Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se kanë nisur një iniciativë bashkë me fotoreporterin e njohur, Visar Kryeziu.
Në njoftim thuhet se kjo iniciativë është nisur për digjitalizimin e arkivit të tij personal, që përfshin disa nga momentet më të rëndësishme të shtetndërtimit të vendit.
“Ky arkiv përmban fotografi historike që dokumentojnë ngjarjet kryesore dhe zhvillimet që kanë formësuar të ardhmen tonë, duke krijuar një pasuri të vyer për gjeneratat e reja”, ka shtuar Halimi./KultPlus.com
Teatri Dodona tashmë ka drejtoreshën e re, e cila është zgjedhur nga Komuna e Prishtinës, dhe për këtë emërim ka njoftuar drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi.
Me poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë të Halimit.
Njihuni me Drejtoren e Re të “Teatrit Dodona”
Teatri Dodona është themeluar më 12 nëntor 1986 me angazhimin e pashoq të Rabije Bajramit dhe Ismajl Ymerit dhe që nga atëherë nuk është drejtuar nga një grua.
Nga sot Teatri “Dodona” do të udhëhiqet nga aktorja e mirënjohur Arta Mucaj.
Arta Muçaj studioi në Akademinë e Arteve në Tiranë, në degën Artet Skenike, ku edhe diplomoi në vitin 1997 me titullin Aktore.
Në Teatrin Kombëtar të Tiranës si dhe atë Kosovës Arta ka qenë e angazhuar në shumë projekte teatrore regjionale dhe ndërkombëtare.
Arta ka shumë çmime si aktorja më e mirë në shfaqje të ndryshme duke na përfaqësuar me dinjitet brenda e jashtë vendit.
Artë, punë të mbarë në rrugëtimin tënd të ri!
Faleminderit ushtruesit të detyrës së drejtorit, Valdet Ramës për angazhimin dhe përkushtimin e tij./ KultPlus.com
Në lagjen Dardania një hapësirë publike nga mbrëmë është shndërruar në kinema verore, ku shumë të pranishëm shijuan kinemanë.
Sibel Halimi, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës ka njoftuar për këtë nismë, e cila ka theksuar se kinemaja e hapur për fëmijë është një mundësi që të nxitë imagjinatën e tyre.
KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të Halimit.
Mbrëmë parku ishte i mbushur plot fëmijë, lumturia e të cilëve i jepte gjallëri tërë zonës.
Ndjenjë e mirë që lokacionet publike të kryeqytetit po shndërrohen në hapësira ideale për aktiviteteve artistike dhe kulturore.
Kinemaja e Hapur për Fëmijë është një mundësi e jashtëzakonshme që atyre t’u ofrohen filma që nxisin kureshtjen dhe imagjinatën e tyre, për mendim kritik./ KultPlus.com
Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë në komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ka thënë se hapësirat e kryeqytetit do të përdoren për art dhe kulturë, përcjell KultPlus.
Te Parku, afër Postës Kryesore në Dardani do të fillojnë me kinemanë e hapur “Film N’Park” me fëmijët mbi moshën 10 vjeç.
Në vijim gjeni postimin e Sibel Halimit:
Hapësirat e kryeqytetit t’i përdorim për art dhe kulturë.
Te Parku, afër Postës Kryesore në Dardani po fillojmë me Kinemanë e Hapur “Film N’Park” me fëmijët mbi moshën 10 vjeç.
Drejtoria e Kulturës dhe Qendra Kulturore për Fëmijë në Komunën e Prishtinës ju ftojnë në një përvojë unike verore me filma të përzgjedhur nga Prifest, Anibar dhe Qendra Kinematografike e Kosovës.
Kur? 26 gusht – 1 shtator Ku? Te parku, afër Postës kryesore në Dardani Çfarë? Shfaqja e filmave kosovarë dhe botërorë
Kjo ngjarje organizohet nga Drejtoria e Kulturës me përkrahjen e UNDP Kosova. Mos e humbisni këtë mundësi për të kaluar mbrëmje të paharrueshme në shoqërinë e filmit dhe natyrës!
Drejtoria e Kulturës Perparim Rama Ariana Kasapolli./KultPlus.com
Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi ka vizituar ekspozitën ‘You know me so well’ të kuratores Martina Menegon, përcjell KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në Facebook tha se në kohën teknologjia mbikëqyrë trupat e grave dhe rrezikon privatësinë e tyre, ekspozita ‘you know me so well’ na nxit të reflektojmë mbi kujdesin për qenien tonë virtuale e për rrjedhojë edhe për atë fizike.
KultPlus ua sjell postimin e plotë të Halimit:
Në kohën kur teknologjia mbikëqyrë trupat e grave dhe rrezikon privatësinë e tyre, ekspozita ‘you know me so well’ kuruar nga artistja Martina Menegon na nxit të reflektojmë mbi kujdesin për qenien tonë virtuale e për rrjedhojë edhe për atë fizike.
Shumë e lumtur që Komuna e Prishtinës, përkrahë ngjarje të tilla, të cilat janë në shërbim të inicimit të debatit që nxisin të menduarit për fenomene të reja shoqërore si tema e ndikimit të digjitalizimit në jetën e trupave të grave dhe vajzave.
Vetëdija mbi ekzistencën e rrjedhave të reja shoqërore na ndihmon në ruajtjen dhe mbrojtjen nga efektet negative të saj!
Kjo ekspozitë është organizuar nga Fondacioni 17./KultPlus.com
Sibel Halimi, drejtoresha e sapo emëruar në Drejtorinë për Kulturë në Komunën e Prishtinës ka filluar pritjet dhe vizitat nëpër institucione, me qëllim të njohjes nga afër me zhvillimet dhe problemet që mund të ballafaqohet sektori i kulturës në kryeqytet, shkruan KultPlus.
Një pritje të tillë ka bërë për një pjesë të redaksisë së gazetës online për art dhe kulturë “KultPlus”, ku ka pritë drejtoreshën e këtij mediumi Ardianë Pajaziti, redaktoren përgjegjëse Jeta Zymberi dhe përgjegjësen për marrëdhënie me publikun, Liridona Spahiu.
Sibel Halimi në këtë takim ka thënë se KultPlus është një medium tepër i rëndësishëm për promovimin e kulturës, dhe se një bashkëpunim i tillë me redaksinë e KultPlus është më se i domosdoshëm.
Ajo ka treguar gatishmërinë e saj për mbështetjen e zhvillimeve kulturore në cdo segment, dhe se me këtë dinamikë do të vazhdojë deri në fund të kryerjes së mandatit.
Kurse drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti ka thënë se sikurse edhe në vitet e mëparshme, KultPlus do të jetë i hapur për të gjitha ngjarjet kulturore, duke përfshirë edhe ato që organizohen nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com
Sociologia dhe poetja Sibel Halimi është zgjedhur drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës.
Lajmin e ka bërë të ditur, i pari i kryeqytetit, Përparim Rama i cili është shprehur se Sibeli e ka marrë detyrën e re për ta vazhduar misionin tonë për një kryeqytet me jetë të pasur kulturore e artistike.
Ky është postimi i plotë i Ramës:
Njihuni me drejtoren e re të Drejtorisë së Kulturës, znj. Sibel Halimi.
Me shumë kënaqësi e përgjegjësi Sibeli, e ka marrë detyrën e re për ta vazhduar misionin tonë për një kryeqytet me jetë të pasur kulturore e artistike.
Znj. Halimi është duke doktoruar në Departamentin e Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës me temën “Trupi si konstrukt shoqëror: Drejt sociologjisë së trupit në Kosovë”.
Ajo është poete dhe autore e librave me poezi si: “Kopshti i Mëkateve” (2002), “Qenia nuk banon këtu” (2013), “Me ekzistu është vetë kuptimi”, “Zoti më dashuron mua” (2022) si dhe përmbledhjen eseistike “Shoqëri në Alarm” (2017).
Që nga viti 2004, Sibeli merret aktivisht me studime e kërkime shkencore në fushën e studimeve gjinore dhe sociologjisë, duke trajtuar problemet socio-filozofike.
Prej vitit 2014 – 2018 ka qenë e angazhuar si bashkëpunëtore e jashtme në Departamentin e Filozofisë dhe atë të Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës, si dhe për dy mandate ishte anëtare e Kryesisë së Shoqatës së Filozofëve të Kosovës.
Sibelit i uroj mirëseardhje, dhe punë të mbarë në detyrën e saj të re.
Jam i bindur se përvoja dhe përkushtimi i saj do të nxjerrin në pah potencialin e madh dhe pasurinë e shpirtit artistik të Prishtinës. / KultPlus.com
* Sociologia Sibel Halimi këtë reportazh e ka realizuar në vitin 2011, gjatë një vizite studimore në Izrael dhe Palestinë.
Sibel Halimi
“Nuk është e lehtë t`i bësh bashkë fëmijët, ata rriten me predispozitën e armikut. Por, ne duam të punojmë që fëmijët të rriten përtej kësaj armiqësie”, shprehet Moran, një aktiviste izraelite
Rrëfimi për jetën përtej mureve nisi kur Samiu, rreth të dyzetave doli për t`na pritur në aeroportin e Tel Avivit.
“Nuk është e lehtë jeta këtu, njerëzit janë të ndarë në mure…”, tha ky palestinez tipik me ton gati vetëakuzues. Duket sikur nuk pati kurajo të vazhdojë më tej, sepse natyrisht që nuk ishte për t`u mirë një situatë e tillë. Sikur për ta lënë pas storien e dhimbshme, ai vazhdon të rrëfejë për natyrën mahnitëse të Izraelit, e cila mbase nuk ka nevojë për koment. Mund të përjetohet si e tillë, vetëm nëpërmjet optit.
Rruga nga Tel Avivi deri në Jerusalem është pothuajse e tëra e ndarë me mure të gjera dhe të gjata, anash të cilave qëndrojnë shtëpi me ngjyrë të bardhë.
E ky mur nuk është “The Wailing Wall”, ritual i besimit të hebrenjve, por është ai i ndarjes në mes të dy popujve me besime të kundërta, rival ta kamotshëm, të cilat janë shndërruar në prototip të sintagmës “njeriu për njeriun është ujk”.
E muri është taman mur i ndarjes së thellë fizike, por edhe mentale ndërmjet dy popujve. Kjo ndarje kishte shkuar përtej. Shtëpitë e izraelitëve dhe palestinezëve ishin ndarë edhe në bazë të pusetave bardh ose zi. Kuptohet, e bardha, personifikim për izraelitët dhe e zeza për palestinezët. Praktikisht, ngjyra, me të cilat shpjegohet diversiteti i dhimbshëm i dy popujve që jetojnë në të keqen e përbashkët, të shndërruar tanimë në pronë.
Ndërtesat që i prodhoi Lufta Gjashtë Ditëshe më 1967 dhe që njihen si settlement, janë bërë personifikim i njërës nga luftërat më të shkurtra në botë dhe tregues si popullohet një vend pas pushtimit. E, Izraeli nuk duket të jetë ndalur me kaq. Për një të huaj, tripi në këtë vend është një përjetim në kohë reale, i ndjenjës së luftës- shtetit policor.
Në postblloqe, ushtarët izraelitë kontrollojnë gjithçka. Ky institucion ishte i vetmi ku të gjithë shërbenin pa dalim gjinor. Përfshirja e vajzave dhe djemve në ushtri është më shumë obligim moral sesa shtetëror.
E izraelitë e palestinez, vazhdojnë të mbeten peng të mureve. As aktivistë civilë nuk po mund të bëjnë sa duhet për ta ndryshuar jetën në të mirë të të dy popujve.
Moran, një vajzë rreth të tridhjetave nga Izraeli, po bënte përpjekje për të punuar me të rinj të të dy popujve për të ndryshuar sadopak për të mirë gjendjen. Ajo ka mbaruar studimet për çështje gjinore në Budapest dhe beson në idenë se muret fizike mund të rrënohen lehtë, por jo të njëjtën gjë e beson për muret mendore.
“Nuk është e lehtë t`i bësh bashkë fëmijët, ata rriten me predispozitën e armikut. Por, ne duam të punojmë që fëmijët të rriten përtej kësaj armiqësie”, shprehet Moran.
Ramallah është kryeqyteti palestinez i dominuar nga myslimanët dhe ndodhet 10 km larg Jerusalemit. Emri Ramallah përndryshe ka kuptimin e lartësisë së perëndisë, por gratë e kësaj pjese zor e kanë të arrijnë lartësitë. Marjama, Lina dhe Maria aktiviste palestineze për të drejtat e grave çdo ditë të përditshmërisë së tyre ndajnë me problemet e vajzave dhe grave.
“Ky është vend i heshtjes dhe nga gratë pritet që të mos thonë asgjë”, thonë njëzëri.
Virgjiniteti është normë morale e inspektimit të trupit të vajzave para se ato të martohen. Ngacmimet seksuale janë përditshmëri e zakonshme e burrave dhe djemve në Rammallah, andaj Marjama me organizatën e saj ka vendosur që të organizoj fushatën “Sexual harassment map”, që ka për qëllim vetëdijesimin për të raportuar ngacmimin seksual te organet përgjegjëse.
Por, për gratë e Ramallahut as shtëpia e as rruga nuk janë vend ku ato mund të ndihen të tilla. Në rrugë nga burrat dhe djemtë e panjohur dhe në shtëpi nga të njohurit.
“Virgjiniteti im, është nderi i vëllait tim”, thotë me ironi Marjama, së cilës dëshira për studime i ka hëngër një copë jete.
“Në ceremoninë e diplomimit nuk dëshiroja të merrte pjesë asnjëri nga anëtarët e familjes sime, përpos vëllait, i cili më kishte ndihmuar që unë ta realizoja ëndrrën time”, rikujton Marjama. Vdekja e babait të saj, kishte vështirësuar edhe më shumë funksionimin e familjes. “Nëna mori rolin edhe të babait, andaj nuk ishte e lehtë që ta pranosh patriarkatin me fytyrë gruaje”, shprehej Marjama, teksa shikonte secilën fytyrë gruaje që dëgjonte rrëfimin e saj. Ato punonin bashkërisht për t`i dhënë sadopak gjinisë së tyre dhe jetës. “Shtëpia pa burrë në këtë vend është asgjë e janë gratë ato që pësojnë më shumti qoftë edhe nga asgjëja”.
Sistemi patriarkal i vlerave është aq i fuqishëm saqë edhe gratë që i menaxhojnë organizatat e grave janë “motra të këtyre burrave”, të cilat mendojnë dhe veprojnë me “normën e të qenurit burrë”, thotë Lina.
Praktika e ushtrimit të poligamisë është qendrore në afektimin e jetës së grave beduine. Origjina e emrit të këtij qyteti ka domethënien e të jetuarit në shkretëtirë. E nëse do të kërkohej një analogji, atëherë askush nuk mund t`i përngjante më shumë këtij vendi sesa gratë.
Merav Raz nga organizata “Maan” (The Forum of Arab Women`s Organisation in the Negev), thotë se një përqindje e lartë të grave janë gratë e dyta apo të treta të një burri. Por, nuk ka të dhëna të sakta mbi përhapjen e vërtetë të poligamisë brenda shoqërisë arabe- benduine. Sipas të dhënave të kësaj organizate vlerësohet që ndërmjet 20-36 për qind e familjeve janë poligamiste. Ndërsa, të gjitha çështjet që lidhen me martesën dhe familjen janë të rregulluara me kodet morale të bazuara dhe të predikuara nga institucionet religjioze. “Fuqia e tradicionales ndikon në të gjitha aspektet e jetës së grave”, rrëfenë Merv Raz, gruaja e cila ka vendosur që të bëjë të pamundurën që të punoj së paku në informimin e të rinjve për një jetë më të mirë. Gratë aktiviste nuk i përdorin konceptet moderne, të tilla si të drejtat e njeriut, liberalizmi dhe barazia gjinore, për të referuar në aktivizmin e tyre, por më tepër këto koncepte i transferojnë në kontekstin kulturor-fetar.
“Në forumin tonë janë të përfshira 11 organizata por nuk janë të gjitha aktive, sepse vajzat e reja me t`u martuar ato nuk mund të punojnë më në çështjet të cilat lidhen me gratë. Ato vështirë dalin nga shtëpia, sidomos ato të cilat edhe bëhen pjesë e martesës poligamike”, pohon Safa Abdo, njëra nga vajzat e angazhuara në projektin për përmirësimin e jetës së vajzave dhe grave beduine.
Gratë beduine karakterizohen me refuzim të ulët ndaj poligamisë dhe për këtë studimet tregojnë se ekzistojnë shumë arsye pse gratë beduine nuk refuzojnë të jenë pjesë e jetës poligamiste
“Poligamia është pjesë qendrore e vlerës së shoqërisë beduine, gratë poashtu nuk kanë opsione të tjera në zgjedhjes pikërisht për shkak të varshmërisë ekonomike nga burrat”.
Përveç jetës së vështirë, të cilën e bëjnë vajzat dhe gratë e këtij cepi të botës, statusin e tyre social e rëndon edhe më ngjyra e veshjes që bartin ato. Ngjyra e zezë e punuar me dizajn të kuqe dhe ngjyrë portokalli përcakton statusin e martuar të grave, ngjyra rozë e vajzave simbolizon beqarinë e tyre, ndërsa ajo e gjelbër e veshjes tregon për pozitën e të qenurit e divorcuar.
Huda Asana nga fshati Lakia ka disa vite që është pjesë e organizatës “The Asociation of Promotin of Women Status in Lakia”. Ajo rrëfen katrahurën e grave në këtë vend. Një njërën nga projektet që ajo punon, pos artizanit të qëndisjes që përfshin punësimin e rreth 18 grave dhe shkrim-leximin, ajo ka edhe një projekt për t`i nxjerrë së paku njëherë në muaj gratë nga fshati ku jetojnë.
“Është e vështirë të organizohet ky takim, ngaqë ato nuk lejohen nga burrat e tyre për të bërë sado pak për vete”, rrëfen Huda. Sipas saj “gratë nga Lakia kanë shumë fëmijë dhe e kanë shumë të vështirë të bëjnë diçka për vete, madje nuk e kanë mundësinë më të vogël për tu kujdesur edhe për trupin e tyre”. Madje, edhe kafeja që pinë gratë e kësaj organizate ka simbolikë.
“Kafenë, të cilën tani ju do të pini është pa sheqer dhe kjo u servohet të gjithë atyre që e vizitojnë organizatën tonë, ngase jeta jonë është e zezë dhe e hidhur si kafja…”, përfundon ajo. / KultPlus.com
Vuaj nga një sëmundje e rrallë e plot mister Çdo ditë më gërryen diçka përbrenda Përballë secilën qelizë jete me vdekjen
Vuaj nga përditshmëria e të pathënës fjalë të groposura n’thellësinë e zezë humnerore të vetmisë zbardhur
Vuaj kur nuk luftoj mos me u dorëzua Në rrugën që pritet t’i jepet një emër Dikush gjithnjë është n’kërkim të një emri
Një njeriu
Vuaj për njeriun ndarë në dysh mes kundërshtive si në gojë darâsh
Me veten strukur diku në qoshkun e fëmijërisë
Vuaj për luftën që se bëj Për rrënjët në paqe lëshuar thellë, zgjatim Vuaj për fytyrat e fryra për dhimbjet shkakësore mimikën beton e buzëqeshje sipërore harruar
Në të djeshmen, matanë murit të koshiencës
Vuaj për emrat që nuk kanë këmbë, duar as fytyrë Që s’shprehin gjë as irritohen thjesht ekzistojnë për fjalën që dhemb – një dhembje kohë rrënon një dromcë dashurie të ndjellë ndonjëherë diku
Vuaj çdo ditë për timen bijë që nuk arrita t’ia bëja një botë më të mirë me vizllima Të papranishmën botë Që premtuar ia kisha asaj dhe shoqeve të saj
Vuaj për vuajtjen Për përmbysjen, kaosin e pritjen
QKLL po bëhet gati për festivalin “Varg”. Nata e parë e festivalit “Varg” do të zhvillohet në Durrës dhe do të bashkojë simbolikisht Shqipërinë dhe Kosovën në një skenë letrare. Kjo natë do të trajtojë temën “Letërsitë shqipe apo letërsia shqipe?”
Nën organizimin e Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit” dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, aktiviteti do të sjellë Sibel Halimin, Ag Apollonin dhe Arbër Selmanin për të biseduar e lexuar mbi letërsinë shqipe si një të tërë, përtej hapësirave dhe ndasive, për zona kulturore, e histori në perspektiva të reja mendimi.
Ky aktivitet është një nga stacionet e sezonit veror “KultArt” 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës, që çon artin e kulturën atje ku është publiku.
Këshilli i shqiptarëve në Mal të Zi, Shoqata e artistëve dhe intelektualëve ‘Art Club’ dhe libraria ‘Ulqini’ organizojnë bisedë me sociologen, poeten dhe politikanen, Sibel Halimi.
Në këtë takim do flitet për poezinë, rolin e gruas në shoqërinë shqiptare, hendekun gjinor, për këndvështrimet sociologjike mbi trupin dhe politikën.
Takimi do të mbahet sonte nga ora 20:00 në librarinë Ulqini./ KultPlus.com
Komuna e Gjilanit ka përuruar së fundi një mural të realizuar nga “MuralFest” e që për titull ka “Forca e Gruas”, dhe si të tillë e ka prezantuar edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni në përurimin e këtij murali, shkruan KultPlus.
Për këtë mural ka reaguar sociologia Sibel Halimi, e cila edhe muralin por edhe mbishkrimin e kryetarit Hyseni i ka vlerësuar si patriarkal.
KultPlus ju sjell të plotë reagimin e Sibel Halimit, sikurse që bashkëngjit edhe postimin e kryetarit Hyseni.
Murali dhe mbishkrimi patriarkal i kryetarit të Gjilanit!
Murali i prezantuar si “Forca e Gruas” nuk ka të bëjë fare me fuqizimin e grave, por me robërimin e tyre.
Mural në hapësirë publike, pa fuqi figurative, ajo na shfaqet si besimtare e verbër dhe pa asnjë qëllim jetësor pos familjes.
Gabimi tjetër i pafalshëm, është kur kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni përpiqet që këtë model të gruas së prezantuar ta paraqesë me një status në Facebook, si pamje të barazisë gjinore, fuqizim të grave dhe politikave më miqësore për familjen!?
Ky është version tipik patriarkal i konceptimit të forcës së gruas, që ka veç një qëllim në jetë: rritjen e fëmijëve!
Një shembull se si koncepti i familjes vihet në shërbim të pushtetit politik patriarkal.
Shtrohet çështja, si mund të reflektojë një vajzë e re derisa vështron muralin. Lidhja e verbër me botën patriarkale dhe me mbajtje fëmijësh, pa vizion për lirinë, pra pa të ardhme./ KultPlus.com
Sociologia, poetja, aktivistja dhe zëdhënësja e politikës, Sibel Halimi, shtjelloi një temë interesante dhe shumë atraktive të titulluar “Trupi dhe politika” mbrëmë në ambientin e librarisë Dukagjini në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Si një grua që mundohet t’i shtyjë gjithmonë përpara temat e problemet e ndryshme shoqërore e sidomos ato që lidhen me gruan, Sibeli edhe mbrëmë solli para publikut disa nga këndvështrimet e saj sociologjike mbi trupin dhe politikën.
“Trupi dhe politika” erdhi si një diskutim më ndryshe për politikën dhe trupin si konstrukt shoqëror dhe për politikën që mësyn kontrollin mbi trupin. Diskutim ky që kishte mbledhur një audiencë mjaft të larmishme të cilët ishin të interesuar për të njohur dimensione specifike të funksionit të shoqërisë dhe politikës në kontekstin e trupit.
Sibel Halimi është një grua që i ka tri botë të ndryshme brenda vetes: poezinë, sociologjinë dhe politikën. Këto tri sfera ajo arrin t’i gërshetojë në mënyrën më të mirë të mundshme me njëra tjetrën. Në sociologji identifikon problemet, merresh me çështje shoqërore, në poezi në formë poetike përmes figurave stilistike i përshkruan problemet shoqërore, ndërsa përmes politikës punon në rrugën se si përmes vendimeve të ndryshojmë jetën e njerëzve. Në pamje të parë, të tria këto janë botë të ndryshme por që arrijnë të bashkëveprojnë mirë me njëra-tjetrën.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, në epiqendër të temës ishte studimi i sociologes Halimi mbi trupin dhe shtetin. Sipas saj secili prej neve ka lirinë e plotë të vendimmarrjeve mbi trupin. Në disa dimensione, trupi dhe politika janë në bashkëdyzim.
“Trupi shihet si një vend i pushtetit, i regjimit dhe i negociatave. Në mënyrë indirekte kontrollon riprodhimin, kontrollon gruan, abortin, natalitetin. Sa i përket trupit duhet të dallojmë çështjen natyrore dhe shoqërore. Në sociologji përfshihen tri çaste. Në rastin e parë, trupin e sheh si parashoqërorë. Natyra feministe është se ne nuk duam ta shohim trupin e gruas në kuptimin biologjik. Qasja e dytë, mendja dhe trupi bashkëjetojnë dhe ne nuk mund t’i shohim si të ndarë. Dhe qasja e tretë ku trupi shihet si shoqëror. Pra nëpërmjet konstruktivimit shoqëror, trupi nuk shihet vetëm në konotacionin biologjik por edhe shoqëror. Në femenologji, që është një drejtim fiziologjik, ekzistenca i prinë esencës dhe jo më esenca ekzistencës”, u shpreh Halimi.
Sipas Halimit, në qoftëse e shohim trupin në jetën e përditshme, shohim se çdo gjë lidhet me trupin. Se si dukemi, se si jetojmë, se si marrim vendime për jetën.
“Femenologjia thotë se trupi është vend i diskriminimit, vend i pushteteve. Është vend ku i gjithë konstrukti i një shoqërie të caktuar projektohet dhe formësohet përmes trupit. Por edhe në letërsinë shqiptare edhe filozofia popullore, gruan nëpërmjet nënës e kanë glorifikuar deri në atë nivel sa që e kanë humbur subjektivitetin e saj”, tha Halimi e cila shtoi gjithashtu se ka një poezi që shpreh dëshirën për ta parë lirinë e nënës.
Krejt në fund, sociologia, kërkoj mekanizma nga shteti për zhvillimin e trupit, lirinë e trupit dhe emancipimin e grave.
“Emancipim për gruan është kur ajo ka vetë vendimmarrjen mbi trupin e vet”, përfundoi Halimi. / KultPlus.com
Më 31 maj, nga ora 18:00 – 19:00, sociologia, poetja dhe politikanja Sibel Halimi vjen në librarinë Dukagjini për një diskutim të hapur mbi trupin si konstrukt shoqëror, marëdhënien mes “trupit dhe politikës”.
Përkundër që trupi dhe politika duken fusha të ndryshme në pamje të parë, ekziston një lidhjendërvarësie në mes tyre. Marrëdhënia midis trupit dhe pushtetit politik, praktikave të politikës në lidhje me trupin, si dhe ndikimit të faktorëve politikë në perceptimin dhe përjetimin e trupit janë vetëm disa nga dimensionet e bashkëjetesës së ngushtë në mes politikës dhe trupit. Prandaj, diskutimi i lidhshmërisë në mes politikës dhe trupit përpiqet të zbulojë se si politika shpërndan, i vë në një lloj hierarkie dhe i rregullon trupat në një shoqëri.
Nën moderimin e Agon Rexhepit, diskutimi përqendrohet edhe në studimet sociologjike të trupit dhe politikës, duke u ndalur te çështjet si: kontrolli politik i trupit, çlirimi i trupit nga pushteti politik, shfrytëzimi i trupit në politikë, ndikimi i politikave të trupit në formimin e identitetit individual dhe kolektiv, trupi si fushë e protestave politike dhe simbolikat politike të trupit.
Marrëdhënia dinamike në mes biologjikes dhe ambientit social në të cilin gjendet individi kanë një efekt të fuqishëm në perceptim dhe krijimin e vetimazhit dhe respektit për veten.
Përtej shtjellimit teorik, diskutimi do të shpërfaq edhe rezultatet nga hulumtimi empirik i autores, i realizuar me gratë dhe vajzat në Kosovë lidhur me të kuptuarit e vlerësimit të trupit; qëndrimet e tyre rreth imazhit të trupit që do të ndihmojnë në dekonstruktimin e standardit të trupave të idealizuara të grave dhe vajzave në Kosovë.
Imazhi i trupit dhe vlerësimi i tij janë koncepte gjithnjë në ndryshim dhe kanë një efekt të thellë në përditshmërinë dhe mënyrën e të jetuarit në përgjithësi. Problematika e trupit, disiplinimi e kontrolli i trupit, ribërja e trupit nëpërmjet modifikimit si dhe portretizimi i trupave në kulturën e komunikimit masiv përbëjnë katër aspektet qendrore të diskutimit, drejt të kuptuarit të trupit dhe njohjes së konstruktit shoqëror mbi ‘trupin ideal’ të grave dhe vajzave në Kosovë./KultPlus.com
Sot, deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, u është drejtuar deputetëve që kundërshtuan ligjin për shëndetin riprodhues.
Bogujevci në fjalimin e saj u shpreh se gratë mund të zgjedhin rrugët e shkencës për t’u bërë nënë dhe sipas saj jo gjithmonë e determinon një lidhje apo martesë me një burrë nevojën për të marrë këtë epitet.
E në mbështetje të Bogujevcit ka dalë edhe anëtarja e LDK-së, Sibel Halimi, e cila u shpreh thelbi i të drejtave të grave është vendimmarrja autonome dhe e vullnetit të lirë për trupin e tyre
“Thelbi i të drejtave të grave është vendimmarrja autonome dhe e vullnetit të lirë për trupin e tyre, e në këtë kontekst edhe për amësi. Çdo përpjekje për ta mohuar këtë të vërtetë, do të arsyetojë edhe dhunën në bazë gjinore”, u shpreh Halimi./ KultPlus.com
Nga sot fillon “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore”, fushata ndërkombëtare vjetore që fillon më 25 nëntor në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe zgjat deri më 10 Dhjetor.
Gjatë këtyre ditëve, në çdo cep të botës bëhet thirrje për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave, por në Prishtinë sot ndodhë e kundërta. Pikërisht në këtë ditë ka ndodhur një rast i rëndë ku një grua është privuar nga jeta nga bashkëshorti i saj.
Për këtë rast ka reaguar edhe sociologia Sibel Halimi e cila është shprehur që kjo ditë do të duhej të shërbejë si një përkujtues i radhës për shoqërinë për të arritur barazi gjinore, por në fakt sot në Prishtinë ka ndodhur e kundërta.
Ky është reagimi i plotë i Halimit:
Dita e vetëdijesimit kundër dhunës ndaj grave nisi me mëngjes të trishtë
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, e cila do të duhej të shërbejë si një përkujtues i radhës për atë se edhe sa shumë duhet të bëjmë si shoqëri për të arritur barazinë gjinore; pikërisht sot, në Prishtinë, vritet një grua në familjen e saj.
Në një vend ku gratë dhe vajzat shihen si objekte, në shërbim, të disiplinuara dhe të kontrolluara nga burrat; në një kohë kur rastet e dhunës, dhunimit dhe privimit nga jeta të grave, janë bërë rëndomtësi e përditshmëri, nuk mund të qëndrojmë duarkryq kur gjysma e popullatës shtypet dhe diskriminohet. Të gjithë duhet të vetëdijesohemi për rëndësinë e gjuhës që shprehim, për qëndrimet tona karshi grave dhe vajzave, ngase pa eliminimin e patriarkalizimit të përbrendësuar nuk mund t’i ndryshojmë veprimet! / KultPlus.com
Nuk të linda për t`u kujdesur ti për mua Kur unë s`do të mund të të shoh Nuk të linda për ta plotësuar amësinë time Të kërkuar nga të tjerët… Nuk të linda për ta kënaqë dëshirën për puthjet që sot të shumta i shkrep mbi ty… Nuk të linda për ta projektuar veten në kthjelltësinë e syve tu të padjallëzuar plot jetë e dashuri… Nuk të linda për ta dhënë emrin sipas diktatit Të kushedi se kujt Të linda HERA Për ta parë lirinë tënde/ KultPlus.com
Ka kohë që të vërtetës si lë vend besoj të jetë vetëm një sajesë pushtetesh të ngritura mbi mure
Mund të shtrojmë qindra pyetje vërteta në vrimë çelësi në halucinacion shndërruar është
Nuk do të kemi më hyjni rrotulluar mbi kokat tona Shtrirë janë në shtratin e tempujve të boshatisur me shpirtrat e lënguar e vërteta më nuk ka emër e njeriu arratisur në birë të minit
Por gjithmonë do të kemi një grumbull gomarësh që të vërtetën në samarë do t`na sjellin. /KultPlus.com
E kaluara është sëmundje kronike shtrirë në botën e përgjumur të shfaqet hija shpartalluese që s`i lë dot emër
Në luftën e njeriut e sotmja kurrë nuk është kanë pushtuar zbrazëtirat e së kaluarës zgërdhirë me të pajetuarën kështjellë ndërtuan kanë
Ikja është dorëzim për pushtime t`reja anonime që zhurmën pullaz kanë
Më gjykoni, është punë e juaja kam një tokë t`krijuar me pamje gruaje pagane n‘gji mbajë natën yjet e hënën gëlltitur i kam
Ne të gjithë e dimë shtëpitë mbajnë shpirtrat e të ikurve po e hape derën janë aty më pas korridoret avullohen në pasqyrë; një fytyrë lirie Megjithatë, lëvizja është dritë / KultPlus.com
Rrugës së ecur me këmbët kallo dhembja nuk mund të hedhet në kontejnerë bota vazhdon ballon e marrëzisë
Kronikave të zeza I shtohen gratë e mbijetuara fjalët që plotësojnë fjalëkryqet e jetës tjerat shtrirë në njërën prej divaneve
Përditshmëria lëvizë shumëzon veten
Diku ekziston një kuptim që mund të krijohet mbase duhet të mos ecim më kështu do t’i shpëtojmë bijtë nga përkulja që përditshmëria ua fal /KultPlus.com
Me mija fustana shtri në fushë jeshile Sytë t’i marrin N’kët fushë lodrue s’kemi E jona kurrë s’asht kenë Bojnat e fustanave pikturë jetën na e banë Të mitë janë tetanë Fatin e secilit unë e kam pasë E zeza lindjen ma kujton Mallkimin që bani edhe trajt’ me qa Nji fustan i bardhë me nji kordele t’ndame n’dysh n’cep gjini, trishtim Ah si e mbaj mend këtë ngjyrë, kur bardhësinë ma pshtetën për shpine E shtrime përtoke në shpinë ku gjithnji derë e huej m’thanë E huej mos kjofsha kenë Shumë fustana po i shoh Duhmë vuejtje si temjan Të varun në vig që s’kputet kurrë Se fati i tyne asht tanë kohën n’luhajë Fustan I gjatë, i shkurtë as mini as korset, mortajë Krejt gratë çue n’kamë ka nji fustan me lanë në fushën e virgjënisë Me vjerrë në vigun e heshtjes Sepse ato të paprishuna kanë metë Virgjëninë – tapi për një jetë të tanë Edhe unë nji po e la Nji pjesë timen vjerrun N’përvuejtni Fustanin e kuq t’dashnisë teme t’parë E dhunueme po, virgjëneshë përjetësisht!
Nga libri me poezi “Me ekzistu është vetë kuptimi”./ KultPlus.com
Mos u tremb nga hijet kudo Ato janë aktore n`teatrin e territ Me i prekë s`mundesh, sall prapa të vijnë Mos u tut, se trishtimi ma i madh ditën a` Hera, mos u tut as prej insekteve që banue me neve kanë Janë picirruke, të pickojnë sall për ta kujtue Ndjesinë e t`voglit, që sherr të madhit s`mund i ban Mos u tut, as kur njerëzit britma lëshojnë Ata janë të trishtuem nga vetja E frika jote i ban me mendue se bota e tyne asht Madje, Hera, tutë aspak mos ki As kur n`agun e mëngjesit Psalme kushtue zotit dëgjon Kot marrin mundin për t` lidhë me ta Sepse ti veç nji gjaje që shihet i beson Tuta mjet kontrolli e njerëzia gogolë Hera ime, mos u tut as atëherë kur na s`jemi aty Shiko vërdallë, ndiej, merr frymë… N`bebëzat tua jemi Mos u tut nga zhurma e hapave të tu Krejt njisoj asht Njerëzit janë gjeodetë I masin rrugët sa t`gjata e ku t`çojnë Ti marsho sigurt Kryenaltë! Mos u tut as nga mësueset Dhe detyrat që t`i japin ato Bani si të duesh, siç ma së miri i kupton Se obligimet shpesh bajate janë Por të tilla që duhet me i ba Thithe gishtin si biberon, rrëshqit me gishta flokëve t`arta Mendo qetë për gjanat që t`pëlqejnë Vafshin n`djall Krejt ata që duan tjetrit T`i bahen busullë Mos u tut nga frika Se ethet n`bark hi i kanë Gogol s`asht