Shtëpia e Xhafer Devës lajm nëpër botë, e publikon edhe Reuters

Rinovimi i një shtëpie në Kosovë që i përkiste një ministri tw njw qeverie pro-naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore ka nxitur një protestë, me Gjermaninë që paralajmëroi për “zbardhjen” historike dhe Bashkimin Evropian e Kombet e Bashkuara ndaluan projektin, shkruan Reuters, transmeton KultPlus.

Shtëpia trekatëshe me tulla të kuqe në Mitrovicë, e ndërtuar në vitet 1930 nga arkitektë austriakë, ishte shtëpia e Xhafer Devës, i cili shërbeu si ministër i brendshëm në qeverinë pro-gjermane në vitet 1943 dhe 1944.

Në një deklaratë të përbashkët, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë dhe Bashkimi Evropian kërkuan falje për anashkalimin e sfondit historik të Devës kur shpallën projektin për restaurimin e shtëpisë si një vend të trashëgimisë kulturore.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joren Rohde, tha se ishte shumë i shqetësuar për restaurimin.

“Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin apo krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas”, tha Rohde në Twitter në fillim të kësaj jave, duke thënë se projekti rrezikonte zbardhjen e histories.

Hajrulla Çeku, Ministri i Kulturës i Kosovës, mbrojti projektin e restaurimit në një konferencë shtypi një ditë pas vendimit të BE-së dhe UNDP-së për të ndërprerë punën në vend.

“Ne po e restaurojmë monumentin por jo historinë e Xhafer Devës”, tha Çeku. Ai nuk konfirmoi nëse qeveria e Kosovës do të vazhdojë të punojë për restaurimin.

Në kohën kur Deva ishte ministër, Kosova konsiderohej nga Gjermania si pjesë e Shqipërisë.

Historianët thonë se njësitë e forcave të sigurisë nën udhwheqjen e Devws, të cilët i shihnin nazistët si aleatë për të luftuar komunistët, kryen mizori duke përfshirë masakrën e simpatizantëve të dyshuar antifashistë. Megjithatë, disa kërkime të fundit thonë se Deva mund të ketë ndihmuar në mbrojtjen e hebrenjve.

“Ai është një kriminel lufte, ai ka kryer krime kundër kundërshtarëve të tij politikë, por personalisht ai kurrë nuk ka pranuar të dorëzojë listat e hebrenjve të Kosovës pavarësisht këmbënguljes së autoriteteve naziste,” thotë Durim Abdullahu, profesor i historisë në Universitetin Shtetëror të Prishtinës.

Pas luftës, Deva u largua nga Kosova. Ai jetoi në disa vende evropiane përpara se të vendosej në Kaliforni, ku vdiq në vitin 1978.

Në Mitrovicë ai ende kujtohet. Pak metra larg shtëpisë, një mur në sheshin kryesor është zbukuruar me fotografi të njerëzve të shquar nga qyteti, duke përfshirë Devën dhe kryeministrin në qeverinë e kohës së luftës, Rexhep Mitrovicën.

Një dëshmitar i Reuters gjeti tre rrugë me emrin e Devës në Kosovë, duke përfshirë një në Prishtinë disa qindra metra larg Ambasadës Gjermane./ KultPlus.com

REUTERS/Laura Hasani

Serbia kërkon që BE-ja e UNDP-ja të mos e rinovojnë shtëpinë e Xhafer Devës

Serbia ka kërkuar nga BE-ja dhe UNDP-ja që të mos japin para për ta restauruar shtëpinë e Xhafer Devës në Mitrovicë, që ka nisur tash e një javë.

Sipas ministres së Kulturës dhe Informimit në Serbi, Maja Gojkoviq, Deva “ka përgatitur e kryer krime ndaj serbëve dhe hebrenjve”.

“Ky është një kolaboracionist famëkeq nazist, i cili ishte aktiv në formimin e divizionit SS Skënderbeu, i njohur për përgatitjen dhe kryerjen e krimeve kundër popullatës serbe dhe hebreje”, tha Gojkoviq, duke theksuar se u ka shkruar përgjegjësve në BE dhe UNDP për këtë çështje.

Shtëpia e politikanit shqiptar nga Mitrovica, Xhafer Deva është bërë çështje gati 44 vjet pas vdekjes së tij. Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë ka dalë kundër këtij restaurimi duke rikujtuar se Deva ka qenë kolaboracionist i nazistëve. Por, restaurimi ka një javë që ka nisur dhe ai mbështetet edhe nga paratë e Bashkimit Evropian, pjesë e të cilit është edhe Gjermania. / KultPlus.com

Ambasadori gjerman del kundër restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde është shprehur i shqetësuar lidhur me fillimin e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, të cilën Ministria e Kulturës e konsideron si një prej objekteve më të veçanta të trashëgimisë kulturore në Mitrovicë.

“Kjo është kultura e kujtesës në mënyrën e gabuar!”, ka shkruar ambasadori gjerman në Twitter, duke bërë thirrje që të mos shtrembërohet e vërteta lidhur me Holokaustin.

“Shumë i shqetësuar për planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i SS famëkeq Skënderbeg Div. S’ka zbardhje të historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas #MbroFaktet”, ka shkruar Rohde.

“Kultura e kujtesës dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore duhet të merren si mundësi për t’u marrë me të kaluarën në një mënyrë të hapur dhe të vërtetë. Ambasada Gjermane është e gatshme të mbështesë çdo qasje të arsyeshme ndaj kulturës së kujtesës në Kosovë”, ka shtuar ambasadori gjerman./ KultPlus.com