Jashari” në Prizren, e që bën pjesë në trashëgiminë kulturore, i është ri-konstruktuar çatia, fasada dhe i është bërë trajtimi i strukturës së dyshemesë së meskateve./KultPlus.com

Shtëpia e ngjashme me filmin ‘Star Wars’ shitet për 300 mijë dollarë (FOTO)

Një shtëpi e pazakontë që duket sikur ka ardhur nga një galaktikë e largët është shitur për 300.000 dollarë.

Shtëpia në formë bunkeri, ndodhet në malet e Tonasket, Uashington dhe ka një ngjashmëri të çuditshme me një prej ndërtesave në filmin legjendar  “Star Wars”.

Bëhet fjalë për shtëpinë e personazhit Luke Skywalker, i cili ndodhet në planetin Tatooine në serialin e njohur.

Shtëpia-bunker është njëkatëshe, ka tre dhoma dhe rrethohet nga 38 hektarë tokë. Pronari i ri i cili ka bërë këtë blerje të guximshme, mund të shijojë një ambient të ngrohtë dhe një dekor të veçantë ku bie në sy përdorimi i gurit dhe drurit. /KultPlus.com