Tani kur po afrohemi fundit të vitit kalendarik 2017 dhe të gjithë jemi duke bërë vlerësimin e arritjeve dhe sfidave që na përcollën gjatë këtij viti, rrënimi i shtëpisë së familjes Myftiu në Prizren shkaktoi një dis-balans duke e njollosur rezultatet e punimeve të kryera sivjet, e që nuk janë të pakta.
Përveç tjerash ky vit ishte edhe viti jubilar i institucionit tonë ku kohë më parë kemi shënuar 50 vjetorin e themelimit, me disa aktivitete modeste për shkak të angazhimit të madh që ka pasur institucioni ynë në përmbushjen e planifikimeve dhe objektivave programore. Vetëm sektori i arkitekturës gjatë vitit 2017 ka bërë ndërhyrje restauruese – konservuese në 20 objekte të ndryshme krahas punëve tjera si rivlerësimi, inventarizim dhe propozimi i objekteve të tjera për mbrojtje të përkohshme, hartimi i projekteve për ndërhyrje, shqyrtimi i lëndëve investive nga palët dhe institucionet, mbikëqyrje, konsultime me palë të ndryshme, etj.
Ky vit jubilar u përmbyll me aktivitete rekorde në krahasim me 18 vitet e kaluara. Shkatërrimi i shtëpisë së familjes Myftiu, këtij aseti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore dha një goditje të rëndë bindjes sonë se jemi duke përparuar në vetëdijesimin e opinionit dhe institucioneve në ruajtjen e trashëgimisë kulturore si vlerë universale e njerëzimit. Shtëpia e familes Myftiu është vlerësuar si monument kulture me numrin unik 507 dhe gjendet në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme 2017-2018. Ndërtesa është inventarizuar, janë evidentuar vlerat e saj arkitektonike – estetike, historike, shoqërore dhe shkencore. Është bërë edhe rilevimi i gjendjes ekzistuese dhe ka qenë e propozuar për ndërhyrje restauruese gjatë këtij viti. Fatkeqësisht pronarët nuk kanë pranuar të bëhet ndërhyrja, duke u arsyetuar se ndërtesa është pronë e disa trashëgimtarëve, dhe nuk po arrijnë një marrëveshje të brendshme për të lejuar restaurimin e ndërtesës. Përkundër faktit që janë njoftuar rreth obligimeve dhe detyrimeve të pronarëve të aseteve të Trashëgimisë Kulturore, në bazë të Ligjit (Nr.02/L-88) të Trashëgimisë Kulturore, nuk kemi arritur t’i bindim për të lejuar ndërhyrjen.
Kjo situatë e palakmueshme është paraqitur në departamentin e Trashëgimisë Kulturore, me ç’rast kemi kërkuar që të ndërmerren hapat konkrete ndaj pronarëve për pengimin e ndërhyrjeve restauruese, bazuar në dispozitat ligjore. Duke menduar që ndërmarrja e veprimeve ligjore do të parandalojë rrënimin e qëllimshëm të këtyre aseteve të trashëgimisë kulturore, dhe do të kontribuojë në vetëdijesimin e pronarëve tjerë. Po ashtu është kërkuar të ndërmerren masa ligjore ndaj shkatërruesve të këtij aseti shumë të rëndësishëm kulturo-historik që përveç humbjes së monumentit kanë krijuar një imazh të shëmtuar për qytetin, respektivisht për Kosovën që nuk mund të kujdesej për trashëgiminë e vet kulturore.
Ne si Qendër Rajonale e Trashëgimisë Kulturore vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar në përmbushjen e përgjegjësive tona për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë të përbashkët kulturore./ KultPlus.com