Qëndresa Krasniqi dhe Elvira Shyti-Kasapolli të mërkurën vijnë me ekspozitën ‘TRASHËGIMIA NË NGJYRË’

Artistet Qëndresa Krasniqi dhe Elvira Shyti- Kasapolli të mërkurën mbrëma vijnë me ekspozitën “TRASHËGIMIA NË NGJYRË”, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery.

Ekspozita sjellë piktura me motive të trashëgimisë kulturore të cilat paraqesin vlerat kulturore dhe identitetin shqiptar.

Pikturat me Motive të Xhubletës – Një Homazh për Trashëgiminë Kulturore Shqiptare

Kjo seri pikturash sjell në jetë bukurinë dhe simbolikën e xhubletës, një veshje tradicionale shqiptare që mishëron historinë dhe identitetin shqiptar. Çdo vepër reflekton detaje të ndërlikuara të qendisjeve, ngjyrave të ndezura dhe formës unike të xhubletës, duke theksuar mjeshtërinë artizanale dhe vlerat kulturore që ajo përfaqëson.

Pikturat nuk janë vetëm një interpretim artistik, por edhe një mjet për të rikthyer në vëmendje një element të rëndësishëm të trashëgimisë sonë, të njohur edhe ndërkombëtarisht nga UNESCO. Përmes një kombinimi të traditës dhe shprehjes moderne, këto punime sjellin një perspektivë të freskët mbi mënyrën se si arti bashkon të kaluarën me të tashmen.

Trashëgimia në ngjyrë-Qilimi

Qilimi i shfaqur në pikturë pasqyron jetën e zakonshme familjare të një familje tradicionale dhe e shpreh lidhjen e ngushtë mes artit dhe jetës duke na i prezantuar traditat që paraqesin identitetin tonë kulturor shqiptar.

Duke pasur lirinë e plotë të të shprehurit si dhe duke thyer normat tradicionale të perspektivës, përqendrimit në detaje dhe natyralizmit, e duke përdorur elemente të çrregullta dhe abstrakte, kam paraqitur detaje të qilimit në piktura në një atmosferë më ndryshe, ku ngjyrat rrjedhin jashtë formës dhe krijimit të qilimit përtej pamjes tradicionale, si një pasqyrë e një bote imagjinare.

Shprehja e harmonisë dhe forcës nëpërmes ngjyrave dhe motiveve të veçanta që ka qilimi e mundësojnë bartjen e mesazhit dhe emocionit në lidhje me kulturën dhe traditat e bartura ndër breza, një mesazh për të kuptuar lidhjen personale të së tashmes me të kaluarën dhe trashëgiminë.

Ekspozita hapet më 20.11.2024, në ora 19:00, në KultPlus Caffe Gallery./ KultPlus.com