Ministri i Kulturës i Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili, sot e vizitoi Institucionin nacional “Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës”, ku mbajti konferencë për shtyp bashkë me drejtorin e këtij institucioni, Arjan Asllanaj, dhe me drejtorin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Skender Asani.
Në konferencën për shtyp, drejtori Asllanaj informoi për aktivitetet e Institucionit, i cili këtë vit shënoi një përvjetor të rëndësishëm – 10 vjet të ekzistimit të tij, ndërsa u shënua edhe 40-vjetori i ndarjes së Çmimit Nobel për humanisten e madhe. Në këtë kontekst, ishte theksuar edhe vizita e fundit në arkivin në Lucern prej ku janë siguruar më shumë se 500 dokumente që lidhen me jetën dhe veprën e Nënë Terezës, dhe në kuadër të vizitës ishte nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit.
Ministri Ismaili theksoi para gazetarëve se gjatë hulumtimeve të bëra në Zvicër janë siguruar 5 dokumente origjinale.
“Duke e vlerësuar punën e drejtorëve Asllanaj dhe Asani, ne si Ministri do të shqyrtojmë mundësinë që projekti për botimin e tyre të mbështetet, duke qenë të sigurt se ato janë me rëndësi jo vetëm për këtë Shtëpi Përkujtimore, por edhe për mbarë kombin shqiptar, si dhe për të gjithë të interesuarit për jetën dhe veprën e Nënë Terezës”, tha ministri i Kulturës.
Ai shtoi se në “Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës” sivjet është vendosur ndriçimi i ri, është krijuar një ekspozitë e përhershme, e cila pasurohet me fotografi të reja, dokumente origjinale dhe artifakte që lidhen me jetën dhe veprën e humanistes dhe bamirëses së madhe, ndërsa është vendosur edhe një skulpturë silikoni e Nënë Terezës në madhësi natyrore.
Institucioni “Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës” i cili ishte pjesë e agjendës së kreut të Kishës Katolike Romake, Papa Françesku, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në vendin tonë, më 7 maj të këtij viti, me rreth 100,000 vizitorë në vjet, është njëri nga më të vizituarit në qytet. / KultPlus.com