Në kujtim të shejtores shqiptare, presidentja Osmani u shprehu mirënjohjen e thellë motrave të saj për angazhimin e pakursyer për t’u shërbyer njerëzve në Kosovë, përcjell KultPlus.

“Motrat misionare, të cilat ofrojnë ndihmë në heshtje, jashtë vëmendjes së gjithsekujt, prej vitesh kujdesen për më të varfrit, për ata që Nënë Tereza i deshi më së shumti. Ato u ofrojnë atyre strehë e ushqim, kujdesen për ta dhe i mbajnë afër me dashuri, sipas shembullit të misionares së madhe shqiptare, Nënë Terezës”, theksoi Osmani.
Sipas saj, duke qenë çdo ditë me të varfrit, duke e ndarë dhembjen me ta, motrat misionare po e japin shembullin se si mes njerëzish duhet të mbretërojë dashuria e respekti.

“Këto parime nëna Terezë i kishte fort për zemër. Ne do t’u jemi gjithmonë mirënjohës për këtë shembull përkushtimi e dashurie që ato ua ofrojnë më të varfërve tanë”, është shprehur Osmani./ KultPlus.com
