Shtëpia e familjes Koroglu, më e vjetra në Mitrovicë

Shtëpia e familjes Koroglu, është shtëpia më e vjetër e qyetit të Mitrovicës, e cila është edhe pjesë e listës së trashëgimisë kulturore, shkruan KultPlus.

Kjo shtëpi daton qysh nga gjysma e parë e shekullit XIX dhe i takon stilit osman të ndërtimit të shtëpive.

Në popull e njohur si Kaçamak Mëhallë, jo larg nga qendra e vjetër e qytetit të Mitrovicës, në oborrin e gjërë, gjendet shtëpia e familjes Koroglu. Sipas të dhënave shtëpia është ndërtuar rreth gjysmës së parë të shek. XIX nga familja e lartpërmendur, Koroglu. Shtëpia ka funksion të banimit. Ajo i takon tipit me çardak të mbyllur. E ngritur mbi bazën -themelin me gurë, muret masive janë të muratuara në përdhesë nga guri, ndërsa muret e jashtme të konstruktuara nga brezat e drurit të mbushur me qerpiç formojnë konstruktin e shtëpisë në kat. Muret e jashtme janë të veshura me teknikën e suvatimit me llaç gëlqeror – horoson. Në anën jugore të shtëpisë çardaku del në formë prizmatike.

Çardaku dhe muret janë në formë konzolle. Dalja e trarëve të dyshemesë së katit nga planimetria e mureve të përdheses së fasadës jugore dhe asaj lindore jo vetëm që rrit hapësirën e brendshme por njëkohësisht edhe formon artistikisht pamjen e jashtme të shtëpisë. Platforma e çardakut përmes kapiteleve në formë jastëku të profilizuar apo nëntrarëzave të profilizuara është i bartur nga katër shtylla të fiksuara në platformën e oborrit.

Në katin e parë përveç dritareve të çardakut të gjitha dritaret e tjera janë origjinale. Në fasadën perëndimore është e hapur një, ndërsa në atë veriore janë të hapura tri dritare njëkrahshe. Tavani është si një përbërës funksional dhe estetik në çardak dhe ka dhoma. Dhomat janë të orientuara nga ana jug-perëndimore dhe jug-lindore dhe qasja në to bëhet nga hapësira e çardakut. Orenditë e fiksuara në mure, pos që ofrojnë funksionalitet, njëkohësisht paraqesin dekorime të pasura artistike të punuara në dru. Konstruksioni i kulmit është klasik nga druri. Kulmi shumëfaqësorë është i mbuluar me tjegulla të argjilës së pjekur-tjegulla tradicionale-qeremidhe.

Struktura nuk ka lëvizur. Përveç disa intervenimeve në enterier dhe eksterier, ky objekt në përgjithësi ka ruajtur origjinalitetin e vet. Shtëpia nuk ka pësuar ndryshime të mëdha në kohë. Në ditët e sotme shtëpia e vjetër qytetare nuk shfrytëzohet nga familjarët, por shtëpia ende e ka ruajtur karakterin e destinimit për banim. / KultPlus.com