U mbajt edicioni i pestë i Manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, e organizoi edicionin e pestë me radhë të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”, përcjellë KultPlus.

Ky aktivitet letrar u mbajt online, më 21 mars pikërisht në Ditën Botërore të Poezisë. Në të morën pjesë, kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani, i cili me rastin e hapjes së këtij manifestimi, tha se veprimtaria letrare shërben për të këmbyer mendime, ide dhe kritika për zhvillimet në lëmin e letërsisë. Ai tutje u shprehu ngushëllime familjarëve kudo në botë që humbën të afërmit e tyre nga virusi korona, duke u uruar shërim të gjithë të infektuarve nga ky virus.

“Sot jemi tubuar bashkërisht për ta shënuar Ditën Botërore të Poezisë, për t’ia shprehur nderimin tonë asaj për mundësinë që na ofron për të plotësuar tërë atë që është e këndshme në urtësi dhe që është e kapshme në dëshira. T’i shprehim nderim poezisë nga që e meriton në kohën tonë dhe në të gjitha kohët, për të vërtetën  e saj për të ndikuar në zgjuarsinë dhe mendjet e njerëzve. Në ditën e saj me përmasa botërore, besoj nuk do ta teproja nëse them se poezia është e domosdoshme në këtë botë moderne, në të cilën ne jemi të pllakosur nga frika dhe trazimi”, theksoi Sulejmani.

Referatin kryesor në këtë manifestim e paraqiti profesoresha e letërsisë në Universitetin e Tetovës, Vjollcë Berisha. Ajo e nxitur edhe nga situata pandemike e cila e ka vështirësuar zhvillimin normal në çdo veprimtari, u shpreh se “Një ditë kjo ka për të kaluar dhe ne do t’i kthehemi poezisë”.

“Ishte një grafitë siriane që e pashë diku në postimet e facebook-it (2020) dhe që më bëri të ndjehesha si të kisha gëlltitur një humnerë. Ishte çasti kur një zë njeriu nga lufta artikulonte dëshirën për poezi, e poezia në atë fjali shumëfishohej në një grumbull kuptimesh që kishin të bënin me njerëzoren, me ndjenjën, me nevojën për t’iu kthyer jetës, për t’iu kthyer gjërave aty ku i kishin lënë. Përtej dobësisë njerëzore për tjetrin që vuan, përtypa në mendje plotninë e fjalës Poezi. A ishin poezi vetëm ato krijime letrare të shkruara në vargje? S’do mend që jo. Një grafitë e thjeshtë, shkruar në kohën kur njeriut i mungon gjithçka dhe e kërcënon pothuajse gjithçka, ishte zbërthimi më i mirë që mund t’i bëhej poezisë, atij krijimi të epërm ku përthyhen të gjitha ndjenjat, ku poeti është bashkarkitekti i gjësë që shpreh, se tjetri arkitekt është lexuesi, i cili s’dihet se sa është në numër dhe çfarë në të vërtetë i shton asaj”, theksoi Berisha e cila tutje tregoi se artisti gjenia i atij shkrimi në mur thotë: “‘Dhe ne do t’i kthehemi poezisë’, e që ne e lexojmë: do t’i kthehemi asaj që kishim të shtrenjtë, jetës sonë normale me poezi brenda, ëndërrimit tonë, honeve të fshehta të vetes sonë, dashurive tona, udhës për në koncertin me harqe, vizores së thyer në fund të çantës… Ai premton poezinë, si shpresën e epërme, si blatimin më të lartë ndaj vuajtjes së njerëzimit.

“E ndesha një ditë të rëndomtë këtë fjali që ma shndërroi në një muranë ditën e bardhë, të cilën ma mbanin në këmbë plot xhingla-mingla të rutinës. Ishte njësoj si të thyente një gotë dikush kur qeshë përhumbur në një këngë të qetë a në një roman të thellë. Mu ashtu më zgjoi dhe mendova për jetët e njerëzve që kishin dalë nga binarët dhe që ende diku shpresonin t’i ktheheshin poezisë për të ‘ngirë ujën’ elementare të qytetërimit”, veçoi Berisha.

Në kuadër të manifestimit letrar ndërkombëtar u mbajt edhe ora letrare në të cilën morën pjesë poetë, shkrimtarë, veprimtarë të artit dhe kulturës nga Tetova, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë: Xhelal Zejneli, Entela Kasi, Rabije Bytiqi, Arlind Farizi, Rozafa Shpuza, Vjollcë Berisha, Fatos Rushiti, Teuta Anif Muji. Po ashtu u lexuan edhe poezi të vetë krijuesve por edhe nga poetë të njohur si: Frederik Reshpja, Ylber Merdani dhe Viktor Hygoi.

Edicioni i pestë i “Shtigjeve poetike” u begatua edhe me pjesën muzikore nga artistët e talentuar si Olti dhe Oreli Esati, ku realizuan disa melodi nga krijimtaria e artit muzikor.

Ky manifestim u përmbyll me një debat, këmbim idesh, mendimesh dhe u vlerësua se ky model ndërkomunikimi është i dobishëm jo vetëm për afirmimin e artit poetik, por edhe për ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes krijuesve, letërsive dhe etnive. Manifestimi është mbështetur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut. / KultPlus.com