Në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” u hap ekpozita fotografike me titull “1989-Para dhe Pas. Rishikimi i qytetit”.
Ekspozita vjen nga Muzeu i Bashkisë së Bukureshtit dhe mban për autor fotografin Andrei Birsan. Imazhet e kapura prej tij janë një dëshmi e ndryshimeve që ka pësuar qyteti ku ai jeton, që prej regjimit komunist e deri më sot. Sfida e artistit është të kapë detaje të ndryshimit përmes përvojës së një të mbijetuari apo një dëshmitari që i ruajti këto ndryshime në kujtesën e tij fotografike. Autori bashkangjit momente të jetës së tij, me kujtesën kolektive. Fotot ballafaqojnë nostalgjinë për regjimin e dikurshëm i cili ofronte paqe në këmbim të nënshtrimit, më të rinjtë që atë periudhë e shohin si rrënim sentimental.
Andrei Birsan thotë përmes ekspozitës së tij se ekziston dhe një grupim i tretë: ata që nuk e njohën kurrë të shkuarën dhe lindën pas një pragu historik. Ata jetojnë vetëm me realitetet e reja duke lënë të hapur shtegun e rrezikshëm të kthimit prapa.
Ekspozita ofron dhe imazhe të ndryshimit rrënjësor të përditshmërisë urbane të 30 viteve të fundit, me të njëjtat vende por me një notë ndryshe të sjelljes kolektive.
Nga ekspozita e fotografit rumun Andrei Birsan, fotot Agim Dobi. / atsh / KultPlus.com
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot përkthyesin dhe studiuesin e burgosur dhe të internuar gjatë regjimit komunist, Guljelm Dedën.
Guljelm Deda lindi më 5 shkurt 1915 në Shkodër, ku kreu studimet e para në Kolegjin Saverian. Më 1937 diplomohet në Universitetin e Padovës në degën letërsi-filozofi. Pasi mbrojti diplomën me studimin mbi gjuhën e “Cuneus Profetarum” (Çeta e profetëve) të Pjetër Bogdanit, me vlerësimin më të lartë «cum laude», u kthye në vendlindje ku ushtroi profesionin e mësuesit të gjuhës shqipe dhe letërsisë greke e latine.
Më 1942 themelon e boton revistën “Balli i Kombit” që e drejtoi deri më 1943, një revistë për rininë shqiptare me përmbajtje të zgjedhur e frymë kombëtare. Në dhjetor 1944 arrestohet e dënohet me pesë vjet burg me punë të rëndë të detyruar, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e të drejtës elektorale për aq kohë, mbi akuzën “për krime kundër shtetit”.
U lirua më 1950-ën dhe dërgohet në guroren e malit Tarabosh. Më 1954 arrestohet e burgoset në kampin e Shtyllasit, bashkë me 50 intelektualë të tjerë shkodranë. Prej këtu izolohet në kampin e Kuçit të Vlorës. Edhe pse tejet i kufizuar, Guljelm Deda nëpërmjet talentit e aftësisë si dhe vullnetit të hekurt arriti të përkthejë poemën e konsideruar si një nga kryeveprat italiane “Orlando i Çmendun”, me autor Ludovico Ariosto. 17 vjet i kushtoi përkthimi i kësaj vepre me 40 000 vargje, në kushte çnjerëzore dhe pa asnjë mjet që të mund ta ndihmonte, e cila u botua më 2013 nga ISKK. Më 1990 shkoi në Itali, i sëmurë dhe i sfilitur nga vuajtjet e rënda.
Guljelm Deda u nda nga jeta më 12 prill 1994 në Peruxhia, pa mundur të botojë përkthimin e tij. Në vitin 2013, Ministria e Kulturës e vlerësoi këtë përkthim si veprën më të mirë letrare të përkthyer për vitin 2013, me motivacionin: “Një përkthim i papërsëritshëm që ruan bukurinë e fjalës, ritmin, harmoninë dhe elegancën e vargut në një regjistër të epërm të gegërishtes”.
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe në 5 vite rezulton i vizituar nga 72 mijë persona. Çelo Hoxha thotë se Dritëhijet e periudhës së komunizmit duhet të jenë të pasqyruara në tekstet shkollore.
Muzetë janë një formë e rrëfimit të historisë
Referuar statistikave në këtë 5-vjecar, muzeu është parë nga afër nga 72 mijë vizitorë. Drejtorja e muzeut Etleva Demollari thotë se ka pasur një interes thuajse të balancuar mes të huajve dhe shqiptarëve.
“41 mijë vizitorë janë të huaj dhe 31 mijë janë shqiptarë. Nëse flasim me përqindje 57 janë të huaj 43 shqiptar. Ka një balancë thuajse mes të huajve dhe shqiptarëve.”
Historiani dhe drejtori i Institutit të Krimeve e Pasojave të Komunizmit, Çelo Hoxha thotë se muzeu është i domosdoshëm për të dhënë një informacion të përgjithshëm. Njohja e brezit të ri me këtë periudhë është domosdoshmëri, ndaj Hoxha kërkon që kurrikulat shkollore të pasurohen me informacion mbi krimet e komunizmit.
“Duhet të ngrihet e gjithë struktura informuese. Edhe ky muzeu funksionon si të gjitha muzetë, njerëzit e vizitojnë marrin një mesazh. Këtu është një fragment i kësaj periudhe, pasi këtu nuk është historia e plotë e komunizmit. Shqetësuese është historia që përcjellim ne te brezi i ri, për komunizmin është e mangët, mungojnë informacione për krimet e pasojat e komunizmit.”
Por a ka ardhur koha që muzeu të pasurohet me informacione të tjera, pasi deklasifikimi i dosjeve, bën që të zbardhen dosje të kësaj periudhe?
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” në vitin 2020 u nderua edhe me çmimin “Muzeu i Këshillit Evropian 2020″ mes 60 muzeve. /abcnews.al/ KultPlus.com
Vehbi Demir Skënderi, poeti që u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve, u përndoq dhe internua nga diktatura, u përkujtua sot nga Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” i cili publikoi profilin e një nga shkrimtarëve të spikatur të kohës së komunizmit.
Vehbi Demir Skënderi lindi në fshatin Strelcë të Korçës në maj të vitit 1927. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes në vitet 1934-1939 ndërsa studimet fetare i kreu në Medresenë e Lartë në Tiranë. Në vitin 1944 u pranua në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare. Kreu fillimisht shkollën e mesme profesionale në degën rusisht e në vitet 1956-1961 kreu Fakultetin e Histori-Filologjisë me rezultate shumë të mira. Veprimtarinë si gazetar do ta fillonte në gazetën “Arma e Mbrojtjes”.
Më 1950, me propozimin e poetit Lasgush Poradeci, u pranua si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Më 1953 botoi librin e parë poetik, “Këngët e para”. Ka botuar librat poetike “Vjersha” (1958), “Fletë nga ditari im” (1964), “Vjershat dhe poemat e Drinit” (1969), “Vdekja e Ofelise” (1971), “Shqiponja e Vermoshit” (1972), “Përsëri mëngjes” (1973), Vjersha dhe poema të zgjedhura- “Kolana e poezisë shqipe” (1973), “Nxitoj” (1987), “Hëna e vjedhur” (2000), “Zvicra, Shqipëria ime” (2004). Për “Fletë nga ditari im”, në vitin 1966 Vehbi Skenderi mori Çmimin e Republikës. Po atë vit, me një grup të shquar intelektualësh, ai përgatiti një pamflet dhe e dorëzoi për botim në Zërin e Popullit.
Në këtë pamflet kritikoheshin rëndë Instituti i Historisë dhe Instituti i Gjuhësisë. Pamfleti nuk u botua nga “Zëri i Popullit”, i cili ia dorëzoi dorëshkrimin sekretarit të parë të Tiranës dhe me të u mor Byroja Politike.
Në Komitetin Qëndror, gjatë seancave të terrorit të gjyqit politik e akuzonin për veprimtari anti-parti sepse sipas tyre sulmonte institucionet e diktaturës dhe nacionalist meqë kishte deklaruar se Kosovën e shihte si pjesë të Shqipërisë. Më 1967, për pesë vjet rresht Vehbi Skënderi, tashmë autor i ndaluar, u dërgua në Vaun e Dejës i dënuar me punë korrektuese. Më 1974 Sigurimi, nën udhëzimet e Sekretarit të Parë të Tiranës, sajon të tjera raprezalje kundër Vehbi Skënderit, i cili përjashtohet nga partia, nga Lidhja e Shkrimtarëve, nga puna, i digjen librat dhe i ndalohet botimi.
Më 1975 internohet në Shkodër, por vendimi anulohet nga organet e rrethit të Shkodrës. Më 1976 internohet në Zall-Mner të Tiranës, por edhe ky vendim anulohet. Pas katër vitesh pa punë, ai caktohet punëtor transporti në Kombinatin Poligrafik. Del në pension ne vitin 1987 teksa kryente funksionin e korektorit në repartin e dispensave ne Kombinatin Poligrafik. Prej 15 qershorit të vitit 1996, Vehbi Skënderi jetoi në Zvicër ku ndërroi jetë në 13 qershor 2011. / KultPlus.com
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtojmë sot martirin e krishterë, Imzot Jul Bonatin i burgosur nga diktatura komuniste.
Jul Bonati lindi në Shkodër më 24 maj 1874. Imzot Jul Bonati studioi në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër. Është diplomuar për filozofi dhe letërsi në Vjenë, Austri dhe në Padova, Itali. Më 1912 dorëzohet prift dhe vendoset në Stamboll për ti shërbyer katolikëve shqiptarë që ndodheshin atje. Shërbeu 16 vjet në Stamboll, ku mori pjesë aktive në Lëvizjen Kombëtare. Nga viti 1920 deri në vitin 1924 ishte anëtar i Klubit “Pragu shqiptar”.
Në vitet 1942 -1946 jetoi në Itali ku vazhdoi punën shkencore e letrare deri në fund të vitit 1945 kur u kthye në Shqipëri. Më 1946, në moshën 72 vjeç arrestohet dhe me vendimin nr. 429 datë 31.10.1947 të Gjykatës Ushtarake u deklarua fajtor duke u akuzuar si agjent i Vatikanit dhe u dënua me 7 vjet heqje lirie në qytetin e Elbasanit.
Gjatë viteve të vuajtjes do ta mbyllnin dhe në çmendinë. Vdiq i masakruar në spitalin e burgut në Durrës, më 5 nëntor 1951. Në 5 nëntor 2016, 65 vjet nga dita e vdekjes së tij u shpall i lumë së bashku me 37 martirë të tjerë. / atsh / KultPlus.com