Nesër do të promovohet libri i Shyqri Nimanit, panelistë: Albin Kurti, Pëllumb Xhufi, Jusuf Buxhovi e Lulzim Tafa

“Shqipëtarët dhe Serbët – E Vërteta Kundër të Pavërtetës”, është libri  nga Shyqri Nimani i cili do të mbahet më 19 qershor, prej orës 18:00 në Galerinë e Arteve të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ky vëllim monografik, në shqip dhe anglisht, që ka gjithsej 23 kapituj, shqyrton çështje të rëndësishme ndërmjet popullit shqiptar dhe atij serb gjatë shekujve.

Panelistë për diskutimin e librit do të jenë: Albin Kurti, Kryeministri i Kosovës,  Dr. Pëllumb Xhufi, Historian, Jusuf Buxhovi, Historian, dhe Dr. Lulzim Tafa, Poet. / KultPlus.com

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës u hap këndi për Shyqri Nimanin, prezantohen fotografi, artikuj, përkthime e katalogë

Piktori, dizajneri grafik, profesori dhe njëkohesisht ish-drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës, Shyqri Nimani, u përkujtua sot nga ky institucion, udhëheqjen e të cilit dikur e bëri ai.

Dhjetë vite veprimtari të Nimanit në krye të Galerisë Kombëtare të Kosovës, duke nisur që nga fjalimet, përkthimet e deri tek dizajnet e krijuara me plot zell, u përmblodhën në një kënd të  mureve të kësaj Galerie.

Dy tavolinat e bardha u mbushën me  fotografitë e profesorit të ndjerë, me artikuj të dedikuar për të dhe  me katalogë në të cilat përmblidhet puna dhjetë vjeçare e tij.

Përgjatë jetës së tij 83 vjeçare, Nimani kishte arritur të zhvillojë një karrierë të fuqishme me profesione nga më te ndryshmet. Njihet si mjeshtër i arteve, muzikant, dizajner grafik, profesor, dekan, përkthyes, drejtor, themelues, e madje edhe njohës i mirë historisë e trashëgimisë kulturore.

Shyqri Nimanin as dhjetëra profesione nuk e lodhën dot, madje as mosha e shtyrë nuk e stopoi në kryerjen e punëve me profesionalizmin më të madh e përsosmërinë më të lartë.

Nuk janë mbushur akoma dy javë prej se Niamani nuk është fizikisht në mesin tonë, prapë mund të thuhet se ai është gjithkund dhe kudo. Janë puna dhe veprimtaria e tij, ato që flasin për të, edhe nëse goja e tij nuk nxjerr më fjalë. Janë ato krijime artistike në tokën e Kosovës që kanë mbetur si dëshmi për vlerat poseduese të tij.

Veprën dhe kontributin e Shyqri Nimanit e vlerësoi lartë edhe Drejtoresha e tanishme e Galerisë, Alisa Gojani Berisha e cila tha se ky kënd nuk është i vetmi që do të zhvillohet për Nimanin, për shkak se janë mirëmenduar edhe organizime më madhore karshi tij.

“Ky është vetëm një kënd i vogël. Ne synojmë që në një të ardhme të realizojmë një ngjarje më madhore me përfshirje të bisedave me familjarë, dokumentarë, ekspozita  të gjera ose diçka edhe më ndryshe”, u shpreh Gojani Berisha për KultPlus.

Gojani Berisha tha se qëllimi kryesor i hapjes së këtij këndi është përkujtimi dhe respekti ndaj të ndjerit, Shyqri Nimanit, dhe se me anë të kësaj hapësire ekspozuese kanë dashur të shpalosin edhe një anë të kontributit të tij, të nxjerrë nga arkivat e galerisë.

“Ne kemi dashur të shpalosim këtë kënd si shenjë respekti për punën, kontributin dhe veprën e profesorit të ndjerë. Profesor Shyqriu ka qenë udhëheqës i këtij institucioni për një dekadë të plotë, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm,  gjë që dokumentohet edhe me anë te arkivave të Galerisë”, shtoi ajo.

Kjo hapësirë ekspozuese dedikuar Shyqri Nimanit do të qëndrojë e hapur për një muaj, ku njerëzit do të kenë mundësi të shohin për nga afër dokumente të nxjerra nga arkiva me anë të cilave shpaloset një anë tjetër e tij.

“Materialet te cilat i kemi prezantuar si pjesë të arkivit i kemi të dublifikuara për njerëz që duan ti shfletojnë, sidomos për njerëzit që janë adhurues të arkivit”,  përfundoi Gojani Berisha.

Kujtojmë që Nimani përpos që ka qenë Drejtor i  GKK për dhjetë vite radhazi, ai njihet edhe si shkruesi i “Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës”, dizajnues i logos së Teatrit Kombëtar e gjithashtu edhe themelues i Galerisë Kombëtare dhe koleksionimit të tij.

Këndi është hapur sot në ora 10:00 dhe do të qëndrojë i hapur për një muaj të plotë./ KultPlus.com

Galeria Kombëtare e Kosovës krijon këndin për Shyqri Nimanin, udhëhoqi këtë institucion për dhjetë vjet

Galeria Kombëtare e Kosovës ka krijuar një kënd për Shyqri Nimanin, i cili ishte edhe drejtori i parë i këtij institucioni dhe të njëjtin e udhëhoqi për dhjetë vjet, shkruan KultPlus.

GKK ka njoftuar se ky kënd mund të vizitohet prej nesër, ku edhe do të prezantohet puna e tij nga arkivi dhe koleksioni i GKK-së.

Më poshtë keni njoftimin e plotë të GKK-së.  

Në nderim të veprës së akademik Shyqri Nimani i cili ushtroi detyrën si drejtor i parë në Galerinë Kombëtare të Kosovës për 10 vite, ne e prezantojmë për publikun këndin me punën e tij nga arkivi dhe koleksioni i GKK-së.

Shyqri Nimani u lind në vitin 1941, në Shkodër, Shqipëri. Nimani njihet si dizajneri i parë grafik, ai poashtu është një ndër themeluesit e departamentit të Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Prishtinës, Kosovë. Nimani diplomoi nga Akademia e Arteve Aplikative në Beograd, me 1967, në seksionin e librit. Ai i bëri studimet postdiplomike në vitin 1969 në të njejtin univerzitet dhe vazhdoi hulumtimin e tij artistik në Japoni në periudhën 1976-78. Me 1979, ai u bë drejtori i parë i Galerisë Kombëtare të Kosovës, detyrë që e ushtroi për 10 vite. Përgjatë këtyre viteve kontribuoi në krijimin e koleksionit, arkivës dhe indentitetin vizuel të GKK-së apo siç njihej në atë kohë si Galeria e Prishtinës.

Ju mirëpresim nga nesër në orarin e rregullt të punës:

Hëne – Premte 10:00 – 18:00

Shtune – Diele 10:00 – 17:00./ KultPlus.com

Përfaqësues shtetërorë, bashkëpunëtorë dhe qytetarë nderojnë jetën dhe veprën e profesor Shyqri Nimanit

Sot u mbajt mbledhja komemorative ku u përkujtua jeta dhe trashëgimia artistike e Shyqri Nimanit, piktorit, dizajnerit grafik dhe profesorit shqiptar i cili vdiq dje në moshën 82-vjeçare. Mbledhja u mbajt me pjesëmarrjen e përfaqësuesve shtetërorë, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve që shprehen ngushëllime për vdekjen e Nimanit, një krijuesi i cili la gjurmë të pashlyeshme në identitetin e artit shqiptar, shkruan KultPlus.

Veprimtaria e tij artistike, e shpërndarë në rryma të ndryshme të artit, cilësitë e tij si profesor dhe veçoritë e tij si njëri ishin e përbashkëta e të gjitha fjalimeve që mbajtën sot folësit në këtë mbledhje.

Të gjithë të pranishmit fillimisht mbajtën një minutë heshtje dhe më pas fjalën i pari e mori Alban Nimani, djali i profesorit të ndjerë, i cili falënderoi të pranishmit për prezencën dhe për ngushëllimet e shprehura në këto ditë pikëllimi për familjen Nimani.

“Faleminderit të gjithëve për respektin dhe ngushëllimet tuaja për këtë rast të vështirë për familjen tonë, shpresoj që babain ta kujtojmë me kujtimet më të mira edhe në të ardhmen” , u shpreh Nimani.

Më pas, fjalën e mori, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila e përshkruajti këtë takim si një moment të vështirë që e simbolizon ndarjen me një person që do të mbetet model, ku fuqia e tij shpirtërore, përkushtimi dhe kreativiteti i tij do të jetë motiv për t’i dalë zot çdo detyre.

“Profesor Nimani, artisti ynë i shquar e profesori i merituar këto dashuri i pati të përhershme dhe të pashkëputshme. Ai i ndau ato me familjen, me miqtë, studentët, institucionet, me shtetin e kombin e vetë, duke u mishëruar fort me ta. Profesor Nimani do të gjejë paqen në botën e përtejme duke e marrë me vete dashurinë e njerëzve që patën fatin ta njihnin, ta kishin në familje, e duke na e lënë prapa veprën e jashtëzakonshme artistike, pasionin e madh për atin, kujtimin e pasosur si njeri, e ëndrrën për t’i ngjarë sado pak”, tha mes tjerash presidentja Osmani duke cilësuar më tutje që arti që Nimani ka lënë pas vetes, do ta mbajnë popullin e Kosovës përjetësisht të lidhur me të.

Më pas, fjalën e mori ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili shprehu ngushëllimet në emër të Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Kulturës por edhe në emrin e tij personal. Çeku tha se lajmi i ditës së djeshme ishte i papritur, marrë parasysh planet artistike që Nimani ia kishte komunikuar ministrit në bisedat e tyre të ditëve të fundit.

“Kështu do ta kujtoj gjithmonë, plot energji, plot entuziazëm, plot zell. Një shqiptar i devotshëm, një njeri i botës, që e shihte botën me syrin e një shqiptari pa asnjë kompleks, me shumë mburrje e krenari për historinë e kombit të tij, një personalitet poliedrik që ka punuar në shumë fusha, ka lënë shumë vepra, shumë gjurmë, jo vetëm në numër, por edhe në cilësi me shumë elegancë e me shumë stil. Ne natyrisht që na takon që të bëjmë më të mirë tonë si institucione për ta kultivuar këtë trashëgimi që na ka lënë pas”, tha ministri Çeku në fjalimin e tij.

Ndërkaq, bashkëpunëtori i Shyqri Nimanit, Jusuf Buxhovi, u shpreh se Shyqri Nimani i takoi brezit të intelektualëve e krijuesve që mund të quhen brezi i Republikës së Kosovës, brez, i cili në fund të viteve 60’ta, 70’ta, 80’ta e tutje krijoi platformën intelektuale, institucionale e shpirtërore të një rrugëtimi fillimisht kah barazia dhe më vonë kah ajo e pavarësisë.

“Sot, përshëndetem nga krijuesi që i ka dhënë shpirt, identitet dhe art Kosovës. Emri i Shyqri Nimanit do të mbetet gjithmonë imazh i dokumentit siç është ai i Pavarësisë së Kosovës. Unë kujtoj se i kemi dy dokumente madhore në historinë e kombit tonë, shpallja e Pavarësisë në vitin 1912 që e identifikon Ismail Qemalin dhe po ashtu shpallja e Pavarësisë së Kosovës e mbërthyer në atë letrën të cilën Shyqri Nimani e dizajnoi”, u shpreh Buxhovi në fjalimin e tij.

Për një fjalë rasti u ftua edhe bashkëpunëtori tjetër i profesor Nimanit, poeti Lulzim Tafa, i cili ndau me të pranishmit bisedat e tyre të përhershme dhe vlerësimet e tij si artist, njohës i artit dhe si një profesor shembullor.

“Unë nuk do të them që profesor Nimani ka qenë profesor i mirë, profesor Nimani ka qenë profesori më i mirë. Për të gjithë ne kolegët, bashkëpunëtorët, studentët, profesor Nimani do të mbetet modeli i profesorit dhe intelektualit”, tha poeti Tafa.

E në fund, fjalën e mori edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili vlerësoi lart kontributin e profesorit Nimani në shumë dokumente, dizajne e dorëshkrime të rëndësishme për artin në Kosovë.

“Emri i Shyqri Nimanit, këtij njeriu me talente të panumërta është gdhendur tash e përgjithmonë në fushën e artit, ose thënë më saktë, të arteve sepse kontributi i tij shtrihet në arte të shumta. Kontributet e gjithëndryshme të tij shtrihen larg përtej dizajnit karligrafik, dizajnit grafik, ai ishte edhe sfidues e historian i flaktë i artit që gjurmoi artistët shqiptarë gjatë renesancës italiane nëpër Evropë ose edhe gjatë perandorisë osmane, duke na lënë disa monografi mbresëlënëse”, theksoi Rama në fjalimin e tij, duke shprehur më tutje ngushëllime për familjarët, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin profesor Nimanin.

Ndërkaq, ju kujtojmë që Shyqri Nimani vdiq dje në moshën 82-vjeçare.Ai ishte piktor, dizenjues grafik dhe pedagog shqiptar. Është i mirënjohur nëpër hapësirat shqiptare për kaligrafimin me dorë në pergamen të Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008./ KultPlus.com

Kurti: Shyqri Nimani, figura qenësore e fillesave dhe zhvillimit të dizajnit grafik në Kosovë

Sot ka ndërruar jetë profesori dhe dizajneri grafik, Shyqri Nimani, përcjell KultPlus.

Për vdekjen e Nimanit ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e cilëson atë si figurë qenësore e fillesave dhe zhvillimit të dizajnit grafik në Kosovë si fushëveprim, ku ka qenë edhe bartës i proceseve të ngritjes profesionale e arsimore të gjeneratave të reja të kësaj fushe në vend.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Me pikëllim mora lajmin sot për vdekjen e profesorit, dizajnerit grafik, dhe autorit Shyqri Nimanit. Profesor Nimani është figura qenësore e fillesave dhe zhvillimit të dizajnit grafik në Kosovë si fushëveprim, ku ka qenë edhe bartës i proceseve të ngritjes profesionale e arsimore të gjeneratave të reja të kësaj fushe në vend. Si figurë kozmopolite, ishte nxitësi dhe organizatori kryesor në themelimin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, dhe të koleksionit të saj. Autor i shumë veprave mbi dizajnin grafik, tipografinë dhe artin në përgjithësi. Në mesin e shumë kontributeve dhe veprave, profesor Nimani do të mbahet në mend edhe si kaligrafi i deklaratës origjinale të pavarësisë së Republikës së Kosovës që është nënshkruar më 17 shkurt 2008. Me shumë kujdes dhe pasion puna e profesor Nimanit ka vazhduar e pandërprerë deri në ditët e fundit të jetës së tij.

Ngushëllime familjarëve, të afërmve dhe gjithë komunitetit kulturor!./KultPlus.com

Presidentja Osmani ngushëllon për vdekjen e artistit Shyqri Nimani: Një intelektual i jashtëzakonshëm

Presidentja Vjosa Osmani i ka shprehur ngushëllime familjes Nimani dhe gjithë komunitetit akademik e kulturor për ndarjen nga jeta të dorëshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, profesorit e artistit, Shyqri Nimani.

Osmani tha se ai ishte një intelektual i jashtëzakonshëm, pasioni dhe përkushtimi i të cilit frymëzoi studentë të panumërt.

“Me dhimbje të thellë e pranova lajmin për ndarje nga jeta të dorëshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, profesorit e artistit, Shyqri Nimani. Fjalët e skalitura nga ai në pergamenë, janë testament për brezat që do të vijnë dhe kujtim i përhershëm për të. Për një kontribut të tillë, sikurse edhe atë në fushën e arteve, z.Nimani më 17 shkurt të këtij viti është dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave. Veprimtaria e tij do të mbetet dëshmi e përkushtimit, pasionit dhe besimit të palëkundur në fuqinë transformuese të artit e të kulturës. Ngushëllime familjes Nimani dhe gjithë komunitetit akademik e kulturor!”, ka shkruar Osmani.

Në nder të veprës së tij, Kuvendi i Kosovës sot mbajti një minutë heshtje. / KultPlus.com

Ministri Çeku pas vdekjes së Shyqri Nimanit: Një nga emrat më kulmor të artit në vendin tonë

Ka vdekur sot Shyqri Nimani, piktori, dizenjuesi grafik dhe pedagogu shqiptar, i mirënjohur nëpër hapësirat shqiptare për kaligrafimin me dorë në pergamen të Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.

Për humbjen e këtij artisti kombëtar, ka shprehur ngushëllime edhe ministri i kulturës, Hajrulla Çeku.

Përmes një telegram ngushëllimi, ministri Çeku është shprehur se profesor Nimanin do ta kujtojmë si një nga emrat më kulmor të artit në vendin tonë, që la prapa një karrierë të bujshme dhe gjurmë të thella artistike.

“Telegram ngushëllimi

E nderuar familje Nimani,

Me pikëllim pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, mjeshtrit të arteve të bukura, profesor Shyqri Nimanit.

Në emrin tim dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit shprehim ngushëllimet më të sinqerta për humbjen tuaj.

Do ta kujtojmë si një nga emrat më kulmor të artit në vendin tonë, që la prapa një karrierë të bujshme dhe gjurmë të thella artistike.

Teksa kujtojmë vetëm disa nga veprat e tij, si dorëshkrimin e artë në aktin themeltar të shtetit tonë, Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, krijimin e logos identifikuese të Grand Hotelit, Kosova Filmit deri tek simboli i Universitetit të Prishtinës, e themi me gjithë zemër se prof. Nimani me meritë të plotë e të padiskutueshme ka zënë një vend nderi në listën e gjatë të krijuesve dhe studiuesve të kohës sonë.

Do t’i jemi falënderues dhe përgjithmonë mirënjohës për kontributin e tij në themelimin e departamentit të Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, kontributin në themelimin e institucioneve tona të artit, udhëheqjen e Galerisë Kombëtare të Kosovës, si dhe për monografitë reprezentative dhe të rëndësishme mbi trashëgiminë kulturore shqiptare.

Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve kolegëve dhe gjithë komunitetit.

Sinqerisht,
Hajrulla Çeku
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Republika e Kosovës”. / KultPlus.com

Shyqri Nimani : Nuk më dhanë kohë të mjaftueshme për Deklaratën e Pavarësisë, e kam brengë në zemër

Për 16 orë ka punuar në këmbë dhe me kurriz të lakuar, sepse ashtu ishin kushtet e punës. Artisti Shyqri Nimani, figura që ka kaligrafuar në pergamenë “Deklaratën e Pavarësisë”, më 16 shkurt të vitit 2008, për 16 orë kishte pirë vetëm ujë. Dhe në një intervsitë për KultPlus, ka treguar se si nuk ka guxuar të lëshohet as në gëzimin e pavarësisë, por ta përfundonte dokumentin e kërkuar. Ai tregon për ethet që i ka sjellë ky dokument, frikën që nuk do të arrinte ta përfundonte punën e kërkuar, sikurse që tregoi se po brenda atyre 16 orëve mori aritmi në zemër, pasoja që po i vuan tash e dhjetë vite.
“Me vete kam pas edhe Agonin, djalin tim. Për një moment më kujtohet që i jam drejtuar duke shpërfaqë frikën time se nuk do të mund t’ia dal. Mbaj mend se si më dha kurajo, duke më thënë se patjetër do t’ia dalim”, ka thënë ai.
Nimani ka treguar se 15 minuta para orës 15:00, atëherë, kryeministri Thaçi ka ardhë dhe e ka marë dokumentin, duke mbetur artisti i dërmuar në Zyrën e Kryeministrit. Përmend edhe dëshirën e djalit të tij që të shkonin edhe ata në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Por, Nimani tregon se si i dërmuar që ishte, ceremoninë e ka përcjellë nga televizori i Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, duke kujtuar edhe atë, se nuk kishte vend për të gjithë në ceremoni. Ai ka kujtuar edhe një detaj tjetër, që për punën e tij, ai nuk është paguar nga Qeveria e Kosovës.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Kanë kaluar dhjete vite nga koha kur edhe e keni shkruar Deklaratën e Pavarësisë, dhe duke shikuar nga kjo distancë, si e kujtoni atë 16 orësh, që vlerësohet të ketë qenë kohë shumë stresuese për ju?
Shyqri Nimani:
 Ishte 16 shkurti i vitit 2008, një ditë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Atë kohë, më ftoi kryeministri i atëhershëm i Kosovës- Hashim Thaçi. Më kujtohet shumë mirë, ka qenë ora 21:00 kur ma dhanë tekstin e Deklaratës së Pavarësisë, ku kërkuan nga unë që ta kaligrafoja në pergamenë (lëkurë e viçit). Teksti që ma lëshuan në dorë ishte plot tri faqe të formatit A/4, secili që është artist e kupton shumë mirë stresin tim për ta rrumbullakuar atë punë për 16 orë.
Unë pata pasë një takim edhe më herët, ku ju pata shpjeguar që nëse do të ishte deklarata në formatin A/4, në vetëm një faqe, duhen gjashtë ditë pune që të përfundonte deklarata ashtu si duhej, kurse mua më dorëzuan këtë dokument me tri faqe të plota.
Në momentin e fundit e kuptova se sa shumë ka tekst, dhe u befasova shumë, pastaj teksti që ma dhanë kishte edhe gabime gjuhësore, sepse, teksti ishte përkthyer nga anglishtja, dhe mu desh që edhe me këtë problem të merrem, që tekstin fillimisht ta korigjoja. Sepse, kur fillon të shkruash në pergamenë, aty më nuk lejohet të gabosh.

KultPlus: Pikërisht për realizimin e Deklaratës së Pavarëisë, ju njërën nga zyret e kryeministrit të Koosvës e shndërruat në një atele pune për 16 orë, çfarë kërkese tjetër patën institucionet për përfundimin e Deklaratës së Pavarësisë?
Shyqri Nimani:
 Përpos që duhej ta përfundoja Deklaratën e Pavarësisë brenda 16 orëve, shefi i protokollit në atë kohë, Abedin Qupeva erdhi me propozimin se nëse mund të ishte edhe Qeveria e Kosovës bashkëautore e Deklaratës së Pavarësisë, sikurse që ma përmendi edhe kontratën.
Natyrisht në stresin e kohës që isha, ishte e pamundur të flisja për këso gjëra teknike. Unë duhej që të koncentrohesha në punë dhe ta përfundoja gjithë atë punë që kisha para vetës.
Edhe përkundër faktit se si popull shqiptar e kemi ëndrruar shumë atë ditë, shpalljen e pavarësisë, unë nuk kam pas kohë të mendoj se sa i lumtur do të jetë populli im, pikërisht kur do të lexohej ky dokumet që do t’ia kumtonte lajmin e shumë pritur, se vendi i tyre përfundimisht do të jetë i pavarur. Ne krejt e dijmë se sa shumë luftë politike, luftarake është dashur që të vijmë deri te ajo ditë e madhe.
Unë i kisha këto ndjenja të brendshme, por për ato 16 orë mu desh ti mbyllja, të mos mendoja, sepse më duhej të kompozoja krejt tekstin, krejt hapësirën, dhe për këtë fakt, fillimisht këtë tekst mu desh ta shkruaj në një letër të thjeshtë, që t’ia jepja kompozimin e më pas të filloja punën në pergamenë.

KultPlus: Padyshim, kjo punë e juaja është një punë historike, një punë që është e mbrojtur edhe nga Trashëgimia Kulturore, dhe një punë që vlerësohet lartë nga të gjithë. Por ju si autor, sa jeni i kënaqur me këtë realizim?
Shyqri Nimani:
 Do të më mbetet brengë për gjithë jetën, kam menduar që ta ilustroj mirë, sipas doktrinave mesjetare, të ketë inicialet, të ketë ilustrime, por e dija saktë që 16 orë nuk më lejonin këtë dëshirë. Më është dashur të shkruaj me një fond, me një stil, i cili është i bukur, subtil dhe që shkruhet më shpejt, dhe vendosa që ta shkruaja në stilin italik, të renesancës italiane, kur siç dihet, që me këtë fond është shkruar edhe “Formula e Pagëzimit”, dhe pikërisht për këtë fakt, desha ta bëja një ndërlidhje mes asaj periudhe dhe periudhës sonë.
Për 16 orë kam punuar në këmbë dhe me kurriz të lakuar, sepse ashtu ishin kushtet e punës, kam pirë vetëm ujë, dhe asgjë nuk kam menduar përpos që ta përfundoj. Për herë të parë në punën time artistike kam pas frikën që nuk do t’ia dal. Me vete kam pas edhe Agonin, djalin tim, i cili edhe ai është dizajner. Për një moment më kujtohet që i jam drejtuar duke shpërfaqë frikën time se nuk do të mund t’ia dal.
Mbaj mend se si më dha kurajo djali im, duke më thënë se patjetër do t’ia dalim. Kjo punë është shumë riskante, unë kam pas raste të shkruaj edhe më herët në pergamentë, por jo me kaq afat të shkurtër.

KultPlus: Dhe, kur përfundoi ky stres 16 orësh?
Shyqri Nimani: 
Deklaratën e Pavarësisë e kam përfunduar pesëmbëdhjetë minuta para orës 15:00. Mbaj mend që erdhi kryeministri Thaçi, e panë dhe e morën. Kurse unë mbeta i katandisur deri në fund, i rrënuar nga lodhja. Mbaj mend që djali im më pat kërkuar që të shkonim në sallën e Parlamentit të Kosovës, aty ku edhe do të shpallej pas pak Pavarësia e Kosovës.
I thashë që do ta përcjellë seancën nga kjo zyrë e kryeministrit, sepse edhe isha i lodhur, por edhe nuk isha veshur bukur, pastaj, edhe nuk kishte vend për të gjithë në atë seancë, kështu që e kam përcjellë këtë ceremoni sikurse krejt qytetarët e Kosovës, nëpërmjet televizorit.

KultPlus: Dhe, Deklarata e Pavarësisë u lexua më 17 shkurt të vitit 2008, por pas kësaj, kush mbeti autori i kësaj pune, u plotësua dëshira e Qeverisë së Kosovës që të jenë bashkëautorë të kësaj deklarate?
Shyqri Nimani: 
Kanë kaluar dhjetë vjet, dhe deri më sot, unë asnjëherë nuk kam nënshkruar asnjë kontratë për punën që bëra. Nëse nuk gabohem, atëherë janë ndarë 600 mijë euro për atë ditë, mjete që janë ndarë për shpenzimet. Kam dëgjuar që shumë autorë kanë marë mjetet për punët që kanë kryer, por unë që shkrova Deklaratën e Pavarësisë nuk mora mjetet. Unë kam dëgjuar se mjetet kanë qenë të ndara për këtë punë, por unë nuk shkova ti kërkoja, por as ata nuk erdhën të më kërkonin. Unë nuk besoj që Hashim Thaçi është në dijeni se nuk jam paguar për punën e bërë, pasi që, ai ka pasë tjera ngarkesa, por të tjerët kanë qenë në dijeni, apo edhe ndoshta mendojnë se jam paguar.

KultPlus: Megjithatë, ne si shqiptarë njihemi se si i lëmë punët për momentin e fundit, mendoni se kjo punë ka pas mundësi që të organizohej më mirë, që të kishe kohën e mjaftuar?
Shyqri Nimani:
 Deklarata ka pasë mundësi që të shkruhej më herët, por ka qenë edhe problemi te teksti, sepse Pavarësia e Kosovës ishte e kushtëzuar, dhe deklarata, unë mendoj, që nuk është shkruar pa miratimin e ndërkombëtarëve, andaj ka ardhë në momentin e fundit.
Por prapë mendoj se është mëkat, sepse është dashur të më tregonin dy javë më herët. Sepse as Thaçi, por as të tjerët nuk e kanë ditur se mke çfarë përkushtimi duhet të shkruhet në pergamenë.

KultPlus: E përmendët më lartë se nuk jeni i kënaqur me realizimin e Deklaratës së Pavarësisë, është një punë që nuk kthehet prapa, por keni ndonjë ide që do të doje të bëje diçka, që të tregoje se si do të duhej të ishte ky dokument?
Shyqri Nimani:
 Artisti duhet me qenë i sinqertë, unë i shoh të tjerët se si reagojnë në lidhje me punën time në Deklaratën e Pavarësisë, e lavdojnë, kanë fjalë të mëdha. Por unë vazhdoj ta kem brengë, edhe pse kam bërë shumë, sepse nuk kam pasë kohë më shumë, e sikur të kisha kohë më shumë, jam i sigurtë që do jepja më shumë.
Kushdo tjetër të ishte në vendin tim do ti ndodhte e njëjta, sepse nuk ka pasë kohë të mjaftueshme me atë çfarë kanë kërkuar.
Por unë gjeta ngushëllimin me një shtet shumë më të fuqishëm se ne. E njëjta gjë u ka ndodhur edhe Amerikës, atëherë kur e kanë shpallë pavarësinë.Edhe Deklarata e Pavarësisë së Amerikës është me vetëm një ngjyrë, ngjyrë të zezë, pa ilustrime, kjo pak më ngushllon, ma bën më të lehtë.
Por unë, edhe me kërkesë të bashkëshortes sime, do të realizoj edhe njëherë Deklaratën e Pavarësisë në pergamenë, por natyrisht pa nënënshkrimin e deputetëve. Do ta bëj në mënyrë time dhe do ta dorëzoj që të jetë pjesë e Muzeut të Pavarësisë së Kosovës, këtë gjë do ta bëj që vetëm të mos e kem peng mos arritjen e realizimit të Deklaratës së Pavarësisë në mënyrën më të mirë të duhur. Do ti blej vet pergamenët dhe do të filloj të punoj ngadalë, ashtu si kam dëshirë.

KultPlus: Pikërisht në këtë përvjetor, pas dhjetë viteve, edhe qytetarët e Kosovës do të kenë rastin ta shohin Deklaratën e Pavarësisë nga afër, pasi që do të ekspozohet në ekspozitën e Muzeut të Kosovës, si ndjehesh?
Shyqri Nimani:
 Po, tash do të ekspozohet Deklarata e Pavarësisë dhe njerëzit do të kenë rastin ta shohin më afër këtë deklaratë, punë që më ka sjellë edhe aritmi në zemër, dhe këtë problem e barti tash e dhjetë vite.

KultPlus: A të kanë ftuar të jeshë i pranishëm në hapje të kësaj ekspozite?
Shyqri Nimani:
 Jo, nuk më ka ftuar askush.

KultPlus: Gjithë kjo punë, përpos që ta ka ‘dhuruar’ aritminë e zemrës, të ka lënë edhe ndonjë dhuratë tjetër, ke ndonjë gjë në shtëpinë tuaj që të kujton këto momente?
Shyqri Nimani:
 Të gjitha materialet që i kam përdorë atë ditë i kam në shtëpi, kaligrafet e ndryshme, ngjyrat dhe disa copa të pergamanëve, sikurse që i kam edhe tri faqet A/4. Një ditë do ti dhuroj edhe këto kujtime.

KultPlus: Dhe krejt për fund,një paralele në mes karrierës suaj 55 vjeçare dhe punës në Deklaratën e Pavarësisë, kjo e fundit të ka bërë të famshëm në nivel popullor, por puna artistike është për një pjesë më të ngushtë. Ju personalisht, cilën lartësoni më shumë?
Shyqri Nimani:
 Po më vjen mirë për këtë pyetje, nuk ma bëri askush për këto dhjetë vite. Unë vitin e kaluar pata 75 vjetorin e lindjes dhe asnjë televizion nuk më ftoi që të bëj diçka rreth karrierës sime artistike. Kurse për këtë përvjetor, që dy javë jam duke dhënë intervista për medie të ndryshme, duke përfshirë edhe të huajat.
Për mua, asnjë rëndësi nuk paraqet fakti që kam shkuar Deklaratën e Pavarësisë, njëjtë do të mendoja edhe sikur mos ta shkruaja. Sepse, unë jam artist, jam pedagog universitar, me rëndësi janë monografitë e mia, karriera ime artistike. Por puna në Deklaratën e Pavarësisë është punë historikë, punë që lë gjurmë dhe punë që ka bërë jehonë më shumë./KultPlus.com

Vdes artisti kombëtar Shyqri Nimani

Foto në ballinë: Atdhe Mulla

Ka vdekur sot profesori dhe artisti kombëtar Shyqri Nimani.

Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, Agon Nimani i cili edhe ka njoftuar për ceremoninë mortore.

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë për ndarjen nga jeta të më të dashurit tonë, profesorit dhe artistit kombëtar Shyqri Nimani.

Informojmë të gjithë familjarët, miqtë dhe opinionin publik për ceremoninë mortore:
E premte, 23 qershor
14:00-15:00h
Homazh në foajenë e Teatrit Kombëtar të Kosovës (Pallati i Rinisë).
15:00-16:00h
Mbledhja komemorative në Teatrin Kombëtar, organizuar nga Ministria e Kulturës (amfiteatri i TKK).
17:00h
Varrimi, në varrezat e Prishtinës (Arbëri).
E pamja:
24, 25, 26 qershor
(e premte – dielë)
Rruga Major Mehmet Bushi, Vila 15/1, (Shtëpia e familjes, Bregu i Diellit) Prishtinë
nga 11:00-18:00h.
Familja Nimani”.

Shyqri Nimani (Shkodër, 6 maj 1941) ishte piktor, dizenjues grafik dhe pedagog shqiptar. Është i mirënjohur nëpër hapësirat shqiptare për kaligrafimin me dorë në pergamen të Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.

U lind në Shkodër më 6 maj 1941 në një familje me prejardhje nga Gjakova të shpërngulur para Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, i biri i Ramiz Shyqri Nimanit dhe Hatmane Batushës; i ati kishte qenë oficer i Mbretërisë Shqiptare. Shkollën e Mesme të Artit e kreu në Pejë me sukses të shkëlqyeshëm. U diplomua në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd në vitin 1967, me notën maksimale 10. Studimet pasuniversitare i kreu më 1969 në të njëjtën Akademi. Profesor ordinar në Fakultetin e Arteve të Prishtinës. Në vitet 1976 – 1978 ka qëndruar në Japoni si bursist i qeverisë japoneze për hulumtim artistik. Në vitet 1979 – 1989 ka qenë drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës. Ka qenë dekan i Fakultetit të Arteve nga viti 1991 – 1994. Merrej me pikturë, grafikë, dizajn dhe me disiplina të tjera të arteve figurative. Ka botuar monografi për artin mesjetar dhe bashkëkohor shqiptar. Ka përkthyer edhe libra nga gjuhë të huaja. / KultPlus.com

‘Në garë me botën gri’ – Pëlhurat e dërguara në burg që shfaqën lulëzimin e vonshëm të Selimit në pikturë

Uranik Emini

“Në garë me botën gri”

Ideja e artistit autodidakt është një nga konceptimet e reja në art. Artistët me famë botërore, pavarësisht se kanë hyrë në histori me krijimet e tyre, kishin shumë pak arsimim apo trajnime formale në art. Njohuritë, qëndrimet dhe aftësitëqë përfundimisht do të lejojnë dikë të njihet për zanatin e tyre zhvillohen gjatë një periudhe të gjatë kohore. Me pak fjalë, talenti ka rëndësi shumë të madhe pra, më shumë sesa mendojnë njerëzit. I vetmi aspekt i talentit që mbivlerësohet ka të bëjë me vlerësimet e njerëzve për talentet e tyre – shumica e njerëzve nuk janë aq të talentuar sa mendojnë, veçanërisht kur nuk kanë asnjë, shkruan KultPlus.

Por ekspozita e sotme tregoi diçka krejtësisht tjetër.

“Në garë me botën gri” vë në pah një ushtar që ka studiuar letërsi, i cili po krijon vepra arti nga pëlhura, të cilat ia ka sjellur bashkëshortja në burg. Rexhep Selimi, i njohur ndryshe edhe si “10” i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka befasuar shumë të pranishmit e sotëm në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës me ekspozitën e tij “Në garë me botën gri”, duke ekspozuar para publikut 110 vepra, numër ky që përkon me vitet që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë.

Selimi, i cili përpos që kapi armën atëherë kur ka pasur më së shumti nevojë dhe luftoi për të çliruar trojet e Kosovës, tregoi gjithashtu dhuntinë e tij për shkrimin e poezisë dhe aftësinë e tij për muzikë. Disa këngë të njohura shqipe, siç njoftojnë edhe kolegët e tij, janë shkruar pikërisht nga “10” i UÇK-së. Së fundmi, ai na njoftoi edhe me një tjetër krijmtari të tijën.

Bashkëshortja e Rexhepit, Shqipe Selimi, ka treguar se gjatë vizitave mujore në Hagë, pikturat e tij i ka bartur nga Haga në Kosovë.

“Sot nuk dua të flas më shumë, sepse këtu më së miri flasin pikturat e ekspozuara. Më vjen mirë që edhe unë kam dhënë një kontribut të vogël në bartjen e këtyre pikturave nga Haga në Kosovë, gjatë vizitave tona të përmuajshme, nga Haga këtu. Vlerën artistike të këtyre pikturave unë nuk mund ta jap, por këtë ekspozitë e bën të veçantë vendi dhe koha ku janë pikturuar këto pikturuar. Shumica e këtyre pikturave janë realizuar në përballje me padrejtësinë. Presim që Rexha dhe të akuzuarit tjerë në Hagë të triumfojnë mbi padrejtësinë dhe të kthehen sa më shpejt në mesin tonë“, ka thënë ajo.

Artisti i shquar kosovar, Shyqri Nimani, tregon për KultPlus edhe momentin kur për herë të parë kishte shikuar nga afër pikturat e Selimit.

“Kjo është një befasi me të vërtet e jashtëzakonshme, një befasi e bukur. Njeriu befasohet se si është e mundur një luftëtar i lirisë, të kalojë pas luftës, pasi që e krynë atë mision të shenjtë për atdheun, të përkushtohet dhe të zbulojë me një pasion të epshit të madh; talentin dhe dhuntinë që ia ka dhënë Zoti, pra është diçka e jashtëzakonshme. Rexhepi është fqinju im i parë dhe më ka ftuar para 3-4 viteve që t’ia shikojë punimet, më ka befasuar shumë”.

Pëlhurat që u zbuluan artin në thellësi të shpirtit

“Por, këto dy vite që gjendet në Hagë, është shumë interesant. Gruaja e tij i ka dërguar pelhura me dy fëmijët e tij, ia kanë dorëzuar dhe ka ardhur. Pastaj, dërgonin pëlhura dhe ktheheshin me vepra, ku janë krijuar mbi 100 vepra. Në historinë e artit aq të gjatë, ka disa artistë që shumë vonë kanë filluar, si p.sh. Van Goghu ose Henri Matisse, që është marrë me drejtësi dhe pastaj e ka lënë këtë profesion që të fillojë të merret me art”, thotë Nimani.

Artisti Nimani tutje shprehet se tanimë është koha që Rexhepi të krijojë stilin e tij personal, derisa ndjehet krenar që trashëgimisë shqiptare po i shtohet edhe një artist i ri.

“Edhe për ne, artistët që e kemi profesion artin pamor, na befason kjo punë e tij. Mendoj që Rexhepi nuk do të ndalet, por i kam dëshiruar dhe dëshiroj që ai të vazhdojë rrugëtimin e tij dhe besoj që në të ardhmën do të krijojë edhe një stil të tij personal, që është një gjë shumë kryesore. Në fillim, njeriu ndikohet nga dikush tjetër, por Rexhepi frymëzimin e tij e merr nga folklori muzikor shqiptar. Trashëgimia jonë me etnografi, ninulla, këngët e djepit, kostume e valle është e klasës së parë, është më e mira në botë. Kështu që, është kënaqësi e madhe që trashëgimisë sonë artistike po i shtohet edhe një artist, i cili ka dalur dhe po e ndjek yllin e tij në qiellin e arteve të popullit shqiptar”, përfundon ai.

Ndërkaq, për një fjali rasti është ftuar edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili mes tjerash diskutoi edhe për mos-gjykimin në Hagë, të të gjithë ish-luftëtarëve.

“Ai i ka dërguar prej Hagës, atje ku po gjykohet por ku ende nuk ka filluar gjykimi, ku po akuzohet
pa aktakuzë së bashku me bashkëveprimtarë të tij të tjerë me ish-kryetarin e Kuvendit Krasniqi, me ish-kryetarin e Kuvendit Veseli, me ish-presidentin Thaçi dhe me bashkëluftëtarë të tjerë të cilët padrejtësisht po akuzohen atje në Hagë. Ne e dimë dhe jemi të vetëdijshëm si popull për drejtësinë dhe pastërtinë e luftës tonë çlirimtare, të cilës i kontribuoj i gjithë populli. I gjithë populli në një mënyrë ishte pjesë e luftës tonë të drejtë”, është shprehur Konjufca.

Ai ka kujtuar periudhën kur ish-deputeti Rexhep Selimi ia tregoi pikturën e tij të parë, e cila gjendej pas tij.

“Rexhep Selimi përmes punës së tij po tregon që është në mesin tonë, ai po komunikon me ne
përmes artit, veprimtarisë së tij artistike dhe pikturave që na i ka dërguar prej atje. E patë edhe ju,
dhe unë dua të ndaj disa kujtime sa i përket momentit kur për herë të parë e mora vesh qe Rexha ka
filluar të pikturojë, dhe kjo ishte një befasi e jashtëzakonshme. Ka qenë viti 2016 jo fort moti, gjashtë vjet, kur Rexha ma dërgoi pikturën e tij të parë, na ka dërguar pikturën e tij të parë, ishte pikërisht kjo në telefon, më duket kam qenë në Shqipëri, dhe tha çka mendon për këtë piktor? Unë e shikova pikturën me vëmendje i analizova elementet pak të saj, dhe me aq sa kam njohuri edhe për artin tonë kosovar, thash kjo me siguri duhet të jetë një pikturë e Simon Shirokës përafërsisht”, ka shtuar Konjufca.

Konjufca pohoi se ishte habitur kur mësoi se vetë Rexhep Selimi e kishte krijuar këtë pikturë.

“Fillova unë të spekuloj, unë ta shpjegoj pikturën, tha: ‘Glauk ky piktori jam unë’. Edhe unë u
trondita me thënë të drejtën, sepse e kam njohur Rexhën si muzikant, si poet, kam lexuar poezitë
e tij. Disa nga poezitë e tij janë bërë edhe këngë shumë të njohura popullore, të cilat i dëgjojmë
edhe sot me shumë ëndje. Kjo ishte për mua një tronditje meqenëse gjithçka që dija për artin dhe
që përafërsisht kam lexuar, mi sfidojë. Sepse konsiderohet që arti është jo në të gjitha dimensionet, por në një dimension të tij shumë specifik edhe shumë i afërt me shkencë”, ka thënë ai.

I gjithë Muzeu Kombëtar i mbushur me njerëz nga sfera të ndryshme të Kosovës, të dominuar nga politikanët, kolegët e miqtë e Selimit, mirëpritën ekspozitën “Në garë me botën gri”, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 4 dhjetor. /KultPlus.com

Promovohet ‘Tipografia shqiptare 1555-1912’ nga Yll Rugova, sjell historinë e shkronjave, shtypshkronjave dhe alfabeteve të gjuhës shqipe

Historia e shkronjave, shtypshkronjave dhe alfabeteve të gjuhës shqipe që nga viti 1555 deri në vitin 1912 tani mund të gjenden të ndërthurura në librin ‘Tipografia shqiptare, 1555  – 1912’ të Yll Rugovës, libër ky që dje u promovua në Prishtinë, përcjell KultPlus.

Ndonëse autori ka synuar që në fillim të gjurmoheshin vetëm gjurmët tipografike të botimeve të hershme shqipe, studimi i tij na dërgon në një rrugëtim që nis nga viti 1555 e vazhdon deri më 1912.

Libri është i ndarë në tre pjesë kryesore. Në pjesën e parë prezantohen veprat dhe autorët e hershëm, duke filluar me Mesharin e Buzukut, pastaj me Budin, Bardhin e Bogdanin, të gjithë me vepra të shtypura në Itali. Për të vazhduar më pas në anën e Adriatikut, së pari me shtypshkronjën e Voskopojës, të udhëhequr nga Grigori i Durrësit, shpikës i një alfabeti origjinal të shqipes, e deri tek viti 1824 kur është shtypur një libër i parë i njohur në gjuhën shqipe në Ballkan, në ishullin e Korfuzit.

Në pjesën e dytë trajtohet më në detaje çështja e fenomenit të shpikjes së alfabeteve origjinale të shqipes, duke filluar nga alfabeti më i hershëm nga Kozma i Durrësit, për të kaluar përmes Theodhor Haxhifilipit, Jan Vellarait, Naum Veqilharxhit e deri te Hasan Tahsini në fundin e shekulli të 19-të.

Në pjesën e tretë shfaqen iniciativat e para kombëtare për ngritjen e shtypshkronjave, për të vazhduar me Shoqërinë e Stambollit që ka shtypur veprat e veta të kroatit Anton Zeliç në Stamboll, e ku siç mëtohet Sami Frashëri vetë ka gdhendur shkronjat e alfabetit në Stamboll. Pastaj vazhdohet me shtypshkronjën shqiptare në Bukuresht, me Mbrothësinë e Kristo Luarasit në Sofje e me shtypshkronjat shqiptare në Korçë e Shkodër.  

Në këtë promovim foli vetë autori Yll Rugova i cili u shpreh se ky libër trajton historinë e tipografisë shqiptare deri në vitin 1912, kurse pas këtij viti, do të duhen edhe 2-3 kërkimet për të cilat ai do të vazhdojë të kërkojë më tutje.

“Në periudhën në të cilën e kam trajtuar unë këtë libër, tipografia dhe shtypshkrimi kanë qenë të lidhura me njëra-tjetrën sepse tipografia nuk është realizuar jashtë shtypit. Në këtë kontekst qëllimi ka qenë që të identifikohen të gjithë librat që janë në gjuhën shqipe edhe të mund të gjenden burimi i secilës prej shkronjave që janë përdorur e që nuk është një punë shumë e lehtë sepse nuk ka shumë njohuri jo vetëm për tipografët shqiptarë por në përgjithësi tipografët nuk janë rrënjësisht duke hulumtuar e megjithatë në librat që i kemi ne disa informata i kemi gjetë.”, u shpreh Rugova.

Duke folur për librin, Rugova shton se gjatë hulumtimeve ka vënë re se tek Meshari i Gjon Buzukut, shkronjat janë sipas modelit  të Nicolas Jenson, i cili ka jetuar dhe vepruar në Francë dhe ka vizatuar Rotundën veniciane ku më pas 50-vjet pas vdekjes së Jensonit ka përfunduar shtypshkronja në punishten ku është ‘Meshari’.

“Tek Meshari ato shkronja janë krejt të vjetruara, kështu e dimë që ajo shtypshkronjë duhet me qenë diçka jo shumë e pasur dhe jo shumë e zhvilluar.”, thotë Rugova.

I pranishëm në këtë promovim ishte edhe albanologu dhe historiani, Jahja Drançolli i cili u shpreh se sot në Evropë dhe në botë bëhen shumë diskutime dhe shkruhen shumë studime për problemin e tipografisë.

“Në këtë kuadër, monografia që po promovojmë sot si e para e këtij lloji te ne, ofron risi me vlerë të veçantë dhe hap shtigje të reja kërkimi në shumë fusha shkencore jo vetëm albanologjike. “, u shpreh Drançolli duke shtuar më tutje se problemi qëndron që trajtohet në këtë libër është tipografia arbërore-shqiptare.

Duke folur për atë çka trajton Tipografia, thotë se kjo shkencë e cila shpjegohet si një kompozitë e përbërë nga fjala typos – vulë dhe grafien për të shkruar.

“Përkufizohet ndryshe edhe si shkenca e shkronjave, arti i përdorimit të shkronjave tipografike, aftësia për të rregulluar, krijuar, formësuar dhe përdorur në mënyrë funksionale shkronjat. Për të shpjeguar më hollësisht këtë term dhe objektin e këtij studimi, autori Yll Rugova ka shfrytëzuar burime të ndryshme historike të ruajtura në arkiva e biblioteka të Europës, si dhe literaturë relavante, fjalorë, enciklopedi, leksikone, etj.”, u shpreh ndër të tjerash profesori Drançolli.

Tutje, Drançolli thotë se pjesa e parë e e këtij libri ofron njoftime duke filluar me shtypshkronjat e para ndër shqiptare, tipologjinë e shkrimeve dhe influenca latine, venete, greke dhe sllave, duke spikatur gotikën e Italisë Veriore, rotundën venete, rotunda e Mesharit, germat e veçanta, inicialet, si dhe botimet e realizuara në vitet 1592-1824.

“Pjesa e dytë e librit i sillet njoftimeve të detajizuara lidhur me germat ekskluzivisht shqip duke u ndalui- edhe në raste konkrete specifike, siç janë “Shtypi i Evetareve”, “Gdhendja e alfabetit te Vithkuqit”, “Gdhendja e germave në Rumani””, u shpreh ndër të tjera Drançolli duke shtuar se pjesa e tretë përfshin njoftime historike për tipografinë në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, njoftime të cilat plotësojnë në mënyrën më domethënëse temën qendrore të kësaj pjese, që është tipografia e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe periudha e Pavarësisë së Shqipërisë.

Ndërkaq, fjalën në këtë promovim e mori edhe profesori Shyqri Nimani i cili vlerëson se botimet e tilla janë të rralla dhe jepen shumë rrallë gjatë jetës së njeriut.

Sipas Nimanit, Yll Rugova këtë libër e ka bërë me të gjithë ato parametrat e domosdoshme shkencore dhe estetike dhe kjo është një gjë të cilën sipas tij nuk mund ta mohojë askush.

“Është shumë e rëndësishme që Ylli ka vjelë të gjithë që ka mundur të vjelë të gjitha dëshmitë të cilat janë apo gjenden sot e kësaj dite në arkivat e Shqipërisë sidomos dhe në arkivat jashtë shtetit apo hapësirave shqiptare’, u shpreh Nimani.

Botimi i librit bëhet nga “Trembelat”, nën siglën botuese “Varg” për librin e shtypur në Prishtinë, kurse për formatin digjital botimin e ka marr përsipër “Berk” në Tiranë. Botimi digjital në formatin “e-book” është i qasshëm për publikun nga muaji gusht, kurse libri i shtypur do të jetë këto ditë nëpër libraritë në Prishtinë e Tiranë.

Botimi i librit është mbështetur pjesërisht nga subvencionet e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com

‘Onufri dhe piktorë të tjerë mesjetarë shqiptarë’, vepra më e re e Shyqri Nimanit

Në “Ditët Evropiane të Trashëgimisë” duke ju bashkëngjitur temës së këtij viti, “Trashëgimia e Qëndrueshme”, Qendra Muzeore Berat në vazhdim të veprimtarive “Thesare të Muzeve” organizoi prezantimin e veprës më të re të Prof. Shyqri Nimanit, monografisë “Onufri dhe piktorë të tjerë mesjetarë shqiptarë”, e cila vjen e riparë nga autori pas 35 vitesh nga botimi i parë më 1987.

Rishikimi dhe plotësimi i botimit nuk ka prekur thelbin e strukturës së botimit të parë, i cili në ato vite u prit me shumë kuriozitet dhe pati vlerësime maksimale, pasi ishte dhe botimi i parë serioz, luksoz dhe me ilustrime cilësore mbi Onufrin dhe mjeshtrat e tjerë të artit mesjetar shqiptar.

Duke e lexuar me kujdes librin e Prof. Nimanit ndjen dhe kupton penën e një studiuesi serioz, i cili ka hulumtuar thellësisht si historian jo vetëm krijimtarinë e Onufrit dhe mjeshtrave të tjerë ikonografë, duke i vendosur me mjaft kujdes ne kontekstin e kohës, të ngjarjeve dhe vështirësive të ndryshme, por ka dhënë këndvështrimin e tij si artist dhe studiues në analizat, krahasimet dhe vlerësimet mjaft interesante si nga ana kompozicionale, koloristike, stilistike dhe artistike.

Pjesë e kësaj veprimtarie ishte edhe ekspozita ikonografike “Onufri në koleksionet e muzeve” ku u ekspozuan 13 imazhet e ikonave te këtij mjeshtri të madh të realizuara për kishat e Kalasë së Beratit, të cilat ndodhen në koleksionet e muzeve të tjerë shqiptarë./atsh/ KultPlus.com

Nis festivali i studentëve Prishtina Arts and Architecture Festival – PAAF 2022, çmimi “Profesor Nderi” iu nda Shyqri Nimanit

Në një ceremoni solemne në Kolegjin AAB sot nisi i vetmi festival i studentëve në vendin tonë, “Prishtina Arts and Architecture Festival”, ku të pranishëm ishin dashamirë të artit, studentë e fytyra eminente të fushës së kulturës në Kosovë.

Festivali PAAF 2022 këtë vit numëron edicionin e tij të tretë dhe do të zgjasë dy ditë. Hapjen e festivalit, e bëri rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha, ndërsa Drejtori i Bordit të Festivalit PAAF2022, Shyqri Nimani u shpreh i lumtur që puna e studentëve po arrin të shpaloset përgjatë festivalit. Ndërsa, gjatë ceremonisë hapëse çmimi “Profesor Nderi” ju nda Shyqri Nimanit për kontributin shumëvjeçar dhënë në fushën e arsimit dhe ngritjen e cilësisë në këta sektorë si dhe kontributit të pareshtur në avancimin e studentëve të Fakultetit të Arteve të Kolegjit AAB. Dita e parë e festivalit PAAF 2022 vazhdoi me ekspozitën kolektive të studentëve të Fakultetit të Arteve, ku u prezantuan qindra punime të studentëve të cilat në vete përmbajnë mesazhe të ndryshme.Prishtina Arts and Architecture Festival do të vazhdojë të mbahet edhe nesër në hapësirat e Kolegjit AAB (24-25 maj 2022), dhe për shikuesit do të ofrojë edhe një varg aktivitetesh të tjera e punëtorish artistike./ KultPlus.com

Promovohet libri “78 ditë bombardime të NATO-s” i autorit Shyqri Nimani

Në vazhdën e aktiviteteve të planifikuara për nder të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, sot në Bibliotekën Kombëtare u promovua libri “78 ditë bombardime të NATO-s”, i autorit Shyqri Nimani.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm kryetari i Kuvendit, Glauk Konjofuca, kryeministri Albin Kurti, anëtarë të tjerë të Qeverisë, profesorë e përfaqësues të institucioneve të ndryshme. 

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti u shpreh se ky libër na i rikujton sfidat dhe sakrificat se si kemi arritur deri këtu ku jemi sot. Sipas tij, veprat si kjo janë të domosdoshme.

Edhe nga folës të tjerë libri u konsiderua si vepër e rëndësishme e tregimit të historisë së Kosovës dhe luftës e sakrificës së bërë deri të arritja e pavarësisë. ​/indeksonline.net/ KultPlus.com

Shyqri Nimani : Nuk më dhanë kohë të mjaftueshme për Deklaratën e Pavarësisë, e kam brengë në zemër

KultPlus e riboton këtë intervistë të Shyqri Nimanit, e realizuar në vitin 2018.

Për 16 orë ka punuar në këmbë dhe me kurriz të lakuar, sepse ashtu ishin kushtet e punës. Artisti Shyqri Nimani, figura që ka kaligrafuar në pergamenë “Deklaratën e Pavarësisë”, më 16 shkurt të vitit 2008, për 16 orë kishte pirë vetëm ujë. Dhe në një intervsitë për KultPlus, ka treguar se si nuk ka guxuar të lëshohet as në gëzimin e pavarësisë, por ta përfundonte dokumentin e kërkuar. Ai tregon për ethet që i ka sjellë ky dokument, frikën që nuk do të arrinte ta përfundonte punën e kërkuar, sikurse që tregoi se po brenda atyre 16 orëve mori aritmi në zemër, pasoja që po i vuan tash e dhjetë vite.
“Me vete kam pas edhe Agonin, djalin tim. Për një moment më kujtohet që i jam drejtuar duke shpërfaqë frikën time se nuk do të mund t’ia dal. Mbaj mend se si më dha kurajo, duke më thënë se patjetër do t’ia dalim”, ka thënë ai.
Nimani ka treguar se 15 minuta para orës 15:00, atëherë, kryeministri Thaçi ka ardhë dhe e ka marë dokumentin, duke mbetur artisti i dërmuar në Zyrën e Kryeministrit. Përmend edhe dëshirën e djalit të tij që të shkonin edhe ata në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Por, Nimani tregon se si i dërmuar që ishte, ceremoninë e ka përcjellë nga televizori i Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, duke kujtuar edhe atë, se nuk kishte vend për të gjithë në ceremoni. Ai ka kujtuar edhe një detaj tjetër, që për punën e tij, ai nuk është paguar nga Qeveria e Kosovës.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Kanë kaluar dhjete vite nga koha kur edhe e keni shkruar Deklaratën e Pavarësisë, dhe duke shikuar nga kjo distancë, si e kujtoni atë 16 orësh, që vlerësohet të ketë qenë kohë shumë stresuese për ju?
Shyqri Nimani:
 Ishte 16 shkurti i vitit 2008, një ditë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Atë kohë, më ftoi kryeministri i atëhershëm i Kosovës- Hashim Thaçi. Më kujtohet shumë mirë, ka qenë ora 21:00 kur ma dhanë tekstin e Deklaratës së Pavarësisë, ku kërkuan nga unë që ta kaligrafoja në pergamenë (lëkurë e viçit). Teksti që ma lëshuan në dorë ishte plot tri faqe të formatit A/4, secili që është artist e kupton shumë mirë stresin tim për ta rrumbullakuar atë punë për 16 orë.
Unë pata pasë një takim edhe më herët, ku ju pata shpjeguar që nëse do të ishte deklarata në formatin A/4, në vetëm një faqe, duhen gjashtë ditë pune që të përfundonte deklarata ashtu si duhej, kurse mua më dorëzuan këtë dokument me tri faqe të plota.
Në momentin e fundit e kuptova se sa shumë ka tekst, dhe u befasova shumë, pastaj teksti që ma dhanë kishte edhe gabime gjuhësore, sepse, teksti ishte përkthyer nga anglishtja, dhe mu desh që edhe me këtë problem të merrem, që tekstin fillimisht ta korigjoja. Sepse, kur fillon të shkruash në pergamenë, aty më nuk lejohet të gabosh.

KultPlus: Pikërisht për realizimin e Deklaratës së Pavarëisë, ju njërën nga zyret e kryeministrit të Koosvës e shndërruat në një atele pune për 16 orë, çfarë kërkese tjetër patën institucionet për përfundimin e Deklaratës së Pavarësisë?
Shyqri Nimani:
 Përpos që duhej ta përfundoja Deklaratën e Pavarësisë brenda 16 orëve, shefi i protokollit në atë kohë, Abedin Qupeva erdhi me propozimin se nëse mund të ishte edhe Qeveria e Kosovës bashkëautore e Deklaratës së Pavarësisë, sikurse që ma përmendi edhe kontratën.
Natyrisht në stresin e kohës që isha, ishte e pamundur të flisja për këso gjëra teknike. Unë duhej që të koncentrohesha në punë dhe ta përfundoja gjithë atë punë që kisha para vetës.
Edhe përkundër faktit se si popull shqiptar e kemi ëndrruar shumë atë ditë, shpalljen e pavarësisë, unë nuk kam pas kohë të mendoj se sa i lumtur do të jetë populli im, pikërisht kur do të lexohej ky dokumet që do t’ia kumtonte lajmin e shumë pritur, se vendi i tyre përfundimisht do të jetë i pavarur. Ne krejt e dijmë se sa shumë luftë politike, luftarake është dashur që të vijmë deri te ajo ditë e madhe.
Unë i kisha këto ndjenja të brendshme, por për ato 16 orë mu desh ti mbyllja, të mos mendoja, sepse më duhej të kompozoja krejt tekstin, krejt hapësirën, dhe për këtë fakt, fillimisht këtë tekst mu desh ta shkruaj në një letër të thjeshtë, që t’ia jepja kompozimin e më pas të filloja punën në pergamenë.

KultPlus: Padyshim, kjo punë e juaja është një punë historike, një punë që është e mbrojtur edhe nga Trashëgimia Kulturore, dhe një punë që vlerësohet lartë nga të gjithë. Por ju si autor, sa jeni i kënaqur me këtë realizim?
Shyqri Nimani:
 Do të më mbetet brengë për gjithë jetën, kam menduar që ta ilustroj mirë, sipas doktrinave mesjetare, të ketë inicialet, të ketë ilustrime, por e dija saktë që 16 orë nuk më lejonin këtë dëshirë. Më është dashur të shkruaj me një fond, me një stil, i cili është i bukur, subtil dhe që shkruhet më shpejt, dhe vendosa që ta shkruaja në stilin italik, të renesancës italiane, kur siç dihet, që me këtë fond është shkruar edhe “Formula e Pagëzimit”, dhe pikërisht për këtë fakt, desha ta bëja një ndërlidhje mes asaj periudhe dhe periudhës sonë.
Për 16 orë kam punuar në këmbë dhe me kurriz të lakuar, sepse ashtu ishin kushtet e punës, kam pirë vetëm ujë, dhe asgjë nuk kam menduar përpos që ta përfundoj. Për herë të parë në punën time artistike kam pas frikën që nuk do t’ia dal. Me vete kam pas edhe Agonin, djalin tim, i cili edhe ai është dizajner. Për një moment më kujtohet që i jam drejtuar duke shpërfaqë frikën time se nuk do të mund t’ia dal.
Mbaj mend se si më dha kurajo djali im, duke më thënë se patjetër do t’ia dalim. Kjo punë është shumë riskante, unë kam pas raste të shkruaj edhe më herët në pergamentë, por jo me kaq afat të shkurtër.

KultPlus: Dhe, kur përfundoi ky stres 16 orësh?
Shyqri Nimani: 
Deklaratën e Pavarësisë e kam përfunduar pesëmbëdhjetë minuta para orës 15:00. Mbaj mend që erdhi kryeministri Thaçi, e panë dhe e morën. Kurse unë mbeta i katandisur deri në fund, i rrënuar nga lodhja. Mbaj mend që djali im më pat kërkuar që të shkonim në sallën e Parlamentit të Kosovës, aty ku edhe do të shpallej pas pak Pavarësia e Kosovës.
I thashë që do ta përcjellë seancën nga kjo zyrë e kryeministrit, sepse edhe isha i lodhur, por edhe nuk isha veshur bukur, pastaj, edhe nuk kishte vend për të gjithë në atë seancë, kështu që e kam përcjellë këtë ceremoni sikurse krejt qytetarët e Kosovës, nëpërmjet televizorit.

KultPlus: Dhe, Deklarata e Pavarësisë u lexua më 17 shkurt të vitit 2008, por pas kësaj, kush mbeti autori i kësaj pune, u plotësua dëshira e Qeverisë së Kosovës që të jenë bashkëautorë të kësaj deklarate?
Shyqri Nimani: 
Kanë kaluar dhjetë vjet, dhe deri më sot, unë asnjëherë nuk kam nënshkruar asnjë kontratë për punën që bëra. Nëse nuk gabohem, atëherë janë ndarë 600 mijë euro për atë ditë, mjete që janë ndarë për shpenzimet. Kam dëgjuar që shumë autorë kanë marë mjetet për punët që kanë kryer, por unë që shkrova Deklaratën e Pavarësisë nuk mora mjetet. Unë kam dëgjuar se mjetet kanë qenë të ndara për këtë punë, por unë nuk shkova ti kërkoja, por as ata nuk erdhën të më kërkonin. Unë nuk besoj që Hashim Thaçi është në dijeni se nuk jam paguar për punën e bërë, pasi që, ai ka pasë tjera ngarkesa, por të tjerët kanë qenë në dijeni, apo edhe ndoshta mendojnë se jam paguar.

KultPlus: Megjithatë, ne si shqiptarë njihemi se si i lëmë punët për momentin e fundit, mendoni se kjo punë ka pas mundësi që të organizohej më mirë, që të kishe kohën e mjaftuar?
Shyqri Nimani:
 Deklarata ka pasë mundësi që të shkruhej më herët, por ka qenë edhe problemi te teksti, sepse Pavarësia e Kosovës ishte e kushtëzuar, dhe deklarata, unë mendoj, që nuk është shkruar pa miratimin e ndërkombëtarëve, andaj ka ardhë në momentin e fundit.
Por prapë mendoj se është mëkat, sepse është dashur të më tregonin dy javë më herët. Sepse as Thaçi, por as të tjerët nuk e kanë ditur se mke çfarë përkushtimi duhet të shkruhet në pergamenë.

KultPlus: E përmendët më lartë se nuk jeni i kënaqur me realizimin e Deklaratës së Pavarësisë, është një punë që nuk kthehet prapa, por keni ndonjë ide që do të doje të bëje diçka, që të tregoje se si do të duhej të ishte ky dokument?
Shyqri Nimani:
 Artisti duhet me qenë i sinqertë, unë i shoh të tjerët se si reagojnë në lidhje me punën time në Deklaratën e Pavarësisë, e lavdojnë, kanë fjalë të mëdha. Por unë vazhdoj ta kem brengë, edhe pse kam bërë shumë, sepse nuk kam pasë kohë më shumë, e sikur të kisha kohë më shumë, jam i sigurtë që do jepja më shumë.
Kushdo tjetër të ishte në vendin tim do ti ndodhte e njëjta, sepse nuk ka pasë kohë të mjaftueshme me atë çfarë kanë kërkuar.
Por unë gjeta ngushëllimin me një shtet shumë më të fuqishëm se ne. E njëjta gjë u ka ndodhur edhe Amerikës, atëherë kur e kanë shpallë pavarësinë.Edhe Deklarata e Pavarësisë së Amerikës është me vetëm një ngjyrë, ngjyrë të zezë, pa ilustrime, kjo pak më ngushllon, ma bën më të lehtë.
Por unë, edhe me kërkesë të bashkëshortes sime, do të realizoj edhe njëherë Deklaratën e Pavarësisë në pergamenë, por natyrisht pa nënënshkrimin e deputetëve. Do ta bëj në mënyrë time dhe do ta dorëzoj që të jetë pjesë e Muzeut të Pavarësisë së Kosovës, këtë gjë do ta bëj që vetëm të mos e kem peng mos arritjen e realizimit të Deklaratës së Pavarësisë në mënyrën më të mirë të duhur. Do ti blej vet pergamenët dhe do të filloj të punoj ngadalë, ashtu si kam dëshirë.

KultPlus: Pikërisht në këtë përvjetor, pas dhjetë viteve, edhe qytetarët e Kosovës do të kenë rastin ta shohin Deklaratën e Pavarësisë nga afër, pasi që do të ekspozohet në ekspozitën e Muzeut të Kosovës, si ndjehesh?
Shyqri Nimani:
 Po, tash do të ekspozohet Deklarata e Pavarësisë dhe njerëzit do të kenë rastin ta shohin më afër këtë deklaratë, punë që më ka sjellë edhe aritmi në zemër, dhe këtë problem e barti tash e dhjetë vite.

KultPlus: A të kanë ftuar të jeshë i pranishëm në hapje të kësaj ekspozite?
Shyqri Nimani:
 Jo, nuk më ka ftuar askush.

KultPlus: Gjithë kjo punë, përpos që ta ka ‘dhuruar’ aritminë e zemrës, të ka lënë edhe ndonjë dhuratë tjetër, ke ndonjë gjë në shtëpinë tuaj që të kujton këto momente?
Shyqri Nimani:
 Të gjitha materialet që i kam përdorë atë ditë i kam në shtëpi, kaligrafet e ndryshme, ngjyrat dhe disa copa të pergamanëve, sikurse që i kam edhe tri faqet A/4. Një ditë do ti dhuroj edhe këto kujtime.

KultPlus: Dhe krejt për fund,një paralele në mes karrierës suaj 55 vjeçare dhe punës në Deklaratën e Pavarësisë, kjo e fundit të ka bërë të famshëm në nivel popullor, por puna artistike është për një pjesë më të ngushtë. Ju personalisht, cilën lartësoni më shumë?
Shyqri Nimani:
 Po më vjen mirë për këtë pyetje, nuk ma bëri askush për këto dhjetë vite. Unë vitin e kaluar pata 75 vjetorin e lindjes dhe asnjë televizion nuk më ftoi që të bëj diçka rreth karrierës sime artistike. Kurse për këtë përvjetor, që dy javë jam duke dhënë intervista për medie të ndryshme, duke përfshirë edhe të huajat.
Për mua, asnjë rëndësi nuk paraqet fakti që kam shkuar Deklaratën e Pavarësisë, njëjtë do të mendoja edhe sikur mos ta shkruaja. Sepse, unë jam artist, jam pedagog universitar, me rëndësi janë monografitë e mia, karriera ime artistike. Por puna në Deklaratën e Pavarësisë është punë historikë, punë që lë gjurmë dhe punë që ka bërë jehonë më shumë./KultPlus.com

‘Nëpër gjemba drejt yjeve‘, koncert për Shyqri Nimanin

Të enjten më 9 dhjetor, në Kino Armata do të mbahet koncerti ‘Nëpër gjemba drejt yjeve’ për nder të Shyqri Nimanit, shkruan KultPlus.

Kantautori Shyqri Nimani gjatë karrierës së tij muzikore, të viteve ’60, ’70 dhe të viteve ’80, ka realizuar rreth 100 këngë në Radio Televizionin e Prishtinës, si dhe ka botuar 3 albume (me Jazz orkestrën e Radio Televizionit të Beogradit, prodhim i PGP dhe Radio Televizionit të Zagrebit). Këngët Adriatiku, Ilirjana dhe Adriana kane arritur në top listat muzikore të Jugosllavisë së asaj periudhe.

Ky koncert do të mbahet me rastin e 80 vjetorit të artistit multidisiplinar, ku disa nga muzikantët më të dashur të skenës shqiptare, siç janë: Inva Mula, Vesa Luma, Edona Reshitaj, Mariza Ikonomi, Dren Abazi, Genc Salihu, Shpat Deda, Art Lokaj, Alban Nimani, Armend Xhaferi dhe Agron Peni, do t’i interpretojnë këngët e Nimanit.

Koncerti përkrahet nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, KTV dhe Kino ARMATA./KultPlus.com

Akademi mirënjohjeje për Shyqri Nimanin, artisti unik në fushën e arteve krijuese

Shoqata e intelektualëve ‘Jakova’ ka organizuar një akademi mirënjohjeje me rastin e 80 vjetorit të lindjes dhe 60 vjetorit të opusit multidisiplinar të artistit, Shyqri Nimani.

Nga afër këtë ngjarje e përcollën edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Shyqri Nimani njihet për karrierën e bujshme që ka lënë gjurmë artistike në vendin tonë, duke filluar me krijimin e logos së Grand Hotel, Kosova Film, simbolin e Universitetit të Prishtinës, deri tek kaligrafimi me dorë në pergamenë e Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar MKRS-ja.

KultPlus ju sjell postimin e tyre të plotë:

Akademi mirënjohjeje për Prof.Dr. Shyqri Nimanin

Në qytetin e Gjakovës u mbajt Akademi mirënjohjeje për Prof.Dr. Shyqri Nimanin, organizuar në 80 vjetorin e tij të lindjes dhe 60 vjetorin e opusit multidisiplinar, nga Shoqata e Intelektualëve “Jakova” dhe Shoqata ‘’Gjakova-Basel’’.

Përmes bashkëpunëtorëve dhe nga vet Nimani u fol për jetën dhe krijimtarinë e tij.

Një njeri i rrallë, artist unik në fushën e arteve krijuese dhe shembull për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm për shoqërinë.

Shyqri Nimani njihet për karrierën e bujshme që ka lënë gjurmë artistike në vendin tonë, duke filluar me krijimin e logos së Grand Hotel, Kosova Film, simbolin e Universitetit të Prishtinës, deri tek kaligrafimi me dorë në pergamenë e Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Por gjithashtu për kontributin në arsim e shkencë. Ai është një nga themeluesit e departamentit të Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka botuar disa nga monografitë reprezentative dhe më të rëndësishme mbi trashëgiminë kulturore shqiptare.

Nga afër këtë ngjarje e përcollën edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Punën e tij do ta vlerësojmë dhe çmojmë gjithmonë. / KultPlus.com

Shoqata ‘Jakova’ organizon akademi mirënjohjeje në 80 vjetorin e lindjes së artistit Shyqri Nimani

Shoqata e intelektualëve ‘Jakova’ ka organizuar një akademi mirënjohjeje me rastin e 80 vjetorit të lindjes dhe 60 vjetorit të opusit multidisiplinar të artistit, Shyqri Nimani, shkruan KultPlus.

Kjo akademi do të mbahet në shkollën e Muzikës ‘Prenk Jakova’, të premten me datë 5 nëntor nga ora 18:00.

Të pranishëm do të jenë edhe Jusuf Buxhovi, Vllaznim Buxhovi dhe Alban Nimani me bendin ‘Asgje sikur dielli’./KultPlus.com

Klodian Valla me ekspozitë personale në Galerinë e Ministrisë së Kulturës

Më 10 maj në ora 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës bëhet hapja e ekspozitës “Kur Epshi Kacafytet me Ankthin Koloristik” të piktorit Klodian Valla me murator Shyqri Nimanin.

Kjo ekspozitë përmban 25 punime, të cilat dallohen me stilin e kombinuar abstrakt dhe surreal. Meqenëse piktura për element thelbësor ka koloritin, natyrshëm dhe në mënyrë të ndjeshme edhe për Klodian Vallën, spektri me tërë ngjyrat e tij buron nga afiniteti i tij dhe nga thellësia shpirtërore.

Në këtë ekspozitë artisti sjellë ciklet e portreteve, drunjve dhe kompozicioneve. Këto vepra janë të realizuara në teknikën vaj, akrelik dhe teknikë e kombinuar në pëlhurë. Ideja e kësaj ekspozite për autorin është që ai para publikut artdashës të shpreh në mënyrë dy dimensionale botën e tij shpirtërore.

Në përgjithësi krijimtaria artistike e Klodian Vallës përbëhet nga një konstelacion prej dhjetëra ciklesh të cilat konsistojnë në qasje, inspirime dhe implementime të ndryshme, siç janë: ‘Rrushi’, ‘Kompozicione’, ‘Peizazhe dëbore’, ‘Natyra të qeta’, ‘Meteorët’, ‘Trekëndëshat’, etj.

Ndryshe, kjo ekspozitë financohet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, drejtohet nga znj. Dhurata Ramosaj-Shala – koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, ndërkaq kurator i ekspozitës është profesori, kaligrafi, e artisti i mirënjohur, Shyqri Nimani./ KultPlus.com