“Shtëpia e Zotit” një pjesë e shkruar nga autori shqiptar Ledian Gjeçi me regji të Ilir Bokshit dhe me interpretimin e disa aktorëve nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë.
Duke marrë shkas nga aktualiteti shqiptar, që përforcohet nga tekste lajmesh, shfaqja ka në qendër një shtëpi bari ku një grup me në krye një polic, rrisin bimë hashashi ndërsa karrocat që herë u përngjajnë atyre të dyqaneve e herë atyre të fëmijëve vallëzojnë në një skenografi minimaliste.
Grupi që shumë shpejt merr tipare kriminale, bashkon brezni e mendësi të ndryshme nga glorifikuesit e diktatorit te “reaksionarët” siç quhen, nga pothuaj maniakët që bartin patriarkalitetin te besimtarët dhe përfshin mes personazheve edhe një prift si dhe dikë që hiqet si prift.
Dhuna ndaj gruas dhe korrupsioni janë nënlinja që nuk kalojnë pa vëmendje ndërsa shqiptarët në tri anët e kufirit i vuajnë në përditshmëri. Batutat, humori dhe mizanskenat që vishen nga trilli artistik, do ta çojnë shtëpinë e barit a të zotit në vendin më të paimagjinueshëm në qytet, por megjithëkëto elemente, shfaqja “Shtëpia e Zotit” mezi rri në këmbë.
Interpretimi në një anë, naivitetet e klishetë në tjetrën, krah skenave që zhbëjnë shenjtërinë, nuk arrijnë të krijojnë ansamblin teatral që tejkalon veten dhe pritshmëritë e spektatorit që tek-tuk qesh me termat banalë. Që teatrot të krijojnë hapësira për shfaqjet shqiptare është domosdoshmëri, sidomos për t’u përballur me veten në kërkim të përmirësimit, por të mbash mbi supe skenën e Teatrit Kombëtar, do më shumë se vetëm dëshirë. Ndryshe shtëpia e Zotit nuk rri dot në këmbë./BalkanWeb/KultPlus.com