Përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës Yll Rugova, ka njoftuar se Shtëpia e Herticëve – Shtëpia Shkollë në periudhën e sistemit paralel të shkollimit e cila gjendet në Kodrën e Trimave, do të kthehet në Muze, shkruan KultPlus.
Shtëpia e Herticëve në periudhën 1992-1999 shërbeu si shtëpi-shkollë. Këtë shtëpi, në të cilën janë shkolluar rreth 10 gjenerata të gjimnazit që sot njihet si gjimnazi “Sami Frashëri”, në kohën e sistemit paralel në Kosovë.
Ndërsa ky muze sipas Rugovës, do të bëhet edhe në përkujtim të zemërgjerësisë dhe sakrificës së familjeve që kanë dhënë shtëpitë e tyre për shkolla.
“Shtëpia e Hërticëve do të kthehet në muze qysh edhe e meriton. Periudha e sistemit paralel të shkollimit ka rëndësi shumë të madhe për popullin e Kosovës dhe si e tillë duhet të kujtohet dhe shpjegohet si duhet për vetë neve që mos ta harrojmë, por të tregohet edhe për gjeneratat e reja që fatmirësisht nuk e kanë pëtjetuar atë.
Gjithsesi ky muze duhet të bëhet edhe në përkujtim të zemërgjerësisë dhe sakrificës së familjeve që kanë dhënë shtëpitë e tyre për shkolla. E këtu duhet veçuar familjen Aliu që e ka ruajtur këtë ndërtesë dhe po vë ate në dispozicion të Komunës për muze.
Faleminderit edhe Emanit për ndihmën që po e jep në këtë iniciativë, së bashku me shumë studiues e qytetarë që s’po e lënë idenë e arsimit paralel të zbehet në harresë”, ka shkruar Rugova./ KultPlus.com