E mbijetuara e dhunës seksuale, Shyhrete Tahiri dorëzon kallëzim penal: Jam këtu për të kërkuar drejtësi

Jeta Zymberi

E mbijetuara e dhunës seksuale e luftës në Kosovë, Shyhrete Tahiri sot ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorisë Speciale në Kosovë për të kërkuar publikisht drejtësi rreth krimit që ka përjetuar, shkruan KultPlus.

Drejtoresha Ekzekutive e QKRMT, Feride Rushiti bashkë me Shyhrete Tahirin, dolën sot para mediave për të kërkuar publikisht drejtësi.

Rushiti, para mediave i ftoj të gjitha gratë të cilat ende luftojnë për drejtësinë e tyre ti deponojnë në organet kompetente krimet që ju kanë ndodhur pa dashjen e tyre në luftën e fundit në Kosovë.

“I ftoj të gjitha gratë e vajzat të cilat ende luftojnë për drejtësinë e tyre t’i deponojnë këto krime që i kanë përjetuar pa dashjen e tyre”, tha Rushiti e cila fjalën tutje ja dha të mbijetuarës së dhunës seksuale, Shyhrehet Tahirit e cila për hirë të gjitha atyre që përjetuan krimin e njëjtë kishte vendosur që sot publikisht të ngre zërin.

“Të nderuar qytetar sot jam këtu me nda me ju dhimbjen që e kam në shpirt dhe përfaqësoj të gjitha nënat, gratë, motrat e vëllezërit që atë dhimbje e kanë njëjtë si unë dhe të ju jap kurajo. Nuk është e lehtë aspak të ndaj këtë dhimbje të shpirtit që ther zemrat dhe nuk bëhen asnjëherë bashkë. Po, sot jam këtu për të kërkuar drejtësi”, duke mos pasur forcë për të vazhduar fjalën, Tahiri në fund falënderoi të gjithë për përkrahjen.

Pas kësaj fjale, simbolikisht Tahiri ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale dosjen e saj duke shpresuar që drejtësia të vije në vend sa më shpejt.

Feride Rushiti kërkoi që institucionet të punojnë më shumë në këtë drejtim sepse deri më tani asnjë kryerës i dhunimeve gjatë luftës nuk ka marrë dënimin nga gjykatat, po ashtu Prokuroria Speciale në Kosovë, përveç hetimit të këtyre rasteve, ende nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë. / KultPlus.com