Dritëro Agolli, kolosi i letrave shqipe mbylli sytë më 3 shkurt 2017 në moshën 86-vjeçare. Shkrimtar, publicist, gazetar dhe politikan që ka lënë pas një trashëgimi të pasur kulturore për vendin.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar përmes një statusi në rrjetin social, ku ka theksuar se Dritëroi ynë i madh, dritëron për jetë në çdo varg e libër që na la trashëgim të gjithëve.
‘Me rrënjët e thella në popull, shprehës i fuqishëm i shpirtit të shqiptarit të thjeshtë, të ndershëm, punëtor e patriot, Dritëroi do të jetë gjithmonë pranë nesh me idetë e tij të vyera në letërsi, art dhe politikë. Shumë mall për ty mik i shtrenjtë, që na mungon kaq shumë’, është shprehur tutje Meta.
Katër vite pas humbjes së tij, shtëpia e të madhit Dritëro do të kthehet në muze. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehet se gjithçka është në rrugë të mbarë për të hapur shtëpinë e tij në “Rrugën e Dibrës”, ku jetoi e shkroi veprat e paarritshme.
“Sot bëhen 4 vite pa Dritëroin e madh! Jemi në rrugë të mbarë për të hapur shtëpinë e tij në “Rrugën e Dibrës”, ku jetoi e shkroi veprat e paarritshme – aty, në ndonjë raft, do ta kërkojmë e rilexojmë”, u shpreh Veliaj.
Edhe vajza e tij, Elona, përmes një postimi në rrjetet sociale bën të ditur lajmin.
“Më 28 Janar 1974 përmes këtij Autorizimi , babit iu dha e drejta e strehimit në Pallatin 85 të Rrugës së Dibrës ( quajtur atëherë Rruga Bajram Curri) . Derisa mbylli sytë jetoi në këtë apartament . Tanimë, do të kthehet në shtëpi muze”, shprehet Elona Agolli. / KultPlus.com