Me autor Shpëtim Selmani dhe regjinë e Zana Hoxhës, së shpejti premiera e shfaqjes “Çimka”

Më 1 Maj në ambientet e Muzeut të Pergjimeve të Sigurimit të Shtetit “SHTËPIA E GJETHEVE” do të shfaqet premiera e shfaqjes “ÇIMKA”, një krijim unik dhe bashkëproduksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Tiranë dhe Qendrës për Art dhe komunitet – Artpolis, me autor Shpëtim Selmani dhe regjinë e Zana Hoxha, përcjell KultPlus.

“Çimka” është një shfaqje që hedh dritë mbi dy botë paralele të përgjimit të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, gjatë periudhës komuniste në Shqipëri dhe asaj të regjimit jugosllav në Kosovë. E bazuar në personalitete historike sikurse disidentja Musine Kokalari dhe rapsodi Dervish Shaqa si dhe në fiksion, “ÇIMKA” dekonstrukton kontrollin e ideologjive të caktuara politike mbi vullnetin e lirë të njeriut, si e drejtë e patjetërsueshme e tij/saj.

E konceptuar nga regjisorja Zana Hoxha më shumë si një eksperiencë e cila buron nga vet “SHTËPIA E GJETHEVE”, personazhet dhe skenat e krijuara përmes një qasjeje eksperiementale synojnë që të nxisin emocione, reflektim dhe edukim të përbashkët për këtë periudhë të errët të viteve 1960.

Kjo shfaqje si rrallëherë bën bashkë një kastë impresive të artistëve nga Shqipëria dhe Kosova, dhe është pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor.

Aktorë: Lulzim Zeqja, Loredana Gjeçi, Myzafer Zifla, Xhulia Musagalliu, Mikel Markaj, Edlir Gashi, Urim Aliaj dhe Altea Dulellari.

Kompozitor: Liburn Jupolli

Skenografia dhe Kostumet: Youliana Voykova – Najman

Asistentë regjie: Greta Baci & Kevin Rrapaj / KultPlus.com

Muzeu kombëtar “Shtëpia e gjetheve” në Tiranë merr çmimin e parë në Paris

Mësohet se muzeu shqiptar ka marrë 11 vota pro në komisionin e vlerësimit, çfarë e ka shpallur fitimtar.

Tematika e këtij muzeu është përkujtimi i dhunës psikologjike të regjimit komunist e i kontrollit të qytetarëve përmes përgjimeve nga ish- Sigurimi.

Ndërtesa e njohur si ‘Shtëpia me gjethe’ (e quajtur kështu për shkak të bimës kacavjerrëse që mbulonte fasadën e saj), është kthyer tashmë në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve. I hapur më 23 Maj 2017, ai është muzeu më i ri në Shqipëri dhe një nga më të veçantët që përpiqet t’u rrëfejë të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit. Pozicionuar në qendër të Tiranës, përballë Kishës Ortodokse: “Ringjallja e Krishtit” dhe pranë Bankës Kombëtare, ndërtesa që strehoi për pak kohë Gestapon gjatë pushtimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore, ka qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret nga viti 1944 – 1991.

Ashtu si vetë historia e Shqipërisë nën diktaturën komuniste, që u instalua me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdoi pothuajse një gjysmë shekulli, edhe Shtëpia me Gjethe për një kohë të gjatë ka qenë e mbështjellë me gjithfarë legjendash dhe përbënte një të panjohur, një mister. Pëshpërimat e njerëzve dhe fëshfërimat e gjetheve, duke hapur dyert e kësaj shtëpie, duke paraqitur veprimtaritë që janë kryer brenda saj dhe shumëçka tjetër të bashkëlidhur, ky muze do të shpalosë njëherësh pamje të shoqërisë shqiptare në kushtet e një regjimi që synonte kontrollin total mbi trupat, mendjet dhe shpirtrat e njerëzve.

Përgjime, kontrolle, spiunime… që kanë sjellë arrestime, internime, tortura, dënime të rënda për shumë e shumë njerëz të pafajshëm, atyre u kushtohet ky muze.

E konceptuar në 9 seksione, ‘Shtëpia me gjethe’ përbëhet nga 31 dhoma të lidhura me koherencë mes tyre dhe çdo dhomë ka një funksion të veçantë. / KultPlus.com