Hapet Shtëpia e Kulturës Shqiptare në Osijek të Kroacisë

Në Osijek të Kroacisë, sot është hapur Shtëpia e Kulturës Shqiptare, e cila i dedikohet pasurimit dhe promovimit të kulturës dhe artit shqiptar.

Ky projekt i cili synon të jetë një pikë e rëndësishme për zhvillimin kulturor është realizuar në saje të bashkëpunimit të ngushtë mes Unionit të shqiptarëve dhe Shoqatës së Shqiptarëve të Prefekturës së Osijekut dhe Baranjës.

“Shtëpia e Kulturës ofron mundësi të pasura për të gjithë ata që duan të shprehin kreativitetin e tyre dhe të përjetojnë pasurinë e artit dhe traditave shqiptare. Shpresojmë shumë që kjo shtëpi e kulturës të jetë e mbushur me aktivitete të ndryshme nga ekspozitat, shfaqjet teatrore, koncertet muzikore e ngjarje edukative, Qendra e Kulturës do të jetë një vend ku qytetarët mund të krijojnë, të mësojnë dhe të bashkëpunojnë”, njofton Unioni Shqiptarëve Republika Kroacisë.

Të pranishëm ishin personalitete të shumta si zëvendës kryebashkiaku i Osijekut z.Dragan Vuljin, Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut Milaim Fetai, shoqata e bashkësi Shqiptare dhe Këshille Shqiptare nga e gjithë Kroacia, qytetarë të shumtë, veteranë të luftës, ansambli i fëmijëve nga qyteti i Mitrovicës, i dërguari i kryebashkiakut të qytetit të Mitrovicës e shumë bashkatdhetarë tanë që jetojnë e veprojnë në Kroaci.

Hapja e Qendrës së Kulturës është vetëm fillimi i një kapitulli të ri për Osijekun, një qytet që ka një histori të pasur kulturore. Nëkëtë hapje mori pjesë Shoqata kulturore Shqipëtare “Shkëndija” me kryetaren Gentiana Lleshdedaj ku patën një performacë të jashtzakonshme me këngë e valle shqipe./ KultPlus.com

Shpallet projekti fitues për konservimin dhe restaurimin e Shtëpisë së Kulturës në Runik

Fondacioni Hajde, Ministria e Kulturës dhe Komuna Skenderajt, kanë shpallur projektin fitues për konservimin dhe restaurimin e  Shtëpisë së Kulturës në Runik.

Ky projekt është cilësuar si një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të Shtëpisë së Kulturës në Runik si një qendër bashkëkohore kulturore dhe një simbol i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore në vend.

Sipas një njoftimi ky vendim është marrë pas një pune disa mujore, projekt ky që paraqet një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe komunitetit të pavarur.

“Procesi i punës për detyrën projektuese për ShKR ka nisur me organizimin e punëtorisë me komunitetin e fshatit të Runikut përmes të cilit janë identifikuar nevojat dhe dëshirat e komunitetit rreth së ardhmes së Shtëpisë së Kulturës. Më pas, janë organizuar takime të shumta me grupin tonë punues për finalizimin e detyrës projektuese bazuar në rekomandimet e nxjerra nga punëtoritë. Në përfundim, është hapur thirrja publike për projek-propozime përmes së cilës kemi pranuar tri projekte të cilat janë vlerësuar me kujdes nga juria profesionale. Sot, kemi kënaqësinë të shpallim vendimin unanim të jurisë: Vendi i parë-“ARS ATELIE” dhe vendi i dytë-“DIEFORM””, thuhet në njoftim.

Juria për përzgjedhjen e këtij projekti është përbërë nga ekspertë lokalë dhe ndërkombëtarë në fushën e Trashëgimisë Kulturore, Arkitekturës, Artit dhe Kulturës:

Donjetë Murati – Sociologe, Florina Jerliu – Prof. Asoc. Dr. në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Prishtinës, Jürgen Mayer – Arkitekt dhe Artist, Petrit Halilaj – Artist dhe Themelues i Fondacionit Hajde, Merita Augustini – Udhëheqëse e Divizionit për Trashëgimi Arkeologjike dhe Arkitekturale dhe Sali Shoshi – Drejtor i CHWB.

Me këtë rast juria profesionale ka konklduar:

-Projekti fitues përputhet më së miri me ambicien e Fondacionit Hajde! për të krijuar një qendër ​​të hapur dhe dinamike për angazhim dhe shprehje kulturore dhe shoqërore në Runik.

-Propozimi respekton kujtesën kolektive dhe strukturën origjinale historike që ka mbetur nga Shtëpia e Kulturës së Runikut, duke e plotësuar me dimensione të reja që lehtësojnë mënyra bashkëkohore të ndërveprimit.

-Projekti është në harmoni me kushtet materiale në dispozicion, duke ftuar artikulime dhe përshtatje të reja përmes dialogut të ngushtë me komunitetet e Runikut.

-Projekti fitues ka potencialin të rrezatojë përtej Runikut, duke zgjeruar kuptimet kolektive se çfarë dhe për kë mund të jetë një hapësirë ​​publike./ KultPlus.com

Shpallet komisioni vlerësues i thirrjes për ruajtjen dhe restaurimin e Shtëpisë së Kulturës në Runik

Është shpallur komisioni vlerësues i thirrjes së hapur për ruajtjen dhe restaurimin e Shtëpisë së Kulturës në Runik.

Përzgjedhja e anëtarëve të komisionit vlerësues përfshin një kombinim të larmishëm të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë të profesioneve të ndryshme në fushën e Trashëgimisë Kulturore, Arkitekturës, Artit dhe Kulturës.

Komisioni vlerësues përbehet nga: Petrit Halilaj, Alban Berisha, Donjetë Murati, Florina Jerliu, Ifeta Nikoceviq, Jurgen Mayer dhe Sali Shoshi.