Frati françeskan dhe dhe shkrimtari i njohur shqiptar, Shtjefën Mëhill Konstandin Gjeçovi (Gjeçi)-Krzeyiu, lindi më 12 korrik të vitit 1873. Ai ishte veprimtari i shquar i lëvizjes atdhetare, etnografisë, arkeologjisë, shkruan KultPlus.
Kryevepra e tij, Kanuni i Lekë Dukagjinit, është përmbledhja më e përmendur e ligjit zakonor shqiptar. I kopsitur në 1263 nene, nisi të botohej së pari tek “Albania” e Konicës më 1897-98 dhe më pas në organin e shtypit të françeskanëve që nga dalja e Hyllit më 1913 gjer më 1924. Gjatë lëvizjes së shpeshtë ndër famullitë e Veriut prej Kurbinit deri në Rrafshin e Dukagjinit, ai mblodhi normativën e rendit dokesor.
Pa llogaritur artikujt e shumtë “Përralla popullore”(1903),”Doke e zakone vdekjeje”(1907), “Mënyra e jetesës në Malci” (1908), ”Doke e zakonesh dasmash”(1910-1911), “Vaje “ në raste vdekjesh (1917-1920). Një pjesë e dorëshkrimeve humbën me vdekjen e tij.
Botimi i Kanunit u arrit më 1933, mbas vdekjes së mbledhësit, me një parathënie të P. Fishtës. U përkthye më vonë nga mikesha e shqiptarëve dhe e Eqrem bej Vlorës, baronesha Marie Amelie von Godin pjesë-pjesë, e me ndihmën e etënve françeskan. Punim i cili bëri të mundur që më 1936 Universiteti gjerman i Drezdenit i dha doktoratën postum P. Gjeçovit për vleftën e Kanunit. Në italisht u përkthye nga P. Pal Dodaj në bashkëpunim me Giuseppe Schirò dhe u botua nga Akademia e Arteve dhe Shkencave në Romë më 1941. / KultPlus.com