Shtëpia muze e impresionistit të parë shqiptar do të rihapet për vizitorë

Shtëpia-muze e piktorit Vangjush Mio në Korçë do t’i nënshtrohet restaurimit dhe pas konkretizimit të projektit do t’i rihapë dyert për vizitorë. Aty ruhet trashëgimia e pasur e piktorit të parë impresionist në Shqipëri

Ishte dëmtuar jo pak nga tërmeti në nëntorin e dy vjetëve më parë, por shtëpia-muze e Vangjush Mios në Korçë së shpejti do të rihapë dyer për vizitorë. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore e këtij qyteti tashmë ka hartuar projektin për restaurimin e çatisë. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, e cila ka vizituar monumentin.

“Është e vështirë ta kuptosh Korçën pa Mion, poetin e pikturës shqiptare, ndaj edhe shtëpinë e tij muze do t’ia rikthejmë sërish publikut”, citohet të ketë thënë ajo. Pas dëmtimeve nga tërmeti, autoritetet e trashëgimisë kulturore të Korçës kishin paralajmëruar intervenimin, përderisa me projektin për restaurim pos çatisë, që është edhe më e dëmtuara, do të eliminohen edhe problemet e lagështisë.

Për Margaritin, “bota e piktorit korçar është aty mes tablosh, tavalocës e penelave, librash që lexonte e ambienteve të punës”.

“Duhet vetëm të zbulohet”, ka thënë ajo.

Për vlerat etnografike që mbart dhe për faktin se aty lindi një nga piktorët më të shquar shqiptarë, kjo shtëpi është shpallur shtëpi-muze. Banesa-muze e Piktorit të Popullit, Vangjush Mio, është një nga më të vizituarat në qytetin e Korçës.

Vangjush Mio (3 mars 1891 – 30 dhjetor 1957), më 1908, për shkaqe ekonomike, u detyrua që bashkë me vëllanë, regjisorin e aktorin Sokrat Mio, të largohej për në Bukuresht. Ishte anëtar aktiv i kolonisë së artistëve shqiptarë në kryeqytetin e Rumanisë dhe në vitin 1915 filloi studimet për Arte të Bukura në Universitetin Kombëtar të Arteve në Bukuresht. Më 1919 mbaroi studimet dhe në të njëjtin vit hapi ekspozitën e parë personale në Bukuresht. Në vitin 1920 u kthye për disa muaj në vendlindjen e tij, ku ekspozoi edhe punimet e tij. Kjo ishte ekspozita e parë artistike për publikun në gjithë Shqipërinë. Në shtator të po të njëjtit vit ai u largua për në Romë. Si admirues i madh i impresionizmit italian të shekullit XIX dhe fillimshekullit XX, u regjistrua në Akademinë Mbretërore të Shën Llukës. Sidoqoftë, për shkak të problemeve ekonomike i ndërpreu ato dhe u rikthye në Korçë, ku u punësua në Liceun Francez, ku mes nxënësve të tjerë ishte edhe Enver Hoxha. Njihet si piktori i parë impresionist në Shqipëri.

Gjatë karrierës prej 40 vjetësh realizoi mbi 400 vizatime dhe 130 piktura. Rreth 60 punime të tij zënë vend në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e tjera, nën kujdesin e së bijës Rozeta, ekspozohen në shtëpinë-muze të tij. Më 1994, 21 piktura të cilat ende nuk janë gjetur u vodhën nga muzeu. Në vijim 27 piktura u raportuan të zhdukura në korrik 2012. Mes 27 pikturave të zhdukura gjendeshin edhe disa nga veprat e para të piktorit që datojnë në fillim të viteve ’20./KultPlus.com