Promovohet “Shoqëri në Alarm” nga Sibel Halimi, u dedikohet grave dhe vajzave në Kosovë

“Shoqëri në Alarm”, kështu e ka titulluar librin e saj të ri autorja Sibel Halimi, i cili u promovua sonte në kafe-librarinë Dit’ e Nat’, në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Libri i saj sjellë një reflektim i cili përfshin zhvillime të gjithëmbarshme në shoqërinë kosovare, në gati pothuajse dy dekadat e fundit.

Arbër Selmani, gazetar dhe redaktor në gazetën për kulturë KultPlus, moderoi këtë promovim libri ku edhe tregoi se brenda këtij libri është e përfshirë një punë e gjatë kërkimore e autores dhe përmban disa figura kontradiktore brenda tekstit. Selmani tregoi se në këtë libër përfshihen citate të Kantit, Simone de Beauvoir. Ai po ashtu tregoi se ky libër përmban edhe emra kontradiktor që lidhen me fusha të ndryshme andaj në këtë libër kanë zënë vend edhe emri i Shefqet Krasniqit, Rexhepi Qosjes, Atifete Jahjaga e deri tek Era Istrefi, ndërsa depërton edhe tek Akademia e Shkencave. Që nga kjo përmbajtje tregon se autorja i ka dhënë një trajtim të veçantë çështjeve të ndryshme të shoqërisë kosovare.

Antropologia Nita Luci, sot gjatë promovimit shpalosi disa nga pjesët më interesante të librit, ajo tha se ky libër nxjerrë në pah disa vështrime dhe mendime që mund të jenë të ndryshme varësisht nga konteksti i leximit. Luci tha se e veçanta e këtij libri vjen në faktin se ndonjëherë e bën lexuesin të qesh edhe në momentet më të dhimbshme. Ajo theksoi pjesën e cila flet për historinë, kombin dhe mustaqet, derisa lexoi dhe një pasazh.

“Burrat janë baballarët e kombit, ata që formuan, zhvilluan dhe drejtuan shtetin. Ata para të cilëve shteti përkulët, njerëz me mustaqe, lavdia e të cilëve në histori nganjëherë rri e varur pikërisht në atë grumbull qimesh”, ishte pjesa të cilën e lexoi antropologia Luci, e cila shtoi se kritika dhe intervenimi feminist mbi kombin vazhdon të jetë gjithnjë temë e rëndësishme për diskutim.

Antropologia Nita Luci poashtu tregoi se veçantia e këtij teksti është se primare e ka dashurinë, pavarësisht çështjeve që trajton.

“Ajo çfarë nxjerrë në pah Sibeli është dashuria, ky tekst nuk flet për Millosheviqin, nuk flet për pronën, për universitetin, ai flet të gjitha ato po primare është dashuria dhe a mundet dashuria të jetë një lloj projekti politik që i mobilizon grupet e ndryshme për interesa të përbashkëta” tha tutje Luci sonte.

Po ashtu dhe sociologia Linda Gusia, kishte lexuar këtë libër ende pa ardhur në duart e lexuesve ndërsa tregoi për të pranishmit dhe tha se punën e autores Halimi e sheh si shumë të rëndësishme lokalizimin e dijes dhe veçmas për lidhjen që bën mes akademisë dhe aktivizimit.

“Viteve të fundit jemi duke u përpjekur që ta tejkalojmë atë hendekun e madh mes akademisë dhe aktivizimit dhe lokalizimit të dijes. Mendoj se është e rëndësishme që ta lokalizojmë dijen dhe angazhimin feminist, poashtu të flasësh për subjektin e gruas prej një konteksti shumë të vështirë”, tha sonte Linda Gusia, e cila po ashtu shtoi se sociologen Sibel Halimn e cilëson si një shembull i një intelektualeje që ka guxim të reagoi mbi fenomenet për të cilat janë shumë të rëndësishme për shoqërinë.

Ky libër në të cilin autorja ka vënë edhe një qasje shkencore, nxjerrë në pah reflektimin e autores për zhvillimet që ndodhin në Kosovë, ndërsa ajo nuk mund t’i ndahet as natyrës së saj poetike, ku brenda librit ka vendosur edhe poezinë e saj.

Vet autorja Sibel Halimi, pohoi se këtë libër ua dedikon vajzave dhe grave që shpesh janë përballur në situata jo të mirë për shkak se për fatin e tyre kanë vendosur grupet e tjera, duke u nisur edhe nga sistemi ynë patriarkal.

“Reagimi im i përditshëm vjen si pasojë e ndryshimeve që kanë ndodhur dy dekadat e fundit dhe që shumë grupe i kanë kanalizuar këto ndryshime në bazë të ideologjive të tyre”, u shpreh Halimi. Ajo më pas tregoi se trupi është pjesë qendrore në pothuajse katër kapituj, për shkak se trupi është i pranishëm kudo por që historia e filozofisë, ajo e psikologjisë dhe feministe ka trajtuar vetëm mendjen.

“Vetëm epoka e fundit e feminizmit përpiqet që trupin ta kthej në figurë qendrore për shkak se trupi është bërë vend i shtypjes, i kontrollit dhe disiplinimit”, ka treguar autorja Halimi.

Arsyeja përse autorja këtë libër ua dedikon vajzave dhe grave të Kosovës, është sepse ky libër është alarmi i fundit që ato t’i kthehen vetvetes, jo duke u përfshirë në ndonjë ideologji por duke reflektuar dhe duke u shndërruar në subjekt.

Autorja Halimi krejt në fund pati një mesazh me të cilin godet edhe në fund të librit, se ky libër shliron edhe gratë edhe burrat që të dy palët janë viktima të sistemit patriarkal./ KultPlus.com

“Shoqëri në Alarm” nga Sibel Halimi promovohet sot në Prishtinë

Të enjten më 21 dhjetor me fillim nga ora 17:00, autorja Sibel Halimi, promovon librin “Shoqëri në Alarm”, shkruan KultPlus.

Libri i cili promovohet në kafe-librarinë Dit’ e Nat’, është një reflektim mbi zhvillime të gjithëmbarshme në shoqërinë kosovare, në gati pothuajse dy dekadat e fundit. Është shqetësim dhe kureshtje për të mbajtur qëndrim apo regjistruar ndryshimet shoqërore, sidomos në periudhën e pasluftës, kur ngarendja për ta krijuar shtetin, la anash shumë aspekte të rëndësishme sociale, të cilat në një formë a tjetër po i hakmerren shoqërisë sonë. Pra, një alarm se një kohë tjetër nuk ka dhe se ndodhitë brenda nesh nuk duhet t`i kundrojmë sikurse ndodhin në vende të tjera. Të guxojmë për të ndryshuar, si garanci se liria e individit është mbi të gjitha dhe se ajo nuk mund të negociohet.

Për librin do të flasin: Nita Luci, antropologe dhe Linda Gusia, sociologe, derisa do të moderohet nga Arbër Selmani, gazetar dhe redaktor në gazetën për kulturë KultPlus./ KultPlus.com

Zoti më dashuron mu

Poezi e shkruar nga Sibel Halimi.

Në gjysmëhënë
Rri peng shpirt juaj
Në kryq shpresa varur
Mëkatet spërkaten me temjan

Ëndrra katedrale
Frika në kambanarë
Rrëfimi i nisur i patreguar kurrë
Zë i mekur në ndërgjegje

Ezani veç vdekjen ndërmend ta sjellë
Shpirtin ta trandë
Toka të lëvizë nën këmbë
Ti bëhesh mumje
E, zoti më dashuron mu`!

Dëftim

Poezi e shkruar nga Sibel Halimi.

Në shkallët e fëmijërisë sime
Miliona grimca të ardhmes
S’ka fshesë t’i fshijë

Fidanet e tua, babi- të mijat janë
Imazh i pajetuar i rinisë
Të mbëltuara në alegorinë e Platonit
Të rinuara në broçkullat e Sokratit

Fundi që veshur kam
Ëndrra jote është
E mora vesh babi sot
tek pash detin në fytyrën time qullë
Tek pashë kodrat hije mbi kokë
Imazhi yt mu dëftua në pafundësi

Vrulli që ma jepje çdo natë
Për të sotmen
Pas shumë moteve ndrinë si flakada
Seç m’u kujtove – baba

Kur shtroja batanijen
Kur në filxhanë shumëngjyrësh
gjurmë fati kërkoja
Kur kafenë e zezë katran
E pinim për një ditë të bardhë

Atë fytyrë kurrë më s’e shohë
S’mund, s’arrij
Bredh rrugëve
Dënes si fëmijë
Vrapoj
S’lozë
Përhumbem
Në përjetësi
Babi,
Ma ndiz zjarrin
T’i trembim hijet alegorike
Se vdekja jote është dritë për mu’
A po e ndjenë, sa shumë të du’