Kryemnistri Kurti në hapjen e Kampionatit Shtetëror të Esports: Mundësi për të treguar talentin e inovacionin edhe ndërkombëtarisht

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen solemne të Kampionatit Shtetëror të Esports.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se Kurti është shprehur që Federata për herë të parë ka mbështetje financiare serioze nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Me ligjin e ri për sportin, i cili është në procedura parlamentare dhe ka kaluar në lexim të parë tashmë, kemi krijuar bazën ligjore që mundëson zhvillimin e esports në Kosovë. Jemi ndër shtetet e pakta në rajon dhe në tërë Evropën, që po ndërtojmë politika shtetërore të cilat mundësojnë zhvillimin e lojërave elektronike”, është shprehur Kurti.

Ai tutje ka thënë se për Kosovën, kjo është mundësi për të treguar talentin dhe inovacionin edhe në arenën ndërkombëtare.

“Për Kosovën, kjo është mundësi për të treguar talentin dhe inovacionin edhe në arenën ndërkombëtare. Bashkimi i këtyre dy sektorëve sjell potencial më të madh për zhvillim, edhe që duhet të promovohet me kujdes të shtuar nga të gjithë ne në të ardhmen”, është shprehur kryeministri.

Arkivi i Filmit, kujdes të veçantë ndaj shiritit filmik 35 mm

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ndau në rrjetet sociale një video ku tregon momente nga puna e përditshme në sektorin e mirëmbajtjes së fondit filmik. AQSHF shprehet se po tregohet kujdes i veçantë për shiritin filmik 35 mm. “Falë mbështetjes nga buxheti i shtetit për rinovimin e ambienteve të sektorit të mirëmbajtjes dhe atij të digjitalizimit, tashmë ritmi i punës është rritur edhe më tepër, e si përherë, duke treguar kujdes të veçantë për shiritin filmik 35mm”, shkruhet nga AQSHF.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF) është kujdestari ligjor i prodhimit kinematografik shqiptar, i filluar nga viti 1947 e në vazhdim, kryesisht i përbërë nga produksionet nga një njësi e vetme shtetërore, studio “Shqipëria e Re”, e cila filloi aktivitetin e saj në vitin 1952 dhe u mbyll në vitin 1992.

Koleksioni kinematografik i ruajtur në arkiv përmban gjithashtu: Materialet arkivore të mbledhura nëpërmjet procesit të privatizimit të filmave me metrazh të gjatë, filmave dokumentarë dhe kronikave të prodhuara nga studiot e huaja, nga fillimi deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, të konsideruara si plaçkë lufte.
• Materialet e filmuara të depozituara sipas dispozitave ligjore që filluan të aplikohen që nga viti 1945, ku përfshihen materialet e prodhuara nga regjisorët e huaj të filmave bazuar në marrëveshjet e reja shtetërore.
• Kopje të materialeve të filmuara të prodhimeve të huaja të blera nga shteti.
• Pamjet e arkivit
• Materialet e marra nëpërmjet shkëmbimit me arkivat e tjera./atsh/KultPlus.com

66 vjet më parë u aprovua pojektdekreti mbi krijimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se më 30 maj 1957, Këshilli i Ministrave aprovoi projektdekretin mbi “krijimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës”.

Në mbledhjen e kësaj date, qeveria vendosi emërimin e Zija Këlliçit si rektor të USHT-së, të Kolë Paparistos si zëvendësrektor për anën shkencore dhe të Hasan Dumës si zëvendësrektor për anën mësimore. Ky vendim do të hynte në fuqi më 1 qershor.

Sipas projektdekretit, USHT do të përbëhej nga 6 fakultete: Fakulteti i Histori-Filologjisë, Fakulteti Juridik, Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Inxhinierisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Fakulteti i Mjekësisë.

Vendimi përcaktonte që më 1 qershor, USHT-së t’i kalonin kuadrot dhe mjetet materiale e financiare./atsh/KultPlus.com

“Hasi Jehon” një aset i mbrojtur shtetëror

Festivali folklorik “Hasi Jehon” është listuar si aset i mbrojtur në kategorinë e trashëgimisë kulturore e shpirtërore. Në vendimin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit,  Hajrulla Çeku, thuhet se festivali “Hasi Jehon”, është institucion unik i ruajtjes, prezantimit, bartjes dhe promovimit të vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore të shqiptarëve.

“Festivali shërben si një shkollë edukative për ruajtjen, bartjen e promovimin e trashëgimisë kulturore e shpirtërore të gjeneratave të reja”, thuhet në vendim.

Organizatorëve të festivalit vendimin ia dorëzoi, Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, në natën e tretë të edicionit të 33-të të festivalit “Hasi Jehon”.

Drejtori i festivalit “Hasi Jehon”, Haziz Hodaj, shprehu kënaqësinë për këtë arritje të festivalit, të cilin ai ka organizuar dhe drejtuar për shumë vjet. Këtë arritje ai ua dedikoi themeluesve dhe të gjithë kontribuesve që prej themelimit të SHKA “Malësori”, që është nikoqire e festivalit, tha Hodaj. Ai tha se festivali do të shërbejë si një qendër edukative, ku do të edukohen të rinjtë për të bartur në brezan trashëgiminë kulturore e shpirtërore shqiptare.

Festivali folklorik “Hasi Jehon” është themeluar më 1976 nga Shoqëria Kulturore Artistike “Malësori” dhe të rinjtë e fshatit Gjonaj, të Prizrenit. Në dy dekadat e fundit festivali është zgjeruar me aktivitete të shumta dhe ka marrë karakter kombëtar, ku marrin pjesë shumë grupe artistike nga të gjitha viset shqiptare.

“Hasi Jehon” ruan dhe kultivon:paraqitjet burimore dhe koreografi profesionale, vallet autentike, burimore shqiptare, këngë popullore e folklorike, kostume e veshje tradicionale të të gjitha trevave shqiptare, lojëra popullore, ritet e ceremonitë tradicionale, instrumentet muzikore, etj. /rtklive /KultPlus.com