Christine Coleman solli shfaqjen që rrëzon shtëpinë prej letrës sepse Ti Udhëheqë

Alberina Haxhijaj

Dita e dytë e edicionit të 6-të të FemArt-it ka vazhduar dje që të ketë në qendër moton e saj “Ti udhëheqë”, mesazh i cili u gërshetua shumë bukur me shfaqjen e baletit “Shtëpia e saj prej letre” nga Christine Coleman, shkruan KultPlus.

Shfaqja “Shtëpia e saj prej letre” kërkon fuqizimin e grave ndërsa sjellë historinë e një gruaje e cila ka krijuar një strehë të rehatshme për veten gjersa përballet me bashkëshortin e saj i cili vazhdon ti thotë fjalët: Ti nuk mundesh!!!

Kjo shfaqje në fokus ka jetën e një gruaje e cila fillon të çmendet gjersa burri i saj fillon që ta largojë nga përgjegjësit që ajo tashmë i ka.

– Nuk mund të shkruash në ditar, nuk mund të lexosh më, nuk mund të kujdesesh për fëmijën tonë, madje e di çfarë tani mundesh vetëm të qëndrosh këtu, në këtë dhomë. – i thotë ai asaj.

Përsëritje e këtyre fjalëve nga ana e bashkëshortit bënë që kjo grua të fillojë të humb identitetin e saj dhe të besoj se fjalët që ai po i thotë janë të vërteta. Por ngjarja nuk përfundon kështu ajo vendos që ta marr në dorën fatin e saj, u shpreh Christine Coleman.

“Mendova që do të ishte shumë interesante të luaja rolin e një të çmendure dhe do të ishte interesante që pikërisht këtë pjesë ta sjellë në FemArt. Mendoj se ne si gra kemi tendenca që të shohim jetën përmes vështirësive, ndërsa burrat përmes mundësive dhe kjo sepse na është thënë se ne nuk mund të bëjmë të gjitha gjërat prandaj ne duhet që të përpiqemi më shumë”, tha ajo për KultPlus.

Mirëpo balerina Christine Coleman arriti që të tregon forcën e saj duke shpërfaqur edhe forcën e gruas që ajo paraqiste në Teatrin Dodona, grua me të cilën mund të lidhej shumë lehtë publiku i pranishëm, e sidomos ata të cilët e kanë dëgjuar në jetën e tyre fjalën: Ti nuk mundesh!

“Ishte një bashkëpunim shumë i mirë së bashku me Skender Shkodrën i cili më ndërtoi shtëpinë prej letre dhe me May Lee Hollis e cila e ka bërë filmin. Një bashkëpunim i cili përmes kësaj shtëpi sjellë barrierat të cilat ndryshojnë në mendjen e personazhit. Pjesa e çmendurisë është bërë e parë dhe pastaj ajo ku jam e lumtur pasi që pikërisht kjo pjesë është më e vështirë sepse nuk ka konflikt dhe ndonjëherë mund të reflektoj e mërzitshme të publikun”, u shpreh ajo.

Christine Coleman është e njohur për trajtimin e temave sociale në punën e saj, duke përfshirë edhe shfaqjet e dhëna në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në rolin e koreografes. Ajo për KultPlus tha se mendon që është mision i jetës së saj fuqizimi i grave si mësuese, koreografe apo edhe si balerinë.

“Mendoj që është shumë e rëndësishme që të edukojmë njerëzit dhe ti ndihmojmë ata që të shohin mundësit dhe aftësitë e tyre, sa larg mund të shkojnë nga ajo që kanë menduar në fillim. Mendoj se kjo pjesë ka qenë e veçantë po ashtu pasi që zakonisht jam koreografe dhe jo balerinë. Ishte një pjesë shumë e rëndësishme dhe kur e pash publikun, sidomos gratë, i thash vetës shpresoj që të ndihen të fuqishme sepse unë më të vërtetë ashtu po ndihem. Ndjehesha sikur energjinë time po ua transmetoj atyre dhe ishte një shfaqje shumë e veçantë pikërisht për këtë shkëmbimin me publikun”, përfundoi ajo.

Sot është dita e tretë e FemArt-it dhe KultPlus do vazhdojë të ju mbajë të informuar mbi aktivitetet e kësaj dite dhe të tjerave në vazhdim./ KultPlus.com